Per me u ba HERO a duhet kulturë e madhe, apo?…

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 1516
Don Mikel Gjergji Beltoja1Don Mikel Gjergji/Beltoja.
Emri i pagëzimit Hilë Gjergji i lindun në Beltojë e ma vonë i shugurum prift.
17.IV.1935 (Thuhet se vdiq)më 10.II.1974

Kur ishim fëmijë të vogjël na pelqenin përrallat e tregimet që na i diftonte gjyshja kur shkonim me ra me fjetë. Shpesh natën tjetër ia kërkonim me na i përsëritë për me mujtë jo vetëm me u argëtue por edhe me mujtë me i mbajtë ndër mend. Ajo nuk pritonte aspak me na plotsue dëshirën tonë aqsa shpesh na tregonte dishka të re… Sigurisht, këta kujtime vinë e rranjosën në shpirtin e njeriut me kohën tue u ba në kujtesën e tij të paharrueshme. Bashkë me këta kujtime në zemrën e vogël lindë edhe një dashni e pakufishme dhe e përjetëshme për të parët tonë, për ata që na i tregonin këto vepra dhe njëkohësisht edhe për autorët e ngjarjeve që na lmonin aq ambël kapakët e syve dhe na venin me knaqësi aq të madhe me fjetë. Veprat e tyne të trimnisë ishin një “ni-na- na-na” që na paqsonin zemrën dhe na qetsonin shpirtin. Përveç emnave të njohtun figurativ të kohës së vjetër, tregimëve apo legjendave shqiptare, fillueme me njohtë edhe përsonazhet negativ që shoqnonin fantazinë tonë ndër ato “beteja” të forta e të mnershme, që ngjasonin mjaft me të njohtunit e jetës sonë të përditëshme. Nuk mungonin shpjegimet për lugatin, djallin dhe luciferrin që i sundonte këta bakëqinjë në jetën e zjarrtë të andejme…e të këndejme të paasnjë shpresë me dalë nga thonjtë e tyne. E kur, kureshtja na shtynte me ditë se ku asht gjyshi, pa mbarue mirë fjalën nana, na shpjegonte se, “Ai asht në Parrizë i rrëthuem prej engjujve të vogjel!” Sa kënaqeshim kur e kujtonim gjyshin tonë të thinjun, të dashtun e të lumtun në atë jetë të pafund! Gjithënjë na dukej se po na sheh kur i damtonim pemët tue luejt me top…Ai na shikonte, qeshej e knaqej kur na shihte se po rriteshim si fidanat në kopështin e Tij… Nuk shkoi shumë kohë që këta kujtime nuk mund ti bisedonim as me shokë! Në kokën tonë të vogël filluem me pasë dy palë sirtarë, një palë për tregimet e gjyshes dhe një palë për shpjegimet e mësuesit. Duhej një kujdes i madh mos me ngatrrue asgja nga sirtari që na thonte gjyshja, mbasi në shkollë kishim fillue me mësue gjana të tjera që nuk përkonin me edukatën e familjeve tona. Ishte viti 1945 – 46 që sapo filloi me bijtë “ateizmi”, edukata e “vjetër” po i lëshonte vendin “së resë” materialiste, që shpejt u çvesh nga “mbeturinat” e së kaluemes dhe mori tiparet e edukatës bolshevike marksiste – leninste të Bashkimit Sovjetik, që drejtohej nga Stalini “i madh”. Jugosllavia e Titos, “mike e shtrenjtë” e popullit tonë, kishte futë në kthetrat e veta krejtësisht jetën politike, shoqnore, kulturore dhe arsimore të Shqipnisë së rraskapitun e të posadalun nga lufta, tue e këthye në një plaçkë ma keq se në kohën e okupacionëve të maparshme, madje ndonjeni prej atyne me tu dukë lule në krahasim me jetën që po provonim! Ishte fillimi i jetës së “lumtur” ku rradhat ishin të pafund nga njerzit me triska në dorë në dyert e dyqanëve e ku, ndonjë grue plakë, si nana e Pjerin Kçirës, ndalohej aty e mbasi knaqej me pritjen e mërzitëshme të njerzve prej disa orësh të furnizimit dyqanit, me tallje na thonte: “Mos pritni kot aty…Shkoni e bleni mish në Zall të Kirit 3 lek kg., se po qelbet e po e mbarojnë zagarët e barakave!…(A.K.Gjolaj, “Çinarët”, fq. 91) Pra, ishim në pragun e “reformës agrare”. Fshatari po prëgatitej me u ba “zot” i tokës së vet dhe i asaj që nuk ishte e tija. Kufinjtë e rinj do të vëndoseshin kudo anë e kand për të gjatë bregut të lumit Buna deri poshtë në Velipojë. Dajçi i Bregut Bunës do ti shpërndante ma shumë tokë fshatarve, sëpse Kisha kishte prona ma shumë se në fshatrat e afërme; Obot, Samrish, Sukat e Dajçit etj. përveç, se këtu kishte edhe tokë që zotnoheshin nga disa të pasun që ma vonë iu vue emni i ri “kulak”. Bukuria natyrore e atyne katundëve asht shumë e gërshëtueme me lloj lloj pejsazhësh njeni ma i bukur se tjetri, nga një breg në tjetrin, nga një kodër në tjetrën, nga një livall apo kullosë tek tjetra, tue lanë në njëanë arat me bastan, gardhiqet me ferrmaca, thanat e kimçat kufizuese të rrugës, ose fiqtë pucaleca që shtrohëshin përtokë. Mani ka edhe qendrën kryesore të fshatit, për me shkue tek Kisha …ecë drejtë, dhe të parin fshatar që takon rrugës, pyete dhe ka me të thanë: “Ecë para, ndalou tek Mani i kuq e, përballë asht Kisha dhe qela e priftit!”…Aty pranë ishte edhe shkolla…me katër klasat e saj fillore. Lumi Buna edhe pse shkapetej për stomin e Dakejve, nuk prishte asnjë punë, veç çka i shtonte larmi fshatit me sulet e lundrat që çonin kariqat e tyne me lloje e lloje peshku që të knaqnin synin tue u përplasë sa andej këndej me mujtë me ra në ujin e turbullt të lumit, që të dukej sikur po të përpinë me gomnat e shpeshta të sajat. Gjithfarë shpendësh të fluturojnë mbi kokë, tue fillue nga dallndyshat, pulëbardhat, e deri tek rosat e dimnit… Dita e diele dhe e festave ishte një manifestim i madh ku era e lehtë e lumit hidhte sa në një krah në tjetrin rizat e mëndafshta të nuseve të reja të dajçasorve! Kostumi i atyne zonave asht një bukuri e rrallë që të sheh syni! Trupat e gjatë të djelmëve dhe të burrave janë aq në harmoni me natyrën sa të krijohet idea se Zoti i ka krijue të gjithë në një çast. Edhe pleqt ma të vjetrit dinin me shkrue dhe me lexue. E donin fort shkollën. Asnjë fëmijë nuk rrinte pa shkollë sado ngusht me kenë nga ana ekonomike, jo vetëm në Dajç por në asnjë nga ata fshatra rreth e rrotull. Përgjithsisht ishin besimtar. E donin dhe e nderonin priftin e, mbas tij mësuesin. Fjala e tyne ishte ligjë. Ja një fakt: Në vitin 1948, me 6 Dhetor në darkë, ora 22 u arrestue nga Sigurimi komunist prifti Don Kolec Prennushi dhe, mbas 11 muejsh hetuesi u lirue “për mungesë provash”, mbasi asnjë fshatar nuk pranoi me i dalë dëshmitar! Kjo traditë u pasue edhe me priftnit tjerë ma vonë. Kur doli nga hetuesia katundet e lajmëruen atë gëzim që ndien në zemrat e tyne me ramje kumbonësh…I rrënuem e i shpartalluem ndër tortura me datën 2 Korrik 1950, në moshën 48 vjeç Don Koleci vdiq. Në vendin e Tij, shkoi famullitar Don Dedë Malaj. Nuk i la asgja mangut në të gjitha drejtimet Don Kolecit. As Ky nuk pranoi me firmue “Statutin e Kishës Katolike” të përpiluem nga shteti komunist. Arrëstohet prap në vitin 1958 dhe për këte “faj” dënohet me vdekje. Kaloi një hetuesi të mnershme në duert e anadollakut “Italian” Xheudet Miloti… Me datën 11 Maji 1959, Don Dedë Malaj pushkatohet tue u naltue në Elterin e Martirve t’Atdheut dhe të Fesë në moshën 42 vjeç… Mbas tij, po në Dajç, prëgatitët me mësime private teologjike nga prifti Don Deda, fshatari prej Samrishit Marin Shkurti. Në Dhetor të vitit 1961 shugurohet Meshtar nga Imz. Errnesto Çoba. Nuk pajtohet me vëprimet e “Revolucionit Kultural” të Enver Hoxhës, dhe si pasojë, me datën 1 Prill 1969, pushkatohet nga komunistët në moshën 36 vjeçare. Në vitin 1974, pra mbas 25 vjetësh të gjyqit Don Dedë Malaj, në qytetin e Shkodres ndigjohet “thirrja” e një prifti të rinj, fshatar nga Beltoja Don Mikel Beltoja, asht lindë me dt.17 Prill 1935. Asht prëgatitë edhe ky privatisht në Argjipeshkvinë e Shkodres, nën kujdes të Imz. Çobës, i cili edhe e ka Shugurue Meshtar njëherësh me Don Marin Shkurtin, në Dhetor të vitit 1961, kur as nuk bahej fjalë për Seminare e shkolla të larta teologjike. Po atë vit emnohet famullitar në Dajçin e Bregut të Bunës. Mbas tri vjetësh shkon në fshatin e Barbullushit, deri me 22 Shkurt 1967, kur mbyllen me dhunë Kishat. Kryen “krime” kundër shtetit komunist, tue Pagëzue fëmijë, ven kunora martese fetare, vojon të sëmurë, nuk pajtohet me “frymen revolucionare” që ka pushtue krejt Shqipninë “socialiste”! Në librin tem “Një Monument nën dhé” i kam kushtue disa fletë Këtij Martiri të Madh të Kishës Katolike Shqiptare, që me datën 10 Shkurt 1974, thohët se, u “pushkatue”! Bashvuejtsja Zonja Laura Keçi asht dëshmitaria ma e sakta që ka ndigjue me veshë, ka pa me sy dhe ka provue mbi trupin e saj të njomë, rrahjet, korrentët elektrike, pështymjet dhe veprat ma makabre që Sigurimi komunist ka përdorë kundër Klerit Katolik dhe Atyne të Nderuemve besimtarë, që nuk u pajtuen me frymën komuniste të fanatikve anadollakë të ashtuquejtun “shqiptar”! Dhe, ja dëshmia e minutave të fundit të jetës së Don Mikelit nga Zonja Laura, shkrue në letrën e saj me datën 15 Shtator 2000: “…Mbas pak ditësh, nuk mora vesh sësi isha zhytë në një gjum deke. Po shihja andrra të llahtarshme, vuejtje në tortura, gjak, një tmer i vërtetë më kishte pushtue, u dridhësha si thupra në ujë nga frika, një frikë që nuk e kuptoja nga vjen… Isha mbushë me vaj, vaj frike apo dëshprimi nuk e kuptoja, një tmer i vërtetë.. isha e lame në djersë… Disi u skapullova kur pashë se jam në birucë, por, sidukët, ndër andrra kisha lëshue ndonjë thirrje, veç kur pashë sportelin e hapun të derës prej ku shihej fëtyra e kriminelit Alush Bakalli, që me gisht vërtikal para gojës lëshoi një sh sh sh…t!!, shenjë me të cilin urdhnonte heshtje… Një lëvizje rojesh jo e zakonëshme në atë orë. Nuk dija çka ka ndodhë… Edhe zhurma që më zgjoj ndryshonte, mujta me dallue zanin e katilit Shyqyri Qoku që i vërriste Don Mikelit: Pusho… pusho, po të tham… Këtë herë dallohej se nuk ishte vetëm. Në atë lamsh mendimësh përzi me zhurmën e vargojve ndigjova zanin e Don Mikelit, e zemra mu mbush me vajë. Ishte mjedis kafshëve të egra që donin ta shkynin, e thërriste: “O Jezu Krisht! Zoti em, më jep forcën e fundit, o Shenjtja Mari, Nana e eme e përjetëshme për të fundit herë po të kërkoj, fali vëllaznit e mij, kij mëshirë për ta, se nuk dinë çka bajnë! Fali o Krisht! O Zot ndihmoje Shqipninë me shpëtue nga këta kriminelë komunistë. Zoja e Bekueme, Nana e Krishtit dhe e gjithë Botës, lutju Birit tand, Zotit tonë Jezu Krishtit, që të më pranojnë në Mbretninë Qiellore, ndër duert Tueja të Bekueme ardhët Shpirti em!…Rrnoftë Shqipnia, Rrnoftë Krishti!…” Zani i tij sa vinte e fikej, derisa nuk u ndigjue ma… U mbyllën edhe shulat e dyerve… edhe dryjt… Isha me sy nga dritaria tue vështrue nëse ndigjohet prap zani i Tij, por kuptova ma vonë se isha ngritë kot për një kohë të gjatë, derisa u kujtova se iku! Ai iku në Mbretni të Qiellës… Jam kenë interesue se çka u ba me Don Mikelin mbasi e morën atë natë, nga një roje që ndryshonte pak nga të tjerët me emnin Ndue. Ai më pat tregue se janë nisë për Tiranë, dhe rrugës i kanë ba një ingjeksion dhe ka vdekë. E kanë çue të vdekun në Ministrinë e Mbrendshme dhe prej aty e kanë futë në një kasetë frigoriferike me nr. 7 (shtatë). Mendonte se Ai asht coptue nga mjekët e besueshëm qeveritarë për studim, nga studentët e fakultetit të mjeksisë së Universitetit të Tiranës. Atëherë, e, edhe sot, që ka kalue një çerek shekulli nga kjo ngjarje, i drejtoja dy pyetje vehtës për këtë njeri që torturohej aq mizorisht nga kriminelët komunistë: 1. Pse e torturonin ndryshej nga të tjerët dhe, 2. Ku i merrte forcat Don Mikeli për me përballue ato tmere vuejtjesh? – Gjithmonë e njajta përgjigje: E para, vetëm pse ishte Prift Katolik dhe e dyta, Ai fliste me Jezu Krishtin çdo çast që goditej nga kriminelët… Vetëm Ai e forconte Atë dhe mue…!”(Nxjerrë nga origjinali i letrës, FR) Ja Ideali, ja forca me të cilën njeriu lartësohet në Elterin e Martirve të Atdheut dhe të Fesë! Ja qëndresa, ja Fitoria, ja vetmohimi, ja Flijimi për një Ideal të Lartë, ja Burrnia dhe Trimnia të gërshëtueme me Nderën e sakrificën e madhe mbinjerzore Shqiptare, ja guximi me ndjekë rrugën e Apostujve në brigjet e Adriatikut përballë “pagajve” të Shekullit XX, ja Burri me krahë të hapun që tue pritë Kryqzimin, në qelitë e Sigurimit të Shkodres, shkyhet gjymtyrësh nga bishat komuniste; ja pra, me fakte Heroi i ditve tona: Don Mikel Beltoja, që plot 35 vjetë ma parë i shtoi edhe një Hero Krishtënimit!.. Nuk ishte shkolla e lartë teologjike, as universitetët e Evropës, as doktoratat e Atyne Klerikve të cilët, vune thëmelët e kulturës Evropjane Përendimore që shtynë Enver Hoxhën e Ramiz Alinë, me veglat e ndyta të Sigurimit komunist, me zhdukë Klerin Katolik Shqiptar, inteligjencën Katolike dhe Besimtarët e Fesë së Krishtit, në një nga vëndet e Para të Krishtënimit në Evropë, por ishte fanatizmi oriental i mbrujtun në këto qenje të pashpirtë, pa Atdhé, pa Fé, pa familje e pa tradita doke e zakone të Shqiptarit të vërtetë. Kryesoria që i shtynte këto bisha me shpartallue thëmelet e Përparimit dhe të qytetnimit Evropjan ishte: “Lufta terroriste me mjetët ma primitive kundër Shtetit Shqiptar, thëmelët e të cilit i kishte gurosë i Madhi Gjergj Kastrioti – Skenderbe, 500 vjet përpara!” Dhe, ja me fakte, një Fshatar i Beltojës, 39 vjeç, vetëm me katër klasë fillore e tri klasë unike, por i Shuguruem Meshtar i Fesë së Krishtit, çveshë saruqet dhe i zdathun Ju ngjit Kalvarit…e me guxim të pashoq trand në thëmel komunizmin ma gjakatar të të gjithë Lindjes Evropjane komuniste, pushtetin terrorist të katilit Enver Hoxha, i cili ka provue me fakte në gjithë periudhën e kenjes dhe të sundimit të tij nga viti 1944 – 1991, se: “Komunistët dhe jo nazistët kanë inaugurue terrorin në masë si vegël e qeverisë”. – Po, “ Nurembergu”, ku bie në hartë sot,… apo asht shue?!..
Fritz RADOVANI/Proletari.Com
Melbourne(Australi), 20 Shkurt 2009





Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 27/03/2015. Filed under Krimet komuniste shqiptare,Përkujtimore. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.