Widgetized Section

Go to Admin » Appearance » Widgets » and move Gabfire Widget: Social into that MastheadOverlay zone

Bruna Ndreu: Tragjedia e familjes sime, 6 të pushkatuar dhe 150 internime

Lexuar 2411
Rrjedhën e jetës, askush nuk e ka në dorë. Kur ndryshimet vijnë për mirë janë të mirëpritura, por edhe në të kundërt, sado të përpiqesh ta evitosh rrjedhën e gabuar, nuk mund ta ndryshosh drejtimin e lumit. Sot, një javë pas 20-vjetorit të bustit të Enver Hoxhës, më 20 shkurt 1991, mjekja Bruna Ndreu e vizitoi sërish Lubonjën, fshatin e Vlorës, ku kishte kaluar 20 vitet e para të jetës, si për të sjellë edhe njëherë në kujtesë peripecitë e një jete, së cilës fati deshte t’i vinte fundi. Për atë vet, një vajzë e re që ëndërronte veç studimet e larta, nuk ishte vonë. Kishte gjithë kohën përpara për të rikuperuar e për të arrirë ëndrrat që e linin netëve pa gjumë. Dhe në fakt ashtu ndodhi. Studioi mjekësi, edhe pse jo lehtësisht. Asnjë lidhje nuk kishte me brezin e studentëve me të cilët studionte, bashkëmoshatarët e saj. Dhe jo sepse kishin diferencë moshe, por sepse jetesa që kishte bërë, ishte krejt e ndryshme nga e tyrja. Sa orë rrugëve kishte ecur vetëm për të mbërritur te shkolla e largët, sa herë e kishte parë të atin të pashpresë për fatin e të bijave. E kishte gjithnjë në kujtesë historinë që i patën treguar, për vajin që u dëgjua pas lindjes së saj sepse ishte vajzë e jo djalë. Por nëse të gjitha këto ajo mundi t’i kapërcente, për të atin e gjithë familjarët e moshuar të familjes Ndreu nuk kishin mbetur shumë vite lirie. Të plotë, Bruna na e risjellin pikërisht për këtë përvjetor historinë e familjes së saj.

Çfarë ndikimi pati klima “diktatoriale” e Shqipërisë para 20 viteve në jetën tuaj?
Shpesh thuhet se pasi e ke “përtypur” mirë një të shkuar të vështirë, të ndihmon të jetosh paqësisht të tashmen. Në një farë mënyre, ndoshta vetëm nëpërmjet intuitës, njeriu kërkon të bëjë zgjedhjet e veta utilitare vetëm për të rezultuar në atë që shpesh njerëzit e biznesit e quajnë “kosto efektive”. Por për t’u fokusuar tek analiza e asaj që ne sot e quajmë “festa”, apo 20-vjetori i përmbysjes së përmendores së diktatorit shqiptar, nuk di pse më vjen në mendje një lloj përcaktimi që do të tingëllonte si “shembje e idhujve” e akoma më tej, një përmbysje totale, e cila çuditërisht krijon efektet e kundërta që shkaktojnë përmbysjet – rikthimin në identitet. Me këtë rast, do të doja të falënderoja e të shprehja me konsideratë se ndihem e vlerësuar dhe e nderuar që më jepet rasti të flas sot pikërisht për këtë fakt, sepse prejardhja ime rrjedh nga një nga familjet, emri i së cilës ka qenë gjithnjë i lidhur me faktet e ngjarjet kryesore historike të Shqipërisë. Në raste të tilla përvjetorësh, vjen natyrshëm edhe një moment homazhi për ata që nuk janë më mes nesh. Vjen një moment ku ndonëse jemi ne po ata që kemi jetuar në vitet e errëta të Shqipërisë, teksa kthejmë kokën pas, me një ndjesi lodhjeje vërejmë se vuajtjet paskëshin qenë të stërmundimshme.

Cila ishte familja juaj?
Familja nga e cila rrjedh, është një nga më të përmendurat e më të mëdhatë të zonës verilindore të Shqipërisë. Megjithatë, paradoksalisht, kjo familje e madhe dhe e bujshme, jo vetëm u mënjanua nga pjesëmarrja e saj në ngjarjet historike që do pasonin zhvillimet e Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore, por akoma më keq, u bë pjesë e historisë së “errët” të saj. Familja jonë e madhe, e cila pas vitit 1946 filloi kalvarin e vuajtjeve nga regjimi komunist, u internua në fshatra të ndryshëm të Shqipërisë. Një kalvar pafund vuajtjesh, të cilat nisën pas instalimit të sistemit totalitar të Enver Hoxhës, me një bilanc tragjik: 6 pushkatime, dhjetëra të burgosur politikë me mbi 10 vjet burg, shumë të tjerë që morën arratinë përtej kufijve të Shqipërisë për të mos u kthyer më, si dhe konfiskim të pronave, pasurive dhe objekteve historike të ruajtura prej brezash me radhë nga familja e madhe Ndreu. Si pjesë e kësaj familjeje të madhe, shumë pjesëtarë u internuan e u shpërndanë nga regjimi në vende të ndryshme në Shtyllas të Fierit, Memaliaj, Kavajë, Çermë e Grabian të Lushnjës etj. Edhe prindërit e mi ishin të internuar po kështu në rrethin e Vlorës. Mbijetesa e djemve të Cen Elezit, përshtatja e nevojshme ndaj vuajtjes, shtypjes dhe persekutimit, etja për jetën dhe për të krijuar zinxhirin e vazhdimësisë së kësaj familjeje, kanë qenë faktori më thelbësor që nuk çuan në shpërbërjen dhe humbjen e vlerave të familjes më të madhe dibrane. Fillimisht ata ishin internuar pranë “Kripores” në Vlorë, në kushte ekstremisht të papajtueshme. Me pas, i dërguan në vende të tjera, derisa më në fund, i internuan në Lubonjë të rrethit të Vlorës. Megjithatë, këto vuajtje ishin të njëllojta edhe për shumë familje të tjera brenda fisit tonë. Do të doja të kujtoja me këtë rast xhaxheshën time Hyrie (Tonuzi) Ndreu, e cila edhe pse vetëm e fejuar me xhaxhain tim Rexhepin, erdhi të jetonte në ato kushte të pamundura së bashku me fisin Ndreu, edhe pse i shoqi ishte në burg. Ata nuk e kishin kryer ritin e martesës, por “besa” ruhej nga familjet dibrane edhe në kohën kur pabesia brenda sistemit që u instalua në Shqipëri ishte shndërruar në një institucion të jetës së përditshme.

Po kështu edhe vajza nga familje të njohura vlonjate si Murataj, Lamaj, Danushaj, Grabovaj e Agaj do të krijonin familje me ata djem të jashtëzakonshëm të fisit tonë, për t’i dhënë jetë atij zinxhiri vazhdimësie të familjes së madhe Ndreu.
Paraardhësit e mi, studentë të shkëlqyer në Firenze, do të përballeshin me situata të paimagjinueshme, dhe në kushtet e mungesës së strehimit, të detyruar të merreshin vetë me ndërtime fshatrave, duke ndërtuar banesa për vete dhe për fshatarët që gjetën aty. Ndër ta ishte dhe babai im, djali me i vogël i Cenit, që do të provonte të jetonte në kampet e përqëndrimit që kur ishte fëmijë 12-vjeçar në Bënçë të Tepelenës, Porto Palermo, Berat, etj., duke u kujdesur për nënën dhe motrat, deri kur mbërriti i rritur para kohe nga hallet në Lubonjë.

Cilat ishin arsyet e persekutimit të paraardhësve tuaj?
Familja e Cen Elez Ndreut mori pjesë aktivisht në Luftën Nacionalçlirimtare, si vazhdim i traditave patriotike dhe atdhetare. Menjëherë mbas çlirimit, Cen Elezi doli hapur kundër represionit komunist, mohimit të lirisë së individit, mohimit të pronës, vëllavrasjes në emër të luftës së klasave. Si rrjedhim, Ceni me 15 djemtë e tij morën malet, disa u arratisen, disa u dënuan me 15 vjet  burg. Babai im Bexheti që 12 vjeç u degdis kampeve të përqendrimit me nënën e tij dhe motrat, në Bënçë të Tepelenës, Berat, Porto Palermo, dhe në moshën 22 vjeçe do të përfundonte në Vlorë, ku pas një odiseje degdisjesh nga një fshat në tjetrin, përfundon në Lubonjë, fshat ku u përqendruan të gjithë djemtë e Cen Elezit, e që do të krijonin familjet e tyre me përpjekje të jashtëzakonshme rezistence.

Ku ndodheshit në kohën kur u përmbys përmendorja e diktatorit?
Në të vërtetë e kaluara e Shqipërisë, e kaluara jonë, e kaluara e të gjithë shqiptarëve, vjen e na përzihet ende me kryeneçësi edhe tani që ne festojmë përmbysjen, shembjen e saj. M’u desh të rikthehesha pa dashje në vite nëpërmjet kujtimeve të mia, apo të kujtimeve të rrëfyera nga të parët e mi, për të mbërritur tek dita e rrëzimit të përmendores së Enver Hoxhës, për të kujtuar se atëherë, kur ai “sundonte” sheshin në qendrën e Tiranës, unë isha diku në një fshat të humbur të Vlorës (Lubonjë), shpresëhumbur, harruar kërkundit së bashku me familjen time. Aty ku jetonim ne ishte ende diktaturë.

Kishte ende “operativ” që paguhej për të survejuar, “sekretar partie”, “kryetar këshilli” dhe plot bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, të cilët e mbanin ende pezull mbi shpirtrat tanë atmosferën e dhunës totalitare. Megjithatë, ne, të internuarit e asokohe, e kuptonim mjaft mirë se ç’ndodhte. Kishim krijuar kodet tona nëpërmjet të cilave merreshim vesh, mbijetonim. Që t’i rikthehem 20 shkurtit 1991, mund të them se ka qenë një ndër kujtimet e mija më të bukura me babain… Ishim ende në Lubonjë, ai ishte asokohe 56-vjeçar, i sëmurë, por mbaj mend që unë rrallë bëhesha koshiente për sëmundjen e tij, sepse ai përpiqej ta mbante veten para të gjithëve. Unë isha në të 17-at e mia, ndërkohë që vazhdoja të lexoja shumë, ndoshta edhe me dëshirën e “vogël” se e bëja atë sadopak të kënaqur. Në mbrëmjen e 20 Shkurtit të vitit 1991 ishim ulur e gjithë familja para televizorit dhe shihnim se si turmat po e rrethonin “malin” e bronztë të stërmadh, dhe habiteshim nga kurajoja e njerëzve. Edhe pse lëkundej nga laku i vendosur në grykë, mezi po na besohej se përmendorja e madhe do të rrëzohej. Dhe nuk bëhej fjalë për rrëzimin e një objekti, por simboli.

Çfarë shije linte diktatura në Shqipëri, kur ju ishit ende në një moshë fare te re?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, do thosha se edhe sot e kësaj dite e mbaj mend shumë mirë atë maturinë, të cilën mundohej të na impononte im atë, në mënyrë që të mos binim në kurthin e provokimeve të agjitacionit dhe propagandës. Madje kujtimet e mia zënë fill që në moshë fare fëminore. Ndoshta ishte një cilësi e veçantë e tim eti mënyra që ai dinte ta shndërronte transmetimin e së kaluarës tek ne fëmijët, si një rrëfenjë të bukur dhe krejt natyrshëm, një mënyrë e mençur kjo, për të na thënë se ishim në kampin e të mirëve dhe fisnikëve dhe jo spekulimet mbi simbolet dhe legjendat e sistemit, që detyroheshim të mësonim çdo ditë në shkollë.
Me pjekurinë e sotme, do thosha gjithashtu se konceptin se vuajtja të “komprimon” e të zvetënon, nuk e kam vërejtur kurrë tek ai njeri që nga vitet kur të gjithë e thërrisnin “gjigand” (sepse ishte i tillë dhe punonte si i tillë), dhe deri në sekondat e fundit të jetës tek përpiqej të mos i jepej asaj sëmundjeje të rrezikshme, parkinsonit.
Po në familje si jeni ndjerë mes shumë motrash?
Babai më tregonte sesi ditën e lindjes time, gjithë fisi, madje gjithë fshati kishin ardhur për ta “ngushëlluar”, sepse unë isha vajza e pestë e tij, pas 4 vajzave të tjera.

Pse shihej një fëmijë vajzë si gjemë?
Nuk mendoj se ky mentalitet vinte nga tradita jonë, por fakti i të qenit i internuar ta krijonte me këmbëngulje këtë ndjesi. Një djalë i fuqishëm e përballonte më lehtë urrejtjen klasore, punonte më lehtë në punët e mundimshme për ne të “munduarit”, në ato aktivitete, të cilat unë ende shoh se paskan mbetur të freskëta në memorjen time, si një axhendë rutinore e shpeshfolur nga motrat dhe kushërinjtë e mi. Por sidoqoftë, ndihesha shumë e “llastuar” në familjen time nga më të rriturit. Në memorien time të hershme, mbaj mend më së miri shumë të rinj e të reja kushërinj të mitë shumë të pashëm, që lexonin shumë, dëgjonin vjedhtazi muzikë perëndimore, dhe që po ashtu vjedhtazi, mësonin italisht dhe anglisht në mënyrë autodidakte, pa e shtruar kurrë pyetjen “për çfarë më duhen?”. Kurse të moshuarit, njerëz tepër diskretë, të mençur, por shumë të mbyllur e kishin traditë që mblidheshin për kafe në shtëpitë e njëri-tjetrit duke diskutuar për pleniumin e radhës, se si kishte qenë edhe më i ashpër për luftën e klasave, se si ishim harruar nga Fuqitë Perëndimore, vende që sipas bindjes së padiskutueshme të tyre, bënin politikën e gjithë botës. Fëmijët nuk lejoheshin në ato “oda” dhe shprehja që ka mbetur ende “lodhëse” në subkoshiencën time ishte shprehja më me “inflacion” e nënës sime “edhe muret kanë veshë”! Por mënyrën për të qenë njerëzore, bujare dhe tepër korrekte në shoqëri, prindërit tanë na e transmetuan dhe ne, ashtu natyrshëm, pa urdhra apo përsëritje këshillash. Dhe ne fëmijët u mësuam të bashkëjetojmë me fëmijët e bashkëfshatarëve tanë, u imponoheshim mësuesve edhe për arsyen se ne shkollën tonë vinin shumica mësues shumë të zotë, por me biografi të keqe. E në këtë natyrshmëri marrëdhëniesh, unë u mësova që edhe pse isha e para në klasë, nuk kishte rëndësi që nuk merrja kurrë “fletë nderi”, apo pse hiqesha në mënyre prepotente nga lista e valltarëve të shkollës. Madje u mësova dhe me të qeshurat keqardhëse të familjes, kur vërenin se unë ëndërroja herë baletin, herë kinematografinë, herë letërsinë…

Po më pas, si ishin për ju vitet ’90?
Në vitin 1992 do të zhvendoseshim në Tiranë. Fillova Fakultetin e Mjekësisë. Në të vërtetë nuk kisha një ide të qartë për të “nesërmen”, pa ditur se çfarë bëja më mirë, por e dija mirë se çfarë doja. Më kishte mbetur në mendje një personazh i A.Xh.Kronin në romanin “Vitet e Iluzioneve”. Ishte mjek. Mbase nga pasioni për letërsinë, kisha “gabuar” pa dashje në zgjedhjen time, kisha zgjedhur të bëhesha mjeke e në këtë lloj zgjedhjeje isha bërë pikërisht pjesë e kulturës kolektive shqiptare. Le të më çonte ku të donte e nesërmja. Sigurisht m’u desh një punë rraskapitëse për të kapur hapin e të tjerëve që nuk vinin në Universitet nga ajo shkolla e harruar në Peshkëpi, shumë kilometra larg shtëpisë, e ku më duhej çdo ditë të ecja po kaq kilometra me këmbë. Ishte viti 1994, kur unë dhe babai im do të bënim “udhëtimin pelegrinazh” pikërisht në Vlorë, duke “përshkuar” një zinxhir fshatrash, ku im atë kish harxhuar gjithë rininë e tij, duke ndërtuar shtëpi të reja, shkolla, kopshte, fabrika, pallate etj.
Megjithatë, pas gjithçkaje, ju jeni sërish në Vlorë, aty e keni ndërtuar jetën profesionale e familjare…
Është një “lodër” e bukur e fatit, fakti që unë jam rikthyer në Vlorë. Kam krijuar këtu familjen time, si dhe karrierën time në shërbimin shëndetësor. Ndihem natyrshëm te ky vend, ku 150 njerëz të familjes sime shpenzuan dekada jete, duke jetuar dhe punuar. Por natyrshëm, edhe pse sot ndihem e shpërblyer prej fatit, nuk mund të mos “rrëmoja” në kujtesën time këto ngjarje, të cilat gjetëm rastin dhe i sollëm në përkujtim të ditës së 20 shkurtit, që prej njëzet vitesh, mbetet një festë simbol për të gjithë.
Panorama

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 18/04/2011. Filed under Krimet komuniste shqiptare. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

7 Responses to Bruna Ndreu: Tragjedia e familjes sime, 6 të pushkatuar dhe 150 internime

  1. liburni

    30/06/2012 at 20:17


    ambasada amerikane dhe ajo angleze para se të largoheshin pas 1944 i shërbyen instalimit të komunizmit. Kushdo që shkonte në këto ambasada dhe dorzonte informacione sekrete për terrorin dhe pushkatimet që bënte komunistat mbi njerëz të pafajshëm menjëherë ja dorzonin Ministrisë Brendshme. Radio Londra pas 1944 bënte politikën e mashtrimit se qeveria komuniste do bjerë shpejt dhe shum patriota dolën malit me shpresë se Anglia dhe amerika do t’i ndihmonte kryengritsit antikomunistë. Kjo ishte loja për me i nxit antikomunistat me dalë malit dhe mandej me i dërguar ushtrinë dhe forcat e ndjekjes policore, ku të gjithë këto grupe intelektualësh dhe klerikësh u ekzekutuan dhe trupa anglo-amerikanë nuk ndërhynë kurrë. Mbasi i pastruan malet nga antikomunistët komunistat u larguan anglo-amerikanët sepse misioni i tyre kishte marrë fund në instalimin komunist sipas Traktatit të Jaltës të 1945, ku ishin firmosë nga terroristi stalin dhe protestanti amerikan, presidenti Ruzvelti dhe çifuti Çurçill që të kontribonin në instalimin e komunizmit në gjysmën e Europës sikurse ndodhi. Prandaj si të djathtët ashtu dhe të majtët në amerikë janë të lidhur me socialistët dhe komunistët sepse këta i duhen prapë për t’i përdorë nnëse rigjallërohen atdhetarët dhe klerikët katolik në mbrojtje të Shqipnisë nga çdo ndërhyrje ambasadorësh në punët e shtetit sikurse përzihen ambasadorët amerikanë sikur ta kishin koloni të tyre.

  2. Besimi

    27/06/2012 at 17:19


    Ambasada Amerikane ne Tirane qenka kthyer streh per sigurimi e shtetit dhe komunistet shqiparë.

  3. Lirimi

    27/10/2011 at 19:36


    E nderuara Bruna lexoje kush punon te Ambasada Amerikane në Tiranë.

    26 spiunë të Sigurimit, punonjës të Ambasadës Amerikane

    Publikuar te Enjten, 29 Shtator 2011 03:00
    Shkruar nga SOT NEWS Lexuar gjithesej: 587
    Ambasada-Amerikane.

    Fenomeni nuk është i panjohur, por pranimi i së vërtetës është i vonuar. Në Ambasadën amerikane në Tiranë, pikërisht në tempullin e demokracisë botërore, janë punësuar 26 ish-spiunë, të Sigurimit të shtetit, ish komunistë të rrezikshëm, apo përfaqësues të ish nomenklaturës, të cilët prej 45 vjetësh, spiunuan ose dolën dëshmitarë nëpër gjyqe kundër disidentëve të vërtetë, të këtij vendi. Dhe sikur të mos mjaftonte vetëm kjo gjë, sot bie në sy se kjo ambasadë i ka hapur kanatat e saj, për pseudointelektualët dhe spiunët e shumtë të komunizmit, të cilët pas viteve 90-të synuan rehabilitimin, duke trokitur me delikatesë dhe “kulturë”, në portat e kësaj ambasade. Aq e vërtetë dhe e zakonshme është kjo gjë saqë, rreth 90 për qind, e atyre që hyjnë dhe dalin në ambasadë, janë të pajisur me dosje spiuni dhe madje, me pseudonim. Për këtë arsye, para disa viteve, Geri Kokalari, i ka dërguar një letër konfidenciale ambasadores Marsi Ries si dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, ku bën të ditur faktin tronditës për prezencën e ambasadës amerikane në Shqipëri. Sipas letrës së tij, janë konkretisht 26 punonjës të kësaj ambasade që kanë qenë spiunë, apo ish-anëtarë të partisë Komuniste Shqiptare. Kokalari, thotë se gjatë procesit të punësimit, atyre u është dhënë një formular dhe një ndër pyetjet, është ajo nëse kanë qenë anëtarë të partisë Komuniste, apo edhe ndonjë organizate fashiste. Dhe këta të fundit janë përgjigjur “jo”, por kjo ishte pjesë e mashtrimit të këtyre individëve. Sepse dihet mirë se këta 26 persona, ish- anëtarë të partisë Komuniste, u punësuan në ambasadën amerikane. Dhe personi i fundit në këtë listë ka qenë rezident në Boston.

    Letra

    Letra e shkruar me një guxim qytetar nga Geri Kokalari në adresë të ish- ambasadores amerikane në Shqipëri nënvizon se: “Disa nga ish-punonjësit e Ambasadës Amerikane në Tiranë kanë qenë anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare. Nga këndvështrimi im për t’u bërë punonjës në këtë ambasadë të gjithë kanë plotësuar më parë një formular kualifikimi të Departamentit të Shtetit, OMB Nr. 1405-0029. Seksioni 35 i këtij formulari shtron pyetjen: Jeni ju tani, ose keni qenë ndonjëherë anëtar i Partisë Komuniste, ose i ndonjë organizate komuniste, ose fashiste? Nga këndvështrimi im personat e listuar më poshtë mund të kenë qenë anëtarë të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe mund të jenë përgjigjur “jo” në seksionin 35 të formularit të përshkruar më poshtë. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë këta persona kanë bërë një paraqitje jo të denjë në një aplikim punësimi, me një agjenci të qeverisë amerikane dhe nëse është kështu unë marr përsipër të them se ky është një fakt i kryer”. Kokalari e vazhdon arsyetimin dhe akuzën e tij, edhe për personat e lidhur me Kadri Hazbiun. Duke e konsideruar Hazbiun, si arkitektin e Sigurimit të Shtetit Shqiptar në kohën e diktaturës, Kokalari i ka shprehur shqetësimin ambasadës amerikane, se ish komunistët mund të kenë tashmë në këtë ambasadë spiunët e tyre. “Punonjësit në Ambasadë dhe ka mundësi që edhe të tjerë, të ishin direkt të varur nga Kadri Hazbiu, kur ai ka shërbyer si Ministër i Brendshëm nën regjimin e diktatorit komunist, Enver Hoxha. Në këtë pozicion, Hazbiu ishte gjithashtu