Paulin Radovani: Kryesia e PD-së u kthye si anëtarët e Byrosë Politike

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 1295
Paulin RadovaniFlet Prefekti i Shkodrës, z.Paulin Radovani; për Shkodrën, PD-në dhe qeverinë socialiste.

Z. Radovani, siç është bërë e njohur, me nismën e deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim do të hartohet një paketë e re fiskale për biznesin fason, “paketa e integruar”. Ju si një përfaqësues i kësaj industrie dhe një ndër të parët që keni hedhur hapat në kushtet e ekonomisë së tregut të lirë, çfarë vështirësish keni hasur?

Unë kam patur fatin që në fillim të vitit ’91, kur ende nuk ishte hartuar ligji për mbrojtjen e pronës private, kur nuk kishin ndodhur ende ndryshimet kushtetuese në vendin tonë, të përfaqësoj të parën firmë fasoniste të madhe italiane në Shqipëri, në të cilën u emërova si administrator i deleguar. Gjatë viteve në vazhdim, kam provuar të punoj me firmat më të mëdha të kohës, disa prej të cilave edhe kanë falimentuar. Sot, familja ime administron një ndër fabrikat më të mëdha të Veriut, që nuk është vetëm fason, por bën edhe prodhime të gatshme. Më duhet të pranoj që nuk kam qenë kurrë i bindur se e kemi kuptuar fasonin në Shqipëri. Nuk kemi kuptuar se ky është një aktivitet që mund të punësojë qindra mijëra vajza dhe gra, mund të sjellë të ardhura në vend dhe mund të na krijojë një eksperiencë të mirë për të arritur në prodhime “Made in Albania”. Faktikisht, ne e kemi arritur këtë të fundit, pasi prodhojmë markën “Bertoni”, një prodhim shqiptar që bashkë me prodhime të të tjerëve, tregtohet në dyqane në Itali, në Zagreb, në Podgoricë, ashtu si në Shkodër, Tiranë etj. Për hir të së vërtetës, zhvillimi i kësaj industrie është në përpjesëtim të zhdrejtë me zhvillimin ekonomik të vendit, pasi sa më shumë të rritet ekonomia në vend, sa më shumë të rriten pagat minimale, aq më pak preferohet të punohet në këto aktivitete. Për këtë, mendoj se në gjendjen aktuale të Shqipërisë duhet rritur shpejtësia në drejtim të fasonit, pasi ekonomia jonë ka ende mundësi për të përfituar nga industria fason. Sa për nismën e LSI-së, mbetet për t’u parë aftësia e saj për ta realizuar atë, pasi e vërteta është se gjatë legjislaturave të 20 viteve të fundit, askush nuk ka ndërmarrë hapa konkretë. Do doja që vërtet të mund ta realizonte me sukses, pasi jo vetëm do të realizonte një element të programit të saj, por do të mbështeste aktivitetin që punëson numrin më të madh të femrave në Shqipëri. Unë mendoj se cilado qeveri që të jetë në pushtet, duhet të shkurtojë nëpunësit në administratën publike e të kursejë buxhetin e shtetit, për të krijuar kushte ndaj biznesit privat që të hapë më shumë vende pune. Në asnjë vend të zhvilluar, nuk ndodh që qeveria të hapë vende pune. Qeveritë e bëjnë më ekonomik drejtimin e vendit dhe krijojnë mundësi për biznesin. Për t’u rikthyer tek industria fason, ajo sot ka shumë probleme. Ndër të tjera, në rrjedhën e viteve ne kemi arritur deri edhe të shesim aktivitete e të marrim over-drafte, vetëm që të mos shkurtojmë punonjësit e të mund t’u paguajmë sigurimet. Një prej shqetësimeve më të mëdha të sektorit është garancia për faturën e eksportit. Shumë shpesh, faturat mbeten të palikuiduara, sepse kompanitë ndërrojnë emër apo falimentojnë. Vendi ynë, duke mos qenë anëtar i BE-së, nuk ka marrëdhënie me të e kështu, bizneset nuk e fitojnë asnjëherë të drejtën në gjykatat italiane. Do të duhej që bankat e nivelit të dytë në Shqipëri të merrnin përsipër, sigurisht duke llogaritur riskun dhe duke patur shtetin garant, garantimin e mbulimit të faturave deri së paku në nivelin 70%. Kështu, do të ishte mundësia për pagimin e rrogave, sigurimeve e detyrimeve të tjera. Një tjetër çështje, ajo e tatim-fitimit, është gjithashtu e rëndësishme, pasi fitimi i bizneseve fason është shumë i ulët. Unë do të sugjeroja që të paktën kjo taksë të ulej nën nivelin aktual 10%. Një taksë tjetër, e cila është totalisht absurde, është ajo e kontrollit në doganë, ku i duhet paguar shtetit për kontrollin që kryen mbi kamionët me mall. Kjo është e padëgjuar! Shteti duhet të marrë masa për rregullimin e gjendjes dhe duhet të mendojë të mbështesë me masa e reforma konkrete bizneset fason, pasi siç e theksova më lart, ndër të tjera, ato janë burimi më i madh i punësimit të femrave në vend.

Nëse nuk plotësohen kërkesat e biznesit fason, a mendoni se do ta braktisnit Shqipërinë për të investuar diku tjetër në rajon?

Nuk mund të them se do ta braktisja Shqipërinë, por di të them me siguri, se nëse shteti na braktis ne, ka braktisur veten. Ne kemi bërë gjithçka është e mundur. Shtetin e duam partner.

Në gjeografinë e vendit tonë janë asfaltuar qindra kilometra rrugë, janë çarë male duke ndërtuar tunele si ato të Rrugës së Kombit apo në aksin Tiranë-Elbasan, por përpara ndërmarrjes “Bertoni”, një segment i shkurtër në unazën e qytetit të Shkodrës, është i pakalueshëm prej gropave të shumta. Aty kalojnë çdo ditë mbi një mijë punonjës të kësaj fabrike, të cilët sigurojnë mbijetesën për më shumë se 20 mijë banorë të Shkodrës. A ju shqetëson ky realitet dhe a ndiheni sadopak i zhvlerësuar?

Për mëse një vit, kam qenë optimist se ky segment do të përfundonte bashkë me punimet për unazën e Shkodrës, duke iu ofruar banorëve lehtësi komunikimi, qarkullimi dhe shërbimesh. Por nuk kam lejuar që investimi të përdorej për propagandë politike, e pikërisht për këtë, i kam prishur marrëdhëniet me Partinë Demokratike. Tashmë nuk mund të justifikohemi më para opinionit publik. U bë një kohë e gjatë që ata presin dhe përballen me gjendjen e mjerueshme që iu përshkruhet. Nëse nuk realizohet ky investim, që nuk është përfshirë në buxhetin e këtij viti, do të jetë e njëjta arsye e fortë për të rivlerësuar qëndrimin në detyrën e Prefektit, të cilën e kam marrë jo për përfitime personale, por për të bërë sa më shumë ndaj bashkëqytetarëve të mi. Edhe nëse kjo do të ndodhë, gjë që unë nuk e dëshiroj, do të vazhdoj të mbështes LSI-në, sepse kam njohur realisht një forcë politike që është pranë njerëzve të biznesit dhe atyre në nevojë. Mbi të gjitha, po konstatoj se po realizon një partneritet të biznesit fason, të cilit i kam kushtuar mbi 20 vjet të jetës sime. Fakti që ky aks është lënë në gjendjen aktuale, ka qenë njëra prej arsyeve që më detyruan të divorcohem me PD-në, me të cilën jam angazhuar që në fillimet e saj, por asnjëherë nuk jam vlerësuar. Duke e gjykuar me gjakftohtësi këtë fenomen, si edhe mbylljen e një biznesi me 400 punonjës, mund të pohoj pa asnjë dyshim se kanë qenë manovra politike të individëve me pushtet në këtë qytet që kërkonin të më linin në hije. Unë gjithmonë kam mbajtur qëndrim të drejtë, pavarësisht se kë kam mbështetur.

Ju jeni Prefekt i qarkut të Shkodrës, ku qarkullojnë zëra se shpesh herë ju keni përdorur paratë tuaja për të riparuar makinën e Prefektit apo për investime publike. Sa e vërtetë është kjo?

