Grekët fitojnë tenderin për tunelin Tiranë-Elbasan

Print Friendly

Lexuar 4816
TIRANË- Grekët e kompanisë”Aktor” janë zyrtarisht ata që do të ndërtojnë tunelin e Krrabës në rrugën Tiranë-Elbasan. Kompania është shpallur fituese nga Agjencia e Prokurimeve Publike në buletinin e saj zyrtar. Sipas procedurave, publikimi në buletinin e APP-së përkthehet në miratimin e ofertës fitueseve të kompanisë.

“Aktor” ka fituar garën ndërmjet 26 kompanive që dorëzuan ofertat në fillim të tenderit duke ofruar vlerën më të ulët. Tuneli pritet të ketë një kosto ndërtimi prej rreth 8.3 miliardë lekësh, ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve kishte parashikuar një fond limit prej 15.4 miliardë lekësh. Oferta më e ulet se kompanitë rivale dhe argumentimi teknik i saj ka bërë që “Aktor” të shpallet fitues.

Në fazën e parë të tenderit, morën pjesë plot 26 kompani. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, thuajse gjysma e tyre u s’kualifikuan nga gara duke bërë që në fazën e dytë, kur ishte edhe dorëzimi i ofertave ekonomike, të kualifikoheshin 13 kompani. Nga këto, në fazën finale shkuan shtatë kompani, ndërsa gjashtë të tjera u tërhoqën nga gara.
Kompanitë që ofruan ofertat e tyre të fazën finale ishin, grekët e “Aktor”, të cilët u shpallën edhe fituesit, italianët e “C.M.C Ravenna”, “AEG AK”, sllovakët e “Tubau”, kroatët e “Konstruktor”, amerikanët e “Bechtel”, etj. Më pas, “Bechtel” u tërhoq nga gara.

Në një dalje të posaçme për shtyp, ministri Punëve Publike, Sokol Olldashi lajmëroi për ofertat surprizë të bëra nga një pjesë e kompanive, të cilat varionin nga 54 deri në 81 për qind e fondit limit prej 15.4 miliardë lekësh të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Ishin pikërisht grekët ata që kishin marrë përsipër ndërtimin e tunelit me thuajse gjysmën e vlerës së parashikuar.

Sipas kushteve bazë të tenderëve, fiton oferta më e ulët, por kjo nuk ndodh gjithnjë. Nëse vërehet që kompania ka ofruar një vlerë më të ulët se normalja, autoriteti kontraktues i kërkon kompanisë që të shpjegojë ofertën dhe se si ka ndërmend ta përfundojë punën më atë shumë që ka sugjeruar. Këto lloj ofertash, cilësohen edhe si “oferta anomalisht” të ulëta.
Synimi i marrjes së shpjegimeve për ofertën, është që të parandalohet fitimi i tenderëve nga kompani joserioze, të cilat krahas mos përfundimit me sukses të punimeve, prishin edhe garën në tender. Pikërisht, këtë i kanë kërkuar edhe “Aktorit” pas shqyrtimit të ofertave. Kompania është shpallur fituese pasi ka argumentuar se si do ja dalë të përfundojë tunelin me thuajse gjysmën e parave të përcaktuara nga autoritetet.

Marrja e një oferte të tillë surprizë ka ngjallur dyshime në lidhje me mënyrën se si është bërë përllogaritja e kostos përfundimtare të tunelit nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Duket se gjatë përllogaritjes së kostos, autoritetet nuk kanë marrë parasysh një serë faktorësh duke rrezikuar kështu miliarda lekë nga xhepat e shqiptarëve. Ka qenë vetëm gara midis kompanive ajo që i ka shpëtuar ato.
8.3 miliardë lekë është shuma që do shpenzohet për tunelin.
15.4 miliardë lekë ishte vlera që kishte parashikuar DPR-ja.
26 kompani morën pjesë në garë për ndërtimin e tunelit.
Emirjon Senja/Shekulli

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 05/04/2011. Filed under Projekte/Tendera. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento