Mercenarizmi, mendësia e rreshtit dhe liria

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 4615
Kush heq dorë nga liria për të mbërritur sigurinë, ai nuk e meriton as lirinë dhe as sigurinë (B. Franklin)
Mercenarizmi ka reshtur së qëni një fenomen dhe është shndërruar në një mënyrë të rëndomtë të jetuari, që as nuk bie më në sy. Mendësia e rreshtit është ajo që jep siguri, teksa në kohët e sotme bëhet përherë e më vështirë të takosh njerëz të lirë. Ka njerëz që thonë se janë të lirë nëpër tryezat e bareve, njerëz që shkruajnë për lirinë me tone patetike, njerëz anarshistë, arrivistë, komplotistë, falangistë etj, që mënyrën e tyre të të jetuarit përpiqen ta shesin si liri, por njerëz të lirë vështirë se gjen.

Nëse të qëllon të shohësh se dikush ligjëron rrjedhshëm nëpër gazeta dhe tv, nuk duhet të jesh edhe aq i sigurtë se po thotë ekzakt mendimet e tij. Në shumicën e rasteve i marrin të gatshme nga dikush tjetër, ndërfusin idetë e pikëpamjet e të tjerëve në ligjërimin e tyre, ose thjesht recitojnë pikëpërpikë detyrat e shtëpisë që ia ka dhënë tjetërkush, në mënyrë direkte a indirekte. Ky tjetërkush mund të jetë një filozof i vdekur a një kryetar partie i gjallë, shefi i njëzyre apo bosi i një firme, një interes vetiak për t’u mbrojtur apo një borxh për t’u larë, servilizëm i lindur ose ca para për t’u marrë, një porosi për t’u çuar në fund apo një sulm i porositur. Sa për atë që flet, ai në shumicën dërrmuese të rasteve është thjesht një qendër zëri, një megafon, një amplifikator, pra një send. Një shprehje sufijsh thotë: “Mos i jep rëndësi atij që flet, por atij që e bën atë të flasë”.

Kuptohet, kjo është një shprehje me karakter të thellë teozofik e mistik, por e reduktuar në përmasën dhe në nivelin e psikës së sotme shqiptare, e vizaton më së miri mungesën tonë të lirisë. Një nga pamjet që më fanitet vazhdimisht para syve, (edhe pse e zbukuruar me mjaft detaje nga imagjinata) është Sokrati në burg, në pritje të ekzekutimit me vdekje. Dhe qetësia e tij e brendshme, dhe nxënësit e tij, Kritoni, Fedoni e të tjerë, që i luten të arratiset, dhe diskursi i mrekullueshëm përmes të cilit ai mbron vendimin e dënimit të tij me vdekje. Kjo është pamje. Ai burrë i madh e dinte mirë se është mënyra e të jetuarit dhe e vdekjes janë ato që pohojnë më së miri fjalën. Pra, e di se gjendet në çastin kur qëndrimi i tij para vdekjes ka rastin ta madhërojë qëndrimin e tij filozofik. Dhe vdes duke mbetur në histori si një ndër martirët më të mëdhenj të fjalës. Ja një njeri i lirë.

Shumica e martirëve të tjerë të fjalës ecën në hullinë e tij. Sa herë, nëpër biseda me miq, arrijmë në konkluzionin e përbashkët se njerëzit janë gati të luftojnë rëndom për të mbrojtur atribute dhe vlera të dukshme si, mall, gjë, pasuri e vlera materiale. Fjala vjen, nëse dikush kërkon t’i marrë këpucët apo xhaketën një tjetri, ai është kurdoherë gati t’i hidhen në grykë grabitësit, por nëse i merr lirinë, nuk bën zë sepse nuk e di se çfarë je duke i marrë. Në rastin e parë bëhen agresivë sepse mbrojnë diçka së cilës ia dinë vlerën, diçka që e shohin dhe e prekin. Kurse në rastin e dytë nuk reagojnë sepse je duke i marrë diçka abstrakte, diçka të cilën nuk e di a e zotëron ndopak, le pastaj të pretendosh t’ia dijë vlerën. Nëse humbasim diçka dhe nuk e dimë se ç’është, ky është vërtetë fundi. Them se këtu do kërkuar edhe shkaku i kollajllëkut me të cilën instalohen diktaturat në Shqipëri.

“Ab Iove principium” thonë latinët, duke na këshilluar se ka një hierarki që do respektuar përsa u përket vlerave tona njerëzore. Me pak fjalë duhet filluar që prej më të rëndësishmeve. Nëse “Iove” (Jupiteri) e zëvendësojmë me “Liria”, them se kemi kuptuar gjënë më thelbësore, pikërisht atë që na bën njerëz. Sepse nuk besoj se është edhe aq forma ajo që na bën njeri, sa ç’është përmbajtja dhe vetëdija mbi vlerat njerëzore.

Është e vërtetë që një nga periudhat më të rënda të mohimit të fjalës së lirë ka qenë ajo e diktaturës komuniste. Këtë e dimë të gjithë tashmë. Por, duhet pranuar se asokohe, të gjithë në që rrinim gojëkyçur dhe ndjenim të na kalbej përbrenda liria e pashprehur, kishim të paktën një justifikim të forte, mbas të cilit fshiheshim dhe ndjeheshim të ngushëlluar për pamundësitë tona. Justifikimi quhej “diktaturë”. Të gjithë ia kishim mbushur mëndjen vetes se, po të mos qe diktatura, do thonim e do shpreheshim e do bënim e do arrinim e do realizoheshim, e do… e do… e do… Pra, e kishim gjetur fajtorin. Është ngushëlluese apo jo? A s’vihen të gjithë në kërkim të një fajtori nëse punët nuk u shkojnë mirë e se nuk u ecin planet që kishin për vetërealizimin? Me ta gjetur fajtorin ndjehemi shumë më mirë. Por, pyetja është: Po tashti që fajtori nuk është më, çfarë na pengon? Dakord, po e pranojmë që fajtori është gjithsesi, por prapë duhet të heqim dorë së kërkuari thjesht sepse fajtori-diktaturë, që për ne kishte pamjen e një individi, tashmë është shndërruar në shumë fajtorë të tjerë. Tashmë fajtori që shkakton mungesën tonë të lirisë mund të jetë çdokush që ka në dorë sigurinë e jetës sonë materiale, pra mund të jetë një aksh i çfarëdoshëm që shfaqet çuditërisht i plotfuqishëm brenda sistemit.

Konceptin tonë për fajtorin mund ta ilustrojmë me matrioshkën ruse. Mbas secilës figurë fshihet një tjetër figurë, e kështu me radhë. Në këtë rast, a s’është më e udhës të heqim dorë nga kërkimi i fajtorit dhe t’ia paguajmë lirisë taksën që kërkon. Këtë e bëjnë njerëzit e vërtetë, njerëzit që kanë vetëdije. Por ata që janë gati t’ia paguajnë haraçin lirisë së tyre janë fare pak. Shumica kërkon sigurinë, njëfarë sigurie të flashkët të cilën më pëlqen ta ilustroj me parabolën e mullarit të sanës, apo të barit të thatë. Nëse shkon tek ca lopë që ushqehen ngeshëm tek mullari dhe u thua se diku më tutje është një livadh me bar të njomë, për një hop ato maten t’ia mësyjnë për atje, por…në çastin e fundit tërhiqen. Sepse arsyetojnë kësisoj: “Dakord, mund të shojmë tek livadhi…por, po sikur lajmi të jetë i rremë? Bari i njomë është i mirë, por askush nuk na garanton aq sa duhet në lidhje me ekzistencën e tij.

Kurse mullari të paktën na jep siguri.” Kështu janë disa njerëz, si lopët e parabolës: kërkojnë sigurinë duke arsyetuar si lopët e parabolës. Në lidhje me këtë formë arsyetimi, i madhi B. Franklin thotë: “Kush heq dorë nga liria për të mbërritur sigurinë, ai nuk e meriton as lirinë dhe as sigurinë”. Ndërsa po t’u përmbahemi asaj që thotë Kierkegaard në lidhje me stadet ekzistenciale në të cilat mund të gjendet njeriu, atëherë le ta themi pa frikë se, përgjithësisht, njeriu shqiptar është në stadin estetik. Duke qenë i përqëndruar në kënaqësinë e çastit dhe dëshirën për të jetuar të sotmen, them se do t’i duhet punë sizifike për t’u ngjitur në dy stadet e tjera, etike dhe religjioze.

Do të doja të isha gabim, e më vjen vërtetë keq, por nganjëherë më krijohet ideja se vuajmë nga një lloj prirjeje e trashëguar rekrutuese dhe mercenariste. Mesa kuptoj në këtë vend është krejt e mundur të gjesh ushtarë për të përmbushur gjithfarë planesh apo idesh, pse jo edhe të dëmshme për bashkësinë. Panoramën më të mirë të mungesës së lirisë së individit- simbas mendimit tim bota s’është tjetër veçse një shumësi individësh që kanë humbur kujtesën e lirisë-, na e japin televizionet dhe shtypi i shkruar përgjithësisht. Është shumë e vështirë të pikasësh një zë të lirë njerëzor që është shkëputur nga orkestra dhe ka dalë si tingull më vete. Nëse për një çast të krijohet ndonjë përshtypje e tillë, nuk vonon shumë për t’u shfaqur zhgënjimi i radhës. Psikologjia e rreshtit është e kudopranishme. Të gjithë shërbejnë. Nëse ka hierarki, kjo lidhet vetëm me rangun e shërbimit por me asgjë tjetër. Nëse ekziston liri, ajo nuk është liri që rrjedh nga vetëdija dhe virtyti, por thjesht liria e shërbimit. Personalisht mendoj se liria fillon e mbaron me fjalën. Duket si diçka e lehtë, por në fakt është shumë thelbësore. Nëse ka nga ata që mbërrijnë deri tek liria e fjalës, dijeni se ia kanë paguar e janë gati t’ia paguajnë të gjitha taksat kësaj lirie. Në këtë rast fjala nuk është fjalë, por mënyrë jetese.

Them se liria është atributi më i fisëm që mund të ketë një individ, por atë nuk mund ta kenë të gjithë, sepse përbën një barrë vërtetë të rëndë. Të dobëtit zgërlaqen nën peshën e saj dhe vetëm njerëzit e vërtetë lartësohen. Liria buron drejtpërdrejt nga virtyti dhe është pamja më e qartë dhe më domethënëse e dinjitetit të individit, por mjerisht kohët kanë vërtetuar se mund të rrohet fare mirë pa të.
Shpëtim KELMENDI/Lajmishqip.Com

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 28/05/2010. Filed under Mendimi shqiptar. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.