Çështja nuk është se sa e vërtetë është, por se edhe sa do të më duhet të vazhdoj kështu. Nëse të tjerë kanë provuar që të mbajnë bizneset me pozitën e tyre, unë përpiqem të bëj të kundërtën. Sigurisht, kam patur edhe mbështetjen e bizneseve të tjera të Shkodrës, por kjo nuk është mënyra e duhur. E vërteta është se unë nuk kam nënshkruar qoftë edhe një herë një dietë, edhe pse pllakat apo mobiljet i kam mbuluar me paratë e mia, dua të theksoj se problemi nuk qëndron te shumat e vogla. Diçka duhet bërë për shifrat e konsiderueshme. Unë kërkoj vetëm të krijoj një imazh të ri për qeverisjen e Shkodrës. Nuk ka rëndësi nëse fiton e majta, apo e djathta.

Ju i keni kushtuar vëmendje të veçantë dhe përkushtim problemit të përmbytjeve. A keni gjetur mirëkuptimin e institucioneve qendrore?

Ka disa ditë që një grup specialistësh po punojnë për realizimin e një studimi për zgjidhjen e problemit të përmbytjeve të mëdha në Shkodër. Do i kushtohem këtij studimi e do kërkoj ndihmë, mbështetje dhe bashkëpunim siç ka ndodhur me zotin Farudin Hoxha, etj. Kjo ka më rendësi se karrigia e Prefektit. Jam i kënaqur që kemi vënë në rrugën e zgjidhjes problemin e mbetjeve urbane, që tashmë shkojnë në landfillin e Bushatit, dhe për këtë, duhet falenderuar deputeti Agron Çela për kontributin e tij të veçantë.

Z. Radovani, çfarë ndryshimi konstatoni duke krahasuar koalicionet PD-LSI me PS-LSI?

Koalicionet; i sotmi është normal, ka edhe një bazë programore, përgjithësisht flitet për të njëjtat shtresa mbështetëse; i pari (PD-LSI) ishte ironik pretendimi se ne i dhamë LSI-së 20% të pushtetit dhe prej nesh mori 20% të nëpunësve dhe askush nuk tha se në sajë të këtij 20%-shi, morëm 80% të pushtetit dhe jemi 80% në karrige prej asaj LSI-je, të cilën e nxorën për 24 orë “në asistencë”. Tani ndonjëri çuditet pse pas 45 minutëshit po ndërron portat.  Ditën që humbi  e djathta, atë ditë fitoi e majta, prandaj nëse do t’i mbash kronometrin koalicionit në pushtet se çfarë ka  bërë në këto muaj pas fitores, meqë e kanë kronometrin në dorë, pse nuk u thonë anëtarëve dhe militantëve të PD-së tash kaq muaj, pse humbëm. Të thuash se po vjedhin, kur  edhe po të dojë ndonjëri, nuk ka ç’ka me vjedhë veç në vjedhtë shokun, s’ka mbetur gjë me vjedhë, të tregojnë se ku i kanë lënë se ndofta edhe bëjmë ndonjë provë më vonë, kur të ketë lekë, shpresoj të mos tundohemi! Ankohen se na  hoqën drejtorët, që u bënë si agallarë dhe filluan të shkelin shokët me këmbë për një karrige e një tender, bile erdhën edhe nga jashtë se u bë “deti kos”! Pse anëtarët e Kryesisë së PD-së morën rolin e ish-anëtarëve të Byrose  Politike, që ishin edhe sekretarë të parë të rretheve?! Të mos humbasim  kohë me  justifikimet “blenë votat“, “mashtruan votuesit”, sepse nuk mund të pranojnë votuesit demokratë se mund të blihen dhe mund të shiten më lehtë se votuesit e majtë. Nëse ky është mendimi i disave është tjetër gjë, njeriu bën shumë gjëra për të kaluar klasën, por dyshoj se po të bëjnë një analizë në bazë, do t’u thonë të vërtetën. Është normale të humbësh pas 8 viteve pushtetin, por është jo normale që nga dehja e pushtetit, të dëmtosh partinë. Problemi për demokratët nuk duhet të jetë pushteti, por partia. Mendoj se duhet lënë koalicioni qeverisës të punojë, kanë fituar të drejtën nga votuesit. Nuk u rrëzuat me mitingje, është  herët për protesta. Aq më tepër të protestosh pa filluar mirë punë një koalicion tjetër fitues.

Çfarë pengon që deputetët apo përfaqësuesit e politikës të shohin përtej ngjyrave e interesave partiake kur bëhet fjalë për projektet që përmirësojnë jetën e qytetarëve?

Unë kështu kam qenë gjithmonë me demokratët kur kanë patur sadopak të drejtë. I kam mbështetur, nuk u kam kërkuar asnjëherë një favor, por kur më është mbushur mendja se po abuzohet, më kanë patur më opozitë se opozitën. I kam kritikuar dhe u kam dhënë voten. Në fakt, kur  thuhej se grupi i këshilltarëve do mblidhej te Partia Demokratike nuk kam shkuar, apo kur për ndonjë qëndrim pa na pyetur fare na thuhej është qëndrim partiak (!) dhe duhet të votohet, më dukej si me më sha, pra pa personalitet. E kam ndjerë veten të lirë, e kam patur  vështirë me u vu në rresht, sepse më kujtohej kur isha drejtor e raportoja para Organizatës së Partisë, pa mbaruar  raportimi, thuhej të ftuarit të dalin jashtë, dilja edhe unë drejtori, e më vonë dëgjoja se më shumë në organizatë ishte folur për drejtorin, sesa për punën. Unë i njoh siç më njohin, me të metat e mia, veç një gjë e dine, se unë kam dëshirë për të punuar, e këtu ndryshojmë pak, ndaj i ftoj hajdeni të punojmë bashkë, pasdreke shkoni në cilën parti të doni, në punë nuk duhet të ketë qëndrim partiak. Kam ngritur shumë problem për probleme të ndryshme, dhe në veçanti, për përdorimin ndryshe të ndihmës ekonomike. I kam ironizuar në sy për strategjitë e punësimit, përse harxhohet më shumë për blerje katesh të apartamenteve, për ambjente si zyra dhe laboratore, ndërsa për  biznesin nuk kishte as punonjës me minimum kualifikimi. Kam qenë i drejtpërdrejtë, ua kam thënë në sy se ato para që jepen për të punësuar të papunët, shkojnë në xhepat e atyre që janë në punë etj. Kam kërkuar një paketë ligjore për nxitjen e hapjes së vendeve të punës në zonat  e varfra të vendit, për nevojën e zhvillimit e nxitjes së eksporteve etj. Ndërsa tek LSI-ja shikoj një forcë politike që e trajton me forcë veçanarisht këtë problem, sepse fason nuk është thjesht vende pune, është ekonomi e së ardhmes, sepse nga kjo përvojë kemi krijuar  markat tona të prodhimit. Unë ndjehem i gëzuar që mbas 20 viteve në këtë aktivitet, fëmijët e mi bëjnë takime vetëm me të huaj dhe kanë hapur dyqane me markën e këpucëve në emër të tyre edhe jashtë vendit, këtë duhet ta shohim si fund të fasonit një ditë, jo të themi se fasoni ikën, sa të rritet paga minimale. Jo, do të ikë uji po do ngelet zalli, shqiptarët do kenë markat e prodhimeve të veta në veshje, këpucë etj. Prandaj do e  mbështes LSI-në.

Kur e pranova detyrën e Prefektit, nuk kam patur ndonjë kënaqësi, megjithatë mendova se ato që kam kritikuar, t’i provoja, t’i rregulloja. Mendova se do bashkëpunonim edhe  në kushtet kur në Shkodër janë mësuar t’i hapin dyert me  parti, para, dhe duke patur pushtetin prapa, mendova se do të zëvendësoja sloganin “Partia para” me përfaqësuesin e qeverisë para, por ata kujtuan se unë do isha Pal Mëlyshi në çetë të diversantëve! Unë jam prefekti dhe nuk do e shkel vijën. Parimi im është të jemi shokë, por secili në pozicionet e tij, i gatshëm të hyj aty ku të tjerët nuk e ndihmojnë  qytetin. Nga ana tjetër, ankohen se po fute hundët ku nuk i  takon dhe thonë “Çfarë kujton se është ky”, se janë mësuar me “Prefekt copë një”. Unë u them gjithnjë hajdeni të punojmë  bashkë, në fakt e kam të  vështirë t’i kuptoj! Kanë patur shumë mundësi për të ndryshuar shumë gjëra, por mendjen e kishin vetëm për të rehatuar vetveten dhe për të udhëtuar jashtë. Pse nuk dërgonin edhe të tjerë në seminare, por mbetën avionëve sa në një shtet, në një shtet tjetër. Udhëtimet e tyre jashtë vendit, nuk kanë sjellë asnjë investim në Shkodër, veçse bënin shoë me binjakëzimet me shtete e rajone, me kë nuk na kanë bërë binjakë e djem tezesh…, janë bërë me marrë vizë me hy në  Shkodër! Janë shumë gjëra për të diskutuar e zgjidhur në Shkodër, nuk kemi gjë me nda për qytetin tonë. Kur shkoj në zona si tek lagja “Mark Lula”, apo zona të tjera për të organizuar pastrim plehurash, mendoj a e dinë  pushtetarët e Shkodrës se edhe kjo është pjesë e Shkodrës? E pëlqej shumë qendrën e qytetit, por realiteti është se shumica e qytetarëve shkodranë nuk kanë fatin të ecin në të, e ne duhet të punojmë edhe për të tjerët që jetojnë në jashtë qendrës së qytetit. Nëse hyn nga Bordi i Kullimit dhe kaloni mbi shtëpitë tek shinat e trenit do të shikoni një Shkodër, për të cilën do ndjeni keqardhje. Dhe çdo drejtues dhe deputet i Shkdorës do ta kuptojë edhe më mirë se çfarë mund të bëhej diçka më tepër për këta banorë, që me muaj të tërë rrinë edhe pa ujë. E kam përsëritur shpeshherë në televizionet lokale se e “kena mendjen tek pedonalet e karnavalet”, nuk kam patur qëllim të ofendoj njëri, por kam patur dhe kam si qëllim që edhe këto pjesë të Shkodrës duhet të jenë pjesë e qytetërimit të qytetit tonë të dashur. Një arsye tjetër, që unë u shkeputa nga e djathta, sepse shumë gjëra nuk më pëlqyen sidomos mandatin e dytë, veçanërisht loja elektorale me rrugën para  fabrikës ku punonin rreth 1 mijë vetë, por nëse e majta nuk e përfundon këtë unazë këtë vit, nga gjendja e trishtuar e rrugës, ku edhe të vdekurit nuk po i çojmë normal në banesën e fundit, për shkak se është lënë pa përfunduar rreth 20% e punimeve aty si dhe në daljen tek rruga për Han të Hotit, atëherë prefekti mban krahun, pra, largohem nga detyra që ushtroj aktualisht. Është në dinjitetin tim, unë nuk  mundem të marr përsipër të kapërdij atë ç’ka kam thënë për atë rrugë, nuk mund t’i mbaj shkodranët me rrena, kjo ka vlerë shumë të madhe për mua, jo prefektura. Rruga duhet mbaruar, jo për prefektin, por  për shkodranët.

Një problem tjetër aktual është përmbytja e herëpashershme e Shkodrës. Dhe të ashtëquajturën zgjidhje e kanë nepërmjet emergjencës së ndërtimit, ku komuna e firma kanë gjetur veten në punë, nëpërmjet fondeve duke fillluar me batanije, ushqime, dhe duke përfunduar me vërtetime dëmesh dhe pak të likujduara. Në fakt, zgjidhja e vërtetë kërkon të ketë një master plan që të mos harxhojmë  gjithnjë  për të luftuar pasojat, por  edhe shkakun. Për këtë qëllim jemi duke përgatitur së bashku me një grup specialistësh një studim. Ideja është që Drini të dërgojë deri në Bunë vetëm prurjet e nivelit që kërkon marrëveshja me fqinjët, ndërsa prurjet mbytëse, bashkë me to edhe shkarkimet e H/C të kalohen me një kanal direkt për në det e drejt urës së Gjolulit. Kjo është një sfidë tjetër e imja si prefekt i Shkodrës për t’i dhënë të drejtën e qytetarisë, shkodranëve, të cilët e meritojnë.
Intervistoi: Tom Therçaj/Koha Jone

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 16/03/2014. Filed under Analizë,Politika. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento