Ministria e Arsimit vendos: Ndalohen shamitë dhe kryqet në shkolla

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3050
Vetëm një vit pas miratimit të ligjit që ndalonte diskriminimin e shamive dhe kryqeve në shkolla, ligji i arsimit parauniversitar vjen ndesh me të. Nëse deputetët e kalojnë pa ndryshime ligjin e ri për arsimin parauniversitar, do të vendosin në pozitë të vështirë gjykatësit, të cilët do të kenë dy ligje në dorë: një që ndalon shamitë dhe kryqet në shkolla dhe një tjetër që ndalon ndalimin e shamive dhe kryqeve. Kjo, pasi vetëm një vit pas miratimit të ligjit antidiskriminim, që shprehimisht ndalonte diskriminimin e çdo personi që mbante simbole fetare në çdo institucion në vend, projektligji i ri i arsimit parauniversitar përcakton ndalimin e këtyre simboleve në shkolla.

Projektligji

Në nenin 36, pika 4 e projektligjit të ri të arsimit parauniversitar shprehet se “ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare”, çka do të thotë se do të pezullohen të gjithë nxënësit që mbajnë simbole fetare, pra shami, kryqe apo qoftë edhe mjekër në vijimin e shkollës nëntëvjeçare apo shkollës së mesme.

Projektligji parashikon që “në institucionet arsimore ndalohet organizimi i veprimtarive partiake dhe/ose fetare me nxënësit ose punonjësit e tyre; në institucionet arsimore ndalohet indoktrinimi ideologjik i nxënësve” si edhe se “ndalohet që nxënësit të detyrohen nga punonjësit e institucionit arsimor që të marrin pjesë në veprimtari partiake dhe/ose fetare ose në veprimtari të tjera që nuk janë parashikuar në planin e veprimtarive të institucionit”.

Ligj kundër ligjit

Por, ajo çka përbën habi, është se vetëm një vit më parë u miratua ligji që ndalonte çdokënd të diskriminonte personat që mbanin simbole fetare, i votuar ky pro edhe nga ministri i Arsimit, z. Myqerem Tafaj, që tashmë do të propozojë të kundërtën.

Bëhet fjalë për nenin 10 të këtij ligji, i cili shprehimisht garanton lirinë e besimit dhe duke e kuptuar më qartë, vajzat me shami, djemtë me mjekër, homoseksualët etj. të mos përjashtohen nga jeta publike, institucionet apo nga drejtorët e shkollave, sepse veshja apo sjelljet e tyre nuk u pëlqejnë. “Ne kemi vendosur në ligj atë që përcaktohet aktualisht në Kushtetutë”, – tha atëherë për “Standard” deputeti Tritan Shehu. Porse, tashmë, nëse një rektor a drejtor shkolle do të përjashtojë apo do të dënojë një nxënës për shkak të shamisë, mjekrës, kryqit a simboleve të tjera fetare që ai pasqyron në shkollë, atëherë ai nuk do të krijojë më një debat publik, pasi, sipas ligjit, ai do të dënohet me një gjobë deri në 10 mijë dollarë e ndërkohë që vendimi do të kthehet në nul brenda pak ditësh.

Që të përjashtosh një vajzë me shami nga shkolla apo çdo njeri që beson në fe dhe e shpreh në forma të ndryshme, do të duhej një ligj i veçantë nga Parlamenti, por ky ligj mund të kalojë vetëm me procedura specifike, që nuk i përmbush ligji i arsimit parauniversitar, pasi duhet të jetë ligj për ndalim të përkohshëm të të drejtave të njeriut, siç parashikohet në Kushtetutë.

Altin Hazizaj, drejtuesi i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri dhe një prej propozuesve të ligjit, u shpreh atëherë për gazetën se në nenin 10 është garantuar e drejta e besimit fetar. Duke iu referuar rastit të vajzave me shami, Hazizaj shprehet se “sa herë që vajzat janë përjashtuar, Avokati i Popullit ka kërkuar kthimin e tyre”.

Sipas tij, ligji për mbrojtjen nga diskriminimi është një garanci për të zbatuar më tej legjislacionin, i cili gjithnjë ka qenë në mbrojtje të vajzave me shami. Hazizaj shprehet se neni 10, pika 2 thotë se “ndalohet veçanërisht diskriminimi sa i takon ushtrimit të së drejtës dhe lirisë së ndërgjegjes e të fesë, kur këto të drejta e liri kanë të bëjnë me shprehjen e shfaqjen e tyre në jetën publike nëpërmjet fjalëve ose paraqitjes”.

Kjo duket se do të risjellë tashmë debatin me projektligjin e ri të propozuar për arsimin parauniversitar, që vendos në pikëpyetje ligjin e kaluar, duke krijuar një kakofoni ligjore me dy ligje ku njëri kundërshton tjetrin.

Ardit Bido/Gazeta Standard

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 14/12/2010. Filed under Arsimi shqiptar,Ligji. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.