KATËR RREZIQET QË KËRCËNOJNË KOMBIN SHQIPTAR

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2496
Agim Hamiti21- TKURRJA PROGRESIVE E HAPËSIRËS JETIKE TERRITORIALE.
Dihet se populli shqiptar ka humbur tashmë më shumë se gjysmën e trojeve të tij të dikurshëm. Ky proces shpërbërës vazhdon edhe në shekullin XXI, por me një ndryshim të madh cilësor: sot me trojet shqiptare po bëjnë tregti vetë politikanët (anti)shqiptarë, në shkëmbim të karrierës së tyre abuzive. Juglindja e Shqipërisë dhe Veriu i Kosovës janë në proces e sipër, për t’u shkëputur një ditë në të ardhmen prej trungut kombëtar. Morsa serbo-greke i ka mbërthyer fort trojet e mbetura shqiptare, me objektiv tkurrjen e tyre maksimale dhe, gradualisht, tjetërsimin përfundimtar, në qoftë se Shqiptarët nuk përmenden nga letargjia.

2 – GJYMTIMI I GJUHËS.
Sesa jetike është gjuha për ekzistencën, sigurinë dhe zhvillimin e një populli, e përcakton më së miri kjo shprehje e shkrimtarit francez, Henri Bëjl (Stendal): «Nuk ekziston formë më e lartë përkatësie për një popull, sesa të shkruarit në gjuhën e tij».

Jo më kot perandoria turke e ndaloi rreptësisht lëvrimin e gjuhës shqipe për shekuj me radhë. Dihet mirë sa sakrifica e flijime u nevojitën që Shqiptarët të arrinin të lëvronin gjuhën e tyre, veprim që i parapriu pavarësisë sonë kombëtare.
Cila është gjendja e gjuhës shqipe sot? Ashtu si çdo vlerë tjetër kombëtare e rëndësisë së parë, edhe gjuha jonë e bukur po keqtrajtohet. Mjafton t’i hedhësh një sy shtypit shqiptar, për të kuptuar mjerimin që përjeton ajo. Gabimet e rënda ortografike janë bërë dukuri e zakonshme, ndërkohë që rregullat e tjera të drejtshkrimit po braktisen gradualisht. Askush nuk kërkon llogari e askush nuk jep llogari për këtë gjymtim të gjuhës sonë të përbashkët.
Shembullin më të keq për respektimin e gjuhës zyrtare në Shqipëri e jep, prej një kohe shumë të gjatë, pikërisht ai që e ka për detyrë të japë shembullin më të mirë: kryeministri i vendit. Berisha nuk është më verior sesa Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Albin Kurti, Fatmir Sejdiu, Isa Mustafa, Jakup Krasniqi, Shkëlzen Maliqi, Kim Mehmeti e shumë e shumë motra e vëllezër të tjerë të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, apo të Luginës së Preshevës, të cilët e flasin dhe e shkruajnë në mënyrë korrekte gjuhën shqipe, megjithë vështirësitë e njohura që kanë hasur për studimin e saj.
Do të ishte në të mirën e vetë Berishës e më gjerë, sikur të mos ta demonstronte civilizimin e tij duke na mbushur mendjen se është një Felps shqiptar që thyen rekordin e vet në not çdo vit (kompleks inferioriteti i mentalitetit prej rurali), por duke respektuar gjuhën zyrtare të popullit që (ç)qeveris. Në qoftë se ajo gjuhë ka të meta (që nuk përjashtohen), fajin e kanë partia e djeshme e Berishës, PPSH, dhe bija e saj e sotme, PDSH, të cilat nuk kanë begenisur të organizojnë një kongres drejtshkrimor të depolitizuar të gjuhës zyrtare shqipe. Por deri atëherë, respektimi i gjuhës ekzistuese zyrtare është një detyrim ligjor për çdo shqiptar brenda e jashtë atdheut, e jo më për kryeministrin e vendit. Anglezët kanë një institucion të posaçëm me kompetenca të forta për mbrojtjen e gjuhës së tyre, ndonëse është gjuhë prioritare në botë. A do të pranonin anglezët që David Cameron të mos fliste gjuhën zyrtare të tyre?
Gjuha shqipe është e sëmurë, vuan, rënkon, kërkon ndihmë nga populli me të cilin bashkëjeton.
«Kur një gjuhë vdes me ngjyrat dhe nuancat e saj, vdes gjithashtu edhe populli përkatës», ka shkruar shkrimtarja finlandeze Maila Talvio.

3 – DEFORMIMI I HISTORISË.
Diktatura komuniste gjymtoi jo vetëm Historinë e Shqipërisë, duke e politizuar atë në ekstrem, por tjetërsoi edhe vetë historinë e partisë që e polli: PKSH. Është fakt i njohur prej gjithë Shqiptarëve, se sa herë që Enveri «pastronte partinë nga armiqtë e brendshëm» për të mbjellë terror në radhët e saj dhe në popull, po aq herë ndryshonte edhe historia e partisë, që u bë sinonim i emrit të tij.
A mund të quhet më Histori ajo?
Kompraçikosët e kuq të historisë shqiptare nuk ngurruan të tjetërsonin as fotografinë-simbol të Pavarësisë Kombëtare, duke hequr Mit’hat Frashërin e të tjerë «reaksionarë», për të vendosur atje kontrabandë «Baba Çenin» e Enverit e ndonjë anonim tjetër, të cilët nuk i njihte njeri në lagje, kur Burrat e Kombit shpallnin pavarësinë.
Arkivi shtetëror i Luftës së dytë Botërore nuk hapet, për të mos dalë në dritë të palarat e historisë së falsifikuar. Një histori e falsifikuar është shumë më e dëmshme se një vakuum historik, mbasi ajo është antihistori, se i paraqet martirët (edhe ata komunistë) si tradhtarë dhe tradhtarët si martirë.
Instituti i studimeve arkeologjike nuk financohet më qëllimisht, mbasi arkeologjia nxjerr në dritë rrënjët e historisë së lashtë shqiptare, gjë që bie ndesh me synimet e errëta aneksioniste të fqinjëve që sponsorizojnë karrierën e politikanëve (anti)shqiptarë. Afreske mesjetare kishash dhe vepra të tjera të lashta arti po shkatërrohen apo vidhen me një plan ogurzi të detajuar mire, godina historike po shemben qëllimisht. Ministri i sapolarguar i (mavro)Kulturës deklaronte se «nuk i ruajmë dot monumentet me polici», gjë që vërteton katërcipërisht se shteti nuk funksionon as në hallka të rëndësishme të tij. Monumentet nuk mbrohen me polici (përveç atij të Enverit) në asnjë vend, por i mbron funksionimi harmonik i gjithë ingranazheve të rendit publik e shoqëror dhe sundimi i ligjit, që në Shqipëri janë ndryshkur prej kohësh. Historia jonë po nëpërkëmbet nga klane antishqiptarë, të cilët janë në ekspansion të plotë në një Shqipëri të drobitur që po i merren këmbët, ndërsa hienat mezi presin momentin e volitshëm t’i vërsulen përsipër për ta shqyer.
Shkrimtari, filozofi dhe burri i shtetit haitian, Zhan Pris Mars, ka shkruar: «Ne nuk do të kemi fatin të jemi këta që jemi, në qoftë se nuk do ta ruajmë të pacenuar trashëgiminë historike stërgjyshore».
– Po ne Shqiptarët a do të vazhdojmë të mbetemi gjatë Shqiptarë, me këtë gjumë të rëndë që po bëjmë e me këtë rrjedhë të turbullt që kanë marrë ngjarjet?

4 – BASTARDIMI I ARSIM-KULTURËS.
Si pasojë e reformës sterilizuese të arsimit e të kulturës në vitin 1967 (i mbiquajtur «revolucionarizim në arsim-kulturë»), shkolla shqipe u bastardua, duke i ngjarë shumë shkollës së partisë «V. I. Lenin». Frutet e atij sterilizimi intelektual janë edhe sot të dukshëm në jetën politiko-shoqërore të vendit. Mishërim i rrëqethshëm i atij dështimi intelektual është aktualisht kooperativa e «doktor-profesorëve» të Akademisë së Shkencave, inekzistenca e përkryer e të cilëve (sikur të ishte «Akademi e Heshtjes») në katrahurën tronditëse që po përjeton Shqipëri-rrumpalla e sotme, tregon qartë sesa shtrenjtë e paguan një popull e një vend aneminë intelektuale të të diplomuarve dhe të titulluarve të tij pa taban të vërtetë kulturor. Mjerë kostumet firmato çfarë kërmash të rëndomta mbulojnë, që as skuqen e as zverdhen duke dhënë të parët shembullin e dergjies në koma, ndërkohë që çdo vlerë e mirëfilltë shqiptare po nëpërkëmbet në mënyrë të pamëshirshme dhe Shqipëria çdo javë e më shumë po i afrohet greminës! Vulgariteti i ndjenjave të tyre si njerëz, si shqiptarë, i kombinuar me mediokritetin intelektual, krijon një aliazh fatal me pasojë pandjeshmërinë e plotë ndaj realitetit dramatik shqiptar.

«Mediokri është një njeri i ulur në fund të pusit, të cilit i duket se qielli është sa gryka e pusit», ka thënë mendimtari kinez i shekullit IX, Han Yo.

Shumica dërrmuese e intelektualëve të sotëm shqiptarë janë të tillë. Vëreni nivelin e ulët intelektual të (palo)shtypit shqiptar, pavarësisht se cilit klan politik (blu a rozë) i shërbejnë. Shikoni vetëm shterpësinë e mendimit të tyre, vulgaritetin e të shprehurit, cektësinë e analizës, mungesën e etikës. As që mund të bëhet fjalë për personalitet gazetari: janë thjesht kalemxhinj që nxijnë mekanikisht faqe letrash, në shërbim të atij që i paguan më mirë.

Shkolla e sotme shqiptare është degraduar në ekstrem. Analfabetizmi po përparon me hap të shpejtë në fshatra. Shkollat e larta më shumë tregtojnë diploma, sesa përgatisin studentë. Këta do të jenë brezi i ardhshëm i intelektualëve, që do të marrin në dorë fatet e dyshimtë të Shqipërisë së agresuar nga jashtë e të minuar nga brenda. A do të jenë në gjendje ata, me përgatitjen e tyre të sipërfaqshme intelektuale e profesionale, që të zgjidhin barrën e madhe të problemeve të trashëguara nga e sotmja e sabotuar? A do ta kryejnë dot një detyrë kaq të vështirë intelektualët e pakulturuar e me ndjenjën tejet të dobësuar të shqiptarizmës që vazhdon të nxjerrë shkolla shqiptare?

«Një vend nuk vdes kur është i pushtuar; por po vdiq kultura e tij, atëherë ai vdes vërtet», ka shkruar shkrimtari libanez Aleksandër Najjar, ( i lauruar në Francë me Urdhërin e Artit dhe të Letrave).

Katër kolonat mbi të cilat qëndron dhe zhvillohet një komb e një popull janë pikërisht ato të katra që analizuam përmbledhtas më lart. Për çdo popull e komb normal, do të mjaftonte dobësimi i vetëm njërës prej këtyre kolonave që të binin kambanat e alarmit për të gjithë. Ndërsa ne Shqiptarët as që duam t’ia dimë se po kërcasin të katër këto kolona, që një ditë në të ardhmen edhe mund të thyhen… Atyre që mund t’iu duket e pabesueshme kjo u rekomandoj të mbyllin për një çast sytë dhe të imagjinojnë sesa do të habiteshin të parët tanë, sikur të çoheshin një çast nga varri dhe të shikonin që më shumë se gjysma e territoreve ku ata kanë jetuar dikur nuk janë më shqiptare. Pastaj t’i hapin sytë dhe të lexojnë sesi grekët po përpiqen aktualisht ta legalizojnë në OKB (me ndihmën e tërthortë të qeverisë (anti)shqiptare) pjesën ish-shqiptare të detit Jon dhe se me sa papërgjegjshmëri deklaron Hashim Thaçi «marrëveshja me Serbinë qe realiste, por jo ideale», ndërkohë që edhe bufi e kupton se Veriu i Kosovës u serbizua përjetësisht: këtë realitet shumë të hidhur për gjithë Shqiptarët tani nuk do ta mbrojë vetëm Serbia, por gjithë BE që e ndërmjetësoi atë marrëveshje të kobshme për ne.
Agim Hamiti/Proletari.Com

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 12/06/2013. Filed under Analizë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

3 Responses to KATËR RREZIQET QË KËRCËNOJNË KOMBIN SHQIPTAR

  1. p@yahoo.com

    08/08/2013 at 05:16


    Hëna Beqiri asistente e shefit të sigurimit të Ambasadës Amerikane.
    U gëzuam kur na dërguan një
    grua të re me emrin Hëna Beqiri e lindur në Amerikë, në
    Boston. Gjyshi i saj ishte arratisur nga Shqipëria në fund të
    viteve pesëdhjetë së bashku me djalin arsimtar, babanë e
    zonjës Hëna Beqiri.Për çudi, ajo ra shpejt në sy si një simpatizante
    entuziaste e komunizmit.Marë nga libri Heronjet e Kotësisë.

  2. Agim Hamiti

    29/06/2013 at 08:50


    I nderuar provokator “Kujtimi”,
    Pse nuk ke përdorur të njëjtin pseudonim si tek gazeta “Proletari” ku ke shpifur për të njëjtën gjë dhe në të njëjtën datë me një pseudonim tjetër: “Kavaja”? Të vërtetat nuk kanë nevojë për pseudonime, por shkruhen me emër e me foto siç i shkruaj unë. U thuaj ustallarëve të tu që t’iu përgjigjen me kundër-argumente akuzave të mia publike e të mbështetura në prova të verifikueshme e të pakundërshtueshme, në vend që të merren me falsifikimin e firmës sime siç kanë falsifikuar historinë e Shqipërisë. Më mirë le të vijnë të kontrollojnë zyrtarisht dosjen time të azilit politik në Bruksel, se sa të paguajnë spiunë si ti (“Kavaja”, “Kujtimi” etj.) për të bërë shpifje për gjëra që nuk kanë lidhje fare me çështjen kombëtare që shtroj unë në letrën e hapur e në librin tim.

  3. Kujtimi

    24/06/2013 at 20:08


    Zoti Agim Hamiti ka firmosur telegramin që do i dërgohej Nënës Nexhmije nga burgu nga të burgosurit me rastin e vdekjes të Komandant Enverit,Agim së shpejti do e shohë emrin dhe firmën tuaj në Gazetë,tani i dime të gjitha.

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.