Predha e 21 janarit bllokohet në Turqi

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2375
Një procedurë formale në Turqi ka “bllokuar” në këtë shtet predhën e armës, e cila i mori jetën Aleks Nikës, njërit prej katër personave të vrarë gjatë demonstratës së 21 janarit në Tiranë.Pas vdekjes së Aleks Nikës në Turqi dhe riatdhesimit të trupit të tij të pajetë, Prokuroria e Tiranës, e cila po heton katër vrasjet, ka kërkuar nga pala turke me anë të një letër-porosie, dorëzimin e predhës së armës të nxjerrë nga trupi i Aleks Nikës, me qëllim ekspertimin e saj. Një javë pas 21 janarit, pasi qëndroi në Spitalin Ushtarak në gjendje kome, Aleks Nika u dërgua për mjekim të specializuar në Turqi. Për shkak të plagës së rëndë dhe dëmtimeve serioze, 36-vjeçari nga Lezha nuk arriti të mbijetojë dhe vdiq rreth dy javë pas 21 janarit, në spitalin turk. Pak ditë më pas, trupi i tij u riatdhesua në Shqipëri, por në Turqi mbeti dokumentacioni mjekësor si dhe predha e nxjerrë nga organizmi i të riut. Prokuroria e Tiranës, e cila ka regjistruar procedim penal për vrasjen e katër shtetasve, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, kërkoi me letër-porosi nga pala turke predhën e nxjerrë gjatë mjekimit të 36-vjeçarit nga Lezha. Pak ditë më parë, pala turke ka kthyer një përgjigje që duket se konfirmon se predha do të vonojë edhe disa kohë për të ardhur në Shqipëri. Ajo konsiderohet si një nga provat kryesore të çështjes. Metodika e hetimit të çdo vrasje konsideron armën dhe predhën si elementët kryesore që faktojnë akuzën. Prokuroria shqiptare e ka kërkuar predhën në fjalë për t’i bërë një ekspertizë krahasuese me armët e Gardës së Republikës për të bërë identifikimin e tytës që ka qëlluar demonstruesin 36-vjeçar nga Lezha.

“Hetim të Turqi”
Duket e pa besueshme, por është e vërtetë. Policia dhe Prokuroria Turke kanë hapur një dosje penale në lidhje me vdekjen e Aleks Nikës. Procedimi penal është hapur ditën kur salla e urgjencës, së spitalit ku ndodhej për kurim Aleks Nika, ka njoftuar autoritetet për vdekjen e një shtetasi që kishte mbërritur i plagosur me armë zjarri. Duke qenë se vdekja ka ndodhur në territorin turk, menjëherë pas njoftimit, në spital kanë mbërritur policët dhe prokurorët turq. Ata kanë kqyrur kufomën e 36-vjeçarit dhe më pas kanë sekuestruar gjithë dokumentet mjekësore të trajtimit të tij si dhe provat e tjera, përfshi edhe predhën e nxjerrë nga organizmi i Aleks Nikës. Të gjitha provat janë mbajtur nga Prokuroria dhe Policia Turke, e cila ka theksuar se për sa kohë dosja në fjalë do të jetë e hapur atje, predha nuk mund të kthehet në Shqipëri, pasi është provë e sekuestruar mbi dosjen e hapur për vdekjen e Aleks Nikës. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, kjo është një procedurë rutinë që ndiqet në Turqi dhe vende të tjera. Predha do të rikthehet në Shqipëri, sipas Prokurorisë, pasi palës turke t’i dërgohen të dhënat që tregojnë se vrasja e 36-vjeçarit ka ndodhur në Shqipëri. Në këtë rast, pala turke duhet të mbyllë dosjen që ka hapur dhe më pas të dërgojë në adresë të Prokurorisë Shqiptare predhën në fjalë.

Viktimat

1. Hekuran Deda,
i pari i vrarë më 21 janar, mori një plumb në kokë, predha që e ka goditur nuk është gjetur

2. Ziver Veizi,
është personi i dytë në radhë i vrarë më 21 janar. Ai është qëlluar një herë në pjesën e gjoksit. Sipas ekspertizës, predha që vrau Veizin, është qitur nga arma e gardistit Agim Llupo, tashmë i arrestuar.

3.Faik Myrto,
Është personi i tretë në radhë që është vrarë më 21 janar. Ai ka marrë një plumb në trup. Predha që shkaktoi vdekjen e tij është gjetur, por nuk përputhet me armët e Gardës të ekspertuara deri tani.

4.Aleks Nika,
Është viktima e katërt e ngjarjeve të 21 janarit. Ai u plagos rëndë atë ditë me një plumb pranë kokës dhe gjeti vdekjen pas dy javësh në koma. Predha e tij ka mbetur në Turqi pas mjekimit atje

 

Prokuroria, eksperiment për zbulimin e 3 vrasjeve

TIRANE – Pas ekspertizës e cila gjeti armën që kishte kryer vrasjen e demonstruesit Ziver Veizi, Prokuroria është ndodhur përballë vështirësive në zbulimin e autorëve të vrasjes së tri viktimave të tjera. Kjo për shkak se predha e gjetur në trupin e Faik Myrtos nuk përputhet me asnjë nga armët e Gardës së Republikës të sekuestruara deri tani. Viktima e parë, Hekuran Deda, ka marrë një plagë tejshpuese në kokë dhe më pas predha që i ka marrë jetën atij, nuk është gjetur. Megjithatë, dy dëshmitarë që janë ndodhur pranë këtij personi kanë fajësuar efektivat e Gardës për të shtënat me armë që i kanë marrë jetën Hekuran Dedës. Eskpertizë për këtë çështje megjithatë nuk ka. Për viktimën e katërt, Aleks Nika, ekspertiza është e pamundur të zhvillohet për sa kohë predha ndodhet në Turqi. Për rrjedhojë, Prokuroria planifikon kryerjen e një eksperimenti në bulevard dhe pranë Kryeministrisë për caktimin e projeksionit të plumbave për secilën viktimë me anë të rrezeve lazer dhe spangove, me qëllim përcaktimin e pozicionit nga janë qëlluar viktimat.
Trazhgim Sokolaj/Panorama

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 25/04/2011. Filed under Çështja 21 Janari 2011. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.