Xhamia e re, Rama: Do jetë 9-katëshe

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3603
Kreu i bashkisë prezantoi dje idenë për ndërtimin e godinës së re, aty ku sot është Disko Albania, duke e bashkuar me një pjesë në jug të saj, ku ka qenë vendi i quajtur “gropa e Hajdin Sejdisë”. Xhamia, e parashikuar si ndërthurje mes modernes dhe klasikes, do të ketë ndoshta modelin më unik fetar, atë të faljes nën tokë. Në maketet e prezantuara dje shihet se salla e faljes do të jetë 1 kat nën tokë, duke habitur shumë prej besimtarëve edhe të feve të tjera. Sidoqoftë, kjo është akoma një ide, pasi edhe shtrirja e xhamisë jashtë pronave të Komunitetit Mysliman pritet të shkaktojë shumë probleme pronësie dhe ligjore. Rregullorja e qendrës parashikonte që xhamia do të ndërtohej në një truall prej 1 240 metrash dhe ngjitur do të kishte një godinë po aq të lartë, ndërkohë që Rama dje ia bashkëngjiti këtë godinë xhamisë. Tashmë ajo do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 2 930 metrash katrore dhe do t’u shërbejë rreth 2 500 besimtarëve. Vendndodhja e saj do të jetë në qendër të Tiranës, pas Pallatit të Kulturës, saktësisht tek ish-disko “Albania”. Bashkia ka vendosur që truallin e një prej godinave të shërbimit, të parashikuara në projektin për qendrën e Tiranës, ta bashkojë me atë të Komunitetit Mysliman dhe t’i japë kështu hapësirën e duhur xhamisë së re. “Është e udhës të nënvizohet qysh në krye të herës se Tiranës i duhet një xhami e re, jo thjesht për Komunitetin Mysliman, por për të plotësuar një kënd të munguar të trekëndëshit që e bën Tiranën një vend unik, të trekëndëshit të bashkëjetesës mes tre besimesh. Ndërkohë që dy besime të tjera kanë hapësirën e tyre të re, në kushtet e kësaj kohe të re, besimit mysliman, kjo hapësirë e re sot e gjithë ditën i mungon”, tha Rama. Përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman kërkuan një projekt të mirëdetajuar për xhaminë, çka sipas kryebashkiakut Rama do të realizohet në një fazë të dytë. Po kështu, përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman nënvizuan se është e domosdoshme që xhamia e re të luajë rolin e një qendre të  thellimit të dijes për fenë islame.
Projekt-ideja

Xhamia do të ketë një sipërfaqe totale ndërtimi prej 17 135 metrash katrorë, brenda një trualli prej 2 930 metrash katrorë dhe arrin t’u shërbejë mbi 2 500 besimtarëve, shifër kjo sipas bashkisë, e plotë, në përputhje me kërkesën e bërë nga Komuniteti dhe me nevojat e konstatuara në jetën e përditshme. Në ndërtimin e saj janë parashikuar 9 nivele, 4 nëntokësorë dhe 5 mbitokësorë. Kjo strukturë do të jetë kusht në Konkursin Ndërkombëtar që do të çelet për të zgjedhur projektin më të mirë. “Kjo nuk ka të bëjë me formën që mund të ketë xhamia e re, të cilën sigurisht do ta eksplorojnë, do ta propozojnë arkitektët që do marrin pjesë në konkurs. Ajo që na takon si institucion që organizon konkursin, është t’u vëmë në dispozicion arkitektëve që do përfshihen, një program ku përmbushen të gjithë nevojat që ka komuniteti, brenda hapësirës që kemi në dispozicion dhe pastaj sigurisht është fantazia dhe përfytyrimi krijues i arkitektëve që do të na sjellin propozime të ndryshme, mbi të cilat do të mund të gjykojmë”, tha Rama. Sipas tij, projekt-ideja është bazuar mbi programet e një numri të konsiderueshëm xhamish të ndërtuara në botë. Xhamia do të ketë një holl qendror të faljes. Hapësirat e faljes për burrat dhe gratë do të jenë të ndara, por përsëri fizikisht ose vizualisht të lidhura. Do të ketë gjithashtu vendin e ceremonive martesore, mjediset e shërbimit për abdes, çezma në qendër të hollit, por nuk do të mungojë as biblioteka dhe sallat e studimit.

Vendi ku do ndërtohet

Ndryshe nga sa ishte parashikuar në projektin fillestar të planit francez, hapësirës së planifikuar për ndërtimin e xhamisë do t’i shtohen edhe 1 600 metra të tjera truall. Në maketin e mësipërm, që pasqyron planin francez për qendrën, godina me nr.12 i korrespondon vendndodhjes së xhamisë, sipas këtij plani. Përpara saj, godina 7a ishte parashikuar si godinë shërbimesh. Duke e parë të pamjaftueshëm kapacitetin prej 800 besimtarësh, nevojave të së cilëve do t’u përgjigjej xhamia, dje Bashkia e Tiranës bëri me dije se edhe trualli i parashikuar për godinën e shërbimeve do t’i bashkohet atij për xhaminë e re. Kjo duket edhe në skemën bashkëngjitur, ku godina 1 ishte parashikuar për xhami, ndërsa godina 2 ishte parashikuar për shërbime. Tashmë, ajo do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 2 930 metrash katrore dhe do t’u shërbejë rreth 2 500 besimtarëve.

***

Xhamia, Muça: Nuk jemi në dijeni për katet nën tokë

TIRANE – Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Selim Muça tha se dje pas kontakteve me Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e xhamisë së re, KMSH ka ngritur një komision pune që do të ndjekë zbatimin e projektit. Në lidhje me tryezën e prezantimit dhe të diskutimit të idesë së Bashkisë së Tiranës për xhaminë e re, Muça tha se komisioni i Komunitetit Mysliman ka qenë dje i pranishëm në diskutim. Megjithatë Selim Muça tha dje se nuk është në dijeni të kateve nën tokë të xhamisë. “Ne nuk kemi informacion ende për katet nëntokë dhe detaje të tjera të objektit, kur t’i vijë koha do të përcaktohet dhe do të diskutohet edhe kjo”, tha kreu i Komunitetit Mysliman Muça. Ai megjithatë konsideroi të pranueshëm faktin se objekti mund të ketë një kat nëntokë dhe këtë, kryesisht për parkimin e automjeteve. Ndërkohë duke iu referuar deklaratës së kryebashkiakut Rama i cili tha se xhamia do të jetë me një sipërfaqe prej 2930 metrash, kreu i Komunitetit tha se në fakt çështja e truallit ku do të ndërtohet objekti ka një problem pronësie. Kështu, sipas kreut të KMSH-së, Selim Muça, Komuniteti ka në pronësi në këtë zonë një sipërfaqe toke prej 1240 metra, por pjesa tjetër që do të zihet nga xhamia, sipas kreut të KMSH, është vendosur të zgjidhet mes Bashkisë dhe pronarëve. Bëhet fjalë për një zonë në të cilën më herët kanë qenë pronarë tregtarët e ish-pazarit të vjetër. “Sipërfaqja që zë xhamia e re është më tepër sesa trualli që ka në pronësi komuniteti Mysliman, por është vendosur që kjo të zgjidhet në bashkëpunim me Bashkinë, duke shfrytëzuar tokën e pronarëve në zonën e ish-pazarit të vjetër”, tha kryetari i Komunitetit Selim Muça. Prej kohësh, besimtarët myslimanë kanë kërkuar ndërtimin e një xhamie në Tiranë, pasi kanë kryer ritet e faljes në festat fetare në ambient të hapur, në rrugë apo në bulevard prej disa vitesh. Me kërkesën e besimtarëve myslimanë u sensibilizua fillimisht Presidenti Bamir Topi, e më tej kryeministri Sali Berisha dhe së fundi edhe Bashkia e Tiranës e cila dje hapi diskutimet për projektin e saj në lidhje me ndërtimin e xhamisë.                                         tr.so
Zirina Llambro/Panorama

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 21/12/2010. Filed under Projekte/Tendera. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Xhamia e re, Rama: Do jetë 9-katëshe

  1. shegushe ligari

    22/12/2010 at 19:44


    Ishalla nuk mashtron prapë Edvin kristaq Rama muslimanët e Tiranës.
    Por kur do ta kryeji rikonstruksionin e Monumentit të Gjergj kastriotit në Tiranë, që e ka nisë qysh nga fundi i marsit 2010?
    A i zihet besë këtij surrogatit që mashtron besimtarët islam dhe shkatrron në anën tjetër kryemonumentin e Historisë??????????

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.