Gjergj Kastrioti Skenderbeu asht i përjetshëm

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 444
17 JANAR 2018 Plot 550 vjet pa GJERGJ KASTRIOTIN – SKENDERBEUN.

Isha i vogël kur më tërhiqte vemendjen një kuadër pikture mbi një tabake porcelani për më servirë kafe. Aty ishte një piramidë dikund ka Egjipti.

Një deve, nga pozicioni i kambëve, kuptohej se ishte në ecje…Përpara i printe një harap, që dukej sikur e tërhiqte deven me një litarë…

Dukej sikur edhe dielli binte vetëm mbi atë mjedis, ku rana digjej e të jepte përshtypjen e një tymnaje që ngrihej nalt…

Më dukej një jetë e mënershme. Piramidat, tash sa mija vjet, asnjena nuk lëvizin. Nuk lëvizin as sfinksat, as gurtë, as tullat, madje as faraonët që janë aty ndër ato piramida.

Ndonjë termet shkapë ndonjë gur aty-këtu, që rrëshqet dhe bie poshtë me shpejtsi,  thërmohet e bahet pluhun.

Kur frynë erë, rana ngjitët e mbushë zgavrrat e gurëve, po edhe sytë e sfinksave, që qëndrojnë me aq madhështi mbi piedestalet e tyne. Kur bie shi apo breshën, boll rrallë në ata vise, gjithë ai pluhun lahet e rreshqet me ujin poshtë…

Mbas pak orësh dielli i fortë i atij vendi e thanë tokën e nuk mbetë ma asgja mbas atij rrebeshi që mund t’ jenë kenë mjaft i fortë.

Asht e vërtetë se edhe aty jeta vazhdon… Harapi e devja, të dy jetojnë… Tjerët nuk jetojnë, nuk kanë jetë, por vazhdojnë me kenë aty, madje edhe kur as harapi as devja nuk do të jenë ma…Për jeten e deves asht vështirë me folë. Thonë se asht mësue me vuejtë e me bajtë…

Në lidhje me “arësyetimin” e kafshëve kam pyetë njerëz me ide ateiste dhe materialiste, që e mendojnë veten trashigimtarë të majmunit, por vërej se e kanë të vështirë me mendue ndryshej, jo pse kanë bindje, por u pelqen ashtu, pse nga pema majmuni hypë ma lehtë mbi shpinën e gungueme të deves, sesa me kenë njeri dhe me kërkue rahatinë tek devja.

Ndërsa për harapin e shkretë çka mundesh me thanë ma parë..?

Jeta e ban njeriun me pranue me kenë i gjallë ndër të vdekun.

Kërkon gjithmonë i shkreti njeri me kenë i gjallë e, shpesh, thuhet se edhe “Shqiptarët janë kenë të vdekun ndër të gjallë…”

Jam i sigurtë se këtë mendim për Shqiptarët e kanë “ata” që kanë jetue të hypun mbi shpinë të deves, se, po t’i takonte me jetue si devja, me u tha etjet si ajo, ose si harapi që i prinë zbathë, tue u djegë kambësh në ranën e nxehtë, tue vrapue me gjetë dy grushta uji me njomë fytin e gojën e shkrumueme, atëherë, me andje të madhe do të çonte sytë kah qiella dhe, ashtu gjysë të verbuem nga lodhja, uja, etja, zharitja e frika e vetmisë, apo nga dajaku e shpata e mumjes së “faraonit”, do të fillonte me vrritë me gjithë forcën e zanit të shkyem, me sy të zgurdulluem, tue shikue drejt tek drita e fortë e diellit, derisa të fillojë me pa në rrethin e tij Kryqin…e, kur i marrakotun do të binte për tokë, e i shkrryem në ranë, do të thërriste:

“Zoti im, Zoti im…pse më lëshove dore..?”
Jo, nuk asht blasfemi kjo, vëllazen e motra!
Këto janë fjalët e Krishtit!
Shqiptarët kanë të drejtë me pyetë…
Se vuejtën gati 550 vjet… si Krishti!
E madje, tue kenë Populli trashigimtar i Gjergj Kastriotit…

E Ti, o Gjergj Kastrioti, shka i le mangut Golgotës n’ ata 25 vjet lufta?!

Në historinë e Epokës mbas Krishtit, nuk besoj se ka një shtet tjetër në Europë, si Shqipnia, që tue kenë ndër ma të vogjlit e këtij kontinenti, me u përfshi në të gjitha ngjarjet kryesore të tij, madje edhe tue u “diskutue” edhe ekzistenca e kenjes së Saj…

Unë nuk dyshoj se Toka e Saj asht në kontinentin Europë …Po ka njerëz që nuk e dinë endè, jo nga injoranca, sa nga dëshira mos me kenë edhe sot Shqipnia aty. Historia e shteteve të Europës Perëndimore kurrë nuk mund të jetë e plotë pa emnin e Shtetit Shqiptar, edhe pse e kanë gri e coptue si mos ma keq, tue u mundue me i plotsue qefin e interesat e të gjitha shteteve rreth nesh, njenit ma dashakeq se tjetri.

A mundet Italia me thanë se Popullit Shqiptar na i kemi dhanë një dhuratë të çmueshme, e cila i ka sjellë qytetnim dhe zhvillim të madh njerëzor në të gjitha aspektet, deri tek “liritë dhe të drejtat e Njeriut, një nga bazat e qytetnimit modern”, e kjo dhuratë asht kenë Krishtënimi?

– Jo, po e përsëris: “Jo”! Na jemi të Krishtenë aq ditë para Italisë, sa Shën Pali ka vonue me mbërrijtë nga Durrësi me anije në tokën e tyne.., e, mbas tyne janë kristjanizue vendet tjera mosmirnjohse Europjane…

Kush ma parë se Ilirët u ndodh mes zjarrit të Romës e Bizantit? Këte le të shpjegojnë historianët, dhe atëherë Europa do të “mësojë” se me sa vuejtje e sakrifica Ilirikët e ruejtën prej asaj kohë, pra, që nga viti 67 mbas Krishtit, kur në Iliri fillon edhe përndjekja e pafund e katolikëve.

Prof. Zef Mirdita në librin e Tij të çmueshem, “Krishtënizmi ndër Shqiptarë”(1998), në fq. 159, shkruen: “Kisha e krishterë ndër Shqiptarë, përkundrejt vështirësive e vazhdon kontinuitetin e mëparshëm. Edhe në kohën e skizmës (1054), përkundrejt ndihmave dhe presioneve të përandorve bizantinë dhe të kryepeshkopëve të Ohrit, ajo shpirtërisht mbetët në bashkësi me Romën…” A nuk asht edhe ky një fakt tjetër i Shqiptarve, që nuk u shkëputen as atëherë nga Europa?

Kisha Katolike në Shqipni e ritit romak dhe lindor, në shek. XIV e XV, asht faktori kryesor në ruejtjen e identitetit etnik dhe të pavarësisë së Shqiptarëve. Kisha Katolike dhe i Madhi Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, janë ”pararoja e qytetërimit të krishtenë Europjan. Pushtimi otoman dhe përhapja e islamizmit bën që një pjesë e konsiderueshme e popullit shqiptar ta braktisë vendin dhe të strehohet në Itali e Greqi. Kjo kohë është edhe zanafilla e Kishës së Krishterë Arbëreshe…” (fq. 166)

Se kush ishte Gjergj Kastrioti, Flamuri i Tij, Atdheu e Feja e Shqiptarve e tregojnë Malet, shpellat dhe gjaku i shkuem rrëkajë nga maja e Bratilës, luftat e pafund të Dedë Gjo’ Lulit, malësorve e bajraktarve që nenshkruen Memorandumin e Gerçës dhe klerikëve që ua mësuen Atyne Formulen “Fe e Atdhe”, me e shkrue dhe me e ruejt në Gjuhen e bekueme Shqipe.

Ma kjartë se kushdo që asht mundue me tregue figurën e luftat e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut flasin dokumentat e Vatikanit, per të cilat disa “shqiptarë” vazhdojnë me ba sikur nuk i njohin…ose, edhe kur i “njohin”, mundohen me i paraqitë aq të gjymtuem, sa edhe vetë Vatikani me dyshue në “pronën” e vet që ruen tash sa shekuj. Madhështia e Kastriotit gjendet e shkrueme nga vetë Papët, e po aty edhe nga anmiqtë e tyne. Skenderbeu në botë njihet si mbrojtës i qytetnimit Perëndimor, por edhe i vetë Kishës Katolike. Papa Kalisti III shkruen: “Nuk ka njeri që i ka të njohura veprat e tua e që nuk i ngritë në qiell me lavdatat më të larta dhe të mos flasë për trimërinë tënde si për një ushtar të vërtetë, për një mbrojtës të emrit të krishterë.” (Prof. Z.Mirdita po aty, fq. 173.).

Po Ai Papë vazhdon: “Me të vërtetë shohim se ai pothuajse i vetmi, i cili, i është kundërvenë invadimit t’ egër turk, e nuk e ka lejuar afrimin e tyre.”

Papa Kalisti III shkruen: “Meritat e Tij janë më të mëdha se të të gjithë princërve të tjerë të krishterë!”.

Papa Piu II, shkruen: “Mbrojtësi më i rreptë i Krishtit”.

Plot 25 vjet ishte Gjergj Kastrioti – Skenderbeu që mbrojti Europën e përçame nga invazioni turk. Islamizmi anadollak ka provue në truellin Shqiptar se shuen traditat e vjetra kombëtare dhe shpartallon kulturën shpirtnore të popullit. Aty ku nuk ka veprue me forcën e shpatës apo të vendosjes në hu, aty ka përdorë formën e taksave dhe të nënvleftësimit të njeriut si kenje “e dytë”…Kjo ishte edhe arësyeja e largimit të një sasije të konsiderueshme nga Shqipnia për në Itali dhe Raguzë (Dubrovnik), ku kanë lanë edhe shumë trashigimtarë deri sot.

Kisha Katolike asnjëherë nuk ka mohue identitetin dhe entitetin etnik të Popullit Shqiptar. Kjo vërtetohët edhe me veprat e klerikëve të asaj kohë, kur ata iu mbështetën e u inkuadruen në gjiun e kulturës dhe shkencës së Evropës së asaj kohë, tue mbetë prap sot të pandryshuem që nga gjaja ma elementare, alfabeti latin. Një ndër kolosët e Kishës Katolike në Shqipni të asaj kohë asht edhe prifti Don Gjon Gàzulli, laurue në Padova, n’ Itali me 1430. Ky ishte misionar diplomatik i Skenderbeut, shkencëtar në fushen e astronomisë e të matematikës.

Dokumenti ma i parë i Gjuhës Shqipe, me 1462, nga Imzot Pal Engjëlli, “Formula e Pagëzimit”, asht dëshmia e pakundërshtueshme e të gjithë Shqiptarëve në qëndresën e Tyne kundër pushtimit barbar turk.

Kisha Katolike në Shqipni, mbas vdekjes së Skenderbeut, strehohet ndër shpella e male, ndërsa arbëreshët e Italisë krijojnë Kishën e vet.

Mbas vitit 1622 fillon njëfarë “ringjallje” e Kishës Katolike, që në shek. XIX shpërthen në Shkoder, kohë në të cilën Turkia lejon edhe me u ndërtue Kisha e Madhe Katedrale (1858). Kjo periudhë, edhe pse asht Shqipnia e pushtueme endè nga turqit, dallohet për përpjekjet e Klerit Katolik Shqiptar në hapjen e disa shkollave në Gjuhën Shqipe, ku asht përdorë alfabeti latin, gja që vazhdon me tregue vijushmeninë pa asnjë ndërpremje të rrugës kombtare ndaj kulturës Europjane. Jemi edhe para një fakti: “Asnjë krahinë e Shqipnisë nuk përdorë gjuhën turke!”

Në gjysën e dytë të shek. XIX, në Shkoder, kemi edhe shkolla të mesme si dhe seminar për klerikë katolikë Shqiptarë, ku që në bankat e shkolles fillore asht përdorë gjuha Shqipe. Nuk do të përsëris karakterin dhe rolin e këtyne institucioneve arsimore e kulturore në zhvillimin e ngjarjeve të asaj kohë, por do të theksoj se roli që ka luejtë Kleri Katolik Shqiptar në të gjitha aspektet për çeshtjen kombtare dhe kryesisht të primjes së saj në të gjitha kohët me kahun e pandryshueshëm të vetin nga Europa, janë e do të mbetën monumente të pavdekëshme historike të lavdisë së Tij.

Ai me të vërtetë u masakrue, u përndjek, u var, u vue në hujë, u muer zvarrë…dhe, u pështye si Thëmeluesi i Tij, por guximi dhe përpjekja me ruejtë në tiparet shpirtnore të besimtarëve binomin “Fe e Atdhe”, asht një meritë që na endè nuk e gjejmë të vlerësueme në masen që meriton. Vëreni me kujdes se sa asht e lidhun Historia e Shqipnisë me Historinë e Europës, përderisa vetë egzistenca e qytetnimit Europjan mvarej nga fati i luftave të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Vëreni me kujdes se me sa guxim e pjekuni vepron Kleri Katolik në momentet kyçe të historisë sonë, kur fatet e saj rrezikojnë edhe një zhdukje të përjetëshme, ose gabime të pakorrigjueshme nga vetë politika e ndërthurun e shteteve të tjera.

Hapni arkivat e shihni letrat e dorëshkrimet e At Gjergj Fishtës drejtue sulltanëve dhe politikanëve të Europës, kur të gjithë papërjashtim janë para hartës së Ballkanit tue ba “pazarlleqet” e tyne për kufijtë tonë, për Trojet tona, e për caktimin e “sunduesit” të ri të Popullit Shqiptar! Mos u ndaloni vetëm tek At Fishta, as tek i Madhi Luigj Gurakuqi, as tek Don Ndre Mjedja, por vazhdoni e shfletoni dosjet e “mykuna” të Londres, Parisit, Romës dhe New Yorkut, ku do të gjeni një tjetër kolos të Klerit Katolik Shqiptar t’ “harruem”, Imzot Luigj Bumçin, që di me folë me të gjithë përfaqsuesit e ndryshëm të Lidhjes së Kombëve “pa përkthyes” e, me bindë edhe Papët e Vatikanit për të drejtat e Trojeve tona në 1920, si dhe praninë etnike dhe të vetëdijes sonë kombëtare në Europë.

Mbas vitit 1941, lidhjet e tradhtarëve tanë me sllavokomunistët, dhe “Jalta e 1945”, ishin dhe janë shkatrrimi i plotë i Atdheut Kastriotit…

KËTU U KUNORZUE GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU

E gjurmët e shkatrrimit i keni ndër thëmelet e Kishës së Vaut të Dejës, e hjedhun n’ erë në vitin 1969, në 500 vjetorin e vdekjes së Kastriotit. I keni ndër mbeturinat e Vorrit Gjergj Kastriotit në Lezhë, i keni në dokumentat fallco të historisë s’ Akademisë së Shkencave, i keni ndër vorrezat greke në Token tonë, i keni në zhdukjen e kolosve të Gegnishtes, që kujtoni se janë zhdukë! Ata janë e kanë me kenë “Gurt’ e Parë, thëmeli i lidhjeve të Pavdekshme me qytetnimin e kulturen e Europës Perëndimore”!

Kjo vetëdije e Shqiptarëve dhe karakteri kulturor i saj, ku vazhdojnë me qendrue edhe doket e zakonet tona, u ruejt dhe u trashigue me sakrifica nga Populli Shqiptar, ndonse sot “historianët” e mohojnë, tue shpërfillë nga gjoksi i vet tinzisht flamurin e “marksizem – leninizmit” me shpifjet e fallsifikimet e tyne të turpshme e të pa baza, e këto “vepra të tyne” janë tradhtia e vjeter dhe e re që para Botës Përparimtare, kanë krijue idenë fallso se “Shqipnia sot anon nga orjenti…”
Po, Shqiptarët e vertetë kudo që janë në rruzullin toksorë sot BESOJNË:
GJERGJ  KASTRIOTI  SKENDERBEU  ASHT  I  PERJETSHEM !
Fritz RADOVANI/Proletari.Com
Melbourne, 15 Janar 2018.

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 15/01/2018. Filed under Figura të Shquara Botërore,Gjergj Kastrioti(Skënderbeu). You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.