Prifti: Do nxjerr video të reja nëse drejtësia do hetojë

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 1997
“Unë po deklaroj se videoja që unë kam regjistruar, që kam dorëzuar në Top Channel dhe në Prokurori, është e paprekur, e pamanipuluar, origjinale dhe pa asnjë ndërhyrje. Unë mbaj përgjegjësi morale, politike dhe penale, nëse videoja që kam dorëzuar është e prekur dhe manipuluar”, tha Prifti. Në lidhje me deklaratat e fundit të ish-zëvendëskryeministrit Meta, Prifti i cilësoi ato si qesharake, madje shtoi akuzat ndaj tij. “Unë këto ditë po përgatitem të shkoj përsëri në Prokurori me një dosje të re, ku do denoncoj abuzime dhe vjedhje të Ilir Metës vetëm në 3 muajt e tij si ministër i Ekonomisë. Ka bërë kërdinë në 3 muaj të vetëm. Do denoncoj dhe pasuritë e tij të fshehura në emra ortakësh e firmash që shpërndahen në gjithë Shqipërinë, por edhe jashtë saj”, tha ai.  Ish-ministri Prifti kërkoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e institucioneve për denoncimet e tij, duke shtuar se po përballet me kërcënime dhe se ndihet i shqetësuar për jetën e familjes së tij. “Nëse drejtësia do të veprojë drejt dhe pa vonesë me denoncimet e mia, unë do të kem besim të vijoj denoncimin tim. Nëse drejtësia do t’i zvarrisë gjërat, do t’i mbulojë gjërat, atëherë mua nuk më mbetet motiv për të nxjerrë fakte të reja, për të nxjerrë video të reja dhe për të vazhduar luftën që kam nisur”, tha Prifti.
Koalicioni

Deputeti Prifti kërkoi prishjen e koalicionit. “Mjaftojnë vetëm provat e mia që ky koalicion të prishet. Meta i bën shantazhe Berishës me 3 votat e tij në Parlament. Meta e di që nuk e voton më njeri partinë e tij dhe po përgatitet të blejë votat në zgjedhjet e ardhshme. Berisha po humb shumë nga mbajtja në këmbë e këtij koalicioni të turpit”, tha ai. Më tej, ai shtoi se ka kaluar në opozitë dhe nuk ka ndërmend të japë asnjë mbështetje për maxhorancën. “Unë jam 100 për qind opozitar dhe mazhoranca nuk mund të presë prej Dritan Priftit asnjë lloj vote dhe asnjë mbështetje për asnjë ligj a vendim në Parlament. Jam opozitar më i guximshëm se ata opozitarët e tjerë. I ftoj ata opozitarët e tjerë të bashkohemi të gjithë së bashku, që ta bëjmë opozitën ashtu siç duhet. Dhe a i kam bërë shantazh me videon për t’u bashkuar me Edi Ramën? Absolutisht jo!”, shtoi Prifti. Më tej, ai publikoi edhe një sms, që sipas tij, Meta ia ka dërguar në korrik Edi Ramës. “Është sms, të cilin Ilir Meta ia dërgon edhe Edi Ramës nëpërmjet një personi që punon tek kullat binjake, se ata nuk komunikojnë drejtpërdrejt, por kanë një korrier. Nëpërmjet këtij personi shkon sms dhe pastaj i kalonte Edi Ramës: “Vlla, si e degjenerova Tan Priftin do ua bëj të gjithëve (pra të gjithëve të mazhorancës) Se janë të korruptum dhe të degjenerum. Nga Dragobia po zhgënjehem shumë. Sot i bëra live strategjinë time, kush ka vesh e dëgjon”. Unë nuk i di të gjitha detajet, por Ilir Meta ma ka konfirmuar atë që ai ka qenë pjesë e këtij skenari, por nuk e mendonte se vota ime do të shkonte tek PD-ja, nuk mendonte që vota e Shpëtim Idrizit dhe dikujt tjetër do të shkonte mbas tij dhe prandaj ai ndryshoi skenar”, deklaroi deputeti Prifti.
Akuzat ndaj Ramës

Ish-ministri u pyet dje edhe për akuzat e tij ndaj Edi Ramës, për përdorim të lëndëve narkotike. Ai u shpreh se u qëndron atyre. “Përsa u përket akuzave për Edi Ramën, unë i kam bërë ato publike. Nuk kam dëgjuar të ketë filluar ndonjë hetim për to. Nuk më ka thirrur askush që të jap asnjë lloj prove dhe asnjë lloj gjëje tjetër. Unë jam një person, i cili bën deklarata të forta, por jo të pamenduara. Person, i cili në disa momente mund të tregohet më emocional se e do momenti, por jam person, që të gjitha fjalëve, thënieve, firmave të mia, jam i zoti t’u dal në mbështetje deri në fund. Jam habitur që në takimin me Edi Ramën sepse kam parë një njeri normal, tepër të angazhuar, tepër serioz ndryshe nga ai njeri që Edi Rama kisha njohur 10 vite më parë. Unë nga ai kam pasur pothuajse një shkëputje thuajse dhjetëvjeçare dhe kam parë një njeri, edhe njëherë një njeri normal dhe serioz dhe nuk kam vërë re këto që po më pyesni ju”, tha ai. Më tej, ai rrëfeu edhe një takim që ka pasur me Ramën. “Me zotin Rama jam takuar vetëm njëherë gjatë periudhës që jam larguar nga ministër, në prani të kreut të grupit parlamentar, Ruçi, dhe dy deputetëve të tjerë të PS-së. Pra, e kam takuar dhe kemi diskutuar për një mënyrë bashkëpunimi me njëri-tjetrin. Unë jam në opozitë dhe bashkëpunimi me partinë kryesore të opozitës do të ishte jo e drejtë ta shmangia, por se si do të jetë bashkëpunimi në të ardhmen me PS-në, deri tani nuk ka asnjë lloj marrëveshjeje. Kjo mbetet për t’u parë. Unë kam përpara meje disa variante. Kam përpara variantin e vajtjes me PS, bashkimin me ta dhe kam variantin të krijoj një forcë të re politike opozitare, siç mund të kem variantin të lë këtë politikë të qelbët e të shoh familjen time dhe hallet e mia. Kështu që kjo i mbetet të ardhmes për t’u vendosur. Nuk bën më vaki që në jetën time unë të përfaqësoj gjë tjetër përveç elektoratit tim të majtë”, shtoi Prifti.
Çështja “Belegu”

Duke e cilësuar si hetimin e shekullit, Prifti kërkoi zbardhjen e zhdukjes së ish-këshilltarit të tij në Ministrinë e Ekonomisë. “Zoti Belegu nuk është larguar në asnjë vend tjetër, siç është varianti i policisë. Policia, edhe sot familjes së tij i thotë ‘na thoni ku ka shkuar Belegu’. Policia dhe Prokuroria nuk e kanë marrë në asnjë rast seriozisht denoncimin tim publik se zoti Belegu është zhdukur nga të tjerë dhe jo vetë. Më vjen shumë keq që drejtësia nuk ka vepruar, por edhe media ka dhënë kontribut shumë pak. Edhe në videon që është shfaqur, zoti Meta e përmend zotin Belegu. Ai kishte kohë që më kërkonte largimin e zotit Belegu, pastaj, duke parë rezistencën time për ta larguar pa arsye, por vetëm për qejf të kryetarit të partisë, unë kam bindjen që është i përfshirë edhe në arrestimin e dhunshëm që iu bë zotit Belegu në zyrën e tij në ministri, pa asnjë arsye. Ftoj edhe njëherë drejtësinë, ftoj Presidentin e Republikës, që rastin e Belegut ta marrë si një rast të veçantë dhe t’i kërkojë llogari Prokurorisë pse u arrestua, pse iu rrëzuan akuzat dhe ku është sot Belegu. Personin kryesor që dyshohet në rastin e Belegut, policia e la mbas zhdukjes së Belegut që të ikte në Amerikë dy ose tri javë”, tha ai. Më tej, Prifti shtoi se ka informacione, sipas të cilave, Prokuroria po heton pistën se “Hakmarrja për Drejtësi” kërkon të eliminojë fizikisht atë. Sipas tij, ky është një spekulim, ndoshta për t’u ngarkuar atyre diçka që s’ka lidhje me “Hakmarrjen për Drejtësi”. “Me ‘Hakmarrjen për Drejtësi’ nuk njihem me asnjërin prej tyre, nuk jam takuar me asnjë prej tyre, as nuk kam dhe nuk më kanë borxh asnjëri prej tyre dhe kjo më bën të mendoj që po krijohet një lojë. Dikush po mendon të më godasë mua fizikisht, duke përdorur emrin e tyre, se ata s’kanë asnjë punë me mua. Aty duhet të ketë një skenar që është më mirë ta bëjnë të ditur policia apo Prokuroria e Krimeve të Rënda, andej nga ka dalë informacioni”, deklaroi më tej Prifti.

Prifti: Të qeshësh me lot nga sms-të

Dritan Prifti publikoi dje mesazhe të ardhura në telefonin e tij. “Në rreth 8 000 sms dhe telefonata që kam marrë vetëm për 5 ditë, vetëm 3 kanë qene negative. Njëra nga një numër i panjohur, më thoshte: “U bëre t’i laluc Fieri të përballesh me skraparlliun tim”; tjetra nga Artur Hajdari, që më shante me fjalë të ulëta; kurse e fundit nga Luzhiana Abazi e LSI-së, që më thoshte: “Të falënderoj se na gjete sloganin për fushatën e ardhshme: Vari k…” “Të lumtë, hallall qumështin e nënës, ti po lufton për popullin fukara, fitorja jote do vrasë frikën e popullit për të folur i lirë sërish, mos u tërhiq nga lufta jote, por kujdes veten dhe familjen, kujdes Saliu dhe Meta janë komunistë si Enveri dhe të vrasin. Ti bëre atë që opozita ka 2 vjet që s’po e bën dot – ngrite popullin në këmbë, etj, etj”. Disa më thonë “kujdes dhe nga opozita se të lënë në baltë”. Pjesa më e bukur e gjithë këtyre mesazheve, që më ka bërë të qesh me lot, është poema satirike e Arben
Dukës me titull: “Të vrasim rojtarin, që zuri kusarin”,
tha Prifti dje në konferencë për shtyp.
Erald Kapri/Panorama

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 20/01/2011. Filed under Korrupsion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento