Kodi Penal i Shqiperise(2008) Neni 106-170

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 4629
Neni 106
Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona
në gjini ose nën kujdestari
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 22)
Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale ndërmjet prindit dhe fëmijës, vëllait
dhe motrës, ndërmjet vëllezërve, motrave, ndërmjet personave të tjerë që janë gjini në vijë të
drejtë ose me persona që ndodhen në raporte kujdestarie ose të birësimit, dënohet me burgim gjer
në shtatë vjet.

Neni 107
Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale në vende publike
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 23)
Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale në vende publike ose në ambiente të
ekspozuara nga vështrimi i njerëzve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në një vit.

Neni 108
Vepra të turpshme
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 24)
Kryerja e veprave të turpshme me të mitur që nuk kanë arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç,
dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

SEKSIONI VII
VEPRA PENALE KUNDËR LIRISË SË PERSONIT

Neni 109
Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 25)
(Shtuar me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 10)
Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit me qëllim për të fituar pasuri ose çdo lloj përfitimi
tjetër, për të përgatitur krijimin e kushteve lehtësuese për kryerjen e një krimi, për të ndihmuar
fshehjen ose largimin e autorëve ose bashkëpunëtorëve në kryerjen e një krimi, për t’iu shmangur
dënimit, për të detyruar realizimin e kërkesave a kushteve të caktuara, për qëllime politike ose
çdo qëllim tjetër, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet dhe me gjobë nga dy milionë
deri në pesë milionë lekë.
Po kjo vepër e kryer ndaj të miturit nën moshën 14 vjeç dënohet me burgim jo më pak se
pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga tre milionë deri në shtatë milionë lekë.
Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit ose e të miturit nën moshën 14 vjeç, i paraprirë ose i
shoqëruar me tortura fizike ose psikike, kur është kryer kundër disa personave ose më shumë se
një herë, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet dhe, kur është shkaktuar vdekja, me burgim
të përjetshëm, si dhe me gjobë nga pesë milionë deri në dhjetë milionë lekë.

Neni 109/a
Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit në rrethana lehtësuese
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 26)
Kur personi i rrëmbyer ose i mbajtur peng lirohet vullnetarisht para mbarimit të shtatë ditëve
nga rrëmbimi ose mbajtja peng, pa e arritur qëllimin e krimit dhe, kur ndaj personit nuk është
ushtruar torturë ose dëmtime të tjera të shëndetit, dënohet me burgim nga tre gjer në pesë vjet.

Neni 109/b
Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë
(Shtuar me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 11)
Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për të kryer ose mos kryer një veprim të caktuar,
për të fituar padrejtësisht pasuri ose çdo lloj përfitimi tjetër, për vete ose për të tretë, dënohet me
burgim nga dy deri në tetë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në tre milionë lekë.
Po kjo vepër, kur kryhet duke përdorur a kërcënuar me përdorimin e armës, torturës, akteve
çnjerëzore e poshtëruese që kanë shkaktuar dëmtime të shëndetit, dënohet me burgim nga shtatë
deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga dy milionë deri në pesë milionë lekë.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim të përjetshëm dhe me gjobë nga
pesë milonë deri në dhjetë milionë lekë.

Neni 110
Heqja e paligjshme e lirisë
(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 27)
Heqja e paligjshme e lirisë së personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në një vit.
Kur kjo vepër shoqërohet me vuajtje të rënda fizike, kryhet në bashkëpunim, kundër disa
personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.

Neni 110/a
Trafikimi i personave
(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 1)
Rekrutimi, transportimi, transferimi, fshehja ose pritja e personave nëpërmjet kërcënimit ose
përdorimit të forcës apo formave të tjera të shtrëngimit, rrëmbimit, mashtrimit, shpërdorimit të
detyrës ose përfitimit nga gjendja shoqërore, fizike apo psikike ose dhënies apo marrjes së
pagesave ose përfitimeve për të marrë pëlqimin e personit që kontrollon një person tjetër, me
qëllim shfrytëzimin e prostitucionit të të tjerëve ose formave të tjera të shfrytëzimit seksual, të
punës ose shërbimeve të detyruara, të skllavërimit ose formave të ngjashme me skllavërimin, të
vënies në përdorim ose transplantimit të organeve, si dhe formave të tjera të shfrytëzimit,
dënohen me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga dy milionë deri në
pesë milionë lekë.
Organizimi, drejtimi dhe financimi i trafikimit të personave dënohen me burgim nga shtatë
deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga katër milionë deri në gjashtë milionë lekë.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo shoqërohet me
keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike a psikike ndaj të dëmtuarit, për të kryer veprime të
ndryshme, ose sjell pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se
pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se njëzet
vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga shtatë milionë deri në dhjetë milionë lekë.
Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik,
dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼ e dënimit të dhënë.

Neni 111
Rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera
Zotërimi dhe vënia nën kontroll e avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera të transportit ku
ndodhen njerëz, duke përdorur dhunë ose me kërcënim me armë a mjete të tjera, dënohet me
burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 112
Dhunimi i banesës
Hyrja ose qëndrimi në banesën e tjetrit pa pëlqim të tij përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.
Kur vepra është kryer me dhunë ose me kërcënim për përdorim të armës përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

SEKSIONI VIII
VEPRA PENALE KUNDËR MORALIT DHE DINJITETIT
Neni 113
Prostitucioni
Ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 114
Shfrytëzimi i prostitucionit
(Ndryshohet titulli dhe shfuqizohet paragrafi II me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2)
Shtytja, ndërmjetësimi ose marrja shpërblim për ushtrimin e prostitucionit, dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 114/a
Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese
(Shtuar me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2, pika 6 dhe paragrafi i fundit ndryshuar me
ligjin nr.8733, datë 24.1.2001,
neni 29)
Shfrytëzimi i prostitucionit i kryer:
1. me të mitur;
2. ndaj disa personave;
3. me persona me të cilët ekzistojnë lidhje të afërta gjinie, krushqie, kujdestarie ose duke
përfituar nga raportet zyrtare;
4. me mashtrim, shtrëngim, dhunë ose duke përfituar nga paaftësia fizike ose mendore e
personit;
5. ndaj një personi që shtyhet ose shtrëngohet për të ushtruar prostitucion jashtë
territorit të Republikës së Shqipërisë;
6. kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë ose nga persona të ngarkuar me
funksione shtetërore dhe publike dënohet nga 7 deri në 15 vjet burgim.

Neni 114/b
Trafikimi i femrave
(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 2)
Rekrutimi, transportimi, transferimi, fshehja ose pritja e femrave nëpërmjet kërcënimit ose
përdorimit të forcës apo formave të tjera të shtrëngimit, rrëmbimit, mashtrimit, shpërdorimit të
detyrës ose përfitimit nga gjendja shoqërore, fizike a psikike ose dhënies apo marrjes së pagesave
ose përfitimeve, për të marrë pëlqimin e një personi që kontrollon një person tjetër, me qëllim
shfrytëzimin e prostitucionit të të tjerëve ose formave të tjera të shfrytëzimit seksual, të punës ose
shërbimeve të detyruara, të skllavërimit ose formave të ngjashme me skllavërimin, të vënies në
përdorim ose transplantimit të organeve, si dhe formave të tjera të shfrytëzimit, dënohen me
burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga tre milionë deri në gjashtë
milionë lekë.
Organizimi, drejtimi dhe financimi i trafikimit të femrave dënohen me burgim nga dhjetë
deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga pesë milionë deri në shtatë milionë lekë.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo shoqërohet me
keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike a psikike ndaj të dëmtuarës, për të kryer veprime të
ndryshme, ose sjell pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se
pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarës, dënohet me burgim jo më pak se njëzet
vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga shtatë milionë deri në dhjetë milionë lekë.
Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik,
dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼ e dënimit të dhënë.

Neni 115
Mbajtja e lokaleve për prostitucion
Mbajtja, shfytëzimi, financimi, dhënia me qira e lokaleve për ushtrim të prostitucionit,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 116
Homoseksualizmi
(Shfuqizuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 31)

Neni 117

Pornografia
Prodhimi, shpërndarja, reklamimi, importimi, shitja e botimi i materialeve pornografike në
ambientet e të miturve, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer
në dy vjet.

Neni 118
Dhunimi i varreve
Dhunimi i varrezave, varreve, nxjerrja e kufomës, si dhe vjedhja e sendeve që mund të
ndodhen në to, si dhe çdo veprim tjetër që ul respektin ndaj të vdekurve, dënohen me gjobë ose
me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 119
Fyerja
(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 32)
Fyerja e qëllimshme e personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në gjashtë muaj.
Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë,
përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 120
Shpifja
(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 33)
Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër që dihet se janë të rreme, që
cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në një vit.
Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë,
përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 121
Ndërhyrje të padrejta në jetën private
Vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave,
dëgjimi, regjistrimi ose transmetimi i fjalëve, fiksimi, regjistrimi ose transmetimi i figurave, si
dhe ruajtja për publikim apo publikimi i këtyre të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës
private të personit pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në dy vjet.

Neni 122
Përhapja e sekreteve vetjake
Përhapja e një sekreti që i përket jetës private të një personi nga ai që e siguron atë për shkak
të detyrës ose të profesionit, kur detyrohet të mos e përhapë pa qenë i autorizuar, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Po kjo vepër, e kryer me qëllim fitimi ose për të dëmtuar një person tjetër, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 123
Pengimi ose shkelja e fshehtësisë së korrespondencës
Kryerja me dashje e veprimeve të tilla si asgjësimi, mosdorëzimi, hapja dhe leximi i letrave
apo çdo korrespondencë tjetër, si dhe ndërprerja ose vënia nën kontroll, dëgjimi i bisedave
telefonike, telegrafike ose i çdo mjeti tjetër telekomunikimi, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose burgim gjer në dy vjet.

SEKSIONI IX
VEPRA PENALE KUNDËR FËMIJËVE,
MARTESËS DHE FAMILJES

Neni 124
Braktisja e fëmijëve të mitur
(Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 34)
Braktisja e fëmijës nën moshën 16 vjeç nga prindi ose personi që është i detyruar të kujdeset
për të, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit ose vdekja e fëmijës, dënohet me
burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Neni 124/a
Kërkimi ose marrja e shpërblimeve për procedurat e birësimit
(Shtuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 5)
Kërkimi, propozimi, dhënia ose pranimi i shpërblimeve dhe përfitimeve të tjera, për të kryer
ose për të mos kryer një veprim, që lidhet me procesin e birësimit të një të mituri, dënohen me
burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 300 mijë lekë deri në 3 milionë lekë.

Neni 125
Mosdhënia e mjeteve për jetesë
Mosdhënia e mjeteve të nevojshme për jetesën e fëmijëve, të prindërve ose të bashkëshortit,
nga personi që në zbatim të një vendimi gjyqësor detyrohet ta japë, përbën kundërvajtje penale
dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Neni 126
Mosnjoftimi i ndryshimit të vendbanimit
Mosnjoftimi brenda një muaji i ndryshimit të vendbanimit, të interesuarve ose organit të
ekzekutimit, nga personi që sipas vendimit gjyqësor detyrohet me dhënien e mjeteve të
nevojshme për jetesë fëmijëve, prindërve ose bashkëshortit të vet, si dhe ai të cilit i janë besuar
fëmijët pas zgjidhjes së martesës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në tre muaj.

Neni 127
Marrja e padrejtë e fëmijës
Marrja e padrejtë e fëmijës, duke e larguar prej personit që ushtron autoritetin prindëror ose
që i është besuar për rritje dhe edukim, si dhe mosdorëzimi i fëmijës prindit tjetër në zbatim të
vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në
gjashtë muaj.

Neni 128
Ndërrimi i fëmijëve
Ndërrimi i fëmijëve i bërë me pakujdesi nga personeli ku fëmijët mbahen për rritje, mjekim
ose në shtëpi lindjeje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy
vjet.

Neni 128/a
Fshehja ose ndërrimi me dashje i fëmijës
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 35)
Fshehja ose ndërrimi me dashje i fëmijës me një tjetër, i kryer nga personeli mjekësor,
dënohet me burgim nga tre gjer në tetë vjet.

Neni 128/b
Trafikimi i të miturve
(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 3)
Rekrutimi, transportimi, transferimi, fshehja ose pritja e të miturve me qëllim shfrytëzimin e
prostitucionit ose formave të tjera të shfrytëzimit seksual, të punës ose shërbimeve të detyruara,
skllavërimit ose formave të ngjashme me skllavërimin, vënies në përdorim ose transplantimit të
organeve, si dhe formave të tjera të shfrytëzimit, dënohen me burgim nga shtatë deri në
pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga katër milionë deri në gjashtë milionë lekë.
Organizimi, drejtimi dhe financimi i trafikimit të të miturve dënohen me burgim nga dhjetë
deri në njëzet vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo shoqërohet me
keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike a psikike të të dëmtuarit, për të kryer veprime të
ndryshme, ose sjell pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se
pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se njëzet
vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga tetë milionë deri në dhjetë milionë lekë.
Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik,
dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼ e dënimit të dhënë.

Neni 129
Shtytja e të miturve në krim
Shtytja ose tërheqja e të miturve nën moshën katërmbëdhjetë vjeç për të kryer krim, dënohet
me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 130
Shtrëngimi ose pengimi për të bashkëjetuar ose për të zgjidhur martesë
Shtrëngimi ose pengimi për të filluar ose vazhduar bashkëjetesën ose shtrëngimi për të
zgjidhur martesën, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre
muaj.

SEKSIONI X
VEPRA PENALE KUNDËR LIRISË SË BESIMIT

Neni 131
Pengimi i veprimtarive të organizatave fetare
Ndalimi i veprimtarive të organizatave fetare, si dhe krijimi i pengesave për ushtrimin e lirë
të veprimtarive të tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 132
Shkatërrimi ose dëmtimi i objekteve të kultit
Shkatërrimi ose dëmtimi me dashje i objekteve të kultit, kur ka shkaktuar humbjen plotësisht
ose pjesërisht të vlerave të tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 133
Pengimi i ceremonive fetare
Ndalimi ose krijimi i pengesave që u bëhen personave për të marrë pjesë në ceremonitë
fetare, si dhe për të shprehur lirisht bindjet fetare, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në një vit.

KREU III

VEPRA PENALE KUNDËR PASURISË
DHE NË SFERËN EKONOMIKE
SEKSIONI I
VJEDHJA E PASURISË

Neni 134
Vjedhja
(Ndryshuar me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 12))
Vjedhja e pasurisë dënohet me burgim nga tre muaj deri në tre vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë dënohet me burgim nga
gjashtë muaj deri në pesë vjet.
E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda dënohet me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.
__________________________________________________
Vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.5, datë 11.11.2003
Nisur nga formulimi i bërë në nenin 134/2 të Kodit Penal, duhet pranuar se ekzistenca qoftë
dhe vetëm e rrethanës “pasojë e rëndë”, në rastin e vjedhjes së pasurisë, është e mjaftueshme që
vepra penale e kryer nga personi të cilësohet sipas këtij paragrafi. Vetëm fakti që vjedhja e
pasurisë të ketë sjellë pasoja të rënda, bën që ajo të konsiderohet e cilësuar.
Interpretimi i termit “pasoja të rënda” duhet parë në raport me vetë figurën e veprës
penale, me raportet shoqërore që ajo mbron dhe duhet analizuar në çdo rast me disa rrethana që
lidhen me dëmin e shkaktuar nga vjedhja.
Duke u nisur nga fakti që figura e veprës penale të vjedhjes ka pasojë pakësimin e pasurisë
së tjetrit në mënyrë të kundërligjshme, Kolegjet e Bashkuara evidentojnë faktin se një ndër
kriteret bazë për të përcaktuar pasojën e rëndë është vlera e pasurisë së vjedhur, e cila do të
merret në çdo rast e lidhur me rrethanat e tjera që kanë ndikuar te subjekti i dëmtuar.
Ligjvënësi nuk e kushtëzon vjedhjen me vlerën dhe në paragrafin e dytë të nenit 134 nuk
përmendet fjala vlerë, prandaj për të përcaktuar “pasojën e rëndë” duhet pasur parasysh se ajo
do të jetë e ndryshme mes subjekteve që dëmtohen nga vepra penale e vjedhjes, që ndahen në:
individë, persona juridikë dhe shteti. Në raport me zhvillimin aktual ekonomik e gjendjen
ekonomike të individit e të shoqërisë, Kolegjet e Bashkuara përcaktojnë si kritere orientuese për
vlerën si pasojë të rëndë në rastet e vjedhjes së parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal:
1. Shuma ose sende me vlerë mbi 1 000 000 lekë, kur ato u vidhen individëve.
2. Shuma ose sende me vlerë mbi 2 000 000 lekë, kur vjedhja është realizuar në dëm të
personave juridikë dhe pasurisë shtetërore.
Këto vlera do të jenë relative, duke pasur parasysh edhe pasojat e tjera që mund të
shkaktohen nga kryerja e kësaj vepre penale, dhe gjykatat, rast pas rasti, duhet ta marrin atë
lidhur me vendin e kryerjes së veprës penale, kohën e kryerjes së saj, me subjektin e dëmtuar dhe
me pasoja të tjera joekonomike që mund të vijnë, të cilat, kur rëndojnë rrethanat e faktit,
pavarësisht se vlerat mund të jenë më të vogla nga përcaktimet e mësipërme, mund ta çojnë
gjykatën në përfundimin se vjedhja ka sjellë pasoja të rënda e ta kualifikojnë atë në bazë të nenit
134/2 të Kodit Penal.
Në këtë përfundim arrihet duke u nisur nga vetë formulimi i paragrafit të dytë të nenit 134 të
Kodit Penal, ku thuhet: “po kjo vepër kur ka sjellë pasoja të rënda” dhe nga terminologjia që ka
përdorur ligjvënësi për këtë qëllim në lidhje me pasojën si element të anës objektive të kësaj
figure krimi dhe që duhen kuptuar jo pasoja të çfarëdoshme që vijnë në çdo rast vjedhjeje të
pasurisë, por pasoja të një natyre të veçantë, që duhen trajtuar të rënda, duke mbajtur parasysh
edhe shkallën e efektit negativ që pëson i dëmtuari nga vepra penale. Kështu mund të sillen si
shembuj vjedhja e një pjese ose detaji të linjës teknologjike të një fabrike ose të një aparature
elektromjekësore etj., të cilat, pavarësisht nga vlera e tyre e shprehur në të holla, shkakton sipas
rastit ndërprerjen e procesit teknologjik, lë pa punë një numër të konsiderueshëm punonjësish, lë
pacientët pa mjekimin e domosdoshëm jetik, lë pa energji elektrike apo ujë një zonë qyteti ose
fshati etj.
__________________________________________________

Neni 135
Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën
Vjedhja e pasurisë e kryer nga personi, që ka për detyrë ta ruajë dhe ta administrojë atë, apo
duke shpërdoruar detyrën, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

Neni 136
Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit
(Shtuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 37)
Vjedhja e bankave dhe e arkave të kursimit dënohet me burgim nga pesë gjer në
pesëmbëdhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se në herë ose ka sjellë pasoja të rënda,
dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 137
Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike
(Shtuar paragrafi I me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 38)
Lidhja e paligjshme me rrjetin e energjisë elektrike, përbën kundërvajte penale dhe dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në tre vjet.

Neni 138
Vjedhja e veprave të artit e kulturës
Vjedhja e veprave të artit e kulturës dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Vjedhja e veprave të artit e kulturës me rëndësi kombëtare dënohet me burgim nga pesë gjer
në dhjetë vjet.

Neni 138/a
Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 39)
Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi në kundërshtim me ligjin i veprave të artit dhe
të kulturës, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga tre gjer në
dhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose sjell pasoja të rënda,
dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Neni 139
Vjedhja me dhunë
Vjedhja e pasurisë e shoqëruar me përdorim dhune dënohet me burgim nga pesë gjer në
pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 140
Vjedhja me armë
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 40)
(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 11)
Vjedhja e pasurisë, e shoqëruar me mbajtjen e armëve dhe municioneve luftarake ose me
përdorimin e tyre, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 141
Vjedhja me pasojë vdekjen
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)
Vjedhja e pasurisë, kur është shoqëruar me dhunime që kanë sjellë vdekjen e personit,
dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Neni 141/a
Trafikimi i mjeteve motorike
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 41)
Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi në kundërshtim me ligjin, i mjeteve motorike
të vjedhura, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga tre gjer në
shtatë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose sjell pasoja të rënda,
dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 142
Sigurimi i mjeteve për vjedhje
Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të vjedhur pasurinë dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në tre vjet.

SEKSIONI II
MASHTRIMET

Neni 143
Mashtrimi
(Shtuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 42)
Vjedhja e pasurisë me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në pesë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim në dëm të disa personave ose më shumë se një
herë, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim
nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 143/a
Skemat mashtruese dhe piramidale
(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 43)
Organizimi dhe vënia në funksionim e skemave mashtruese dhe piramidale të huamarrjes,
me qëllim fitimi material, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 144
Mashtrimi në subvencione
Mashtrimi në dokumentet e paraqitura, duke përfituar padrejtësisht subvencione nga shteti,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në katër vjet.

Neni 145
Mashtrimi në sigurime
Paraqitja e rrethanave të rreme në lidhje me objektin që sigurohet, ose krijimi i rrethanave të
rreme dhe paraqitja e tyre në dokumentet duke përfituar padrejtësisht sigurime, dënohet me gjobë
ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 146
Mashtrimi në kredi
Mashtrimi në dokumentet e paraqitura, duke përfituar padrejtësisht kredi duke regjistruar në
mënyrë fiktive në hipotekë objekte që nuk ekzistojnë, ose tej vlerës së tyre reale, ose në pronësi të
një tjetri, të bëra me qëllim për të mos kthyer më kredinë e marrë, dënohet me gjobë ose me
burgim gjer në shtatë vjet.

Neni 147
Mashtrimi për veprat e artit e të kulturës
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 44)
Vjedhja e pasurisë me anë të mashtrimit, duke paraqitur një vepër të artit dhe të kulturës si
origjinale apo të një tjetër autori nga ai që është në fakt, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në
katër vjet.

Neni 148
Botimi i veprës së tjetrit me emrin e vet
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 45)
Botimi ose përdorimi tërësisht apo pjesërisht me emrin e vet të një vepre letrare, muzikore,
artistike ose shkencore që i përket një tjetri, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose
me burgim gjer në dy vjet.

Neni 149
Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 46)
Riprodhimi tërësisht ose pjesërisht i veprës letrare, muzikore, artistike ose shkencore që i
përket një tjetri, ose përdorimi i tyre pa pëlqim të autorit, kur kanë shkelur të drejtat vetjake e
pasurore të tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

SEKSIONI III
SHKATËRRIMI I PRONËS

Neni 150
Shkatërrimi i pronës
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës, kur pasojat materiale nuk janë të lehta, dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 151
Shkatërrimi i pronës me zjarr
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me zjarr dënohet me gjobë ose me burgim gjer
në pesë vjet.
Kur nga vepra penale janë shkaktuar pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim gjer në
dhjetë vjet.
Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga
pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 152
Shkatërrimi i pronës me eksploziv
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me eksploziv dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në pesë vjet.
Kur nga vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga pesë
gjer në dhjetë vjet.
Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga
dhjetë gjer në njëzet vjet.

Neni 153
Shkatërrimi i pronës me përmbytje
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me përmbytje dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në pesë vjet.
Kur nga vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga pesë
gjer në dhjetë vjet.
Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga
pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 154
Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me mjete të tjera, që përbëjnë rrezik për
mjedisin rrethues dhe jetën e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Kur nga vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga pesë
gjer në dhjetë vjet.
Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim
nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 155
Shkatërrimi i rrugëve
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i rrugëve automobilistike, hekurudhore dhe veprave që
lidhen me to, dënohet me gjobë apo me burgim gjer në shtatë vjet.
Kur nga veprat penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga tre gjer
në dhjetë vjet.
Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim
nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 156
Shkatërrimi i rrjetit elektrik
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i rrjetit elektrik, telegrafik, telefonik, radioteleviziv apo
të çdo rrjeti ndërlidhës, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 157
Shkatërrimi i rrjetit të ujitjes
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i kanaleve ujitëse dhe kulluese ose veprave që lidhen me
to, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 158
Administrimi i ujit pa të drejtë, duke kthyer ose ndryshuar vijën e ujit, duke hapur pendat,
duke ndërtuar apo mbyllur kanale kulluese apo vaditëse, vija ose vepra të tjera, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 159
Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i rrjetit të ujësjellësit dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në tre vjet.
Lidhja, si dhe çdo ndërhyrje tjetër e bërë pa leje në rrjetin e ujësjellësit për marrjen e ujit të
pijshëm, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 160
Shkatërrimi i veprave kulturore
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i veprave kulturore dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në tre vjet.
Kur nga vepra penale janë shkatërruar apo dëmtuar vepra kulturore me rëndësi kombëtare,
dënohet me gjobë ose me burgim nga dy gjer në tetë vjet.

Neni 161
Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia
Shkatërrimi apo dëmtimi nga pakujdesia i pronës, kur ka sjellë pasoja të rënda materiale,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 162
Përplasja e mjeteve të transportit masiv
Shkaktimi nga pakujdesia i përplasjes se trenave, anijeve, avionëve, kur ka shkaktuar
rrëzimin, djegien, mbytjen, përmbysjen, daljen nga shinat ose është shoqëruar me pasoja të rënda
materiale, dënohet me gjobë ose burgim gjer në pesë vjet.

SEKSIONI IV
VEPRA PENALE TË KRYERA NË SHOQËRITË TREGTARE

Neni 163
Përpilimi i deklaratave të rreme
Përpilimi i deklaratave të rreme, në rastin e zmadhimit të kapitalit të shoqërisë, lidhur me
ndarjen e pjesëve të kapitalit themeltar të ortakëve, me shlyerjen e tij apo me depozitimin e
fondeve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

Neni 164
Shpërdorimi i kompetencave
Shpërdorimi i kompetencave nga anëtarët e këshillit mbikqyrës apo administratorët e
shoqërisë me qëllim përfitimi apo për të favorizuar një shoqëri tjetër ku kanë interesa, dënohet me
gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 164/a
Korrupsioni aktiv në sektorin privat
(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 13)
Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt,
për vete ose për persona të tjerë, personit që ushtron funksion drejtues në shoqëri tregtare ose
punon në çdo pozicion në sektorin privat, për të kryer ose mos kryer një veprim në kundërshtim
me detyrën ose funksionin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj
deri në dy vjet dhe me gjobë nga dyqind mijë deri në një milion lekë.

Neni 164/b
Korrupsioni pasiv në sektorin privat
(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 13)
Kërkimi a marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt a i një
premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi, që vjen nga
përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksion drejtues ose punon në çdo pozicion në
sektorin privat, për të kryer ose mos kryer një veprim në kundërshtim me detyrën a funksionin e
tij, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në tre
milionë lekë.

Neni 165
Falsifikimi i nënshkrimeve
Falsifikimi i nënshkrimeve dhe derdhjeve apo deklarimi i rremë i derdhjeve të fondeve të
shoqërisë, apo publikimi i nënshkrimeve dhe derdhjeve për persona fiktivë, apo vlerësimi i
kontributit në natyrë me vlerë më të madhe se sa vlera faktike, dënohet me gjobë ose me burgim
gjer në pesë vjet.

Neni 166
Emetimi i parregullt i aksioneve
Emetimi i parregullt i aksioneve bërë përpara regjistrimit të shoqërisë apo kur regjistrimi
është bërë në mënyrë të kundërligjshme, apo kur formalitetet e shoqërisë ende nuk janë plotësuar,
apo kur ndryshimi i statutit me rastin e zmadhimit të kapitalit ende nuk është bërë ose nuk është
regjistruar apo është bërë në mënyrë të kundërligjshme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet
me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Neni 167
Mbajtja e padrejtë e dy cilësive
Mbajtja njëkohësisht e cilësive të ortakut dhe ekspertit kontabël përbën kundërvajtje penale
dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Neni 168
Dhënia e informacioneve të rreme
Dhënia e informacioneve të rreme për gjendjen e shoqërisë prej ekspertit kontabël pranë një
shoqërie tregtare, apo moskallëzimi në organet kompetente për kryerjen e një krimi, kur nuk
ekzistojnë rastet e përjashtimeve nga përgjegjësia penale të përcaktuar në nenin 300 të këtij Kodi,
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 169
Zbulimi i sekreteve të shoqërisë
Zbulimi i sekreteve të shoqërisë prej ekspertit kontabël të saj, me përjashtim të rasteve kur e
detyron ligji, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 170
Mosbërja e shënimeve të detyrueshme
Mosbërja e shënimeve të detyrueshme nga administratori apo likuiduesi i shoqërisë përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

Neni 170/a
Punësimi i paligjshëm
(Shtuar me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2)
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 47)
Punësimi pa regjistrim në organet kompetente ose pa garantuar sigurimin e të punësuarit
sipas rregullave, kur është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë deri në 10 mijë lekë për çdo rast ose me burgim deri në 1 vit.
Moskryerja me dashje ose mbulimi i shkeljeve lidhur me punësimin dhe sigurimin social
nga persona të ngarkuar me zbatimin dhe kontrollin e dispozitave përkatëse, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë deri në 100 mijë lekë ose me burgim deri në 2 vjet.

Neni 170/b
Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës
(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 14)
(Ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007,
neni 12)
Kryerja, gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare, e veprimeve të konkurrencës me anë të
kërcënimit ose dhunës dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.
Kur veprimet e konkurrencës drejtohen ndaj veprimtarive të financuara plotësisht ose
pjesërisht dhe në çfarëdo mënyre nga shteti ose entet publike, dënimi me burgim shtohet me një
të tretën.

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 09/05/2010. Filed under Kodi Penal. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.