Gjon Gàzulli, astronom e diplomat i shek. XV

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3083
Gjon Gàzulli ka qenë një ndër figurat ma të shqueme të shkencës europiane të shekullit të XV. Veprimtaria e tij shtrihet në atë hark kohor që lidhë dy prej epokave ma në shej të kohës: humanizmit dhe Rilindjes Europiane. Tue marrë parasyshë fushat e veprimtarisë së tij: astronomì, matematikë, fizikë, filozofì, diplomacì, arte, mund të thuhet pa frikë se ai ka qenë një enciklopedi e kohës së vet.

Pa dyshim, dy lamejtë ky ai shkelqeu ma shumë janë astronomia dhe diplomacia.

Që të mund të hidhet dritë mbi jetën dhe veprën e tij, asht e domosdoshme të gjurmohen arkivat e kohës: të Padovës, të Budapestit, të Venecies, e sidomos të Raguzës (ku ai jetoi e punoi ma gjatë). Janë veçanarisht me vlerë seritë e maposhtme arkivore: Diversa Notarie; Acta Consilii Rogatorum; Acta Consilii Minoris; Lettere et commissione Levantis; Testamenta Notarile etj.

Por edhe arkivat private (nëse ruhen ende e nuk i kanë rrënue dallgët e kolerës së kuqe) kanë vlerë të madhe. Ndër ta do të kujtoja: Arkivin e Fondeve Private Bassegli-Gozze.

Tue qenë se Gàzulli ushtroi veprimtarinë e tij si në Itali, në Raguzë, ashtu edhe në shumë vende të tjera europiane ku e çoi detyra e tij diplomatike e shkencore, të dhana të vlefëshme jep edhe leteratura e kohës mbi këte enciklopedi shqiptare.

Rreth veprimtarisë së tij shkencore gjendemi në një vështirësi tash për tash të pakapërcyeshme: duhet të kënaqemi me sa na japin autorë të tjerë për te, veçanarisht Grmek, Boshkoviç, Juriç, Musantius, Appendini (sidomos ky), Johannsis de Monte Regio, Brotto – Zonta, etj; pse libri i tij për të cilin Jan Pannoni, oborrtar i mbretit të Hungarisë Matia Korvini i shkruen: “……ai libri i Juej ku do mendime të kapërthyeshme të astrologëve të vjetër …i gjetem të shtjellueme në dritë të diellit”, fatkeqësisht nuk na ka ra në dorë e duhen kërkime të posaçme, ndoshta në Budapest.

A S T R O N O M I

Gàzulli, simbas autorëve të ndryshëm, gjuhësh e kombësishë të ndryshme, na sillet herë me emnin Gjon e herë Gjin (natyrisht edhe Joanis, Giovanni etj., por që asht e njejta gja), ashtu edhe me mbiemen të pakristalizuem, si Gàzulli, Gazulis, Gaxuli, Gazzolo etj., por që asht fjala gjithmonë për të njëjten figurë historike e shkencore. Që të mos e endim tepër lexuesin në këto hulumtime, format Gjon  e Gjin janë një ngatrrim i thjeshtë pse Gjin quhej i ati.

Nëse Gjoni lindi në tokën amë, apo në Raguzë, ku ishin strehue shumë familje shqiptare mbas trazinave tronditëse të invazioneve turke, sidomos aty nga fundi i shekullit XIV e fillimi i shekullit XV, autorë të ndryshëm e ngatrrojnë keqas këte temë, por një gja asht e sigurtë: familja e tij i përkiste atij trungu fatlum të Gazullorëve, që i la emen të pashlyeshem vetes në historinë kombtare përgjate gjashtë shekujsh.

Aso kohe në Raguzë u ngulen shumë familje shqiptare, si Gjon Durrsaku (Johannes de Durachio), i biri Domenik Durrsaku, piktor i përmendun, Marin Beçikemi, e sa të tjerë, ndër ta arkitektë të famëshëm, që lanë vepra monumentale, e simbas G. Gelcich, “janë vepra të gjenisë e mjeshtrisë shqiptare”.

Po nga kishte ardhë familja Gàzulli në Raguzë?

Për këte na ndihmojnë vepra autentike arkivore: Regjistri i Kadastres dhe i shitblemjeve për krahinën e Shkodres i viteve 1416-1417, që ruhet në Arkivin e Shtetit në Venedik (Archivio di Stato di Venezia) (Shih edhe: Giuseppe Valentini “Acta Albaniae Veneta”, pjesa II, vëllimi VIII, ku zihen në gojë si pronarë në Sapë – Zadrimë, veç të tjerësh, edhe Bardh Gàzulli, Dedë Gàzulli, Klamada Gàzulli e Mankez Gàzulli).

Gjyshi i Gjonit quhej Pal, një emen që sot e kësaj dite, bashkë me atë Gjon, përsëriten prej brezi në brez në këte familje, si asht zakon në Veri të Shqipnisë. Ndërkohë axha i tij, Matia, që cilësohet shumë i pasun, ndeshet qoftë në Raguzë, ashtu edhe si prift në Barbullush.

Pra, edhe nëse familja Gàzulli, ose një pjesë e saj, lëvizi, apo jetoi edhe në Raguzë, për shkaqe historike që i përmendem, ajo rrajët i ka pasë përherë në trojet tona Veriore.

Mbiemni Gazulli, apo Gazullorë, që gjendet në Veri qysh në krye të kohës, duhet të ketë edhe një shpjegim të thjeshtë etimologjik: “gazullor” në atë kohë e ma heret do të thonte “gazmor” i të sotmes. Bie fjala, te Zef Serembe ndeshim: “Kangjelë gazullore”, që në shqipen e sotme do të ishte “Kangë gazmore”. Asht gjasa pra, të mendohet se ndonjë i parë i fisit të ketë qenë njeri i gëzueshëm, i hareshëm, hokatar – si i thonë popullorçe – , e të jetë thirrë pikërisht për këte, bie fajla, Pal Gazullori, që sot do të ishte Pal Gazmori. Por ndërsa mbiemni cilësor “gazullor” ndër shekuj asht shndrrue në “gazmor”, mbiemni i familjes, siç asht e natyrëshme, ka mbetë i ngurrtësuem, Gàzulli. Kaq sa për të thanë se toponamistika nuk mund të na ndihmojë shumë për prejardhjen e kësaj familje për shkak të dyndjeve të shpeshta si rrjedhojë e mizorive të kohës. Gjithësesi, si Gjoni, ashtu edhe Gazullorë të tjerë në shekuj, mbesin pinjoj të shquem të një trungu të padyshimtë shqiptar e ma ngusht të Shqipnisë Veriperëndimore.

Duhet shënue se dokumentat ma të besueshëm mbi prejardhjen e Gàzullit duhet të mbahen një Testament Noterial i Mati Gàzullit (Arkivi Historik i Dubrovnikut) i datës 24 shtator 1426, ku caktohet si trashigimtar  nipi i tij Gjoni, i biri i Gjinit, nipi i Palit.

Nga këto akte gjejmë të dhana që dëshmojnë se Pali (gjyshi i Gjonit) ishte nga Zadrima (de Sapa), ashtu si ishin prej asaj ane edhe shumë të tjerë që përmenden në këto dokumenta të ardhun prej Deje (Vau i Dejes), Pultit, Ulqinit e Tivarit, të gjitha treva shqiptare.

Këto dokumenta  kaq të vlefshëm kanë një mangësi keqardhëse: asnjeni nuk ban fjalë për datëlindjen e Gjonit apo për kohën kur filloi shkollimin.

Pse kjo mangësi, kur dihet sa e zhvillueme ishte Raguza aso kohe e se ruhen sot e kësaj dite të gjithë rregjistrat i lindjeve?

Përgjigjen mund ta gjejmë tek një dokument tjetër, protokollin e dhanjes së gradës doktor shkence në Universitetin e Padovës (shih Brotto-Zonta, Acta graduum Academicorum Gymnasii Patavini”), ku Gjoni quhet Johannis q. Gini Gaxolli de Albania (Gjoni, i të ndjerit Gjin prej Shqipnie), çka dëshmon jo vetëm përkatësinë e tij etnike, por edhe faktin që (bashkë me mungesën në regjistrat e lindjeve në Raguzë) Gàzulli kishte lindë në Shqipni e në Raguzë ishte i ardhun, ndoshta te axha i tij prift e i pasun, Mati Gàzulli. Pra mungesa e regjistrimit të lindjes së tij në regjistrat e lindjes në Raguzë dhe cilësimi “DE ALBANIA” e bajnë të padyshimtë vendlindjen e tij në tokën amë. (Kujtojmë edhe se qytetarët e Raguzës në dokumenta të viseve të tjera cilësohehshin “DE RAGUSA” tue qenë kjo, ashtu si Venediku, Republikë më vete). Prof. Jahja Drançolli, historian e thellë e i pasionuem, ka ba një ngatrrim të vogël. Tue mos njohë, ndoshta, latinshten, nuk ka dijtë kuptimin e “q.” në mes emnit dhe atësisë, që ka kuptimin “i dikurshëm”, e në emna të përveçëm përdorej aso kohe, kur i ati kishte vdekë, në kuptimin e “i të ndjerit”. Prandaj edhe do të ishte mirë që shkollës së Mesme Teknike të Prishtnës t’i ndrrohej emni nga Gjin në “Gjon Gàzulli”.

Atëherë, ku duhet ta vendosim datëlindjen e Gàzullit ? Sigurisht aty nga fillimi i shekullit XV, derisa më 1428 ai kishte krye studimet në Universitetin e Padovës.

Ndriçimi i veprimtarisë së Gàzullit si shkencëtar, fatkeqësisht, mund të bahet vetem nëpërmjet referimeve të tërthorta, pse nuk kemi arrijtë me gjetë asnjë vepër të tij.

Atëherë le t’u referohemi atyne.

Historiani i madh Francesco Maria Appendini, në veprën e tij “Notizie istorico-critiche sulla antichità, storia e letteratura de Ragusa”, II, Raguzë 1803, shkruen për një letër të J. Çesmiçkit ku thuhet: “Libri, për të cilin flitet në këte letër, duket të ketë qenë botue dhe ndoshta nuk asht vepra e vetme e shkrueme prej Gjon Gàzullit. Ky hamendësim fiton një gjasë ma të madhe pse në tabelën kronologjike të Musantio-s, Gàzullin e ndeshim ndër matematikanët ma të mëdhej të shekullit XV”. (Shih edhe: Giovanni Domenico Musantio, “Tabulae chronologichae”, 1740). Atë e përmend edhe një bashkëkohës i tij i shekullit XV, astronomi Johan Myler nga Kënigsbergu. Poashtu astronomi Georg Peurbach në veprën e tij «Theoricae novae planetarum» sjell edhe një vizatim të Gàzullit. Ndërkaq historiani rus i shkencave egzakte V. Zubobi thotë se veprën e tij të madhe mbi astronominë Gàzulli e botoi më 1438.

Pra, gjithësesi, këto janë një pjesë e vogël e dëshmive të tërthorta që flasin për Gàzullin astronom me famë europiane.

Si arrijti ai deri këtu?

Simbas gjithë gjasave Gàzulli studjoi në Raguzë, e mandej, në vitin 1422 shkon në Padova ky kryen studimet universitare më 1428, kurse më 31 janar 1430 mbron doktoratën në një atmosferë me ngjyra të theksueme atdhetare, pse aty morën pjesë shumë arbneshë të Italisë, ashtu edhe shqiptarë të tjerë të ardhun kryesisht nga Raguza (përmendin pjesëmarrjen e tyne në këte datë të shënueme Gjergj Gaspri, Andrea Durrsaku etj.).

Mbas doktoratës Gàzulli niset «me mision» në Itali e Francë (do të ishin misione të natyrës diplomatike pse mbi Ballkan po bante gjamën gjysëhana) e mandej kalon disa vite në Raguzë, deri më 1439 kur mori Katedrën e Matematikës po në Padova.

Në Raguzë ai thellon kërkimet e tij në lamë të astronomisë. Sot e kësaj dite në Bibliotekën e Raguzës (Dubrovnikut) ruhen disa shënime kritike mbi veprën ma të shqueme të asaj kohe “Theorica novae planetaruum” të astronomit vjenez G. Purbah.

Pa dyshim që përmasat e Gàzullit astronom, sadoqë përsëri tërthoras, dalin në lidhjet e vlerësimin e tij në oborrin e mbretit hungarez Matia Korvini.

Shumë studjuesë kroatë, marëdhanjet aq të mira në mes Raguzës dhe mbretnisë ma të fuqishme e ma të lulzueme të kohës, Hungarisë, i shohin të kushtëzueme edhe nga personaliteti i Gàzullit e te fama e tij në atë kohë.

Siç thamë, një pjesë të mirë të jetës ai e kaloi në Raguzë, qoftë në mes viteve 1433-1439 (pra se të shkonte rishtas në Padova), ashtu edhe në vitet e moshës së shtyeme. Këtu ai u emnue nga Këshilli i të Urtëve (kujtojmë se Raguza ishte Republikë e pavarun) Rektor i Shkollave të Raguzës. Këtu edhe u ba astronom në za në mbarë Europën, sa, mbreti i Hungarisë, nëpërmjet një letre dërgue Këshillit të të Urtëve të Republikës, i lutet atij që Gàzulli të shkonte në oborrin e tij e të udhëhiqte studimet astronomike. Në një letër të dytë datë 26.06.1459 Këshilli i Republikës njoftonte rishtas Nalmadhninë e tij Korvini se po përpiqeshin me i mbushë mendjen Gàzullit të shkonte atje, po ky gjente si shkak kundërshtimi moshën.

Teoria e tij e yjësive qiellore tashma ishte ba mbizotnuese në botën shkencore që do të paraprinte Kopernikun. Ja një fragment nga letra e Çesmiçkit, edhe ky shkencëtar i shquem kroat e ishnxanës i Gazullit, tashti në oborrin e Matia Korvinit, drejtue pikërisht Gjonit tonë:

Ju jo vetëm keni plotësue shpresën tonë, por keni ba edhe  ma shumë. Libri, të cilin na keni dhurue, na pelqen pa masë. Ai asht aq i mbushun me dijeni e risi, sa që leximi i tij na ka sjellë kënaqësi sikur edhe studimi me interes të jashtëzakonshëm. Pranojmë se aty kemi gjetë sqarime për disa thanje të ngatrrueme të astronomëve të lashtë, që prej moti kemi dashtë me i kuptue. Për këte arësye Ju porosisim me gjithë shpirt që të mos përtoni të vazhdoni me shkrue e t’i jepni fund veprës së fillueme, e cila do të ketë randësi të madhe për shkenctarët dhe për famën Tuej ……

Mbas vdekjes së Gàzullit më 1465, këte vend, pra të astronomit në Oborrin Mbretnor të Hungarisë, e zuni Johan Myler, ma i famshmi i astronomëve të kohës, që, në veprën e tij ma të randësishme botue pikërisht aty (Budapest) përmend shpesh Gàzullin, edhe tue iu kundërvue atij mbi disa trajtesa mbi yllësitë qiellore, çka dëshmon se Myler në Hungari u përball jo vetëm me famën e Gàzullit, por padyshim edhe me librin e tij, që na sot nuk e kemi në dorë.  Asht pikërisht kjo kundërshti – më një anë fama e tij, më anë tjetër mungesa e librave të tij – që na kthen gjithçka në një enigmë që sot nuk jemi në gjendje ta zgjidhim. Kjo nuk ulë aspak vlerat e tij mbarëeuropiane, siç e dëshmon një bibliografi e pafund që gjendet anë e kand Europës: në Krakovë (Poloni), në Karlsrue (Gjermani), në Bibliotekën e Vatikanit ku Johan Fisher na sjell tabelat astronomike të Gàzullit, e referimet e shumë e shumë astronomëve të famshëm edhe në shekujt vijues (Jo që teoria mbizotnuese e ndamjes së yllësive të qiellit për ma se një shekull mbas vdekjes së tij mbeti ajo e qujtun e Campanum dhe Gàzulli, kurse emni i tij vazhdoi të përmendet në shumë studime të shekujve XVI-XVII. Vetëm në shekullin XVII, kur astronomia gjet mjete të reja studimi e ishte shtye shumë përpara drejt asaj që njohim sot, Gàzulli fillon e përmendet ma rrallë, edhe pse autorë të shquem si Musanti ende i referohen atij si fillesë e një kandvështrimi të ri astronomik (dmth shkëputja nga astrologjia e mesjetës së herëshme).

Në Arkivin e Raguzës ruhen 11 faqe dorëshkrim të Gjon Gàzullit, por ato nuk janë një vepër e mirëfilltë, por thjeshtë udhëzues për përdorimin e astrolabit. Edhe pse vetëm një udhëzues, autori shfaq aty një kthjelltësi të tillë, që ka ba t’u kthehen studimit të atyne faqeve të pakta shumë e shumë studius të ditëve tona.

Me që jemi ende në lamë të shkencës, simbas dokumentave arkivore të kohës, del se Gjon Gàzulli kishte një prej bibliotekave ma të pasuna për kohën, jo vetëm në Raguzë, por edhe ma gjanë.

D I P L O M A T I

Aftësitë e rralla të Gjon Gàzullit janë shpalosë jo vetëm në lamë të shkencave të përpikta, por edhe si një prej diplomatëve ma të shquem të kohës.

Siç dihet, popujt ballkanikë po përpiqeshin me i ba ballë pushtimit osman. Ishin kohë të vështira jo vetëm për Gadishullin, por rrezikoheshin edhe pjesë të tjera të Europës, e këta, ma shumë se me mbështetë luftën e popujve ballkanikë, për interesa të veta, u banë aktivë në mbështetjen e këtyne përpjekjeve. Qendrat kryesore të një diplomacie aktive ishin aso kohe Roma e Budapesti.

Mision i parë diplomatik i dokumentuem i Gàzullit  asht udhëtimi i tij për në Romë, që të takonte mbretin e Hungarisë Sigmundin (parardhësin e Korvinit) me rastin e kunorzimit të tij mbret prej Papës. Ky mision, simbas vetë dokumentave raguziane, i ishte besue ma të shquemit të asaj Republike e me autoritet edhe ndër hungarezë.

Misioni i tij i dytë asht ai i vitit 1435 në Italinë e Jugut e fill mbas pak në Slloveni.

Në ato vite bashkpunimi në mes princave shqiptarë e Sigmundit të Hungarisë ishin dendësue shumë. Ka qenë pikërisht Gàzulli ai që lehtësoi rikthimin e shumë shqiptarëve në Atdhe me qellim forcimin e rezistencës antiosmane, e kjo veprimtari vazhdoi me udhëtime të shpeshta në Romë, Firence, Sienë, Lubjanë etj.

Tue qenë i përpimë në këto veprimtari të denduna diplomatike,  Republika e Raguzës e liron atë nga detyra e Rektorit dhe emnon në vend të tij Pal Gàzullin të vëllajn, që cilësohet ndër dokumenta “magister, prudens et literatus vir”, çka do të thotë se kishte krye edhe ai studime universitare, sidhe identifikohet si vëlla i “magister Johannis Gaxuli”. (Kujtojmë se, si Pali, ashtu edhe vëllaj tjetër Andrea, do të përmenden  ma vonë si bashkëpunëtorë të afërt  të Kastriotit).

Po afrohej “Stina e madhe e Kastriotit” e vëllaznit Gàzulli, Pali, Andrea, Dhimitri, e mbi të gjithë Gjoni, do të kishin një vend të randësishëm në atë “stinë”.

Nga viti 1443 Raguza shërbeu si qendër informacioni për Europën e krishtenë mbi sa po ndodhte në Shqipni, ku kishin fillue në masë kryengritjet antiosmane me në krye Gjergj Kastriotin. Gàzulli, si diplomat i sprovuem, u angazhue pothuej tanësisht në çashtjen shqiptare. Në vitet e para ai bani sa askush tjetër për tërheqjen e vëmendjes për çka po ndoshte në Shqipni tue shfrytëzue udhëtimet e tij të shumta diplomatike për llogari të Raguzës.

I gjendun nën trysninë e rrethimeve të njëmbasnjëshme turke, Kastrioti u kërkoi ndihmë si Raguzës, ashtu edhe Venedikut, Romës, Napolit e Hungarisë. Me përjashtim të kësaj të fundit, të parët u mjaftuen me ndihma financiare apo edhe me ndonjë armatim, por jo me një bashkpunim konkret, pse nuk donin të hynin në luftë të drejtpërdrejtë me Turqinë.

Në gjithë këte veprimtari diplomatike, dy ishin “ambasadorët” shëtitës ma të randësishëm të Kastriotit, vëllaznit Gjon e Pal Gàzulli, ky i fundit sidomos me përfaqësimin e Kryezotit të Shqipnisë pranë Papatit, por edhe si “këshilltar” i Gjergjit tonë, aq sa qé quejtë “mendja e Kastriotit”.

Por Gjoni, si do ta tregonte fundi jo i largët e jetës së tij, pak e nga pak u tërhoq nga diplomacia për arësye shëndetësore e moshe, por shumë historianë janë të mandjes se u tërhoq edhe nga dëshira e zjarrtë t’i çonte deri në fund studimet e tij shkencore.

Ishte pikërisht në këte periudhë që doli ma në dukje roli i Pal Gàzullit si diplomat.

Duhet thanë se aty nga fillimi i viteve ’50 e deri sa u shue Fatosi i Kombit tonë, Pal Gàzulli ishte ai që mbajti lidhjet e Shqipnisë me Hungarinë, Raguzën, e me mbarë Gadishullin Apenin. Për këte ka dokumenta të pafund, por nuk asht rasti me i sjellë këtu. Po kujtoj vertëm një frazë të Barletit ”.. e ishte ky Pal Gàzulli mendja e Gjergjit tonë e që ia mbushte zemren me guxim me vazhdue luftën kundër të pafeve ..”.

Daniel Gàzulli
Copyright Proletari.Com

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 22/08/2010. Filed under Patriotët. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Gjon Gàzulli, astronom e diplomat i shek. XV

  1. Kelmend Gruda

    26/08/2010 at 05:14


    Pyes veten: Nese kombi yne ka pase kollose te tille, si ka mundesi qe universitetet tona, shkollat tona, rruget e sheshet, vazhdojne me mbajte emna gjithefare boshibozukesh e jo te atyne qe jane nderi i vertete i kombit.
    Kelmend Gruda

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.