Italianët: Rezart Taçi për pak vite nga kamerier picerie në pasanik falë Berishës

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 11332
Rezart TaçiNë Shqipëri është një njeri i zhytur në borxhe gjigante, që po zhvat një nga pasuritë e mëdha të vendit, duke thyer çdo ligj, ndërsa në Itali mediet raportojnë se ai është president i një klubi sportiv, ndër më të rëndësishmit e vendit. Bëhet fjalë për ekipin e Bolonjës dhe pronarin e saj të ri, Rezart Taçi. Mediet e vendit fqinj kanë raportuar mbrëmë për arritjen e marrëveshjes. Nuk bëhet ende e ditur sa do jetë shifra që do të paguajë Taçi, por burimet flasin për diku rreth 24 milionë euro. Megjithatë Taçi nuk do marrë presidencën e klubit, që do jetë sërish në duart e familjes Menarini.

Njeriu i Berishës
Sipas italianëve, ekipi në krizë i Bolonjës, që zbriti këtë sezon një kategori më poshtë, do të ketë një pronar të ri. Mediet italiane prej kohësh kanë nisur të japin informacione në lidhje me pronarin e mundshëm të Bolonjës. Në Shqipëri, e vetmja që ka raportuar për skandalet e Taçit dhe lidhjet e tij me Berishën, ka qenë gazeta “TemA”, por në Itali pothuajse të gjitha mediet u referohen fakteve që kanë dalë nga gazeta “TemA”. Madje ato i bëjnë fakt të kryer të gjitha akuzat, duke mos thënë për asnjë moment që këto informacione janë të medieve shqiptare. Kjo sepse atyre nuk u intereson një piramidë në Serinë A. Shumë media, të cilat ende nuk e dinë sa reale është pasuria e tij, kanë intervistuar shqiptarin që ka luajtur në Serinë A, Igli Tare. Pyetja e tyre e vetme ka qenë: “A është serioz ky njeri, dhe a ka pará mbi të gjitha?” Tare ka deklaruar se e njeh si njeri serioz e që ka pará, por ka deklaruar se nuk ka shumë miqësi me të për të ditur detaje të mëtejshme.

Gazetat sportive italiane, por dhe mediet e tjera e shohin si një person ekzotik, një Abrahamoviç, që bëri mrekullira me Çelsin në Angli. Nafta e ka këtë fuqi, besojnë ata. Por sërish nuk janë të bindur te pasuria e tij. Taçi është njeriu që pëlqen jetën e natës, që del nëpër pub-e, sa herë vjen në Itali, raportojnë ato.

Portali kryesor në internet i zonës, përmes gazetarit Luca Pistolesi, thotë se është pak e habitshme që një njeri, që ka punuar në Itali si kamerier, për pak vite rikthehet si miliarder. Por Pistolesi thotë se kjo e ka një përgjigje. Ai është mik i kryeministrit, Sali Berisha, që i ka dhuruar atij një pasuri të madhe në vend, ndërmarrjen shtetërore të naftës, dhe i ka lënë rrugë të lirë në tregtimin e naftës. “Nga kamerier në piceri, te monopoli i naftës në Shqipëri”, – shkruan gazetari. Sigurisht që pas gjithçkaje është Berisha, “i cili, – raporton Pistolesi, – vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2005 e kishte akuzuar atë për kontrabandë nafte.”
“Berisha është qartësisht arsyeja për këtë ngjitje të rrufeshme të kamerierit”, – raporton ai.

A është Taçi një piramidë?

Ditët kur në portin e Vlorës ka mbërritur një anije me naftë të pastër, të cilën Taçi kërkon ta kalojë pa paguar akcizë si naftë të papërpunuar, duke i bërë një dëm prej 7 milionë eurosh shtetit, Taçi bën zhurmën e radhës, duke blerë një ekip italian e duke bërë premtimin e bujshëm: “Nuk do jemi më në vendet e fundit të Serisë A.” Kamerieri, që akoma nuk ka paguar paratë e blerjes së ARMO-s, do sfidojë kështu miliardat e Berluskonit dhe të Morattit.

Por gjërat nuk duken se janë kështu. Taçi është një njeri i zhytur në borxhe, që rrezikon të marrë me vete në këtë mënyrë dhe një klub italian, një bankë shqiptare (Bankën Credins) e duke shkaktuar dëm zinxhir, jo vetëm te ndërmarrja e tij e re, por dhe të tjera ndërmarrje si “Albpetrol” e “Bankers”.

Gazeta “TemA” raportoi e para se pas atij që quhej konsorcium amerikan, që do të blinte ARMO-n, ishte thjesht një investitor shqiptar, që ishte akuzuar hapur nga kryeministri shqiptar se bënte kontrabandë. I pyetur se ku do i gjente paratë për programin e tij, kur të vinte në pushtet në vitin 2005, ai deklaroi se do ia merrte korrupsionit dhe kontrabandës që bën Taçi.

Pak vite më vonë, i pyetur nëse ai i qëndron këtyre deklaratave, Berisha në mënyrën më të paturpshme tha se nuk kishte thënë Taçi, por Caci.

Por nuk mjafton me kaq. Lekët e privatizimit nuk ishin askund. Berisha dhe këtë herë e shpëton Taçin, duke i vënë në dispozicion bankën e familjes së tij, ku pronare është Elvana Hana. Ajo del garant për blerjen, duke zhytur kështu në krizë veten, e duke bërë pis dhe Bankën Qendrore.

Për të bërë sa më shpejt paratë, Taçi nis të vjedhë dhe të shpërdorojë me sa mundet pasurinë që kishte marrë me të padrejtë. Kryeministri i vjen në ndihmë duke i dhënë atij me një vendim të gjithë tregun e naftës D1, e cila përbën rreth 70 për qind të konsumit në tregun vendas.

Sërish njeriu piramidë nuk arrin të mbledhë paratë dhe bën sërish kontrabandë, ashtu siç e kishte akuzuar më parë Berisha. Por, duke përdorur mediet që ka blerë, ai mundohet që shpesh ta paraqesë atë si një betejë që po bën pushteti me të. Kështu rregullon punët dhe me krahun tjetër politik. Në fakt, opozita pak ka folur për skandalet e tij të mëdha.

Në fushatë shfaqet hapur duke ndihmuar partinë e Ilir Metës, duke u bërë makineria e tij e karburantit.

Taçi arrin në këtë mënyrë të jetë një piramidë me leje të shtetit, ashtu si në vitin 1996-‘97. Edhe atëherë njerëzit e parave synonin të ishin në botën e sportit ndërkombëtar. Por nuk ia dolën. Taçi e bëri këtë gjë, duke treguar se piramida që ka ndërtuar Berisha është më e frikshme.

Një i dashuruar pas sportit dhe filantropisë?

“Ka paguar pa iu dridhur syri katër milionë euro për të marrë Milanin në Tiranë dy herë.” Kështu shkruan gazeta “Corriere della Sera” për Taçin. Duke përdorur bashkëshorten e kryeministrit, Liri Berishën, Taçi tregohet i pafytyrë dhe duke bërë misionin e bamirësit. Mbledh disa kacidhe me bileta për ndeshjen dhe ia jep bashkëshortes së Berishës, por harxhon plot 4 milionë euro për tekat e tij. Sikur këto pará të kishin shkuar për jetimët shqiptarë, gjendja e tyre në çdo cep të Shqipërisë do ishte e mrekullueshme.

Por Taçi, ky dashnor i sportit, siç shkruajnë italianët, arrin të ngjisë ekipin e vendlindjes së tij, Gramozin, në Serinë A. Madje, për shkak se ngjyrat e ekipit të Gramozit janë të njëjta me të Bolonjës, pasaniku shqiptar bën këtë zgjedhje. E ka dhe këtë luks Taçi.

Gjithë problemi tani ngelet te fakti, nëse Taçi do të arrijë të mbajë ekipin e të bëjë merkato, e cila është shumë më e shtrenjtë se blerja e ekipit. Madje premton se do bëjë një stadium. Në Italinë që e do aq shumë, e në Shqipërinë që i jep kaq shumë, bën kontrabandë.

Madje dhe dashnor i dijes

Nuk shpëton pa u rënë në sy italianëve fakti që ai është dhe pronar i një shkolle në vendin tonë. Ata nuk e dinë ndoshta se të pasurit një shkollë këtu është po kaq e lehtë sa të kesh një tezgë në Itali.

Ndoshta nuk do e dinë kurrë se ajo shkollë që ka në pronësi ai, është pjesë e pandarë e piramidës së tij financiare. Taçi zboi mësuesit e kësaj shkolle, i la pa pagesë, e përdori thjesht si kolateral këtë shkollë, e ajo është drejt falimentimit.
Mediet italiane mund të mos i dinë këto, por të paktën një gjë e dinë shumë mirë: Rezart Taçi është Berisha ose më mirë, sistemi që ai dhe familja e tij kanë ngritur.
Gazeta Tema

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 07/05/2010. Filed under Shqipëria. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.