Gjithcka mbi naten e erret 45vjecare komuniste shqiptare
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 356 postime · Faqe 36 prej 36 · 1 ... 32, 33, 34, 35, 36
120 VJETORI I LINDJES SË IMZOT GASPËR THACIT
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4413
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
BAJRAM CURRI MIK’ I SHKODRES - F.Radovani, Posted 22 Mars 2019, 21:01
Nga Luigj GURAKUQI:
Bazat e bashpunimit ndërmjet Shqiptarëve
Muhamedanë e të Krishtenë.

Imazh

Arësyet ma të para e ma të forta që armiqtë e një Shqipnie të lirë e më vete kanë përdorë ma shpesh për me kundërshtue që nga fillimi Lëvizjen tonë Kombëtare, kanë kenë këto: “Shqiptarët nuk mund të lirohën, Shqiptarët nuk mund të ndërtojnë një Shtet që të kenë jetë të gjatë, që të organizohët e të përparojë, mbasi nuk kanë ndjesi kombëtare, tue kenë se janë të ndamë në tre besime të ndryshme.”
Këto fjalë përsëriteshin, kjo propagandë ngatrrestare lejohej si mbrenda, si jashtë Shqipnisë. Por, Prisat tonë, – ata që, nga ma të parët, rrokën Flamurin Kombëtar në dorë dhe nisën luftat për liri, – nuk u dobësuan as nuk u trembën fare prej kësaj profetije ogurzezë, tue kenë se njihnin thellë shpirtin e butë të vëllazënve të vet, e dinin mirë sësa janë të lidhun për gjuhën e, sësa kryelartë janë Shqiptarët për vend e kombësi të vet.
E, nuk u gënjyen; provat i kemi në shesh.
Idea e gjuhës dhe e kombësisë triumfoi mbi të gjitha pengesat.
E, me të vërtetë, lidhja e besimit me Shtetin që na sundonte, nuk i rudhi aspak Muhamedanët Atdhetarë me kërkue ndarjën e Shqipnisë nga Turqia. Edhe, të Krishtenët, ndonse e dinin mirë se Shqipnia Etnografike, që ata andërronin të lirë do të kishte një shumicë tepër të madhe Muhamedane, nuk e morën fare parasyshë këte punë e, as nuk i dhanë rendësi konseguencave të saja.
Vazhduen, pra, sëbashku, si vëllazën që ishin, e me zellë ditë përditë ma të ngrohtë e, me guxim herëpërherë ma të madh, vëprimin dhe luftën për gjuhë, për kombësi, për liri; e disa prej tyne patën edhe fatin e bardhë me e pa të realizuem idealin e vet e me gëzue edhe frutët e teorive të veta.
Në kohët e para të Pavarësisë sonë, ndodhën me të vërtetë disa ngjarje të këqija, të cilat u dukën përnjëherë, se po u epëshin të drejtë profetëve ogurzezë.

Kundërshtarët e Shqipnisë së lirë, të mbrendshëm e të jashtëm, u tërbuen prej gëzimit e besuen për një minut, në fitorën e mendimëve e qellimëve të veta; por veteranët tonë me gjithë mjerimin qe ju ndjeu zemra, nuk e humbën besimin as shpresën në fatin e Atdheut. E patën të drejtë. Mù në mes të trazimëve shpirti i butë i Popullit Shqiptar u shque ma shumë se kurrë; e, lidhjet e gjuhës, të gjakut dhe të kombsisë nuk vonuen me dalë ngallnjyese mbi lëvizjet e ngatërresat jetëshkurta.
Po të marrim parasyshë konditat e vështira e rrëthanat anormale ndërmjet të cilave lindi Shqipnia, nuk duhët të çuditemi aspak për këto ngatërresa e trazime, as t’ ia ngarkojmë të gjitha influencës së besimëve.
Kur ta mëndojmë Shqipninë, të cungueme nga pjesët e saja ma të mira, me kufinjë të përcaktuem e të çthurun, me tokët e pushtueme nga ushtritë e huaja e me një Komision kontrolli Ndërkombëtar mbi kokë, duhët të mbrekullohemi sësi Populli i sajë ka mundë ta mblidhte vetën e, sësi nuk ka vdekë përpara se të fillonte me rrojtë!
Përsa i përket, tashti, çeshtjës fetare e kundërshtimëve që mund të ngjajnë ndërmjet besimëve të ndryshme, mund ta thomi me krye lart se edhe në këte pikë nuk kemi arësye të kjajmë, pikërisht, ma shumë të gëzohemi e të shpresojmë në të mirën.
Që mos të duket se kënaqem vetëm me shpresa e, se, në mungesë argumentësh ma të sigurt jam tue u mundue me rreshtue vetëm fjalë të bukra për ti ba qejfin njenit apo tjetrit, kësaj herë do të sjelli një shembull tue e marrë prej Irlandës.
Po të krahasojmë gjendjën shoqnore t’Irlandës me ate të Shqipnisë, e po të mbasim shkallën kulturore të Popullit të sajë me ate të Popullit tonë; e po të kujtojmë, mandej, se banorët e Ulster-it nuk duen të ndahën nga Ingilterra e të lidhën me shumicën e vëllazënve të vet Katolikë, për me kërkue sëbashku lirinë e plotë t’Atdheut, vetëm nga shkaku se janë Protestant, duhët të përfundojmë tue pohue pa frikë kundërshtimi, se ndryshimi i besimit sjellë pengesa shumë ma të mëdha në Irlandën e qytetnueme e të përparueme, sësa në vëndin tonë të mjerë.
Në këte pikëpamje, Kombi Shqiptar ep me të vërtetë një shëmbull të shkëlqyeshëm vëllaznimi e butësije shpirti, sa që rrallë se gjindët tjetërkund!
Përpara se të përfundojmë, po ju pyes: Si do të sillën, si do të rregullohën Shqiptarët që të mundën me bashpunue lirisht për të mirën e Atdheut, që të largojnë çdo shkak konflikti e të mos ndeshën në asnjë pengesë sado të vogël që mund të rrjedhë nga ndryshimi i besimëve?
Unë s’jam aspak me ata që mendojnë se në një mënyrë a në një tjetër, me të butë a me të fortë, duhet të shuhën besimet për me largue konfliktët që mund të shkaktojnë. Përveç, çeshtjes që feja i përket ndërgjegjës së njeriut, feja asht një gja e mirë se asht një ndihmë e madhe për jetën e kësaj bote.
Parimet e fesë të ndjekuna mirë i bajnë njerëzit qytetarë të ndershëm, i mësojnë që ti shërbejnë Atdheut, që t’ju shtrohën ligjëve të Shtetit. Unë besoj se qellimi i dëshruem, domethanë, nëse në mes besimëve largojmë konfliktët, mund të arrihët lehtë e vetëm e vetëm tue sigurue me ligjë të drejta e të barabarta lirinë e nderimin e besimëve, e tue ndalue që Shteti të përzihët në punët e tyne.
Ndëhymja e Shtetit në çeshtjet fetare jo vetëm që asht e padrejtë por, sidomos, në Shqipni, mund të dalë edhe fort e rrezikëshme. Po të fillojë e të përzihet Shteti në punët e njenit apo të tjetrit besim, për të mirë a për të keq, sidoqë të jetë, do të prishet menjëherë ekujlibri ndërmjet tyne, do të shkaktohën hidhërime e pakënaqësi, do të sjellin si rrjedhim vështirësi e ngatërresa. Tue kenë kështu punët, arrijmë vetvetiu në këte përfundim, që bazat e bashpunimit ndërmjet Shqiptarëve Muhamedan e të Krishtenë duhët të mbetën gjithënjë ato të parat e duhët të jenë këto: Njësia e Atdheut, bashkimi i kombësisë, lidhja e gjakut dhe e gjuhës; ide këto, që janë përshkue nëpër provën e zjarrit dhe kanë dhanë frute të mira. Përsa i përket mandej çeshtjes Fetare, parimet që do të ndiqën janë këto: Besime të lira në Shtet të lirë, mosndërhymje e Shtetit në çeshtjet e besimëve, nderim i njenitjetrit për besimin e shoqi-shoqit.
Tue ushqye këto ide, tue ndjekë këto parime, tue vëprue mbi këto baza, mund të jemi të sigurtë se Shqipnia do të rrojë, se Shteti do të forcohët, se Populli i ynë do të vrapojë me hapa të shpejtë drejtë udhës së qytetnimit dhe të përparimit.
Luigj Gurakuqi.

Shenim nga Fritz Radovani:
Materiali asht marrë pa asnjë ndryshim nga Gazeta “Ora e Maleve” Shkoder, 10 Nandor 1923. Nr.32.
Melbourne, 23 Mars 2019.


Nga Fritz RADOVANI:
BAJRAM CURRI MIK’ I SHKODRES
Imazh
BAJRAM CURRI (1862 – 1925)

GAZETA “ORA E MALEVE” SHKODER…Viti II, e Shtunë, Nr. 29…
●12 KORRIK 1924, MËRRITJA E BAJRAM CURRIT NË SHKODER…
Mbramë, me 11 Korrik, ka urdhnue në qytetin tonë Kreshniku i Gegnisë, bashkë me Atdhetarin e njohtun Azis Strazimiri... Arritja shumë vonë nuk na lejoi me i ba pritjen që meriton... Të nesermen Ai vizitoi Kuvendin e Fretenve, Shtëpinë Marubi dhe u takue me L. Gurakuqin, disa grupe të Shkodres, per të cilët u shpreh me telegrame nga Tirana…
●Falnderim nga ana e Kolonel Bajram Currit:
Me rastin e mërritjes së Kolonel Bajram Currit në Tiranë, Grupi i Orës së Maleve, Voglia Shkodrane, Grania e Shkodres, Shoqnia e Puntorisë, Shoqnia Bogdani e zotni të tjerë shkodranë, i kanë dergue telegram përgëzimi dhe urime.

Zotni Kolonel Bajram Curri Ju përgjegjë:
Grupit Ora e Maleve:

“Popullit katolik të Shkodres, që gjithmonë ka kenë prijës në fushë të shqiptarizmës, i paraqes falnderimet e mija ma të sinqerta për urimet që më ban.”
Granisë Shkodrane:
“Urimet t’ Ueja të sinqerta jo veç që më bane me harrue vuejtjet e mundimet, tue më kurajue me sherbye edhe ma shumë për të mirën e Atdheut, por veçanërisht, më shtojnë simpatinë që kam ushqye për Ju, stërmbesat e Teutës, të cilat gjithmonë kanë kenë ndera e Shqipnisë.”
Voglisë Shkodrane, Shoqnisë së Puntorisë, Shoqnisë Bogdani: (Sejcila veçmas)
“Ju falemnderës për urimet që më bani.
Ju siguroj, se gjithmonë do të përpiqem për plotësimin e detyrës për të mirën e Atdheut.”
29 MARS 1925:“Në nji pallat të Tiranës Ahmet Zogu me nji të zgerdhime satanik u qet me pi satelitvet të gëzueshem tue u thanë: Tash nuk drue ma kend!” E ashtu ngjau!..
●Koha vertetoi se: “Per një grusht pare ari” shumë vetë e mbyllen jeten me faqe t’ zezë!

Po, mos harroni: “Historia e Popullit Shqiptar asht e shkrueme me Gjak Kreshnikësh!”
Melbourne, 28 Mars 2019.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4413
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
2 PRILL 1991: GJAKOSNI SHKODREN !, Posted 01 Prill 2019, 19:43
Nga Fritz RADOVANI:
2 PRILL 1991: GJAKOSNI SHKODREN !
Imazh

“VETËM N’ FUTA E DEGERMIA...ZBUKUROHET SHQIPËRIA !” Kështu tha Ramiz Alia…
Armët gjakatare të terroristëve komunistë para se me ngordhë, dita e ditës vajiseshin me gjakun e Rinisë Shqiptare të pafajshme… E gjak ma të “shijshem” se i Shkodres nuk ka!
Të parët kanë mërrijtë tek sheshi studentët e shkollës së mesme “Jordan Misja”, që ishin të ulun karrshi komitetit PPSh në barin e lulishtës, dhe porsa Arbeni, ka ardhë aty nga rruga e qendres së qytetit.., pa u afrue mirë tek studentët, asht ndigjue krizma e snajperit që e ka goditë mu në krahun e majtë, mbi kerdhokël, tue i shkaktue vdekjen në çast... Ramja e Arben Brocit në asfalt ka dhanë sinjalin, mbas të cilit u vranë Nazmi Kryeziu, 38 vjeç; Besnik Ceka, 21 vjeç; Besnik Bishanaku 22 vjeç dhe u plagosen mbi 89 vetë, listen e të cilëve e kishte atëherë Kryesia e BSPSH Shkoder… Ndonse, askush nuk ishte dhe nuk asht as sot “vrasës”, mbasi viktimat e jo “Dëshmorët e Demokracisë” ishin Shkodranë!
Prej vitit 1944 krimet e tyne janë legale, të njohuna dhe të jashtaligjëshme ashtu si ishte vetë organi i “sigurimit të shtetit” diktator që zbatonte jashta të gjitha normave njerzore e juridike vendimet e partisë komuniste. Kriminelet e diktaturës 47 vjeçare vazhdojnë me kenë “heronjë”.., edhe me “Rilindjen” sepse, edhe Kuvendi Popullor asht dakord!
Shteti Shqiptar fuqiplotë nëse vazhdon mos me dënue kriminelët apo “meritat” shumë të njohuna zyrtarisht nga organet e paligjshme të diktaturës, tue fillue nga Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe pasuesit e tyne, domethanë se, jo vetëm që Shteti sot pajtohet me ato krime të shëmtueme të komunizmit gjakatar, por edhe asht pasues i vepres së tyne.
Sot të gjitha “misteret” janë vepra të diktaturës komuniste, që mbulohen për aq kohë sa ai sistem barbar të sundojë mbi popullin e pambrojtun, ashtu si asht Populli Shqiptar, përderisa vrasësit, torturuesit, kriminelët dhe tiranët, jo vetem nuk dënohen për krimet që kanë krye dhe vazhdojnë me ba çdo ditë pasuesit e tyne, të cilët qiten e priten ndër shtetet e Europës e që ku venë kamben krenohen për “demokracinë dhe arritjet e saja”.
Koha po tregon se “ringjallja” po nxitet dhe po afron “ringjalljen e diktatorëve” të rinjë, që nuk i lanë asgja mangut paraardhësve të vet po, edhe po ua kalojnë atyne barbarë.
Populli Shqiptar nuk duhet të heshtin e as të mendojnë kurr se “armët e diktaturës” ndryshken vetvetiu, përderisa, ai të jenë pre e atyne armëve që për 75 vjet vazhdojnë me vra Bijtë e Atij Populli, që asnjëherë nuk ka pushue luftën e vet për Liri e Demokraci!
Mbi rrenojat e krimit dhe barbarizmit gjakatar nuk ndertohet kurr Demokracia!
Demokracia nuk mund të vendoset me bijtë e tradhtarëve vrastarë të djeshem e as, me matrapazat e droguem të sotem, që per dy pare akuzojnë nanat e veta per imoralitet…
Bazat e Demokracisë në Shqipni janë vendosë me kohë nga Demokratët tanë, të cilët per të Drejtat e njeriut dhe Lirinë e Atdheut, kanë dhanë edhe jeten e Tyne…
Melbourne, 1 Prill 2019.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4413
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI:
4 PRILL 1904: GJITHSHKA PER
“ATDHE E FE”E FLAMURIN E KASTRIOTIT

Imazh

4 –IV– 1904 SHUGUROHET MESHTAR I URDHNIT FRETENVE TË VOGJEL AT MATI PRENNUSHI O.F.M. (2 Tetor 1882 – 11 Mars 1948), në Kishen e Fretenve të Shkodres, pranë Kuvendit të Tyne, ku jetoi, punoi, u arrestue e u torturue me Vllazen.
Asht lé në Shkodër më 2 tetor 1882, prej prindve Kolë e Drande Prennushi. Mbas dy vjetë studimesh në Bosnje, vazhdoi në Grac per Teologji, dhe i perfundoi studimet atje në vitin 1904 që i vdiq axha Don Matia, Emnin e të cilit e trashigoi At Matia. U emnue po atë vit në Gjimnazin e Fretenve, prej ku shkoi në Katund të Kastratit ku përfshihej edhe Bajza.
At Dioniz Maka më tregonte më 14 prill 1995: “Kur turqit ishin në agoninë e tatpjetës, mendonin aty nga 1905 me djegë Shkodrën, në shenjë hakmarrjeje për përpjekjet që po baheshin me dalë nga zgjedha e robnisë së tyne, njëditë të dielë mbas meshët At Matia çveshi teshat e meshës e u tha besimtarëve: - Kush asht burrë dhe e don me zemër Shkodrën o sot o kurr, me ardhë mbas meje, do t’ju prij unë e do të shkojmë me i ndalue dorën hasmit turk që don me zharitë vllaznit tonë! Malsorët dhanë kushtrimin përreth ndër male dhe nën drejtimin e At Matisë u nisën në drejtim të Shkodrës. Lajmi erdhi shumë shpejt edhe në Shkodër. Me të marrun vesht Valia dërgoi ndërmjetësit tek Kisha e Madhe e Shkodrës për me e ndalue këtë veprim, tue premtue se ushtria turke nuk do të bajë reprazalje kundër shkodranve. Imzot Guerini u dërgoi një përfaqësues me u dalë para malësorve që po vinin me At Matinë në krye. Përfaqësuesi i klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë dhe mbasi ishin marrë garancitë prej Valisë, malësorët u kthyen, Shkodra shpëtoi... At Matia qysh i ri asht dallue në trimni.” Me shkuemjen e Imzot Lazër Mjedjes në Prizren në 1908, At Matia shkon në Traboin, Deçiq e Gerçë.
Në çdo votër ndër ata male përcillej ndër breza qëndresa e kreshnikia pa mburrje. Virtyti ma i shenjti i yni besa, qarkullonte ndër damarët e gjakut të malësorit fisnikinë me formulen “Atdhé e Fé”, aqsa dukej sikur ky ny i pazgjidhshëm asht lidhë njëherit me kërthizën e tij. Ishte besa që në karakterin e atyne burrave ruente të forta dhe të freskëta ndjesitë atdhetare që prisnin çdo çast me u zgjue nga dora e bekueme me gjakun e Martirëve, nga dora e atij Kreshniku që shpejt do të thërriste: “Çonju burra, ku jeni, drejt e në Deçiq!..” E, mbas Tij, fluturuan edhe shqipet e Alpëve tona!
Më 24 mars 1911 janë At Mati Prennushi e At Buon Gjeçaj, që shpalosin nga gjoksi i Tyne Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dhe ia dorëzojnë të pathyeshmit Trim të Traboinit, DED GJO’ LULIT që ishte ajo e forta zemër, që me duer prej bronxi, ngjiti në atë shtizë të latueme në shekuj atë cohë KUQ E ZI, të qëndisun nga duert e arta t’ bijave të Rozafës, po, në atë shkam ku asht daltue amaneti i GJERGJIT, që për pesë shekuj priti: AGIMIN E LIRISË... bash AI BURRË, që sot nuk ka as vorr, ndonse “disa prof...lapera” kerkojnë që Emnat e Këtyne Burrave me i shlye nga Historia e Shqipnisë.
Për këtë ngjarje kaq të randësishme përveç dokumentëve historike të botueme të asaj kohe, fotografive në revistat “Leka”, “Hylli i Dritës”, etj., shkruen Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco USA:
“On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.”; dhe, e përkthyeme në gjuhë shqipe: “Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me Shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani At Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.”
At Matia nuk ishte i knaqun vetëm me lirinë e Malëve mbasi atje liria pothuej nuk ishte shkelë. Vepra e Deçiqit vërtetë që ishte një shpërblim i luftës së Malëve tona, por Liria duhej me u shtri në të gjithë vendin. Në qelën e At Matisë, në Gerçë shkoi Imzot Lazër Mjedja dhe organizojnë takimin historik ku nënshkruhet: “Memorandumi i Gerçës”, më 23 qershor 1911, që i prinë ngjarjës së Pavarësisë Kombtare në Vlonë, më 28 Nandor 1912. Ky Memorandum u shkrue në gjuhën frenge nga atdhetari Luigj Gurakuqi e u përpilue nga Imzot Lazër Mjedja, L. Gurakuqi, At Matia, At Buon Gjeçaj, e asht nenshkrue nga: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia.
Kur malazezët shkelin tokat tona, për këto akte atdhetarie që At Matia kishte organizue, e kapin dhe e dënojnë me varje në litar. Në zhvillim të gjyqit një anëtar i trupit gjykues, i thotë: “E sheh litarin që ke në brez, në atë litar do të varim!”....dhe, At Matia me buzë në gaz i përgjegjët: -“Ua dij për nderë me më varë në konopin tem mbasi me siguri litari em ka me ma falë jetën!” Dashunia që kishte At Gjergj Fishta për té, e bani me ndërhy tek Krajl Nikolla dhe ai i fali jetën At Matisë.
Në vitin 1924 asht përkrah Opozitës si gjithë Kleri Katolik, kundër Regjimit të Zogut. Lëvizja e 1926 e përfshinë edhe At Matinë, i cili mbas vrasjes së Luigj Gurakuqit, nuk donte me i ndigjue emnin as Ahmet Zogut dhe as Musa Jukës.
Arrëstohet prap në këtë Lëvizje bashkë me shumë klerikë të tjerë. Don Gjon Gazulli u dënue me varje dhe u ekzekutue vëndimi në Shkoder. At Matia priste pushkatimin. Këte herë asht At Palë Dodaj që ndërhyn tek Zogu, i cili ia fali jetën At Matisë. Ky e liron por me kusht që At Matia me u largue nga ato krahina. Emnohet në Laç të Kurbinit. Në 1928 shkon në Iballe të Pukës dhe mbas pak kohe asht në Gomsiqe. Në 1941 emnohët në Tiranë, aty me Provinçialin At Anton Harapin, hapin Kishën Françeskane të kryeqytetit, ku sherben At Matia. Mbas emnimit të At Anton Harapit në Regjencë, në vendin e Tij si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, emnohet At Matia, dhe vjen në Shkoder.
Zgjedhja e At Mati Prennushit si Provinçial asht mjaft origjinale. At Konrad Gjolaj, ishte i pranishëm e shkruen: “At Çiprian Nika ishte ndër françeskanët ma me vlerë që ka pasë kleri e kjo asht edhe arësyeja që kur u zgjodh Provinçial At Matia, pat ngulë kambë mos me u zgjedhë At Çipriani, se komunistët punën e parë që kanë me ba kanë me pushkatue Provinçialin, prandej, t’a ruejmë At Çiprianin për ma vonë, mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né. Ai e mori detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë nuk i bante përshtypje pushkatimi, se edhe dy herë maparë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile edhe deri tek stoli i konopit në Serbi... Ardhjen e At Mati Prennushit si Provinçial të Françeskanëve të Shqipnisë, unë e kam konsiderue gjithmonë si një fat i madh i Kishës Katolike dhe i Françeskanëve të Shqipnisë. Ai asht kenë portreti shpirtnuer, fizik e moral i një françeskani të vërtetë. Inteligjent, trim dhe organizator. Tri cilsi të vështira me u kombinue, po sidukët Zoti, tue dashtë me na ruejtë me faqe të bardhë na shndriti mendjën me zgjedhë At Matinë në kohën ma të rrezikshme e delikate, që asht ndodhë Kisha përballë terrorit sllavo-aziatik komunist”. Libri “Çinarët” fq. 67.
Në një letër që At Matia u dërgon të gjithë françeskanëve me rastin e vrasjes At Lekë Lulit trathtisht, vetëm me i plaçkitë të hollat që kishte me vedi. Në letër jep urdhën të premë që asnjë frat të mos merrët me politikë e të mos ju besojnë asnjenës parti, mbasi jo vetëm mund të pësojnë fatin e At Lekë Lulit, po do të njolloset me akuzat ma të këqia.
Në të vërtetë koha e turbullt dhe e pasigurt e vitit 1944 sjell shumë të paprituna. Shumë nana shkodrane zanë derën e kuvendit për me ju shpëtue kokat e djelmëve të kapun nga gjermanët, si komunistë ose të dyshimtë; shumë të tjerë afrohën me vërejtë se çfarë qëndrimi po mbante kleri kundrejt partizanëve; shumë të tjerë vijnë me lypë ndihmë për jetesë si Pjerin Kçira me shokë; shumë të tjerë kërkojnë me e pasë mirë me të gjitha palët e, që këta të fundit janë kenë ma të shumtit. Në Kuvendin e Fretënve gjetën strehë shumë prej atyne që do të shpifin për “veprimtarinë antikombëtare” të françeskanëve, vetëm me sigurue një vend pune, me marrë një gradë shkencore të pameritueme etj. etj. Nuk ishte e thjeshtë me kenë Provinçial në një kohë ma keq se në kohë të paganëve, për Françeskanët e Shqipnisë ishte koha ma e vështirë e shekullit. Mos harroni se, gjithshka ishte në dorën e jugosllavëve, e kush ma parë se Fretnit do të kishin punë me ta?
Në Janarin e 1945 gjeneral Sheuqet Peçi e mbas tij, terrorist Mehmet Shehu, i kerkojnë shkëputjen nga Vatikani... Pergjegja sot ruhet në Arkivin e M. P. Mbrendshme Dosja 1302/II-A, ku At Matia në hetuesi asht perballë hetuesve Nesti Kopali, Pjerin Kçira etj., torturues e vrases vegla jugosllave e antishqiptare, që i sherbyen sigurimit komunist.
At Matia nuk pranon asnjë akuzë që lidhet me “futjen e armëve në Kishë të Fretenve në vitin 1946, kur Kuvendi u kthye në burg”, ku At Matia u masakrue barbarisht...
U arrestue me 15 Nandor 1946, doli në gjyqin e mësheftë në mencen e Kuvendit tyne me grupin e Imz. Frano Gjinit, me 1 Janar 1948, ku gjyqtari Misto Bllaci e dënoi me vdekje.
●Në fjalen e fundit Provinçiali At Mati Prennushi tha: “Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër hûj e na kanë varë n’ konop ata që nuk deshten as fenë as kombin, por na e kemi thirrë vedin gjithmonë Shqiptarë katolikë të Gjergj Kastriotit. Kemi jetue gjithmonë me popullin si në luftë, si në paqë. Në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njeni na mbante në robni e tjetri donte me na përpî. Ndërsa na nuk jemi nda kurr prej popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë atë kulturë që ka Europa e mos me u dallue për keq prej të tjerëvet. Na kemi hapë shkolla Shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që populli Shqiptar të ecin në rrugën e Zotit.” Ndersa, në Zallin e Kirit me 11 Mars 1948, para pushkatimit tha: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!
U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”
(Nga Dosja)
●At Mati PRENNUSHI punoi për “Atdhé e Fé”,si të gjithë Françeskanët. Atij në zemër i valvitej Flamuri i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut dhe, i vlonte LIRIA E SHQIPNISË.
Melbourne, 3 Prill 2019.


Nga Fritz RADOVANI:
6 PRILL 1911 DED GJO’ LULI NGRITI
FLAMURIN E GJERGJ KASTRIOTIT

Imazh

DED GJO’ LULI (1840 – 1915)

Një emen që tue mos pasë pranë asnjë epitet nënkupton në Tè: Shqipninë, Flamurin, Malësinë, Hotin, Burrninë, Trimin e Traboinit, Nderën, Vetflijimin për Atdhe dhe, së fundit “shpifjet dhe harresën”... Kur mësuem këtë emen na dukej se bahej fjalë për një person që e kishim ndigjue dikund...ndoshta, ndër përralla, mbasi nuk kishim ide se një Malësor nga Hoti, mund të detyronte një sulltan Stambolli me i kërkue “marrveshje”...e ndoshta, edhe me e peshue me monedha ari.
Dedë Gjo’ Luli asht le aty rreth vitëve 1840. Vendi ku çeli Shqipja Këte vigan asht Mali i Traboinit. Ishte djalë i vetëm. Gjithmonë Shqipnia ka pasë fatin e Saj me u mburrë me “rrelike” të vetme...Koha e Miletit asht ajo që zen fillë emni i Tij, kur me Preng Bibdoden, Çun Mulen e Hotit, Hodo Begun, të famshmin Marash Ucin e sa perla tjera të “Lahutës së Malësisë”, me të cilat At Gjergj Fishta pat vue në gjoksin e Nanës së vet Shqipni gjerdanin e artë të lavdishëm e të përjetshëm të Tyne, në betejat e përgjakshme kundër turkut...Mbas formimit të Lidhjes së Prizrenit, qetësia e Perandorisë së Osmane kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë. Malësorët nuk i mbante ma as frika, as huni, as “premtimi”, prandej edhe lufta e tyne për Liri ishte ndezë në të katër anët. Flaka kishte përfshi Hotin, Grudën dhe Kastratin. Të gjithë kishin rrokë armët. Beteja ma e rrebta asht ajo që u ba në Traboin, në Qafën e Kishës dhe në Spi, ku Dedë Gjo’ Luli u pat tregue anmiqve të Shqipnisë se kush asht Shqiptari i “ringjallun”. Asht pragu i një Ringjalljes së Madhe, ku Malësori kishte marrë në çdo pikë gjaku nektarin e Atdhetarizmit dhe të Fesë së dhunueme n’ sa shekuj, nga “bletët puntore” me zhgunin e Shën Françeskut t’ Asizit, që nuk ju tutën as marrjes zvarrë mbas kuajve të pashallarëve, as hunjve të vumë ndër “shenjat e Kryqave” ku nguleshin si kafshët për me mohue Fenë. Po rilindte një Popull i nëpërmkambun për mos me u shtrue dhe shue kurrma e, Ky ishte Populli Shqiptar, që trandi Ballkanin. Ishte viti 1910 kur Trimi i Traboinit me vullnetin e Tij prej çeliku ndodhet mes kryengritësve të Malësisë së Madhe, len trollin e vet për mos me u kthye kurrma, me 29 Korrik. Në vitin 1911 Kryengritësit Malësorë do të arrijnë me armët e tyne dhe me gjakun e Martirëve të Lirisë me shkrue fletën ma të lavdishme të Historisë mijëvjeçare të përpjekjeve për Liri, dhe mbi vorret e Atyne Martirëve me ngritë, mu në qendren e Ballkanit të salvuem nga osmanllijtë, Flamurin e Gjergj Kastriotit në Trojet Shqiptare, në Ata Troje ku Liria, Atdheu dhe Feja janë visaret me të cilat lindin, pagëzohen dhe në shekuj mburojë ju bane Shqipnisë, e thirren Shqiptarë!
Ishte vetë prijsi i tyne Dedë Gjo’ Luli i pari që mori shpellat!
Janë 13 shtëpi, që mbas gjurmëve të Tij, u veshen Bjeshkëve të Triepshit e, mos harroni se janë 13 kulla që flakrojnë nën rrezet e diellit dhe të hanës e që shkelqejnë ndër tingujt e kangëve të Lahutës, tue mos dijtë me pasë kurrë mort! Malazezët arrijnë me e kapë dhe me e interrnue për gjashtë muej Dedën...Nuk dihet prej askujt se shka i patën dhanë me “pi” Atij Burri që kur u pat kthye prej andej, si dikur, ndër legjenda, Malësorët që e rrethonin ndër kuvende e beteja kanë tregue se damarët e kuq të gjakut ju patën ndërthurë rreth e qark trupit përbri shiritave të zez të çakçirëve, sa kush pat fat me e pa atë ditë të 24 Marsit të 1911, kur Ai u versul mbi anmikun, dukej bash si një Flamur Kuq e Zi, që valvitej prej eret e murrlanit, i lëshuem turr si stuhija me shkye me duert e veta kulshedren turke, apo anadollake siç e thirrte populli, poaq të tërbueme, që në disprim po merrte ikjen dikund nga ujnat e ngrohta të Azisë plakë. Ishte lëshue e nuk mbahej Dedë Gjo’ Luli. Hija e Tij u dukej e zhdukej ndër pallatet e Stambollit edhe vetë sulltanëve, që filluen me folë përçartë. U bashkuen rreth Tij edhe 30 shtëpi. Si një thikë i pat ngulë në zemrën e kalbun të Sulltanit, që villte vner si gjysëmhana e flamurit tij kur ajo rroposte kombe e popuj... Asgja s’ e këthente Dedë Gjo’ Lulin nga rruga e Herojve!
Kur Krajl Nikolla i pat thanë: “Vend ma në Mal të Zi nuk ke”, e kuptohet se Krajli kishte mendue me ua lëshue në dorë turqëve, ashtu si kanë veprue me shumë Shqiptarë kur ia lypte interesi i vet, që i lidhte ma të fortit kur kishin në mes tyne një Shqiptar...
Po Deda çka u tha? A thue u frigue se nuk po gjente vend?
Ai u pergjegjë sikur të kishte përballë një turk: – “Po shpellat a m’i pret?” Heu Zot na ruej...Pa u tutë atje shkoi dhe bashkë me trimat që e shoqnonin atje jetoi, mbasi Koka e Tij flinte ma e qetë e mbështetun mbi cung të lisit, se ndër jastekë puplash...
Arritën deri aty sa vet Krajli i pat kërkue, mbasi vrejti se Deda nuk thehet, “Të lutem, nëmos djalin ma fal!”, sigurisht, ky ishte premtim por edhe peng! Deda, me një squtsi të madhe, arrijti me i dhanë përgjegje ate çka Krajlit as nuk i shkoi nëpër mend: “Djalin s’ia kam falë Mbretit as nuk kam me t’ a falë ty! Jemi të Shqipnisë unë dhe ai.” E jo larg kësaj ditë, me 29 Gusht, kur krahina festonte Festen e Bajrakut, në Fushen e Tuzit, Dedës i vritet djali i vogël 22 vjeç, tue luftue si Burrat me armë në dorë.
Me 6 Prill 1911 Flamuri i Kastriotit u valvit në Deçiq, i ngritun nga Ded Gjo’ Luli.
Tue shfletue fletët e historisë së asaj kohë lufta e përgjakshme e Malësisë filloi në Marsin e vitit 1911 dhe vazhdoi në të gjitha ato krahina të pathyeshme shekullore deri në fundin e Gushtit të vitit 1912, ku nuk duhen lanë pa u zanë në gojë edhe klerikët katolikë që morën rrugët ndër male bashkë me Malësorët e vet besnikë, tue fillue nga Famullitari i Kastratit At Mati Prennushi, Famullitari i Bajzës së Kastratit At Lorenc Mitroviq, Famullitari i Grudës At Buonaventur (Buon) Gjeçaj, Famullitari i Vuksanlekaj At Karlo Prennushi, Famullitari i Traboinit At Luigj Bushati e Famullitari i Rrapshës At Sebastjan Hila, të gjithë bajtës të Nderuem të zhgunit të Shen Françeskut. Kleri Katolik Shqiptar që ishte ndër ato Malësi kishte arrijtë deri aty sa me deklarue se: “Në kjoftë se turqit përpiqeshin me depertue ndër rrethet kishtare malore, ata do të kryesonin rezistencën me Kryq në dorë.” (The Times, Wednesday, May 10, 1911.)Vendimet e Qeverisë Turke nuk u përfillën fare nga Malësorët tanë, kështu gjendja u acarue edhe ma shumë, mbasi burrnisht nga ata u pat vazhdue pandërpremje lufta për Liri të plotë.
Trimat e Malësisë nuk kanë kurrë djelm tepër, për mos me thanë se dhjetë me pasë krye vitit, e prap kanë mangut. Atyne u duhen ashtu si Zoti shpesh ua ka falë pambarim...

(Shenim nga F.Radovani):
Kjo pjesë asht marrë nga Libri im “Ded Gjo’ Luli” 2011.
Melbourne, 6 Prill 2019.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4413
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI:
SILLET VALLJA RROTULLO…
O SHQIPNI, MOJ RREZIKZEZA!


Imazh

●●●
E pasha, ndejun mbi thasë t’ florijve
Ndër valle jevgkash, n’ lodër dudumash,
Tallet i knaqun prej zanit t’ fqijve,
Si qen mbas trumash.

O pjellë e keqe! O dhun’, o kore!
Qe, shtojzavallet, pa e dijt’, po kcejnë
Me ty e zgërdhihen, e ‘j kangë mortore
Nën za shpërthejnë.

Ora e shqyptarit t’ lëshoi, e fatosat
Qi n’ luftë, pa shkrepun, shkrine në marri,
Gjikim po lypin, e thekshem kosat,
Shpirtna me mni...
***
E prej gjith’ fushash bajnë valle t’ mnershme
Arët e livadhet qi ‘j ditë grabite:
Sot, vonë, ma t’ rrebshem per faje t’ hershme
Gjikimin prite.

Del, mizuer, këndenaj, del; prej merzijet,
Zgaq i perbuzshem, Shqypnija t’ volli:
Ty shpina e detit, ty, vend robnijet,
T’ pret Anadolli.

Shenim nga F.R.: Kjo poezi e Don Ndre MJEDJES, disa thonë asht shkrue në 1930 e sa.., të tjerë thonë se tashti...Prandej, shkrimtarët e Veriut po “fshihen” nga letersia! E, kur Shtetin e drejtojnë “Pionjerët e Enverit” ata, po fshijnë HEROJTË NGA HISTORIA! Po
këta qeveritarë e “intelektual”, po zhdukin Shqipninë e Kastriotit nga Harta e Europës!
Melbourne, 10 Prill 2019.


Per Dalip GRECEN
Çarçani, Cima & Pashollari: Bulizmi i Dalip Greces ndaj te persekutuarve politike

Imazh

E shtune, 13.04.2019, 04:40 PM
Bulizmi i Dalip Greces ndaj te persekutuarve politike
Me te drejte nje mysafire nga Tirana na pyeti: "Keto veprime e sjellje te pahijshme te Dalip Greces ndaj shtreses se persekutuar politike nga ai rregjim makaber, a i ka pare, degjuar apo lexuar njeri?
Autore:
Drita Çarçani e persekutuar politike - babai i pushkatuar pa gjyq ne vitin 1943, sot Martir i Demokracise
Katerina Cima e persekutuar politike - babai i pushkatuar, vellai ish i burgosur politik
Vasha Pashollari ish e internuar politike, bashkeshorti ish i burgosur politik
Siç dihet bulizmi eshte nje veper e ndaluar jo vetem ne SHBA, por ne te gjithe boten, por ai qe e reflekton edhe ndaj shtreses ish te persekutuar politike ne SHBA eshte editori i gazetes Dielli, Dalip Greca.
Me rastin e 100 vjetorit te Vatres, si shume organizata te tjera edhe organizata e gruas Shprese & Paqe u angazhua ne takimet paraprake te atyre punimeve, kur mbaroi festa ne Manhattan qe ne nuk u ftuan fare si organizate dhe doli materiali i botuar per kete event shoku Dalip Greca ne artikullin e tij permendi shume organizata qe moren pjese ne punimet e saj, ndersa organizaten tone te gruas Shprese & Paqe nuk e permendi. Duhet te theksojme se kjo organizate shumicen e anetareve te saj i ka nga shtresa ish e persekutuar politike nga rregjimi komunist ne Shqiperi.
Po ju tregojmje nje episod. Kur ne si gra morem pjese ne ato takime, nje dite Vasha Pashallarit i kaloi orari ilaceve dhe nuk ndihej mire, i duhej nje pike uje te shtynte me te poshte hapat e saj. Ne Vater pame disa kutia me uje te pijshem, i themi Dalip Greces a mund te marim ketu nje shishe uje per te pire ilacet.
Jo tha ai keto jane me leke ne dore.
Dalim jashte neper shkallet e Vatres. Nje zoteri na pyet ku shkoni ju keshtu, bie shi i madh nese do te shkoni ne shtepi, ju dergojme ne me makine.
Do shkojme te blejme uje te pije Vasha ilacet, se nuk ndihet mire dhe do te vijme perseri ne mbledhje - i them une (Drita Carcani)
Uje - thote ai i habitur - po ne Vater ka shishe uje me kuintal qe i kane sjelle dhurate biznesment ne Vater.
Dalip Greca - thote Drita , nuk na lejoi te mernin uje aty, na tha jane me para.
Hajdeni moj motra brenda e e merni uje aty brenda, lereni se cfare thote Dalipi....
Kur me iniciativen e organizates se gruas Shprese & Paqe u mbajt ne Vater 100 vjetori i lindjes se Heroines Musine Kokalari, Dalip Greca u perpoq te dilte si iniciator i asaj konference, duke dale neper televizor e interent sikur vetem ai po bente perpjekje maksimale per realizimin e atij projekti, nderkohe qe ne si organizate kishim 6 muaj qe kishim filluar te punonim vullnetarisht ne ate angazhim.
Kur u mbajt ai perkujtimor ne Vater, une ( Drita Carcani) Vasha Pashollari, Arta Kokalari - mbesa e Musine Kokalarit qe erdhi ne Vater pas fteses tone, Katerina Cima dhe dy gra te tjera po te persekutuara politike na duhej te shkonim ne tualet te Vatres per nevoja personale. Pse na la Dalip Greca?! Jo tha nuk mund ta perdorni kete banje ju....
Mua personalisht (Drita Carcani) me ka mbajtur peng nje foto te vetme origjinale te babait tim te pushkatuar pa gjyq, sot Martir i Demokracise, se do te me shkruante nje shkrim....qe edhe e porosita, kujdes i thashe se vetem kete foto kam, nuk ma dha....kerkoja Vehbi Bajramit me tha, ai duhet te ta jape. Ja kerkova te shoqes se Vehbiut, jo tha ajo, ai duhej te ta jepte qe ti ja kishe dhene....
Emigranteve qe jane me azil politik ne SHBA, Dalip Greca u kerkon llogari se do te dije se cfare persekucioni politik kane ne familje. Askush nuk e ka pyetur ndonje here ate, edhe pse nuk ka asnje lloj persekucioni politik qe ketu ka mare azilin politik, pse ai nderhyn atje ku nuk i takon duke fyer e ofenduar edhe nepermjet gazetes Dielli shtresen e persekutuar politike. Ai tall, ve ne loje e perflet njerezit e persekutuar politik, aktiviste ne komunitet si ti doje qejfi atij. Dalip Greca ka larguar nga puna edhe gazetare shume me te afte se ai ne profesion, e te persekutuar politike
Kemi edhe Nazo Veliun ne Vater qe e ka vene Dalip Greca sekretare, se e ka nga Lushnja e i duhen krahe per neser kur te hedhe ai kandidaturen per kryetar i Vatres, qe gjer dje mua me ka thene (Drita Çarcanit) se Dalip Greca eshte komunist se ka punuar ne gazeten Shkendija ne Lushnje, organi i PPSH. E tani kapardiset ne krye te Vatres bashke me Dalip Grecen. Cfare ka bere edhe Nazo Veliu per gruan e persekutuar politike, asnje gje, anje aktivietet.
Keto jane disa nga bemat e Dalip Greces, qe çuditemi se si e vleresojne dekorojne me tituj e grada te pamerituara aq me teper qe ka qene edhe kryeredaktor i gazetes komuniste Shkendija ne Lushnje deri sa ra diktatura komuniste. Mire na tha nje mysafire nga Tirana: "Keto sjellje e veprime jo te hijshme te tij ndaj njerezve te vuajtur te atij rregjimi makaber i ka pare, degjuar apo lexuar njeri qe te reagoje ndaj tij, apo jo?
Po i kane pare i thame ne nje zeri i kane pare, degjuar e lexuar, por deri me sot askush nuk eshte ndier, per te larguar nga Vatra ate person arrogant, prepotent e pa ndjenja njerezore. Pse e lene te livadhise ne kete menyre e dine ata....
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4413
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI:
PRILL 1967 “REVOLUCIONI KULTURAL”
KUSH I KUJTON VIKTIMAT E TIJ ?!

Imazh

1967 KRIMINELËT BARBAR E FANATIKË ENVER HOXHA E RAMIZ ALIA, ISHIN DHE MBESIN VRASËS DHE SHFAROSËS...TË GJENOCIDIT SHQIPTAR !
●3 PRILL 1967 Në Komitetin Ekzekutiv K.P. të Shkodres i komunikohet Klerikëve Katolik që i ndalohen të gjitha llojet e sherbimeve fetare dhe se, do të lëshojnë qelat.
●5 Prill 1967 At Pjeter Mëshkalla S.J., i shkruen leter kryeministrit Mehmet Shehu, leter që e vendosë At Meshkallen n’ Elterin e Heronjve Antikomunist t’ Europës.
7 Prill 1967 Fillojnë arrestimet me Klerikun e Parë Katolik Don Mark Hasi, që mbas një viti hetuesi dënohet me vdekje dhe zbritet në 25 vjet burg. Ishte hera e dytë e burgosjes mbas vitit 1947... Vdes në kampin e shfarosjes së Ballshit me 11 Shtator 1981.
29 Prill 1967 Në Institutin Pedagogjik të Shkodres arrestohet At Pjeter Mëshkalla per letren që i ka dergue terroristit Mehmet Shehu. Aty ka thanë:“Ky asht turpi i juej para gjithë vendeve t’ Europës, mbasi kjo që bani ju sot këtu, bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombtar GjERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT, mbrojtësit të Krishtenimit... Vetem këte mendoni se çka ka me thanë Europa per ju?...”
●1 Prill 1969 U pushkatue Klerikun 36 vjeçar Don Marin Shkurti (1933) që e kthyen jugosllavët e pabesë me e pushkatue “revolucionarët shqiptarë”. Nga familja Shkurti Dosja nr. 2312, u arrestuen: 1. Don Marin Kolë Shkurti, 2. Ndrekë Kolë Shkurti,
3. Jakë Kolë Shkurti, 4. Gasper Kolë Shkurti, 5. Lazer Ndrekë Shkurti, 6. Prenda Kolë Shkurti, 7. Leze Simon Shkurti, 8. Liza Jakë Shkurti, 9. Ruke Lazer Shkurti.

●29 Prill 1976 Imz. Errnesto Çoba asht dënue 25 vjet burg dhe e kanë mbytë në sigurimin e shtetit në Tiranë me 8 Janar 1980, Dosja 3359... U dënue e vdiq pa e pa njeri!
●4 Prill 1986 Vdiq Don Lec Sahatçija (1906), i masakruem në burgun e Tiranës...
Don Leci ruente kopjot e letrave të Imz. Frano Gjinit, të cilat nuk i dorzoi asnjëherë.
Asht kenë prift model, besnik dhe trim i pathyeshem nga torturat e barbarve komunist.
●25 PRILL 1993 PAPA GJON PALI II, Papa i parë që vizitoi Shqipninë:
PERBALLË GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT NË TIRANË, KA THANË:
“Një demokraci pa vlera, -kam shkrue n’ Encilklikën Centesimus Annus- mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon edhe historia...Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazen e Motra, nuk asht pa kurrë në Historinë e Njerzimit !.. Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Evropjan!.. Shqipni, qendro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!»
Melbourne 16 Prill 2019.


Nga Fritz RADOVANI:
O NOTRE DAME, JO LOT !
NE, RRENUESIT E KISHAVE
SOT I KEMI “HEROJ” !



ImazhImazh
PARIS 2019… VAU I DEJËS 1969

DY KISHA MOSHATARE N’ EUROPË QË, NUK DO TË JENË KURRMA !
NË PLOT 50 VJETË, DY FLAKË TË MNERSHME KA PROVUE EUROPA PLAKË:

- 15 PRILL 2019, Flaka zharitëse në Notre Dame të Parisit, shemi perfundimisht Katedralen monumentale 850 vjeçare, që ishte një “ciceron” mu në zemren e Europës...
E bashkë me zanin e saj u shue pergjithmonë një nder Kryeveprat e artit Botnor.

- 30 MAJI 1969, Flaka shperthyese e dinamitit sllavo – aziatik të “Revolucionit 1967” e vume me doren e anadollakut Fadil Ymeri, sekretar i PPSh në hidrocentralin e Vaut të Dejës, holli n’ erë Kishen e Shek. XIII-të, ku asht kunorzue Heroi Kombtar i Shqiptarve, Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Shqipnia “ateiste” u kthye në një “vorrezë” besimesh fetare.
Pak muej mbas shkatrrimit të Kishës, kandidati i KQ të PPSh, Fadil Ymeri, një ditë po ua shpjegonte një grupit të teknikëve të Fabrikës së Pelhurave, i ulun në një tavolinë të mencës së saj, sesi para pak ditësh, me urdhën të mikut tij “shokut” Ramiz Alia, kishte hjedhë në erë me dinamit një nga kryeveprat e artit. Fadili po krenohej per këte “besim” që i kishte vue detyrë PPSh...Një tmerr me e ndigjue se me sa madhështi e mburrje, po ua shoqnonte me lëvizje duersh “hudhjen në erë... si një dishka e mbrekullueshme... kur pa u shpernda gurtë, Kisha kishte shkue një cope në hava, e mandej ra e u shkatrrue!..”
Shumë çudi! Fallsifikatorët e Historisë sonë vazhdojnë rrugen e vet të 1944...Anmiku i Gjergj Kastriotit sulltan Enveri, as “nuk e kishte dijtë se Ajo Kishë, po hidhet në erë...”
Pse, knaqej djali i bylykbashit me shkatrrimin e “një Kishe”?! – Ja një tjeter fakt:
Kur po ndertohej hidrocentrali i Fierzës, Ramiz Alia thrret Ingj. Besnik Bekteshin dhe i shpjegon se, “shoku Enver, ka menduar me Ju derguar në hidrocentral. Sot ai do të tregojnë arsyet e ndertimit të hidrocentralit aty tek ai vend...Degjoje me kujdes Besnik!”
Ing. Bekteshi hyni në dhomen e Tij dhe Enveri, filloi me i tregue per hidrocentralin dhe, arsyet e ndertimit në Fierzë, të cilat vështirë se i beson kush sot. Nder tjera ai i shpjegoi: “Do të ndertojmë këte hidrocentral i cili, nën liqenin e tij ka për të permbytur 38 Kisha të vjetra, dhe vetem kështu, ajo zonë do të spastrohet nga ato Kisha Katolike..."

Ja pra, kjo ishte “Drita e Partisë”... Per të cilen, po punohet me e “rindezur” dit’ e natë!
Ah flakë, o flakë, e deri kur do të vazhdoni me zharitë Europen e bukur Plakë?!..
Melbourne, 17 Prill 2019.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4413
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
PROFESOR SADIK KACELI - Nga Fritz Radovani, Posted 20 Prill 2019, 19:41
Nga Fritz RADOVANI:
PIKTORI SHQIPTAR I PARISIT
Imazh
(1914 – 2000)

SHQIPNIA – NJË COPË TOKË E VOGEL ME BURRA TË MËDHAJ E TRIMA !
E një nder Ata Burra të vertetë ishte edhe Piktori ynë i njohun, Prof. Sadik KACELI.
E njoha ma afer kur unë në vitin 1960 vazhdova Liceun Artistik me korespondencë…
Jo vetem Mësues dhe edukator, po një prind i vertetë per ata që e kanë njoh. Ai ishte nder Shqiptarët ma të daltuem dhe të formuem nga kultura Perëndimore, që Parisi e kishte veshë perjetsisht me fildishin e artit të bukur të pikturës së vet shekullore...
Nuk dij ndonjë rasë në jeten time që tue bisedue me Prof. Kacelin, të kemi mbajtë doren në xhep ose, të kemi harrue se jam me dijetarin e vertetë t’ Arteve figurative. Kishte një dhimbje të madhe në Shpirtin e Tij kur fillonte me bisedue per Shkodren, e kryesisht per piktorët e saj të pavdekshem Kol Idromeno, Simon Rrota, Ndoc Martini e Zef Kolombi.
Nder bisedat e Prof. Kacelit gjithnjë dominonte saktësia e mendimit gja që, tregonte përgatitjen e Tij kulturore dhe formimin e Tij Shpirtnuer të një Atdhetari të saktë.
Lexova nga Prof. Oltsen Gripshi një material mjaft të plotë per Prof. Kacelin, ku nder tjera shpjegon: “Dëshmi e këtij interesi për lëvrimin e peizazhit, artisti e shfaq në pikturimin e një serie të konsiderueshme peizazhesh me teknikën e bojërave të vajit nga Parisi dhe Franca, si: “Notre Dame”, “Collioure”, “Catedral de Chartres”, duke vijuar në vitet pas rikthimit nga Parisi në Shqipëri me përjetësimin e shumë këndeve, fushë pamjeve, atmosferave dhe freskive nga peizazhi shqiptar që aq shumë e dashuroi.”
“Notre Dame e Parisit” ishte “ndoshta” një vegim i perjetshem per Prof. Kacelin, që i dukej e zhdukej nder të gjitha veprat e Tij të mëdha artistike, tue mos perjashtue kurrë Atdhetarizmin e theksuem në Shpirtin e formuem, të cilin e kujtonte me dhimbje dhe therje në zemer, kur para 40 e sa vitesh... Prof. Kaceli, mjaft i moshuem kishte shkue gjoja me pa hidrocentralin e Vaut të Dejës, dhe me atë rast i ishte ngjitë kodres së Asaj Kishës së Shen Mërisë Shqiptare, ku ishte kunorzue Kastrioti... E rrafshueme pertokë nga ateistë antishqiptarë, a aty kishte puthë gurtë ku ka shkelë Gjergji me Doniken...
Ju mbushen sytë me lot Profesorit, kur më foli per copat e afreskut të shkrryem në baltë!
Melbourne, 20 Prill 2019.

Portret me bojna vaji i Piktorit Sadik KACELI
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Mëparshme
Posto një përgjigje 356 postime · Faqe 36 prej 36 · 1 ... 32, 33, 34, 35, 36
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 0 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 25 Prill 2019, 00:37
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari