Widgetized Section

Go to Admin » Appearance » Widgets » and move Gabfire Widget: Social into that MastheadOverlay zone

Skandali, eshtrat e dom Nikollë Kaçorrit transportohen me një karrocë mallrash

Lexuar 1891
Asnjë qeveritar shqiptar nuk pret në Rinas eshtrat e nënkryetarit të qeverisë së Vlorës.
Ishte skandaloze dhe e turpshme mbërritja e eshtrave në Rinas të nënkryetarit të qeverisë së parë shqiptare, dom Nikoll Kacorri. Nënkryetari i qeverisë së Vlorës nuk është pritur nga asnjë qeveritar shqiptar, madje as nga ndonjë i rangut më të ulët. Por duke mos u ndalur me kaq, skandali vijon edhe më tej. Sepse në Rinas nuk kishte asnjë shenjë protokolli qeveritar për themeluesin e parë të kësaj qeverie. Për turpin e qeverisë, themelues i alfabetit shqip, patrioti i mirënjohur erdhi ne Rinas si ndonjë  njeri që mund të ishte vrare duke transportuar drogë. Madje zyra e protokollit qeveritar nuk ka lejuar të afrojë makinën pranë avioni që arkivoli të mos merrej nën dore si të ishte ndonjë valixhe. Më pas eshtrat e dom Nikollë Kaçorit janë transportuar me një karrocë mallrash. Në fakt nuk ke çtë presësh më shumë, kur ministri i Kulturës, është ende në “kërkim të eshtrave” të Ismail Qemalit….

Si u zbuluan në Austri eshtrat e Imzot Dom Nikollë Kaçorrit
Eshtrat e Imzot Kaçorrit janë ekshumuar të martën, më 1 shkurt 2011, në Vjenë të Austrisë. Më 6 shkurt në Vjenë mbahet meshë përkujtimore, ndërsa më 9 shkurt eshtrat e Imzot Kaçorrit do të përcillen drejt Shqipërisë ku do të bëhet riatdhesimi i tyre, ka njoftuar don Pren Kola, atë shpirtëror i shqiptarëve të krishterë në Austri, Çeki dhe Sllovaki me rezidencë Vjenë.

Rikthimi
Pas 94 vjetësh që kur u nda nga kjo jetë, do të rikthehen në Shqipëri, në tokën për të cilën e shkriu tërë qenien e tij, eshtrat e Imzot Kaçorrit. Eshtrat e Imzot Kaçorrit deri më tani preheshin në Vjenë të Austrisë, por pas një kohe të gjatë përpjekjesh dhe me ndihmën e familjes Kaçorri që jeton në Shqipëri dhe Kanada, me përkrahjen e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Vjenë, me ndihmën e veçantë të Qeverisë austriake, e cila edhe ka marrë përsipër shpenzimet ekshumimit dhe transportit të relikteve të të ndjerit Imzot Nikollë Kaçorri për në atdhe, si dhe me ndihmën e anëtarëve të Misionit Katolik Shqiptar nën drejtimin e meshtarit don Pren Kola, është arritur që të zhvarrosen eshtrat e Imzot Kaçorrit, të cilat më 9 shkurt do të trasferohen për në atdheun e tij të dashur, për të cilin u orvat tërë jetën.Kontribut të jashtëzakonshëm dhe vendimtar në këtë punë ka dhënë Misioni Katolik Shqiptar ne Vjenë, Pjetër Logoreci, Vjenë dhe Edmond Kaçorri, Kanada.Eshtrat e dom Nikollë Kaçorrit janë ekshumuar të martën, më 1 shkurt 2011, në orën 8.30 në Vjenë të Austrisë, andaj me këtë rast, më 6 shkurt 2011 në orën 11.30 në Meiselstraße 1, 1150 do të mbahet meshë përkujtimore, ka njoftuar don Pren Kola, atë shpirtëror i shqiptarëve të krishterë ne Austri, Çeki dhe Sllovaki me rezidencë Vjenë, i cili thotë se në këtë meshë është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të shumë ambasadave në Austri, duke përfshirë edhe Ambasadën e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës.

Kush në të vërtetë është Imzot Nikollë Kaçorri dhe cili është kontributi i tij për çështjen kombëtare dhe përparimin kulturor të shqiptarëve?
Historiografia shqiptare pas viteve ‚90 falë depërtimeve individuale ka bërë përpjekje të ndriçojë këtë figurë të madhe të kombit tonë, por harresa ideologjike e diktaturës komuniste ka bërë që emri i tij për 50 vjet të mos përmendej gati fare. Kështu, qëllimshëm është hedhur pluhuri i harresës mbi njeriun që firmosi pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, Alfabetin e Shqipes më 1908 në Manastir, etj.etj.Imzot Nikollë Kaçorri u lind në vitin 1868 në Krejë-Lurë në Shqipëri dhe vdiq me 1917 në Vjenë. Rrjedh prej një familjeje katolike dhe myslimane, pra nëna e tij ishte myslimane ndërsa babai katolik. Ai kreu shkollën jezuite. Pas përfundimit të suksesshëm të seminarit, Nikollë Kaçorri u shpërngul për në Itali, ku dhe diplomohet në shkollën teologjike “Propaganda Fide-s”. Menjëherë pas studimeve të larta u shugurua prift (1890) dhe tre vjet më vonë u emërua prift i Kishes Katolike në Durrës. Ishte aktiv për 24 vjet si zëvendës-arqipeshkv (me disa ndërprerje të shkurtëra). Pas emërimit të tij si prift në Durrës, ai ishte i përfshirë në formimin e shumë shoqatave dhe vëllazërive. Në këtë periudhë të shërbimit të tij në Durrës, ai kishte marrëdhënie shumë të mira me qeverinë Austro-Hungareze, e cila merrej me krijimin e shkollave dhe shkollimin e popullsisë katolike, pasi që në Perandorinë Osmane gëzonte privilegjin e administrimit apo protektoratit ndaj popullsisë katolike. Dom Nikollë Kaçorri ishte përhapës i librit shqip, dhe poashtu i shtypit shqiptar patriotik. Për këtë arsye edhe pati konflikte me shumë institucione të asaj kohe, e sidomos me patriarkun grek. Ai ishte edhe pjesëmarrës i shumë lëvizjeve kulturore dhe politike shqiptare. Poashtu mori pjesë në Kryengritjen e Kurbinit (1905-1907). Gjatë kësaj periudhe, Nikollë Kaçorri personalisht kontaktoi me shumë diplomatë austriakë në Durrës dhe kërkonte angazhim serioz për të zbardhur gjendjen e rëndë në Kurbin që kishte krijuar Esat Pasha me forcat turke. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit më 14 nëntor 1908 ku u vendos Alfabeti i gjuhës shqipe.

Mori pjesë në Kongresin e Dibrës në vjeshtën e vitit 1908, qëllimi i cilit ishte synimi i xhonturqve për të bërë për vete shqiptarët, me të cilin rast Nikollë Kaçorri reagoi me shumë delegatë të tjerë dhe hetoi synimet e xhonturqve. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit ku u diskutuan problemet të shkollës shqipe. Në vitin 1909 themeloi klubin patriotik të Durrësit ndërsa më 18 qershor 1910, Imzot Kaçorri u arrestua nga forcat turke si kundërshtar i urdhëresave të qeverisë osmane dhe Sulltanit. Ai mori pjesë në organizimin e kryengritjes së vitit 1911 dhe 1912 kundër turqve. Më 28 nëntor 1912, në mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, që besohet të jetë hartuar nga Luigj Gurakuqi. Deklarata është dokument i shkurtër dhe i shkruar me dorë, i nënshkruar nga delegatët e Kuvendit, ndër të cilët don Nikollë Kaçorri nënshkroi i dyti. Don Nikollë Kaçorri ishte nënkryetar i Qeverisë së Vlorës të vitit 1912. Ai ishte një personalitet i kishës katolike, sekretar i Arqipeshkëvisë së Durrësit me qendër asokohe në Delmnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke patur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Ai ishte monsinjor. Pas një sëmundje të shkurtër, Imzot Kaçorri vdiq në Vjenë, me 29 maj 1917. Në varrimin e tij, më 1 qershor 1917, morën pjesë komandanti i krahines së Tiranës, Feldmarschall Braun, Kryekonsulli i Shkodrës, e veja e konsullit Austro-Hungarez në Durrës, baronesha Lovontal-Linau si dhe shumë diplomatë të tjerë. Me 2 qershor 1917, në kishën ,,Maria Treu” u tha meshë për të. Riatdhesimi i eshtrave të Imzot Kaçorrit, të këtij personaliteti që firmosi Pavarësinë e Shqipërisë dhe që ishte protagonist kryesor i zhvillimeve kulturore dhe politike me peshë kombëtare, përveç si një detyrim minimal njerëzor, duhet të jetë edhe akti i fundit i harresës dhe injorimit të qëllimshëm ideologjik dhe me premisa politike që për më shumë se një gjysmëshekulli është bërë ndaj shtresës më të ndritur të kombit tonë.
Enver Sulaj/TiranaObserver

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 12/02/2011. Filed under Patriotët. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

3 Responses to Skandali, eshtrat e dom Nikollë Kaçorrit transportohen me një karrocë mallrash

  1. Daniel Palushani

    20/02/2011 at 23:11


    Mu kujtue kur u shemb Kisha ku ishte i vorrosun Imz. Luigj Bumçi…në Tiranë, e plehat e Korçës dhe Gjirokastrës i “truenin” Shpirtin se “nuk na la me Grekun”…
    Kishe me thane se fitorja ma e madhe e Enver Hoxhes (qe s’mujt me e pa) e Ramiz Alise e Nexhmije Hoxhes & company (qe po e shohin) asht pikerisht kjo! Per 50 vjet kane mbjelle me zelle e “munde” te madh idete e tyne antiatdhetare e anti klreikale ne token e ashtuquajtur NJERI I RI e sot po i korrin te knaqun, tuj qeshe nen mustak, frutet e tyne. Cka asht e trishtueshme nuk asht aq fakti se qeveria nuk e priti si duhej nji nder ideatoret e pavarsise, sa fakti se as intelektualet nuk organizun asgja. Oh harrova, po intelektualet jane “njerezit e ri” te Enver Hoxhes! Asnji prej ktyne zotnive nuk e ka marre mundin me i dhene Kishes Katolike shqiptare vendin qe i takon ne historine e kombit tone. Pa kishen katolike Shqipnija nuk do t’eksistonte! Pa kishen katolike nuk do t’kishim te parin dokument te shkuar ne shqip, nuk do t’kishim librin e pare shqip, nuk do t’kishim alfabet, nuk do t’kishim studjusin e gramatikes, Ate Shtjefen Gjecovin.
    Shqiprija asht rast unik ne Europe e ndoshta edhe ne bote ku ata qe kane punu e dhane jeten per komb jane perdhose, zhduke fizikisht e ku nuk ka qene e mujtun te zhdukeshit fizikisht se ishin te vdekun, jane zhvarrosur e zhdukur eshtrat e tyre. Nga ka ardhur gjithe ky mellef? E vetmja pergjgigje e mundshe asht: Puna qe ka ba kleri katolik shqiptar per Shqipnine, nuk i ka pelqy kasapeve, kriminelave e nostalgjikeve te Turkise, te Greqise e te Serbise. Zotnije une nuk mund t’i jap pergjigje tjeter ksaj pytjeje.
    Cka asht ma tragjke sot asht se kto figura po vazhdojne te perdhosen perseri sepse harresa e vullnetshme vazhdon me sundu sovrane ne Shqipni. Fatkeqesisht krimet e 50 vjeteve nuk kane me e marre kurre rrugen e Hages se ata qe kane vujte, vazhdojne me vujte e ata qe i kane duart me gjak vazhdojne me sundu nen motivin qe Sali Berishes thane para do vjetesh “Bashkvujtes e bashkfajtore”. Xhelati e viktima jane njisoj! N’se kjo nuk asht fitorja ma e madhe e Enver Hoxhes une nuk di cka tjeter me i thane!
    Me dhemb shpirti e zemra por ky asht realiteti i Shqipnise e vshtire se ka per t’ndrru. Edhe athere kur te kujtojne se ka ndrruar ka me kene nji komb deshtakesh e gjysmakesh se kane vendose me harru se prej nga vijne, kane harru se kush jane e pretendojne me shku perpara! Perpara ku?

  2. agim

    13/02/2011 at 12:26


    Nga Fritz RADOVANI:

    ESHTNAT E DON NIKOLL KAÇORRIT

    FRIKSOJNË QEVERINË ANADOLLAKE TË TIRANËS..!

    Skandali, eshtrat e dom Nikolle Kacorrit transportohen me nje karroce mallrash

    Asnjë qeveritar shqiptar nuk pret në Rinas eshtrat e nënkryetarit të qeverisë së Vlorës

    DON NIKOLL KAÇORRITIshte skandaloze dhe e turpshme mbërritja e eshtrave në Rinas të nënkryetarit të qeverisë së parë shqiptare, dom Nikoll Kacorri. Nënkryetari i qeverisë së Vlorës nuk është pritur nga asnjë qeveritar shqiptar, madje as nga ndonjë i rangut më të ulët. Por duke mos u ndalur me kaq, skandali vijon edhe më tej. Sepse në Rinas nuk kishte asnjë shenjë protokolli qeveritar për themeluesin e parë të kësaj qeverie. Për turpin e qeverisë, themelues i alfabetit shqip, patrioti i mirënjohur erdhi ne Rinas si ndonjë njeri që mund të ishte vrare duke transportuar drogë. Madje zyra e protokollit qeveritar nuk ka lejuar të afrojë makinën pranë avioni që arkivoli të mos merrej nën dore si të ishte ndonjë valixhe. Më pas eshtrat e dom Nikollë Kaçorit janë transportuar me një karrocë mallrash. Në fakt nuk ke çtë presësh më shumë, kur ministri i Kulturës, është ende në “kërkim të eshtrave” të Ismail Qemalit….

    Një mik nga Viena më njoftoi me shumë gëzim se shumë shpejtë do të niseshin për Tiranë eshtnat e Atdhetarit Don Nikoll Kaçorri. Kujtimet e kohës së shkueme më topitne…

    Një tjetër mik nga New Yorku më dergoi foton e sipërme dhe tekstin e “Skandalit…”.

    Aty për aty vendosa me i dergue dy miqve shkrimin tem për këte që ka ngja në Rinas!

    Ky nuk asht “skandal”..! Ky veprim asht një fakt i pamohueshem se Populli Shqiptar vazhdon të qeveriset nga anadollakët e mbrapambetun e pasues injorant të pushtuesve turq.

    Ky asht një fakt tjetër që vërteton se mbeturinat e osmanllinjve të vjetër nuk janë as në Azinë e Vogel, as në vendet Arabe, po mu në qendren e Ballkanit me selinë e tyne në një nga qytetet “antike” të kohës Haxhi Qamilit dhe Enver Hoxhës, ku rrojnë “xhonturqit” e partisë komuniste (siç i quente i madhi Prof. Arshi Pipa), dallkaukët Ramiz Alia e Nexhmije Hoxha, me të gjithë tarikatin kapitalisto – komunist që qeverisin sot Shqipninë “Europjane”…

    Ja pse u topita: Mu kujtue ajo kohë kur u nxuer nga vorri i vet Don Ndre Mjedja…nga Kisha e Jezutëve, e cila u shemb…Mu kujtue ajo kohë kur u nxuer nga Kisha e Zojës brijë Kalasë Rozafat, Imzot Jak Serreqi…dhe u tret në lumin Drin, e Kisha u shemb… Mu kujtue kur u nxorën Argjipeshkvijtë e Ipeshkvijtë e Arkidioqezit të Shkodres nga Kisha Kathedrale dhe u tretën eshtnat e Tyne, tue i pri karrocave të komunales Imz. Lazer Mjedja, dhe Kisha u shemb përmbrenda tue u kthye në “pallat sporti”…Mu kujtue tue u shkatrrue Kisha e Fretenve në Gjuhadol, dhe mbasi u tretën të gjithë Fretnit Atdhetarë… Kisha e Tyne u kthye në kinema “Punëtori”…Mu kujtue kur u holl në erë nga Fadil Pashë Ymeri, Kisha e Vaut të Dejës…dhe u shemb Ai Monument ku mendohej se asht Kunorzue Gjergj Kastrioti, me të gjitha afreskit e saj… Mu kujtue kur u shemb Kisha ku ishte i vorrosun Imz. Luigj Bumçi…në Tiranë, e plehat e Korçës dhe Gjirokastrës i “truenin” Shpirtin se “nuk na la me Grekun”…

    Mu kujtue At Gjergj Fishta, që nuk i afrohet askush tek “thesi i çimentos” me Eshtnat e Shenjta të Tijat, se siç ka thanë zotni Dilo, “tmerrohen prej Tij edhe për së vdekuri!”…

    Mu kujtue Biblioteka e Fretenve tue u plaçkitë nga Jup efendi Kastrati…e, tue u vra Lef Nosi, e hajdutët tue plaçkitë Bibliotekën e tij, një ndër ma të pasunat në Shqipni…

    Mu kujtue At Konrrad Gjolaj kur më tregoj sesi Haxhi Qamili (shoku i Enverit dhe Ramizit), pat shkue me vra Don Nikoll Kaçorrin, po nuk e gjet aty…vrau sherbtorin e Tij dhe e dogj Ate e qelen bashkë me bibliotekën e librave, ku ruheshin dokumentat historike…

    E çka do që vjen në Tiranë, pikërisht në truellin e Qeverisë së Haxhi Qamilit…gati mbas 100 vjetësh, o Don Nikoll Kaçorri?

    Qeveria e Tiranës me siguri ka mendue se Don Nikoll Kaçorri edhe pse i vdekun, por ka shumë mundësi që të na marrin pushtetin, e mbasi të zbulojnë ku shkoi thesari shtetit, apo ku janë paret e Popullit Shqiptar, apo të informohet për korrupsionin e paskrupull të të gjithë qeveritarëve, apo të marrin vesh se çka bahet me trafikun e “lirë” të armëve, drogës dhe…

    A ka mundësi që një ditë Ky t’ na hapin dhe “dosjet” e të na nisin për Hagë, e tash që edhe na çojnë për pak orë se nuk ka nevojë as për “VIZA”…?

    Apo nuk kishim boll ngatrresat tona me vagabondët “socialit”, edhe Ky na duhej… në këte rrumbujë që jemi, Këte kishim mangut!…po, kush ia ka pa hajrin Klerit Katolik… Mirë ua ka ba “shoku” Enver e Ramiz, e kjo Nexhmija si nuk na e kujtoj fare… atë kohë…?”…

    Vetem një kuriozitet a ka për t’u mësue ndonjëherë: “Kush i ka pague paret e asaj karrocë që janë bajtë Eshtnat e Don Nikollit…Apo janë parapague nga Qeveria Austriake…?”

    Mos u çuditni aspak se edhe kjo ndodhë..!

    Nuk ke çka pret tjetër prej qeveritarëve që kanë perfundue “Mejtepin Enver Hoxha të Tiranës”…e, sot punojnë për “demokracinë”…e “xhepave” të vet!

    Prap mirë…Po Ismal Qemali,… prite kur të vinë në karrocë dore…se, Ai na i solli Këta “Kryqa” në Qeverrinë e Parë të Vlorës në vitin 1912…!

    Asht urrejtja…urrejtja e ruejtun dhe e trashigueme në gjak… Ajo urrejtje që ende na ban me kenë “vëllezër gjaku” me pushtuesin…E për “hater” të një Prifti do të prishen “shokët” Presidenta që nga Ramiz Alia…me “vëllezërit e gjakut të tyre”?!…
    Ah,.. sa rahat je kenë o Don Nikoll Kaçorri, atje… në dhe të huej…!

    Melbourne, E shtunë, më 12 Shkurt 2011.

  3. agim

    12/02/2011 at 13:54


    E papranueshëm është indiferentizmi i presidentit Bamir Topi, Kryetares Parlamentit zj. Jozefina Topalli, kryeministrit S.Berisha, kryetarit të Akademisë Shkencave Beqiraj dhe Shoqata Atdhetare dhe Institucioneve dhe Katedrave të Historisë ndaj Mos respektit ndaj Nën- Kryetarit të parë të Qeverisë Shqiptare më 28 nëndor 1912, qysh me Skënderbeun. Ku janë patriotat shqiptar që e dinin këtë njoftim? Apo u pëlqen të kapardisen me libra dhe firmat e tyre për të shitë librat e tyre. Ku është Nderi i Kombit dhe disa herë i dekoruar nga PPSH dhe pas PPSH si dhe nga bota akademike të shokut Ismail Kadareja, që nuk i shpëton as qimja që lëviz në Shqipëri. Pse nuk erdhi ta priste me respekt Eshtrat e Luftëtarit Dom Nikoll Kacorrit sikurse erdhi pas 21 janarit 2011 për të shpallur hapur dashurinë me krahun e armatosur komunist të PS-ës që u rrjeshtua me ato shprehje që eksitonte antishqiptarët për t¨’i venë zjarrin Shqipërisë?
    Apo se e paragjykuet nga feja??!! Turp!