Si ben pastrim parash mafia shqiptare

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3376
TIRANË- Shqipëria vazhdon të mbetet një vend informal, ku individ të ndryshëm nuk e kanë pasur të vështirë të zhvillojnë aktivitete të dyshimta financiare, që nga pastrimi i parave, evazioni fiskal, pse jo edhe financimi i aktiviteteve kriminale. Ky është përfundimi që mund të arrihet nga analizimi i raportit të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave për periudhën kohore Janar 2008 – Tetor 2009, i bërë publik dje në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku bëhet një pasqyrë e hollësishme e të gjitha rasteve të aktiviteteve të dyshimta financiare, por ku natyrisht mungojnë emrat e individëve apo subjekteve konkrete.

Pjesë e këtyre veprimtarive të dyshimta janë bërë edhe zyrtarët e lartë, përfshi politikanët, për një pjesë e të cilëve nuk mungojnë dyshimet për origjinën e pasurisë së tyre. Ajo që duket se është edhe më shqetësuese në këtë raport është numri i madh i rasteve të dyshuara nga kjo drejtori, për pastrim parash dhe financim të terrorizmit. Bëhet fjalë për rreth 70 raste të dyshuara vetëm për dhjetë muajt e parë të këtij viti, të cilat i janë përcjellë edhe Shërbimit Informativ Shtetëror për një hetim më të specializuar, i cili nga ana e vet ka mundur të jap informacion vetëm për 13 prej tyre, për të cilat ka pasur të dhëna vetëm për pastrim parash.

Raporti i DPPPP

Përgjatë periudhës Janar 2008 – Tetor 2009 Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, e cila vepron si një agjenci inteligjence në fushën e financave, raporton plot 176 raste të dyshimta, qoftë për prejardhjen e tyre, për evazion fiskal, apo edhe përdorimin e tyre për financimin e terrorizmit. Duke pasur indicio për dyshime të bazuara, DPPPP ia ka përcjellë ato për verifikime të mëtejshme organeve të specializuara siç është Prokuroria dhe Policia e Shtetit. Kështu, për vitin 2008 kjo drejtori i ka përcjellë prokurorisë për plotësim dosje dhe procedim penal 26 raste, ndërsa në vitin 2009 i ka paraqitur dhe 59 raste të tjera. Nga ana tjetër, kjo drejtori një numër të konsiderueshëm rastesh ia ka paraqitur për investigime të mëtejshme edhe Policisë së Shtetit. Bëhet fjalë për 46 të tilla në 2008 dhe 117 të tjera në dhjetë mujorin e parë të 2009, nga të cilat siç thuhet më poshtë në raport organi i policisë ka mundur të sigurojë prova vetëm për 20 për qind të tyre. Për shumicën e rasteve të dyshimta DPPPP-ja ka nxjerrë një sërë urdhrash bllokimi të pasurive, nga ku rezulton se midis tyre për periudhën kohore Janar 2008 – Tetor 2009 janë bllokuar 81 llogari bankare, ose thënë me shifra të tjera 504 mijë euro, 486 mijë dollarë dhe 952 mijë lekë për vitin 2008 dhe 3149 euro, 20 mijë dollarë dhe 75 mijë lekë për vitin 2009, si dhe janë bllokuar edhe 1060 metra katror troje. Gjithashtu janë sekuestruar nga prokuroria dhe Gjykata 2 milionë e 729 mijë euro. Në raport nuk jepen emra për persona të veçantë, që kanë qenë objekt i këtyre masave, por në të përmendet vetëm një moment gjatë muajit maj të vitit 2009, kur u bë e mundur marrja, analizimi dhe shpërndarja në kohë e të dhënave të rëndësishme financiare mbi një grup të strukturuar kriminal, mbi bazën e të cilave institucionet e tjera të specializuara kanë filluar procedim penal. Gjatë këtij aksioni DPPPP-ja arriti të bllokojë një shumë prej 2.5 milionë euro, para këto siç thuhet në raport ishin të fituara nga veprimtaria kriminale e trafikut të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Ndër shumicat e rasteve të referuara pranë Njësisë së Përbashkët Hetimore të prokurorisë së Tiranës, vepra penale e origjinës ka qenë trafiku i drogës, trafiku i qenieve njerëzore, korrupsioni etj.

Pastrimi i parave
Gjithashtu në raport thuhet se gjatë verifikimeve është konstatuar se individë të ndryshëm kanë përdorur kreditë bankare të konvertuara për burimin e të ardhurave, të gjeneruara në fakt nga kryerja e veprave të ndryshme penale. Por nuk mjafton me kaq, pasi në raportin e vet DPPPP-ja shprehet se paratë e vëna në mënyrë të dyshimtë nëpërmjet aktiviteteve që përbëjnë vepra penale janë investuar në degë të ndryshme të ekonomisë si ndërtim, hoteleri, shitblerje pronash të paluajtshme, arsim, si dhe janë depozituar nëpër banka. Në raport thuhet se “dyshimet e vërejtura fillimisht janë konsoliduar më tej, nga verifikimi i kredive të shpeshta dhe në vlera të konsiderueshme nga sipërmarrje të suksesshme, të cilat natyrisht që besojmë dhe kemi referuar se suksesi dhe fuqia qëndron në fondet që burojnë nga veprimtari të paligjshme. Ndër të tjera në raport evidentohet edhe një fakt shqetësues, se për pjesën dërrmuese të kërkesave, që vijnë nga ana e organit të akuzës për investigime financiare, rezultati ka qenë i ulët, kjo pasi siç thuhet nga DPPPP-ja, këto kërkesa bëhen në një kohë kur hetimet janë në një stad të avancuar, ç’ka i ka dhënë mundësi individëve në hetim, që të fshehin pasuritë e tyre.
Shekulli

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 08/05/2010. Filed under Mafia. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.