Kushtetuta e Shqiperise Neni 64-73

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2418
PJESA E TRETË
KUVENDI
KREU I

ZGJEDHJA DHE AFATI
(Ndryshuar me ligjin Nr.9904, datë 21.4.2008, neni 1)

Neni 64
1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore.

2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo- territorial.

3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

Neni 65
(Ndryshuar me ligjin Nr.9904, datë 21.4.2008, neni 2)

1. Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast,
Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur.

2. Zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit. Periudhat zgjedhore dhe rregullat për thirrjen e zgjedhjeve për Kuvendin përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

3. Në rast shpërndarjeje të Kuvendit para përfundimit të mandatit të plotë, zgjedhjet thirren jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij.

4. Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme.”.

Neni 66
Mandati i Kuvendit zgjatet vetëm në rast lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo. Kur Kuvendi është i shpërndarë, ai rithirret vetiu.

Neni 67
(Ndryshuar me ligjin Nr.9904, datë 21.4.2008, neni 3)

1. Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Kur Kuvendi paraardhës është shpërndarë para mbarimit të mandatit, Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e ri jo më vonë se 10 ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve.

2. Në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi vetëmblidhet në ditën e dhjetë të afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni.

KREU II

DEPUTETËT

Neni 68
(Ndryshuar me ligjin Nr.9904, datë 21.4.2008, neni 4)

1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

2. Në ligjin për zgjedhjet përcaktohen edhe kritere dhe rregulla të tjera të nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, duke përfshirë ato për regjistrimin e zgjedhësve, zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, vlefshmërinë e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultateve të tyre.

Neni 69
1. Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra:
a) gjyqtarët, prokurorët;
b) ushtarakët e shërbimit aktiv;
c) punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar;
ç) përfaqësuesit diplomatikë;
d) kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre;
dh) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve;
e) Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.

2. Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni është i pavlefshëm.

Neni 70
1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues.

2. Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj.

3. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.

4. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton
papajtueshmërinë.

Neni 71
1. Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve.

2. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit:
a) kur ai nuk bën betimin;
b) kur heq dorë nga mandati;
c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3;
ç) kur mbaron mandati i Kuvendit;
d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend;
dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Neni 72
Para fillimit të ushtrimit të mandatit deputetët bëjnë betimin në Kuvend.

Neni 73
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe për votat e dhëna prej tij. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.

2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet.

3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i
cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.

4. Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi vendos me votim të fshehtë.

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 09/05/2010. Filed under Kushtetuta e Shqiperise. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.