Sërish zjarr te romët, digjen banesat tek Uzina

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2673
Policia: Dyshime për zjarr të qëllimshëm. Banorët: Nuk ua vumë ne flakën.
Digjen 10 banesa të romëve pranë ish-Uzinës së Autotraktorëve në Tiranë. Zjarri ra dje rreth orës 17:00.Dy makina zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe shuan flakët. Për fat të mirë, nuk pati persona të lënduar por vetëm dëme materiale. Forca të policisë rrethuan vendin e përfshirë nga zjarri dhe po kryenin dje pasdite inspektimet përkatëse. Megjithëse zyrtarisht ata thanë se po hetohen shkaqet, dyshohet se zjarri mund të jetë vënë nga vetë banorët. Të 65 familjet që jetojnë aty, mohuan që zjarri të ketë qenë i qëllimshëm. Madje ata thanë se është hera e dytë që bie brenda dy vitesh. “Këto baranga janë prej druri. Vjet këtu ra një tjetër zjarr. I kemi linjat e dritave mbi kokë dhe duhet të ketë bërë masë. Ne këtu kemi që prej vitit 1997. Na kanë lënë në këto kushte dhe nuk ka dashur njeri t’ia dijë për ne”, tha Flutura Xhambazi, njëra prej banoreve. Të grumbulluar të gjithë bashkë, shprehnin pakënaqësinë për kushtet mjerane ku jetojnë. Ata madje theksuan se kanë frikë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre nga ndonjë zjarr tjetër. Për t’u hedhur një sy banesave që i kishin shpëtuar flakëve, duhet të ecje kërrusur, sepse në të kundërt kapje me kokë telat dhe prizat e korrentit. Maksimumi i gjerësisë dhe gjatësisë së një barake ishte rreth 3 metra dhe në një prej këtyre strehëve flinin mbi 4 vetë.

“Kemi gati 15 vjet këtu, nuk na ka dhënë njeri strehim. Nxjerrim fëmijët tanë të lypin që të ushqehemi. S’na ka mbështetur njeri. Na kanë sjellë vetëm ca qese dhe kaq. Në dimër na futet shiu brenda. Kërkojmë strehim. Votat na i duan këta të gjithë.”, fliste jo pak e acaruar një tjetër pjesëtare e komunitetit. Ajo tha se pjesa më e madhe e tyre janë të sëmurë nga këto kushte jetese. Të pyetur nëse ia kishin vënë vetë zjarrin barakave, banorët mohuan kategorikisht. “S’kemi si t’ia vëmë ne zjarrin, se ne desh u dogjëm për vete. Vajza kishte fëmijët brenda dhe me zor i nxorëm. U lemerisëm, thamë se u dogjëm të gjithë. Do ketë bërë ndonjë masë. Edhe para një viti kështu na ndodhi. Janë 10 familje me një tel dritash”, thanë banorët. Ata pohuan gjithashtu se do të ishin gati të shpërnguleshin që aty, nëse u ofroheshin kushte më të mira jetese. “Duhet të mendojë shteti për ne, ne s’kemi mundësi. Ne jemi për bukën e gojës. Mbledhim kanoçe dhe lypim që të ushqehemi. Gjithmonë na kanë premtuar dhe asgjë nuk kanë bërë”, u shprehën ata. Në zonën pran ish-Uzinës së Autotraktorëve në Tiranë, jetojnë rreth 200 persona që i përkasin këtij komuniteti. Pjesa me e madhe e fëmijëve, rreth 2-9 vjeç, janë ata që lypin në qendër, kryesisht tek Rruga e Elbasanit. Teksa u larguam, shihnim dhe dhjetëra të tjerë që ktheheshin nga dita e lodhshme e punës,kush me kanoçe në krah e të tjerë me hedhurishte.

64 familje
rome jetojnë tek ish-Uzina e Autotraktorëve në Tiranë, ku ra dje zjarri që shkrumboi mbi 10 banesa. Policia dyshon se zjarri është vënë qëllimisht, ndërkohë që banorët e mohojnë një gjë të tillë.

Romët tek Stacioni i Trenit

Pak javë më parë 45 familje rome u dëbuan nga vendbanimi i tyre pranë Stacionit të Trenit. Pas apelit nga ndërkombëtarët, Ministria e Punës u siguroi atyre çadra strehimi dhe ushqim në Babrru. Fillimisht, ata refuzuan të shkonin tek ky kamp, ndërkohë që tashmë kanë pranuar të jetojnë aty. Ministria e Punës u ka premtuar në të ardhmen strehim, si dhe kushte më të mira jetese. Po kështu, në mbledhjet e bëra në këtë dikaster është diskutuar edhe për një sërë politikash që do të ndiqen për arsimimin e fëmijëve romë. Pjesa më e madhe e tyre nuk shkojnë në shkollë dhe lypin rrugëve të Tiranës.
Panorama

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 18/04/2011. Filed under Romët. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Sërish zjarr te romët, digjen banesat tek Uzina

  1. labinoti

    18/04/2011 at 08:00


    Edhe nëse e kanë djegur, mirë kanë bërë se vetëm kjo mënyrë i detyron me dhunë qeveritarët lokalë dhe qendror të ineresohen për këtë shtresë të varfër, të përbuzur e të poshtëruar nga shoqëria dhe vecanërishtë nga pushteti lokal.

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.