edhe në krye të sigurimit sekret shqiptar, operacion policie që vepronte si inteligjencë dhe ushtri e fortë për regjimin brutal të Enver Hoxhës. Siç është e ditur tashmë, pjesa më e madhe, në mos të gjithë, të gjithë njerëzit që punonin nën pozicionin e Hazbiut, u konsideruan “sigurimi” dhe shërbyen si bërthamë e aparatit të inteligjencës për Partinë Komuniste Shqiptare. Ajo që është shqetësuese për këtë situatë, ka të bëjë me faktin, se ka mundësi, që anëtarë të ish-qeverisë komuniste të kenë futur spiunë në Ambasadën Amerikane”, shkruan Kokalari. Më tej, në letër përmendet edhe kryeministri Berisha, por edhe ish -kryeministri Fatos Nano, si ish anëtarë të Partisë Komuniste dhe ai, i konsideron ata, si kontigjentë të mundshëm. “Kjo mund të jetë shumë e rëndësishme sepse mund të thotë që këta individë mbajnë lidhje të ngushta me qeverinë shqiptare dhe kanë shërbyer si një rrjet, inteligjent, brenda ambasadës tuaj. Për më tepër, kjo gjë mund të shpjegojë gjithashtu, të dhënat, që ish-kryeministri Fatos Nano kishte burime inteligjence brenda Ambasadës për shkak të faktit, se ai ka qenë një anëtar kyç i ish-regjimit komunist dhe mban lidhje të ngushta me “ish-sigurimin”, vazhdon letra. Në përfundim të saj, Kokalari sqaron edhe arsyet e letrës dhe informacionit që jep. “Si qytetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë pyes, nëse ju e investigoni këtë çështje dhe përcaktoni nëse ndonjë nga informacionet që dhamë më lart kishte ndonjë gjë të bazuar në fakte reale. Vëmendja juaj e menjëhershme dhe përgjigja kërkohet me shumë respekt”, përfundon letra e Geri Kokalarit. Kjo letër është shkruar disa vite më parë, por fenomeni vazhdon dhe Geri Kokolari me të drejtë kërkon zgjidhjen e dilemës. Sepse në një shënim tjetër ai ka sqaruar se edhe sot e kësaj dite, po të bëjmë një radioskopi të njerëzve që hyjnë e dalin në këtë ambasadë, do të shohim se ata janë pikërisht, eksponentë të njohur, në lidhjet e tyre me Sigurimin e Shtetit, pavarësisht, nga pasojat e rënda apo të lehta, që u kanë shkaktuar njerëzve të thjeshtë, në jetën private. Këtu mund të përmendim, disa pseudonime të tyre, si Holta, Çorapja, Çibuku, Çiftelia, Shkrimtari, Profesori, etj, etj. Në fillimin e viteve 90-të, në këtë ambasadë kanë kërkuar gjithashtu, ndihmë, spiunët më të rrezikshëm të historisë së diktaturës komuniste. Ata që çuan në litar, apo drejt pushkatimit, kolegët e tyre, fqinjët e tyre dhe ndonjëherë të afërmit e tyre. Përpara lëkurës së vet, ata nuk patën mëshirë për asgjë tjetër, dhe spiunimet i raportonin me letër. Ata çuan në litar shumë prej disidentëve që shprehnin vlerësim dhe mirënjohje për Amerikën, por raportet e fshehta të spiunëve i degdisën nëpër qelitë e burgjeve, apo prapa kloneve të dëbim –internimeve. Por këta spiunë nuk ngopeshin me bëmat e tyre dhe hapnin sytë lart e poshtë për të gjetur viktimën e rradhës, ndërsa në vitet 90-të, pamë se si derdhnin lot krokodili për dashurinë ndaj ambasadës amerikane. Në këtë kontekst, kontributi i Kokalarit për zbardhjen e listës së spiunëve përbën një triumf. Sepse, tregon që rezistenca e fisnikëve të këtij vendi, do të jetë kurdoherë, prezente ndaj hipokrizisë së pandalshme të zyrtarëve tanë, burokratëve, apo hileqarëve që e ndërrojnë ngjyrën e flamurit politik, sipas interesave të momentit

    Lista e spiunëve dhe ish-komunistëve të Ambasadës

    Geri Kokalari, jep një panoramë të qartë të fenomenit që mbërtheu mjedisin shqiptar, pas viteve 90-të, por ai jep edhe një listë të plotë të ish-komunistëve dhe ish spiunëve, që u punësuan në ambasadën amerikane. Këtë listë, ai e ka pasqyruar me emër dhe mbiemër. Por, për efekte etike dhe për të zbatuar korrektësinë e ligjshmërisë, ne, po i botojmë vetëm inicialet e emrave dhe mbiemrave të tyre. Kjo edhe për faktin, se ligji i hapjes së dosjeve të spiunëve, ende nuk është miratuar.

    Tabela e spiunëve të punësuar në ambasadën amerikane

    1- A. P, nga Tirana, ish-shofer i Enver Hoxhës

    2- B, C, nga Peshkopia, ish-shofer i Kadri Hazbiut

    3- B. M, nga Vlora, ish punonjës i Punëve të Brendshme

    4- B.K, nga Kukësi, ish-shef i kampeve të internimit.

    5- H.S, nga Skrapari, ish kuadër i Sigurimit të Shtetit

    6- S. L nga Peshkopia, ish-oficer zbulimi

    7- A. B, nga Gjirokastra, ish komunist dhe prokuror

    8- B. M, nga Erseka, ish-oficer, dhe bashkëpunëtor i Sigurimit

    9- S.H, nga Skrapari, ish bashkëpunëtor i Sigurimit

    10- V. V, nga Tepelena, ish-bashkëpunëtor i Sigurimit

    11- B.P, nga Erseka, ish sekretar partie, ish punonjës sigurimi

    12- Q. B, nga Tropoja, ish komunist, ish punonjës sigurimi

    13- K.Y, nga Skrapari, ish komunist, ish punonjws sigurimi

    14- A. H, nga Skrapari, ish bashkëpunëtor i Sugurimit

    15- A. N, nga Korça, ish komunist, ish punonjës sigurimi

    16-B.D, ish bashkëpunëtor i Sigurimit

    17- Sh Xh, nga Përmeti, ish komunist, ish-punonjws sigurimi

    18- H. M., nga Vlora, ish-komunist, ish punonjës sigurimi

    19- F. H, nga Korça, ish komunist, ish punonjës sigurimi

    20- M. A nga Vlora, ish komunist, ish punonjës sigurimi

    21- I. L, nga Erseka, ish bashkëpunëtor i Sigurimit

    22- A.SH, nga Tirana, ish komunist, ish punonjës sigurimi

    23- M.I, nga Fieri, ish bashkëpunëtor i Sigurimit

    24- H. H, nga Erseka, ish sekretar partie dhe punonjës sigurimi

    25- J. K, nga Saranda, ish oficer i lartë, ish punonjës sigurimi

    26- RR. H, nga Skrapari, ish komunist dhe ish punonjës sigurimi

    E vërteta e denoncimeve të Pjetër Arbnorit, Bilal Xhaferrit dhe Petro Markos

    Fushat kryesore që drejtohen nga spiunët, nga arti në ushtri

    Ashtu siç shihet lista e spiunëve që kanë nxituar për t’u punësuar në Ambasadën Amerikane është tepër e gjatë dhe në pamjen e parë, duket se kjo ambasadë ka shpallur një garë për të krahasuar meritat më të mëdha të ish bashkëpunëtorëve të shtetit, apo ish- komunistëve, të rrezikshëm të Shqipërisë. Dhe nëse një ditë kjo ambasadë do të hapte një panair të spiunëve, atëhere postjerët nuk do të lodheshin shumë për të shpërndarë ftesat. Sepse, 26 prej tyre do t’i gjente në mjediset e brendshme të ambasadës. Lind pyetja: Po sot? Çfarë po ndodh vallë sot, në mjediset e Ambasadës amerikane, pikërisht, 21 vjet pas montimit të sistemit demokratik në Shqipëri? Sipas, Geri Kokolarit, alarmi është i dukshëm dhe kambanat e paralajmërimit, bien gjithmonë, për ata që kanë vesh. Ndërmjet të tjerave, Kokalari ka udhëzuar zyrtarët e kësaj ambasade për të pasur kujdes me spiunët: “Ata mund t’ju spiunojnë”, është shprehur Kokalari. Dhe duke pasur parasysh, shprehjen e Tolstoit se “njeriu nuk ndryshon kurrë”, mund të themi se spiunët e djeshëm, kanë shumë pak shanse të ndryshojnë prirjet e tyre. Pra, ata mbeten spiunë, por në këtë rast rrezikohet që spiunët, të mos kenë ndryshuar profesionin, por padronin. Dhe ata, tanimë, nuk dihet se për kë punojnë. Por një dukuri tjetër e frikshme që duket se vazhdon të funksionojë në ambasadën amerikane është afrimi dhe marrja me të mirë e intelektualëve-spiunë, të cilët nuk punojnë aty, por hyjnë e dalin për të folur mbi udhëtime, takime ndërkombëtare, vizita në SHBA, apo projekte të ndryshme, prej të cilave përfitojnë, herë më pak dhe herë më shumë. Ajo që bie në sy, edhe pse dosjet nuk janë hapur, akoma, është fakti se pseudonimet e këtyre intelektualëve, sot i ka mësuar edhe një fëmijë i vogël, por për çudi zyrtarët e ambasadës bëjnë sikur nuk dinë gjë. Ata hyjnë e dalin në ambasadë, planifikojnë prerjen e biletave të avionëve, prenotojnë vendet e hoteleve dhe pijnë kafe me zyrtarë të lartë të ambasadës. I pyetur për këtë fenomen, ish kreu i SHISH-it, Klosi u shpreh për gazetën “Sot”, se “spiunët nuk duhen denigruar dhe as nuk duhen publikuar, sepse ata mund t’i nevojiten më vonë, vendit tonë”. Ose, një argument tjetër, që thotë Klosi, ka të bëjë me frikën e spiunëve të ardhshëm, për të punuar në strukturat sekrete, nga frika se mos një ditë, emrat e tyre publikohen, njëlloj, si ata, të sotmit”. Natyrisht, në arsyetimin e Klosit, ka një pjesë që duhet diskutuar, por kundërshtimi ndaj tij, vjen për shkak të dy problemeve: E para, ka të bëjë me faktin, se mijra spiunë të djeshëm, sot komandojnë fatet e vendit tonë, ose, përfaqësojnë majat e larta të diplomacisë, kulturës, shkencës, sportit, gazetarisë, etj, pa pasur as një shfaqje pendese, apo ndjese. Dhe e dyta, ka të bëjë me akuzat që ata vetë u bëjnë njerëzve të tjerë, të pafajshëm, si “bashkëpunëtorë apo servilë të rregjimit”. Ndërsa, në rastin e punësimit të tyre në ambasadën amerikane, kjo e ngre shumë lart stekën e tyre, të përfaqësimit dhe këtu nuk bëhet më fjalë për një garë vlerash, por për një keqkuptim, që mund të rishikohet, ose për një gabim të bërë me dashje, nuk dihet se për çfarë arsyeje.

    Fillimet

    Gjithçka filloi nga frika e asaj që mund të ndodhte më vonë. Ish-spiunët kërkuan mbështetjen e dy partive të mëdha, duke u strehuar në postet e larta, për t’u mbrojtur nga breshëri i së nesërmes, ose nga urrejtja e viktimave të tyre. Përveç partive, ata kërkuan të lidhen me ambasadat e huaja, për t’u punësuar, ose për të marrë një vizë largimi. Mbahet mend mirë, se denoncuesit, apo informatorët që raportuan Pjetër Arbnorin, Petro Markon, Bilal Xhaferin, Visar Zhitin, Sherif Merdanin, etj, në fillim tentuan të iknin jashtë shtetit, ose disa prej tyre, arritën të largoheshin. Por, më vonë, doli që edhe vetë Arbnori kishte firmosur si bashkëpunëtor i Sigurimit, ndërsa në familjen e Petro Markos, kishte depërtuar Sigurimi i Shtetit në thellësi. Disa guxuan të hedhin akuza edhe mbi Bilal Xhaferrin, por shumica e akuzave hynin në kuadrin e tejkalimit të së drejtës, me argumentin, apo faktin. Ndërkohë, disa prej ish-bashkëpunëtorëve, apo ish-spiunëve të tjerë, nuk lëvizën nga vendi. Ata heshtën, duke e kuptuar se kishin kryer një gabim, nën diktatin e dhunës, apo detyrimit. Disa në një moshë më të pjekur, disa të tjerë në një moshë më të re. Disa në rrethana të rënda detyruese, disa të tjerë duke bërë dhjetra lutje, me dëshirën për t’u pranuar. Por, në fund, fare, erdhi pendimi. Dhe kush pendohet, duhet vlerësuar për luftën e pastër me ndërgjegjen. Prandaj, koha e sotme në apelin e vet kërkon pajtim dhe paqe, për të gjithë, por në rradhë të parë pasi t’a kemi njohur, njëri-tjetrin edhe në tunelin e errët të prapaskenave periodike.

    Visar Zhiti: Më spiunuan anëtarët e Lidhjes

    Nëse e vutë re akt-ekspertizën, ajo fillonte me anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve. Librin që kisha dorëzuar për botim ua kisha dhënë unë në duart e tyre dhe deklaratat e tyre bënë që të merrej ai dënim që u mor. Mua më bën përshtypje se akt-ekspertiza është bërë para se unë të dënohesha dhe ata avancojnë në drejtimin e së keqes, sepse më konsiderojnë armik. Unë nuk isha cilësuar ende armik në atë kohë. Se të jesh armik e vendoste gjyqi. Ata thoshin ky pseudopoet, ky armik, etj. Pra ata kanë paraprirë gjyqin, ndoshta-ndoshta ata ishin gjyqi i vërtetë! Aktualisht janë në detyra të ndjeshme. Po një pjesë e tyre janë edhe në Itali apo Angli. Gjithsesi, ky ndoshta është shkrimi më i mirë i tyre, akt-ekspertiza për mua. Është i vetmi rast ku ata janë botuar edhe në vende të tjera të botës.

    Kasem Trebeshina: Më spiunuan shokët e mi

    “Mua më spiunuan shokët e mi dhe në gjyq dolën si dëshmitarë kundër meje, 11 shkrimtarë e poetë”. Kështu, rrëfen Kasem Trebeshina, i cili thotë, se ka edhe më keq. Sepse, dikujt i ka dalë gruaja, apo vëllezërit, dikujt, motra dhe babai. Kjo pozitë është mjaft e tmerrshme dhe çdo dëgjues i vëmendshëm, thotë: “Mjaft”. Kjo është diçka e rëndë për ta dëgjuar sepse na trondit me vërtetësinë e vet. Por ka ndodhur edhe kështu. Nga: Ilir Bushi

  4. EDUARTI

    26/10/2011 at 16:45


    http://www.proletari.com/ngordhi-despoti-dhe-gjakberesi-i-kombit-shqiptar-boshnjaku-ramiz-alia-katovica/html

  5. er

    03/05/2011 at 14:13


    ka te drejte zoteria, por holle holle te flasesh per ate te shkuar eshte sikur te qash hallet per te sotmen.

  6. Besniku

    03/05/2011 at 08:54


    Motra ime Bruna , megjithse jam nje patriot i denje i kombit tone shqiptare , pa marrur parasyshe se ku jetojme , ne Shqiperine tone natyrale , me duhet qe t ‘ ju kerkoj ngushellimet e mija te thella nga shpirti dhe nga zemra e nje patrioti , ku me kete rast do t ‘ ju beja te ditur se edhe ne Kosoven tone martire , menjehere pas luftes se II-te boterore , me hymjen e komunisteve , ishin grire , ishin vrare apo ne menyren me tragjike kishin humbur jeten e tyre afro 100.000 viktima shqiptare , me q ‘ rast vi nga shoqata per mbrojtjen e trashegimise kombetare-shqiptare , dhe jam njeri nder ata te pakt te cilet dine se jane grire afro 100.000 viktima shqiptare , ku me kete rast edhe njehere ju ngushelloj , ne emrin tim personal , dhe ne emer te shoqates te cilen e kryesoj , me nderime nga i juaji Besniku …

  7. reshati

    22/04/2011 at 09:40


    êshtë e vërtetë ato që rrëfen, edhe unë i njohë mirë si familje Ndreu.
    Por do të veja në dukje moj zonjë se mirë bën që hedhë memorie në gazeta, por ndjehesh me fat që lumin e kalove për vetë dhe misionin e familjes tënde prej 150 veta në internime e burgje dhe 6 të pushkatuar e paske braktisur sepse ti po e vlerëson demokracinë nga luga jote e mbushur me rrogë dhe nga llokmat që jua grabitë klientëve të sëmurë e të varfër deri në palcë.
    Ty të rroftë diploma, korrupsioni dhe kujtimet e një dite vere!!!!!!!!!!!!
    Kjo tregon se ata kanë luftuar jo për ideale lirije, por për pjata me pilaf e mish e korrupsion mjeksor!
    Në djall të shkosh me kujtimet e tua skizofrenike!
    22 prill 2011