Në Shkurt të 2012-tës, Topi me parti të re

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 1905
Kreu i shtetit po kthehet në një kërcënim serioz për kryeministrin Berisha dhe shumicën e tij të arnuar me parti majtas dhe djathtas. Që pas shpalljes së projektit, për krijimin e një lëvizjeje të re politike në gjirin e së djathtës, kryetari i shtetit, Bamir Topi, e ka intensifikuar aktivitetin e tij, gjithmonë duke u kamufluar me postin e Presidentit të Republikës. I vetëdijshëm se ky do të jetë mandati i tij i fundit si President i Republikës, prej disa javësh, Bamir Topi, ka nisur një tur intensiv nëpër rrethet e Shqipërisë, në funksion të lëvizjes së re politike, e cila pritet të kristalizohet menjëherë pas mbarimit të mandatit. Megjithëse vetë Topi e ka konsiderua turin si brenda misionit të Presidentit, pas këtyre lëvizjeve, duket qartë se fshihet angazhimi për të projektuar bazën e partisë së tij së ardhshme. Deri më tani, mësohet se janë ngritur grupet e punës, grupe të cilat së shpejti do të angazhohen për organizimin e strukturave të para. Nga burime pranë bashkëpunëtorëve të ngushtë të Topit, mësohet se lëvizja e re politike do të marrë formë në muajt e parë të vitit 2012. Më konkretisht, në periudhën Janar-Shkurt të vitit 2012, është planifikuar kristalizimi i partisë së re. Pjesë e kësaj lëvizjeje do të jenë emra të njohur të së djathtës, si Besnik Mustafaj, Aleksandër Biberaj, Sali Shehu, Omer Stringa, Eduard Selami etj. Formacionit pritet t’i bashkohet edhe grupi i figurave të PD që drekuan me Topin në Vlorë. Këtu përfshihet, Bujar Leskaj, Pal Dajçi, Sami Gjergji, Mevlan Xhindole, Jak Ndoka, Engjëll Cara, Dash Sula, Rexhep Uka, Gëzim Karapici etj. Ndërkohë, pas rrëzimit të Sali Shehut nga PD, Topi ka fituar shumë kapital politik, pasi ka përçarë më tej shumicën e Berishës, ndërsa ka forcuar mbështetjen ndaj tij. Këtë mision Topi është i vendosur ta vazhdojë edhe për disa ditë, duke provokuar mazhoranca me kandidatura për kreun e KLSH dhe për Guvernatorin. Pas Sali Shehut, Topi pritet të fusë në lojë Bujar Leskajn, për kreun e KLSH, kandidaturë e cila pritet të rrëzohet nga mazhoranca.

Turi i takimeve
Pa ndonjë arsye konkrete që lidhet me detyrën e tij si President, Topi po zhvillon takime me përfaqësuesit e qeverive vendore në të gjitha bashkitë e vendit, ku në çdo rast komenton zhvillimet e fundit politike, si konfliktin me Berishën, censusin, ligjin e plehrave, dështimin e statusit etj. Kreu i shtetit ka dhënë edhe mesazhe politike, të cilat duket se do të jenë edhe slogani i lëvizjes së tij të mëvonshme. Pothuajse në çdo takim, kreu i shtetit ka deklaruar se Shqipërisë i duhet një vizion i ri politik, se shqiptarët nuk e meritojnë këtë klasë politike, ndërsa ka shigjetuar Berishën për plehrat dhe dështimin e statusit. Megjithëse Berisha u ka dhënë urdhër vendorëve demokratë të bojkotojnë çdo takim të Topit, ky i fundit është pritur në mënyrë madhështore, sa që të krijon idenë se është drejtues i një partie të madhe. Për të krijuar këtë atmosferë, Topi ka shfrytëzuar të pakënaqurit e PD në bazë nga arroganca dhe arbitrariteti përfaqësuesve në drejtori apo qarqe të ndryshme. Ky kontingjent pritet të jetë edhe baza e partisë së tij të re.

Avantazhet
Publikisht, përveç Edi Ramës që e mbështet hapur këtë përpjekje të kreut të shtetit për ndarjen e elektoratit të djathtë, Topi do të shfrytëzojë edhe një vit privilegjet që i jep posti i kreut të shtetit përmes emërimeve në drejtësi dhe dekorimeve të ndryshme siç ka bërë në javët e fundit. Ndërsa në politikën e padukshme ai prej kohesh ka rrethuar në qark të pakënaqurit e PD- për t’i joshur, duke mos fshehur më as takimet publike me ta. Dhe për këtë ka nisur dhe një tur takimesh duke zyrtarizuar divorcin politik me PD-në. E jo me kot e nisi nga Shkodra duke fokusuar kështu edhe personat të të cilët tenton të mbështesë pakënaqësinë ndaj PD. Kjo lojë me demokratët në rrethe ia kalon përgjegjësinë e përfaqësuesve të PD, të cilët tashmë nuk duhet e nuk mund të injorojnë asnjë kontestim dhe përçarje brenda forumeve.

Figurat pro Topit

Besnik Mustafaj
Gazmend Oketa
Eduard Selami
Aleksandër Biberaj
Bujar Leskaj
Sali Shehu
Omer Stringa
Bujar Leskaj
Pal Dajçi
Sami Gjergji
Mevlan Xhindole
Jak Ndoka
Engjell Cara
Dash Sula
Rexhep Uka

Topi, në Sarandë: Duhet një imazh i ri politik

Presidenti i vendit, Bamir Topi, ka ripërsëritur apelin për dialog e bashkëpunim mes palëve për të kaluar krizën politike. Gjatë turit të tij, Topi u ndal dje në Sarandë, ku i ka bërë edhe një apel politikës shqiptare. “Dialogu e bashkëpunimi janë në funksion të një imazhi të politikës së re, asaj për qytetarin”, tha Topi. Kjo ka qenë dhe deklarata e vetme politike gjatë ndalesës në komunën Xarë, ku ka përgëzuar banorët që pas jetës së vështirë në emigracion kanë ringjallur kulturën bujqësore në vendin e tyre. “Është kënaqësi të shohësh impenjimin për kultivimin e prodhimit tradicional vendas. Bashkëpunimi e shkëmbimi i eksperiencës i shërbejnë rritjes së standardit të jetesës,” tha Topi.

Lëvizja e Topit, lëkunden strukturat e PD

Shpallja e projektit nga Bamir Topi për krijimin e një formati të ri politik në gjirin e së djathtës, u ka dhënë goditjen e parë strukturave të Partisë Demokratike. Vatra e tensionit dhe përçarja e figurave drejtuese të PD, është reflektuar fort në bazën e Partisë Demokratike. Edhe pse kanë marrë urdhër nga lart për të mos marrë pjesë në asnjë takim të Topit, jo të gjithë demokratët i janë bindur urdhrit të Berishës. Sinjali i parë erdhi nga qytetit i Burrelit, ku anëtarët e PD në këshillin bashkiak u ndanë në dy pjesë: pro dhe kundra Berishës, kur vendosën që të vlerësojë presidentin Bamir Topi me titullin Qytetar Nderi. Po ashtu, edhe në Shkodër u shfaqën parullat “Mirëserdhe President” nga anëtarë të PD. Parullat u hoqën menjëherë nga policia, me urdhër të PD. Celulat e para pro Bamir Topit dhe kundër Berishës janë shfaqur edhe Lushnjë, Pukës, Fier, Gjirokastër etj. Burime nga PD e Lushnjës bëjnë me dije, se ndonëse në fshehtësi, janë krijuar grupet e para, për themelimin e partisë së Topit në këtë qytet.

Kreu i shtetit, pritet nga vendorët e Sarandës

Në ditën e dytë të vizitës së punës në jug të vendit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Nënprefekti i Sarandës, Gjergji Mano, vizitoi Komunën e Xarës, ku u mikprit nga Kryetari i saj, Dhimo Kote, nga Kryetari i Komunës Aliko, Kristo Kaishi, përfaqësues të pushtetit vendor dhe banorë të shumtë të fshatrave përreth. Kryetari i Komunës Xarë, z. Kote, pasi falënderoi Presidentin Topi për vizitën, bëri një prezantim te shkurtër të arritjeve e përpjekjeve të vendasve vitet e fundit për zhvillimin e zonës, me moton: “Shqipërinë e duam me punë, e jo me fjalë”. Kreu i Shtetit zhvilloi një takim të veçantë me fermerët vendas, duke u ndalur në një plantacion agrumesh dhe ullinjsh, ku u njoh nga afër me punën e prodhimet e tyre, si dhe me disa nga problemet që ata hasin gjatë aktiviteteve bujqësore. Gjatë këtij takimi, Presidenti Topi shprehu kënaqësinë e veçantë që vëren një impenjim të madh të fermerëve për kultivimin e prodhimit tradicional vendas.
Adriatik Doçi/Gazeta Sot

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 11/11/2011. Filed under Politika. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.