Gjithcka mbi naten e erret 45vjecare komuniste shqiptare
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 484 postime · Faqe 48 prej 49 · 1 ... 45, 46, 47, 48, 49
120 VJETORI I LINDJES SË IMZOT GASPËR THACIT
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4553
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI:
AT MATI PRENNUSHI O.F.M.
Imazh

8 JANAR 1948:VENDIMI I GJYQIT SLLAVOKOMUNIST “ME VDEKJE”;
At Matia në fjalën e fundit tha: “Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër hûj e na kanë varë n’ konop ata që nuk deshten as fenë as kombin, por na e kemi thirrë vedin gjithmonë Shqiptarë katolikë të Gjergj Kastriotit...”
MUEJ TETOR 2020: Kujtoj më ...

●23 TETOR 1871 U LE AT GJERGJ FISHTA O.F.M. në Fishtë të Zadrimës së Shkodres. Vdiq me 30 Dhjetor 1940. AI ASHT POETI KOMBTAR I POPULLIT SHQIPTAR! Edhe pse dihet vendvorrimi i fundit i Tij në Vorreza Rrëmaji, nuk bahet asnjë perpjekje per me e nxjerrë vetem nga urrejtja ndaj Zhgunit Tij.

2 TETOR 1882 U le në Shkoder At Mati PRENNUSHI O.F.M
.(1982 – 1948) Mik i gjithë jetës me At Gjergj Fishten. Kur Krajl Nikolla e dënoi me varje, per lidhjen me Dedë Gjo’ Lulin në 1911, se i çoi Flamurin e palosun në gjoks me e ngritë në Deqiç, e shpetoi nderhymja e At Fishtës.
Ishte nga viti 1943 Privinçial i Françeskanve të Shqipnisë deri me futjen e armëve nga Sigurimi i Shtetit komunist nën Elterët e Kishës Françeskane, kur edhe Kuvendi u kthye në burg me 17 Nandor 1946. Vazhduen torturat deri në Janar të 1948, kur u zhvillue gjyqi i mbyllun në mensen e Kuvendit dhe, Ju dha dënimi me vdekje. U pushkatue me 11 Mars 1948 në Zallin e Kirit në Shkoder, tue mos Ju dijtë vorri as sot. Edhe Ky me Zhgun!
23 TETOR 1887 U le piktori i madh Shkodranë Profesor Simon RROTA (1887 – 1961)
31 Tetor 1892 U le Don Nikoll SHELQETI Vdes në kampin e shfarosjes në Beden të Kavajës, 54 vjeç? Burrë në fjalë e në vepra!
19 TETOR 1899 U le n’ Itali At Giovani FAUSTI S.J. (1899 – 1946) U pushkatue me 4 Mars 1946 i pafajshem, akuzue me Organizaten antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”. Qendrimi i Tij në hetuesi dhe në gjyq asht një material i rrallë per studim.
15 TETOR 1904 U le At Gegë LUMAJ O.F.M. (1904 - 1990) Asht Meshtari i Parë që asht arrestue nga Sigurimi i shtetit komunist në 15 Janar 1945. Arrestohet prap në 1967 me “Revolucionin Kultural” dhe, per qendrimin burrnor plotson 25 vjet burg... Vdes si Frat i nderuem nën kujdesin e kushrinjve të Tij në Dukagjin me 18 Nandor 1990.
13 Tetor 1928 Anjeza Gonxhe Bojaxhiu niset per Dublin drejtë Misionit Madh Shpirtnor… Realizoi veprat e Mëdha Shpirtnore dhe Atdhetare të pavdekshme në shekuj!
13 TETOR 1929 Masakrohet nga serbët At Shtjefen GJEÇOVI O.F.M.
5 TETOR 1936 U le Presidenti i Çekisë HAVEL (1936 – 2011) Ai ka thanë: “Njerzit ma të rrezikshem per Demokracinë janë komunistët e konvertuem në demokratë!”
13 Tetor 1943 Bombardimi i Tiranës nga Aleatët. U vrane 503 vetë, ora 13.13’…
1 Tetor 1945 Pushkatohet oficer Pjeter Gegë GURAKUQI (1912 - 1945) Edhe pse disa nga kriminelët komunist deklarojnë per Pafajsinë e Tij…U gjet edhe vrasësi!
1 Tetor 1945 dënohet Don Nikoll KIMZA (1878 – 1960). Nga frika e pushkatimit, porsa perfundoi dënimin dhe u lirue, u arratis jashta Atdheut.
Tetor 1945 Mbytet në tortura At Papa PANDI (1910 – 1945 ?)
Dosja e Tij nuk asht!
10 Tetor 1946 Arrestohet Don Mark BICAJ (1911 – 1946) Dënohet 15 vjet burg.
11 Tetor 1946 Arrestohet At Karlo Serreqi (1911 – 1954) Vdiq në burg t’ Burrelit.
21 Tetor 1946 Arrestohet At Pjeter MESHKALLA… U dënue e bani 15 vjet burg. U arrestue edhe me 29 Prill 1967 dhe, u dënue edhe 10 vjet të tjera... Gjithsejt 25 vjetë.
25 Tetor 1946 Don Ndre SIMONI (1906 – 1975) Shkrimtar e perkthyes i disa gjuhve të hueja. Arrestohet edhe pse i pat të gjitha mundësitë me u arratisë...
26 TETOR 1946 Arrestohet Don Jakë ZEKAJ (1906 – 1995) Dënohet me burg. Mbas lirimit ka lanë disa vepra me vlerë letrare e artistike.
27 Tetor 1946 Arrestohet Don Shtjefen KURTI (1898 – 1972) Pushkatohet per Pagzimin e një fëmije në vitin 1972, se ka shtue “edhe një Katolik në Shqipni.”
28 Tetor 1946 Arrestohet At Pashko GJADRI S.J. (1877 – 1953) Bani 7 vjet burg…
28 Tetor 1946 Arrestohet At Mëhill TROSHANI (1904 – 1983) Bani dy herë burg.
31 Tetor 1946 Arrestohet Papa Josif Mihajli (1912 – 1948) në Korçë. E mbysin në Maliq… E mbulojnë Trupin e Tij me baltë derisa vdes...
22 Tetor 1947 Arrestohet At Buon GJEÇAJ (1873 – 1957) Ishte në Hot me At Mati Prennushin kur i çuen Flamurin Dedë Gjo’ LULIT në 1911…
31 TETOR 1947 Vdiq Fra Gjon PANTALIA S.J. (1887 – 1947) U le në Prizren. Vdiq në Burgun e Kishës së Fretenve në Shkoder. Mbas mbylljes së Kuvendit Jezuitëve shkoi me jetue tek Françeskanët e Shkodres, ku u arrestue dhe u torturue barbarisht...
10 Tetor 1958 Vdes Don Matish LISNA (1924 – 1958) Mjekët konstatojnë helmatisje… Një vrasje e kurdisun nga Sigurimi i shtetit...
12 Tetor 1958 Vdes Don Pashko ZOJZI. Prift i Shirokës…
22 Tetor 1967 Vdes Imzot Gasper GURAKUQI (1885 – 1967) Asht ndër dijetarët e Kishës Katolike Shqiptare, me një kontribut të madh tue fillue nga “Hylli i Dritës”...
14 Tetor 1976 vdes Don Lek DREDHAJ (1907 – 1976) U dënue me varje në 1926 nga Ahmet Zogu, dhe bani edhe 15 vjet burg me komunista.
16 Tetor 1978 Kardinali polak Vojtila zgjidhet në Vatikan PAPA GJON PALI II, Papa i Pavdekshem që ndihmoi në shembjen e sistemit botnor terrorist të komunizmit.
30 Tetor 1994 Emnohet nga Papa Gjon PALI II Kardinali i Parë Shqiptar Imz. Mikel KOLIQI (1902 – 1997). Mbas vitit 1944 kaloi 38 vjet në burgje e kampe shfarosje.
22 Tetor 1997 vdes Imz. Frano ILLIA Autor i “Kanunit Skenderbeut” 1992…
19 Tetor 2003 Papa Gjon PALI II shpallë në Kishen e Shen Pjetrit në Vatikan, Romë: “E Lumja e Parë Shqiptare NANË TEREZA e Kalkutës.
2 TETOR 2017 Vdiq Robert ELSIE (1950 – 2017) Studjues e perkthyes i madh i shumë veprave nga gjuha Shqipe në ato Europjane.
Melbourne 29 Tetor 2020.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4553
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Kujtoj…Sot, mbas 13 vjetësh:
Pse kjo heshtje ?!


VORREZAT E RRËMAJIT SHKODER

Kater letra pa përgjegje...


Mbas 10 vjetësh... Tetor 2020:

Letër e hapun Nr.1, 2, 3, 4...
TË GJITHË ATDHETARËVE SHQIPTARË
MBRENDA E JASHTA ATDHEUT!

Imazh


“UNË DO TË VAZHDOJ ME JU SHKRUE DERISA.., PENA E EME, T’ JU THERIN ESHTNAT TUEJA...!”, thonte, një Dijetarë..!
JEMI NË PRAGUN E VITIT 2010... TË 70 –tit VIT TË PËRJETËSIMIT TË POETIT KOMBËTAR AT GJERGJ FISHTA OFM...


Për dijeni:
Argjipeshkvisë Shkoder dhe Tiranë,
Kuvendit Françeskan Shkoder, Lezhë, Troshan,
Këshillit Ndërfetar të Shqipnisë, Tiranë,
Z... Kryetar i Kuvendit Popullor, Tiranë,
Z..., Kryeminister i Republikës së Shqipnisë,
Z...Prefektit të Shkodres,
Z...Kryetarit të Bashkisë së Shkodres,
Z...Prokurorit të Shkodres,
Z...Drejtorit të Organeve të Ruajtjes së Rendit në Shkoder,
Të gjitha organeve të Shtypit dhe mjetëve të Informacionit Shqiptar!


Shtoj: Argjipeshkvinë e Tivarit,
Argjipeshkvinë e Prizrenit,
Famullinë e Tuzit dhe të Grudës,
Këshillit të Pleqve, të Fshatit Fishtë, Lezhë.
Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipnisë Tiranë,
Z.., Kryetar i Inst. Stud. Albanologjike. Tiranë.
Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkoder dhe të gjithë Rinisë Universitare,
Diasporen Shqiptare të Malësisë së Hotit dhe të Grudës,
Diasporën Shqiptare nga Tivari deri në Kep të Paganës...

ESHTNAT E AT GJERGJ FISHTËS O.F.M. JANË NË RRËMAJ!..

Një prift i ri, kur pat takue At Meshkallën dhe i tregoi se Imz. Ernesto Çoba, i kishte mësue këtij kushtet që duhet me heshtë, Mëshkalla i tha: “Shko e thuej Monsinjorit, me të mësue kushtet që duhet me folë, se me heshtë kemi heshtë boll!...
Edhe unë, tue rikujtue porosinë e At Meshkallës, po flas, se boll kam heshtë!...


Aty rreh vitit 1980, kam shkue ndër vorre të Rrëmajt me u interesue për një vorr të një familjarit tem. Kam takue të Ndjerin Gjon Gjergji, ish roje e vorreve. Mbasi kemi bisedue për problemin personal, Gjoni me një dashamirësi dhe me njëfarë afrimiteti, më mori për krahu dhe u nisëm në drejtim të Kapelës së vorreve.
Mbas pak minuta heshtje, më tha: “Do të shkojmë bashkë në një vend sekret, kam besim se nuk ke me folë me njeri, mbasi kjo që po të tregoj asht gjithmonë me rrezik ba me folë...”

Ecëm nga ana e majtë e Kapelës, kaluam vorrët e motrave stigmatine, numroi 1,2,3,4, selvijat dhe tek e katërta, ndaloi. U afruem tek muri dhe aty më shikoi në sy dhe, më tha: “Fritz, Pashë Shpitnat e Atyne të vdekunve që ke në këte vend, dhe që, nga njohja me Ta, po të besoj edhe ty, të lutem mos me folë me asnjeri pa ardhë ajo kohë që ti ke me pasë mundësi me tregue,... se je i ri e njëditë...
këtu, unë kam futë një thes qimentoje me Eshtnat e At Gjergj Fishtës...”.


U stepa në vend. Pak minuta nuk kemi shkëmbye asnjë fjalë. Për me sigurue kujtesën teme, kam shikue pranë vorrin e një grues së re që kishte një foto në porcelan.
Kam numrue edhe njëherë selvijat dhe jemi kthye me Gjonin në drejtim të Kapelës. Aty jemi ndalue prap.
Gjoni më kuptoi mirë vetëm me të shikueme se cila mund t’ishte pyetja ime: “Si mundën me kenë në Rrëmaj Ato Eshtna shumë të përfoluna dhe të “tretuna” në lumin Drin, pranë Urës së Bahçallekut?”...

Më shpjegoi se: “Ka shkue në një mbasdreke, rreth orës 15.00 në shtëpi të Gjonit, ish Drejtori i Ndermarrjës që merrej me riparimin e Kinema Puntori (ish Kisha e Fretenve), i Ndjeri Shyqyri Rrjolli, dhe i ka kërkue me shkue për një problem urgjent në Rrëmaj. Gjoni ka marrë çelsat, ka hypë në makinën e Shyqyriut dhe janë gjetë për 3 minuta aty, nga rruga Canej ku banonte Gjoni.

Kanë hy me makinë deri tek Kapela, janë ndalue dhe, kanë shkue tek vendi ku kishte mendue Shyqyriu, me varrosë “thesin e qimentos”. Gjoni me një lopatë ka hapë një gropë të vogël, po Shyqi, i ka marrë lopatën dhe e ka thellue ai vetë ma shumë gropën, tue shkue afro 50 – 60 cm. thellësi. E kanë mbulue dhe porosia ishte që Gjoni nuk duhët të fliste me asnjë përson.

Shyqyriu i kishte tregue Gjonit, se dikush e kishte urdhnue me i nxjerr Eshtnat e Fishtës nga Kisha dhe me i tretë në lumin Drin. Shyqyriu ka urdhnue një punëtor me i futë Eshtnat në thes dhe me ia çue në zyre, prej ku, mbas orarit të punës Shyqyriu do të shkonte dhe ti hidhte në lumin Drin.

Mbasi punëtori ka lanë thesin në zyre të Shyqyriut ka ikë, po Shyqyriu e kishte mbajtë thesin tri ditë në zyre dhe kur ka vërejtë se asnjeri nuk interesohet ma për atë çeshtje, ka shkue tek Gjoni, dhe i ka besue për veprimin që kanë krye bashkë me te në vorrezat e Rrëmajit”.

Për këte çeshtje, mbas vitit 1992, unë kam vue në dijeni tre përsona, Anton Benussin, Ernest Përdodën dhe në 1995, kur po riparohej Kisha Françeskane, At Konrrad Gjolaj, i cili, mund ta ketë bisedue me At Z.Pëllumbin. Unë dhe A.Benussi jemi gjallë... tjerët jo!...
Mendoj, se nuk duhët vazhdue ma mos me folë, edhe pse “demokratët” shqiptarë janë bijtë e baballarëve që kanë çvarrosë At Gjergj Fishtën.
Por, tue u nisë se, ndoshta, ka mbetë ndër to një tjetër “Shyqyri Rrjoll”, që asht pak e vështirë me e mendue se ka, pranova me tregue këte sekret, për të cilin po ndodhi një përsëritje e së keqës maparshme me At Fishtën:
TURPI DO TI MBETËT VETËM SHKODRËS DHE VETËM ASAJ!

Shenim:
•Në muajn Tetor 2007, kam vue në dijeni me këte letër Institucionet Fetare Katolike të Shqipnisë, të cilët, nuk janë denjue me mu përgjegjë.
•Amanetin e të Ndjerit Gjon Gjergji nuk mendoj me e marrë me vedi.
•Mekenëse At Fishta ishte mik i babës s’em, të Ndjerit Kol Radovani, për shpenzimet e hapjes së gropës ku asht sot dhe bajtjes deri tek Vorri simbolik në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, në Shkoder, ju përgjegjem personalisht, mbasi të përfundoni punimet.

Fritz RADOVANI
Melbourne, Tetor 2007
Melbourne, 6 Prill 2008.
Nr. 4, Melbourne, 19 Dhetor 2009.
Shenim i Vitit 2020...VITI I AT GJERGJ FISHTES...

Kam fshij emnat e klerikëve dhe zyrtarëve të institucioneve të siperme, mbasi nuk e meritojnë titullin “Zotni”... Ata janë e do të jenë “shokë”...
Një brez turpi i Shekullit XXI...
Portretet e tyne i ka vizatue vetë At Gjergj Fishta O.F.M., tek vepra e Tij “Gomari i Babatasit” (Metamorfoza).
Melbourne, 31 Tetor 2020.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4553
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
“SI E KUJTOJ ‘2 NANDORIN 1945”?, Posted 01 Nëntor 2020, 09:02
Nga Fritz RADOVANI:
VIRUSI PYET PO KET A E DINI
“SI E KUJTOJ ‘2 NANDORIN 1945”?

Imazh
NDUE MIRASH PALI I DUSHMANIT - SHLLAK


JANAR 1945: 118 Burra të Malësisë pushkatohen e hidhen në lumejë...
2 NANDOR 1945: Dhunohen gropat e të vramëve në Zallin e Kirit...
Ky djalë hyni nder të parat gropa në Zallin e Kirit... Me 15 Gusht 1945...
Kushedi sa herë kam pyet veten: “A ka guralec të pa lamë me gjak Zalli i Kirit, pranë Vorreve të Rrëmajit në Shkoder?!”… - Nuk besoj !! Lindëm e u plakëm me krizmat e automatikëve e rrëkajët e gjakut që derdheshin në lumin Kir... E nder kaçuba ferrash, qira të ndezun prej Nanave tona, që tash 75 vjetë lotët e lutjet e Tyne vazhdojnë pa Ua dijtë as Eshtnat...
Ikën një brez i tanë tue vue shenja e tue daltue shkronja tek Penda e Kirit po, të gjithë me zemer të plasun pa mujtë me Ua la Eshtnat nga balta dhe plehu i derdhun mbi gropat e Tyne, per njëgjysë shekulli tirani enveriste e ramiziste që e sundoi Popullin Shqiptar, me terror e vrasje barbare!
Kur në degët e Çinarve shekullor fillonin me ardhë dallndyshat, asnjena prej tyne nuk mujte me perfundue vjerrshen e Filip Shirokës, “Dallnyshë shko!”... E tymi i armëve të pabesa komuniste vazhdonte me nxi Kryqat e Vorreve të Rrëmajit, që tash 75 vjetë nuk janë tha një çast nga lotët e mija Nanave e Motrave Shkodrane, që vazhdojnë me puthë guralecat pertokë.
Sa ruba e zezë e degermia e bardhë asht qendisë me ferrat e atij Zalli...
Veç kur çoheshim prej gjumit e kerkojshim “driten” me shue friken që na kishte pushtue zemren në piken e shperthimit armëve vrastare me një të pafund gëërrrrrr... Që, shpeshë, e shifshim nder andrrat tona fëminore!
Nuk fshihej nga kujtesa ynë asnjëherë ardhja e kamjonit me ushtarë, tek Vorret e Ndue Palit e Caf Metit me vllazen, të vramë me 15 Gusht 1945...
Thymja e Kryqave e Shenjave mbi vorre, shtjelmat mbi fotografia dhe mbi Nanat e Tyne e, njerzit per rreth, nuk mund të fshihen nga kujtesa!
Ajo pamje e mnershme e 2 Nandorit 1945 asht “komunizmi” i vertetë!
E komunizmi i vertetë asht vetem ai që po provon prap Populli Shqiptar!
Melbourne, 1 Nandor 2020.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4553
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh:
Studjuesin e madh...

Imazh
Prof.Dr. Eqrem Çabej
Analiza për Epikën e Poetit kombëtar
At Gjergj Fishta…

(Pjesa I)

I rrënjosur thellë në vendin e tij, të cilin e linte vetëm për pak, për t’u kthyer gjithmonë rishtas atje, Fishta fuqitë e tij njerëzore e poetike i thithi prej kësaj toke. Atje te godinë e dytë e Kuvendit, që ndodhet jashtë qytetit të Shkodrës, ku pemë të lashta japin një qetësi të ëmbël, atje jetoi jetën e tij dhe përgjoi frymëzimet e qeta të zânavet. Ai nuk qe asish shkrimtarësh jo aq të rrallë në Ballkan, të cilët më të shumtën e jetës së tyre e kalojnë nëpër qytete të mëdha të viseve të huaja. Ai qe një nga ato natyra të cilat ngrihen e rriten dalëngadalë prej qarkut të tyre. Në këtë qe një bir i vërtetë i polemit (popullit) të tij dhe bash nga kjo rrënjosje te trualli i vet ai u bë, në një tjetër kuptim sesa Naim Frashëri, poeti kombëtar i Shqipërisë.
Këtij themeli të përbrendshëm të qenies së tij erdhën e iu shtuan elemente të jashtme që e ndikuan (influencuan) edhe këto drejtimin e veprës së tij. Sëpari dega e fratit qe ajo e cila e bëri, për sa rrojti, predikues në kuptimin më të mirë të fjalës. Sikurse burri e frati dinte e tërhiqte me fjalime frymëplotë, ashtu poeti me fjalën e tij plot besë i dëftoi kombit të vet vlerat etike të tij dhe ndjenjën kombëtare që po lindte…
Por dega kishtare pati ndikim edhe mbi punën e tij letrare, në zgjedhjen e lëndës së veprave.
Përveç kësaj duhet përmendur këtu një shtytje e jashtme letrare. Kjo është poezia sllave jugore e shekullit të 19 të vonë e sidomos vepra e françeskanit boshnjak Grga Martić (1822-1905), të cilën poeti e njohu në vend vetë; kjo i shërbeu si një farë modeli. Sikurse ata shkrimtarë po këndonin jetën e fiseve sllave jugore, që janë shpesh herë gjiní me fiset shqiptare të Veriut dhe që kanë shumë herë po të njëjtën mënyrë jetese me këto fise, kështu deshi dhe poeti ynë të bëjë diçka të njëjtë në vend të vet. Themelin e përbashkët poetik e jepte ndjenja epike e jetës, ndjenjë e cila në pjesën dinarike të Sllavëvet jugorë dhe në Shqipëri, posaçërisht në veri të saj, është aq e gjallë sa në pak vise të Europës; kështu poeti, i shtyrë edhe prej temperamentit të tij, u drejtua medoemos nga poezia epike. Në lidhje me këto nuk është ndofta një hasje e kotë që kryevepra e tij quhet Lahuta e Malcís sikurse vepra e Njegošit Gorski vijenac (Kurora e Malit), duke theksuar që të dyja këto vepra në titullin e tyre elementin mal. Nuk duhet atëherë të çuditemi kur te poeti shqiptar dhe te poetët sllavë gjejmë motive, figura e situata që ngjajnë ndërmjet tyre: si këtu dhe atje në të njejtin situacion poetik poeti thërret “vashën e malit”, më njerën anë zânën, më tjetrën vilen.
Njerëzit ecin shpesh mbi të njëjtën fushë shpirtërore, trimëria është gjëja më e madhe e kësaj bote, dera rri gjithmonë e hapur mikut dhe jeta patriarkale sundon gjithkund në familjen e madhe. Po, edhe nëpër gryka e male dalin po të njëjtat hire. Gjithë këta rrjedh nga që kemi të bëjmë me të njëjtën racë dinarike, e cila rron te ne endé shqiptarisht e atje në trajtë të sllavizuar. Shohim pra se dhe në literaturë na del përpara po ajo që ndodh me poezinë popullore sllave jugore e shqiptare, të cilat kanë lidhje të brendshme të ngushtë ndërmjet tyre. Kjo botë nuk mund të jetë krejt sllave, sepse u mungon për një pjesë të madhe Sllavëve të tjerë; e kanë së bashku Shqipëria Veriore e Jugosllavia dinarike (Bosnja, Hercegovina, Mali i Zi.) Do të ketë dalë nga një simbiozë e lashtë sllavo-shqiptare. Mund të kemi të bëjmë këtu me nënshtresën ilire, që mjerisht nuk njihet mirë e që me rekonstrukcione mbrijmë ta depërtojmë vetëm copa-copa, nënshtresë që vazhdon të jetojë me një veshje shpeshherë të sllavizuar. Një term si “Njeriu malazias” i Gerhard Gesemannit nuk ka të drejtë të ekzistojë më vete e i izoluar, po qe se e vrejmë siç është edhe e drejta, në një lidhje të tillë më të gjerë. Kurse fise malazeze tipike si Kuçi, [Piprri Palabardhi – Bjelopavloviq] e Vasojeviqt është treguar se para jo shumë brezave kanë qenë Shqiptarë, atëhere per analogiam na dalin pikëpamje të reja përmbi gjenezën e fiseve sllave jugore, lidhje historike interesante me fiset shqiptare dhe përfundime me rëndësi për lindjen e të dy poezive popullore. Nuk mundemi të hyjmë këtu më thellë në këtë çështje. Vetëm nxjerrim këtë, se te reminishencat sllave të Fishtës kemi të bëjmë më fort me një model, me një zgjim, me një shtytje, me një të hequr të vrejtjes drejt pasurive të njëjta te vatra e vet sesa me një ndikim poetik të thellë. Një herë i zoti i vetvetes, poeti rrahu me fuqit’ e veta e gjer në fund atë rrugë që pat filluar sëpari.
Më 1905 dolën pesë këngët e para (bleu i I) të kryeveprës së Fishtës Lahuta e Malcís, vitin tjetër bleu i II me katër këngë.
Ai vazhdoi e punoi përhera më te dhe e botoi më 1937 në formë të plotë me 30 këngë. Qe her’ e parë që një poet po përpunonte jo më epopenë kombëtare tradicionale të Skënderbeut, por ngjarje nga historia më e re e Shqipërisë. Ajo kohë e ndritur e historisë shqiptare pat frymëzuar para tij dy shkrimtarë. Jeronim de Rada (1814-1903), i dalë nga kolonitë shqiptare të Kalabrisë, e pat madhëruar atë kohë me mallin e të mërguarvet e në frymë romantike, me stil baladesk e në disa pamje epike të konceptuara nganjëherë madhërisht e që kanë pak lidhje midis tyre. Te këto Skënderbeu vetë del vërtet rrallëherë në shesh, por ze me gjithë këtë vendin qendror, rreth të cilit grumbullohen figurat e tjera. De Rada duke u mbështetur në këngët e moçme historike të Shqiptarëve t’Italisë që patën ikur nga rreziku i Turkut, pat dashur të rindërtojë një epos të Skenderbeut dhe ta mbushte me fytyra historike e të trilluara burrash e grash, të ngjallte kështu sërish një kohë heroike. – Njëkohësisht me de Radën në Itali, në Shqipëri një tjetër romantik u përpoq të përbluajë këtë lëndë: Naim Frashëri. Mungesa e pikave kulmore epike, përpjekja për një fill historik të paprerë të kallzimit e bëjnë veprën e tij, e cila mban titullin karakteristik Istori e Skënderbeut, më shumë një histori në vjershë sesa një epos. Naimi nuk qe lindur për poet epik dhe ndikimi i poezisë perse qe bash i përshtatur për ta bërë veprën e tij disi të gjatë. Përveç kësaj, qëllimi i këtij idealisti të madh, në një kohë kur Shqiptaria jashtë Atdheut po luftonte për çlirimin e Kombit prej zgjedhës turke, nuk ka qenë krijimi vetëm i një vepre arti. Arti u merrte për diçka më shumë, për një vepër etike-kombëtare, për lartësimin e zgjimin e shpirtrave me anën e shembëllit të naltë të trimit të kombit. E këtij qëllimi poeti ia mbriti më së ploti. –Përveç kësaj një epos i Skënderbeut duhesh a priori të dështonte, sepse një largësi e madhe, plasa e çarë nga sundimi i gjatë turk, e ndante tashmë shtatin e heroit dhe kohën e tij prej ndjenjës së re të polemit, dhe vetëm në kohët e fundit ai është ringjallur mirë te kjo ndjenjë.
Këtu do të qëndrojë midis së tjerash edhe një shkak i brendshëm, që edhe veprat epike me një ethos aq të lartë të de Radës e të Naim Frashërit u desh të thyheshin më së fundi te natyra e kompleksit të lëndës.
Këtu fillon Fishta me instinktin e drejtë të poetit. Ai mjaft të zhytej në histori të kombit për të mbushur plot të dy duart. Këtu po luftonte një popull vërtet ndryshe simbas fiseve e krahinave, por duke dëshmuar gjithkund e gjithmonë mblacën e njënjëjtë etnike. Në qoftë se nuk ka ndodhur më kot që burri më i madh i historisë së këtij kombi është një luftar, këtij kombi iu desh të tregohej edhe në sjelljen historike më të vonë të tij i denjë për atë burrë. Por atëhere do t’u çfaqte përhera dhe anonim poai shpirt që pat frymëzuar dikur Kastriotin për veprat e tij. Ky shpirt vlente atëherë të këndohej prej një poeti kombëtar: ky poet doli me Gjergj Fishtën. – Andej detit, në Siqeli, një tjetër krijoi një vepër kësodore. Zef Skirói (1865-1927) ka kënduar te poemi te dheu i huaj jetën epike shqiptare qysh prej kohëve të lashta të ngurimit te ndërtimi i Kalasë së Shkodrës, nëpër kohën ilire e nëpër kohën e Skënderbeut gjer te mërgimi i Shqiptarëvet për në Itali e duke zbritun gjer te Ali Pashë Tepelena.
Fishta zgjodhi për lëndë luftat drejtpërdrejt të gjalla të çlirimit nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar dhe nga fillimi i këtij shekulli gjer te lufta e Ballkanit dhe te konferenca e Londonit, në të cilën u njoh pavarësia e Shqipërisë (1913): shkurt pra kohën para dhe pas kongresit të Berlinit, i cili në mospërfillje të plotë të së vërtetës i bëri të padrejtë këtij kombi të vogël. Simbas vendimit të këtij kongresi këndi veriperëndimor shqiptar duhej t’i jepej Malit të Zi. Mirëpo për atë që mësëfundi e pranoi Perandoria Osmane, nuk deshën të dinë gjë një grusht malësorësh dinarikë; këta deshën më mirë të kundërshtojnë. Këto ngjarje dhe të tjera kësodore të një natyre më shumë lokale përbëjnë bazën historike për veprën epike të Fishtës. Merita e tij artistike është sesi ai bëri prej kësaj një epope kombëtare. Kjo epope nganjëherë i kalon kufitë e shqiptarisë, duke qenë njëkohësisht në një farë kuptimi edhe një epos ballkanik: përbri Shqiptarëvet dalin Malazestë, të cilët poeti i bën të rrojnë e të lëvizin krejt si Shqiptarë, Osmanët luftojnë, për të ruajtur Gadishullin e Ballkanit, me Rusë, me Sllavë të Ballkanit e me Shqiptarë, gjersa pas luftës ballkanike dëbohen nga ky truall. Gjeneralët e mëdhenj të ushtrisë turke të asaj kohe na dalin përpara. Historikisht drejt dhe me ndjenjë psikologjike të hollë na përshkruhen edhe intrigat e diplomacisë europiane.
E gjithë këto të shikuara nga pikëpamja naive e Malësorit, çka i jep veprës tërheqjen e veçantë të një primitiviteti jo të kërkuar. Kështu mbretërit europianë janë, simbas besimit të Malësorëve, “të shtatë krajlat”: ata mbajnë mbledhjet e tyre sikurse Malësorët në kuvend, dhe flasin në gjuhën e thjeshtë të këtyre.
Përsa i përket arkitekturës së jashtme të saj, Lahuta e Malcís, e cila përshkruan luftat e dy brezave, nuk është një vepër krejt e njënjënjtë me një veprim të vetëm të madh që ta përshkonte nga kreu e gjer në fund. Ajo është më fort një varg këngësh epike, prej të cilave çdo grup përshkruan një ngjarje historike. Ndërmjet është ndërlikuar nga ndonjë këngë e vetme, e cila përshkruan një episod të vetëm që qëndron më vete, ose na largon e na shpie në botën e larme të përrallave, kështu që te ky poet bota e vërtetë dhe bota mbitokësore përzihen lirisht me njera-tjetrën.
Po të krahasojmë formën e parë, shumë më të shkurtër, të veprës me trajtën definitive të vitit 1937, shohim përpjekjen e poetit për të shtrënguar disi lidhjen e dobët ndërmjet këngë e këngë, herë duke ndruar rrjetin e parë të këngëve, herë duke shtuar këngë të reja të krijuara më vonë, për të mbushur kështu plasat e para e për të dhënë një pamje më të plotë. Vepra ka fituar kështu mjaft në rend historik dhe në njësi veprimi. Të kishte rrojtur Fishta më shumë, do të kish shtuar ndofta, në këtë kuptim, edhe këngë të tjera. Por në themel nuk ka qenë qëllimi i tij të krijojë një poem me një veprim kryesor të vetëm dhe me një hero kryesor. Sepse përbri heroit të këngëve të para Oso Kukës, në këngët e vona spikatin trima të tjerë: Ali Pashë Gucija, bajraktari i Hotit Dedë Gjo’ Luli, patrioti i Jugut Abdyl Frashëri, sokolesha Tringa dhe të tjerë trima – trimi plak Marash Uci i këngëve së para na del rishtas në mbarim të veprës – sëfundi gjithë polemi i Malësisë është heroi anonim i veprimit epik.
Vepra e Fishtës i ka rrënjët në tokën e në jetën popullore të Shqipërisë, ajo nuk do t’ishte çka është pa rrojtjen e thellë të vendit nga ana e poetit, dhe nuk mund të kuptohet pa njohur vendin dhe njerëzit e Shqipërisë. Veçse ç’i fali vendi poetit, ky ia përligji në trajtë të fisnikëruar të artit. Sepse vepra e tij u bë pasqyra besnike, fytyra e kthjellët e gjithë vërtetësisë etnike, trimërisë së ashpër, burrërisë luftarake, krenarisë raciale që ka mundur të ruajë gjer sot jeta shqiptare. Poemi i bëri për vete gjithë këto sub specie aeternitatis dhe përbën pra, përtej artit, një dokument etnografik të jetës shqiptare.
Kësaj i përshtatet edhe forma e përjashtme e poemit, stili i të cilit është burrnor e i vrazhdë, gjuha kokërr e larg çdo ëmbëlsie të tepëruar. Shprehja gjuhësore është krejt e njëllojtë me të folurit e malësorit, dhe mund të merret si gjuhë e posaçme e një shtrese luftarësh. Kemi të bëjmë këtu me një gjuhë letrare të krijuar prej poetit vetë, e cila si e tillë është gjuha e naltë, por njëkohësisht gjuhë popullore, e njëjtë me gjuhën e përditshme. Kjo është karakteristika e këtij stili epik të veçantë, krijuesi i të cilit është Fishta: te ky stil do të mbështetet medoemos, me hir a me pahir, çdo krijim a përkthim epik i paskëtajmë në gjuhë shqipe, e sidomos në gegërishte.
Si ka vepruar poeti me lëndën e tij? Fishta ia nisi njëherë nga trualli i vet më i ngushtë: nga Malësia e Veriut me qendër simbolike Shkodrën, atë qytet të lashtë të Shqipërisë që pat qenë në kohë të moçme kryeqyteti i një mbretërie ilire dhe ka formuar edhe në historinë e mëpastajme të vendit një qendër rëndimi. Për spikatjen e veprimit, një prapaskenë e tillë plot traditë ka patjetër rëndësi kryesore. Grumbullin epik të poemit e përbëjnë Dinarikët e vrazhdë të këtij vendi, nga mesi i të cilëve dalin dalngadal trimat kryesorë. Themelin shoqëror e formon fisi me jetën e përditshme të tij, siç na çfaqet te Kanuni i Lek Dukagjinit mbledhur prej të ndjerit Atë Shtiefen Gjeçovi. Kjo është jeta e familjes së madhe të pandarë me pushtetin atëror (patria potestas), jeta e ndarjes së punës, e prerjes së flokëve të fëmijës, e mikpritjes dhe e vëllamisë (probatinisë) së shenjtë, e nderimit ndaj pleqve, jeta e besës, besë burri dhe besë fisi. Është një jetë lufte me armët përhera në brez, me t’u ruajtur përgjithherë nga armiku, me marrje të gjakut ose me gjak të blerë ose të falur bujarisht, me nderim trimash, me këngë kreshnikësh e me ligje (vajtime). Nuk na takon t’i përflasim poetit që ka marrë për lëndë të poemit të tij një trevë njerëzore gjeografikisht kaq të ngushtë; sepse te kjo botë e përshkruar prej tij njohin vetveten jo vetëm Malësorët e Veriut, por gjithë banorët e maleve shqiptare, ata të Verilindjes (Kosovë), të Lindjes (Dibër) e të Jugperëndimit (Labërí). Gjithkund këtu sundon, ku më fort ku më pak, jeta fisore dhe Kanuni i pashkruar.

20 Dhjetor 2019…
Vazhdon Pjesa II.


Shenim: Botimit nuk i asht ba asnjë ndryshim nga origjinali.(F.R. 2020)
Botuar së pari më 1941, në bleun Gjergj Fishta, dalë me rastin e vdekjes së poetit, nën kujdesin e revistës “Shkëndija”. Shtypun në Shtëpinë Botonjëse “Luarasi” Tiranë.
Melbourne, 4 Nandor 2020.

Pjesa e II

Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh: Studjuesin e madh...

Imazh
Prof.Dr. Eqrem Çabej
Analiza për Epikën e Poetit kombëtar
At Gjergj Fishta…


Atje ku kjo jetë, sikurse në fusha e në qytete, është zhdukur, ka ekzistuar dikur dhe ruhet sot e gjallë sëpaku në ndjenjë të gjindes. Është pra njësia shqiptare, shpeshherë e panjohur, e cila ndrit së poshtmi më çdo anë. Atëhere nuk duhet t’ia marrim poetit për të keq, por duhet t’ia dimë përkundrazi për të mirë, që mori e përvetësoi gjithë të thjeshtën, të moçmen, të paprishurën atje ku e gjeti të ruajtur më mirë dhe që e ngriti në sferën e poezisë. Kritika letrare fisore e Josef Nadlerit mund të zbatohet bash te Fishta shumë mirë. Sepse Fishta zë fill me njësinë e vogël të fisit për të mbaruar te njësia më e madhe e kombit, ia fillon me bariun e moçëm Marash Ucin dhe ia mbrin te Abdyl Frashëri në Lidhjen e Prizrenit. Duket qartas përpjekja e tij të zgjerojë dalngadal botën e ngushtë të këngëve së para duke shtuar pjesë me një brendi më fort nacionale, të ngrejë kështu veprën në sferën kombëtare. Kështu vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar. Te ky e kaluara dhe e ardhmja e këtij kombi janë pjekur fatalisht në një pikë simbolike me njera-tjetrën.
Thamë më sipër se te Fishta është kapur jeta e popullit dhe se kështu vepra e tij është bërë një pasqyrë besnike e folklorit shqiptar. Kjo rrjedh nga njohja e mirë e zakoneve të vendit nga an’ e poetit. Ky element popullor e përshkon veprën e tij aq fund e krye, sa që për të vërtetuar këtë nuk ka nevojë për shembuj të veçantë dhe janë përkundrazi shumë më të rralla ato pjesë në të cilat nota popullore nuk sundon kryekëput. Vetëm kësisoj spjegohet që – siç i rrëfente njëherë i ndjeri poet shkruesit të këtyre rrjeshteve – kur iu këndua disa malësorëve një copë e veprës, këta bënin be se ç’kallëzohej atje qe e vërtetë, sado që bash ngjarjet e përshkruara në atë copë ishin të trilluara prej poetit. Kjo do të thotë se ç’këndohesh atje nuk kishte ndodhur vërtet, mirëpo qe poetikisht e vërtetë. Krejt toni që përshkon këtë poem, pasqyrimi i gjallë i jetës së përditshme të popullit, i besimit dhe i zakoneve të tij, i jep këtij poemi vlerën e një eposi të vërtetë. Për kryetrimin Oso Kuka poeti rrëfen “thonë me këmishë e bani nana”, ashtu siç beson polemi për trimat e moçëm; për trima të tjerë të fortë, shqiptarë e malazes, ai këndon sesi paskan lerë me tri, po edhe më shtatë zemra. Luftarët u besojnë ëndrrave, të cilat u lajmojnë vdekjen. Luftë e paqë e shohin në shpatull të berrit. Burrat rrinë të mbledhur rreth sofrës dhe djemtë e rinj pas darke fshijnë armët. Përnjëherë ngrihet atëhere një këngëtar dhe këndon trimëritë e kreshnikëve përrallorë, duke i nxitur dëgjuesit për vepra të reja.
Një luftë mbaron keq, sepse u fillua një të premte në vend të së martës. Të pa-armët nuk vriten. Vëllamia është e shenjtë: në zjarr të luftës dy vëllamë njihen, njeri Shqiptar e tjetri Malazias, përqafohen e përsëritin miqësinë. Dasmat bëhen sipas zakonit në vjeshtë.
Si t’jenë mâjë skjept edhè deshtë,
E t’jetë pjekë rrushi në vneshtë.


Natyra e përvujtur, e shtruar e amvisës na çfaqet në ato vargje në të cilat Orët u shtrojnë trimave darkën përjashta:
Atà darkë sande s’kan ngrânë;
Para darkësh pse atŷ kan rranë,
E as s’i kan nuset e veta,
Qi atŷ bukën m’u a gatue.
Edhè tryezen me u a shtrue.
M’kâmë me u ndêjë gati me ujë.

Për të rinjtë e të rejat që vdesin të pamartuar bëhet “dasma e të vdekurit”, përhapjen e së cilës ndër popuj të Ballkanit e ka studiuar Muşlea. Kështu te Lahuta Tringën e vdekur Zânat e veshin me petkat më të bukura, e nisin nuse dhe e venë kështu në varr. Armiku vret në bjeshkë një bari të ri: sipas zakonit e qan e motra e i thotë se pat dashur ta martonte me një vashë të re dhe se tani po e martoka me dhe të zi. Veçse gratë nuk dinë vetëm të vajtojnë me ligjë: nëpër male ka nganjëherë çika të veshura si burra e me armë në brez, që dinë të luftojnë edhe të vdesin trimërisht. Një kësi tipi Fishta e ka përjetësuar te figura elegjike e Tringës.
Edhe besimi popullor na paraqitet i pasur te kjo vepër. Nëpër male e livadhe, ndër gryka e përndëndhé jetojnë Zâna, Ora, E bukura e dheut, “të Mirat”, Shtoizavallet lodruese. Dragojtë trima luftojnë me fuqi elementare, me kulshedrën me shtatë krerë, nëpër ujra po lëvizin Floçka e Kshetza, shtrigat shkojnë kaluar mbi breshka të stërmëdha, lugati jermon me bisht të zjarrtë ndër net të gjata dimri…
Bota e lashtë e e zbehtë e përrallave po na ngjallet rishtas, e nxjerrë në jetë me magji prej një poeti të vërtetë.
Po shohim pra se po deshëm të zbërthejmë veprën e Fishtës me anë të disa “gurrave”, po ndeshemi më së fundi te poezia popullore. Ndikimi i saj nga kreu e gjer në fund është aq i thellë, sa Fishta na del një poet popullor i vërtetë dhe Lahuta e Malcís ka karakterin e një poezie popullore të thjeshtë; duket si një varg këngësh popullore më të gjata.
Përkundrazi, disa këngë, në të cilat tingulli popullor është goditur veçanërisht mirë, po sillen tashmë nëpër gojë të popullit dhe janë bërë kështu, sikurse ndonjë këngë e Naim Frashërit dhe e Lasgush Poradecit, këngë popullore të vërteta. Që forma e jashtme, masa e vargut është popullore: është ai metër trokaik katërkëmbësh, tetërrokësh, i cili në këngën popullore shqiptare sundon përmbi të gjitha metret e tjera lokale. Kështu vargjet e Fishtës puthen në vesh të dëgjuesit me masa të zakonshme popullore dhe tingëllojnë, qysh në rrjedhjen ritmike të tyre, popullore e të njohura. Këto vargje mund edhe të këndohen me melodi popullore të Veriut ose me melodi labe të Jugut, pra janë bërë, po t’i shikojmë edhe nga kjo anë, poezi e gjallë. Frymës së poezisë popullore poeti i falet edhe në aliteracionet e shpeshta, të cilat në gjuhë shqipe na dalin në të thëna të moçme me çifte fjalësh. Simbas gjurmave të poezisë popullore janë edhe asonancat në vend të rimës, në të cilat rimojnë vetëm konsonantet e jo më vokalet. Popullore janë dhe përsëritjet e shpeshta të vargjeve ose të një rrjeshti të tërë vargjesh, si dhe inversionet e plota ose përgjysmë si p.sh.:
Me msŷ anmikun pa u frigue,
Pa u frigue, po, me msŷ anmikun,
ose
Por at fjalë mue mos m’a thuej,
Mos m’a thuej as mue as kurrkuej.

Pastaj Fishtës sikurse edhe poezisë popullore i pëlqen pyetja retorike:
Pater Gjoni, Zot! ç’u bâ?/Fill te Pasha po kisht’ rrâ.
Pastaj hiperbolat me numra të rrumbullta si bie fjala “tetqind taborre” për “shumë ushtri”. Një tjetër gjurmë të poezisë së popullit e gjejmë te ato fillimet e një kënge me një pamje të marrë nga natyra, fillime të shpeshta në poezi popullore:
Këngë gegërishte:
Lulzoj pjeshka, lulzoj thâna:
Nrecë Bardhokun kû e kaa nâna?

(V. Prênnushi. Kângë pop. gegn.44)
Fishta:
Buloi molla, lulzoi thâna,/Rrustem Uken kû e ká nâna?
Një vrragë tjetër të poezisë popullore e shohim edhe në mënyrën e krahasimeve të shpeshta epike. Ndër këto, përveç atyre të zakonshmevet, që janë bërë traditë qysh prej epeve inde e homerike, nëpër poezitë epike të Perëndimit, gjejmë krahasime që janë marrë nga poezia e popullit ose që sëpaku janë mbrujtur në frymë të saj. Kështu ndeshim shpesh në krahasime të marra nga jeta baritore shqiptare, nga sfera e gjahut, nga natyra, nga bota e shtazëve t’egra dhe e shpendve rrëmbyes. Poetit ia kish ënda t’i zvargte të gjera, të ndiqte fillin e nisur të krahasimit gjer në konsekuencat më të mbrame, jo vetëm, por nganjëherë ndërlikon brenda te një krahasim një krahasim të ri. Përveç këtyre, ndikimin e poezisë popullore e shohim edhe në formën e brendshme si dhe në stilin e veprës. Kënga popullore shqiptare dallohet nga kënga e kombeve fqinj në shkurtësinë e saj pregnante, në ndërtimin dramatik në vend të gjerësisë epike, në veprim të shpejtë në vend të përshkrimit, gjë kjo që formalisht çfaqet në dialogët e shpeshtë. Kjo këngë popullore qysh prej fillimi, përsa mund ta ndjekim historikisht – në këngët e shekullit të XV të Italo-shqiptarëvet – ka karakter baladesk. Po ta këqyrim nga kjo anë poezinë epike të Fishtës, vrejmë një puthje formale të plotë me poezinë popullore. Përshkrimet janë hedhur me vija të shpejta e të shkurtra, veprimi vjen pas veprimit, dialogët janë mjeshtërisht të shkurtra e të gjalla, përshkrimi i jashtëm i njerëzve bëhet më fort shpejtas me një metaforë popullore. Asgjëkund poeti i shkathët nuk ndalet gjatë, vepra e tij është vepër epike me një ndërtim gati dramatik.
Te heronjtë ndjejmë shpirtin jo aq ëndërrimtar, të aftë më fort për veprime, të njeriut dinarik: thjesht shqiptare është edhe mungesa e çdo mundimi spekulativ mendor. – Edhe gjuha, siç e çekëm më sipër, sjell pjesën e saj në karakterin popullor të veprës. Ajo përdor në dukje pa ditur, por në të vërtetë me dije të plotë e me dorë mjeshtri, arkaizma, solecizma, fjalë e thëna popullore. Poeti zbret poshtë te populli, merr ujë te gurra e gjuhës së tij. Thonë se ai pyeste shpeshherë malësorë për fjalë të rralla e bukurkumbuese, të cilat i përdorte pastaj te Lahuta. Këndej spjegohet për një pjesë të madhe përshtypja e freskët dhe e gjallë e kësaj vepre. – Por përveç kësaj poeti ka marrë nga ndonjë varg a ndonjë strofë prej këngëve popullore, nganjëherë edhe ndonjë këngë të tërë, dhe i ka përlidhur në veprën e tij. Ai i krihte ato ku i dukej mirë dhe i sillte kështu në trajtë të fisnikëruar. Ato strofa mallkimi të Oso Kukës kundër Knjaz Nikollës të Malit të Zi, atje te kulla e Vraninës, janë marrë besnikisht nga një këngë popullore shkodrane.
Një këngë e vjetër ushtarësh janë ato vargje me të cilat u falet shokëve Mican Leka i vrarë:
Këngë toske jugore:
Mbeçë, moré shokë, mbeçë
Përtej urën e Qabesë.
Të m’i falei nënésë,
Të dy qetë të m’i shesë.
T’i apë nigjá së resë.
Ndë pjetë nëna për mua,
T’i thoi se u martua;
Ndë thëntë, seç nuse muar,
Tre plumba ndë krahëruar,
Gjashtë ndë këmbë e ndë duar;
Ndë thëntë, seç krushq i vanë,
Sorrat e korbat e hajnë.

Fishta (Këngë e 18, f. 211):
Amanet, o shokë të mí,
Neper Dardhë kur të kaloni,
Armët e mija barrë t’i çoni,
N’oborr t’kullës edhe t’m’i lshoni,
Nânës as tatës mos m’u kallxoni
Pse janë t’vjetër e i verboni.
Ne pëvetët nana për mue,
Thoni: djali t’âsht martue!
Në pëvetët se ç’nuse muer:
Muer nji plume në krahnuer!
Ne u pëvetët se ç’darsmorë pat:
Pat tre korba ndêjë për ngiat!
Ne u pëvetët se ç’zoja kndojshin!..
Orrla e sorra m’tê po rmojshin!..
Këtu shohim sëpari vrragën e fortë të poezisë popullore te Fishta, sëdyti njësinë shpeshherë të injoruar të poezisë popullore shqiptare, njësi e cila na del prej identitetit të variantes së Jugut e të variantes Veriore që duhet të ketë shërbyer si gurrë për trajtën që i dha kësaj kënge Fishta.
– Prej poezisë popullore është marrë dhe kënga e bukur e trimit thjesht shqiptar, gati kombëtar Gjergj Elez Alija, i cili me emrin e tij shqiptar ka shtegtuar gjer në Bosnjë e në Maqedoni. Për të shpëtuar nder e vatër, ky lufton luftë të gjaktë me Harapin vigan “që kishte dalë prej detit”.
Është një gjë posaçërisht tërheqëse të krahasosh – edhe në shkollë – këngën popullore me trajtën që i ka dhënë asaj poeti. Po përveç kësaj, kjo këngë madhështore e popullit, në të cilën në frymë thjesht ballkanike motra ruan të vëllanë që lëngon, ka lënë dhe një tjetër gjurmë në poemin e Fishtës, në faqet 313, 314, 317, 318 të këngës së 22 të titulluar Tringa. Situacioni te Tringa e te i vëllai i varruar për vdekje është identik me situacionin e poezisë popullore, disa vargje e disa mënyra të thëni janë marrë të pandryshuara ose me shkurtim të numrit të rrokjeve. – Por edhe figurat vetë të heronjve dhe mënyra se si sillen në luftë i përshkon poajo frymë epike që gjejmë ndër këngë kreshnikësh të Shqipërisë Veriore. Këto të fundit përbëjnë, siç dihet, atë qerthullin epik të dy vëllazërve trima Muji e Halili, visar i përbashkët i Shqiptarëve dhe i Sllavëve Jugorë. Sikurse në poezinë popullore shqiptare, këta përfaqësues të burrërisë muslimane-shqiptare luftojnë me Shqé ortodoksë, kështu poeti i bën trimat të përsëritin të njëjtën luftë me të njëjtin armik në një të tashme të përmendshme historike. Dhe sikurse kënga popullore simbas fjalës së vjetër “Trimin vrae, po mos e sha” nuk ia ha hakun trimërisë së armikut, kështu poeti përballë trimave shqiptarë nxjerr përpara po me të njëjtën vlerë trimat malazes, kundër heronjve të vet Mark Milánin e të tjerë burra sllavë të së njëjtës peshë. Shohim pra se të dhënat etnike-shoqërore kanë mbetur në themel gjatë shekujve poato, se si bota e gojëdhanave vazhdohet organikisht në histori të re e në poezi të saj. Fishta është mbase këngëtori popullor i mbramë, ndofta më i madhi, e jo më anonim, i qarkut të këngëve kreshnike të Mujit e të Halilit.
Kjo është përgjithësisht vepra epike e Fishtës. Ajo mbështetet pa dyshim mbi një themel popullor, te fryma e poezisë popullore. Veçse pjesën e kësaj nuk duhet ta çmojmë tepër lart. Lahuta e Malcís është sëfundi vepër vetiake e poetit, vepër arti e plotë, e përsosur dhe e përkryer në vetveti.
Tani poeti na la. Te të gjithë ata që e patën njohur, vdekja e poetit dhe e njeriut ka lënë një vrragë zie të thellë. Burrë me pamje madhështore, qe në të folur i dashur dhe i kthjellët, mik i kallzimeve të këndshme, aq tërheqës si njeri sa ka qenë origjinal e i madh si shkrimtar. Një dritë jete homerike shkëlqen mbi veprën e tij: si në të theksuar të vlerës së individit, si në ndërlikim të hyjnisë në jetën njerëzore, si në dukje të Zânave që u përgjajnë Dianës e Atenës, si sëfundi në përshkrim të figurave heroike dhe të një bote e cila të tërheq me thjeshtësinë e saj heroike. Kjo vepër ka për të rrojtur më shumë se poeti dhe ka për të treguar përtej nëpër kohë atë frymë të veçantë të popullit që ai këndoi.
Për këtë popull vetë është dhjata e shtrenjtë e poetit lënë trashëgim… nipnís… S’kohve t’vona enè për t’lé.

Botuar së pari më 1941, në bleun Gjergj Fishta, dalë me rastin e vdekjes së poetit, nën kujdesin e revistës “Shkëndija”. Shtypun në Shtëpinë Botonjëse “Luarasi” Tiranë.
Shenim F.R: Respekt per çdo fjalë që ka shkrue Prof, për At Fishten…
Melbourne, 7 Nandor 2020.

''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4553
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
RRETH ASAJ VOTER..- Fritz Kolë Radovani, Posted 09 Nëntor 2020, 14:24
Nga Fritz RADOVANI:
VIRUSI PYET PO KET A E DINI:

“A LOSIM RRENASH ?”

Imazh

25 Janar 2006:Rezoluta e Këshillit të Europës për dënimin...
KJO ASHT LOJA MA E NJOHUN E EUROPëS MODERNE !
KJO ASHT LOJA MA E FLLIQUN E SHTETIT SHQIPTAR!
Me 25 janar 2006 Asambleja parlamentare e KE-së votoi Rezolutën nr. 1481 “Mbi nevojën për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”. Delegacioni shqiptar votoi pro saj. Në tetor 2006 kjo rezolutë u miratua nga Parlamenti “shqiptar”. Rezoluta e parë e KE ishte ba qyshë në 1996 për masat që duheshin marrë për “çrrënjosjen” e trashëgimisë së sistemit totalitar komunist. Siç u theksue në këto rezoluta, krimet e komunizmit në vendet ish-komuniste, veçanërisht në Shqipninë komuniste staliniste enveriste, s’ ishin dënue e ndëshkue , siç u dënuen krimet e nazifashizmit në Europë. Në vitin 2010 u themelua nga Parlamenti shqiptar “Instituti i studimit të krimeve dhe pasojave të komunizmit shqiptar”. E sot të gjithë kriminelët vrastarë janë “heronjë”!
I Nderuemi z. Agron Tufa thekson: “Tumori malinj që e bren prej kohësh shoqërinë shqiptare janë edhe kjo dorë gjëmëzezë e ish Sigurimit të diktaturës, që Rilindja i montoi në krye të institucioneve më të rëndësishme të shtetit. Ky detashment i policisë politike të enverizmit sot na është vënë garantues i luftës kundër korrupsionit. Ujqërit me mëlçi të varura përqafe! Ujqërit e mëdhenj dihen, i keni në Parlament, qeveri, bashki, gjykata, drejtësi, Shish, ushtri, polici, etj., kurse këta janë ata të maskuarit, që bëjnë kërdinë. Ata që kanë shkatërruar dje jetë njerëzore, s'e kanë aspak problem të ndërmjetësojnë korrupsionin dhe krimin sot. Ja një listë e shkurtër e tyre:.. Bashkëpunëtorë Sigurimi..”
E, prej 1990 shohim vetem lista mbas listash... Po, shka bahet me lista!?
E cilin prej tyne ka shkarkue Presidenti apo Kryeministri deri sot?
U BANE 34 VJET...VAZHDON LOJA E RRENAVE NR.1481...
E SA VJET TJERA DO TË BAHEN VETEM ME RRENA ?!
Melbourne, 9 Nandor 2020.


Nga Fritz RADOVANI:
RRETH ASAJ VOTER..


Imazh
Don Lazer Jubani Don Simon Jubani


35 VjET:Mund t’ju duket çudi sësi dy vllazën pa pasë asnjë të keqe njëni me tjetrin për 35 vjet nuk kanë folë kurr bashkë, tue kenë të një oxhaku. Ndokush mendon menjëherë se shkaktarë mund të jenë.., dikush tjetër fajson plakën, dikush kushrinjtë.., por, askush nuk mund të kuptojnë se këta dy vllazën janë dy Klerikë Katolik të nderuem..,dhe, nuk kanë aspak të bajnë me hipotezat e sipërmendueme.
Sikur të lexonim një libër apo të kishim mundësi me pa një film me jetën e këtyne dy vllazënve, në fund do të thonim me vete: “Çfarë fantazije kanë artistat, apo çfarë ideje i ka lindë atij regjizori me sajue me këta dy vllazën, kjo asht fantazi, në jetë nuk ngjet kurr kështu!”
Shqipnia asht shumë e vogël. Shkodra edhe shumëherë ma e vogël! Shtëpija ku asht zhvillue ngjarja as nuk krahasohët me asnjenën, prandej edhe asht e vështirë me u besue se. kjo asht ngjarje e vërtetë e ndodhun, madje, edhe në një Shqipni të izolueme nga Bota, ku njerzit me vështirsi qarkullonin nga një qytet në tjetrin.., se për jashta Shqipnie nuk bahej fjalë fare e, sidomos, për Klerikët as nuk mendohej.
Shkodra dhe historia e saj janë kenë subjekt i shumë ngjarjeve tronditëse, prandej populli i saj me të drejtë krenohet për të kaluemen e lavdishme. Komunizmi sadist everian në Shkoder ka eksperimentue të gjitha thanjet e fantazitë e Leninit, Stalinit, Mao Ce Dunit, Everit, Pali Miskës, Hekuran Isajt, Lenka Çukos apo Ramiz Efendisë me shokë.
Lenini në 1922, thonte: “...Të asgjësojmë qëndresën e priftënve dhe të murgeshave me një mizori të tillë që t’a mbajnë mend me dekada të tana!...” Çdo gja që nevojitëj me zbatue këte thanje e ke gjetë në Degën e Mbrendshme të qytetit Martirë të Shkodres, madje, edhe pak ma zi se i ka shkue mendja këtyne “klasikve” të marksizëm – leninizmit apo pasuesve të tyne kriminelë e gjakatarë të pashoq, se aty u grumbulluen sherbëtorët e shovenistëve sllav, fanatikët antikatolikë, të gjitha fundrritë e padijes dhe rrënuesit fshataresk të antiqytetnimit Evropjan Përendimor, që mbartë mbrenda vetës doktrina regresive komuniste, përballë Përparimit t’Atdheut të rujtuna në “Seksionin katolik”!
Ja dhe fakti që vërteton titullin e këtij shkrimi aqsa rrënqethës aq edhe makabër me u mendue se ka ndodhë në një qytet me ma pak se 28.000 banorë në vitin 1946, ku kishte 26 burgje të diktaturës komuniste dhe disa dhjetra hetues terrorist e amoral e kriminel analfabet.
Ngjarja zhvillohet në rrugën Ballabane të qytetit, në shtëpinë e Zef e Çile Jubanit. Nana Çile detyrohet me përballue jetesën tue rrah me orë tezgjahun, për me rritë tre djelmë jetima. Dy prej tyne zgjedhin rrugën e Meshtarisë, Lazri dhe Simoni. Lazri vazhdon Seminarin e Jezuitve dhe kur ishte endè aty, bie në sy pergatitja e Tij serioze si Meshtar dhe si studjues i mirë në lamën e historisë.
Në vitin 1947, në moshen 22 vjeçare e marrin ushtar dhe, asht në pragun e zhdukjes, kur pushkatohet shoku i Tij Don Dedë Maçaj. Pra, Don Lazri atëherë fillon Kalvarin, tue u dënue me 15 vjet burg nga të cilat shumë vite i kalon në burgun famkeq të Burrelit. Mbas 10 vjetësh lirohet nga burgu dhe interrnohet në Gradishtë të Lushnjes, ku qendron edhe 5 vjet tjera aty, deri në vitin 1963.., vit në të cilin lirohet dhe vjen në Shkoder. Në periudhën e “Revolucionit Ideologjik dhe Kultural” të 1967 detyrohet me hy në punë në fermën “Perlat Rexhepi” të Shkodres, ku çdo ditë me biçikletë shkon me fitue “kafshatën e gojës”.., deri me datën 29 Korrik 1982, që vdes i helmatisun nga një shok i punës i quejtun Marleci, kur po hanin bashkë “bukë me djathë” atë mengjez, prej një domatës që i jep shoku i vet. Në spitalin civil të Shkodres, mjekët “nuk dinë me e mjekue”...kështu, në moshën 57 vjeçare Don Lazër Jubani mbyllë “dosjen” e hapun në vitin 1947...si shumë shokë të Tij.
Simoni i vllai, ishte tri vjet ma i ri, le me 5 Mars 1928. Në vitin 1946 kur mbyllet shkolla e Jezuitve nga komunistët nuk mërrinë me e përfundue, kështu punësohet si infermjer pranë dispenserisë qytetit. Aktivizohet me sportin dhe asht ndër futbollistët ma të mirë të klubit “Vllaznia” në Shkoder, por gjatë kësaj kohe ndryshon drejtimin e rrugës së jetës, edhe pse i vëllai asht i burgosun vetëm se ishte Meshtar, Simoni ndjekë mësheftas studimet e duhuna dhe me datën 4 Maji 1958, shugurohet Meshtar nga Imzot Errnesto Çoba. Shugurimi i Tij ishte një pranim me vetdije të plotë i një Martirizimi që do ta ndiqte gjithë jetën. Asnjë pikë mëshire nuk do të kishin terroristët komunist ndaj Klerit Katolik Shqiptar në asnjë periudhë të kenjes së tyne në pushtet, gja e cila ishte e kuptueshme për kedo që ia hynte asaj rrugë. Ndërsa, për Don Simon Jubanin ishte edhe e provueme me vëllain e Tij Don Lazrin, i cili asokohe kalbej burgjesh e kampesh së shfarosjes...
Kur Don Simoni ka lanë Shkodren e asht Meshtar në Mirditë në 1963, Don Simoni arrestohet, dhe kur vëllai i Tij Don Lazri, u lirue nga interrnimi, kështu, Don Simoni i akuzuem, i hetuem, i dënuem, i masakruem dhe i ridënuem, i spijunuem, i dënuem herë dhjetë e herë njëzet vjet, kalon jetën 26 vjet në një nga burgjet historike të komunizmit, në Burrel, ku, Ai aty tashti kishte edhe “birucën e Don Simonit”, e njohun nga të gjithë ata që kanë vuejtë në atë burg...
Lirohet me amnesti të imponueme nga jashtë në vitin 1989. Kishte 7 vjet që Don Lazri kishte vdekë...
Ishin plot 35 vjet që dy vëllaznit Meshtar të një oxhaku nuk ishin takue kurr me njenitjetrin, nuk kishin ngranë një drekë apo një darkë bashkë, nuk kishin asnjë mundësi komunikimi as konsultimi për hallet apo idhnimet e jetes së Tyne, që filluen në vitin 1947 dhe vazhduen deri në vitin 1989...
Por historia e Don Simon Jubanit nuk mbyllet këtu!
Meshtari “i pabindun” siç, e kanë quejtë komunistët, vazhdon me ecë shpejtë si gjithmonë edhe mbas atij burgu të tejzgjatun...gja e cila, krijon dyshime tek Sigurimi, i cili me 13 janar 1990, në pragun e Asaj ngjarje të madhe që do të lëkundin thëmelët e komunizmit edhe në Shqipni, pikërisht, atë natë Don Simoni do të arrestohet me shumë shkodranë tjerë, që me datën 14 Janar kishin organizue një Demostratë të heshtun në Sheshin e Dëshmorve të Shkodres, ku mendohej se “edhe mund të rrëzohej monumenti i Stalinit”, për këte arësye xhelati Zylyftar Ramizi me urdhën të diktatorit gjakatar Ramiz Alia, bani ata arrestime që u pasuen me masakra dhe tortura. Ata, që i provuen me ditë të tana nuk kanë muejtë me u çue në kambë. Por Don Simoni asht i pafaj. Lirohet, ndërsa, organizatorët e Asaj Demostrate dënohën.
Vrasja e Djaloshit Pëllumb Pllumbaj në tentativë arratisje ishte prap një trathti e re mbi ligjin e aprovuem “me gjobitje” për ata që kapën në kufi. Sigurimi shtetit dhe UDB-ja jugosllave vazhdojnë së bashku, lojën e vjetër të mashtrimit dhe të dorzimit të atyne që mund të mendonin me u arratisë. Askujt nuk i shkon mendja se funerali i Pëllumbit të Ri do të jetë një revoltë e Atyne Heronjve që banin mbi sypet e tyne arkivolin e Atij Djali. Posa korteu mërrinë tek komiteti i partisë së Shkodres, shpërthen dufi i një Populli që ka ndrye në zemër për 45 vjet urrejtjën për komunizmin, Ramiz Alinë dhe Nexhmije....Hoxhën dhe, vazhdon thirrja e Atyne Burrave gjatë gjithë Fushës së Çelës, nga Rusi e deri tek vorret e Stom Golemit, ku me arkivol në krah bahën thirrje për rrëzimin e komunizmit...
Mbas kësaj ngjarje në muejn korrik, duket sikur koha po ecën ma shpejtë. Afrohet muej i Purgatorve, Nandori i 1990. Zakonisht në Shkoder asht tregue shumë kujdes për rregullimin dhe zbukurimin e vorreve në këte muej. Siduket, kur i Ndjeri Gjon Kamsi pat mërrijtë me shpëtue nga shkatrrimi Vorrezat e Rëmajt, ka parandi dishka për Atë ngjarje aq të Madhe që do të ngjasin Aty me datën 4 dhe do të pasohet me datën 11 Nandor 1990, tue u ba Dita e Fitorës së Demokracisë në Shkoder, simbol i mbarë Shqipnisë.
Nën një shi e fortunë vjeshte në mes Atyne selvijave të nalta Don Simon Jubani thotë Meshën e Parë, mbas 23 vjetësh të “Revolucionit Ideologjik e Kultural”, që e pat drejtue në Shkoder, “bilbili” i PPSH, Ramiz Alia. Ndonse, në vitin 1985, pak ditë mbas datës 11 Prill kur pat ardhë në Shkoder, pat lanë porosi: “...shoku Enver na la...armiqtë e partisë kanë për të kërkuar për të prishë unitetin tonë...do të kërkojnë për të gjetur mundësinë e realizimit të qellimeve të tyre të këqija ndaj partisë.., prandaj, të jemi vigjilent, sidomos me pjesën katolike, e cila nuk e ka dashur kurrë partinë. Ata në këte situatë kanë për të kërkuar për të përfituar për të përçarë këtë unitet të partisë sonë...por, kudo që të vëreni një çfaqje të vogël mos prisni, por sinjalizoni partinë, veni prangat dhe jepni plumbin ballit...”.
Dhe, me të vërtetë nga data 4 Nandor e deri me 10 në darkë, mund të thohet se disa apartamente karrshi Vorrezave të Rëmajit kishin aq arsenale armësh në katët e sipërme, sa ndoshta po të përdoreshin, njerzit që do të vriteshin do t’ishin ma shumë sesa të varrosunit aty në 100 vjet që janë hapë Ata Vorre. Vagona të tanë me sampista e ushtarë..,gadishmeni nr.1 në të gjitha repartet ushtarake të Veriut. Telefoni i Ramiz Alisë për orë të tana të datës 10 të së shtunës, i jepte urdhna sekretarit të parë të PPSH Shkodres Xhemal Dymbyles, sesi me ba gjakderdhje e terror me datën 11 në Rrëmaj, nëse Don Simon Jubani do të guxonte me thanë Meshën e paralajmërueme nga Ai vetë, që me datën 4 Nandor ora 12.00...
Aty nga ora 10.45’ jam nisë me shkue me të gjithë familjen ndër Vorre. Kur ishe tek dera e Vorreve, vërejta shumë Musliman jashta Vorreve të grumbulluem tek dera. Unë për një çast dyshova për ndonjë keqkuptim, përderisa ata ishin në rrugë jashta Vorreve. Njohta një ndër Ata dhe e pyeta se, pse keni ndejë përjashta? Ai më tha: “Ju hyni e shihni Meshë, nëse do të ndërhyjnë forcat speciale dhe ushtarët që janë ndër vagonat e trenit kundër jush, na do të futemi menjëherë mbas tyne dhe do të përdorim armët që kemi në trup dhe mbas këtyne apartamenteve ndër makina...Rrini të qetë se vëllau në ditë të ngushtë njihet, na nuk largohemi prej këtu pa përfundue Mesha..,jemi ma shumë se 500 vetë!”...
Uniteti i Popullit të Shkodres në datën 11 Nandor 1990 dhe, tek Xhamija e Plumbit me datën 15 Nandor, asht Modeli i Vllaznimit të Muslimanve dhe Katolikve Shkodranë, që i bashkonte një Truell i Vetëm që quhët Shqipni, e lame me Gjakun e Martirve të Saj: Ndue Pali, Caf Meta, Paulin Pali, Muzafer Pipa, Kolë Prela, Qemal Draçini, Bardhosh Dani e Mark Cacaj e mija, mija të tjerë që lindën, luftuen dhe ranë Heroikisht të gjithë bashkë po, pranë Atyne Vorreve, ku ishin Betue mbi gurët e Tokës Nanë Shqipni.
Rinia e sotme Shkodrane, duhet të përulet me Nderim para gurve të Zallit të Kirit dhe, të mundohet “vetëm” me rikujtue: “Pse vdiqën së bashku Këta Vëllazën Shqiptarë?!..”
Kurr mos harroni thanjën e një filozofi të madh Shqiptar, At Anton Harapit: “Lumninë e jep deka, Kunorën e ven Vorri!..”
Me 11 Nandor edhe Don Simon Jubani mbi Ata Vorre vuni një Kunorë dafinash! E.., unë e pashë tek dy Çinarët me sytë e mijë Atë Burrë me dorë të drejtueme nga një gropë e hapun që në 1945 në Rrëmaj, kur, i tha komunizmit:
“Hi ke kenë e, hi ke me u ba!...”
Po, po, Aty, bash Aty, ku lindi dhe u ruejt përjetësisht: “Liria, Vllaznia dhe Demokracia Shqiptare”...
Melbourne, 11 Nandor 2020.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4553
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
PËR HOMERIN E PËRJETËSISË - Adem Zaplluzha, Posted 12 Nëntor 2020, 19:49
Kujtoj…Sot, mbas pak ditësh:

Imazh
POETIN ADEM ZAPLLUZHA
(1943 – 2020)


PËR HOMERIN E PËRJETËSISË
POEMË


1.
O At i madh
O Gjergj

Kush e di se sa herë të vranë
Por ju edhe i vrarë
Jetoni te yjet
O ylli i Shqiptarisë
Jetoni
Duke bartur në dorë
Zjarrin e Olimpit
Flakadanin madhështor
I cili kurrë nuk shuhet
Të ishit gjallë
Do i shkruanit sa këngë Homerike
Për Vraninën e Kosovës
Gjakun e derdhur
Për ato zjarre që i dogjën flakë
Shpirtrat e Etërve

2.
O Gjergji
Me penë misterioze
E shpatë në dorë
E cila preu
Më shumë se vdekja
Më shumë se çdo ushtri barbare
Dhe triumfove
Nëpër bejlegjet me kriminelët
Këndove
Aq bukur këndove për Atdheun
Sa që i tmerrove ardhacakët

3.
O At në qiell e në tokë
Mbi varrin Tënd
Po mbijnë ullinjtë e Shqipërisë
Po mbijnë me disa lloje rrënjësh
Më besoni
Nuk krakëllijnë më korbat
E Kardakut
As sorrëshkinat e Serbisë
Këtu fluturojnë dykrenorët
Fluturojnë
Nga dyert e gdhendura
Me vargjet e zjarrta
Fluturojnë pëllumbat e dashurisë
Fluturojnë
Nëpër fushat e gjëra
Të Shqiptarisë

4.
Nuk pëllet më Gomari i Babatasit
Nëpër kopshtet e trëndafilave
Po lulëzojnë
Si kurrë më parë
Aguliçet e stinëve të kënduara
Nga mendja dhe pena e Juaj
Po lulëzojnë
Gonxhet e ardhmërisë

5.
Një Zot e di se ku jeni tani
Çfarë shkruani te yjet
Ne i kemi thyer kambanat e urrejtjes
I kemi bërë
Copë e grimë
Jetojmë me të sotmen
Ëndërrojmë ardhmërinë
Ati jonë sypetrit
Ju edhe nga lartësitë e qiellit
Bëni dritë
O ju përgjëroj
Dërgona ca rreze
Mbi këtë tokë
Të na ngrohin me mirësinë
Ta mbajë gjallë Shqipërinë
Ta zhdukim urrejtjen
Nga Malet tona
Të ulemi si dikur
Me zanat e Tropojës
Të kuvendojmë në logje burrash
Për hallet e përditshmërisë

6.
Zgjohu o Gjergj Fishta
Zgjohu
Se hajdutët e Ballkanit
Na e vodhën Lahutën
Por jo edhe zërin e saj hyjnor
E cila nëpër çatitë e djegura
U këndon perëndive Dardanë
Të përbej
Me Emrin e Shën Mërisë
Zgjohu o At i Shqiptarisë
Zgjohu
Sa shumë kemi nevojë
Për Homerin e Përjetësisë


Shenim nga F.Radovani:
Asnjëherë nuk dijta me mendue se kjo Poemë, do të botohet kur Poeti ynë Adem Zaplluzha nuk do ta lexojnë...
Po, brezat e rij nuk do ta harrojnë kurr zanin Tand !..
Melbourne, 12 Nandor 2020.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4553
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI:
VIRUSI PYET PO KET A E DINI:
“SI VRITEN PRAP T’ VRAMIT?!..”

Po, prej këtu.., sa ka vra e zhdukë ki?!..
Imazh

Ku ndryshonte Everi ynë nga Millosheviqi ? Të dy kishin frikë se po i xanë kolltukun...
Kishin marrë veshtë se ai kolltuk të mbulon edhe pallatin me lingota, pare ari e dollarë...
Kolltuku duhet me qindrue mbi shtylla rrashtash të freskëta njena mbi tjetrën...
Dhambët nuk duhet me i pasë të thyem nga plumbat, se nuk duken sikur po qeshin...
Diktatorët vrasin vetem per knaqësi të vet... Kur donë me vra ata i kundershton vetvetja.
Askush nuk guxon me i pre rrugen se menjëherë rreshtohet per knaqësinë e tij...
Kur njerzit mendojnë se vrasësi katil u knaq me krim, ai asht tue mendue vrasjen tjetër.
Mos e pyetni kurr se ke do të vrasin ma vonë, se kur ai habitet të vret ty të parin...
Edhe kur gabon e permendë një emen të vramë, mos e kundershto se vret një tjetër kot.
Kurr mos e korrigjoni vrasjen e tij pa u ftofë, ai të vret ty se ai asht i pakorrigjueshem.
Kur asht i lodhun lene ta zanë gjumi, e mos gabo me e zgjue se të vret ty qe e le me fjetë.
Kur flenë ai e konsideron gjumin “kohë e humbun”, “ah, sa shumë do t’ kisha vra?!”
Kushdo që ndjen dhimbje për një vrasje të tij, ai duhet vra menjëherë pa kalue minuti...
Kur mbiemnin e ka lexue dikund, mos e kundershtoni se vrasësi zhdukë fise të tana.
Diktatorët urrejnë besimet, vrasin kedo vetem kur i ndigjojnë besimin ose kombësinë...
Diktatorët urrejnë burrat ma të gjatë se ai. Torturojnë ma të gjatit per me i shkurtue.
Vrasin kedo që ka gruen e bukur, sepse ajo nuk ka shkue me i kerkue “faljen e burrit”.
Shumë burra vriten vetem se tiranët knaqen kur dalin në shetitje e shohin vetëm vejusha.
Knaqësia e xhelatve asht hypja në tribunë e me pa koka me degermija ose futa të zeza...
A e dini kur sherohen vrasësit barbar? – Kur fillojnë me vra fëmijtë dhe gratë e veta...
A ju kujtohet Stalini? Asgja nuk i ka lanë mangut Everi... E mbajti dhandrri në shtëpi... Dhe, sa mori pushtetin nder të parët ka vra Bahri Omarin... Me falni harrova:
Mbas Qemal Stafës, Vasil Shantos dhe spastrimit grupit Korçës... Gjinokastritët i vrau per “kurban” në pragun e 29 Nandorit 1944... Si e tek i vrau... “Ate e di Partia”!...
Po, sa asht shifra e të vramëve dhe të zhdukunve nga rregjimi komunist i Ever Hoxhës e Ramiz Alisë, per 47 vjetë terror e diktaturë a e dini? Pse talleni me 4500 të zhdukunit?!
Kush dhe ku asht e botueme shifra e saktë e të vramve dhe të zhdukunve nga diktatura?!
Vetem në Shkoder me zonen Veriore deri në 1960, Aranit Çela ka firmue 2080 të vramë!
PSE NUK E BANI MONUMENTIN E MIJA VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT ?!..
Melbourne, 15 Nandor 2020.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4553
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Libri "2020 - VITI I AT GJERGJ FISHTES

-8o VJET- 1940 - 2020 - AT GJERGJ FISHTA O.F.M. - ASHT MENDJA, ZEMRA E SHPIRTI I POPULLIT SHQIPTAR !

Imazh
PLLAKAT NGA FRITZ RADOVANI (2019)

Vllazen e Motra Shqiptarë!

Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit.
Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e Shqipni…
Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!
Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue:

“VITIN 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTES”

Melbourne, 20 Nandor 2019. Me respekt, Fritz RADOVANI

Pjesa e LII(52)


Nga Bep Martin Pjetri:
Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh:
At Gjergj Fishta nën Rrufetë dhe vetëtimat e Historisë!

Imazh

Ati i Kombit - Maja e shkambit kombtar - Lisi inkandeshent i pashuem!

Imazh

Lahutari i Maleve dhe i Mrizit të Zanave


Shumë herë jam matë me shkrue dhe diçka po shkruej, por mbetet shumë për me shkrue aspekte të pandriçueme.
Male shkrimesh për Té, më ndalnin…! Rrufetë shkarkuen mbi trupin e Tij gjallë e t’ vdekun!
A thue e shuen rrufetë At Fishtën nga Memorja Kombtare gjatë moteve të nebulozave? - Jo! Fatmirsisht e banë ma të fortë, ma produktivin dhe ma me famë, mbasi ishte në qendrën e vemendjes së nji shteti diktatorjal për 47 vjetë, plus edhe heshtja prej 30 vjetve të fundit!
Fatmirsisht la mbi 50 mijë vargje, vepra të panumërta, të botueme 40 vepra dhe 30 vepra të pabotueme, shkrime në afro 20 gazeta dhe revista…,të shkrueme kudo dhe dorëshkrime! “Lahuta e Malcis” dhe “Mrizi i Zanave” mbetën Flamur, Monumente të Kulturës sonë kombtare!
Çka të shkruej unë për Atin e Kombit? Ndijesia kombtare më lëviz pendën sadopak, por para shumë e shumë dijetarve, albanologve të huej e vendas, autorve elitarë - atdhetarë të kombit e dijetarve shqyp-dashës të Botës, thurun Atij Lisit shekullor, ma vështirson mendimin!..
Frymzimi i Tij më inkurajon të shprehem në përvjetorin e 8 të dekadave të ndamjes nga jeta.

Të shkruesh për Atin e kombit asht në vet-vedi një betejë!
Arsyeja e kësaj vështirsie asht, se jam një nga 15 miljonë e ma shumë shqiptarë që shkruej disa rreshta si shqiptarë i Lekës së Madh, i Gencit-Teutës, të Fatosave të mëdhaj të kombit Gjergj Kastriotit dhe dy herë Fatos i Kombit – Dedë Gjo’Luli, i Bajram Currit, Isa Boletinit, At Shtjefen Gjeçovit, i të lumnuemit At Bernardin Palaj, apo miqve Lasgush Poradeci, Asdreni, Prof. Ernest Koliqi…
Sa vshtirë e sa emocional asht të lëvizësh germa-mbas germash, disa rreshta në nji fletë të bardhë, për Gjergjin e Dytë – Atin e Kombit Shqiptar!
Atin e Kombit unë, e shohë gjithmonë të kryqzuem në majën e shkambinjve!
Veprat e Tij mbeten në shekuj male-inkandeshente, frymzuese dhe inkurajuese për me e ba të denjë kombin në familjen e saj të hershme pellazge.
Nji Perandori Humane dhe frymzuese në konstelacjonin e planetit Tokë – Ujë - Diell - Oksigjen!
Madhshtia e Atit nuk kuptohet pa u vlersue Vuejtjet e Tij të paimagjinueshme, të panumërta si gjallë ashtu dhe i vdekun, që historia vazhdon të heshtë! MUNDIMET e Atit të Kombit dhe VEPRAT janë të lidhuna fort…
Asht sa humane aq dhe konceptuese ndaj Tij në trajtimin komplementarë të jetës dhe të veprimtarisë së Tij.
Mjerisht ekziston në Tiranë dhe jashtë saj; një “PROJEKT i HESHTJES” ndaj AT GJERGJ FISHTËS mbas diktaturës komuniste – sllave prej vitit 1992.
Pak-kush e pikasi profilin nebuloz të jetës së Tij.
Falë veprimtarisë Tij sa Atdhetare, sa kulturore shum-planshe u ba objekt i keqtrajtimit nga Tirana e diktaturës komuniste-sllave, mbas 1944.., e po vazhdon edhe sot në 2020.
Jeta dhe veprimtaria janë binomi i NJOHJES të së vertetës, e cila na u fshehë prej 1944-1992 nga SHTETI dhe mjerisht vazhdon edhe sot në 2020, me urdhën të stepave Urale të beogradit-moskës dhe mbi të gjitha të bandës kolaboracioniste sundimtare me terror e gjenocid.., e Tiranës komuniste sllave!
Burra si Ati i kombit nuk qahen, por i këndohet me Lahutën qi Ai na e la, paçka se kryeministrat, presidentat, akademikët e Tiranës dhe Prishtinës edhe mbas 1992, ja dhuruen Beogradit, meqë ishte teli dhe zemra vigane e lahutarve, që çlironte epika frymzuese, dhe deshmi të betejave të shumta të malcorve nder male, shkambinjë e shtigje kundra turqve e sllavëve barbarë. Si dhe telat e saj mbanin shpirtin gjallë të Gjo’Lulëve, Prekë Calve, Gjekë Gegëve dhe, faqet e ndrituna e të lavdishme të Burrave të Kojës, të Kuçit (prej 1856 nën pushtimin nga barbari, shqiptari-serbë Mark Milani)!..
Në 8 dekadat e ndamjes nga jeta na përforcohet edhe ma shumë dashnia dhe frymezimi ndaj Figurës dhe veprave të gjeniut të kombit At Gjergj Fishta!
Rruga e Shqipnisë asht rruga e At Fishtës.

30 Tetor 2020.

Shenim F.Radovani:
Falnderoj Autorin e shkrimit per punen e madhe me vue në dukje vlerat e At Gjergj Fishtës, në këte 80 vjetor...
Melbourne, 17 Nandor 2020.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4553
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Pjesa LIII

Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh:
Dijetarin Trim


PROF. DR. ZEF MIRDITA
Imazh
(1936 – 2016)

Mendime per Françeskanët: At Gjergj Fishta O.F.M.
Korifeu i letrarëve françeskanë, por jo vetem i tyre por edhe i letersisë shqiptare në përgjithësi është pa dyshim At Fishta.
At Gjergj Fishta është kolos i mendimit dhe i letërsisë shqipe, që me tërë veprimtarinë e vet - meshtarake, intelektuale, politike e letrare - ka sintetizuar historinë e popullit Shqiptar.
Ky françeskan ka qenë apostull i atdhetarizmit të sinçertë dhe të pastër, për të cilin shqiptarizmi nuk ka qenë profesion, por një jetë intensive. Gjatë jetës së frytshme të tij, ai e themeloi Shoqërinë Letrare “Bashkimi”, ishte drejtor i gjimnazit françeskan në Shkodër, kryetar i Kongresit të Alfabetit, anëtar i Komisisë Letrare Shqiptare, udhëheqës i dërgatave shqiptare në Paris dhe Washington, deputet dhe nënkryetar parlamenti, përfaqësues i Shqipërisë në konferencat ballkanike.
At Fishta meshtar dhe letrar. Veprimtaria e tij e gjithanshme u shpërblye me dekorata nga Austria, Turqia, Papa Pio XI, Greqia, Urdhëri Françeskan, ndërsa Akademia Italiane e zgjodhi për anëtar. Mirëpo, përderisa të huajt e dekoruan, ndërsa emrin dhe veprat e tij i studiuan në katedrat e tyre albanologjike dhe ballkanologjike, ky vigan, në Shqipëri, gjatë regjimit komunist u ndalua për plotë 50 vjetë. Dhe jo vetëm kaq, por edhe eshtrat ia zhvarrosën dhe ia hudhën në bërllog. Këtë ia bënë atij që Shqipërinë e kishte koncipuar dhe dashur si një atdhe të vërtetë të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga ndasia religjioze dhe përkatësia regjionale. Atij që gjithnjë e ka theksuar nevojën e unitetit kombëtar dhe vëllazërisë, ide kjo që e përshkon kryeveprën e tij, Lahutën e Malcis.
Lajtmotivi i këtij vigani ka qenë: Për Fe dhe Atdhe.
Sa i përket vlerës estetiko-letrare të veprës së Fishtës, ajo është e shumëfishtë, qoftë për nga përmbajtja, gjuha, stili, rrjellshmëria e fjalës, ngrohtësia, ngjyra dhe porosia. Ai me shikimin realistik të vetin nuk e idealizon shqiptarin, por e përshkruan ashtu si është, me të gjitha të metat dhe virtytet, me meritat dhe fajet.
Në veprën e tij vërehet edhe nota edukative, sepse ai e qorton shqiptarin që të lirohet nga fatalizmi, pjellë e mentalitetit oriental dhe e udhëzon kah rruga e qytetërimit europian, ku shqiptari edhe e ka vendin, gjeografikisht dhe historikisht. Gjithashtu e udhëzon që t’i tejkalojë ndasitë regjionale dhe fetare, ndërkaq të përqafojë ndjenjën nacionale, krenarinë dhe vetëbesimin.
Satira e tij është karakteristike për një shkodran.
Me fjalë tjera, ai me të i ka luftuar pseudointelektualët, pseudoeuropianët, pseudoshqiptarët.
Habitë fakti i aktualitetit të kësaj satire edhe sot e kësaj dite. Një njeri i tillë pra, është zhvarrosur dhe për plot 50 vjetë është njollosur, përbuzur, përdhosur dhe ndaluar, mirëpo pa sukses. Ai nuk ka mundur të dëbohet nga zemra dhe nga ndjenjat e popullit.
Të flitet për At Gjergj Fishtën, e sidomos me rastin e përkujtimit të 60 vjetorit të vdekjes së tij, nuk është as lehtë, e nuk është as e thjeshtë. Sado që është nderë e madhe, më e madhe është përgjegjësia.
Them kështu, sepse kemi të bëjmë me një kolos të mendimit dhe të letrave shqiptare. Kemi të bëjmë me një figurë madhështore, e cila me tërë veprimtarinë e vet - meshtarake, intelektuale, politike dhe letrare - e ka sintetizuar tërë historinë e popullit shqiptar. Kemi të bëjmë me një apostull të atdhetarizmit të sinçertë dhe të pastër, për të cilin shqiptarizmi nuk ka qenë profesion i çastit apo i rastit, por ka qenë një jetë intensive, e përshkuar me të gjitha ngjarjet më vendimtare për fatin e kombit shqiptar.
U lind më 23 tetor 1871, në fshatin Fishtë, në Zadrimë. Prindërit e pagëzuan me emrin Zef, të cilin sipas rregullës së Urdhërit Françeskan, do ta zëvendësojë me emrin Gjergj.
Mësimet e para i mori nga poeti arbëresh, At Leonard De Martini. Me të parë zotësinë e Zefit të vogël, poeti e mori në seminarin françeskan, në Troshan, ku edhe e kreu shkollën e mesme. Më 1886 u nis për në Bosnje, ku, në Sutjeskë, Livno dhe Kreševo, i kreu studimet filozofike dhe teologjike. Aty u njoftua me At Grga Martiæ-in dhe me Silvije Strahimir Kranjèeviæ-in, të dy këta poetë të mëdhenjë kroatë. Këtij të fundit, madje ia përkushtoi një vjershë të shkruar më 12 dhjetor 1892. Më 1893 kthehet në Shkodër, ku më 1894 shugurohet meshtar.
Brenda një kohe, njëkohësisht e ushtroi detyrën e arsimtarit në Troshan dhe famullitarit në Gomsiqe të Mirditës.
Së bashku me abatin e Mirditës, Imzot Preng Doçin, Don Ndoc Nikën dhe At Pashk Bardhin e themeloi Shoqërinë Letrare “Bashkimi”.
Më 1902 u emërua drejtor i gjimnazit françeskan në Shkodër. Me ardhjen e tij, gjuha italiane, që ishte gjuhë ligjërimi, u zëvendësua me gjuhën Shqipe. Më 1908 është kryetar i Kongresit të Alfabetit, në Monastir (Bitoli i sotëm), në të cilin u vendos që alfabeti latin të merret për alfabet i gjuhës Shqipe.


Më 1916 është anëtar i Komisisë Letrare Shqiptare, e cila ka pasë për detyrë standardizimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
Më 1919 është sekretar gjeneral i dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, në krye të së cilës dërgatë ishte ipeshkvi i Lezhës, Imzot Luigj Bumçi. Nga Parisi, në krye të dërgatës shqiptare shkon në Washington, për ta mbrojtur integritetin territorial të Shqipërisë, nga orekset okupuese të serbëve, malaziasve dhe grekëve.
Më 1921 zgjedhet për deputet të grupit të Shkodrës, në Parlamentin e Tiranës, dhe menjëherë zgjedhet nënkryetar i tij dhe kryetar i Komisionit për çështjet Financiare.
Ishte përfaqësues i Shqipërisë në konferencat Ballkanike: në Athinë(1930), Stamboll(1931), Bukuresht(1932), ndërsa më 1934, ishte delegat i Shqipërisë në New York.
Në periudhën 1935-1938, kryen detyrën e provincialit të Provincës Shqiptare Françeskane.
Për veprimtarinë e tij të gjithanshme ka qenë i dekoruar me dekorata nga Qeveria Austriake me “Ritterkreuz”(1912), nga Qeveria Turke me “Mearf Kl, II.” Në vitin 1925, Papa Piu XI e nderon me medalen “Al merito”, kurse më 1931, Qeveria Greke e dekoron me rendin “Phoenix”. Më 1939, Urdhëri françeskan e dekoron me titull “Lector jubilatus honoris causa”, ndërkaq Akademia Italiane e zgjodhi për anëtar të vetin, për çka, përveç insinuatave të tjera, kritikët e pendave enveriane e karakterizojnë si fashist dhe armik të popullit!!
A nuk është kjo tragjiko-komike!?
Më 31 dhjetor 1940, pushon së rrahuri zemra e këtij vigani të letrave shqiptare, apostullit të unitetit të kombit shqiptar.
Mirëpo, përderisa emri dhe veprat e tija ishin të pranishme në katedrat albanologjike dhe ballkanologjike të Europës, në Shqipëri, të cilën e deshti me tërë qenien e vet dhe së cilës ia kushtoi vargjet më të bukura, u ndalua për plot 50 vjet.
Me ndalimin e veprave të tija u gjymtua gjuha shqipe, të cilës ky poet ia këndoi himnin më të bukur që është shkruar ndonjëherë për gjuhën shqipe:
Porsi kanga e zogut t’veres
Qi vallzon n’blerim të Prillit,
Porsi i ambli flladi i erës,
Qi lmon gjit’ e drandafillit,
Porsi vala e bregut t’detit,
Porsi gjâma e rrfés zgjetáre,
Porsi ushtima e nji termetit,
Njashtú â’ gjuha e jonë shqyptare…

Për 50 vjet u ndalua të dëgjohet mallkimi i poetit drejtuar atyre që këtë gjuhë shqiptare e përbuzin:
Prá, mallkue njai bir Shqyptari,
Qi ketë gjuhë të Perendis,
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim s’ia len ai fmis,
Edhé atij iu thaftë, po, goja,
Qi e përbuzë ketë gjuhë hyjnore
Qi n’gjuhë t’huej, kúr s’âsht nevoja,
Flet e t’veten len mbas dore…

Për plot 50 vjet u ndalua këndimi i himnit më të bukur që Fishta ia kushtoi Flamurit tonë Kombëtar:

Porsi fleta e Éjllit t’Zotit
Po rrehe Flamuri i Shqypnis
E thrret t’bijt e Kastrijotit
Me u mbledhë tok nder çetë t’ushtris…

Plot 50vjet e akuzuan se bëri përçarje në popull, atë i cili po këtë popull e fton të bashkohet:

Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dý rrfé, qi shkojnë tue djegë!
A ngadhnjyesé a t’gjith déshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Këtë himn, kushtuar Flamurit Kombëtar, poeti e shkroi me rastin e ngritjes së Flamurit, natën e Shna Ndout, më 12 qershor 1913, në kumbonaren e kishës françeskane të Gjuhadolit, përkundër ndalesës së kolonelit De Philipps, sundimtarit të qytetit të Shkodrës.

Është e njohur se njerëzit e mëdhenj vdesin në kohë të duhur! Falë Zotit, kjo ndodhi edhe me At Gjergj Fishtën.
Sepse, po t’i kishte pritur njësitë e kuqe të ngarkuara me idetë e internacionalizmit proletar, por edhe antishqiptar, jo vetëm që e kishin masakruar, por as varri nuk iu kishte ditur, siç ka qenë rasti me shumë sivëllezër të tij françeskanë.
Megjithatë, ajo që nuk i ndodhi për së gjalli, e pësoi për së vdekuri. Mënia dhe urrejtja ndaj tij ishte aq e madhe, sa që edhe e zhvarrosën dhe Eshtrat ia hodhën në bërllog!
Nuk është kjo hera e parë që mizoria e tillë barbare ushtrohet mbi fatosat e vdekur shqiptarë!
Në fund duhet theksuar se, ndonse regjimi komunist enverian u përpoq që ta zhdukë Fishtën nga mendja dhe kujtesa e Popullit të të gjitha brezave, këtij qellimi nuk ia arriti. Sepse At Gjergj Fishta, pa emër, ka qenë prezent në tekstet e shkollave të Shqipërisë. (fq. 289)


Shenim F.Radovani: Respekt per Veprat dhe trashigiminë kulturore që na ka lanë i Ndjeri Prof. Zef Mirdita! Materiali asht marrë nga teksti me vlerë i Profesorit “Krishtenizmi ndër Shqiptarë”. Zagreb 1998.
Melbourne, 20 Nandor 2020…
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4553
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
A E DINI: KUSH I APROVONTE ARRESTIMET?, Posted 23 Nëntor 2020, 14:31
Nga Fritz RADOVANI:
VIRUSI PYET PO KET A E DINI:
KUSH I APROVONTE ARRESTIMET ?


Imazh
DHOMAT E PARTISË…


Ishin disa dhoma t’ errta në të gjitha institucionet, shkollat, ndermarrjet e kooperativat bujqësore që nuk hynte kurr drita, madje as sot!..
Mbas vitit 1967 kur “ppsh” u fuqizue mbas fjalimit Everit, partia drejtoi të gjitha “levat e veta”, ku nenkuptohej sigurimi i shtetit e deri te kampet e të burgosunve, edhe gropat e të vdekunve nder burgje ose n’interrnim…
Dominonte një errsinë shumë e frikshme! Njëherë jam thirrë aty nga 1984 në një mbledhje ppsh së fabrikës së Pelhurave, ku sekretaria Lajde Zefi, mu shpif se “kishe hjellë tek kambët në dhomen e punës një foto të Everit…”, gja që nuk ishte e vertetë. Unë nuk e pranova akuzen, edhe pse ajo kambngulte. Në mbrojtjen time kje edhe drejtoresha Liri Ymeri, që tha: “Nuk e besoj se një gja e tillë asht ba nga Fritzi!”… Dhe unë dola nga ajo dhomë ku, rrezikohej jeta e cilitdo që i vente “synin” e saj ppsh…
Aty nga viti 1992, tue ecë tek Dugajt’ e Reja, në Shkoder, ndigjova një za që vinte nga mbrapa o Fritz, o Fritz! Ndalova dhe takova piktorin që ishte lirue nga Spaçi, Gjovalin Saraçi, vite perpara kishte punue në Pelhura me emulacionin, dhe u dënue 10 vjetë burg... I dhashë doren dhe Ai nuk ma lëshoi, “të ndalova Fritz, me të kerkue të falun, se kur ishe në hetuesi, mu krijue pershtypja se e kam burgosjen prej teje!” Unë u çudita, po pse?!
Ai më shpjegoi: Pak ditë para se me dalë në gjyq, hetuesi më vuni para një leter me shumë firma të piktorëve dhe shkrimtarve të Shkodres, që në një mbledhje të Lidhjes Shkrimtarve dhe Artistave të Shkodres, kishin kerkue dënimin tim maksimal, per pikpamjet e mija fetare... Mungonte aty vetem firma yte! Aty më lindi dyshimi! Pyeta hetuesin: Po, Fritzi pse nuk e ka firmen këtu? – Ai më tha: Ai asht monsra yte... Aty kuptova se edhe ti mund të perfundojshe ndonjë ditë atje tek unë... Në kohen kur unë ishe në Spaç, m’u hoq dyshimi, se edhe atje kerkonin me t’ akuzue!..”
E perqafova Gjovalinin dhe u ndame miq! Po, prej Tij mora vesht dhe aty kuptova se “Lidhja e Artistave të Shkodres”, kishte kerkue dënimin e Tij “maksimal”. Me të vertetë, ashtu u dënue me 10 vjetë burg per agjitacion e propagandë, një dënim që nuk perfitonte nga asnjë anmesti...

Kur u ktheva në dhomen e punës i tregova piktorit Tefë Palushi... Ai më pyeti: “Si asht e mujtun që këte e paska pa vetem ajo që s’punon këtu, dhe nga pesë vetë që jemi këtu asnjëni nuk e ka diskutue një gja të tillë..?!”
Shkruhet e stershkruhet per burgosjet e pushkatimet e sa shkrimtarve e artistave nder të gjitha anët e Shqipnisë, per akuzat fallco dhe shpifjet e bame ndaj tyne... Shkruhet per qendresen ndaj torturave deri në nxjerrje të syve të ballit, tue kenë edhe të “PAFAJSHEM”, po asnjenit që shkruen per rrezikun e zi të fatit Tyne, nuk i shkon dora “as padashje”, me vue një prej atyne akuzuesve dhe shpifësve që Ju kanë marrë jeten, ose t’ pakten kohen ma të bukur të rinisë apo të krijimtarisë së Tyne!!
Të gjithë paperjashtim shka janë dënue mbas vitit 1966, janë dënue me “aprovimin e sekretarit ppsh” dhe firmat e hjelluna nder mbledhjet ku, pa asnjë kundershtim kanë aprovue dënimet e “shokve” të vet, deri në ma të randat akuza, tue kerkue edhe pushkatimin e deri tek varja e Tyne!
Pse kjo gjendje e pajustifikueshme me Dosjet e Sigurimit Shqiptar?
***
Deri kur kështu?
Deri kur shpifsit dhe vrasësit e djeshem dhe të sotshem, tue ba leksione e tue pergatitë fotokopjet e veta, madje edhe në Universitete Perëndimore?
E vetmja gja e saktë që botohet sot asht: “Numri i fletve të zhdukuna nga Dosjet e Sigurimit të shtetit, per me mbulue krimet e asaj Dosje!”
Po kush i zhdukë ato fletë a dihet?!..
Nuk kam as ma të voglin dyshim:“Ata” që i mbushen edhe po i “shprazin” se, vetem ashtu u jepet mundsia me vazhdue edhe me sternipat e tyne me “mbushë” e “shprazë” jo vetem birucat e sigurimit, po dhe xhepat e tyne!
Ka thanë Rama: Pritni, pritni, ...E se shka, duhet me pritë..?,
Ate e di vetem “Rilindja”!?..
Melbourne, 23 nandor 2020.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
MëparshmePërpara
Posto një përgjigje 484 postime · Faqe 48 prej 49 · 1 ... 45, 46, 47, 48, 49
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 2 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 04 Dhjetor 2020, 22:26
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari