Ti nuk lexon…

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2211
Edison Ypi1Ti ha, pi, vishesh, mbathesh, udhëton, zbavitesh. Por nuk je i qetë. Nuk ndjehesh i lumtur. Ke ankesa. Nuk të rreh mirë zemra. Nuk të mbushet mushkëria. Nuk e shijon dhe nuk e tret si duhet ushqimin. Mirë të bëhet. Këto taksirate do t’i kesh deri sa të ngordhësh. Sepse ti nuk lexon.
Vendi yt ka vuajtur diktaturën më gjakatare të botës, gjatë së cilës u përdhosën vlerat dhe u himnizuan veset. Prej një çerek shekulli vendi yt nuk është më diktaturë, por vend i lirë ku vendos vullneti i shumicës. Megjithatë ti vazhdimisht ankohesh. Ankohesh dhe do ankohesh sepse ti nuk lexon.
Ti pi kafe dhe sodit njerëzinë. Habitesh dhe nuk e gjen dot pse nuk janë të gjithë si ty, dhe kafja të duket zeherr. Kafja helm do të bëhet sepse ti, ngaqë nuk lexon, nuk mund ta kuptosh madhështinë e laryshisë së karaktereve njerëzorë. Ndërsa pretendimi yt idiot që edhe të tjerët të jenë si ty, domethënë që askush të mos lexojë, do ishte groposja për së gjalli e të gjithëve.
Ti kalon ndonjëherë në rrethinat e qytetit ku sheh shtëpi të reja, vila, oborre të sistemuara, jo rrallë edhe me basene të kaltra. Sa herë që kjo ndodh, ti nis e bërtet;
-Janë bërë me pare droge.
-Ore eja në vete, të thotë ndonjëri. Kanë punuar në kurbet duke ngritur llaç e beton në katin e shtatë e të tetë. Kanë bërë punën e vinçave dhe buldozerave. Nuk i kanë ngritur në 1 ditë, por tullë pas tulle me një mijë mundime për vite të tëra. Shtëpitë e reja në Shqipëri janë me qindra mijëra. Kaq drogaxhinj nuk ka gjithë bota.
E kotë. S’ka spjegim që të bind ty që nuk lexon, dhe duke mos lexuar nuk kupton.
Je vërdallosur ca kohë “jashtë shtetit”. U thua miqve, italiani është kështu, gjermani ashtu, greku i tillë, turku i atillë, dhe të gjithëve u vë nga një nofkë. Përcaktimet që nuk guxon t’i bëjë asnjë dijetar dhe asnjë enciklopedi, guxon t’i bësh ti shtaza që nuk lexon.
Duke kaluar përmes bukurive të natyrës, pyjeve, grykave të maleve, rrjedhave të lumenjve, sheh aty-këtu ura të vjetra, mure të rrënuar kështjellash të lashta, fytyra misterioze banorësh lokalë. Ti nuk bën asnjë dallim mes pamjeve të tilla që i sheh të gjalla, dhe të njëjtave pamje në televizor. Ky tmerr nuk ndodh për asnjë arësye tjetër veç asaj se ti nuk lexon.
Ti i jep ryshfet nëpunësit, mjekut, dhe pastaj i përgojon. Ti vepron kështu sepse ti nuk lexon
Ti nuk mban ment përmendësh monologun e Hamletit, ndonjërën nga Introduktat e Nolit, Mall-in e Lasgushit, letrën e Tatjanës Onieginit, por mban ment batuta të pështira soc-filmash. Ti nuk lexon, prandaj.
Ti thua se diktatori bëri krime por bëri edhe disa gjëra të mira. Në fakt, gjëja më e mirë që bëri diktatori, është gjëja më e keqe që ekziston, ti që nuk lexon.
Ti voton, dhe të nesërmen e votimit ankohesh ndaj atij që ja dhe votën. Kjo ndodh sepse ti nuk lexon.
Brendinë e librave ti e përfytyron si muhabet. Ky, ai, ai tjetri, trokiti një natë dimri, hyri, u ul pranë vatrës, u ngroh mbi mangall, u krruajt nga majasilli, u inatos, bërtiti, përplasi derën, doli. Shumica e librave vërtet të tillë janë. Por ti nuk e di se aq pak libra të mirë sa ka, janë shumë më të vlefshëm se këta me dimër dhe mangall, sepse ti nuk lexon.
Ti nuk ke sukses me femrat. Dhe nis i shan e i mallkon kot së koti ato të shkretat. Femrat, kështjellat e tyre, nazet e tyre, icklat e tyre, mposhten me komplimenta. Ti komplimenta s’di të bësh, sepse ti nuk lexon.
Ti çfaqesh në Fejsbuk në foto me të ngrëna përpara. Është turpi më i madh. Më turp se t’i ulësh brekët tek Sheshi Skënderbej. Po të lexoje nuk do dilje kurrë në fotografi me të ngrëna përpara.
Sheh ndonjëherë në televizor njerëz që recitojnë Poezi, flasin për libra. Habitesh, dhe thua me vete; Ç’u duhet këtyre fatkeqëve leximi ? Ndërkohë që fatkeqi, fatkatrani, fatpjerdhuri je ti që nuk lexon.
Ti që nuk lexon je nxitësi më i madh i grafomanëve, atyre budallenjve delirantë që presin të lëvdohen nga lexues inekzistentë si ty.
Ti që nuk lexon je dekurajuesi më i madh i atyre që dinë të shkruajnë por i ka gjetur belaja me ty që nuk lexon.
Ti që nuk lexon i bën të gjitha të zezat; Shet votën, vjedh, spiunon, thashethemnon, nuk punon, bëhesh bandit, kriminel, i korruptuar, mafjoz.
Përvojat e njerzimit, Shkencat, Artet, të mirat, të këqiat, të ëmblat, të hidhurat, të gjitha janë nëpër libra, që ti nuk i lexon
Ti që nuk lexon je lënda e parë e të gjitha të këqiave; politikës së keqe, qeverisjes së keqe, letërsisë së keqe, medias së keqe.
Ti që nuk lexon je katastrofa e vetes dhe fatkeqësia e të tjerëve.
Ti që nuk lexon, je një lëvere dhe një këllirë që nuk i duhesh as dreqit.
Boshllëkun e leximeve të munguara nuk e mbush dot materia e krejt Universit.
Rrofsh e qafsh, ti që nuk e di çfarë janë; shiu i gërmave, stuhitë e paragrafeve, furtunat e kapitujve, zjarri i vargjeve, inkandeshenca e Poezive, simfonitë e Poemave, vullkanet e novelave, tërmetet e romaneve.
Edison Ypi/Facebook.Com

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 21/07/2015. Filed under Analizë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.