Raporti i CIA: 2500 “padrino” shqiptarë

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3204
Pesë vite më parë, Kris Sueker, asistent-drejtori i FBI-së për Hetimet Kriminale, dha alarmin për krimin e organizuar shqiptar. Lajmi u përcoll në CNN, ndërsa theksohej se, pas goditjeve të fundit ndaj familjeve mafioze, shqiptarët kërcënonin zëvendësimin e “La Cosa Nostra”, e cila konsiderohej si kryemafia në SHBA. Sueker tha se, duke vepruar në Nju-Jork dhe në qytetet lindore të SHBA-së, “Mafia e re” është e sofistikuar dhe e dhunshme, aq sa konkurron mafien ruse.

Një vit më parë, një raport i CIA-s për kriminalitetin e shqiptarëve, vuri në dukje se llogariteshin 2 500 padrino shqiptarë të shpërndarë në vende të ndryshme të botës, ku dhe ushtronin aktivitetin e tyre mafioz. Një raport tronditës hartuar nga investiguesit ndërkombëtarë do dalë së shpejti për “Mafian e Re” e cila shikohet si kërcenim real. Dje, një goditje u bë në Itali. Policia e Padovas sulmoi një bandë të trafikut ndërkombëtar të drogës, të drejtuar nga një familje shqiptare. Banda kishte baza jo vetëm në Lombardi, Friuli, Venecia dhe Xhulia e Marche të Italisë, por edhe në shtete të tjera, si në Francë, Holandë dhe Spanjë. Referuar të dhënave të shtypit vendas, në operacionin e policisë, të koduar “Nafiza”, u përfshinë qindra policë, oficerë të antidrogës, si dhe një helikopterë. Operacioni përfundoi dje në mëngjes, me ekzekutimin e 54 urdhër-arresteve, si dhe me një numër sekuestrimesh. Hetimet ndaj kësaj bande kanë zgjatur 9 muaj dhe, që nga kjo kohë, janë arrestuar 74 trafikantë droge.

Alarmi i CIA-s dhe raporti i OKB-së
Në raportin vjetor të CIA, më 2004-n, bërë publik nga Ian Burell, reporter i “The Independent”, shkruhej: “Është vërtet e vështirë që Cosa Nostra (mafia italiane) ta fitojë sërish kontrollin, pasi mafia shqiptare tashmë e ka atë në dorë. Kanalet e trafikut janë të hapura vetëm për ata. Mafia shqiptare i ka harruar marrëdhëniet e biznesit me miqtë e vjetër italianë. Cosa Nostra bën pjesë tashmë në një sistem lokal, ndërsa mafia shqiptare në një sistem mbarëkombëtar. Shqiptarët fituan supermaci mbi Cosa Nostra-n, kontrollojnë në qendër të Evropës, në Gjermani, biznesin e fuqishëm të drogës, të prostitucionit, të pijeve alkoolike dhe të duhanit, në bashkëpunim me mafien ruse”. Nga ky moment, krimi shqiptarë jo vetëm që po shihej seriozisht nga autoritetet ligjore të vendeve të ndryshme, por filluan përgatitjet e projekteve, plan masash për goditjen e kriminelëve shqiptarë.

Këta të fundit, së pari përdorën Italinë, për të vendosur bazat e tyre, por shumë shpejt grupet u shtrinë në të gjithë botën. Raportet e shërbimeve të inteligjencës në SHBA, Itali, Spanjë, Angli tregonin çdo gjashtë muaj për zonat e influencës së mafies shqiptare dhe aktivitetin e tyre në marrëdhënie me mafiet e tjera. Në vitet 2000- 2004, mafia shqiptare konsiderohej si padrone e trafikimit të femrave dhe të drogës në vendet e Evropës. Fillimisht, grupet kriminale bashkëpunuan me ato italiane dhe më pas u kapën në rrjetet e tjera, duke arritur deri në lagjet e Broklin në Nju-Jork. Marrja e sigurisë bëri që shqiptarët t’i braktisnin miqtë e vjetër, kryesisht italianë, duke e marrë vetë në dorë komandën e trafiqeve. Ishte momenti kur shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës, ndonëse ndaheshin politikisht apo për çështje patriotike, grupet kriminale bashkëpunonin fuqishëm me ato sllave në tregun e drogës dhe të prostitucionit.
Në fund të vitit 2008, në raportin e OKB-së, për trafiqet dhe grupet kriminale në Ballkan e kudo, kur flitet për trafikantët shqiptarë thuhet “këta lloj njerëzish… janë kërcenim për BE-në”. Me të njëjtin vokacion, “gangsterët shqiptarë”, trajtohet edhe mafia e vendeve të ndryshme të botës. Studimet e ekspertëve kriminalistikë tregojnë se ka një marrëveshje të heshtur midis grupeve kriminale në botë që, e pagëzuar nga OKB-ja me “Parajsa e Gangsterëve shqiptarë”, të mos institucionalizohet. Ndoshta për shkak të karakterit të paqëndrueshëm të tyre, si dhe dëshira për të qenë të gjithë kapo. Si pasojë, ka sjellë pozicionin e shërbëtorit të tyre para grupeve kriminale në Evropë, Amerikë e kudo, edhe pse në raportin e OKB-së shqiptarët shihen si një rrezik, ndërsa arrijnë të kalojnë nëpërmjet tokës së tyre mbi 100 tonë drogë heroinë dhe kokainë në vit, sikurse për afro 10 vjet kanë qenë burim furnizimi me Canabis Sattiva për tregjet ndërkombëtare. Shifër kjo që luan një rol të rëndësishëm në statusin e një grupi mafioz.

Parajsa e Gangsterëve me 2 500 anëtarë
Në studimin e specialistëve të antikrimit ndërkombëtar veçohet mosha fare e re e shqiptarëve të futur në grupet kriminale. Përafërsisht, rezulton se në “Parajsën e gangsterëve” janë mbi 2 500 anëtarë – (sipas raportit të OKB-së) me role e detyra kriminale, dhe mosha më e vogël e rekrutëve është 15 vjeç. Është pikërisht ky grupim që arrin të depërtojë në të gjithë botën, të ketë lidhje me mafiet më të hershme e ta kthejë Shqipërinë në një vend transit të linjave kryesore të trafikut të drogës, nga Lindja në Perëndim. “Niveli i lartë i krimit në këtë zonë vjen edhe nga përbërja e qytetarëve”, – thuhej në raportin e OKB-së. Të rinjtë janë përfshirë në krime, për shkak të varfërisë, dhe janë bij të zonave të prapambetura. “Këta lloj personash bëhen shumë shpejt pre e krimit dhe disa nga këto vende nuk dinë se si të punojnë, për ta zhvilluar këtë popullsi. Gjithashtu, emancipimi i njerëzve është shumë mbrapa dhe në nivele të ulëta”, – citohet në raport. Regjimi diktatorial ka lënë pasoja. Ekspertët shpjegojnë se shqiptarët janë mësuar me polic te koka ndaj, pas 90-s, i kishin të gjitha shanset për ta zhvilluar krimin

Krimi në Ballkan, produkt i pas-komunizmit
Me hapjen e kufijve, vendet e Ballkanit përfituan lejen e kalimit për në anën tjetër dhe nisën të tërhiqeshin drejt heroinës, duke e kthyer kështu gadishullin në “Parajsën e gangsterëve”. Hartuesit e raporteve, edhe sot e shikojnë progresin e këtyre vendeve shumë delikat. Të dhënat e shërbimeve të posaçme tregojnë se situata kriminale në Evropën Juglindore është në rritje, për disa arsye. Rajoni ballkanik vazhdon të jetë një zonë transite për kalimin e heroinës në Evropën Perëndimore. Trafikimi njerëzor, po ashtu, vazhdon të jetë një problem i madh, si dhe korrupsioni, rregullat e ligjit, si dhe reforma e drejtësisë. Krimi më i rrezikshëm është ai i drogës. Shqipëria klasifikohet si një nga vendet më të rrezikshme. Trafikantët shqiptarë kontrollojnë rreth 70 % ose më shumë të tregut të heroinës. Kjo gjë është e pranishme në të gjithë Shqipërinë etnike, pasi këtu përfshihet edhe populli shqiptar, që është në vende të tjera të Ballkanit, si në Kosovë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni etj. Në raportin më të fundit, që pritet të dalë, citohet se rreth 100 tonë heroinë kalon nga rajoni i Ballkanit drejtë Evropës Perëndimore. Megjithatë, heroina nuk është e vetmja që qarkullon nga Ballkani. Kanabis rritet në Shqipëri dhe në Bulgari, por në këto vende përpunohet edhe kokaina dhe drogat sintetike.
Anila Prifti
Gazeta Libertas

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 08/05/2010. Filed under Mafia. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.