Vetvrasja, fenomen i ri për shoqërinë shqiptare

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 4600
4.500 VETEVRASJET NE 8 MUAJ, shkurt-tetor 2009 NE SHQIPERI
Eshtë një fakt i pamohueshëm tashmë që në këto dy dekada të tranzicionit, për shkak të një vakuumi shpirtëror, ideologjik dhe moral, si dhe problemeve të pabarazisë ekonomike, faktorë këta që i dhanë tipare të reja shoqërisë shqiptare, e cila po përjeton një krizë identiteti, fenomeni i vetëvrasjes është bërë pjesë e përditshme e shqiptarëve.
Helmimet këtë tetëmujor të këtij viti kanë arritur shifra rekord në Spitalin Ushtarak. Sipas specialistëve toksikolo g ë , ,
dita-ditës po rritet numri i rasteve që tentojnë vetëvrasjen. Mjeku toksikolog Zihni Sulaj bën të ditur se “ka një
numër në rritje të helmimeve akute dhe për fat të keq, 70-80% e rasteve janë përpjekje për vetëhelmim. Por këto
janë raste që paraqiten vetëm në këtë pavijon, ndërkohë që të tjerë paraqiten edhe pranë QSUT-së, ose nuk i drejtohen mjekut për të fshehur tentativën. Moshat që preken më tepër janë ato aktive, nga 16-40 vjeç. Sipas Sulajt, arsyet
e tentativës së vetëvrasjes janë të shumta. “Rëndom shkaktar është stresi i akumuluar për shkaqe sociale, individuale ose familjare, sidomos në marrëdhëniet në çift, por edhe problemet ekonomike apo problemet e zhvendosjes”, – sqaron
toksikologu Zihni Sulaj. Helmi më i përdorur është fostoksina, por në zonat rurale marrin edhe lëndët kimike që përdoren në bujqësi për të luftuar brejtësit apo insekte të ndryshme. Sulaj thekson se duhet hartuar një strategji për moslejimin
e tregtimit të lëndëve kimike nëpër rrugë, siç ndodh në Shqipëri si në asnjë vend tjetër. “Duhet patjetër të bëjmë një strategji kombëtare për të parandaluar vetëvrasjet dhe ekspozimet toksike”, – ka sqaruar Sulaj gjatë një intervistes.

Sa është numri i vizitave që kryhen në urgjencën e Toksikologjisë dhe, a kanë ardhur në rritje tentativat për helmime?
Realisht është evident fakti që ka një numër në rritje. Për shkak të ekspozimeve të qëllimshme mbërrijnë në urgjencë, sillen nga familjarët, të afërmit, komshinjtë, kalimtarët dhe shpesh edhe nga policia. Helmimi për shkak suicid ose vetëvrasja është e dukshme për shkak të sëmundshmërisë që nuk mund të anashkalohet më sepse është një shifër sinjifi kative, por edhe për shkak të mortanitetit që shkon 3.5-5 për qind por edhe më shumë se kaq, të personave që paraqiten në urgjencë. Midis produkteve që përdoren ato që janë më preokupante për praktikën tonë klinike janë disa kimikate me toksitet shumë të lartë, siç janë fosfi det, fosfi di i aluminit ose fostoksina, ose siç quhet ndryshe kokrra e groshës. Rastet shkojnë deri në 4.500 raste. Por për këtë periudhë kohe janë paraqitur për të kërkuar ndihmë mbi 4.600 raste, këtu përfshihen natyrisht abuzimi me drogat, abuzimi me alkoolin dhe helmimet. Gjysma e këtyre janë helmime dhe mbi 80% e kësaj shifre, helmimet janë të qëllimshme, përpjekje për suicid. Është për t’u evidentuar sepse përdret një larmi shumë e madhe e substancave toksike, shpesh individët që kanë vendosur në kulmin e krizës për të realizuar një ide të tillë, përdorin mjete që kanë më afër tyre, mund të përdorin mjetet e përdorimit shtëpiak, acidet, detergjentet, kimikate të tjera që i mbajnë për higjienë shtëpiake ose për dezinfektim, si pesticide apo insekticide. Nuk mungojnë edhe rastet kur individi e mendon gjatë aktin e tij dhe siguron një mjet të përshtatshëm, sot mund të them pa frikë se fostoksina shkakton vdekje të sigurt dhe ata që e mendojnë mirë, e blejnë atë.

Ky produkt për fat të keq, si shumë produkte të tjera tregtohet lirshëm në rrugë si të ishte çamçakiz apo shkrepëse, dhe jo vetëm fostoksina por janë një seri kimikatesh sidomos këto që përdoren për luftën kundër brejtësve, që janë disa raticide të tjerë që po ashtu shiten pa ndonjë sens kontrolli dhe kjobashkë me faktorët individualë, psikologjikë, social-kulturorë. Dispoziviteti, pranueshmëria e një morie të konsiderueshme e agjentëve toksikë në doza të caktuara mund të shkaktojë helm, ky është risku që e shton më tej numrin në rritje të helmimeve akute. Në toksikologji është një parim bazë i thënë nga themeluesi i kësaj shkence gati 500 vjet më parë, siç është Paracelciusi, që çdo gjë është helm, nuk gjen asgjë që të jetë pa helm, vetëm doza është ajo që e dallon një helm nga një produkt tjetër dobiprurës për individin. Në këtë kuptim, nëse një produkt i padëmshëm në doza normale me raste pihet në doza të mëdha, sillet si helm dhe nganjëherë fatal. Problemet që do të theksoja unë është një toksiko-vigjilencë mjaft e ulët. Nuk ka ende një formim kulturor dhe edukim të përgjithshëm që agjentët kimikë dhe fizikë mjaft të dobishëm për jetën në zhvillim mundet nga ana tjetër të jenë shumë të dëmshëm për qenien njerëzore, për qeniet e gjalla në përgjithësi dhe për mjedisin ku ne jetojmë. Kur flas për toksiko-vigjilencën e ulët, e kam fjalën edhe për toksiko-vigjilencën për mbrojtjen e mjedisit. Nuk ka as më të voglën e ndjeshmërisë, nuk mendohet se produktet kimike pas përdorimit të funksionit për të cilin i kanë blerë i hedhin vend e pa vend në mjedise të hapura, sidomos kimikate të tilla të rrezikshme si pesticide, insekticide, herbicide, acide dhe baza, tretës organik, kimikate të tjera që dergjen në mjedis, ambalazhet e tyre hidhen vend e pa vend. Këto i kthehen mbrapsht mjedisit ku jeton dhe ajri që thith përditë në oksigjen dhe në ujë ndotet në mënyrë skandaloze. Duhet të ngremë zërin fort!

Kjo mund të arrihet vetëm nga ndërgjegjësimi i qytetarëve, apo edhe nga masa të tjera?
Në përgjithësi fillohet me edukimin, dhe të fillojë me edukimin e fëmijës që në periudhën parashkollore, është e mirë të thuhet se gjëra të tilla janë të mira, por janë shumë të dëmshme për shëndetin kur nuk miradministrohen, kur nuk hidhen në vendin e caktuar pas përdorimit dhe pas kryerjes së funksionit. Duhet një edukim masiv dhe media shumë e zhvilluar sot ka një rol të rëndësishëm. Duhet një ndjeshmëri shumë e lartë dhe rritje e vigjilencës në përgjithësi të opinionit publik për masat, mbrojtjen nga helmet dhe kimikatet, nga agjentët fizikë, që do të thotë nga zhurmat akustike, nga radiacionet radioaktive, të gjitha këto kanë të bëjnë me mjedisin ku ne jetojmë. Sa më i shëndetshëm të jetë ai, aq më e shëndetshme do të jetë jeta e fëmijëve tanë dhe e brezave të tjerë. Sot ne dëgjojmë me sa preokupim vendet e botës të mbledhura disa herë në samite, që ngrenë problemin e ndotjes së mjedisit për shkak të një suicidi kolektiv që po i bën globi vetvetes. Njerëzimi i sotshëm po bën një vetëvrasje të pamenduar mirë, që është bërë më evidente në ditët që ne jetojmë. Unë flas për makromjedisin por edhe mikromjedisin, pra për familjen. Si duhet t’i administrojmë kimikatet. Si duhet të marrim masa që të mos të bëhet ekspozimi edhe i paqëllimshëm, sidomos tek fëmijët, tek individë të tjerë që aksidentalisht kur kimikatet mbahen vend e pavend mund edhe të ekspozohen aksidentalisht dhe shpeshherë me pasoja tepër të rrezikshme për shëndetin. Duke pas këtij ndërgjegjësimi, këtij informimi të mjaftueshëm për rolin e kimikateve dhe efektet e tyre, njerëzit duhet të krijojnë edhe një mjedis të pastër kimik në ambientet e shtëpisë, jo vetëm brenda shtëpive por edhe për më gjerë. Me rëndësi është miradministrimi i kimikateve të rrezikshme sidomos në zonat rurale por edhe në qytet. Veçanërisht i raticidëve, i insekticidëve, i produkteve që përdoren për luftimin e përdoruesve të bimëve sidomos në fshat, të cilat mbahen vend e pavend në mjediset e shtëpisë, në dollapët ku ruhen ushqimet, në vendet që mund të kapen nga fëmijët dhe për më keq pas përfundimit të përdorimit lihen pa kujdesin më të vogël në mjedise që mund të ndotin ambientin.

Ka pasur raste që në mënyrë aksidentale të ketë ndodhur helmimi nga elemente toksike?
Shumë raste. Rreth 18 për qind e rasteve janë aksidentale, që për shkak të këtyre pakujdesive shkohet deri në helmime. Ne nuk kemi shifra për fëmijët, mendoj se duhet të jenë shumë të larta, pasi këta ekspozohen dhe çohen tek pediatria, ose nuk kanë ndërgjegjësimin e duhur që të regjistrohen si raste ekspozite, shumë nga ekspozimet minimale nuk shkojnë fare tek mjeku për shkak të vigjilencës së ulët që kanë. Aq më shumë nuk kanë informimin e duhur për rolin që kanë etiketat. Mendoj se ato as që lexohen dhe as nuk deshifrohen disa sinjale shumë të rëndësishme që kanë etiketat për produkte helmuese dhe shpërthyese, errozive e që ndotin mjedisin. Bota e zhvilluar i ka vënë shenjë çdo etikete. Informacioni në to është një informacion parandalues por edhe shumë i rëndësishëm për miradministrimin e tyre. Ka një injorim total të leximit të kujdesshëm të etiketës, kam frikë se shqiptarët nuk lexojnë me vëmendje as etiketat e ushqimeve, produkteve që konsumojnë, jo më të kimikateve. Ky është një problem që duhet të na shqetësojë, vigjilenca për të ruajtur vetveten dhe shëndetin. Në 95 për qind e rasteve suicide ndodhin në mjediset e shtëpisë dhe siç e përmenda, individi që bën një veprim të tillë gjen produkte që janë më afër tij, dhe kur ato nuk ruhen ashtu siç duhen, risku për të bërë një veprim të tillë është real, pasi momenti është shumë i rëndësishëm në një përpjekje për suicid. Por problemi del jashtë kuadrit të familjes, ku duhet të gërshetohen masat edukuese të ndërgjegjësimit në përgjithësi dhe masat administrative.

Çfarë nënkuptoni me masa administrative ?
Me masa administrative e kam fjalën, se në Shqipëri nuk ka një regjistër kombëtar të elementëve toksikë që qarkullojnë në vend. Regjistër me emrat e kimikateve me rrezikshmëri të lartë, ku ruhen, kur skadojnë, çfarë bëhet mbas mbarimit të efektit të tyre. Duhet që të ekzistojë një regjistër i tillë, që të jenë të regjistruara jo vetëm kimikatet me rrezikshmëri të lartë por dhe ato me rrezikshmëri më të ulët, ku të theksohet se çfarë rreziku shkaktojnë, por dhe si duhet të ruhen. Vendet e tjera i kanë këto regjistra për kimikatet ku sqarohen efektet shëndetësore, por dhe ndotja që i shkaktojnë mjedisit. Kjo gjë duhet bërë sa më parë dhe realizohet e arrihet nëse do përpilohet një program kombëtar toksikologjik, ku të ketë akte ligjore dhe nënligjore për individët që duhet t’i administrojnë; si të ruhen, si të deklarohen, ku duhet të trajtohen apo të shkatërrohen dhe si do të trajtohen në përgjithësi. Një program kombëtar toksikologjik do përfshinte që nga masat elementare deri tek masat strategjike, që do të parashikonin edhe kur mund të ndodhnin raste masive të helmimeve nga kimikatet. Apo në raste më ekstreme, nëse ndodh një sulm terrorist nga helmet. Ka helme që më doza shumë të vogla shkaktojnë dëme shumë të mëdha, 1 gram toksinë botulimike shkakton vdekjen e 3 milionë vetëve. Ka kimikate shumë të rrezikshme të cilat nëse hidhen në ujësjellës, në shkolla, në vende ku ka grumbullime të mëdha njerëzish shkaktojnë dëme kolosale. Pra një program i tillë i parandalon por parashikon dhe masat për të krijuar një ambient sa më të pastër toksik në vendin tonë. Çfarë është bërë deri më tani, t’ia lëmë të kaluarës. Tashmë ka ardhur kohë që ne po bëhemi gati të trokasim në dyert e Evropës dhe pa programe të tilla, pa ndërgjegjësim të tillë, pa strategji të tilla do të sforcohemi jashtë mase për të arritur ritmet që kërkojnë Perëndimi dhe Europa e Bashkuar.

Përmendët pak më lart si faktor zhurmat akustike, mund të na thoni se çfarë shkaktojnë?
Zhurmat akustike shkaktojnë dëme kolosale, sëmundje që nga neurozat, çrregullime në gjumë, kualitetin e jetës në përgjithësi, depresione, psikoza, pra ulet ndjeshëm cilësia e jetës në përgjithësi.

Mund të arrijnë deri në vetëvrasje?
Natyrisht që po. Por në mbështetje dhe të faktorëve të tjerë.
Cilat janë mënyrat që një individ tenton të vetëvritet?
Helmet dhe toksikantët në përgjithësi kanë privilegjin të jenë mjeti më i përzgjedhur nga individët që ndërmarrin sucidal, nëse i krahasojmë me mjetet dhe mënyrat e tjera që mund të realizohet një vetëvrasje, siç janë armët e zjarrit, armët e mprehta, varjet, hedhjet nga lartësitë, mbytjet. Përzgjedhja e helmeve është mënyra më komode për të realizuar një ide suicidale. Për këto flasin shifra, këtu ne kemi të regjistruar çdo vit mbi 40-50 raste që vdesin për shkak të suicidit me kimikate të rrezikshme. Kjo shifër është vetëm për Spitalin Ushtarak, por nëse mbledhim të gjitha rastet në spitalet rajonale të vendit, kjo shifër do jetë e frikshme dhe alarmante. Mjaftojnë këto shifra për të ndërgjegjësuar në atë masë të gjitha ato instrumente që mund të angazhohen në një strategji kombëtare për të prevenuar riskun e suicidit.

Cilët janë faktorët që çojnë një individ deri në vetëvrasje?
Faktorët që çojnë një individ drejt suicidit janë të larmishëm, lidhen me individin, mjedisin familjar, me mjedisin më të gjerë shoqëror-ekonomik etj. Faktorë të tërë janë dhe jashtë individit, është stresi i akumuluar, faktorë relacionalë, siç janë marrëdhëniet në çift, marrëdhëniet me anëtarët e familjes, konfliktet martesore. Shkak tjetër janë ndarja, divorci, largimi i partnerit për arsye ekonomike jashtë vendit. Mospërballimi i ngarkesave emocionale por edhe struktura familjare, disiplina, respekti në një familje të shëndoshë është nyja parandaluese, faktor të tjerë janë ata komunitarë. Tek ne mungon dukshëm kohezioni social, jetojnë me vite komshinj që nuk njohin njëri- tjetrin, prindër që jetojnë vetëm për shkak të largimit të fëmijëve, çifte të divorcuara, të ardhur nga qytete të tjera apo zona rurale dhe nuk gjejnë dot kulturën komunitare, mungon ai kohezioni shumë i domosdoshëm social. Në një mjedis të tillë, plus edhe shkaqet ekonomike e bëjnë njeriut të ndihet bosh. Ne duhet të stimulojmë jetën komunitare, jetën në bashkësi, në bllok, në lagje, në pallat, sepse kemi kaluar në ekstremin tjetër për shkak të frikës nga e kaluara e një kolektivizimi të jetës, kemi kaluar në një indiferentizëm total, në një mbyllje ekstreme. Natyrisht nuk përjashtohen edhe faktorët ekonomikë, por ne, ma merr mendja se kemi qenë edhe më të varfër në kohën e diktaturës. Ne e njohim varfërinë, por jemi në një situatë tjetër ekonomike dhe sociale, ku faktorët social nuk janë aq të harmonizuar. Faktorët mbrojtës socialë janë të pakuptueshëm, thjesht individi ndodhet në boshllëk, i vetmuar dhe pa ditur ku jeton dhe me kë jeton, kush mund të qëndrojë pranë tij në një koment të vështirë, këto janë probleme të strukturës sociale. Ne jemi në një stad të ndryshimeve sociale të mëdha, informimi masiv, lëvizja demografike, sot ka burime informacione kolosale, media, interneti, mosha dixhitale, adoleshenti i papërgatitur për sfida sociale mund të marrë informacione nga më të ndryshmet, që në një moment të caktuar mund të imitojë dhe t’i keqpërdorë për shkak të mungesës së formimit. Ndaj këtu duhet roli i shkollës.
Po niveli i arsimit, a ndikon?
Ata që tentojnë janë kryesisht me arsim 8-vjeçar, të mesëm, por dhe pa shkollë. Rrallëherë janë me arsim të lartë.
Nga janë këta persona, nga zonat rurale apo ato urbane?

Ata që përdorin kimikate, fostoksinë më shumë, vijnë nga zonat rurale. Ndryshe ndodh me agjentët që përzgjedhin banorët e qyteteve. Nëse në fshat mjetet më të zgjedhura janë agrokimikatet, në qytet mjetet më të zgjedhura janë medikamentet. Është pikërisht ajo që thashë, që individi përdor ato produkte që ka më afër vetes.

Çfarë medikamentesh përdoren për të kryer vetëvrasje?
Produktet psikotrope, sedativ, antidepresivët, antipsikotikët dhe medikamente të tëra kardiovaskularë, paracetamoli, aspirina por dhe produkte që përdorin familjarët. Për fat të keq dhe një vigjilencë jo në nivelin e duhur, megjithëse tani kanë filluar që farmacitë nuk japin medikamente pa recetë mjeku dhe pa u bindur. Kur përmenda faktorët individualë ka edhe faktorë që lidhen me individin dhe një prespozitë herreditale të trashëguar në një përqindje të vogël. Por ka edhe personalitete individuale të prira për vetëshkatërrim. Këta janë faktorë që lidhen me individin, natyrisht që ndikon stresi, për fat të keq shumë individë vuajnë edhe nga sëmundje të tjera siç janë: neurozat, psikozat, depresionet, por në momente çekuilibri mund të përdorin medikamentet e veta. Ndaj familjarët duhet të bëjnë kujdes që të administrojnë me shumë kujdes medikamentet që u japin personave të tillë, t’u japin vetëm dozën ditore, dhe të bëjnë kujdes për të parë momentet e disekuilibrit dhe përkeqësimit të gjendjes së individit, të kontaktojnë menjëherë me mjekun psikiatër dhe psikolog. Shesh që individë të tillë në momente përkeqësimi nuk konstatohen në kohë nga familjarët për t’u konsultuar me mjekun. Në raste të tjera individi përgatitet me kohë, bën përgatitje të kujdesshme të të gjitha rrethanave, ka një periudhë normale që quhet parasimptomatike, që një prind i kujdesshëm, një familjar i kujdesshëm mund t’i konstatojë në kohë dhe ta parandalojë atë. Shpesh ndodh që individë që vijnë herë pas here u bëhet si ves përpjekja për suicid.
Cilat janë moshat që tentojnë të vetëvriten, dhe kush ka përqindje më të lartë, femrat apo meshkujt?
Përgjithësisht janë mosha aktive. Predominojnë më shumë femrat me 60 për qind, dhe 40 për qind meshkujt. Me një përqindje më të madhe janë adoleshentët nga 15-19 vjeç, që përbëjnë rreth 25-30 të rasteve. Por moshat nga 16-40 vjeç zënë gati 80 për qind të rasteve në total. Nuk përjashtohen edhe ekstremet e moshës mbi 60 vjeç, në moshat më të avancuara. Sidoqoftë është një problem i moshave aktive që kanë përgjegjësi për jetën, të cilat kanë detyrime familjare, kanë peshën që duhet të rrisin fëmijët, etj.

Po abuzimi me drogën dhe alkoolin të çon në vetëvrasje?
Janë të menduara të tilla, por për shkak të abuzimit rreth 5 mijë raste janë nga abuzimi me drogën dhe alkoolin. Shumë efekte të drogë-përdorimit dhe alkool-përdorimit nuk kanë formimin e duhur, por nuk gjejnë as moment kthjelltësie të mendojnë sepse janë gjithmonë nën efektin e substancave. Jo më larg se dje kemi një rast që nuk dua ta identifikoj, një përdorues droge, pasi ka bërë një tentativë për të prerë damarët e duarve nuk e ka arritur dot, ka bërë një dozë të madhe heroine, është sjell këtu në spital në një gjendje shumë të rëndë por falë masave energjike që kemi marrë vazhdon të jetë i gjallë. Përdoruesit e drogave dhe të alkoolit, nënë efektin e substancave por dhe për shkak të vuajtjes së gjatë psikosociale, bëhen viktimë e suicidit, duke qenë të ngërthyer nën efektin e këtyre substancave janë të prirur drejt suicidit. Kemi pasur shumë raste që kanë tentuar vetëvrasjen. Ky është faktor tjetër për të rritur numrin e suicideve. Situata toksikologjike është komplekse, vurnerabil, për shkaqe administrative, kulturore, të edukimit, formimit, niveli social. Këto duhet të merren në konsideratë në një plan strategjik kombëtar për parandalimin e vetëvrasjeve dhe helmeve por edhe të abuzimit të substancave drogë-alkool. Për këto masa emergjente natyrisht do të ishte e nevojshme edhe ngritja e një qendre informacioni toksikologjik, që të operojë 24 orë në 24 orë, që të japë për qytetarët informacion të hollësisht, mbi toksinat, toksikantët, kimikatet, agjentët toksikë, pasi luan një rol të rëndësishëm në parandalimin e helmeve. Nga praktika jonë, ashtu si tek trauma në përgjithësi dhe tek helmimet akute, qofshin aksidentale dhe të qëllimshme është parimi i orës së parë të artë. Ora e parë është esenciale nëse i jepet ndihma në moment individit, shanset për të parandaluar dëmtimet dhe vdekjet janë të mëdha. Por që të realizohet kjo duhet shumë punë, duhet një strukturë e përgjithshme. Deri sa të ngrihen ato struktura qendrat e informacionit toksikologjik japin informacion pa pagesë.

Në Shqipëri ka një qendër të tillë?

Jo, nuk ka asnjë qendër të tillë. Në botë këto qendra kanë 50 vjet që funksionojë dhe kanë bërë një revolucion të tërë në parandalimin e helmeve. Duhet një kombinim i masave informuese me masat administrative dhe ngritjen e strukturave të përshtatshme për parandalimin.
Ermelinda Hoxhaj/Gazeta Shqiptare

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 01/05/2010. Filed under Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.