Radikalizimi që vjen nga Radika

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 1530
Kastriot MyftarajÇdo shtet i ri që krijohet përpiqet të bëjë ndonjë akt të pastër force ndaj ndonjërit prej fqinjëve, për t’ u afirmuar, dhe për t’ u treguar qytetarëve të vet, se i përkasin një shteti të fortë. Kështu ka qenë që nga krijimi i botës. Maqedonia nuk bëri përjashtim nga ky rregull. Meqënëse Maqedonia kur u krijua si shtet nuk kryente dot ndonjë akt të pastër force ndaj Greqisë, e cila i kishte vënë embargo, as ndaj Bullgarisë e aq më pak ndaj Jugosllavisë së mbetur, ajo zgjodhi Shqipërinë për këtë qëllim. Në qershor 1993 ushtarët maqedonë të kufirit vranë një major të ushtrisë shqiptare dhe plagosën rëndë shoqëruesin e tij një nënoficer. Tirana zyrtare u trondit dhe u hutua shumë nga ky veprim i fqinjëve të rinj. Deri në atë kohë Tirana zyrtare kishte zbatuar këshillën e ndërkombëtarëve, amerikanëve dhe europianëve, që të tregohej e kujdesshme në mbështetjen që kishte detyrim t’ ju jepte shqiptarëve të Maqedonisë, që të mos destabilizohej ky shtet i ri. Dhe kështu kishin vepruar qeveria dhe opozita në Tiranë. Për këtë prisnin së paku mirënjohje të heshtur nga Shkupi zyrtar. Atyre nuk u shkonte ndermend se Shkupi zyrtar do t’ i shpërblente kështu. Kështu Tirana zyrtare e mësoi me gjak se kur një shtet shet interesat e bashkëkombasve të vet në vendin fqinj, kjo shihet si një akt dobësie dhe ai shpërblehet duke marrë goditje brenda kufijve të tij. Tirana zyrtare, e cila thoshte formula patetike të mjegullta kur vriteshin shqiptarë të Maqedonisë nga Policia maqedone për arsye se ishin shqiptarë, u gjend befas para kufomës së një ushtaraku të lartë të Ushtrisë Shqiptare brenda kufijve. Çdo shtet tjetër në një rast të tillë do të kundërpërgjigjej duke vrarë që në rastin më të parë, jo një po dy oficerë të shtetit që bëri vrasjen. Shqipëria nuk bëri kështu. Ndërkombëtarët ndërhynë dhe i kërkuan Shqipërisë të ruante gjakftohtësinë. Por gjakftohtësia ruhet deri kur nuk derdhet gjak, se pastaj bëhet fjalë për gjaktokësinë, pra ruajtjen e gjakut të derdhur në tokë.
Greqia e mbajti shënim këtë ngjarje dhe mendoi se përderisa Maqedonia vret ushtarakë shqiptarë e pandeshkuar, është turp për Greqinë që nuk e kishte bërë akoma këtë gjë. Dhe vitin tjetër një komando greke e një organizate paramilitare që bashkëpunonte ngushte me shërbimet e fshehta greke, vrau një kapiten të ushtrisë shqiptare dhe një ushtar në kazermën e tyre në kufirin shqiptaro-grek. Përsëri autoritetet shqiptare ruajtën gjaktokësinë, më falni gjakftohtësinë.
Maqedonia nuk do të guxonte sot të ndërmerrte veprime të tilla si ndryshimi i rrjedhës së Lumit Radika, në rast se Shqipëria do t’ i ishte përgjigjur flakë për flakë vrasjes së majorit shqiptar në 1993 duke vrarë dy oficerë të ushtrisë maqedone. Ndryshimi i rrjedhës së Radikës, e ka origjinën, tekefundit, te pellgu i gjakut të majorit shqiptar të vrarë në kufirin shqiptaro-maqedon. Ndryshimi i rrjedhës së Radikës është një gjë normale nëse ndjek kursin e marrëdhënieve mes dy vendeve sa i përket çështjes së ujërave. Asnjë shtet në botë nuk toleron një vend fqinj që të sillet me një lumë të përbashkët, ashtu siç e ka toleruar Shqipëria Maqedoninë që të sillet me Lumin Drini i Zi, i cili në pjesën më të madhe të tij kalon brenda kufirit të Republikës së Shqipërisë, në një pjesë të shkurtër përbën kufirin mes dy vendeve, por në Maqedoni ka burimin e tij kryesor. Banka Botërore, e cila është shumë e ndjeshme sa i përket impaktit që kanë projektet e saj mbi stabilitetin gjeopolitik në Ballkan, nuk do të financonte kurrë një projekt si ai maqedonas që lidhet me devijimin e Radikës, nëqoftëse nuk do të ishte e vetëdijshme se Tirana zyrtare, pra pushteti i vendit fqinj që cënohet drejtpërdrejt nga ky projekt, nuk do të mbante një qëndrim pajtues, në kundërshtim me interesat shtetërore.
Është e vërtetë se ndryshimi i rrjedhës së Radikës do të prodhojë një farë radikalizmi në Maqedoni te shqiptarët, dhe në Shqipëri në pjesë të caktuara të shoqërisë, thonë diplomatët e huaj amerikanë dhe europianë që janë të okupuar me këto dy vende, por në Maqedoni qeveria e Gruevskit është në gjendje t’ i shtypë shqiptarët me dhunë nëse do ta kapërcejnë masën. Në Shqipëri mendojnë ata, kemi gjithashtu Edi Ramën që me Policinë e po qe nevoja edhe me forca të ushtrisë, mund t’ i shtypë protestat nëse shkallëzohen. Kështu, del se shqiptarët që protestojnë këtej kufirit për të mbrojtur interesat e ligjshme të Shqipërisë duhet të rrihen dhe eventualisht të vriten me Policët dhe ushtarët e Shqipërisë të cilët janë betuar që të mbrojnë ligjet e shtetit, ligje që kërkojnë të mbrohet dhe rrjedha e sotme e Radikës si një realitet natyror që mund të ndryshohet vetëm nëse të dy vendet fqinje bien dakord. Dhe pas Radikës nuk dihet se çfarë tjetër do t’ u vijë në mendje atyre që qeverisin në Shkup dhe do të marrin Radikën. Me sa më ka ardhur në vesh mua, kur e kanë pyetur Kryeministrin Gruevski për reagimin e Shqipërisë ndaj devijimit të rrjedhës së Radikës, meqënëse ky lumë në fakt burimin e ka në Shqipëri, Nikola Gruevski paska thënë, duke iu referuar luftës së famshme për të cilën këndohet edhe kënga, se në Radikë nuk triumfoi dot Hajredin Pasha me dymbëdhjetë mijë ushtarë, të cilët iu vranë atje, por unë do të triumfoj atje. Lufta është bërë në territorin e Shqipërisë. Dhe pas kësaj fitoreje, nëse lejohet ta arrijë, Gruevski dhe ata që janë rreth tij, ose ata që do të vijnë pas tij, do të mendojnë diçka tjetër. Se ata mendojnë ashtu sic u tha ushtarëve të tij ai komandanti serb kur hyri në Shqipëri që të mos kishin frikë “se nuk ka burra toka e këtij fisi”.
Prandaj, unë besoj se mbrojtja e Radikës vlen madje më shumë se jeta e të gjithë policëve që në mënyrë antikushtetuese mund të angazhohen nga qeveria e Shqipërisë për të shtypur protestat kundër devijimit të Radikës. Devijimi i Radikës është një gjë aq në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare saqë qytetarët e Shqipërisë kanë të drejtë të kapërcejnë me forcë kufirin dhe ta ndalojnë projektin. Do t’ i ndalojë Policia dhe Ushtria maqedone sigurisht. Por pastaj shqiptarëve të përgjegjshëm të këtej kufirit nuk u mbetet gjë tjetër veç të imitojnë maqedonët që bënë luftë me snajperë në 1993 kundër Ushtrisë Shqiptare dhe kufiri të përgjaket përsëri. Krejt problemi qëndron te vetëpërgjegjshmëria e dyanshme e qytetarëve të Shqipërisë dhe e autoriteteve shtetërore të Shqipërisë, se nëse këta të dytët mendojnë se kanë licencë ndërkombëtare për të shtypur qytetarët e tyre, të cilët i kërkojnë qeverisë të bëjë detyrën e saj në raste të tilla, atëherë qytetarët e përgjegjshëm çlirohen nga detyrimi për stabilitetin e vendit. Nuk bëhet luftë me shtetin mund të thonë, se shteti të shtyp. Në letër kështu është, por në realitet pjesa shtypëse e shtetit përbëhet nga disa njerëz që kanë shtëpi kanë familje, dhe këto nuk i kanë brenda autoblindave me të cilat dalin për të shtypur. Shteti destabilizohet në pikën më të rrezikshme kur shtypësve shtetërorë me licencë ndërkombëtare u çohet lufta brenda në shtëpi. Askush nuk ka mandat ligjor për të shtypur me dhunë qytetarët e vet që marrin përsipër të bëjnë atë detyrë që duhet të bënte qeveria. Historia tregon se në raste protestash te tilla një cështje bëhet pikënisja që shërben për shfryrjen dhe kanalizimin e zemërimeve te mbledhura për shumë cështje të tjera.
Prandaj ndryshimi i rrjedhës së Radikës është një nga ato eksperimente të rrezikshme me stabilitetin rajonal, se ekspertët e sigurisë e dinë se vende si Shqipëria apo si Maqedonia e kanë pikën kritike deri ku ekziston stabiliteti maksimumi aty te humbja e pesëdhjetë punonjësve të forcave të sigurisë. Në këto rrethana nuk mund të mos bëhet pyetja se kur i jepet leje Gruevskit, madje i jepen dhe paratë të bëjë projekte të tilla me impakt në stabilitetin rajonal, a mos kërkohet të radikalizohen shqiptarët në të dy anët e kufirit që të shtypen edhe një herë. Në Maqedoni nuk e di si do të shkojnë gjërat, por në Shqipëri mund të shkojnë shumë më ndryshe se ç’ e parashikojnë ata që në Shkup e kanë ambasadën në kodër, por në Tiranë e kanë në gropë.
Të shikojnë se si do të reagojë ndaj projektit maqedon Qeveria e Edi Ramës, i cili para katër viteve, kur ishte në opozitë pati rolin kryesor në prishjen e marrëveshjes për kufijtë detarë me Greqinë, se ishte PS që e dërgoi marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese, me firmën e kryetarit të saj Edi Rama. Por ka shenja të forta se edhe kësaj historie po i del e vërteta e hidhur.
A ju kujtohet gjyqi në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e marrëveshjes mbi kufirin detar me Greqinë? Ka kaluar një kohë e gjatë, vendimi për këtë çështje është dhënë në 15 prill 2010, dhe njërëzit mund t’ i kenë harruar disa detaje. Një nga këto detaje interesantë është se kush e përfaqësonte Partinë Socialiste, e cila ishte kërkuese apo paditëse në Gjykatë. A ju kujtohet se kush e përfaqësonte Partinë Socialiste në seancë, me autorizim të firmosur nga Edi Rama: Dy ministra të qeverisë së sotme, Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe Ministri i Energjitikës dhe Industrisë Damian Gjiknuri. I pari në radhë ishte Saimir Tahiri. Nëse nuk më besoni shikoni vendimin në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese. Të dy këta, së bashku me Myslim Pashajn janë heronjtë e kësaj çështjeje se na shpëtuan një pjesë të ujërave tona territoriale nga Greqia. Por supozohej që Greqia të ishte shumë e zemëruar me Saimir Tahirin dhe me Damian Gjiknurin, dhe aq më tepër me Edi Ramën, ashtu siç u zemërua shumë me Myslim Pashajn, i cili na u largua për disa kohë nga SHBA se i rrezikohej jeta për atë që bëri për mbrojtjen e kufijve detarë. Madje më tepër Greqia duhet të ishte e zemëruar me Edi Ramën se Myslimi shkoi në Gjykatë Kushtetuese si përfaqësues i PS me autorizim të Edi Ramës. Çdo vend i shpall si persona non grata (të papëlqyeshëm e që për rrjedhim nuk mund ta vizitojnë atë vend) ata persona të cilët bëhen shkak që të rrëzohet një marrëveshje e dyanshme, e mbështetur në një marrëveshje ndërkombëtare. Greqia mund të mos shpallte dot persona non grata Edi Ramën, por fare mirë mund ta kishte bërë këtë gjë me Saimir Tahirin dhe Damian Gjiknurin. Në vend që të ndodhte kështu, Saimir Tahirit iu bë madje një nder i posaçëm nga Athina zyrtare. Një javë para se të bëhej zyrtarisht ministër, në kohën që ishte njoftuar emri i tij si i përzgjedhur për të marrë këtë detyrë, ai u prit në Athinë nga ministri i Rendit Publik i Greqisë, në mënyrë zyrtare, sikur të ishte tashmë ministër?! A thua Greqia ishte e kënaqur me atë që bëri Saimir në Gjykatën Kushtetuese? Ka shumë mundësi të jetë kështu. Se Edi Rama ka dërguar sinjal në Athinë se kjo çështja e padisë në Gjykatën Kushtetuese kundër marrëveshjes për kufirin detar na duhet për t’ i krijuar probleme Saliut, dhe për ta zhvlerësuar politikisht, se pastaj kur të vinte PS në pushtet këtë çështje me Greqinë e rregullonin përsëri. Dhe kështu ka për të ndodhur. Të shohim se ç’ qëndrim do të mbajë pastaj kolonel Myslim Pashaj i cili me autorizim me shkrim të Edi Ramës shkoi në Gjykatën Kushtetuese dhe po me autorizim të Edi Ramës hyri në Aleancën Kuqezi nga ku u largua kur Edi Rama dha sinjalin që të gjithë ish-ushtarakët që kishin hyrë në këtë lëvizje me porosi të tij, të largoheshin se ajo nuk bëri aleancë me PS-në në zgjedhjet e fundit. Kjo gjë në fakt ndodhi se Edi Rama nuk i dha vende të sigurta në listën e deputetëve Kreshnik Spahiut./Kastriot Myftaraj/FB

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 19/01/2014. Filed under Analizë,Maqedoni. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento