PD Shkodër, një jetime në fushatë

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 158
Ramiz Çobaj, kryetari i Partisë Demokratike të Shkodrës është tërhequr nga lista e turpit të cilën kunati i Lul Bashës ia serviri me arrogancë këtij qarku. Ramiz Çobaj bëri një veprim në kulmin e zemërimit për mospërfshirjen e emrit të tij në listën e sigurtë dhe jo sepse kishte ndonjë keqardhje për cilësinë e asaj liste. Ramiz Çobaj kishte tre vite që punonte zellshëm e me motivimin maksimal për të zhdukur njëherë e mirë nga PD e Shkodrës, çdo shenjë të Jozefina Topallit dhe për këtë priste shpërblimin që në logjikën e tij, e meritonte.

Ramiz Çobaj është koka e turkut e një autokrati me emrin Lul Basha, të sapo konfirmuar përfundimisht si i tillë. Një kokë turku që u dogj edhe pse u tregua një ushtar i bindur deri në verbëri i shefit të tij.

Personalisht, sot, ndjej keqardhje për Ramiz Çobajn i cili edhe pse me metoda të cilat personalisht nuk i miratoj, arriti gjithsesi të tjetërsonte në favor të tij strukturat e Partisë Demokratike, pak me besnikët e tij e pak me dezertorët e Jozefina Topallit të cilët kuptuan se era po frynte në tjetër drejtim. Ai gradualisht bëri që mungesa e Topallit të ndjehej nga gjithnjë e më pak militantë. Riorganizoi grupseksionet dhe me vulën, të bekuar nga Lul Basha, nisi të mbillte farën e bashizmit në qytetin ku PD është kult. Për këtë atij iu desh të merrte parasysh një kosto të parashikueshme, hakmarrjen e “zonjës së hekurt”. Në realitet ai e pranoi sfidën duke mos imagjinuar aspak se do ta kishte ku e ku më e lehtë sesa u mendua. Zonja Topalli qendroi e tërhequr duke ia lehtësuar misionin si mëkëmbësit të Bashës, ashtu edhe ishëve të saj që vijuan rrugëtimin e tyre si mercenarë të bashizmit të sapo instaluar. Ajo i kurseu ata duke mos ia numëruar asnjëherë zullumet e madje duke u bërë jo rradhë mburojë që disa prej tyre të mos përfundonin me “byzylykë“ në duar. Kjo  edhe pse në fakt përkthehej me një bashkëpunim në afera, por të pa vërtetuara e madje as të përmendura ndonjëherë nga kundërshtarët.

E ndjerë e braktisur nga ata persona që njëherë e njëkohë nën hijen e saj vinin në rresht ministrat e qeverisë Berisha për të kryer punët e veta, Jozefina Topalli duket se e mbylli përkohësisht me Shkodrën, duke pritur me qetësi një rikandidim në listën e sigurtë të Tiranës. Megjithëse Basha nuk ia jepte aspak këtë pritshmëri, ajo kishte garanci tek raportet e ngushta prej dy dekadash me Sali Berishën, dhe tek fakti se mënyra e saj e të bërit politikë në parlament, ishte e pakontestueshme dhe e admirueshme nga cilido lider opozitar me mend në kokë. Përveç Lul Bashës.

Në fjalimet dhe përballjet e saj në parlament apo përpara gazetarëve, ish-nënkryetarja e PD-së do të përmendte më shumë se një herë me emra personazhet e botës së krimit, që nga ish-kolegu i saj në parlament, Mark Frroku e deri tek Shullazi e banda e tij. Karakteri i saj idhnak, e bënte që të fliste pa më të voglen diplomaci për këto emra të cilët nuk guxonin ti përmendnin edhe shumë burra të fortë në sallën e parlamentit. Jozefina Topalli, së bashku me Patozin, ishin të vetmit nga “plangprishësit” e Lulit që nuk flirtuan qoftë dhe një orë të vetme me Ramën, edhe pse me gjasë ndonjë shkelje syri e kanë patur. Ajo vazhdoi me të njëjtin ritëm të sulmonte ashpër qeverinë Rama, duke qenë jo vetëm më agresive dhe më e motivuar sesa lidershipi i ri i PD-së por edhe shumë herë më koherente dhe e qartë.

Megjithatë, kjo ishte e pamjaftueshme për Lul Bashën i cili për hir të së vërtetës bëri ekzaktësisht të njëjtën gjë të cilën do të bënte Topalli në rast ndërrimi rolesh. Eliminimin politik të kundërshtarit më të rrezikshëm. Askush nga idhtarët e mbetur të Topallit nuk dyshonte se Basha do digjte atë duke mos e përfshirë në lista, por të gjithë kishin qejf të mendonin se Sali Berisha do vinte veton për emrin e besnikes së saj. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi. Jozefina Topalli u dënua me moskandidim ndërsa Berisha dje lau duart nëpërmjet një editoriali të porositur Çim Pekës në të cilin kritikohet Basha se nuk paska “pjerdhur“ Berishën për listat.

Për ata që kanë sy e veshë, zonja Topalli, megjithë defektet e gabimet e bëra me Shkodrën, mbetet emri i vetëm fitues në këtë qytet. Ajo nga sot shfaqet për herë të parë e ekspozuar ndaj krimit të organizuar të cilin ajo e denoncoi me vendosmëri duke dhënë emra dhe fakte konkrete. Kjo për turp jo vetëm të Lul Bashës por edhe të Sali Berishës.

Nga ana tjetër dega e PD-së në Shkodër, e cila mirë apo keq mori njëfarë kursi nën drejtimin e Çobajt, sot ngjan me një anije pa kapiten e cila kushedi në cilin breg do të përplaset. Në një fushatë aspak të lehtë përballë të faktorizuarve PS, LSI e PSD e Tom Doshit, aksioni politik i drejtuesve të fushatës së demokratëve të Shkodrës do të jetë një jetim i paemër për fatin e të cilit u vendos në shtëpinë e kunatit të Lul Bashës. Demokratët e vërtetë të Shkodrës, ata që shkrinë jetën pas kësaj force, sot janë në dilemën e madhe se kush nga kandidatët do ketë forcë të përballet verbalisht me Tom Doshin apo Agron Çelën duke lënë mënjanë elokuencën akademike, krejtësisht e panevojshme në ditët e nxehta të një përplasje elektorale. Ndoshta Nard Ndoka!?
Unë se bëj dot orakullin të parashikoj sesi do jetë rezultati i zgjedhjeve të pas një muaji. Me një PS të Shkodrës copë – copë, apo me një LSI mjaftueshëm të demaskuar, PD do të kishte vërtetë një shans të artë për të marrë rezultat. Por Basha zgjodhi Republikën e Re të UET-it dhe dezertorëve të mbëtur në xhiro. Republikën e tij qesharake të cilës sot PD po ia sheh sherrin ndërsa në mbrëmjen e 25 qershorit do ia dëgjojë edhe krismën.
Taulant Kopliku

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 28/05/2017. Filed under Analizë,Politika. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento