Historia e copëtimit të Shqipërisë – 27 Prill 2009

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2388

Marrëveshja e ujërave me Greqinë, ‘Shekulli’ organizon sot dëgjesë publike

Takimi në hotel “Tirana”, bashkëbisedim mes ekspertit Pashaj dhe të ftuarve për skandalin e shkeljes së integritetit territorial

TIRANE – Një tjetër dëgjesë publike për skandalin më të rëndë të muajve të fundit, faljen e një pjese të territorit të Shqipërisë nga qeveria, do të bëhet sot. Takimi i organizuar, me shtysën e gazetës “Shekulli” do të mbledhë prej orës 10.00 në hotel “Tirana Internacional”, përfaqësues të shoqërisë civile, shoqatave dhe personalitete të jetës publike dhe politikanë.

I menduar si një bashkëbisedim mes panelit dhe pjesëmarrësve, koloneli në rezervë, Myslym Pashaj, do të shpjegojë edhe një herë për të pranishmit studimin e tij për marrëveshjen për ndarjen e kufirit ujor mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe më tej do të ketë edhe përgjigje për pyetjet e të ftuarve.

Kjo është dëgjesa e parë publike për një temë kaq të nxehtë, dhe pason takimin me përfaqësuesit e mbi 70 shoqatave, që u mbodhën pak ditë më parë, për të kundërshtuar ratifikimin nga Kuvendi i Shqipërisë të kësaj marrëveshjeje që cenon integritetin territorial të vendit dhe shitjes së interesave kombëtare për qëllime momentale të politikës qeverisëse.
Ashtu siç pritej, në dëgjesën e sotme nuk do të jenë të pranishëm përfaqësues të qeverisë, grupeve parlamentare që përbëhen vetëm nga shumica e djathtë dhe të ministrive, megjithëse organizatorët i njoftuan disa ditë më parë. Bojkotimi i takimit është nxitur edhe nga deklaratat e kryeministrit Berisha, i cili në një prononcim televiziv të premten e shkuar, e mbrojti nënshkrimin e marrëveshjes, si një punë ekspertësh dhe se sqarimi i saj nuk mund të bëhet me seanca dëgjimore.

Hartuesi i studimit prof. asoc. dr. Myslym Pashaj, kolonel në rezervë dhe mjeshtër kërkimesh, është shprehur se marrëveshja “për përcaktimin e kufijve detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë” e nënshkruar në maj 2009 është një nga skandalet më të mëdha, të cenimit të mëvetësisë, si dhe të shpërfilljes së interesave tona kombëtare. Kritikave të tij pak muaj më parë vetë kryeministri Berisha iu përgjigj duke anatemuar mediat si të “shitura”, “antikombëtare” dhe “trilluese primitive”. “Është e jashtëzakonëshme, të shkosh në negociata dhe të hartosh një marrëveshje, ku me lapsin, kompjuterin, firmën tënde, t’i presësh vetes një gjeohapësirë kaq të madhe, të cenosh lirshëm mëvetësinë e Atdheut, të shpërfillësh historinë dhe gjeohistorinë shqiptare, të braktisësh interesat e tua ekonomike dhe të ulësh asilloj, dinjitetin dhe krenarinë kombëtare” – shprehet z. Pashaj. Mjeshtri i kërkimeve, Pashaj, në studimin e tij i është referuar UNCLOS, Konventës së Montego Bay-it si edhe legjislacionit shqiptar. Baza hartografike dhe gjeodezike, ka qënë ajo ndërkombëtare.

I mbrojtëm me sakrifica, ua falim të huajve

Nga Pandeli Bardhi

Historia e këtij vendi është e mbushur me heroizma e sakrifica të panumërta për mbrojtjen e çdo pëllëmbe toke. Këto, të udhëhequra nga idealet e mëdha që buronin nga dashuria për vatanin. “Vatan, nder e liri”, ishte trinomi që ka udhëhequr njerëzit e ndershëm të kësaj toke për të bërë sakrificën më sublime; flijimin e jetës që të huajt të mos e preknin asnjë fije. Amaneti i të parëve tanë…. “asht toka jonë, të parët na e kanë lënë, kush të mos e preki se desim të tanë”, buçet akoma e ndez gjakun e çdo shqiptari, kur është puna për të mbrojtur kombin. Tek hedh në jetë këto kujtime mendja më shkon 35 – 40 vite përpara, kur shërbenim në vijën e parë të frontit, në pararojën, në ishullin e Sazanit e në gadishullin e Karaburunit. Interesat e kombit e kërkonin të ishim të gatshëm me sekonda në mbrojtje të hapësirës sonë detare, tokësore apo ajrore. Bashkë me dhjetra, qindra shokë të tjerë si: Naim Muhaj, Ibrahim Gaxholli, Ilo Thimjo, Festim Tefa, Vladimir Beja etj. për vite me radhë e bëmë “harram” gjumin e natës, apo gëzimet familjare. Të mbledhur nga të gjitha krahinat e vendit na bashkonte një ideal i vetëm, patriotizmi. Nëntor 1977 – Natë e errët pus dhe det i trazuar. “Verifikoni një objekt në X kuadrat dhe Y koordinata në thellësi të ujërave tona”. Anija e gatshme nuk e përballonte dot detin. Menjëherë vihet në lëvizje një anije e madhe luftarake dhe në kohë rekord u gjet në vendin e ngjarjes. Jemi ekuipazhi italian me anije peshkimi, kemi ngatërruar ujërat… I keni ngatërruar juve, por jo ne! – iu përgjigj prerë komandant Festim Tefa dhe u jep ultimatumin: “-Tërhiquni menjëherë!” “Mama mia….” Ekuipazhi deshi s’deshi iu bind, por sa e sa të tjerë të pabindur janë shoqëruar për në portin e Vlorës, qofshin këto skafe apo “anije peshkimi” të huaja. Në X kuadrat, një objekt që nuk dallohet qartë të verifikohet menjëherë, është sinjali. Dhe sakaq anija e gatshme u gjet pranë skafit italian me një çift holandez që bënin “pushime” në ujërat tona territoriale. Lartësia X, kuadrati Y, zhurmë avioni, dhe brenda pak sekondave grykat e artilerisë kundërajrore dhe mitralozët kundërajrorë e shoqëronin “mikun” e paftuar. Raste të tilla ishin të përditshme. Ato, si të thuash, ishin bërë natyrë e jetës sonë, por përballoheshin me vullnet e përkushtim, pa shpërblime e ofiqe.

Situata të tilla ishin të vazhdueshme në kohë të mirë apo të keqe, ditën apo natën. Këto sakrifica ishin të asaj natyre që edhe shtëpia ishte e lëvizshme në anije luftarake apo edhe e palëvizshme pranë pozicioneve të zjarrit për çdo kuadër. Edhe hasmi këtë e kishte të qartë. Pyetjes së një gazetari në vitet e para të proceseve demokratike se, a ju ka shkuar ndonjëherë në mend të sulmoni Shqipërinë, gjenerali serb në “Zërin e Amerikës”, i përgjigjet: “Mund të them se duhej t’i bënim mirë llogaritë në qoftë se do ta bënim një gjë të tillë”. Sot mbas kaq vitesh ata që u kanë rezistuar dhimbjeve të sëmundjeve nga vështirësitë e sakrificat e jetës, i takoj në rrugë në një gjendje si mos më keq, në një gjendje të mjeruar ekonomike, me një pension qesharak si “shpërblim”, për vitet që kaluan në izolim të plotë për shkak të detyrës ndaj Atdheut. Këta qindra e mijëra nuk e kaluan jetën në male, as si soditës dhe as si turistë, por në mbrojtje të kufijve. Të zhgënjyer nga qeveritarët e sotëm ata enden rrugëve, në kërkim të një jete më të mirë për kontributet që kanë dhënë për kombin e për vatanin. Të gjitha këto durohen, por nuk mund të durohen që pjesë nga vatani e nga ujërat territoriale u falen të huajve si dhuratë. Dhe falja u bëhet pa asnjë shpërblim. U falet sepse këta njerëz, qofshin dhe qeveritarë nuk sakrifikuan, dhe sot marrin shpërblime të majme, duke ndërtuar vila e duke bërë plazhe nëpër dete. Kjo bëhet nga ata që pretendojnë se janë “rekordmenë” në garat e notit apo në ngjitjen e lartësive, sepse nuk u ka “kërcitur kurrizi” si neve. Edhe armët u shitën për të mbushur xhepat e disave, ato armë që ne i shërbyem si nëna birit të vetëm dhe që sot janë bërë objekt tregtie për disa dhe që të pafajshmit i paguajnë me viktima. “Shashka tymuese”, sikur ne nuk paskemi patur kufij detar apo tokësorë me Greqinë, i dëgjon nga krerët qeveritarë. Këto “shashka” ngjajnë si ato të “martesave gay”, apo zëvendësimin e lekut me euron. Jemi mësuar të dëgjojmë, tashmë, dhe mblidhen qindra të mençur, organizata qeveritare e joqeveritare e nuk i japin dot “dum”. Sot nuk ka nevojë që të huajt të na sulmojnë, as me armë e as me “shoqata gjuetarësh”, por vijnë me duar në xhepa dhe ne i falim gjithçka që na kërkojnë, qofshin këto dhe troje të kombit tonë. Kjo për neve që kemi punuar për mbrojtjen e këtyre trojeve është e patolerueshme, për ne e për çdo njeri të ndershëm si ne.

*(Artikullshkruesi ka shërbyer për 40 vite si ushtarak dhe një pjesë të kësaj kohe edhe në ishullin e Sazanit)

Deti dhënë Greqisë, linja e Otrantos gati më 2020

Nga Edmond Hoxhaj

Sipas projektit të prodhimit të energjisë së pastër, pjesa e rrjetit shpërndarës që do të kalojë në Otranto duhet të përfundojë brenda vitit 2020. Në një prej hartave të studimeve të kryera për projektin në fjalë, janë cilësuar se kush rrjete shpërndarëse do të kenë prioritetin të përfundojnë para vitit 2020 dhe të tjerat që mund të instalohen pas vitit 2020. Kështu, rrjetet e shpërndarjes me ngjyrë blu, sipas ikonës së hartës specifikojnë përfundimin e ndërtimit të tyre para vitit ’20. Janë disa rrjete shpërndarëse, një prej të cilave kalon në Otranto, duke lidhur Greqinë me zonën e Leces në Itali. Në hartë vihet re se segmenti në fjalë kalon në pjesën veriore të ishullit të Korfuzit. Linja e dizenjuar në hartë përshkruan edhe territorin detar shqiptar (pjesën shqiptare të Otrantos), të cilin sipas marrveshjes së qeverisë sonë me atë helene mund t’i kalojë së shpejti Greqisë. Ndërkaq, si prioriet për përfundimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë janë edhe disa segmente të tjera. Dy linja të rrjetit nisen nga Tunizia drejt Sicilisë në Itali dhe një tjetër drejt Sardenjës. Gjithashtu, dy segmente bashkojnë Afrikën Veriore me Spanjën, si dhe dy të tjera kalojnë nga Evropa Veriore drejt Gadishullit Skandinav. Këto janë disa segmente të rrjetit shpërndarës të energjisë, të cilët sipas projektit, duhet të përfundohen brenda vitit 2020. Gjithashtu, në hartë janë paraqitur edhe pjesët e tjera të rrjetit, punimet e të cilave do të përfundojnë pas vitit 2020. Projekti ka si qëllim prodhimin e një energjie me kosto të ulët, si dhe mosndotjen e ambjentit me CO2.

Gjatë një mbledhjeje të Bashkimit të Vendeve të Mesdheut presidenti francez, Sarkozy, ftoi vendet e Bashkimit Evropian për të nisur dhe ndërtuar bazat e revolucionit diellor në dhjetë vitet e ardhshme, nga 2012 deri më 2020, kur do të jetë e nevojshme të përgatiten të gjitha infrastukturat me qëllim për të mos u gjetur të papërgatitur nga ajo që mund të jetë fundi i energjisë së naftës. Në këtë kontekst nis edhe projekti për të kapur energjinë diellore në shkretëtirën e Saharasë, që do të hyjë në kuadrin më të gjerë të TREC (Trans-Mediterranean Renewable Energy Cooperation) e ideuar dhe e vënë në lëvizje nga Club of Rome, Hamburg Climate Protection Foundation e NERC (National Energy Reasearch Center of Jordan).
Disa muaj më parë, qeveria shqiptare dhe ajo greke nënshkruan një marrëveshje, lidhur me kalimin e një pjese të trerritorit detar të vendit tonë, shtetit helen. Edhe pas disa muaj reagimesh nga opinoni publik dhe media, autoritetet e shtetit shqiptar nuk kanë dhënë një shpjegim lidhur me arsyen e kësaj marrëveshjeje. Ndërkaq, ministrja e Jashtme greke e quajti atëherë si një arritje strategjike marrëveshjen. Sipas marrëveshjes në fjalë, shteti shqiptar kalon në favorin e shtetit grek rreth 354.4 kilometra katrorë të territorit detar, në zonën e Otrantos. Pikërisht, në këtë zonë mësohet se do të kalojë një prej segmenteve të shpërndarjes së projektit të prodhimit të energjisë së pastër që pritet të startojë pas dy viteve.

Shekulli Online –Riviera Dedaj | 12/10/2009

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 26/04/2010. Filed under Shekulli jonë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.