Widgetized Section

Go to Admin » Appearance » Widgets » and move Gabfire Widget: Social into that MastheadOverlay zone

50 Agjentet sekret shqiptare me te medhenje nga 1905 – 1980-ta

Lexuar 2605
Ja kush janë agjentët e fshehtë më të famshëm shqiptarë; jeta dhe aksionet e tyre.
Nuk kanë as emër, as identitet dhe as pasaportë. Ata thjesht kanë qenë në shërbim të vendit për vite me radhë, duke bërë një punë që e dinë shumë pak veta. Puna e njërit prej tyre vlen më shumë se një ushtri e madhe. Gazeta “Tirana Observer” sjell disa nga agjentët më të famshëm shqiptarë. Kush ishte “Ciceroni” i famshëm, shqiptari me emër Iliaz Bazna, i lindur në vitin 1904, i cili punonte për llogari të shërbimeve sekrete gjermane dhe angleze. Kush ishte “Kobra”, një nga agjentët më profesionistë të Sigurimit të Shtetit, por njëkohësisht dhe të CIA-s. I stërvitur me profesorë të KGB-së, në Akademinë e Moskës, si dhe i trajnuar me rezultate të shkëlqyeshme për dy vjet nga CIA, “Kobra” arriti t’u shërbente të dyja këtyre shërbimeve me besnikëri.
Kush ishte Hamit Matjani, agjenti shqiptar i CIA-s që përgëzoi aftësinë e Sigurimit të Shtetit që e futi në kurth. Nëpërmjet rrëfimeve vijnë historitë e Asim Alikos, Pal Melyshit, Hekuran Pobratit e të tjerë. Si rekrutoheshin agjentët shqiptarë, shantazhet dhe devotshmëria. Paradokset dhe lojërat agjenturore, profesionalizmi dhe sakrificat. Rreziqet dhe vështirësitë, si dhe ndërhyrjet nga shërbimet e huaja si CIA amerikane, UDB-ja jugosllave, MI-6 britanik, SIM-i italian, etj.

Ceno bej Kryeziu
Spiuni i parë dhe i famshëm shqiptar mund të quhet padyshim Ceno bej Kryeziu, i cili ishte njëkohësisht edhe kunat i Ahmet Zogut. Ai kishte lindur në Gjakovë dhe ishte rekrutuar nga Shërbimi Sekret Jugosllav që në vitet ‘20. Në sajë të aftësive të tij, ai ki kishte arritur t’u kalonte shumë informacion jugosllavëve. Për këtë arsye, në vitin 1924 pas ndihmës që jugosllavët i dhanë Zogut për të ardhur në pushtet, ata i kërkuan këtij të fundit që kunatit të tij Ceno bej Kryeziu, t’i jepej posti i Ministër i Brendshëm. Por më pas Zogu do ta kuptonte lojën që bënte kunati i tij dhe më vonë ky i fundit detyrohet të largohet nga Shqipëria dhe vendoset në Çekosllovaki. Më 14 tetor 1927, Ceno bej Kryeziu qëllohet për vdekje në kafe “Passage” në qytetin e Pragës, nga studenti shqiptar 23 vjeç, i quajtur Alqiviadh Bebi(Alqiviadh Bebi asht lindun n’Elbasan më 1904 prei prindësh me originit kuço-vllahe, edhe kjo ka qenë gjuha e tij amtare. Ky djal ka qenë si nxënës në Shkollën Teknike të Tiranës deri në vitin 1921,.)

“Ciceron”
Iliaz Bazna është emri i legjendës shqiptare të spiunazhit, i njohur me pseudonimin “Ciceroni”. Ka lindur në vitin 1904, në Prishtinë, në kohën kur krahina e Kosovës, por edhe pjesa më e madhe e Ballkanit, ishte e pushtuar nga Perandoria Osmane, më vonë familja e tij vendoset në Turqi. Ai u bë një nga spiunët më të famshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kohën kur punonte si kamarier në shtëpinë e ambasadorit britanik në Ankara. “Ciceroni” arrin t’u japë gjermanëve informacione të shumta, por të gjitha këto në shkëmbim të parave. Brenda një kohe të shkurtër, ai arriti të mbledhë rreth 300 mijë sterlina, një shumë jashtëzakonisht e madhe në atë kohë. Por në pranverë të vitit 1944 zbulohet veprimtaria e tij. “Ciceroni” arrin të arratiset së bashku me të gjitha paratë e tij të cilat rezultuan të ishin false. “Ciceroni” vdiq në Stamboll, në vitin 1971, por historia e tij u bë skenar filmi dhe subjekt libri.

Hekuran Pobrati
Hekuran Pobrati ishte anëtar i grupit special të Ministrisë së Brendshme, ai njihej me pseudonimin “Mali”. Pobrati lindi në fshatin Pobrat të Beratit, më 15 shtator të vitit 1920. Ai u martua në vitin 1949 me Feraset Xhaferr Vërlacin (Ngurëza) dhe pati me të gjashtë fëmijë. Pobrati kreu shkollën e mesme dhe në vitin 1943 ishte partizan i Brigadës së Parë Sulmuese me funksione nga zëvendëskomandant kompanie deri në zëvendëskomandant batalioni. Pas çlirimit mbaroi dy kurse shtatëmujore për oficer dhe mori detyrën komandant batalioni në mbrojtjen e popullit. Nga vitit 1947 deri në nëntor 1948, arrestohet nga Koçi Xoxe nën akuzën e bashkëpunimit me armikun. Pas 1948-s rifiton të gjitha të drejtat dhe merr pafajësinë. Në këtë vit filloi punë në Sigurimin e Shtetit, deri sa doli në pension. Ai mbante pseudonimin “Mali” dhe ka marrë pjesë në operacione të famshme së bashku me kolegun e tij, Asim Aliko. Pobrati vdiq në vitin 1991.

Koll Qefalia
Nën pseudonimin e “Nishozit” fshihej Koll Qefalia, kryetar i Këshillit Popullor në një zonë të Mirditës. Ai ishte agjenti më besnik i Alush Leshanakut, ose i njohur ndryshe “Luani”, agjentit të shërbimeve sekrete italiane. “Nishozi” ishte njeriu që luajti rolin e ndërmjetësit për takimin që do bëhej midis Alush Leshanakut dhe Frontit të Rezistencës. Kjo e fundit ishte një organizatë fantazmë e ngritur nga Sigurimi i Shtetit për të futur në kurth bandat, e cila drejtohej nga Kadri Hazbiu. Ish-agjentët e Sigurimit, megjithëse “Nishozin” e konsideronin si një nga armiqtë më të mëdhenj, e vlerësojnë shumë profesionalizmin e tij. Sipas tyre, “Nishozi” i kamuflonte lëvizjet e tij. Madje disa prej tyre kanë qëndruar për një kohë të gjatë nën shoqërinë e tij, pa e ditur se ai ishte pikërisht njeriu të cilin e kërkonin me ngulm. Qefalia kapet pas një kurthi agjenturor të organizuar nga Sigurimi i Shtetit.

Mark Dodani
Ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit është futur në këtë shërbim në fillim të vitit 1946, i nxitur nga vrasja e babait dhe vëllait të tij në vitin 1945. Por në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai angazhohet në operacione në vitin 1948 pas takimit me Kadri Hazbiun. “Mendoja se më kishin thirrur për punën time në zonën në veri, gjë e cila mu përforcua kur aty gjeta edhe Bardhok Bibën, por nuk dija se që në ato momente jeta ime do të merrte rrjedhë tjetër”, ka rrëfyer Dodani për median. Sipas shënimeve të ish-sigurimsit, Kadriu (ndonëse e kishte njohur shkarazi dhe më parë), i drejtohet Markut: “Ti je Mark Dodani!”. “I thashë se unë jam”, – tregon Dodani. Pa e zgjatur, Kadriu i është drejtuar Bardhok Bibës: “Mos e kërko më Mark Dodanin, ai do të punojë me ne”. Kështu, për 35 vjet me radhë, Dodani punoi në organet e Sigurimit me pseudonime të ndryshme, ku më kryesoret janë “Xhakoni” e “Studenti”. Pas daljes në pensionin e parakohshëm, u atashua si shkrimtar i lirë pranë Kinostudios “Shqipëria e Re”. Ka shkruar 3 romane, një monografi, dhjetë novela, disa vëllime me tregime, tre skenarë filmash artistikë dhe pesë skenarë dokumentarësh, ku i fundit është xhiruar në vitin 2003 dhe titullohet “Tiranë, në Evropë”.

Alush Leshanaku
Ishte me origjinë nga Elbasani, fshati Leshanak. Kishte qenë profesor gjimnastike në Liceun-Gjimnaz të Shkodrës qysh në periudhën e regjimit të ish-mbretit Zog. Studentët shkodranë të gjimnazit e njihnin si njeri të shkathët, intelektual të zotin, me një trup sportisti, fizikisht i fortë, disi enigmatik. Sapo u largua mbreti Zog I, më 7 prill 1939, Alush Leshanaku vihet në shërbim të fashizmit, teksa rekrutonte “Giovani Fashisti”, të rinj fashistë. Në vitin 1941, me pseudonimin “Luani”, punon si agjent i shërbimit sekret italian me mision në Shqipëri. Detyra e tij ishte të krijonte grupe e t’i organizonte ato që ishin për rrëzimin e regjimit komunist në atë kohë. Kishte zbarkuar në Mirditë me parashutë, dhe ishte një nga agjentët më të rrezikshëm për Sigurimin e Shtetit, cilësohej si “Gjenerali i Perdes së Hekurt”. Alush Leshanaku, i njohur me kodin “Luani”, kishte zbarkuar me parashutë në Mirditë. Ja ç’shkruan në ditarin e tij: “Pra qeveria është siguruar për ekzistencën time e mbi qëndrimet në… Po më gjurmojnë e po më ndjekin”. Leshanaku mbeti i vrarë nga Sigurimi i Shtetit.

Asim Aliko
Ai ishte kryetari i grupit special të Ministrisë së Brendshme që kishin si qëllim depërtimin në radhën e bandave e agjenturave të huaja me pseudonimin “Tomori”. Aliko u bë pjesë e Sigurimit të Shtetit në vitin 1948 dhe punoi derisa doli në pension në vitin 1965. Ish-oficeri i Shërbimit Sekret, Mark Dodani tregon se Aliko për pesë vjet ka kapur 120 banditë. Taktika e tij ishte që t’i përçante banditët, të organizonte takime në vende ku donin oficerët e Sigurimit, me qëllimin për t’i kapur të gjallë. Mënyra më origjinale e Alikos ishte se pjesën më të madhe të rasteve ai e arrinte këtë me dollitë që ngrinte. Aliko njihej si pijetar dhe shpesh shefat e tij e kishin të vështirë t’ia besonin detyrat, por ai pikërisht me këtë siguronte suksesin e operacionit. Duke ngritur dolli, ai u krijonte afinitet kundërshtarëve, duke i bërë të besonin se ishin në të njëjtën llogore, e më pas i zinte robër. “Tomori” kishte lindur në Kurvelesh, në vitin 1915. Ai ishte vlerësuar me titullin “Hero i Popullit”, u nda nga jeta në vitin 1987.

Pal Mëlyshi
Pal Mëlyshi, me pseudonimin “Furtuna”, ishte një nga agjentët më të mirë të Sigurimit të Shtetit. Ai ishte një komunist i flaktë, edhe pse babai i tij ishte detyruar të arratisej pse nuk i përkrahte idetë komuniste. U fut në Sigurim në shtator të vitit 1949 dhe qëndroi deri sa u vra në vitin 1950. Synimi i tij ishte të ndihmonte në luftën kundër bandave. Por infiltrimi ishte shumë i vështirë, pasi të gjithë e njihnin për komunist. E motra e tij, Marie Mëlyshi kujton në një intervistë për “Tirana Observer”, se kapobanda e vinte herë pas here në provë. “Një natë, ndërsa i jepet një detyrë, ai bashkë me dy anëtarë të tjerë të bandës përplasen me disa sigurimsa. Fillon shkëmbimi i zjarrit mes tyre. Pali gjen një moment të përshtatshëm dhe vetëplagoset. Që pas kësaj ngjarje kapobanda u pati thënë anëtarëve të tjerë, që Pali tashmë ishte pjesë e tyre dhe asnjeri nuk duhet të fliste keq për të”, tregon e motra. “Furtuna” u vra nga sigurimsat në një shkëmbim zjarri me bandën, nga e cila nuk u shkëput dot në momentin e rrethimit.

“Gramafoni”
“Gramafoni” është një nga agjentët jugosllavë me kombinacion në vendin tonë dhe me një histori të veçantë me karakter përgjithësues për sa i përket formave dhe metodave të veprimtarisë së zbulimit jugosllav ndaj vendit tonë. Ai ishte me orgjinë nga Padeshi i Tropojës dhe kishte lindur në Vlorë, më pas i ati i tij oficer gjatë kohës së Zogut ishte vendosur në Jugosllavi. Para se jugosllavët ta fusnin “Garmafonin” në Shqipëri, i bënë një kurs intensiv. “Gramafoni” u fut në Shqipëri në vitet ‘50 nga kufiri jugosllav, si një kosovar që përndiqej nga serbët. Ai u vendos në fillim në Fier, por veprimtaria e tij i ra menjëherë në sy Sigurimit të Shtetit. Pasi u kap “Gramafoni” pranoi qenien e tij në shërbim të zbulimit jugosllav, pasi iu paraqitën disa prova tekniko-shkencore dhe më pas ai punoi për Sigurimin e Shtetit, duke bërë një lojë të dyfishtë. Për të mos rënë në sy të zbulimeve jugosllave, ai u burgos për disa vjet në burgun e Burrelit dhe më pas Sigurimi i Shtetit e dërgon atë jashtë vendit për interesa të tij.

“Dielli”
Një nga agjentët më të mirë me origjinë shqiptare, por që ka vepruar në dëm të shtetit shqiptar, ka qenë edhe ai me pseudonimin Dielli. I dërguar për të vjelë informacion në Greqi në vitet e para të çlirimit “Dielli”, me origjinë çame, oficer i shërbimit sekret shqiptar në vitin 1946 raportohet i vrarë. Për këtë arsye shteti shqiptar i asaj kohe e shpalli “Diellin” në mënyrë sekrete dëshmor dhe familjes së tij iu lidh pension i posaçëm dëshmori. Pas disa vitesh, kundërzbulimi i Shërbimit Sekret Shqiptar vërtetoi se “Dielli” ishte shëndoshë e mirë dhe se vepronte si interlokutor midis qendrës se shërbimit të jashtëm sekret dhe grupit të spiunazhit të huaj, ngritur në klandestinitet të thellë në Shqipëri. Kjo tregoi se agjenti sekret “Dielli” kishte bërë lojë të dyfishtë dhe kishte mashtruar shërbimet sekrete shqiptare.

Hamit Matjani
Drejtori i CIA-s në vitet ‘50, Allen Dulles i kishte vënë Hamit Matjanit nofkën “Tigri”. I cilësuar si një nga agjentët më të mirë shqiptarë që punonte për llogari të CIA-s, Matjani kishte arritur të realizonte shumë aksione në Shqipëri për rrëzimin e regjimit komunist. I larguar nga Shqipëria menjëherë pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist, “Tigri” kishte arritur të desantonte në Shqipëri gati 26 herë. Kjo e kishte bërë atë që të quhej nga shërbimi sekret amerikan si njeriu më i zotë për të desantuar në Shqipëri. Në të gjitha rastet që ai kishte hyrë në Shqipëri, ishte futur nga toka nëpërmjet Greqisë. Herën e fundit që ai u fut në Shqipëri ai u hodh me parashutë nga ajri. Në vitin 1953, vetëm pak kohë pas zbarkimit në malet e Shëngjergjit në Elbasan, ai do kapej nga organet e Sigurimit pas kurthit që ata i kishin bërë me anë të radios ndërlidhëse. Ai u dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 14 prill 1954.

Hysen Lepenica
Hysen Lepenica ka qenë një nga agjentët shqiptarë që punonte për llogari të CIA-s. Veprimtarinë e tij ai e kreu kryesisht në fund të viteve ‘40. Ku pasi ishin trajnuar nga oficerë të CIA, ai së bashku me disa agjentë të tjerë zbarkon në Shqipëri me detyrë për të rrëzuar regjimin e komunist. Ata zbarkuan në Grykën e Dukatit në tetorin e vitit 1948. Pasi nëndetësja doli në sipërfaqe, Hysen Lepenica, Zagoll Shena, Safet Kaba, etj. me anë të një varke gome iu drejtuan bregut. Por misioni i tij do dështonte për shkak se ranë pre e një kurthi të ngritur nga Sigurimi i Shtetit. Siç rezultoi më vonë, shkak për dështimin e tyre ishin informacionet që agjenti sekret Kim Filbi u kishte dhënë sovjetikëve në lidhje me misionin e tyre. Sovjetikët ua kishin dërguar menjëherë këtë informacion Sigurimit të Shtetit, të cilët kishin organizuar pritën.

“Kobra”
Është një nga agjentët shqiptarë me histori më interesante ndër figurat e Shërbimit Sekret. “Kobra” kishte luftuar me devotshmëri si partizan në kohën e luftës e më pas ishte vënë në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Por jo vetëm të tij, por edhe të Shërbimit Inteligjent të Amerikës, pra të CIA-s. Në vitin 1949 ai ishte “arratisur” në Amerikë, ku u trajnua për dy vjet nga CIA. Ai kishte kryer ndërkohë Akademinë Ushtarake në Moskë, dhe kishte njohje me personalitete të KGB-së që kishin qenë pedagogët e tij atje. “Kobra” njihej si agjent shëtitës i CIA-s, me disa emra e funksione, me foto të ndryshme, herë me mjekër e mustaqe e herë i rruar, herë me kaçurrela brune, e herë biond e herë tullac. Një nga agjentët më profesionistë të Sigurimit të Shtetit dhe të CIA-s, u dënua nga të dyja shërbimet dhe qeveritë. Nga Partia e Punës u akuzua si tradhtar dhe si “shërbëtor i imperialistëve amerikanë”, ndërsa nga CIA, si agjent i Sigurimit. Ai burgoset nga kjo e fundit dhe kthehet në Shqipëri disa muaj para se të vdiste. “Kobra” kreu shumë funksione të suksesshme për llogari të Sigurimit dhe të CIA-s, duke u qëndruar besnik të dy këtyre shërbimeve.

Sabaudin Haznedari

Ai ishte një nga anëtarët e grupit të Xhevdet Mustafës, të dërguar nga CIA për eliminim e Enver Hoxhës. Sabaudin Haznedari kishte lindur në Durrës dhe kishte qenë një njeri shumë aktiv gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit ai mori disa poste drejtuese, por më vonë pas një konflikti me një nga krerët e partisë së këtij qyteti ai pushohet nga puna. Në vitin 1950 ai arratiset nga Shqipëria së bashku me një shokun e tij dhe vendoset në fillim në Greqi, më pas në Turqi e në fund në Itali. Gjatë kësaj periudhe ai rekrutohet nga shërbimet sekrete të huaja dhe fillon të punojë për ta. Në vitin 1982 ai zbarkon në Divjakë bashkë me Xhevdet Mustafën. Por vetëm pak orë pas zbarkimit, grupi i tyre zbulohet në qytetin e Rrogozhinës, dhe gjatë një përplajse me policinë Sabaudin Haznedari vritet.

Teme Sejko
Teme Sejko është quajtur nga Sigurimi i Shtetit si një nga agjentët më të rrezikshëm që kanë punuar për agjenturën greke. Madje, sipas Sigurimit të Shtetit, në bazë të dokumenteve dhe deklarimeve të ish-agjentit Teme Sejko, grupi i tij kishte si detyrë rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. I lindur në vitin 1922, në Filat të Çamërisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore ai ishte një nga themeluesit e çetës “Çamëria”. Pas çlirimit ai mori poste shumë të rëndësishme, madje ishte një nga gjeneralët e parë shqiptarë si dhe kundëradmiral i Flotës Shqiptare. Ai ishte rekrutuar për llogari të shërbimeve greke nga i vëllai i tij më i madh, Taho Sejko. Grupi i drejtuar prej dy vëllezërve u zbulua në vitin 1960, ku dhe u kryen arrestime të shumta. Sipas dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, u arrestuan mbi 2 mijë vetë, kryesisht çamë, si anëtarë të grupit agjenturor, por me një urdhër nga lart u liruan të gjithë përveç 200 personave. Pas arrestimit, Teme Sejko i pranoi të gjitha akuzat për spiunazh. Ai u dënua me vdekje dhe u pushkatua po atë vit.

Xhevdet Mustafa
I arratisur nga Shqipëria në vitin 1964 në drejtim të Amerikës, Xhevdet Mustafa është njeriu që hyri si personi fundit që do desantonte në Shqipëri për të vrarë ish-diktatorin Hoxha. Gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, Xhevdet Mustafës ishte rekrutuar nga shërbimet sekrete amerikane. Ai ishte shumë i njohur për forcën e tij fizike. Në shtator të vitit 1982 i nisur nga Brindisi i Italisë, Mustafa së bashku me 2 persona të tjerë zbarkon në plazhin e Divjakës. Detyra e tij ishte eliminimi i Enver Hoxhës. Por në fakt Xhevdet Mustafa nuk arrin të realizojë dot detyrën e tij, pasi plani dekonspirohet. Më 27 shtator 1982, pas dy orë luftimi, Xhevdet Mustafa vritet nga forcat e Sigurimit të Shtetit.

Zenel Shehu
Ai do mbahet mend si njeriu që bëri të mundur kapjen e Hamit Matjanit. Badigard i Ahmet Zogut dhe mik i ngushtë i Hamit Matjanit, ai rekrutohet nga CIA, me urdhër të mbretit për të desantuar në Shqipëri. Detyra e tij ishte t’i paraprinte mbërritjes në vend të grupeve të tjera diversante. Zenel Shehu zbarkon në Shqipëri në vitin 1952, por shumë shpejt ai do kapej nga shërbimi sekret shqiptar. Më pas nëpërmjet tij ata realizojnë kapje edhe të 13 grupeve të tjera me anë të radiolojës. Duke qenë mik i ngushtë i Hamit Matjanit, ai e detyron këtë të fundit të zbarkojë në Shqipëri, duke i paraqitur një situatë tjetër në vend. Pas kësaj, në vitin 1953, Matjani zbarkon në Shqipëri dhe kapet menjëherë nga Sigurimi i Shtetit, kurse Zenel Shehu kishte vetëm pak ditë që ishte vrarë.

Pashke Prela
Dëshmorja nga Puka ka qenë një nga agjentet më të njohura femra të Sigurimit të Shtetit. Ndoshta kjo, edhe për shkak fundit tragjik të saj. Kryetari i bandës, “Keqanaj”, të cilin Prela e futi në kurth të Sigurimit të Shtetit, mori hak duke e vrarë në sytë e fëmijëve të saj. Ish-oficeri i Sigurimit, Mark Dodani ka treguar për “Tirana Observer”, se vejusha ishte një agjente e zonja dhe se ishte afruar te Shërbimi pas kërcënimeve të bandave, se ajo do të vihej në shërbim të tyre. Në fillim të vitit 1947, u realizua edhe kurthi që do paralajmëronte fundin tragjik të Prelës. Ndërsa banda “Keqanajt” strehohej në shtëpinë e saj, e cila nuk dyshonte për Prelën, pasi edhe shtëpia ndodhej në një reliev shumë të thyer, agjentja vë në jetë planin. “Pashka çorienton “kryebanditin”. I mbushi rëndë çantat me ushqime, djathë, turshi, bukë, ndërkohë që midis ushqimeve iu kishte futur sende të rënda, madje dhe gurë, me qëllim që kur të dilte nga dera të mos ishte në gjendje të vraponin për t’iu ikur forcave që i kishin rrethuar”, rrëfen Dodani. Kryebanditi arrin të shpëtojë, dhe me gjithë se Prelës iu kërkua të linte banesën, nuk pranoi, me shpresën se nuk ishte pikasur. Por pas disa muajsh, kryebanditi kthehet në befasi dhe ther me thikë Pashke Prelën në sytë e fëmijëve.

Sofokli Mici
Personazhi imagjinar Sofokli Mici trajtohet në librin “Mëkatarë 2” të Nafiz Bezhanit si një agjent profesionist i Sigurimit të Shtetit. Ai ishte një intelektual shumë i njohur. Kishte studiuar në Leningrad për Drejtësi. Ishte zgjedhur anëtar i Gjykatës së Lartë dhe kishte fituar tituj shkencorë doktor dhe profesor. Sipas Bezhanit, ideja për të aktivizuar prof. Sofon, siç e quan ai në libër, në Shërbimin Sekret Shqiptar u krijua pas vizitës turistike që bëri në Shqipëri në vitin 1985 një grup turistik grek. Në dosjet sekrete ai është protagonist i asaj me emrin “Misioni Apollon”, e cila kishte si qëllim normalizimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve fqinjë, Shqipëri e Greqi, mision i cili u realizua me sukses nga ai. Në të njëjtën kohë, në dosje dyshohej se prof. Sofo ishte bashkëpunëtor i shërbimit sekret grek, Asfali, gjë e cila nuk vërtetohet ligjërisht.

Ymer Kondo
Një agjent profesionist i Sigurimit të Shtetit, Ymer Kondo mbart një histori mjaft interesante. I ardhur nga një familje pronarësh vlonjatë, pas çlirimit ai u radhit në listën e personave që konsideroheshin armiq të klasës punëtore. I rritur me këtë njollë në biografi, ai ishte një person i izoluar nga shoqëria dhe njerëzit. Edhe pasi mbaroi Shkollën Tregtare ai nuk gjeti asnjë vend pune për shkak të biografisë së tij. Edhe vetë u bë objekt i persekutimeve të herëpashershme. Por, për çudi, ai pranoi të punonte për Sigurimin e Shtetit e madje me zell të madh. Në një nga arrestimet e tij, një nga gjeneralët e Ministrisë së Brendshme e kishte marrë Ymerin dhe e kishte futur në një kurs të veçantë për ta stërvitur si specialist zbulimi. Pastaj i kishin propozuar të punonte në kampin e të arratisurve në Itali si radist. Me një të shkuar të tillë, të gjithë besonin se Kondo ishte një i arratisur dhe i mbushur me mllef ndaj regjimit. Kondo njihej si agjent inteligjent dhe i shkathët. Ai vrau edhe “Njekovin”, një poliagjent të njohur.

“Papastrati”
Një nga agjentët më të njohur është edhe ai me pseudonimin “Papastrati”. Ai ishte me origjinë greke dhe jetonte në një qytet në jug të Shqipërisë. Për shumë vite, sipas kujtimeve të oficerit të Sigurimit të Shtetit, Bekim Budo, ai ka punuar për llogari të agjenturave greke. “Papastrati”, sipas Budos, kishte arritur të ngrinte një rrjet të fuqishëm informatorësh në jug të Shqipërisë për llogari të agjenturës greke. Në vitet ’70, Sigurimi i Shtetit Shqiptar kishte rënë në gjurmët e kësaj veprimtarie dhe arrin të kapë, falë një kombinacioni të përsosur, “Papastratin”, i cili tregon përpara hetuesve se si ishte vënë në shërbim të grekëve. Më pas agjenti “Papastrati” rekrutohet nga Sigurimi i Shtetit dhe bën një lojë të dyfishtë. Ai i dha shumë informata shtetit shqiptar në lidhje me Shërbimin e Fshehtë Grek.

“Berlini”
Agjenti “Berlini” është padyshim një nga agjentët më të mistershëm shqiptarë. Kjo për shkak se në të gjitha dokumentet, ai asnjëherë nuk ka figuruar me emrin e tij, duke mbetur një anonim. Por veprimtaria e tij si spiun, sipas kujtimeve të oficerit të Sigurimit të Shtetit, Bekim Budo, ka qenë shumë e madhe. Sipas Budos, në dosjen “Berlini” nuk ka shënime nga drejtues eprorë si dhe vlerësime për informacionet që ka dhënë. Karakteri i këtij agjenti del kur bëhet kombinacioni për ta futur në lidhje me Sekretarin e III-të të Legatës Italiane në Tiranë. Aksioni i tij u krye me sukses, ai arriti të ishte në aksione të ndryshme dhe të jepte informacione për Sigurimin e Shtetit.

“Gramafoni”
“Gramafoni” është një nga agjentët jugosllavë me kombinacion në vendin tonë dhe me një histori të veçantë me karakter përgjithësues për sa i përket formave dhe metodave të veprimtarisë së zbulimit jugosllav ndaj vendit tonë. Para se jugosllavët ta fusnin “Garmafonin” në Shqipëri, i bënë një kurs intensiv. “Gramafoni” u fut në Shqipëri në vitet ’50 nga kufiri jugosllav, si një kosovar që përndiqej nga serbët. Ai u vendos në fillim në Fier, por veprimtaria e tij i ra menjëherë në sy Sigurimit të Shtetit. Pasi u kap “Gramafoni” pranoi qenien e tij në shërbim të zbulimit jugosllav, pasi iu paraqitën disa prova tekniko-shkencore dhe më pas ai punoi për Sigurimin e Shtetit, duke bërë një lojë të dyfishtë. Për të mos rënë në sy të zbulimeve jugosllave, ai u burgos për disa vjet në burgun e Burrelit dhe më pas Sigurimi i Shtetit e dërgon atë jashtë vendit për interesa të tij.

Adem Rama
Agjenti Adem Rama u kthye në çështje dite në vitin 1953, ku u shënua si incident i marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave. Për këtë ngjarje propaganda jugosllave trumbetoi se ishte zbuluar veprimtaria armiqësore e agjentit të rrezikshëm të Sigurimit të Shtetit, Adem Rama, student me bursën e shtetit jugosllav në Universitetin e Beogradit. Ndërkohë, nga Sigurimi ai mbahej nën vëzhgim si agjent i UDB-së. Nafiz Bezhani tregon në “Mëkatarë 2″ se në dosjen e tij kishte raporte të hollësishme për Sigurimin, në të cilat ai kishte denoncuar si të dyshimtë 86 persona, nga të cilët 12 konsiderohen të rrezikshëm. Adem Rama ishte i biri i një shqiptari që pas çlirimit u bë kryetar bashkie në Prishtinë. Por pas uljes së të atit nga detyra, që përkonte me kohën e gjimnazit, ai kërkohej të rekrutohej nga UDB-ja, pasi ishte një djalë inteligjent dhe i shkathët.

Agjenti S.Ll.
Agjenti S.LL., ka qenë një agjent i shërbimit sekret shqiptar dhe ka vepruar për një kohë të gjatë pa arritur të zbulohet nga shërbimet sekrete të huaja. Ai ishte me origjinë nga Dibra dhe punonte kryesisht në dëm të shërbimit sekret jugosllav. Sipas ish-agjentit Bekim Budo, ai ishte ndër të paktët agjentë të Sigurimit Shqiptar që nuk u zbulua nga shërbimet jugosllave. Kjo, sipas Budos, se agjenti S.Ll. sa herë dërgohej me detyra në Dibrën e Madhe, ai nuk shkonte në asnjë rast atje ku e rekomandonin, dhe mbijetoi falë zgjuarsisë dhe intuitës së tij, nuk u kap nga UDB-ja, e cila kishte shumë agjentë që punonin për llogari të saj në Shqipëri.

Demo Tafani
Demo Tafani ka qenë një agjent i shërbimeve sekrete italiane. Ai ishte rekrutuar nga shërbimet sekrete italiane gjatë kohës së pushtimit të vendit tonë nga Italia. Pas çlirimit të vendit ai ishte larguar nga Shqipëria së bashku me mikun e tij dhe agjentin e shërbimeve sekrete italiane Alush Leshanakun. Në vitin 1949 ata dërgohen me mision në Shqipëri, pasi ishin personalitete të njohura e të vendosura në misionin e tyre, por gëzonin edhe një mbështetje në qarqet nacionaliste në vend. Në këtë periudhë shërbimi i zbulimit e kundërzbulimit të shtetit shqiptar e kishte shtuar depërtimin e personave apo grupeve speciale në këto grupime diversante, duke bërë që Demo Tafani të binte shpejt në duart e tyre.

Dielli
Një nga agjentët më të mirë me origjinë shqiptare, por që ka vepruar në dëm të shtetit shqiptar, ka qenë edhe ai me pseudonimin Dielli. I dërguar për të vjelë informacion në Greqi në vitet e para të çlirimit “Dielli”, me origjinë çame, oficer i shërbimit sekret shqiptar në vitin 1946 raportohet i vrarë. Për këtë arsye shteti shqiptar i asaj kohe e shpalli “Diellin” në mënyrë sekrete dëshmor dhe familjes së tij iu lidh pension i posaçëm dëshmori. Pas disa vitesh, kundërzbulimi i Shërbimit Sekret Shqiptar vërtetoi se “Dielli” ishte shëndoshë e mirë dhe se vepronte si interlokutor midis qendrës se shërbimit të jashtëm sekret dhe grupit të spiunazhit të huaj, ngritur në klandestinitet të thellë në Shqipëri. Kjo tregoi se agjenti sekret “Dielli” kishte bërë lojë të dyfishtë dhe kishte mashtruar shërbimet sekrete shqiptare.

Et’hem Çako
Ka qenë një nga agjentët më të mirë të CIA-s me origjinë nga Shqipëria. Pas largimit nga Shqipëria në fund të Luftës së Dytë Botërore si kundërshtar i regjimit komunist ai rekrutohet nga CIA. Më pas ai dërgohet në Shqipëri me mision për të organizuar luftën kundër rrëzimit të regjimit të Enver Hoxhës. Në vitin 1949 ai hidhet me parashutë në Shqipëri. Detyra e tij ishte që të përgatiste terrenin për zbarkimin e grupeve të tjera diversenate si dhe të Hamit Matjanit. Por në sajë të agjentëve të infiltruar të Sigurimit të Shtetit ai bie menjëherë rob i tyre sa zbarkon në Shqipëri.

“Gaveta e Vjetër”
Ndue Zefi, me pseudonimin “Gaveta e vjetër”, mund të quhet padyshim si një nga agjentët më frutdhënës të Sigurimit të Shtetit në fund të viteve ’40. I rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1949, “Gaveta e vjetër”, me origjinë nga një fshat i Mirditës, dha një kontribut të madh në zbulimin dhe eliminimin e bandave diversante në atë kohë. I kamufluar si një anëtarët i këtyre bandave si dhe armik i pushtetit të asaj kohe, Ndue Zefi i dha Sigurimit të Shtetit informacion të shumtë në lidhje edhe me shërbimin sekret jugosllav që shërbente në ato anë. Por agjenti i shërbimit sekret do kishte një fund tragjik, pasi vetëm pak kohë pas rekrutimit të tij nga ana e Sigurimit të Shtetit ra viktimë e një skenari të UDB-së jugosllave që kishte zbuluar aktivitetin e tij të dyfishtë.

“Gjenerali”
“Gjenerali” ishte një agjent dopiorol. Ai e pranon këtë fakt edhe përpara “Sekretarit” (Hetuesit). Mendohet se pothuajse të gjithë agjentët e shërbimit tonë të fshehtë ishin të tillë. Ky person mbante lidhje me agjenturat jashtë shtetit. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare mbahej në lidhje nga misionarë të huaj, ndërsa pas çlirimit të vendit e mori në lidhje togeri francez Cochet. Ndërkohë, atij i kishin fiksuar, edhe disa takime të fshehta me majorin anglez Smith. Në këto kondita, siç del nga dosja, ai arrestohet në mënyrë sekrete dhe pasi zbërthehet si agjent i huaj, rekrutohet me material komprometues nga zëvendësministri, “gjenerali” dhe një nënkolonel e këshilltar jugosllav.

Gjon Gjinaj, “Munella”
Gjon Gjinaj ka qenë një nga agjentët shqiptarë që punonte për llogari të agjenturës italiane në fund të viteve ’40. Ai ishte cilësuar si nj nga agjentët e tyre më të mirë dhe për këtë arsye ai ishte hedhur me parashutë më malet e Mirditës në vitin 1947, me detyrë krijimin dhe organizimin e bandave të armatosura për të rrëzuar regjimin komunist në vend. Në vitin 1949, Gjon Gjinaj, ose i njohur ndryshe me pseudonimin Munella, së bashku me bandën e tij arrin të futet në kurth nga Sigurim i Shtetit. “Grupi Special” i krijuar nga Mehmet Shehu dhe i drejtuar nga Kadri Hazbiu arrin të kap Gjon Gjinajn, i cili më vonë ekzekutohet po nga ky grup.

Halit Bajrami
Padyshim është cilësuar si një nga agjentët më të mirët e Sigurimit të Shtetit. I arratisur nga Shqipëria në vitin 1950, Halit Bajrami mbante në atë kohë postin e zv/shefit të Sigurimit në Korpusin Ushtarak të Qarkut të Korçës. Gjatë kësaj kohe ai qëndroi në vende të ndryshme dhe së bashku me shokun e tij me të cilin u arratis, Sabaudin Haznedari, u rekrutuan nga shërbimet sekrete të huaja. Por gjatë kësaj kohe, si agjent i shërbimeve të huaja, Halit Bajrami i dërgoi informacion me shumë vlerë Sigurimit të Shtetit. Në vitin 1982 ai bëhet pjesë e grupit të Xhevdet Mustafës, që kishte marrë si detyrë eliminimin e Enver Hoxhës. Gjatë zbarkimit të grupit në Shqipëri, Halit Bajrami bën të mundur dekonspirimin e planit, duke bërë të mundur që anëtarët e tjerë të bandës së Mustafës të eliminoheshin. Pas kësaj ngjarje, Halit Bajrami dërgohet përsëri nga Sigurimi i Shtetit jashtë vendit.

Hamit Matjani
Drejtori i CIA-s në vitet ’50, Allen Dulles i kishte vënë Hamit Matjanit nofkën “Tigri”. I cilësuar si një nga agjentët më të mirë shqiptarë që punonte për llogari të CIA-s, Matjani kishte arritur të realizonte shumë aksione në Shqipëri për rrëzimin e regjimit komunist. I larguar nga Shqipëria menjëherë pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist, “Tigri” kishte arritur të desantonte në Shqipëri gati 26 herë. Kjo e kishte bërë atë që të quhej nga shërbimi sekret amerikan si njeriu më i zotë për të desantuar në Shqipëri. Në të gjitha rastet që ai kishte hyrë në Shqipëri, ishte futur nga toka nëpërmjet Greqisë. Herën e fundit që ai u fut në Shqipëri ai u hodh me parashutë nga ajri. Në vitin 1953, vetëm pak kohë pas zbarkimit në malet e Shëngjergjit në Elbasan, ai do kapej nga organet e Sigurimit pas kurthit që ata i kishin bërë me anë të radios ndërlidhëse. Ai u dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 14 prill 1954.

“I penduari”
Ky ishte pseudonimi i një prej agjentëve me histori më paradoksale të Sigurimit të Shtetit. Ai kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera shkollën e larë për oficer dhe Akademinë Ushtarake në vitin 1962 dhe kishte arritur të bëhej komandant korpusi, por pas spiunimit të shokut të tij të ngushtë për një frazë, ishte dënuar me 15 vjet si armik i popullit. Në burg, pranon me vullnet të plotë të vihet në shërbim të organeve të Sigurimit si i penduar, për të shlyer fajin e bërë dhe e zgjedh edhe vetë pseudonimin e tij “I penduari”. Për 11 vjet, ndonëse agjent i Sigurimit, ai i është nënshtruar torturave çnjerëzore për të fituar besimin e të burgosurve, objekt i veprimtarisë së tij agjenturore. Për 11 vjet ai kaloi nga burgu në burg, gjoja me dënime disiplinore por në fakt me shërbime tepër speciale, të përgatitura me kujdes nga organet e specializuara të Sigurimit. Me përmbysjen e diktaturës, “I penduari” fiton statusin e të persekutuarit politik dhe emërohet në funksione të larta të shtetit.

“Hutini”
“Hutini” hyn në listën e atyre agjentëve që bëjnë historinë famëkeqe të Sigurimit të Shtetit. Ai ka qenë një personalitet në arenën e politikës shqiptare pas ’90-ës. Agjenti i Sigurimit të Shtetit, ishte rekrutuar në vitin 1970 dhe kishte punuar për 10 vjet për këtë shërbim. Në dosjen e tij, që Nafiz Bezhani e citon me numër 17594, paraqitet edhe veprimtaria e këtij agjenti, i cili spiunonte edhe detaje nga më të vogla. Pas ardhjes së demokracisë, “Hutini” emërohet në organet qendrore të vendit.

Hysen Lepenica
Hysen Lepenica ka qenë një nga agjentët shqiptarë që punonte për llogari të CIA-s. Veprimtarinë e tij ai e kreu kryesisht në fund të viteve ’40. Ku pasi ishin trajnuar nga oficerë të CIA, ai së bashku me disa agjentë të tjerë zbarkon në Shqipëri me detyrë për të rrëzuar regjimin e komunist. Ata zbarkuan në Grykën e Dukatit në tetorin e vitit 1948. Pasi nëndetësja doli në sipërfaqe, Hysen Lepenica, Zagoll Shena, Safet Kaba, etj. me anë të një varke gome iu drejtuan bregut. Por misioni i tij do dështonte për shkak se ranë pre e një kurthi të ngritur nga Sigurimi i Shtetit.

Idriz Seiti, “Profesori”
Agjenti Idriz Seiti ishte anëtar i i “Grupit Special” të krijuar nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu në vitet e para të pasçlirimit. Grupi kishte si detyrë zbulimin dhe eliminimin e të gjitha bandave diversante që vepronin në atë kohë në vend. I lindur në fshatin Çorrush të Mallakastrës, Idriz Seiti gjatë Luftës së Dytë Botërore u bashkua me forcat partizane dhe u dallua për trimëri dhe besnikëri ndaj Partisë. Për këtë arsye, menjëherë pas çlirimit, me krijimin e Sigurimit të Shtetit, duke qenë edhe mik i ngushtë i Mehmet Shehut, i cili në atë kohë ishte ministër i Brendshëm, emërohet anëtar i Grupit Special dhe iu vendos pseudonimi “Profesori”. Gjatë veprimtarisë së tij si agjent, “Profesori” luajti një rol të madh në kapjen dhe vjeljen e shumë informacioneve të agjentëve të shërbimeve të huaja.

Jonuz Mersini
Është cilësuar pa dyshim si një nga agjentët më të mirë të Sigurimit të Shtetit që ka vepruar jashtë vendit. Jonuz Mersini, i vendosur në Francë në vitet ’50, arriti deri aty sa të punonte pranë mbretit Zog gjatë kohës së qëndrimit të tij në Francë. Gjatë kësaj kohe ai i dha Sigurimit të Shtetit informacione të shumta, duke bërë që shumë nga planet grupeve nacionaliste dhe legaliste për rrëzimin e regjimit komunist të dështonin. Në vitin 1952 ai u urdhërua në atë kohë nga Sigurimi i Shtetit dhe konkretisht nga kreu i tij, Kadri Hazbiu të eliminonte Ahmet Zogun. Por këtë mision ai nuk mund ta kryente dot. Më vonë, pas dekonspirimit të tij si agjent, ai kthehet në Shqipëri. Historia e tij i shërbeu më vonë edhe një shkrimtari të njohur të vendit tonë, i cili bëri nj libër që pati shumë sukses në atë kohë.

“Kobra”
Është një nga agjentët shqiptarë me histori më interesante ndër figurat e Shërbimit Sekret. “Kobra” kishte luftuar me devotshmëri si partizan në kohën e luftës e më pas ishte vënë në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Por jo vetëm të tij, por edhe të CIA-s. Në vitin 1949 ai ishte “arratisur” në Amerikë, ku u trajnua për dy vjet nga CIA. Ai kishte kryer ndërkohë Akademinë Ushtarake në Moskë, dhe kishte njohje me personalitete të KGB-së që kishin qenë pedagogët e tij atje. “Kobra” njihej si agjent shëtitës i CIA-s, me disa emra e funksione, me foto të ndryshme, herë me mjekër e mustaqe e herë i rruar, herë me kaçurrela brune, e herë biond e herë tullac. Një nga agjentët më profesionistë të Sigurimit të Shtetit dhe të CIA-s, u dënua nga të dyja shërbimet dhe qeveritë. Nga Partia e Punës u akuzua si tradhtar dhe si “shërbëtor i imperialistëve amerikanë”, ndërsa nga CIA, si agjent i Sigurimit. Ai burgoset nga kjo e fundit dhe kthehet në Shqipëri disa muaj para se të vdiste. “Kobra” kreu shumë funksione të suksesshme për llogari të Sigurimit dhe të CIA-s, duke u qëndruar besnik të dy këtyre shërbimeve.

Koçi Xoxe
Ish-ministri i parë i brendshëm në qeverinë e sapokrijuar të pasçlirimit në vitin 1945, Koçi Xoxe vetëm katër vite më vonë u akuza si agjent i UDB-s jugosllave. Sipas dokumenteve të Sigurimit të Shtetit ai u ishte një nga agjentët më të fuqishëm të UDB-së dhe kishte arritur të krijonte një rrejt agjenturor shumë të madh për llogari të jugusllavëve. Pas çlirimit ai mori postin zv/kryeministrit dhe të ministrit të Brendshëm. Më 28 nëntor 1948, ai arrestohet me akuzën si agjent i jugosllavëve. Ai nuk e pranon kurrë akuzën dhe gjykata më pas e dënon me vdekje, pushkatohet në maj të vitit 1949.

“Koloneli”
“Koloneli” është cilësuar si një nga agjentët më mirë dopiorol të Sigurimit të Shtetit. I lindur në Elbasan në një familje patriotike ai u rekrutua nga shërbimi sekret britanik që në vitet ’30 me rekomandim të Margaret Hazllëk. Gjatë luftës “Koloneli” u aktivizua me forcat partizane. Në sajë të intelektit dhe gjuhëve të shumta arriti të bëhej edhe përkthyesi i Enver Hoxhës gjatë takimeve të këtij të fundit me misionarët anglezë. Gjatë kësaj kohe ai filloi të punojë edhe për Frontin Nacionalçlirimtar. Pas çlirimit ai filloi të punojë për Sigurimin e Shtetit, duke bërë të mundur sjelljen e shumë informacioneve të vlefshme. Më pas ai dërgohet me detyrë nga Sigurimi i Shtetit jashtë vendit ku qëndron për një kohë të gjatë.

“Loro”
“Loro”, ishte një ish-oficer kufiri dhe komunist, i cili ishte nxjerrë në lirim “për mungesë vigjilence”, pasi në zonën e tij kufitare kishin kaluar kufirin diversantë pa u kuptuar nga nënreparti i tij. Më pas ai ishte kthyer në Tiranë, ku punonte si kasap. Sipas librit “Mëkatarë 3″ të Nafiz Bezhanit, agjenti që pas përjashtimit nga partia ishte vënë nën funksion të shërbimeve të huaja. Ai ndihmoi këto shërbime për futjen e familjes Popa në vitin 1985 në ambasadën italiane. Një ngjarje e madhe kjo që shënoi krisjen e parë të shtetit shqiptar.

Nikoll Mëlyshi
Padyshim që historia e familjes së Mëlyshajve është një nga më interesantet e shërbimeve sekrete. Rrallë mund të ndodhte që në një familje, i ati të shërbente për një agjenturë sekrete dhe i biri për një tjetër. Nikoll Mëlyshi, babai i Pal Mëlyshit ishte një nga agjentët më potentë të CIA-s në vitet ’50. Ai ishte hedhur me parashutë nga CIA në malet e Mirditës dhe atje kishte arritur të krijonte një bandë me të cilën organizonte aksione të ndryshme kundër regjimit komunist. Por ndërkohë që ai punonte për CIA, i biri i tij, Pal Mëlyshi punonte si agjent i maskuar në Sigurimin e shtetit. Pas vrasjes së të birit, Nikoll Mëlyshi kthehet në Amerikë ku jetoi deri sa vdiq në vitin 1989.

Agjenti “Profesori”
“Profesori”, ishte një nga krerët e emigracionit shqiptar në Belgjikë gjatë kohës së regjimit komunist, por njëkohësisht ai ishte edhe një nga agjentët më të fortë të Sigurimit të Shtetit. Agjenti sekret ishte nga Elbasani dhe njihej si nacionalist. Rekrutimi i tij për llogari të Sigurimit të Shtetit ishte bërë nga Omer Nishani, i cili e kishte mik të ngushtë. Pas rekrutimit të tij, Sigurimi i Shtetit kishte bërë të mundur dërgimin e tij jashtë vendit dhe infiltrimin e tij në radhët e emigrantëve shqiptarë në Bruksel. Gjatë kësaj kohe ai i solli Sigurimit të Shtetit të dhëna shumë të vlefshme si për situatën e spiunazhit ashtu edhe për zhvillime të tjera me rëndësi.

Panajot Plaku
Panajot Plaku është akuzuar nga Sigurimi i Shtetit si agjent i UDB-s. Anëtar i Komitetit Qendror si dhe gjeneral i ushtrisë shqiptare, ndryshe nga miqtë e tij të ngushtë, Dali Ndreu dhe Liri Gega, të cilët u arrestuan dhe u dënuan si agjent të jugosllavëve, ai arriti të arratisej në Jugosllavi në vitin 1957, vetëm pak momente para arrestimit. Ata akuzoheshin se të tre se bashku punonin për llogari të shërbimeve sekrete jugosllave. Por, megjithëse arriti t’i shpëtonte arrestimit, Panajot Plaku nuk mundi t’i shpëtonte dot kurthit të Sigurimit të Shtetit. Vetëm pak kohë më vonë me anë të një agjenti të saj arriti të vriste në Jugosllavi ish-gjeneralin shqiptar, Panajot Plakun, të akuzuar si spiun i UDB-së jugosllave.

Sabaudin Haznedari
Ai ishte një nga anëtarët e grupit të Xhevdet Mustafës, të dërguar nga CIA për eliminim e Enver Hoxhës. Sabaudin Haznedari kishte lindur në Durrës dhe kishte qenë një njeri shumë aktiv gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit ai mori disa poste drejtuese, por më vonë pas një konflikti me një nga krerët e partisë së këtij qyteti ai pushohet nga puna. Në vitin 1950 ai arratiset nga Shqipëria së bashku me një shokun e tij dhe vendoset në fillim në Greqi, më pas në Turqi e në fund në Itali. Gjatë kësaj periudhe ai rekrutohet nga shërbimet sekrete të huaja dhe fillon të punojë për ta. Në vitin 1982 ai zbarkon në Divjakë bashkë me Xhevdet Mustafën. Por vetëm pak orë pas zbarkimit, grupi i tyre zbulohet në qytetin e Rrogozhinës, dhe gjatë një përplasje me policinë Sabaudin Haznedari vritet.

Shemsi Aliaj
Agjenti sekret pranë ambasadës shqiptare në Romë konsiderohet si një nga rekrutuesit më të mirë të Shërbimit Sekret Shqiptar. Në pak vite ai arrin që në Romë, por edhe në Milano apo Bari, të ketë një rrjetë të gjerë informatorësh në radhët e zyrtarëve italianë, në duart e të cilëve qarkullonin të dhëna sekrete që i interesonin shtetit shqiptar. Si arritja më e madhe e Aliajt konsiderohet rekrutimi në vitin 1953 i shefit të Shifrës së Ushtrisë Italiane. Shemsi Aliaj u kap nga agjentët e Shërbimit Sekret Italian teksa ishte me dy nga bashkëpunëtorët e tij vendas. Ai u shpall “non grata” dhe u dëbua nga Italia. Llogaritet që në 4-5 vite ai të ketë rekrutuar rreth 25 bashkëpunëtorë në Itali.

Skënder Barçi
Skënder Barçi është një agjent i Sigurimit të Shtetit, i cili ka vepruar në vitet ’60. Kryesisht veprimtarinë e tij ai e kreu në Jugosllavi, ku kishte për detyrë të mblidhte informacione sekrete mbi agjentë e UDB-së. Në vitin 1961, sipas disa dokumenteve jugosllave, ai arrestohet në qytetin e Shkupit nga shërbimet sekrete jugosllave. Kjo, pasi sipas tyre, Skënder Barçi kishte marrë si detyrë nga Sigurimi i Shtetit eliminimin e ish-gjeneralit shqiptar që tashmë jetonte në Jugosllavi, Panajot Plakut. Po sipas këtyre dokumenteve, Skënder Barçi gjatë marrjeve në pyetje kishte pranuar se punonte dhe se detyrën për eliminimin e Panajot Plakut ja kishte dhënë vetë ministri i Brendshëm i asaj kohe, Kadri Hazbiu. Më pas gjykata jugosllave e dënoi atë vetëm me gjashtë vite burg, më pas ai u rekrutua nga UDB-ja dhe punoi për llogari të tyre.

Taho Sejko
Taho Sejko është cilësuar si koka e krijimit të “Grupit çam” i mbështetur dhe financuar nga shërbimi sekret grek. Ai madje, sipas Sigurimit të Shtetit, është edhe personi që kreu rekrutimin për llogari të shërbimeve sekrete greke të vëllait të tij më të vogël, gjeneralit të njohur, Teme Sejkos. Ende nuk bëhet e ditur se si ai u rekrutua nga shërbimi sekret grek. Por sipas dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, ai arriti të krijonte një grup agjenturor shumë të madh. Në vitin 1960 ai shkarkohet nga të gjitha postet e rëndësishme që mbante dhe arrestohet bashkë me vëllain e tij. Por ndryshe nga vëllai i tij, Teme Sejko, që i pranoi të gjitha akuzat si agjent i shërbimit sekret grek, Taho Sejko, sipas dokumenteve të atyre kohëve nuk e pranoi asnjëherë akuzën. Por megjithatë ata shpallen fajtorë, me akuzën e krijimit të grupit armiqësor çam dhe dënohet me vdekje.

Teme Sejko
Teme Sejko është quajtur nga Sigurimi i Shtetit si një nga agjentët më të rrezikshëm që kanë punuar për agjenturën greke. Madje, sipas Sigurimit të Shtetit, në bazë të dokumenteve dhe deklarimeve të ish-agjentit Teme Sejko, grupi i tij kishte si detyrë rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Pas çlirimit ai mori poste shumë të rëndësishme, madje ishte një nga gjeneralët e parë shqiptarë si dhe kundëradmiral i Flotës Shqiptare. Ai ishte rekrutuar për llogari të shërbimeve greke nga i vëllai i tij më i madh, Taho Sejko. Grupi i drejtuar prej dy vëllezërve u zbulua në vitin 1960, ku dhe u kryen arrestime të shumta. Pas arrestimit, Teme Sejko i pranoi të gjitha akuzat për spiunazh. Ai u dënua me vdekje dhe u pushkatua po atë vit.

Xhevdet Mustafa
I arratisur nga Shqipëria në vitin 1964 në drejtim të Amerikës, Xhevdet Mustafa është njeriu që hyri si personi fundit që do desantonte në Shqipëri për të vrarë ish-diktatorin Hoxha. Gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, Xhevdet Mustafës ishte rekrutuar nga shërbimet sekrete amerikane. Ai ishte shumë i njohur për forcën e tij fizike. Në shtator të vitit 1982 i nisur nga Brindizi i Italisë, Mustafa së bashku me 2 persona të tjerë zbarkon në plazhin e Divjakës. Detyra e tij ishte eliminimi i Enver Hoxhës. Por në fakt Xhevdet Mustafa nuk arrin të realizojë dot detyrën e tij, pasi plani dekonspirohet. Më 27 shtator 1982, pas dy orë luftimi, Xhevdet Mustafa vritet nga forcat e Sigurimit të Shtetit.

Zenel Shehu
Ai do mbahet mend si njeriu që bëri të mundur kapjen e Hamit Matjanit. Badigard i Ahmet Zogut dhe mik i ngushtë i Hamit Matjanit, ai rekrutohet nga CIA, me urdhër të mbretit për të desantuar në Shqipëri. Detyra e tij ishte t’i paraprinte mbërritjes në vend të grupeve të tjera diversante. Zenel Shehu zbarkon në Shqipëri në vitin 1952, por shumë shpejt ai do kapej nga shërbimi sekret shqiptar. Më pas nëpërmjet tij ata realizojnë kapje edhe të 13 grupeve të tjera me anë të radiolojës. Duke qenë mik i ngushtë i Hamit Matjanit, ai e detyron këtë të fundit të zbarkojë në Shqipëri, duke i paraqitur një situatë tjetër në vend. Pas kësaj, në vitin 1953, Matjani zbarkon në Shqipëri dhe kapet menjëherë nga Sigurimi i Shtetit, kurse Zenel Shehu kishte vetëm pak ditë që ishte vrarë.

“Vogëlushi”
Edhe peshën e ka pasur të vogël tek Sigurimi i Shtetit, por kjo detyrë ia komplikoi atij gjithë jetën. Me të tillë pseudonim iu shfaq Nafiz Bezhanit dosja e një ambasadori, që duhej t’i kontrollonte figurën. Në librin “Mëkatarë” shpjegohet se “vogëlushi” u fut në Sigurim me premtimin se do i jepnin bursë për të filluar studimet e larta, një hile që përdorej shpesh për të rekrutuar të rinj në Sigurim. Ai pranoi, dhe me vajtjen me studime në Francë, me misionin që të raportonte për çdo sjellje të shokëve të tij që studionin atje, veçanërisht për veprimet e tyre në përkrahje të kulturës perëndimore. Ai bie në dashuri atje me një franceze. Për këtë, Sigurimi i preu bursën e përjashtoi nga radhët e veta duke e akuzuar rëndë për marrëdhënie intime me një agjente të shërbimit të huaj. Ai vëzhgohej për çdo veprim të tij me kontrollin 2/A, që do të thotë vëzhgim gjatë 24 orëve. Një rast që tregon fare mirë paradoksin e të qenit agjent dhe i persekutuar.

Agjenti Mëhilli
Agjenti me pseudonimin “Mëhilli” ishte në nga spiunët më të rrezikshëm të UDB-s jugosllave që vepronte në Shqipëri. Ai ishte një nga drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Brendshme në vitet e regjimit komunist. Në sajë të veprimtarisë së tij, shumë agjentë sekretë shqiptarë u zbuluan ose shumë aksione të tyre u dekonspiruan. Në disa prej dokumenteve që u zbuluan prej Sigurimit të Shtetit, në lidhje me veprimtarinë e këtij agjenti rezultoi se ai kishte dërguar UDB më shumë informacion për figurat politike shqiptare të asaj kohe. Ai u zbulua në fillim të viteve ’80, dhe do dënohej rëndë nga drejtësia e asaj kohe.
T.O/TiranaObserver

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 28/05/2010. Filed under Agjent dhe Spiun. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

2 Responses to 50 Agjentet sekret shqiptare me te medhenje nga 1905 – 1980-ta

  1. Liljana

    27/02/2012 at 21:50


    Lexojeni kush e mbajti Enver Hoxhen ne pushtet.http://bit.ly/jAL5ep

  2. Bujari i burgosur politik.

    16/11/2011 at 21:19


    26 spiunë të Sigurimit, punonjës të Ambasadës Amerikane

    Publikuar te Enjten, 29 Shtator 2011 03:00
    Shkruar nga SOT NEWS
    Lexuar gjithesej: 602
    Ambasada-amerikanee.gifFenomeni nuk është i panjohur, por pranimi i së vërtetës është i vonuar. Në Ambasadën amerikane në Tiranë, pikërisht në tempullin e demokracisë botërore, janë punësuar 26 ish-spiunë, të Sigurimit të shtetit, ish komunistë të rrezikshëm, apo përfaqësues të ish nomenklaturës, të cilët prej 45 vjetësh, spiunuan ose dolën dëshmitarë nëpër gjyqe kundër disidentëve të vërtetë, të këtij vendi. Dhe sikur të mos mjaftonte vetëm kjo gjë, sot bie në sy se kjo ambasadë i ka hapur kanatat e saj, për pseudointelektualët dhe spiunët e shumtë të komunizmit, të cilët pas viteve 90-të synuan rehabilitimin, duke trokitur me delikatesë dhe “kulturë”, në portat e kësaj ambasade. Aq e vërtetë dhe e zakonshme është kjo gjë saqë, rreth 90 për qind, e atyre që hyjnë dhe dalin në ambasadë, janë të pajisur me dosje spiuni dhe madje, me pseudonim. Për këtë arsye, para disa viteve, Geri Kokalari, i ka dërguar një letër konfidenciale ambasadores Marsi Ries si dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, ku bën të ditur faktin tronditës për prezencën e ambasadës amerikane në Shqipëri. Sipas letrës së tij, janë konkretisht 26 punonjës të kësaj ambasade që kanë qenë spiunë, apo ish-anëtarë të partisë Komuniste Shqiptare. Kokalari, thotë se gjatë procesit të punësimit, atyre u është dhënë një formular dhe një ndër pyetjet, është ajo nëse kanë qenë anëtarë të partisë Komuniste, apo edhe ndonjë organizate fashiste. Dhe këta të fundit janë përgjigjur “jo”, por kjo ishte pjesë e mashtrimit të këtyre individëve. Sepse dihet mirë se këta 26 persona, ish- anëtarë të partisë Komuniste, u punësuan në ambasadën amerikane. Dhe personi i fundit në këtë listë ka qenë rezident në Boston.

    Letra

    Letra e shkruar me një guxim qytetar nga Geri Kokalari në adresë të ish- ambasadores amerikane në Shqipëri nënvizon se: “Disa nga ish-punonjësit e Ambasadës Amerikane në Tiranë kanë qenë anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare. Nga këndvështrimi im për t’u bërë punonjës në këtë ambasadë të gjithë kanë plotësuar më parë një formular kualifikimi të Departamentit të Shtetit, OMB Nr. 1405-0029. Seksioni 35 i këtij formulari shtron pyetjen: Jeni ju tani, ose keni qenë ndonjëherë anëtar i Partisë Komuniste, ose i ndonjë organizate komuniste, ose fashiste? Nga këndvështrimi im personat e listuar më poshtë mund të kenë qenë anëtarë të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe mund të jenë përgjigjur “jo” në seksionin 35 të formularit të përshkruar më poshtë. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë këta persona kanë bërë një paraqitje jo të denjë në një aplikim punësimi, me një agjenci të qeverisë amerikane dhe nëse është kështu unë marr përsipër të them se ky është një fakt i kryer”. Kokalari e vazhdon arsyetimin dhe akuzën e tij, edhe për personat e lidhur me Kadri Hazbiun. Duke e konsideruar Hazbiun, si arkitektin e Sigurimit të Shtetit Shqiptar në kohën e diktaturës, Kokalari i ka shprehur shqetësimin ambasadës amerikane, se ish komunistët mund të kenë tashmë në këtë ambasadë spiunët e tyre. “Punonjësit në Ambasadë dhe ka mundësi që edhe të tjerë, të ishin direkt të varur nga Kadri Hazbiu, kur ai ka shërbyer si Ministër i Brendshëm nën regjimin e diktatorit komunist, Enver Hoxha. Në këtë pozicion, Hazbiu ishte gjithashtu edhe në krye të sigurimit sekret shqiptar, operacion policie që vepronte si inteligjencë dhe ushtri e fortë për regjimin brutal të Enver Hoxhës. Siç është e ditur tashmë, pjesa më e madhe, në mos të gjithë, të gjithë njerëzit që punonin nën pozicionin e Hazbiut, u konsideruan “sigurimi” dhe shërbyen si bërthamë e aparatit të inteligjencës për Partinë Komuniste Shqiptare. Ajo që është shqetësuese për këtë situatë, ka të bëjë me faktin, se ka mundësi, që anëtarë të ish-qeverisë komuniste të kenë futur spiunë në Ambasadën Amerikane”, shkruan Kokalari. Më tej, në letër përmendet edhe kryeministri Berisha, por edhe ish -kryeministri Fatos Nano, si ish anëtarë të Partisë Komuniste dhe ai, i konsideron ata, si kontigjentë të mundshëm. “Kjo mund të jetë shumë e rëndësishme sepse mund të thotë që këta individë mbajnë lidhje të ngushta me qeverinë shqiptare dhe kanë shërbyer si një rrjet, inteligjent, brenda ambasadës tuaj. Për më tepër, kjo gjë mund të shpjegojë gjithashtu, të dhënat, që ish-kryeministri Fatos Nano kishte burime inteligjence brenda Ambasadës për shkak të faktit, se ai ka qenë një anëtar kyç i ish-regjimit komunist dhe mban lidhje të ngushta me “ish-sigurimin”, vazhdon letra. Në përfundim të saj, Kokalari sqaron edhe arsyet e letrës dhe informacionit që jep. “Si qytetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë pyes, nëse ju e investigoni këtë çështje dhe përcaktoni nëse ndonjë nga informacionet që dhamë më lart kishte ndonjë gjë të bazuar në fakte reale. Vëmendja juaj e menjëhershme dhe përgjigja kërkohet me shumë respekt”, përfundon letra e Geri Kokalarit. Kjo letër është shkruar disa vite më parë, por fenomeni vazhdon dhe Geri Kokolari me të drejtë kërkon zgjidhjen e dilemës. Sepse në një shënim tjetër ai ka sqaruar se edhe sot e kësaj dite, po të bëjmë një radioskopi të njerëzve që hyjnë e dalin në këtë ambasadë, do të shohim se ata janë pikërisht, eksponentë të njohur, në lidhjet e tyre me Sigurimin e Shtetit, pavarësisht, nga pasojat e rënda apo të lehta, që u kanë shkaktuar njerëzve të thjeshtë, në jetën private. Këtu mund të përmendim, disa pseudonime të tyre, si Holta, Çorapja, Çibuku, Çiftelia, Shkrimtari, Profesori, etj, etj. Në fillimin e viteve 90-të, në këtë ambasadë kanë kërkuar gjithashtu, ndihmë, spiunët më të rrezikshëm të historisë së diktaturës komuniste. Ata që çuan në litar, apo drejt pushkatimit, kolegët e tyre, fqinjët e tyre dhe ndonjëherë të afërmit e tyre. Përpara lëkurës së vet, ata nuk patën mëshirë për asgjë tjetër, dhe spiunimet i raportonin me letër. Ata çuan në litar shumë prej disidentëve që shprehnin vlerësim dhe mirënjohje për Amerikën, por raportet e fshehta të spiunëve i degdisën nëpër qelitë e burgjeve, apo prapa kloneve të dëbim –internimeve. Por këta spiunë nuk ngopeshin me bëmat e tyre dhe hapnin sytë lart e poshtë për të gjetur viktimën e rradhës, ndërsa në vitet 90-të, pamë se si derdhnin lot krokodili për dashurinë ndaj ambasadës amerikane. Në këtë kontekst, kontributi i Kokalarit për zbardhjen e listës së spiunëve përbën një triumf. Sepse, tregon që rezistenca e fisnikëve të këtij vendi, do të jetë kurdoherë, prezente ndaj hipokrizisë së pandalshme të zyrtarëve tanë, burokratëve, apo hileqarëve që e ndërrojnë ngjyrën e flamurit politik, sipas interesave të momentit

    Lista e spiunëve dhe ish-komunistëve të Ambasadës

    Geri Kokalari, jep një panoramë të qartë të fenomenit që mbërtheu mjedisin shqiptar, pas viteve 90-të, por ai jep edhe një listë të plotë të ish-komunistëve dhe ish spiunëve, që u punësuan në ambasadën amerikane. Këtë listë, ai e ka pasqyruar me emër dhe mbiemër. Por, për efekte etike dhe për të zbatuar korrektësinë e ligjshmërisë, ne, po i botojmë vetëm inicialet e emrave dhe mbiemrave të tyre. Kjo edhe për faktin, se ligji i hapjes së dosjeve të spiunëve, ende nuk është miratuar.

    Tabela e spiunëve të punësuar në ambasadën amerikane

    1- A. P, nga Tirana, ish-shofer i Enver Hoxhës

    2- B, C, nga Peshkopia, ish-shofer i Kadri Hazbiut

    3- B. M, nga Vlora, ish punonjës i Punëve të Brendshme

    4- B.K, nga Kukësi, ish-shef i kampeve të internimit.

    5- H.S, nga Skrapari, ish kuadër i Sigurimit të Shtetit

    6- S. L nga Peshkopia, ish-oficer zbulimi

    7- A. B, nga Gjirokastra, ish komunist dhe prokuror

    8- B. M, nga Erseka, ish-oficer, dhe bashkëpunëtor i Sigurimit

    9- S.H, nga Skrapari, ish bashkëpunëtor i Sigurimit

    10- V. V, nga Tepelena, ish-bashkëpunëtor i Sigurimit

    11- B.P, nga Erseka, ish sekretar partie, ish punonjës sigurimi

    12- Q. B, nga Tropoja, ish komunist, ish punonjës sigurimi

    13- K.Y, nga Skrapari, ish komunist, ish punonjws sigurimi

    14- A. H, nga Skrapari, ish bashkëpunëtor i Sugurimit

    15- A. N, nga Korça, ish komunist, ish punonjës sigurimi

    16-B.D, ish bashkëpunëtor i Sigurimit

    17- Sh Xh, nga Përmeti, ish komunist, ish-punonjws sigurimi

    18- H. M., nga Vlora, ish-komunist, ish punonjës sigurimi

    19- F. H, nga Korça, ish komunist, ish punonjës sigurimi

    20- M. A nga Vlora, ish komunist, ish punonjës sigurimi

    21- I. L, nga Erseka, ish bashkëpunëtor i Sigurimit

    22- A.SH, nga Tirana, ish komunist, ish punonjës sigurimi

    23- M.I, nga Fieri, ish bashkëpunëtor i Sigurimit

    24- H. H, nga Erseka, ish sekretar partie dhe punonjës sigurimi

    25- J. K, nga Saranda, ish oficer i lartë, ish punonjës sigurimi

    26- RR. H, nga Skrapari, ish komunist dhe ish punonjës sigurimi.

    Nga Gazetari Ilir Bushi