Ketu do gjeni te gjithe patriotet qe kan marre pjese ne historine e kombit tone.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 4 postime · Faqe 1 prej 1
At Shtjefën Gjeçovi - Lufta e Vlonës 1920 -Harresa e Tiranës
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4441
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
I nderuemi Z. President – Ilir Meta!
Imazh

A duhej dekorue dhe vendosë kunora lulesh te Vorri edhe i
At Shtjefën Gjeçovit
Në 100 vjetorin (1920 - 3 shtator - 2020)
e Luftës Heroike të Vlonës kundër hordhive italjane?

NDERIMI I AT SHTJEFËN GJEÇOVIT(i biri i Kosovës) - ASHT NDERIM EDHE PËR KOSOVËN MARTIRE

Imazh
Mos HARRO President Meta ta dekorosh At Shtjefnin: Me rastin e 91 vjetorit të vrasjes mizore nga Beogradi!
- Rasti për ta dekorue më 14 tetor 2020


Pjesa e I-rë
HARRESA asht FYEMJE ndaj At SHTJEFËN GJEÇOVIT - zotni PRESIDENT ILIR META!


Kontributi i At Sh. Gjeçovit në Luftën e Vlonës k/fashistve italjan në 1920

- Në 14 prill 1920 At Gjeçovi transferohet në Kishën Katolike në Vlorën e pushtuem nga italianët.

- Sapo emnohet meshtar At Gjeçovi në Kishën Katolike të Vlorës, së pari përzen kapelanin(eprorin e kishës) e ushtrisë pushtuese italjane nga kisha.


- At Gjeçovi për I.Qemalin shkruen:
ImazhImazh


“Filluan luftën të peshtetun në shpresë të ndihmës së Perendisë e të bashkimit vllaznuer, e paten sosë a me mbetë të gjithë në lamë të luftës, ose me shperthye dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqve… e nuk durojnë që ti vurgnoset ftyra e asajë shqypje dhe ati flamuri, që e pati ngul dora e prarueme e të pa harruemit Plak, zotit Ismail Qemali, të cilit i qoftë lumnija, e nder kangë e valle ju kendoftë emni…”

- Vlonjatët për At Gjeçovin:

Kontributi i Gjeçovit në Luften e Vlorës 1920, u respektue dhe u çmue nga vlonjatët. Me datën 3 shtator kur luftëtarët hynë në Vlonën e çliruem, vlonjatët e nderojnë AtGjeçovin duke e vënë në krye të vendit. Ai së bashku me atdhetarin Ahmet Lepenica lartësoi flamurin kombëtar në varrin e I. Qemalit qe ne ate vit ishte në Kaninë të Vlonës.

- At Gjeçovi për Vlonën shkruen: “Rroftë bashkimi!…Kënaqu e gëzohu o qytet i Vlonës, se pernjimend paske qenë fatlumë tuj ushqye ksi farë zotnish-djem në prehnin tand. Knaqu e madhnohuni o nanat e vlonjatëve se pernjimend paskeni pasë në gji e rritë djem petrita”.


Nga Bep Martin Pjetri
I nderuemi z. Ilir Meta!
President i Shqipërisë
Tiranë

Imazh


Landa: Ja pse duhet dekorue At Shtjefën Gjeçovi:
1. Pjesmarrës kryesor, frymzues në Luftën e Vlorës kundër Pushtuesve Italian 1920.
2. Arkeolog i Pari Shqiptar i vlersuem me titullin Doktor Nderi{“Doctor honoris causa”} Për studime, hulumtime mbi arkeologjinë në Viset Shqiptare nga Universiteti i Lajpcigut – Gjermani.
3. Autori i Kushtetutës së Parë Arbnore të Maleve – “Kanuni i Lek Dukagjinit.{1933}.


Propozimi: Dekorata post mortum - NDERI I KOMBIT.

Përshkrimi:
At Shtjefën Gjeçovi (1874-1929) ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare, etnolog, arkeolog dhe shkrimtar, klerik françeskan, Mësues i Popullit. Gjeçovi u le në Janjevë më 12 korrik 1874 dhe u vra nga ana e regjimit të Mbretërisë së Jugosllavisë më 14 tetor 1929 në Has të Zymit (Kosovë).
Atë Shtjefën Gjeçovi, një intelektual erudit, grumbulloi qindra gojëdhëna, pregatiti monografi shkencore, shkroi artikuj, libra arkeologjike-atdhetare-artistike-fetare, hartoi tekste mësimore, përktheu nga letërsia botërore etj.
Atë Shtjefën Gjeçovi luftoi kundër synimeve shkombtarizueze të serbomëdhenjve ndaj popullsisë e kulturës shqiptare. Për këto qëndrime u vra nga serbët më 14 tetor të vitit 1929 në Zym të Gjakovës. Ai është dekoruar me Urdhërat;
“Për veprimtari patriotike”, dhe me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë.
Me rastin e 92 vjetorit të Vrasjes së At Sh. Gjeçovit i propozoj si shtetas me të drejtën kushtetuese e për rrjedhojë si subjekt kushtetues: Të nderohet me titullin ma të lartë: NDERI I KOMBIT nga Institucioni i juaj Presedencial!
Asht rasti për ju i nderuem President dhe për institucionin e Presidencës të nderoni Rilindasin që dha jetën për kombin shqiptar! Ju kujtoj se mbeti i vetmi luftëtar që s’u nderua në mesin e 22 luftëtarve të mëdhenjë të Luftës së Vlorës në 1920 me tituj të lartë Dekoratata; “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, “Nderi i Kombit”, “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” dhe me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” më 2 shtator 2020.

Me shpresë dhe respekt!
Bep Martin Pjetri
Shkodër, e hanë 4 tetor 2021.


------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------…

"At Shtjefën Gjeçov Kryeziu, në Luftën e Vlorës 1920 dhe një foto e rrallë".
Imazh

Kurt Farka on August 21, 2020
Nga: Jaho Brahaj
21 gusht 2020
Në vitin 1920 Gjeçovi transferohet në Vlorën e pushtuar nga italianët. Vlora pothuajse nuk ka fare popullsi katolike latine, por në këtë qytet ruhej një kishë katolike më shumë për nevojat shpirtërore të të huajve, konsuj, tregëtar etj. Në këtë kishë ishte vendosur gjatë atyre viteve të pushtimit kapelani (prifti ushtarak) italian.

At Shtjefën Gjeçov Kryeziu.

Sapo shkon Gjeçovi në Vlorë, së pari përzen kapelanin e ushtrisë pushtuese nga kisha. Gjeçovi ishte me karakter i prerë për problemet e traditës e pasurisë shpirtërore shqiptare, nuk lejonte futjen e hundëve të të huajve në problemet tona. Në Vlorën e luftës ato ditë Atë Gjeçovi u bashkua me popullsinë e qytetit e u bë një nga perkrahësit e frymëzues i rezistencës dhe luftës kundra pushtuesit. Si shkruan edhe vetë ai, në Vlorë nuk pati asnjë fanatizëm, dhe ky lëvizte nëpër qytet duke propoganduar madhështinë dhe shenjëtërinë e luftës çlirimtare. Gjeçovi shkoi me këmbë në verën e vitit 1920 edhe në fshatrat e Vlorës si bashkëluftëtar i ngazëllyer me heroizmin e luftëtarve, që luftonin kundra dhunuesve të Flamurit e të Lirisë.

Për këto ditë Gjeçovi shkruan: “Filluan luftën të peshtetun në shpresë të ndihmës së Perendisë e të bashkimit vllaznuer, e paten sosë a me mbetë të gjithë në lamë të luftës, ose me shperthye dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqve… e nuk durojnë që ti vurgnoset ftyra e asajë shqypje dhe ati flamuri, që e pati ngul dora e prarueme e të pa harruemit Plak, zotit Ismail Qemali, të cilit i qoftë lumnija, e nder kangë e valle ju kendoftë emni…”
Kontributi i Gjeçovit në Luften e Vlorës 1920, u respektua dhe u çmua nga vlonjatët. Me datën 3 shtator kur luftëtarët hynë në Vlorën e çliruar, vlonjatët e nderojnë Gjeçovin duke e vënë në krye të vendit. Ai së bashku me atdhetarin Ahmet Lepenica do lartësoi flamurin kombëtar në varrin e I. Qemalit qe ne ate vit ishte në Kaninë. Ky ishte dhe momenti kulmor i kremtimit të fitores historike. Ishin patriotët, ushtarët e lirisë, nanat vlonjate që humben djemt e burrat, ishin motrat që mbetën pa vllezër nga lufta e shenjët, që nderonin këtë burrë nga Janjeva shqiptare, duke ja lënë në dorë Flamurin Kombëtar ta lartësonte në këtë vend të shenjët për shqiptarët, si një mesazh per Plakun vlonjat. Këtë amanet simbolik e percjell Gjeçovi në Kaninën e lashtë, që edhe emrin në letrat shqipe në ato vite e mbante “Komnen Kanina”. Nuk e kemi tekstin e fjalës së tij në këtë rast, por pas pak ditësh shkruan: “Rroftë bashkimi!…Kënaqu e gëzohu o qytet i Vlonës, se pernjimend paske qenë fatlumë tuj ushqye ksi farë zotnish-djem në prehnin tand. Knaqu e madhnohuni o nanat e vlonjatëve se pernjimend paskeni pasë në gji e rritë djem petrita”.

Imazh
At Shtjefën Gjeçovi, Tol Arapi, Ahmet Lepenica dhe Dom Mark Vaso
në Kaninë tek Varri i Ismail Qemalit, me 3 shtator 1920.


Vlonjatët nuk e harrojnë Gjeçovin, i kerkojnë që të shkruante historinë e kesaj epopeje të lavdishme, por kjo nuk u realizua se Gjeçovi u nis për atu ku kerkohej e ishte më shumë i nevojshem." U morë nga Gazeta Shqiptare
https://www.shqiperia.com/blog/at-shtje ... -e-rralle/

E pregatiti - Bep Martin Pjetri
E shtunë, 5.IX.2020
Vazhdon
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4441
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Pjesa e II

Kush ishte At Shtjefën Gjeçovi?



Vrasja mizore nga serbët e At. Gjeçovit - Parlamenti i 1929
Imazh

“Shqypnia asht vendi ku kena le e na jena vetëm shqiptarë".At Shtjefën Gjeçovi:

Më 14 tetor 1929 vritet mizorisht Atë Shtjefën Konstandin Gjeçovin, në vitin 1929 në fshatin Zym të Hasit të Prizrenit.

Protesta e Parlamentit në 1929
Imazh

Deputetët në Parlamentin shqiptar protestuen në 1929 për vrasjen barbare të shkenctarit atdhetar duke i tërheq vërejtjen mbi plojat mizore dhe dhunimet kundër shqiptarëve të Kosovës me kërkesë pranë Qeverisë së Beogradit që t’i ndërpresë këto mizori.
Edhe vrasja e atdhetarit Atë Shtjefën Gjeçovit u diskutue nga Parlamentin shqiptar në mbledhjen e njëmbëdhjetë më 11 nanduer 1929 nën kryesinë e kryetarit të Parlamentit, Pandeli Evangjeli.
1. Deputeti i Korçës, Tefik Mborja – Relatori i Vrasjes te At Shtjefnit tha në parlament:” “Nëse nuk do të interesohen parlamentarët shqiptarë si përfaqësues të popullit për këtë çështje jetike, atëherë duhet të jemi të vetëdishëm se populli shqiptar nuk ka për të ekzistuar, andaj e kemi detyrë të shiqojmë çka po ngjet, jo për qëllim ndërhyrjeje në punët e brendshme, por të shiqojmë se çka ndodh me bashkëkombasit tanë që jetojnë në Mbretërinë jugosllave.”
2. Deputeti i Dibrës, Fiqri Rusi: ” i ban apel shtetit jugosllav që, në qoftë se dëshiron marrëdhënie fqinjësore me Shqipninë dhe t’i kontribuojë paqes në Europën Juglindore duhet t’i ndalojë këto mizori, sepse në të kundërtën, pra nëse vazhdon me zhdukjen e shqiptarëve, shteti shqiptar do ta ngrejë zanin ku të jetë e nevojshme, sepse një gja e tillë nuk mund të durohet.”
3. Deputeti i Dibrës, Kolë Mjeda shprehu mendimin se At Shtjefni kishte kontribue në favor të vjeljes së folklorit shqiptar dhe se ishte zbatues i ligjeve, i ndërgjegjes dhe i ndjenjave kombëtare.
4. Deputeti i Dibrës, Jashar Erebara, i cili fillimisht u shpreh se serbët nuk dëshirojnë të dëgjojnë për elementin shqiptar. Veprat e Jugosllavisë nuk janë shembull miqësie. Në vijim zoti Erebara paraqiti mjaft të dhana faktike mbi mizoritë serbe në Kosovë. Në fund të fjalës së tij zoti Erebara shpreh mendimin se për fat të keq, serbët nuk duen ta kuptojnë se shqiptarët nuk paraqesin pengesë për ta, por, megjithatë, ata dëshirojnë zhdukjen e të gjithë elementit shqiptar në Jugosllavi.
5. Deputeti i Korçës, Xhafer Ypi propozoi të Protesohej pranë Lidhjes së Kombeve(OKB e sotme).
6. Rauf Fico, ministër i Punëve të Jashtme, i dergoi notë proteste Ministris Jashtme të Mbretnis Jugosllave per Vrasjen Mizore të At Shtjefnit.
7. Deputeti i Korçës, Tefik Mborja propozoi parlamentarëve që të mbanin pesë minuta pushim heshtje në kujtim të shpirtit të At Shtjefën Gjeçovit.
8. Deputeti i Kosovës, Bahri Begolli deklaroi se, nuk ishin të kënaqshme shpjegimet e ministrit të Jashtëm. Ai, si përfaqësues i popullit, e veçanërisht si përfaqësues i Kosovës, kërkoi nga Qeveria që të merreshin masa shumë energjike, jo vetëm për At Shtjefën Gjeçovin, por edhe për të gjithë vllaznit shqiptarë që jetojnë në Jugosllavi, duke shprehë mendimin se Jugosllavia duhet ta ketë të kjartë se edhe miza asht e vogël, por e turbullon stomakun. Me diskutimin e deputetit Bahri Begolli mori fund kjo çështje.
(U morën disa të dhana nga ”Diskutimi i vrasjes të Gjeçovit në Parlamentin e Shqipërisë- 1929”, Nga: Lush Culaj, 5 dhjetor 2017)

Pjesa e III-të

Atë Shtjefën Konstandin Gjeçovi (12.7.1874 ne Janjevë – 14.10.1929)
- Martiri i Ndjenjave të Atdheut
- Pishtar i ndriçimit të historisë dhe i Rilindjes së kulturës së kombit

Imazh

1. Veprimtaria meshtarake

Shërbeu meshtar kryesisht në Shqypni;
Atë Shtjefën Gjeçovi ishte meshtar 22 vjeçar në;
Laç-Sebaste të Kurbinit në 1899, Gomsiqe të Pukës në 23 korrikut 1908, Rubik, Pejë, Zarë, Sapë, Theth në 1916, Troshan në fillim të 1919, Prekal, Vlorë më 21 prill 1920, ku nuk pritet mirë nga autoritetet italjane, Shkodër, Gjakovë e Zym të Prizrenit, ku u vra pabesisht dhe mizorisht!

Atë Shtjefën Konstandin Gjeçovi-Monument i gjuhës e i kulturës së Kombit Shqiptar;
Atë Shtjefën Konstandin Gjeçovi ishte; mësues, historian, arkeolog, etnograf, shkrimtar e gjuhëtar dhe teolog.

Disa Vepra;
Atë Shtjefni ka botue këta libra: “Përkrenarja e Skënderbeut”, “Dashnia e atdheut”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Trashëgime trako-ilire”, “Mark Kuli Kryeqitas” (1905), “Agimi i qytetnis”,(1910), “Atil Reguli” (përkthim i lirë i dramit me tri pamje të Pjetër Metastasit) (1912), “Vajza e Orleans-it ase Joana d’Ark” mbas A.F. prej Bergamos, (1915), “Atil Reguli” (1912), “Moisi Golemi”, ”Sebasti n’Arbeni ose n’Armeni” në 1921, dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933).

Vepra teologjike;
“Jeta e shë Luçis, pajtores s’arkidieçezit të Durrsit” (1904), “Shna Ndou i Padues” (1912), “Shpërblesi i botes ase Jeta e Jezu Krishtit.
Akademia e Gjermanisë i akordoi At Shtjefën Gjeçovit çmim akademik
Universiteti i Lajpcigut i dha titullin "Doktor i shkencave in honoris causa" për ”Kanunin e Lek Dukagjinit”.
Akademia e Japonisë e studjoi dhe e çmoi ”Kanunin e Lek Dukagjinit”.

U pregatitë nga Bep Martin Pjetri
- E shtunë, 5 shtator 2020
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4441
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Autori - Bep Martin Pjetri
Amaneti i Faik Konicës i 1913 për Shenjtrimin e Famullis së Gomsiqes!
Imazh


Famullia e Gomsiqes ishte dhe mbeti Djepi i Qytetnimit të Mirditës!
Ishte Djepi i Akademisë ku leu "Kanuni i Lekës" dhe i shum veprave! Famullia u shndrrue në nji Katedër Albanologjike-Juridike me mbi 2000 faqe shkrime studimi juridik mbi " Kanunin e Lekës", apo vepra tjera prej At Shtjefën Gjeçovi(12.VII.1874 - 14.X.1929).
Imazh

Ndër tjera shkruen F.Konica për Atin e ”Kanunit të Lekës” – At Gjeçovin:
”Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u ritur – dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shëntëruar të Shqipëtarësisë.”
Në vjetin 1913 kalëroi 7-8 orë Konica sbashkut me At Gj. Fishtën nga Shkodra në Gomsiqe te miku i tyne për vizitë te At Shtjefni(ku ndenji në Gomsiqe prej majit 1907 deri – 1917).
Gomsiqja - fshat mirditor i skajit perëndimor.
Gomsiqja - Porta e Qytetnimit të Mirditës!
”Gomsiqja…i pari katûnt i Mirditës mb’udhë nga Shkodra n’Orosh. (Faik Konica).
Gomsiqja nën mburojën e maleve, dikur e vetmuem, e vorfën, e strukun nga harresa e qellimshme, nji famulli akademik e nji ngrehinë gurit, e pastër, larg kullave sikur vetë jeta e asaj kohe e trishtë dhe plotë dritë veprash, shenjoi në historinë e saj nji nga lisat ma inkandeshente e ditunis, e atdhetaris dhe i martirizimit; At Shtjefën Gjeçovi, qi jetoi, shërbeu, shkruejti vepra si dhe kryeveprën ”Kanunin e Lekë Dukagjinit”.
Imazh

Gomsiqja e harrueme edhe sot në 2020 i At Gjeçovit dhe i Famullisë!
Pa muze, pa asnji vizitor te kulla akademike e Gomsiqes.
Ku janë patriotët, shoqatat, historjanët, klerikët katolikë mirditorë?
Ku janë burrat dhe burrneshat e Mirditës?
Ipeshkvi i Mirditë Gjergj Meta asht i xanun me përkthimet e liturgjisë të gegëvë të mdhaj në dialektin toskë simbas udhzimeve të beogradit dhe të tiranës enveriste-sllave!
Akademia, bashkia dhe ministria e kulturës merren me tjetërsimin e vlerave kombtare, merren me dhurimin e instrumentit Lahutë – banorit barbar të Uraleve etj!

Amanetin jua la Konica - mirditorve

Amanetin jua la Konica - mirditorve për Famullinë e Gomsiqes për ta shndrrue në MUZE, VEND NDERIMI për Famullinë dhe At Gjeçovin!

A do të bahet realitet amaneti i Faik Konicës për ta shenjtrue Famullinë e Gomsiqes në nji vend pelegrinazhi për shqyptarët dhe të huej? Me nji muze të plotsuem me kanunin dhe veprat qi i shkruejti aty për 10 vjet.
A thue asht zbehë apo fshi nga KUJTESA autori i vendlindjes së "Kanunit të Lekës" nga mbarë Mirdita?

Mirdita asht borxhli dy herë ndaj At Sh. Gjeçovit;

1. Famullinë e Gomsiqes e shndrroi në Akademinë e Mirditës! At Gjeçovi hapi Shkollën aty në 1907 me msues - meshtarin Jakin Serreqi.
2. I kushtoi veprën monumentale birit mirditor At Gj. Fishtën - vepren "Agimi i Gjytetnis"!
E premte, 30.X.2020


Nr. 725 - E hanë, 4.X.2021
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4441
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI:
Pjesa III:
Në prag të 100 vjetorit Pamvarsisë...

DY SHPÊLLA TË THÊLLA...
Imazh
AT SHTJEFEN GJEÇOVI O.F.M.
(1874 – 1929)


Ndër dy shpella të thella, nën dy harqe të daltuem në shkambijtë e ashpër të maleve tona, të naltuem e të zhytun deri në vrantësinën e pafund të qiellit, të ndamë nga një stom i drejtë që bie pingul mbi një kreshtë burrnore e ku nën té buroi si prroni i pastër e i freskët hymni i një Flamuri të dhunuem për shekuj me rradhë, pikërisht aty, në ato dy vatra shkëndijash me të cilat nuk mujtën me u hangër as sytë e Shqipës, nën cohën e ashpër e të murrme të zhgunit të Shën Françeskut, pushoi së rrahuni Zemra e Madhe e Fratit të Kosovës, mu në Zym të Hasit të Thatë, me 13 Tetor 1929...kur serbët menduen me e lanë të përjetshëm Emnin e fratit tue pagëzue me gjakun e Tij të Shenjtë brigjet, cungat e stomijet e njomuna për sa shekuj nga vllaznit e Tij, dhe tue i diftue botës mbarë se këtu njenit prej bijëve të Ilirëve sot hasmi tradhëtisht i ngriti një monument ma të fortë se bronxit, Monumentin e At Shtjefën Gjeçovit OFM, i cili ndër shekuj nuk do të kenë kurrma mort!
E ç’prej asaj dite të zezë duert e Shugurueme të Tij nuk do të daltojnë kurrma ndër zemrat e njoma shkrojlat e At Gjergjit!...E, nuk do të shkojnë gjatë kur camerdhokëve të vegjël nuk do t’u mësojë ma kush me shkrue emnin “Gjergj Kastrioti”...
Qysh se fillova me marrë mend e kuptova fjalën “vrasë” tue pa me sy gjakun e derdhun lamë në 13 Tetorin e vitit 1943 në Tiranë, kjo datë më kujtonte shprazje armësh e bombësh mbi njerzit e pambrojtun e të pafajshëm.., por kjo nuk ishte data e parë e atij tmeri që përjetova si fëmijë kur ishe vetëm 3 vjeç, mbasi për të gjithë Shqiptarët një 13 Tetor tjetër të përgjakun kishin përjetue 14 vjetë para meje nxanësit e Zymit të Hasit në Kosovë, kur dora e pabesë e shovenistëve serb në vitin 1929, plandosi përdhé Mesuesin e tyne të Gjuhës Shqipe, fratin e përvujtë, At Shtjefën Gjeçovi, pra plot 83 vjet ma parë.

Ishte pikërisht ajo vjeshtë e zymtë kur flladi i freskët frynte mbi gjethet e zverdhuna të lisit, me të cilët Përenditë Pellazge thurën kunorën e martirizimit por edhe të lavdisë së përjetëshme që me duert e Tyne Ata i vunë mbi ballin e Heroit të Popullit Shqiptar!
Ishte ai dru i gdhenun që i kishte lëshue ata gjeth për shtroje për daltuesin e vet, kur në dorën e Tij iu gjet si shkop për mburojë bash atëherë kur zagart e mbarë Ballkanit lehnin për “barbarët e egjër”, mbasardhësit e Lekës dhe të Gjergjit të Madh.
Ai nuk eci kurrë mbi shilte e cerga...Ai eci i zbathun me sandalet e Tija mbi gur e shkrepa, mbi ferra e zallishta, ndër fusha, shpella e male, vetëm mbas Kryqit, me Ungjill në dorë. Ungjill e Kanu ishin mburoja e Tij; Paqë e Drejtësi ishin parzmorja e Meshtarit tonë...
Ai ishte djalë i Janjevës së Kosovës, i lemë me 12 Korrik 1874, nga një familje e thjeshtë me origjinë nga Kryeziu i Pukës, me tradita të theksueme Shqiptare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku famullitari i atij vendi, tue vrejtë cilësi të një squtësie të rrallë e mbi të gjitha një natyrë të prirun për kah Feja e ditunia, me leje të prindëve të Tij dhe të Argjipeshkvit të Shkupit, e merr Hilën e vogël (emni i parë i Pagëzimit ishte Mëhill ose Hilë), dhe e sjell në Kolegjin e Françeskanëve të Troshanit. Aty vazhdoi mësimet e mesme dhe u pergatitë që në moshen 10 vjeçare shpirtnisht për udhën e vështirë në të cilën mendonte me vazhdue, tue ju kushtue Urdhnit të Fretenëve të Vogjel (OFM) të Shën Françeskut të Asizit, që kanë zanë vend në Shqipni që në Shek. XIII mbas Krishtit. Zakonisht aso kohe studentët shqiptarë mbas këtyne viteve shkollore dergoheshin në Bosnje, ku banin një plotësim mësimesh liceale me profesorë të njohun dhe njëkohësisht edhe parapergatiteshin për studimet e nalta teologjike, të cilat pjesa ma e madhe i kanë krye në Austri dhe Itali. Gjeçovi studimet e nalta të filozofisë i bani në Banjaluke, ndërsa ata të teologjisë i ka përfundue në Kreshevë, ku u njoht me letrarin e madh epik Gegë Martiq. Si duket edhe Gjeçovi, ashtu si At Gjergj Fishta, nga ajo shkollë e Bosnjes marrin edhe nektarin e njohun të asaj letersie e cila ma vonë ndikoi direkt në krijimtarinë e tyne letrare, por duhet theksue të një niveli artistik shumë të naltë e që mbetë edhe i papërsëritshëm mbas këtyne kolosëve, që kanë lanë vepra me vlerë të madhe në fondin e kulturës sonë Atdhetare Shqiptare.
Në vitin 1896, porsa kishte krye studimet, vjen në Shqipni dhe fillon veprimin fetar e atdhetar në Pejë, Laç të Kurbinit, Gomsiqe, pikërisht ndër ato zona shumë të vorfna, por që la mbresa të përjetëshme me mësimet e Tija të Atdhedashunisë, një vepër e vazhdueshme e Urdhnit Françeskan në të gjitha Trojet Shqiptare ku kanë shkelë ata. Folklori, doket e zakonet dhe “ligjët e pashkrueme” të atyne viseve bahën shujta shpirtnore e Tij, me të cilat menjëherë filloi me mbrujtë landën edukuese të “Kanunit të Maleve” të Kombit Shqiptar. Reformat e Xhonturqëve e zanë në Gomsiqe dhe asht ndër të parët që i zbulon pa pikë frike karakterin shtypës të tyne ndaj vendit tonë. Në Durrës ka një korespondencë të dendun me shumë shqiptarë të Shqipnisë së Mesme që punojnë për të njajtin qellim si Ky. Ndër të gjitha vendet ku shkon ishte lashtësia e tyne ajo që shumë ma shpejtë se mund të mendohej e ban me vue gurt e thëmelit të shkencës së arkeologjisë Shqiptare, Baba i së cilës asht At Shtjefën Gjeçovi.
Mbas vitit 1912, kur At Gjeçovi arriti me pa frutin e përpjekjeve të veta për Liri dhe Pavarësi me ngritjen e Flamurit në Deçiq në 1911, dhe me 28 Nandor 1912 në Vlonë, Ai nuk u pajtue si të gjithë shokët me okupacionet e hueja, kjofshin ata edhe të pjesëshme ose edhe të përkohëshme, kështu pra, as italianët, austriakët apo serbët nuk e donin praninë e Tij. Madje në vitin 1920 kur asht në Vlonë bashkë me priftin Atdhetar Don Mark Vasa, janë në krahun e vendosun të luftarëve Atdhetarë të Lirisë, kundër zaptuesëve italianë. Mospajtimi i Tyne me të tilla vepra të fqinjëve ka ba atë Histori të Lavdishme të Tyne që përjetësisht ka mbetë Heroike.
Në fushën e letërsisë krijimtaria e Tij asht mjaft e gjanë por e panjohun pothuej fare nga Shqiptarët mbas vitit 1944 për ato arësye që dihën kryesisht të përfshimë në Gjenocidin komunist kundër Klerit Katolik Shqiptar dhe veprimtarisë Atdhetare të Veriut. Asht logjike që veprimtaria e Tij e shkrueme në Gegënisht nuk mund të zente vend në letërsinë antiatdhetare të realizmit socialist. Mjaft dorëshkrime të Tij u plaçkitën nga komunistët kur ata bastisën Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në Shkoder në vitin 1946 dhe shumë nga këto vepra të ruejtuna si dorëshkrime me vlerë, përfunduene pjesërisht në Jugosllavi, ndersa një pjesë tjetër janë endè sot jashta “perdorimi” per disa.., në podrumet e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.
At Gjeçovi në fushen letrare asht vlersue edhe nga dijetarët e mëdhaj të kësaj fushe si Prof. Karl Gurakuqi, i cili shkruen: “Gjeçovi botoi në Shkoder në vjetin 1910 vëllimin e bukur me titullin “Agimi i Gjytetnis” kushtue At Fishtës, ndër fletët e të cilit frynë gjithkund nji erë e pastër ndiesishë të flakta atdhetare. Asht për tu shenuem në këte vepër nji studim i hollë mbi fjalorin e gjuhës shqipe, ku rrihet çashtja e pastrimit të fjalëve të hueja, të kujdesit në të folun pa gabime dhe të mënyrës së mbledhjes së fjalvet nga goja e popullit. Përveç këtij libri, kemi nga penda e tij edhe përkthimin e dramit tri pamjesh të Pjetër Metastasit “Atil Reguli” (1912); “Shna Ndou i Padues” mbas Dal-Gal (1912); “Vajza e Arleans-it a Joana d’Ark” (1915) etj.”

Ja, dhe një fragment i poezisë “E drejta!”:
“M' kam, se Atdheu don që t' vllaznohi
E njihni n' t' bame t' keni e n' fjal
M' kam, se Atdheu don që t' bashkohi
Hovin hujliut, vllaznisht me j' a ndal
...M' kam, shqyptart, m' kam, e n' zemrat trimnohi!
M' kam, flamurin e Shqypnis qit - e ndrit
Emnin tand, pa frig e marre rrfeje
Gjuh’ n tande, n' t' cilën Mama t' ka rrit
N' drit me qitun, prej Zotit ke leje
...Ngrehu prej gjumit, se mjeft t' ka topit!”

Si thëmelues i arkeologjisë sonë kombëtare asht vlerësue dhe njohë edhe nga dijetarë të huej të kësaj fushe si: Dr. Ugolini, drejtor i misionit arkeologjik italian që erdhi edhe në Shqipni, nga Prof. Marucchi n’ekspoziten e Vatikanit, nga Prof. Nopçe etj. Ai ishte me të vertetë një shkencëtar i mirfilltë në këte fushë ku la thesare me vlera të mëdha kombëtare të zbulueme prej Tij, të cilat ruheshin deri në 1946 në Muzeun e Kuvendit të Gjuhadolit, si Unaza e njohtun e Gjeçovit, armët Ilire, Zoja e Zezë e daltueme në dru, enë të vjetra prej balte etj.
Ka botue mjaft artikuj në shumë revista e fletore të kohës mbrenda e jashta vendit me pseudonimin “Lkeni i Hasit”. Shkopi i Tij i daltuem në dru asht një vepër arti në vete. Asht ruejtë deri vonë në Muzeun e qytetit të Shkodres.
Madhështia e At Gjeçovit ka mbetë në fletët e prarueme të vepres së çmueshme dhe të pavdekshme “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, me të cilën Autori arrijti me gjujzue shpifsit dhe mashtruesit e vazhdueshëm armiqë të Popullit Shqiptar, tue i tregue me fakte se, kush jemi dhe nga erdhëm për qellimin e madh të ruejtjes së identitetit tonë kombëtar.
Të gjitha mendimet dhe vlerësimet e At Fishtës, Don Lazër Shantojës, Prof. Karl Gurakuqit, Prof Ndoc Kamsit, etj., për këte Kanu do të përmblidhën mbrenda parathanjes së kësaj vepre prej të Madhit Faik Konica, i cili ka arrijtë me penden e Tij të artë me daltue në shkambijtë shqiptar këto fjalë:
“At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodrë dhe atjè, në Kuvënt të Franciskânëve, nji ditë u-njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet nderimi që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m'u-shtuan ca mê tepër që kur u-poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po dhe zëmërmirsia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vënt. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej nonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë - si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane - At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzim t'a dëgjonte njeriu. Asì kohe At Gjeçovi ish "famullitar", domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katûnt i Mirditës mb'udhë nga Shkodra n' Orosh. A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësáj jave? Më pyeti një herë At Fishta, me të cilin píqesha çdo ditë në Shkodrë. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtû, pa humbur kohë, u-nismë. Një gjë për të vënë ré, dhe që më mbushi me habí dhe trishtìm, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtìm shtat' a tet' orësh me kalë, nukë gjetmë as katûnt as shtëpí; veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafé, s'pamë gjëkundi nonjë shënjë gjallësie: një vënt i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njérëzit. Po mërzia e udhëtimit na u-çpërblye përtèj shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me dréjt, në famullí të Gomsiqes, - se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhû, një shtëpí këtû, një shtëpí nj' a dy mile më tej, as që dukej. Famullia - një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm' e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zëmëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë - qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtû ronte At Gjeçovi. Këtû e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësí e përulur, në munt t'afròj e të lith dy fjalë aqë të perkûndërta; një lartësí shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t' Assisit, në pastërí e në vobëksí të zëmrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmiíjëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njérësve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j' a kushtonte studimit.
Merej ahere me institutat e vjétëra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët t'ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askùsh nukë munt t'i afrohej At Gjeçovit në diturín' e këtíj Kanuni. Na tregói një dorëshkrìm nj'a dy-mij faqesh, studim i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t'i kenë rrënjët shumë përtèj Kohës së Mesme. Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbulúara e të mblédhura një nga një, me një fatbardhësí të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçàn, një enë të vogël të qojtur "lacrumatorium" lotore, asìsh që të vjétërit, në besim se të vdékurit qajnë të shkúarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdékurin që ky të kish se kû t'i mblithte lottë. Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lottë t'ona për At Gjeçovin…
Bir i përulët i Shën Franciskut, i ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár. Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípia dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuar janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí.
Po, At Gjeçovi, është përmi çdo sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur - dhe njëditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shënjtëruar të Shqipëtarësisë.”
***
Aty rreth vitit 1954, 55...
I pari njeri që më foli për At Shtjefën Gjeçovin asht kenë piktori Prof. Simon Rrota, mësuesi i em i vizatimit.., kishim përpara një portret të Tij...Aq më bani përshtypje fjala e Mësuesit tem që po më shpjegonte vrasjen mizore të Tij, sa gati pavetëdije i thashë: “Profesor, po edhe këta dy sy Shqiponjet armët serbe i këthyen në dy shpella..?”

Melbourne, 2012.

Shenim F.R.: Botohet me serinë e “Zamakut të Flamurit Kastriotit” Nr.3.
Melbourne, 14 Janar 2022.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 4 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 0 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 02 Tetor 2022, 11:23
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari