Peticion për ndalimin e djegies ilegale të plehrave në Shkodër

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3503
Prej vitesh plehrat e grumbulluara të qytetit të Shkodrës digjen ilegalisht pothuajse çdo ditë përpara Varrezave të Dëshmorëve, edhe pse kjo gjë ndalohet rreptësisht nga ligji (shih: ligjin nr. 9537, datë 18.5.2006, për Administrimin e Mbetjeve të Rrezikshme; ligjin nr. 9010, datë 13.2.2003, për Administrimin Mjedisor të Mbetjeve të Ngurta; nenin 20 e ligjit nr. 8934, datë 5. 9.2002, për Mbrojtjen e Mjedisit).
Në varrezat e mësipërme nuk prehen vetëm dëshmorë të luftës antifashiste, por edhe patriotë e figura të shquara si Pashko Vasa, Luigj Gurakuqi, Migjeni. Veç mungesës së respektit ndaj tyre dhe shëmtimit të peizazhit, ka dhe dy probleme të tjera serioze për shëndetin dhe vetë jetën e qytetarëve.
Së pari: zona tashmë është e banuar dhe dendësia e banorëve shtohet përditë. Tymi i plehrave shkon direkt tek banorët e zonave të Bardhajve, Stacionit të trenit, të lagjes “Mark Lula” dhe deri në fshatin Kuç, kur era fryn më fort.

Së dyti: depozitimi i plehrave në atë vend bën që lumi Kir të marrë me vete të gjitha mbeturinat dhe t’i çojë në Drin e më pastaj në Bunë, prej ku përfundojnë në deltën e saj, pranë plazhit të Velipojës. Qeveria e Shqipërisë dhe Bashkia e Shkodrës deri më sot nuk kanë ndërmarrë asnjë iniciativë për ndalimin e këtij fenomeni shumë të dëmshëm për jetën e qytetarëve, edhe pse gjithnjë e më shpesh tymrat e plehrave të djegura mbulojnë gjithë ditën gjysmën e qytetit të Shkodrës dhe ndotin rrezikshëm ajrin.

Studimet e deritanishme shprehin shqetësime të mëdha lidhur me dëmet e mundshme të shkaktuara nga impiantet e djegies së plehrave, të cilat njihen në gjithë botën si burimet kryesorë të dioksinës, substancë kjo tej mase helmuese. Rreziku afatmesëm dhe afatgjatë i helmimit nuk mund të parashikohet. Por dihet me siguri se sidomos për foshnjet dhe fëmijët e mitur ky rrezik është shumë i madh. Prandaj nevojitet marrja e masave urgjente dhe veprimi me sens përgjegjësie qytetare e politike nga ana e autoriteteve kompetente.

Sipas studimit me titull “Incineration and Human Health” (“Djegia e plehrave dhe shëndeti”), të bërë në vitin 2000 nga organizata ndërkombëtare “Greenpeace”, djegia e plehrave është shumë më e rrezikshme sesa është menduar deri tani. Lëndët e dëmshme, të cilat çlirohen duke djegur plehrat, depozitohen nga ajri në tokë, në vegjetacion dhe në ujë. Metalet e rënda dhe helmet e tjera me efekte afatgjata, përhapen dhe dëmtojnë jetën e njerëzve nëpërmjet ndotjes së mjedisit, edhe shumë larg nga vendi i djegies së plehrave. Këto helme rezistente, pasi çlirohen në formë të gaztë, mund të përshkojnë distanca të mëdha dhe të kalojnë disa procese të transformimit fizik e kimik duke u depozituar në tokë, në ujë dhe në ushqime.

Njerëzit që jetojnë afër impianteve ose vendeve të djegies së plehrave, duhet të marrin parasysh një rrezik shumë të madh të kancerit dhe sëmundjeve të tjera vdekjeprurëse, mbasi ata janë të ekspozuar ndaj këtyre substancave toksike, të cilat merren nëpërmjet frymëmarrjes, lëkurës dhe konsumimit të ushqimeve të kontaminuara. Pasojat e ekspozimit në këto kushte janë lloje të caktuara të kancerit, probleme të zemrës, dobësim i sistemit imunitar, çrregullime hormonale, defekte gjenetike, alergji dhe probleme të frymëmarrjes. Në afërsi të impianteve të djegies së plehrave mundësia e shfaqjes së sëmundjes së kancerit tek fëmijët është dy herë më e lartë se tjetërkund.

Lëndët e dëmshme dhe efektet e tyre janë si më poshtë:
Pluhura të hollë: shkaktarë të sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes, zemrës dhe qarkullimit të gjakut, kancer në mushkëri, përgjegjes për shkurtimin e mesatares së jetës.
Oksid azoti: përbën helm për frymëmarrjen dhe bllokon transportin e oksigjenit në gjak, gjithashtu ndikon në formimin e ozonit në atmosferë.
Dioksid squfuri: shkakton spazma të indeve të mushkërive, tek bimët çon në shkatërrimin e klorofilit dhe është shkaku kryesor i shirave acide.
Plumb: dëmton procesin e formimit të gjakut, shkaton nervozizëm, paraliza, tension të lartë, sëmundje të zemrës.
Kadmium: shkakton tension të lartë, sëmundje veshkash, sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes, osteoporozë.
Zhivë e bakër: dëmtojnë metabolizmin e sistemit nervor.
Diokside e furane: shkaktojnë dëmtimin e sistemit imunitar, të mëlçisë dhe të metabolizmit; efekti i fundit negativ është kanceri.
Monoksid karboni: helm i rrezikshëm për frymëmarrjen, bllokon transportin e oksigjenit në gjak.
Talium e arsenik: lëndë shumë helmuese.
Antimon, mangan, nikel-vanadium etj.: elemente toksike për rrugët e frymëmarrjes, shkaktojnë kancer dhe çrregullime në sistemin nervor.
Krom: është përgjegjes për shumë infeksione të lëkurës dhe të rrugëve të frymëmarrjes.

Si qytetarë kërkojmë që në vend të ndërtimit të impianteve të reja të djegies së plehrave të mbyllen edhe ato të vjetrat dhe të ndalohet menjëherë djegia ilegale e plehrave. Alternativa më e thjeshtë dhe më e mirë e djegies së plehrave është prodhimi sa më i paktë i mbeturinave dhe grumbullimi i ndarë i tyre sipas llojeve për një riciklim të mundshëm. Në këtë drejtim është shumë e rëndësishme që të përshpejtohet ndërtimi i impiantit të riciklimit në Bushat. Një alternativë tjetër është vendmbulimi i plehrave shumë larg nga qendrat e banuara duke mos i kontaminuar ujërat nëntokësore.

I bëjmë thirrje të gjithëve që të tregojnë një ndjenjë përgjegjësie qytetare dhe të mbështesin peticionin tonë kundër ndotjes së qytetit dhe pro shëndetit të banorëve të tij.
Mjedisi1.blogspot.com


Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 21/09/2010. Filed under Peticione/Letër e Hapur. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Peticion për ndalimin e djegies ilegale të plehrave në Shkodër

  1. shaqir nallbani

    22/09/2010 at 09:54


    Tmerre eshte te mesosh kete faktë në kryeqytetin e parë të Shqiperisë. Djegia e plehrave në ambientë të lirë është një proces që cliron gjatë djegies substanca kanceroze që ndikojnë gradualishtë në organizmin e njeriut. Duke i prekur mushkëritë, fytin(Trakenë), sytë, lëkurën, gjë që dëmton rëndë këto pjesë dhe në tërësi.
    Cka bejne shoqata akademike të Shkodrës? Apo i kanë krijuar këto shoqata ambientaliste per të marrë fonde dhe bredhe jashtë shtetit për interesat vetiake dhe familjare?
    Nese mbetet vetem te kjo proteste grafike atehere populli shkodran do ta vuaji në pasojat edhe në brezat.

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.