Ketu do gjeni te gjithe patriotet qe kan marre pjese ne historine e kombit tone.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 4 postime · Faqe 1 prej 1
Kolë Bibë Mirakaj shpëtoi 2.000 çifutë në Shqipni në 1943
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4534
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Mjerisht për shtetin e Izraelit nuk dishmoi prej 1943 e deri më sot në 2020 - Mirnjohjen për kryeveprën humanitare - personale të Kolë Bib Mirakes, tuj rrezikue jetën para gjermanve! Turp i madh për Izraelin!

Turp i pafalshëm i Izraelit për Mos-Njohjen e Shtetit të Kosovës! Turp për Mos- Mirnjohës i kontributeve të qeveris dhe popullit shqyptar në mbrojtje të çifutve prej kasaphanës!


Kolë Bibë Mirakaj shpëtoi 2.000 çifutë në Shqipni në 1943

Si i perkrahi Izraelitët Kolë Bibë Mirakaj
Prej Ing. Viktor Mark Daragjati
Imazh

Deri me 10 Shtator 2012, përveç ndonji dishmie që vetë Kolë Biba u kishte tregue rrethit të vet, nuk ekzistonte ndonjë dokument zyrtar që vertetonte veprimtarinë që, si Minister i Mbrendshëm i asaj kohë, Ai kishte ba në dobi të Jahudijve. Shqipnia enveriste e ka urrejtë gjithmonë të vërteten dhe ka mbyllë si gojën ashtu edhe arkivat e Shtetit tue i hapë rrugë vetem propagandës së saj rrenimçare. Qeveritë post komuniste vazhdojnë me dekorue gjakbasit vëllavrasës.

Në të vërtetë, nji ballist, Faik Quku, autori i librit Qendresa Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botnore (1941 - 1944), kishte vërtetue shkurtimisht ndihmën që Kolë Biba i kishte dhanë Izraelitëve.
Kështu ka shkrue Faik Quku:
"Në veren e vitit 1943, Leon Thuri shkoi në zyren e Kol Bibë Mirakaj, minister i Punëve të Mbendshme, dhe i ofroj nji shumë napolonash per perkrahjen që u bante Jahudive, por këto pare ai nuk i pranoi dhe e percolli me nji sjellje bujare".
Simbas tregimit të Kolë Bibës, Z. Thuri veç e falnderoj dhe la mbrapa, qellimisht, nji çantë në dysheme para katedres, pa përmendë pare. Mbasi e percolli tek dera, tue u këthye në zyrë, Kolë Biba e pau çanten plot me napolona ari dhe thirri Z. Thurin, per me ua këthye. Versioni i autorit Faik Quku, përveç detajit që shkrova, përputhet me dishminë e Kolë Bibës.
Kjo histori ka nji prolog në të cilin, kur Kolë Biba ishte në mergim në Romë, Jahudijtë që e kishin njoh në Tiranë i ofruen prap ndihmë. Ndoshta, ishin të dijtun se Kolë Biba kishte jetue tri vjet me ndihmen bamirëse të nji kuvendi Françeskan. Prap Kolë Biba rrefuzoi ndihmen, për të cilen në të vërtetë kishte nevojë, tue thanë se shperblimi ma i madh per te ishte privilegji që kishte pasë me krye detyren e tij
Hebrejit në Romë ja dhuruene dy shkopij me topa çelibari si shenj kujtimi të mirnjohjes së tyne të paharrueshme . Nji shkop ishte i zi e tjetri bojë kafe. Kush e ka pa Kolë Bibën tue hecë me nji shkop duhet ta dijë se ishte po i njajti që ja kishin dhurue në Romë Hebrejit. Nuk ka pasë kurrë tjeter dhe me te ka hecë deri në fund të jetës së tij.
Shumë Shiptarë janë dallue per ndihmën që ua kanë dhanë Jahudijve në Shqipni, Katolikë e Muslimanë pa dallim feje, e per ketë arsye Shqipnia njihet si E Drejtë ndër Kombet prej Yad Vashem-it.
Kjo meritë na nderon para botës por mbesin të pamohueme disa akuza propagandistike komuniste që duhet të shvleftësohen njiherë e përgjithmonë.
Veprimtaria e Kolë Bibës nuk kufizohet te aktet humanitare përsonale në dobi disa individëve. Si Minister i Punëve të Mbrendshme Kolë Biba veproi zyrtarisht, me vendosmeni dhe urgjencë, per me përkrah në shkallë Shtetnore gjithë Ebrejt që gjindeshin si refugjatë në Shqipni, që në atë kohë përfshinte edhe tokat Etnike.
Me 31 Gusht 1943, i vetëdijshem se ramia e Italisë së 25 Korrikut kishte lanë Shtetin Shqiptar të dobtë e të ndamë politikisht e pra, jo në gjendje me ballafaque divizionet Gjermane, që ishin tue hy në Shqipni, Kolë Biba, simbas dokumentit rregjistruem si No. Protokoli 9/110 i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme – Zyra Politike, dha ketë urdhën:
_________________________________________________
PREFEKTURAVE
DREJTORISË SË PËRGJITHËSHME TË POLICIS
Tiranë

Lutemi qi të gjithë Hebrejve nënshtetas Shqiptar që kerkojnë pasaporta për Itali, t’u lëshohen pa u sjellë asnji pengim për vehte dhe për familjet e tyne.
Të porositen Kuesturat qi të shkapercejnë çdo formalitet, mbasi çashtja ka randësi të veçantë politike.
Për vistim nga Delegacioni Italian t’interesuemit kujdesen vetë.
Ministri
K. B. Mirakaj d.v.
_________________________________________________

Kolë Biba ishte në dijeni se në të njajten kohë forcat Aleate kishin depertue qindresen gjermane në Siçili dhe ishin tue marrë nen kontrolin e tyne Italinë Jugore, ishte qellimi i Tij që Hebrejt të shkojshin në Bari për me gjetë shpetim.

Ky urdhën nuk shenoi nji ndryshim në politiken e qeverisë ndaj Hebrejve. Përkundrazi, Ai kishte per qellim me u dhanë nji urgjencë ma të madhe procedurave me të cilat u pajiseshin refugjatët Hebreji që kishin nevojë per pasaporta Shqiptare.

Duhet të dihet se të gjitha qeveritë autonome Shqiptare, gjatë luftes së Dytë Botnore, kanë ndihmue Hebrejit qe kerkojshin azil në Shqipni. Veprimi i Kolë Bibës ishte në vazhdim dhe përforcim i nji politike të bazueme në solidaritetin humanitar dhe kishte per qellim, me kapërcye pengesat procedurale e burokratike në kohen reale, me shpejtësi telegrafike.
Te nderuemit Ish-Deputeti (congressman) Joe Dio Guardi dhe i ndjeri ish-Senatori Tom Lantos, tue u bazue në dokumentime të kufizueme që ju kishte dhanë në 1990 Ramiz Alia ( kur ishte President i Shqipnisë), nuk kishin mujt me mohue imazhin e shtremnuem në të cilin u shtiheshin komunistët si shpëtimtarë të Ebrejve prej persekutimit fashist.

Kte padrejtesi qe shkel dignitetin e antikomunistave mundet me e kuptu Z. Dio Guardi sot. Sidoqë kjoftë, me gjith se per arsyna te pa sakta, këta qeveritarë amerikan fituen kredi per Shqipninë si i vetmi shtet ku të gjithë Ebrejit kanë gjetë shpëtim.
Imazh

[u]Tue kenë se Arkivat Kombëtare Shqiptare nuk janë akoma të hapuna, u desht me pritë deri me 10 Shtator 2012 per me i gjetë informatat zyrtare që na lejojnë me asgjesue propaganden mashtruese komuniste.
Drejtoresha ePergjithëshme e atëherëshme, Zj. Nevila Nika, e bani të mujtun nji kerkesë të shkurtë me anë të së ciles u gjeten disa dokumenta zyrtar që perkrahin plotësisht veprimtarinë e Kolë Bibës. Dokumentat përveçse zbardhin rolin pozitiv, i vetdrejtuem dhe i fuqishëm të Kolë Bibës, na bajnë të njohun edhe emnat e disa administratorëve që morën pjesë në ata veprime të nevojshme.
Për hirë të transparencës historike e për me korrigjue imazhin e padrejtë që prap sot shumëkush e beson, edhe mbas kaq dekadash diktaturë përdhunuese, meqë nuk dijnë ta hjekin prej mendjes, e kemi ba ketë veprim.
Për me zbardhë të vërteten nuk duhet të kufizohemi me nderimin e figurës së të ndjerit Kolë Biba, por me nji pamje ma të gjanë dhe ma patriotike, duhet të nderojmë gjithë Kombin Shqiptar, pa dallime dhe poashtu Kombin Izraelit.
Hebrejtë që kerkuen dhe gjetën strehim bujar në Shqipni nuk ishin tue shpetue vetëm jeten fizike të tyne por edhe traditat fetare dhe zakonet kulturore mijavjeçare që i dallojnë prej kombeve tjera.
Kontributi i Kolë Bibës posaçerisht, i qeverive paraardhëse, dhe i mbarë Popullit Shqiptar, vihen në dukje këtu edhe per me zbardhë historinë tonë të vuejtun. Fati dhe bujaria e Popullit Shqiptar e ka ba të mujtun që rreziku i asgjesimit të rracës Izraelite, të ndalet në mënyrë të mprehtë në Tokat e Shqiptarëve.
Në vitin 1943 Kolë Bib Mirakaj, tue perdorë autoritetin që kishte si Minister i Mbrendshem, në të gjitha Tokat Shqiptare, tue përfshi Kosoven, pjesën e Malit të Zi, të Maqedonisë dhe Çamërinë, mori masat e nevojshme në menyrë plotesisht të pamvarun, pa i marrë leje askujt.
Tue u këthye tek shpëtimi i Z. Leon Thurit, Kolë Biba ka dishmue se Ai ishte i arrestuem prej komandës ushtarake Italiane si përkrahës i nji atentati komunist që kishte zberthye në Tiranë. Simbas dokumentave të gjetuna në Arkivin e Ministrisë së Mbrendëshme para disa viteve, shihet se komunistët kishin nxjerrë pare prej Ebrejve me kercënime. Ushtarakët italianë kujtojshin gabimisht se Leon Thuri kishte financue komunistët si simpatizues. Rrjedhimisht Z.Thuri ishte dënue per pushkatim. Kur u alarmue per ngjarjen, pa u kujdesë per sigurinë e vet, Kolë Biba kritikoi në mënyrë të vendosun autoritetet italiane, tue u thanë se per shkak nxitimit ishin tue e ba nji gabim të pandërgjegjshëm. Përfundimisht Leon Thuri, u lirue nën përgjegjësinë përsonale të Kolë Bibës.
Korrespondenca që vijoi mas urdhënesës së 31 Gushtit na len me kuptue se edhe Ebrejt pa nenshtetësi Shqiptare kanë pasë mundësi, pa pengesa, me nxjerrë pasaporta.

Ma gjansisht dokumentimet e Arkivit Kombëtar na tregojnë se ekzistonte nji veprimtari e përditshme në dobi të Jahudijve. Kush ishte i smurë randë u lejonte me shkue në Tiranë. Ata që kishin të njohun u lejojshin me u bashkue me ta. Kush kishte ndoj zanatë të kerkuem u lejonte me u transferue ne vende ku gjejshin punë. Hebrejtë që e kerkojshin, kishin mundësi me u transferue prej zonave të çlirueme etnike në vende mbrenda kufijve të 1939-ës.
Para disa ditëve Presidenti Nishani ka kerkue edhe njiherë hapjen e Arkivave. Nji kerkesë ma e gjanë e Arkivave mund të diftojnë emnat e Ebrejve që përfituene prej ndihmës Shqiptare, që përfituen pasaportat dhe emnat e administratorëve që u sherbyen në ketë veprimtari humanitare.
Veprimtaria e Kolë Bibës në momentin historik në të cilin u zhvillue, ka mujtë me shpëtue nji numër deri në 2000 Hebrej që, simbas raporteve të ndryshme, u gjindeshin në Shqipni në kohen e Luftës së Dytë Botnore.
_________

Shenim;

Shkrimi e dhuroi Fritz Kolë Radovani për ttp://www.proletari.com më dt. 24.XII.2015


Komentë

Prej Kol.K.B.Mirakaj pritej ky humanizëm, por bisha ramiziste pati suksesë deri në 2012 në fshehjen e arkivave ndaj ktij fakti humanitar tuj e ndeshkue përposë ,,të keqes,, por edhe ndaj veprave humane. Kjo ishte ftyrsia barbare e ramizit.

Për mue dhe njerzit me vlerë asht nji fakt se kush ishin katolikët shqiptarë dhe përse u ushtrue gjithë ky gjenocid nga anglo-amerikanët me vllaznit rusë, ku edhe sot në 2016 pengojnë hapjen e dosjeve të komunizmit tuj i perkrahë partinë socialiste.
Me dashtë presidenti B.Nishani vetëm me kët fakt, që me kontributin e tij personal pështoi 2000 çifutë duhet me idhanë dekoratën "Nderi i Kombit" burrit të kombit dhe të shtetit - Kol Bibë Mirakajt.
Por asht e ngatrruem leshi i antishqiptarve për shalësh sepse asht perzi me fashistat, por ky ,,fashistë,, i pshtoi 2.000 çifutë. Mos të ishte ,,fashistë,, nuk ishin pshtue 2.000 çifutë. E ktu duhet ba nji perjashtim nëse don me u vlersue ky akt gjigand humanitar.


Fjalët e mbrame të Kol Bib Mirakaj
Imazh
Ne foto: Viktor M. Daragjati duke u intervistuar nga Adem Belliu i TV Kultura Shqiptare-Nju Jork?

December 14th, 2015
VIKTOR MARK DARAGJATI:
Fjalët e mbrame të Gjyshit tim të paharrueshëm Kol Bib Mirakaj, janë këto:

“PSE?
– Pse, kur isha zyrtar në Tiranë, në kohën e okupacionit italian, mora në dorë pushken si vullnetarë, dhe i dola para kërcnimit pushtues Anglo – Serb në Malësinë e Shkodres, tue rrezikue jetën sëbashku me trimat bujarë të atyne Maleve.
-Pse, kur pata mundësinë me shpëtue Shqiptarët dhe Izraelitët të dënuem me vdekje prej autoriteteve ushtarake, nuk pranova asnji shpërblim prej tyne, as në Shqipni, as në mergim, por e çmova “shpërblim” ma të madh, kryemjen e detyrës sime humanitare!
-Pse, gjatë kohës në të cillën ishe në detyra të ndryshme politike dhe qeveritare, nuk mbajta asnji rrogë per vedi, po ua dhurova të hollat nji konviktit jetimor!”


New York, 17 Maji 1968.
- http://gazetadielli.com/fjalet-e-mbrame ... ydN1u.dpuf


Përgatiti Fritz RADOVANI:
MAJI 1942 … DR. NORBERT JOKLI

Imazh

■DR. Norbert JoklI ishte Albanolog Austriak me prejardhje Hebre…
Ai ka shkrue per At Gjergj Fishten:
■ “… Lahuta e Malsisë e At Gjergj Fishtës, jo vetëm që ka rândësi në pikpamje artistike, por ajo, porsi vêna e mirë që sa mâ shumë vjet kalojnë aq mâ vlerë merr, tue qenë se ajo âsht pasqyra, magazina e kopja besnike e jetës, e shpirtit, e dëshirave e përpjekjeve, e luftës dhe e vdekjes së shqiptarve: me nji fjalë, Lahuta âsht shprehja mâ e kjarta e dokeve të fshatarve, banorë të Maleve të Veriut. E prejse doket e lashta të fiseve malore janë gjykue të zhduken nga tallazet e forta të civilizimit, lexuesi, letrari, folkloristi, juristi e historiani i nesërm kanë për t’ia dijtë për nder në dhetë a qindvjetët e ardhshëm Poetit, i cili në Lahutë të Malsisë na la nji ritrat (portret) të shqiptarit, të përshkruem nga goja e dëshmitarëve njikohsorë, ashtu si këta e gjetën në agimin e Shekullit të XX-të, me atë ndryshim të vogël që shqiptari pësoi ç’prej kohve të largëta të iliro – thrakëve.”

■”Shqipnia pat nji fat t’ madh e t’ jashtzakonshem, shka nuk e paten popujt e tjerë, veçse mbas qinda vjetësh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t’gjith, atë, qi u pshtet në popull t’vetin e n’ gjuhen e tij e qi me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenin poetike t’At Gjergj Fishtes.
I rranjosur krejtësisht në popullin e vet, At Fishta ka dashtë të përgjonte si flasin burrat e gratë e maleve. Ka marrë prej tyre mënyrat e namëve, të mallkimeve e të urimeve dhe çdo gja e ka shkrij me mjeshtri në poezitë e veta”.

■”Koha e ardhshme ka me dijtë me çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e tij të jenë përkthye ndër gjuhe ma të përhapuna.”
***
Leter e At Gjergj Fishtës OFM:
Shkelqesisë së Tij, Françesko Jakomoni Luogotenente


Shkodër, 23 shtator 1939

Shkelqësi,


Mendoj se ma i miri gjuhëtar i gjuhës shqipe në Evropë, asht profesor Norbert Jokli,
me kombësi çifute qi, para Anshlusit, ishte bibliotekar i Universitetit të Vjenës e Profesor gjuhësie në të njajtin universitet.
Tashti, më shkruejnë nga Vjena, se autoritetet lokale i kanë thanë këtij albanologu të shquem të largohet, mbrenda 30 ditësh, prej territorit të Raihut.
Ai, tashma, asht i ndrymë, beqar, me një fat mjaft modest. Atij, natyrisht, i duhet të rropatet me gjetë ndonjë vend, kudo të jetë, sa me jetue. Duket se don me shkue në Amerikë.
Shkelqësi, pa dyshim, do të ishte një fatkeqësi e madhe për gjuhën kombtare shqipe,
në qoftëse ky shkencëtar, me famë europiane, që unë e njoh e që, me autoritetin e tij
të padiskutueshëm, ka mbajtë gjatë interesin e filologëve ma të përmendun për gjuhën shqipe, të jetë i shtrënguem me braktisë Europën.
Kombi shqiptar, i tani, do t’Ju dijë për nder shumë, nëse Shkëlqësia e Juej të mund të gjejë mundësinë t’a bajë me ardhë në Shqipni, tue i caktue aty nji vend, edhe pse jo aq fitimprues, megjithatë të përshtatshëm për famën e tij si shkencëtar e gjuhtar i shquem.
Jam i sigurtë se do t’a merrni në konsideratë dashamirëse këtë propozim timin, që unë e paraqes në emen të të gjithë intelektualve shqiptarë.
Përfitoj nga rasti, për t’Ju lutë të pranoni ndjenjat e respektit ma të madh dhe, me mirënjohje të thellë.

I Shkëlqesisë Suej
i devoçëm e mirënjohës
P. Gjergj Fishta OFM.

***
Shenim nga F.Radovani:
Letra e At Gj. Fishtës per F.Jakomoni botue nga z.Kolec Çefa,
asht një letër e panjohun dhe e pabotueme e At Fishtës, drejtue Françesko Jakomonit, më 23 shtator 1939, shkrue në emen të të gjithë intelektualëve shqiptarë, me të cilën, mbasi shpreh vlerësimin ma të naltë për Dr. Joklin, shfaqë dëshirën që të gjindet mundësia me ardhë Jokli në Shqipni, në ndonjë nëpunësi, të përshtatshme me famën e tij si shkencëtar e gjuhëtar i shquem.
Ja pra, Ky ishte At Gjergj Fishta i Besës, Bujarisë e Burrnisë së “Lahutës së Malcisë”..!
Melbourne, 23 Maji 2019.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4534
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI:
“Ballë për Ball - Kolë Mirakaj...Libri “Vetvrasja e Nji Kombit"
Imazh
Kolë MIRAKAJ

Një mik nga Belgjika më dergoi me lexue një material historik...
Kam pasë rasë me lexue pak libra që thonë të vërtetën për Historinë e Shqipnisë.
Ndoshta, kjo asht arsyeja që sot lexoj me andje për atë fushë ku, asht gjithshka e shkelun, e nëpërkamun, e fallsifikueme dhe ma shpesh e shkrryeme përtokë...
Ndër tjerë miqë të Nikollës në Bruksel..., u lidha edhe me z. Lekë Mirakaj.
Ishte bash i biri i Kolë Bib Mirakaj, Ministrit Mbrendshëm të qeverisë fashiste Shqiptare, në vitin 1942. Nga pleqtë e mij kishe dëgjue se At Mati Prennushi asht kenë njohë kur ishte në Iballe të Pukës famullitar me Kolë Mirakaj, ku Ai shërbente si mësues ... Dhe, mandej, ajo miqësi ishte vazhdue nga nipat e At Matisë, e prej tyne lidhja e asaj kohë u pasue me Babën tim, Kolë Radovani. Ma vonë, koha solli nga vitët 1950 që unë me njohë motren e Nderueme të Kolës, Elena Mirakaj (Luli), zonja e Atdhetarit të Madh kapiten Gjelosh Luli, i vramë dhe i masakruem për sëvdekuni nga komunistët në Vrith, nga fundi i vitit 1947... Daja Paulin Prennushi fliste me respekt për Ministrin Kolë Biba, për atë kohë kur ky ishte kenë sekretar i zyrës së Tij në Tiranë, në vitin 1942.
Nga z. Leka, mora letren e Kolë Bibës që i kishte shkrue në mergim në vitet 1967 kryetarit të Ballit Kombtar Abaz Ermenji, e cila edhe u pat botue në vitin 2012.
Papritmas u ndodha para një Parathanje që vet Autori Kolë Mirakaj i kishte ba një librit të vet, kur ishte në mërgim në Sh.B.A., dhe e mbyllte atë Parathanje me një dëshirë që, po u botue ndonjëherë Libri, mendonte se titulli ma i pershtatshëm do t’ ishte për té: “VETVRASJA E NJË KOMBI”...
Fillova me e lexue me kurreshtje të madhe, mbasi nuk kishe fare njohuni për atë kohë, që gjithmonë asht quejtë “koha e robnisë fashiste” dhe mbyllej gjithmonë biseda me “okupacionin e Italisë...”, e cila, “na solli të gjitha të këqijat, pa asgja të mirë...”!
Aq asht e vertetë kjo, sa kur duem me tregue tmerret e kohës së komunizmit, sot perdorët një thanje: “fashistët e kuq”, ose kur disa “intelektualë” kosovarë tregojnë një nga episodet e randa të jetës së vet aty nga vitët 1970, thonë: “Këte, na e sollën fashistët e Beogradit”.., edhe mirë bajnë, se nga komunizmi, pothuej...“nuk patne pasoja!!”
Lexuesi Shqiptar sot po merr në duertë e veta një Liber të shkruem me makinë shkrimi, të pandryshuem fare nga gjuha Gegënishte e Autorit Kolë Mirakaj... Aty asht jeta personale “fashiste” e Kolë Bibës, pikrisht, atëherë, kur né i madh e i vogël dinim vetëm se “ky dhe shokët e tij, ishin vue në shërbim të fashistave italianë...”, po se, ku mendonin me e çue Atdheun, até e “plotsonin akademikët e prof...” e Enver Hoxhës!
Jam i sigurtë se, sikur, unë të kishe ba sot komente rreth Librit Kolë Mirakaj, dhe të fillojshe me tregue se cila asht vlera e këtij Libri unik në Historinë Shqiptare, pa perfundue me e lexue do të fillonin akuzat prej stergjyshave të mij, e deri tek Baba im, që asnjëherë nuk asht kenë as fashist as simpatizues i tyne, per të vetmin fakt: “Okupacioni italian, vertetë bashkoi Trojet Tona, po nuk u donte kurrë me lanë me u rritë fara e keqe e komunizmit, që bijti nga rregjimi i Zogut dhe shovenistët sllavë dashakëqijtë tanë!”
Tek Libri do të gjeni historinë, protagonistët e saj, idhujt dhe mashtruesit, ata që i vune zjarrin Atdheut “me këmishat e zeza” dhe “ata, që ua shuen dritën” Shqiptarëve, me “yjët e kuq”, ata që e “vorfnuen” dhe ata, që e “ringjallën” tue i rjepë persëgjalli me ua nxjerrë napolonat ar nga hundët! Aty janë “tradhëtarët” përballë “Atdhetarëve”...
Studjuesit e Historisë, mos të merren me “ë” – pazane, po të mësojnë si duhen shkrue datat, ngjarjet e faktet... me dhimbje, per këto 70 vjetë mashtrime e fallsifikime.
Aty janë edhe “dy fjalë për lexuesit e nderuem” nga ana ime. Një nderim shumë i madh dhe i pamerituem per mue, ndaj Vepres së çmueshme të Autorit papersëritshëm.
Po, Ju lutem, mos u ngutni me lexue shpejtë, se nuk do të kuptoni asnjëherë se: Kush e shiti Atdheun tonë të shtrenjtë tek shovenistët sllavë, dhe kush ua vuni thikën mu në zemer Shqiptarëve, ashtusi, nuk jeni tue kuptue tash 70 vjet Permbytje të Shqipnisë Europjane, pasojat nga “çlirimtarët” e Mëdhej të Botës së Luftës së Dytë Botnore...
Autori tue mos dijtë me u krenue, nuk do as me fye! Jo pse nuk di, po brengat e mëdha në zemer, heshtat e nguluna me vrasjen e të Birit, humbjet e gropave ku i asht varrosë Nana, vllau, kushrinjtë...e besa, edhe bashkfshatarët e Iballës, ku lindi dhe piu qumështin e Asaj Nanë, që e kalbi dheu i Tepelenës... E “rikthejnë” tek Vatra e lanun shkret nga të gjithë far’ e fisi që u rrit, u shtue, vdiqën dhe u plakën nga 15 Maji 1945 e deri në vitin 1990 nder të gjitha burgjet e kampet e interrnimit të Shqipnisë “socialiste”.
Libri i Kolë Mirakaj “VETVRASJA E NJË KOMBI”, asht Historia e Shqipnisë së pashkrueme, ku Autori, na tregon sesi shkruhet Historia e Një Populli Martir, po edhe sesi duhet të qendrojmë “Ballë për ballë” me miqtë dhe anmiqtë e së Vertetës, qendrim i cili, e ban Figuren e Tij Atdhetare të Nderueme dhe të Pavdekshme nder shekuj...
Ju falemnderës për nderimin dhe respektin! F. Radovani.

Melbourne, E martë, më 30 Dhjetor 2014.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4534
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Mjaft, prej 76 vjetve(1944-2020) u politizue, u paragjykue
-Humanizmi, Fisnikria i Kolonel Kolë Bibë Mirakaj
Për Shpëtimin e 2000 çifutve nga Dhomat e Gazit, Nga Holokausti,...!



Kultura e Humanizmit në Shqypni pas 76 vjetve - E tmerrshme!


Si mundet edhe sot sikurse në periudhën 47 vjeçare të diktaturës sllavo-komuniste të paragjykohet, të politizohet me qëllim djallzor, që të injorohet humanizmi - si e vetmja Kryevepër fisnike e Dhuratës të Zotit të Njeriut?
Si bie fjala Humanizmi i ish Ministrit të Brendshëm, kolonelit Kolë Bibë Mirakajt të Shpëtimit nga Furrat e Gazit të 2000 çifutve në periudhën e para 1944?
Vetëm humanizmi nuk lejohet të politizohet, të injorohet dhe paragjykue nga krahina, feja,....sepse nuk evidentohet dhe çmohet e VËRTETA!
Kur do kemi nji klasë intelektuale, mendimtarë, filozofë me nji standart psihik normal, pa paragjykime fetare, krahinore, ideologjike, të padroguem, të kulturuem në fushën e Institutit të Humanizmit të Njeriut mbi Njeri?
A duhet çmue e vlersue humanistin e madh Kolë Bibë Mirakaj? A duhet deshmue kta filozofa, profesora,...realista apo bolshevika sipas filozofis sllave?

E mërkurë, 22.I.2020

http://www.proletari.com/forumi//viewto ... =52&t=2165



Injorim mbas 76 vjetve të kontributit të Kolë Bibë Mirakës - Ministër i Brendshëm ndaj 2000 çfutnve deshmon urrejtja bolshevike ndaj Veriut të Shqypniës!


Po jua ilustroj me Nji shembull të 27 janarit 2020, se si injorohet kontributi i Kolonel, Kolë Bibë Mirakaj në shpëtimin e 2.000 çfutnve në Shqypni nga seleksjonuesi i Arkivave te Ministria e Jashtme e sotme dhe e Bashkis Tiranës, ku nuk përmendet emni i ministrit Kolë Bibë Mirakaj e permenden emnat e zevends-ministrave të brendshme dishmon se pas 76 vjetve lulzon dhe nuk shgulet bolshevizmi i moskës-beogradit në tiranën prosllave! Duhet ta dijnë mirë bolshevikët se kurr nuk mund të nxisin e të konservojnë ndjenja urrejtje të Veriut të Shqypnis ndaj çfutnve sepse ishin dhe mbetën motra dhe vllaznit tonë!

http://www.panorama.com.al/dokumentet-e ... e-iu-mori/



Dokumentet e panjohura/ Kur Qazim Mulleti dhe “kolaboracionistët” e tjerë mbronin hebrenjtë, duke u konfliktuar me gjeneralin gjerman që iu mori…

Jan 27, 2020
Imazh


Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë dhe ai i Ministrisë së Punëve të Jashtëme, të cilat hedhin dritë për veprimtarinë e hebrejve në Shqipëri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1939-1944.
Si u morën ata në mbrojtje dhe u paisën me dokumentet përkatëse nga qeveritarët e lartë të asaj kohe si: Mehdi bej Frashëri, Ibrahim bej Biçaku, Qazim Mulleti, Javer Hurshiti, Engjel Çoba, Mihal Zallari, Mehmet Gani, etj., dhe konfliktet e tyre të herë pas hershme me autoritetet e larta gjermane që ishin asokohe në Shqipëri, si gjenerali gjerman Hauzding në qytetin e Shkodrës, i cili i lironte hebrejtë në këmbim të marrjes së rryshfeteve që shkonin në disa mijra franga ari?!.
Imazh

Tashmë është shumë i njohur fakti se gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botëror, në vitet 1939-1945, asnjë nga rreth 1800 shtetasit e ndryshem me origjinë hebraike që ndodheshin asokohe në Shqipëri, nuk iu dorëzua autoriteteve pushtuese gjermane, ashtu siç ndodhi, fatkeqësisht, në disa shtete të tjera të Europës Lindore të pushtuara nga nazistët, si në Bashkimin Sovjetik e Poloni, ku rreth 4 milionë hebrej përfunduan furrave të krematoriumeve.
Por, ajo që është më thelbësorja e këtij fakti është që hebrejtë që ishin në Shqipëri nuk u morën në mbrojtje vetëm nga familjet e thjeshta shqiptare, që i strehuan ata në shtëpitë e tyre, por në rradhë të parë ata u morën në mbrojtje edhe nga të gjitha qeveritë shqiptare të asaj kohe, si në periudhën e pushtimit italian, ashtu dhe në kohën e okupimit gjerman nga shtatori i 1943-it, deri në nëntorin e vitit 1944 kur ata u tërhoqën nga Shqipëria. Madje kjo e kishte zanafillën që nga periudha e Monarkisë, kur me nisiativën e vetë Mbretit Zog, me qindra shtetas me origjinë hebraike, jo vetëm që u pranuan në Shqipëri, por ata u pritën mirë duke u paisur me dokumentet përkatëse dhe iu krijuan kushte jetese aq sa ata e ndjenin veten si në atdheun e tyre.
Imazh

Dhe kjo vazhdoi edhe gjatë periudhës së pushtimit të vëndit, ku shumë politikanë, zyrtarë e funksionarë të lartë të asaj periudhe, si: Mehdi bej Frashëri, Ibrahim bej Biçaku, Fiqëri Dine, Mihal Zallari, Engjëll Çoba, Javer bej Hurshiti, Kol Tromara, Qazim Mulleti, Mehmet Gani e të tjerë ministra, antarë të regjencës, deputetë, prefektë, kryetarë bashkish, apo funksionarë të tjerë të lartë të administratës së shtetit shqiptar të asaj kohe, jo vetëm që i morën në mbrojtje hebrejtë, duke i pajisuar ata me dokumente false si shtetas shqiptarë, por ata shpesh herë hynë në konflikte të thella edhe me autoritetet gjermane që kërkonin me çdo kusht arrestimin dhe eliminimin e tyre fizik.
Veç të tjerash, për veprimtarinë e hebrejve në Shqipëri gjatë viteve të Luftës (1939-1944) dhe mbrojtjen që iu bë atyre nga qeveritarët e lartë të asaj kohe, flasin më së miri edhe mjaft dokumente arkivore të cilat janë bërë publike vetëm pas viteve ‘90-të. Kështu nga disa studjues historianë, gazetarë, etj., si Apostol Kotani, Dr. Prof. Shaban Sinani, Dr. Monika Stafa janë bërë studime të veçanta lidhur me herbrejtë në Shqipëri dhe janë botuar edhe disa libra prej tyre, ku vlen të përmëndet libri “Hebrejtë në Shqipëri” i gazetares dhe studjueses së njohur, Doktore e Shkencave Historike, Monika Stafa, libër i cili mban parathënien e shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare.
Imazh

Përveç sa më sipër, për historinë e herbrejve në shqipëri janë marrë edhe mjaft individë të veçantë e personazhe të tjera të njohura të jetës publike, si Tanush Mulleti, (i diplomuar për Matematikë), nipi i ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulletit, i cili nisur edhe nga lidhjet që ka pasur familja Mulleti që nga periudha e Monarkisë dhe ajo e pushtimit me herbrejtë në shqipëri, në mënyrë individuale ka hulumtuar në arkivat e shtetit shqiptar duke nxjerrë një numër të konsiderueshëm dokumentash arkivore krejt të panjohura, ku disa prej tyre ai i ka referuar edhe në sipoziume e konferenca shkencore që janë organizuar në përvjetorë të ndryshëm me rastin e ditës së Holokaustit.
Po kështu, nisur edhe nga të njëjtat motive, një gjë të tillë ka bërë edhe Besim Ndregjoni, kreu aktual i Unionit të ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë të Shqipërisë, pasi babai i tij, Imer Ndregjoni, ish-kapiten i Monarkisë së Zogut, me porosi të major Xhemal Herrit, ka ardhur nga Dibra në Tiranë dhe ka marrë në dorzim disa hebrenj të cilët kërkoheshin nga forcat gjermane dhe i ka strehuar për disa muaj në Kullën e njohur të Ndregjonëve dhe te të afërmit e tij në fshatin Lukan të Katër Grykëve në rrethin e Peshkopisë.
Imazh

Dhe në shenjë nderimi për atë xhest fisnik, prej kohësh një nga rrugët e Tiranës mban emrin e Imer Ndregjonit. Ashtu si edhe Tanush Mulleti, besim Nrdregjoni ka qenë i ftuar në mjaft sipoziume e konferenca që janë mbajtur me rastin e përkujtimit të Ditës së Holokaustit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Francë, SHBA, etj. Ndërsa këto tashmë janë të njohura, sot, në përkujtim të 27 janarit, ditës së Holokaustit, kemi përzgjedhur disa dokumente arkivore që na janë vënë në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit Shqiptar në Tiranë, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtëme, etj., ku një pjesë prej tyre po i publikojmë në këtë shkrim ekskluzivisht për Memorie.al.
N/prefekti i Kavajës i pajis hebrejtë me dokumente
Cilët ishin disa nga hebrejtë që u fshehën dhe u strehuan në Shqipëri gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, nga kishin ardhur ata në vendin tonë, ku ishin shkolluar dhe me çfarë aktiviteti merreshin ata në qytetet kryesore të vendit ku ishin vendosur? Për këtë bëhet fjalë në një dokument të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Prefekturës së Tiranës, i cili mban datën 15 maj 1944, dhe që është firmosur nga Drejtori i Policisë Qendër, Shaqir Preza dhe Prefekti i Klasit I-rë, i Tiranës, Qazim Mulleti (AQSH F.252 V. 1944 D. 225. fq.57).
Imazh

Ky dokument, në të cilin jepen me hollësira të gjitha të dhënat dhe aktiviteti i disa hebrejve, të cilët janë arrestuar nga komanda gjermane në datën 16 prill të vitit 1944, i drejtohet Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë. Lidhur me aktivitetin e atyre shtetasve me kombësi hebraike dhe qëndrimet e tyre politike, në atë dokument midis të tjerash shkruhet:
“Në gjegjie të sipërmes, kemi nderin t’Ju lajmërojmë, se çifutët t’arrestuem më datën 16 prill të k.v. nga ana e Policisë Gjermane në bashkëpunim me organet e kësaj Zyre, me datë 30 prill të k.v. nga ana e Policisë Gjermane, të shoqnuem, janë dërgue nga ana e Strugës e Bitoljes (Manastirit) në drejtim të padijtun. Nga hetimet e imta të zhvillueme nga kjo Komiseri, na rezulton si vijon:
Çifuti Sallomon Saltiel, i të vdekunve Isak e Matilda, lindun më 1915 në Shkup, banues në Shkup, nështetas i ish-Jugosllavis, ka ardhur në Shqipni në 10 Fruer 1943 tinzisht, tue kalue kufinin bullgaro-shqiptar në Ferizaj abuzivisht, mbasi nuk ishte i pajisun me pashaportë të rregullt ose të ndonjë tjetër dokument udhëtimi. Në Ferizaj, i mshefun ka qëndrue dy muaj, por nga autoritetet e vëndit asht diktue dhe kap e internue në Kavajë, ku ka qëndrue deri në kapitullimin e Italisë.
Nënprefekti i Kavajës, zoti Mehmet Gani (Qani) më datë 17.12.1943 me Nr. Extra, i ka lëshue një letër idenditeti në emën false, SALI ISA SALTIEL. Ky letër idenditeti e përmban edhe fotografinë e Sallomonit si dhe vulën Zyrtare të N/Prefekturës në fjalë. Përveç kësaj, Bashkija e Tiranës-Zyra e Shëndetësisë, më datën 12.VI.1943, me Nr.2021 i ka lëshue një letër idenditeti, po në emën fallso, Sali Isa Saltiel, ku midis të tjerash, thuhet: “Këtu në Tiranë, Sallomoni asht marrë me tregtina të vogla. Përveç kësaj asht marrë edhe me shitjen e monedhave italiane (Lireta), të cilat të holla ja dërgonte një farë Dervish Jahi, tregtar nga Shkodra me anën e një shoferi nga Shkodra që quhet Qamil Gali, me shërbim pranë shoqërisë automobilistike transportesh “Çurçija” në Shkodër.
Imazh

Bankënotat në monedha Italiane, Dervish Jahi i paska ble prej njërzve të ardhun nga Mali i Zi dhe sipas marrëveshjes që paska me Sallomon Salitelin, këto të holla me shoferin e naltëpërmëndun ja dërgonte në Tiranë. Sallomoni këto monedha Italiane ia shiste Italianëve, të cilët po ktheheshin në Itali. Në vijën politike nuk ka qenë e mundun të konstatohet ndonjë gja, megjithse Sallomoni asht i dyshimtë”. Pas të dhënave për Sallomon Saltiellin, i cili është ndihmuar nga n/prefekti i Kavajës dhe Bashkia e Tiranës, duke u pajisur me dokumente false prej tyre, po në atë dokument jepen edhe të dhënat e disa hebrejve të tjerë, si Samiko Salltiell, Jakov Gatenjo, Haim Matallon, Matilda Matallon dhe Ester Matallon, të cilët, siç bëhet e ditur aty, janë arrestuar nga policia gjermane dhe janë dërguan në drejtim të paditur prej tyre.
Drejtori i Policisë: durrsakja K. S., spiunoi hebrejtë për të dashurin komunist
Po në ç’rrethana u arrestuan hebrejtë për të cilët bën fjalë dokumenti i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Prefekturës së Tiranës, i cili mban datën 12 maj 1944 dhe kush i spiunoi ata tek gjermanët? Lidhur me këtë, po në atë dokument të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, midis të tjerash shkruhet:
“Arrestimi i të naltpërmendunve ka ndodhë në këtë mënyrë: Një vajzë e qyejtuna K.S, nga Durrësi, tash banuese në Tiranë, më datën 15 të Prillit, u paraqit në këtë Zyrë tue thanë se çifutët e nalt-përmëndun, zhvillojnë veprimtari spiunazhi, se ata kanë shumë të holla në monedha të hueja, stërlinga e dokumenta kompromentuese. Kjo Zyrë, thanjet e kësaj vajze i muarr parasysh edhe disponoj, që me datën 16, d.m.th. me nesermen, nga organet e kësaj Zyre të bahet një kontroll i imtë në banesën e tyne edhe ne rast pozitiv të veprohet n’arrestimin e tyne. Kur organet e kësaj Zyre, vajtën në banesën e çifutëve të përmëndun, aty gjetën Policinë Gjermane të Komandës SS në veprim e sipër.
Me ardhjen e Policisë Shqiptare, Policija Gjermane jo vetëm që nuk kundërshtoj veprimin e Policisë Shqyptare, por përkundrazi i asht lutë që në bashkëpunim t’i vazhdojë veprimet. Organet e kësaj Zyre, me qenë se Policija Gjermane veprimet ma parë i kishte fillue edhe çifutët e nalt-përmendun nga Gjermanët, ishin ndalue edhe grumbullue në një qoshe t’oborrit, pranuen bashkëpunimin e propozuem edhe veprimet e mandejshme bashkarisht u zhvilluen. Në kontrollin e bamun, përveçse letrave në gjuhën Malazeze me karakter tregtare, ndonjë gja tjetër nuk u gjetë. Ne përkuizimin personal të Sallomon Saltiel-it u gjet një shumë të hollash si vijon: gjithsej 10.300 franga shqiptare e 11.000 lireta italiane.
Për këto të holla dha spjegime Sallomoni se janë të Dervish Jahit, tregtar nga Shkodra… Të hollat në fjalë u sekuestruen nga Policija Gjermane, mbasi veprimi ishte fillue nga ata. Nga hetimet e ma-pastajshme, rezulltoj se, vajza K.S. përveç lajmimit që kishte ba në këtë Zyrë, njikohesisht kishte lajmue edhe komandën e Policisë Gjermane SS, Komandën e Regjimentit të Gjindarëmrisë “Kosova” dhe Komandën e Rrethit të Mbrendëshme të Gjindarmerisë, edhe kështu vajza në fjalë ka shkaktue një konfuzion. K.S. këtë gjë e ka ba me qëllim, që të shpresonte në shpëtimin e dashnorit të saj komunist J. K., i cili nga organet e kësaj Zyre, më datën 14 Prill të k.v. ishte arrestue si pjesmarrës në vrasjen e nji Nënoficeri e nji Agjenti të Policisë. Edhe vajza në fjalë asht me ndjenja komuniste dhe imorale, por tash për tash nuk asht konstatue nëse zhvillon ndonjë aktivitet komunist. Sa sipri Ju parashtruem për njoftim e në gjegje të sipërmes”.
Drejtori i Policisë së Qëndrës
(Shaqir Preza.d.v.)
Pra, siç shihet edhe nga dokumenti i cituar më lart, shkas për arrestimin e gjashtë shtetasve me kombësi hebraike është bërë një vazjë e re komuniste nga qyteti i Durrësit, e cila i ka spiunuar ata në Komandën Gjermane, duke shpresuar se ata do t’i lironin të dashurin e saj komunist, që ishte arrestuar për pjesëmarrje në një atentat kundër një agjenti të policisë.
Urdhëri i Qazim Mulletit: Liroi hebrejtë
Po cili ishte fati i mëtejshëm i hebrejve që u arrestuan nga gjermanët, pasi ata ishin spiunuar nga një vajzë e re komuniste me origjinë nga qyteti i Durrësit dhe banuese në Tiranë? Për këtë gjë në dokumentet arkivore që disponojmë nuk bëhet e ditur, por aty flitet për dy shtetas të tjerë me origjinë hebraike, të cilët janë liruar nga burgu me vendimin e një komisioni të posaçëm të kryesuar prej Prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti. Në atë dokument arkivor, që mban datën 9.6.1944, shkruhet:
Shteti Shqiptar, Prefektura e Tiranës
Zyrës së Burgut e për njoftim:
Komandës Qarkut Gjind. Komiseris Policis Tiranë
Ju njoftohet se komisioni i posaçëm i mbledhun pardje me 7 të k.m. nën Kryesinë e Titullarit të kësaj Prefekture, vendosi qi të reshtuemit Sallomon Tashi e Mina Roshi nga Durrësi, të lirohen me garanci, mbasi nuk kishin fakte për t’i u referue Gjyqit dhe me qënë se bani konviksion se nuk janë persona të rrezikshëm që lenia e tyre e lirë të damtojnë qetësinë publike. Lutemi prandaj që mbasi të sigurojën si garantë ndojë person të ndershëm të njoftun me sjellje të mira morale dhe politike, të shoqnohen në këtë Prefekturë, ku mbasi të redaktohet akti i garancisë, do të lehen të lirë.
Prefekti i Klasit të I-rë
Qazim Mulleti d.v.
Zv/Ministrat Ejëll Çoba dhe Kol Tromara: lironi hebrejtë
Në dokumentet e tjera që gjenden në Drejtorinë e Përgjithëshme të Arkivave të Shtetit në Tiranë ku bëhet fjalë për aktivitetin dhe veprimtarinë e shtetasve të huaj me origjinë hebraike të cilët gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore (1939-1944) gjendeshin në Shqipëri, ndodhet edhe një korrespodencë e gjatë e bërë ndërmjet Prefektit të Shkodrës, Javer bej Hurshitit, dhe zv/ministrit të Brendshëm të qeverisë shqiptare të asaj kohe, Engjëll Çoba. Në ato dokumente flitet për arrestimin nga ana e gjermanëve të katër shtetasve të huaj me origjinë hebraike që ndodheshin në qytetin e Shkodrës, nga ana e gjermanëve, dhe ndërhyrjen e autoriteteve shqiptare për lirimin e tyre. Kështu, në datën 2 maj 1944 (ora 11.55) Prefekti i Shkodrës, Javer Hurshti, me anë të një telegrami njofton Ministrinë e Mbrendshme në Tiranë, duke i shkruar:
“Informohemi se Komanda H.S. Hausding ka arrestue katër ebrej prej Prishtine dhe me qëndrim në këtë qytet. Thuhet se këtynë u janë kërkue njëmijë napolona ar për lirim”. Pas marrjes së këtij telegrami, zv/ministri i Punëve të Brendshme, Engjëll Çoba, i ka bërë një telegram Prefekturës së Shkodrës, ku kërkon të dijë se shumën e napolonave të arit e ka marrë Prefektura e Shkodrës apo komanda gjermane. Dhe pasi njoftohet nga Prefekti Hurshiti se ajo shumë është marrë nga komanda gjermane, zv/ministri Çoba ka lajmëruar menjëherë Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, e cila kishte dhe autoritetin e duhur ligjor për të kontaktuar me Komandën e Përgjithshme Gjermane në Shqipëri.
Imazh

Zv/ ministri Çoba: Autoritetet gjermame të mos ndërhyjnë në punët tona
Në njoftimin e zv/ministrit Çoba, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, pasi jepet fjalë për fjalë njoftimi i Prefektit Hurshiti për arrestimin e katër hebrejve dhe shuma që u është kërkuar për t’i liruar nga burgu, më tej shkruhet: “Prandaj lutemi të keni mirësinë me ndërmjetësue ku duhet që autoritetet ushtarake Gjermane të mos ndërhyjnë në punët e mbrendëshme t’onat, vetëm ndër raste qi kanë të bëjnë drejt për së drejti me ushtrinë Gjermane”.
Pas këtij njoftimi të zv/ministrit Çoba, duket se Ministria e Jashtme në Tiranë ka reaguar menjëherë pranë Komandës së Përgjithshme të Gjermanëve po në Tiranë, gjë e cila bëri që katër hebrejtë e arrestuar të liheshin të lirë. Kjo u bë e ditur edhe nga telegrami i Prefektit Hurshiti, i cili, më 4 maj 1944, njofton Ministrinë e Brendshme, duke i thënë se Komanda Gjermane në Shkodër i la të lirë katër hebrejtë, mbasi ata paguan gjobën prej 60.000 franga shqiptare. Por edhe pas këtij njoftimi, Ministria e Brendshme duket se nuk është e kënaqur me faktin që hebrejtë janë liruar, pasi kanë paguar para, dhe me anë të një telegrami tjetër, që mban datën 6 maj 1944, ajo ka reaguar përsëri pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në atë telegram shkruhet:
“Kemi nderin me Ju informue se Prefektura e Shkodrës me telin shifër Nr. 191/2 res. d.5 vazhduesit na raporton se, Komanda Gjermane e atjeshme S.D. Hausding. Më datën 2 të k. m. ka arrestue 4 Ebrej prej Prishtine e me qindrim në Shkodër. Më datën 4 të k. m. mbasi u ka marrë një shumë prej gjashtëdhetmijë (60000) fr.shq. i ka lanë të lirë. Prandaj sa sipri lutemi të kini mirësinë me ndërmjetsue ku duhet qi Autoritetet ushtarake Gjermane të mos ndërhyjnë ndër punët e mbrendshme t’ona, vetëm ndër raste qi kan të bajnë drejtë për së drejti me ushtrin Gjermane”./Memorie.al
http://www.panorama.com.al/dokumentet-e ... e-iu-mori/
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4534
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Frank Shkreli: Pse nuk e përmendet roli unik i Kol Bib Mirakës për shpëtimin e hebrenjëve?

Nga Gazeta Telegraf -29 Janar, 2020

Nga Frank Shkreli*

Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Më poshtë është një artikull i botuar tre vjet më parë. Në këtë 75-përvjetor të çlirimit të kampit nazist Auschwitz, po flitet dhe shkruhet shumë në median shqiptare mbi shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.Por, pothuaj askush nuk përmend rolin e Kol Bib Mirakës i cili si Ministër i Brendshëm, në atë kohë, autorizoi lëshimin e pasaportave shqiptare për hebrenjtë në Shqipëri, duke ua bërë të mundur largimin e tyre nga Shqipëria duke shpëtuar jetën e rreth 2000 hebrejve. Askush nuk flet për këtë fakt historik sot, megjithëse ekzistojnë dokumentat historike për rolin e tij, siç është libri i Z.Faik Quku, me titull, “Qëndresa Shqiptare Gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një shënim mbi këtë libër mund ta lexoni më poshtë, botuar tre vjet më parë. Ka ardhë koha që edhe emëri i Kol Bib Mirakës të rreshtohet në listën e atyre shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë nga nazistët, por edhe në pllakën e nderit, “Righteous Among the Nations” të shtetit të Izraelit, për njerëzit që rrezikuan edhe jetën gjatë Hollokaustit për të shpëtuar hebrenjtë nga zhdukja fizike.

Frank Shkreli: Kol Bib Mirakaj: Më në fund një e vërtetë historike

Më në fund, historia flet, njihet e vërteta. Të pakën në një rast. Deri tashti dikush tjetër dhe të gjithë të tjerët emër e pa emër, të merituar e të pa merituar, morën kredinë për shpëtimin e hebrenjve nga nazistët gjermanë, në Shqipërinë e okupuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por asnjëherë, në këto 25 vitet e fundit, nuk iu përmend emri protagonistit kryesor të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri nga Kolë Bib Mirakaj, të cilin historiografia komuniste e karakterizon me epitete fyese të lloj-llojshme.

Shumë vite më parë, unë e kisha dëgjuar rolin që kishte luajtur Kol Bib Mirakaj në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nga babai i bashkshortës time Vitores, (Pashk Ademi Markgjonaj), por edhe nga bashkohas të tjerë të Kol Bibës, si Ernest Koliqi, e të tjerë. Por në mungesë të ndonjë dokumentacioni si ky që ka zbuluar dhe botuar në librin e tij kohët e fundit, Faik Quku – i mbajta të dhënat e tyre, të qeta, në heshtje mbrenda vetes. Ishte një heshtje, jo vetëm për mua por edhe për shumë të tjerë që kishin dëgjuar të njëjtën bisedë, por në mungesë të dokumentacionit si është ky i paraqitur nga autori Faik Quku, duhej pranuar në heshtje ato që dëgjonim e lexonim për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë, megjithse jo të gjitha të dhënat e këtij rasti që kemi dëgjuar deri tani, i përgjigjeshin të vërtetës.

Mbarë Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët kudo, me të drejtë duhet të jenë krenarë për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë nga nazistët, por është një njollë e zezë mbi ata që kanë promovuar këtë akt me të vërtetë humanitar të shqiptarëve, por pa përmendur kurrë rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka në këtë mes. Por, ja tani, gazeta e Tiranës “Telegraf” sjellë një lajm për lexuesit e saj, në lidhje me librin e autorit Faik Quku, me titull, “Qëndresa Shqiptare Gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ku dokumentohet roli i Kol Bib Mirakës në shpëtimin e hebrenjve, dokumenta të kohës këto, të nënshkruara nga vet dora e tij si Ministër i Brendshëm i Shqipërisë së asaj kohe. Tashti, kemi librin e Faik Qokut dhe dokumentacionin siç duket të padiskutueshëm që përbën mbrenda veprat e tij në lidhje me rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka gjatë luftës.

Sipas gazetës “Telegraf”, në librin e tij, autori Faik Quku, bazuar në dokumentacion, ka paraqitur disa të vërteta rreth jetës dhe veprës së Kol Bib Mirakajt. Siç mund të shihni në linkun e gazetës Telegraf http://telegraf.al/opinion/kole-bibe-mi ... hebrenj-2/ spikaten dy gjëra me rëndësi historike, sipas dokumentave të zbuluara nga autori.

Njëra nga këto të vërteta ka të bëj me vendimin e Kol Bibë Mirakës për të paisur me pasaporta shqiptare 2000 hebrenjtë që gjatë Luftës së Dytë Botërore ndodheshin në territorin shqiptar, një akt ky që mundësoi strehimin e tyre në Italinë jugore, të çliruar nga anglo-amerikanët, duke i shpëtuar ata nga forcat naziste. E vërteta e dytë me rëndësi është fakti i zbuluar me këtë libër se Ministri “fashist” Kol Bib Mirakaj kishte refuzuar shumën e parave që hebrenjtë donin t’i jepnin atij si shpërblim për vendimin e tij humanitar. Jo një herë, por refuzoi parat dhe napolona ari, dy herë: një herë Shqipëri dhe tjetrën herë në Romë, ku Kol Biba ishte i mërguar dhe ku jetonte në skamjen më të madhe, për të cilin kujdesej urdhëri françeskan, nga të cilët varej për bukën e gojës.

Ta merr mendja se vendimi i Kol Bib Mirakës, si ministër i Brendshëm i asaj kohe duke paisur me pasaporta hebrenjtë shqiptarë për tu larguar shëndosh e mirë nga Shqipëria mund të kishte pasur pasoja të rënda për ‘të, po të ishte zbuluar ky akt humanitar i tij nga nazistët. Thonë se burri dhe miku i mirë njihet në ditë të vështirë! S’ka dyshim se për hebrenjtë shqiptarë Kol Bib Mirakaj, jo vetëm që ishte burrë dhe mik i mirë në një ditë tejet të vështirë për ta, por autori Faik Quku provon se ai në të vërtetë ishte diçka më tepër, ai ishte shpëtimtari i tyre, i cili madje edhe refuzoi çdo shpërblim nga hebrenjtë shiptarë për paisjen e tyre me pasaporta shqiptare, gjë që tani dihet se bëri të mundur largimin e tyre për në Itali. Si do që ta merrësh, për atë kohë, por edhe për sot, ky ishte një akt heroik nga ana e Kol Bib Mirakës, për të cilin flitet shumë pak ose aspak!

Tani, kemi librin e Faik Qukut dhe dokumentacionin që përbën mbrenda vepra e tij, mbi rolin e Kol Bib Mirakës në shpëtimin e 2000 hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, që vet Kol Bib Mirakaj do të shprehej se nuk kemi më nevojë tani, “Me pranue më heshtjen tonë për një cilësim të tillë që nuk i përgjigjet të vërtetës”, sepse ka shkruar ai në librin e tij “Vrasja e Nji Kombi”, me heshtje, “Mua më është dukë se bëjmë krim kundër vetvetes, kundër historisë e kundër fëmijëve e njerzëve tanë, që do të mbeteshin me kryeultë për breza të tanë, para shoqërisë.”

Kol Biba do të falenderonte Faik Qukun, që me librin e tij mbi këto të vërteta të dokumentuara nga jeta e Kol Bib Mirakës, ai i jep “histori-shkruesit të së nesërmes një dokument që ta kenë të gjithë Shqiptarët për studim”, një dokument që ai do të pohonte se ia “nxjerrë kartat në shesh dhe ia parashtron haptas Gjyqit të Historisë”, ngjarjet e asaj periudhe. Ndonse nuk e kam lexuar librin, duke vlerësuar nga këto të dhëna të paraqitura në Gazetën Telegraf, me librin e tij, autori Faik Quku zhdukë jo vetëm heshtjen por edhe shumë paragjykime dhe të pavërteta të promovuara nga disa pseudo historianë shqiptarë, mbi rolin dhe veprimtarinë e shumë personaliteteve shqiptare, përfshirë Kol Bib Mirakën, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.
https://telegraf.al/analize/frank-shkre ... ebrenjeve/
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 4 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 26 Shtator 2020, 16:48
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari