Hetimi i 21 janarit, komisioni shtyn afatin edhe 3 muaj

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2022
Partia Demokratike nuk tërhiqet nga hetimi i ngjarjeve të 21 janarit.Gati tre muaj pas demonstratës së dhunshme të organizuar nga Partia Socialiste te Kryeministria dhe ngritjes së Komisionit hetimor vetëm me përfaqësuesit e maxhorancës, shumica do të kërkojë të vazhdojë më tej hetimet. Dy ditë pas ngjarjes, Parlamenti, me votat e të djathtëve, ngriti një komision hetimor, veprimtaria e të cilit do të ishte e shtrirë brenda tre muajve, deri më 23 prill. Por, në mbledhjen e sotme të Kuvendit, në rendin e ditës është futur një projektvendim për shtyrjen e afatit të këtij komisioni edhe për tre muaj të tjerë. Burime nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike bënë të ditur për gazetën se kjo kërkesë drejtuar Kuvendit për shtyrjen e afatit të Komisionit, argumentohet me faktin se deputetët nuk kanë pasur mundësi të zhvillojnë një veprimtari normale për shkak të angazhimeve të shumta me fushatën elektorale. Projektvendimi pritet të shkaktojë debate në seancën e sotme, teksa opozita nuk ka dërguar asnjë përfaqësues të saj në Komision.

Hetimi
Megjithëse kohëzgjatja e Komisionit hetimor ishte për një periudhë tremujore, vetëm në 30 ditët e para janë zhvilluar mbledhje dhe janë mbledhur prova për ngjarjet e 21 janarit. Në një periudhë prej një jave, përpara gjashtë deputetëve demokratë të Komisionit hetimor janë paraqitur për të dhënë informacione: kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, kreu i Gardës, Ndrea Prendi dhe kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Në listën e zyrtarëve të lartë për të dëshmuar në Komision ishte edhe presidenti Bamir Topi, i cili nuk pranoi të dilte para deputetëve, duke vlerësuar se Kushtetuta nuk e detyron kreun e shtetit të dëshmojë për këtë rast. Para deputetëve u paraqit edhe kryeprokurorja Ina Rama, një prej tre zyrtarëve të lartë të akuzuar nga kryeministri Berisha për puçin e 21 janarit. Në mbledhjen e Komisionit ajo lexoi një material dhe nuk pranoi të pyetej nga deputetët për ngjarjen e 21 janarit. I vetmi drejtues institucioni që nuk u arrit të pyetej për këto ngjarje ishte kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri. Fillimisht seanca me drejtuesin e SHISH-it dështoi për shkak se deputetët nuk ishin pajisur me certifikatën e sigurisë, që i detyron ata të ruajnë sekretin shtetëror dhe pasi deputetët e morën dokumentin zyrtar, pyetja e Shaqirit nuk ishte më prioritet i maxhorancës.
Panorama

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 23/04/2011. Filed under Çështja 21 Janari 2011. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.