Pesë deputetë, të implikuar në grupin e trafikut të drogës

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 5258
KanabisPërgjimet e trafikantëve nxjerrin emrat e politikanëve

Pesë deputetë rezultojnë të implikuar në trafikun e tonelatave të kanabisit drejt Italisë nga rrjeti kriminal, gjysma e të cilit u shkatërrua para 14 ditësh te Rana e Hedhun, pranë Lagunës së Vilunit në Velipojë, ku u sekuestruan 804 kg drogë dhe u arrestuan shtatë persona. Detajet bëhen të ditura për gazetën “Shqip” nga burime të sigurta të Policisë së Shtetit, të cilat tregojnë me hollësi “fijet e oktapodit” që lidhin politikën me pushtetin ekonomik dhe narkotrafikun.

Laguna e Vilunit

Në “valle”, përveç shqiptarëve nga të katra anët, ishin italianët dhe malazezët. Horizontet e reja të fitimit të milionave u krijuan në brigjet e një prej perlave të Veriut, ku skafi i fuqishëm me tre motorë, me një rrugë çonte në tokën italiane mbi 5 kuintalë kanabis, të vjelë në Tepelenë, Dukagjin dhe Fushë-Krujë. “Të fortët”, shqiptarë dhe malazezë, organizonin gjithçka, që nga transporti rrugor mes përmes Shqipërisë (kryesisht droga kalonte me makina të vogla, pjesë-pjesë), apo ngarkimi në skaf (çanta të zeza), deri te çasti i dorëzimit tek italianët, ku 1 kg nuk u jepej më pak se 1 mijë euro. Në total, kohët e fundit, dyshohet se ky grup trafikoi tonelata kanabisi drejt Italisë. Kjo ishte vetëm fasada e funksionimit të një prej grupeve më të strukturuara kriminale, porse mbrojtja ishte “speciale”, pasi mendohet se të implikuar janë edhe pesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Në vazhdën e së njëjtës linjë trafiku droge, më 30 shtator 2014, u desh ndjekja nga Guardia di Finanza, që skafi i fuqishëm me 3 motorë të hidhte në det 8 çanta hashashi, me peshë prej 210 kilogramësh dhe të humbiste në ujërat shqiptare. Ndërsa në operacionin e dytë, të mirorganizuar kësaj radhe nga Policia dhe Prokuroria Shqiptare, vetëm një ditë pasi trafikantët u pikasën nga policia italiane, u arrit të sekuestrohen 15 çanta me 594 kilogramë, të bëra gati në bregdet, teksa skafi ishte në pritje. Një mrekulli i shpëtoi skafistët, të cilët me urdhër nga krerët e Policisë së Shtetit u ndoqën nga Policia Kufitare e Qarkut të Shkodrës, por sërish humbën nga sytë, bashkë me mjetin lundrues. Për “çudi”, atë ditë largohet nga detyra një zyrtar i lartë lokal i policisë. Për shkak se 13 persona ishin në hetim prej një viti, u arrit që me sukses të arrestohen 7 prej tyre, ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim. Në pranga ranë Mikel Hoxha, 38 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë, i njohur si kreu i kësaj organizate kriminale; Leonidha Dhimojani, 48 vjeç, banues në Vlorë; Ervis Sulo, 29 vjeç, banues në Vlorë; Indrit Rraja, 34 vjeç, banues në Nikel – Fushë-Krujë dhe Mirjan Vitaj, 26 vjeç, Kristian C. 18 vjeç, Alfred Syli, 22 vjeç, i dënuar më parë, ku tre të fundit janë banues në Rrijoll të Velipojës. Operacioni, i kryer më 1 tetor, u publikua 10 ditë më vonë, me shpresën që brenda kësaj kohe të arrestoheshin të tjerët. Kryepolici Artan Didi dhe kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, në takimin mes tyre, diskutuan detajet e operacionit ndërkombëtar, që nga pala shqiptare përshinte Sektorin për Narkotikët, nga ajo italiane, Guardia di Finanza dhe policinë malazeze.

Pesë deputetët

Burimet e Policisë së Shtetit, të cilat zbërthyen skemën e kësaj linje që trafikon drogë, thanë për gazetën se nga puna e gjatë hetimore, përreth një vit, por edhe pas operacionit, kishin hasur në emra “të fortësh”, policësh dhe deputetësh. Droga grumbullohej në Tepelenë, Fushë-Krujë dhe Dukagjin, ndërsa dyshohet se pronarët e vërtetë të kanabisit ishin pesë deputetë. Burimet nuk specifikuan as krahët politikë, të cilëve u përkasin dhe as zonat ku janë mandatuar si përfaqësues të popullit në Parlament, por siguruan që janë emra të dëgjuar rëndom nga publiku. Emrat e tyre kanë dalë në mënyrë indirekte apo edhe direkte, nga përgjimet ambientale apo ato telefonike të trafikantëve, para, gjatë dhe pas operacionit, ku janë vërtetuar edhe lidhjet. Për hir të së vërtetës, ndonëse e ndodhur përballë kësaj stuhie presioni nga “kupola e të pestëve”, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk kanë lëshuar pe, duke ua hapur rrugën oficerëve shqiptarë të antidrogës dhe duke krijuar mundësitë, deri në finalizimin me sukses të këtij operacioni. Edhe pas aksionit pati ndërhyrje dhe pakënaqësi, gjë e cila duhet të ketë pasur ndikimin e saj në heshtjen 10-ditore, derisa u publikuan të dhënat. Pak ditë më parë, në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, u publikua një listë me deputetë dhe ministra të përgjuar, me urdhër të prokurorisë, por që objekti i përgjimit ishin personat, me të cilët kanë komunikuar politikanët. Burimet e policisë, as nuk konfirmuan dhe as nuk e mohuan që në linjën e Lagunës së Vilunit të ndodhej ndonjë nga lista e emisionit televiziv, por gjithsesi linja e “Opinion” dhe këtij operacioni mbeten të ngjashme.
Mariglen Mullai/24Ore

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 14/10/2014. Filed under Mafia. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento