Mendesia shqiptare, mendimtaret shqiptare dhe krijimit i mendimit shqiptar
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
Turqit e Rij të Shqipnisë së re - Prof. Arshi Pipa
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4578
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Turqit e Rij të Shqipnisë së re

Nga Arshi Pipa
I

Pushtimi i gjatë i Shqipnisë nga Turqit la mbresa të pashlyeshme në mendësinë dhe kulturën e kombit shqiptar. Shumica e shqiptarvet mori fenë e pushtuesvet, gjuha shqipe i hapi dyert vërshimit të nji morie fjalësh turke, zakone dhe mënyra jetese u ndërlikuen me doke e zakone kombtare. U përftue kështu nji mendësi e cila asht në kundërshtim me mendësinë prendimore në shumë vështrime. Asht kjo që shpjegon, ndërmet tjerash, pse Shqipnia qe i mbrami shtet ndër shtetet e Europës Lindore që u lirue nga zgjedha staliniste.[1]
Tjetërkund kam radhitë dhe vizatue tiparet groteske të stalinizmit shqiptar, ndër orvajtjet e tija me vue në praktikë nji ideologji që asht krejt e huej për historinë dhe gojëdhanat shqiptare.[2] Mjaft me përmendë ktu se n’asnji vend tjetër t’Europës Lindore ndodhi, si ndodhi në Shqipni, që pushteti politik përqendrohej në duert e vetëm nji njeriu për dyzet vjet rresht.
Kemi prekë këtu pikën kryesore të shprehun në titullin e ktij artikulli, dmth qysh ndodhi që Enver Hoxha, nji njeri i shkolluem në lyceun freng të Korçës dhe i cili jetoi disa vjet në Francë dhe Belgjikë dy vende me traditë të fortë demokratike, sundoi Shqipninë si Sulltan Sylejmani Turqinë. Fakti që ai bir i nji familjeje të fesë bektashiane shiite, shpjegon deri dikund qysh Hoxha, tue folë për revolucionin persian të primë nga ajatollat, shkroi se pati “karakter klasor, qe revolucion shoqnor, jo revolucion me karakter fetar”.[3] Hoxha përnaltoi islamizmin tue degradue krishtenizmin: “E vërteta ash se Kurani asht ma i plotë dhe ma i pastër se Bibla e izraelitvet dhe se Ungjilli i të Krishtenëvet”.[4] Shprehje si kto, typikisht fundamentaliste, tingëllojnë të pabesueshme në gojën e nji atheisti.
II

Shqipnia qe pjesë e perandorisë otomane për ma se pesë shekuj, nji periudhë kohe shumë ma e gjatë se ajo e sulltanit të Hoxhës. E pra ndryshimet e bame nën shtypjen e Hoxhanizmit, që vepron si nji fe laike surogate tue zavendsue tri fetë monotheistike të shqiptarvet, kanë qenë thuejse po aq katastrofike sa ndryshimet e bame gjatë sundimit otoman.
Humbja e ushtrisë otomane në luftën ruso-turke të 1877-78-ës i dha shkas përhapjes së disa idevet disidente – çpërqendrim i pushtetit, njohje e të drejtavet kombtare dhe fetare të minoritetevet, shpallje e nji kushtetute, etj. – të cilat kishin nisë të shprehen aty kah gjysma e dytë e shekullit të XIX-të nga liberalë turq të mërguem n’Europë. Nën ndikimin e lëvizjevet revolucionare nacionaliste europiane të shekullit të XIX-të, tue fillue me carbonari-t italianë, studentat turq themeluen grupe revolucionare të mshehta. Ma i pari grup i tillë, me emnin Bashkim dhe Përparim, u formue nga studenta të Shkollës Perandorake të Mjeksisë në Stamboll më 1898. Studenta dhe oficerë të rij përbanë thelbin e ktyne grupevet – këndej emni i tyne, Turqit e Rij.[5]
Patriotët shqiptarë të fund-shekullit të XIX-të i përkrahën “klubet” e Turqvet të Rij, tue mendue se nëpërmjet tyne do të mund t’i shërbejshin çashtjes së pavarësisë. Kur Turqit e Rij u mblodhën në Paris më 1902 për planifikimin e nji strategjie qysh me përmbysë regjimin e sulltanavet, disa shqiptarë ma në za morën pjesë n’atë mbledhje. Ndër kta shqiptarë ishin Ibrahim Temo, njeni prej themeluesvet të grupit fillimtar Bashkim dhe Përparim, dhe Ismail Qemali, diplomati otoman që dhetë vjet ma vonë shpalli pavarësinë e Shqipnisë.[6]
Mbasi systemi politik i perandorisë shumëkombëshe otomane bazohej në fenë islame dhe tue qenë se shqiptarët ishin nji grup ethnik i privilegjuem në perandorinë otomane për arsye t’islamizimit të tyne në masë, Turqit e Rij shqiptarë e panë të volitshme me kufizue kërkesat e tyne te ideja e krijimit të nji Shqipnie autonome në suazën e perandorisë otomane. Kjo Shqipni do të përmblidhte katër vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Janinës dhe Manastirit, që përbajshin pjesën ma të madhe të trojevet otomane n’Europë. Po shënojmë ktu, në kalim e sipër, se ideja e autonomisë nuk ishte aspak popullore në Kosovë, mbasi kosovarët n’atë kohë vazhdojshin me qenë besnikë të Sulltanit, që ata e quejshin “baba mbret”.[7] Megjithatë qenë kosovarët ata që, mbledhun në Ferizoviq më Korrik 1908 për me protestue reformat e parashikueme nga Turqit e Rij, të cilat cenojshin privilegjet e kosovarëvet, i dhanë ultimatumin Sulltan Abdyl Hamidit për me rivendosë kushtetutën e 1877-ës, por me kusht që kushtetuta mos të prekte privilegjet e kosovarëvet qysh mosdorëzimin e armëvet, mospagimin e taksavet dhe mosprekjen e Sheriatit, ligjës fetare islame.
Kushtetuta u prit mirë prej shqiptarëvet në përgjithësi, muslimanë dhe të krishtenë.[8] Nga klima e zbutun autokratike përftue nga shpallja e kushtetutës përfituen shqiptarët për me mbajtë në Manastir në nandor të 1908-ës Kongresin për Alfabetin, i cili vendosi përdorimin e alfabetit latin që përdoret sot.
Por euforia e klimës së Kushtetutës nuk zgjati shumë. Fill mbas marrjes së pushtetit, Turqit e Rij u treguen po aq turkomanë sa edhe turqit e vjetër. Ata u ranë mohit premtimevet për me respektue të drejtat kombtare, shpallën turqishten si të vetmen gjuhë zyrtare, u ndaluen shqiptarvet mësimin e shqipes ndër shkolla. Ligja elektorale e bani të detyrueshme paraqitjen e kandidatit si qytetar otoman, pa shënue kombsinë. Kur u mblodh Parlamenti pati ndeshje mbi kto pika. Tue raportue mbi kto ndeshje në revistën Albania Faik Konica shkroi çka vijon:
“Na duhet të luftojmë Turqit e Rij që janë personifikim i kulshedrës në përrallat popullore. Por nëse nesër marrin prap pushtetin turqit e vjetër, atëherë le të sillemi kundër tyne. Vërtet se ka disa burra të mirë mes tyre. Por të rij ose të vjetër, turqit janë turq, dmth janë, si thotë fjala latine, “bukë e nji mielli (ejusdem farinae)”.[9] Asgjamangut, bashkëpunimi mes Turqvet të Rij dhe shqiptarëvet vazhdoi për do kohë, tue përftue kështu nji gjendje të ndërdyshme, si ajo që kanë përjetue gjatë vjetvet ’80 shqiptarët e Kosovës. Si antarë të klubevet të Turqvet të Rij, pritej prej shqiptarëvet që ata t’a mëkambëshin perandorinë otomane, kurse ata i vejshin kazmën me idenë e tyne t’autonomisë që kishte pasojë logjike pavarësinë. Atëherë sikur sot kosovarët kanë pri në rrugën e bashkimit ethnik. Rebelimi i tyne u përhap ndër malsorët e Shqipnisë së Veriut dhe ma vonë u përhap në Shqipninë e Mesme dhe n’atë të Jugut. Ktu nuk asht vendi me përmendë trimnitë e tyne. Mjafton me shënue se qenë gjithnji kosovarët ata që, mbledhun në Prishtinë në Gusht të 1912-ës, pushtuen qytetin e Shkupit, tue detyrue Sulltanin me i dhanë fund sundimit të Turqvet të Rij me marrë pushtetin më 1908, katër vjet ma vonë u dhanë atyne të shtymen që i rrëzoi nga pushteti.
III

Të shohim tash pse sundimtarët e Shqipnisë së porsa-lirueme nga despotizmi stalinist mund të krahazohen me Turqit e Rij.
Mbas vdekjes së Hoxhës më 1985, primja e partisë iu besue Ramiz Alisë, nxanësit të tij ma besnik. E njimend, në katër a pesë vjetët e parë, Alia vazhdoi me zell rrugën e mjeshtrit, tue ba disa lëshime të parëndësishme, për të cilat Hoxha nuk do të kishte pasë kundërshtim. Pse kto t’ashtuquejtuna reforma s’ishin veç reforma faqate, pluhun ngjyrash hjedhun syve të popullit për me i mashtrue. Por Alia iu shmang udhës së mjeshtrit në politikën e jashtme. “Revizionimi” i partisë komuniste nisi me flirt-in e Alisë me vende kapitaliste si Gjermania Perëndimore, ndjekun prej rivendosjes së marrëdhanievet diplomatike me Shtetet e Bashkueme dhe me Bashkimin Sovjetik. Hoxha kto ndryshime nuk do t’i kishte durue, ai që kishte thanë ma se nji herë se shqiptarët do të hajshin bar në rast nevoje, por nuk do t’i gjunjëzoheshin kurr kapitalizmit, as do të përlyheshin me revizionizmin. Dikur Alia kuptoi se për me shpëtue barkën prej funtosjes zhavorri ideologjik duhet hjedhë në det. Këtë fat pësuen dy koncepte bazë të doktrinës hoxhane, autarkizmi dhe puritanizmi.
Vetëkuptohet se kto shmangie skandaloze nuk mund të baheshin pa shoqnimin e nji doze kritike për gabimet trashanike të së kaluemes. Alia vetë e mori përsipër ktë barrë, ndjekun prej disa intelektualëvet më trima. Dalngadalë, por vijanoz, erdhi kështu tue u formue nji klimë mendore e cila nuk u druhej ma gjykimevet negative shprehun me eufemizma. Kjo gjendje gjeti shprehje në veshje e sjellje jokonformiste nga ana e të rijvet, të mbajtun deri atëherë nën frenin e nji edukate spartane që ndrydhte dëshirat erotike.

Nji gjest i parë rebelimi qe tentativa e njëi grupi të rijsh për me dynamitue shtatoren e Stalinit në Shkodër. Përgjegja e Alisë qe nji vistër reformash bajate të cilat ishin tallje ndaj pritjes së popullit për ndryshime rranjësore. Shetitë e zakonshme të mbramjes ndër qytete zunë të marrin dukjen e tubimevet paqësore. Por nji ditë nji mori populli në Tiranë sulmoi ambasadat e hueja tue kërkue strehim politik. Forcat e rendit publik qëlluen me armë, pati të vdekun dhe të plagosun. Dyndja e parë e të strehuemvet ndër ambasada u vazhdue prej nji seri dyndjesh të tjera, për tokë e për det, sensacionalizue nga televizioni dhe shtypi ndërkombëtar. Alia spastroi disa antarë ma konservativë të Byrosë Politike dhe ndryshoi qeverinë. Kjo u dha dorë studentavet të Tiranës me shpërthye në demonstratë. Ata kërkuen që emni i Enver Hoxhës të hiqej nga emni i universitetit të tyne. Kërkesa e tyne nuk u pranue, ata nisën grevën e urisë. Kjo grevë vuni në lëvizje nji vargue grevash ndër të cilat punëtorët u bashkuen me studentat. Nji grevë e përgjithshme e papreme paralizoi maqinën e shtetit. Këtë herë Alia spastroi gjysmën e Byrosë politike dhe dekretoi pluralizmin politik (13 Dhetor 1990). Një javë mbrapa u formue Partia Demokratike (PD). Më 20 Shkurt 1991 nji grup studentash përmbysi shtatoren vigane t’Enver Hoxhës në sheshin kryesor të kryeqytetit në praninë brohoritëse të nji turme rreth 100.000 vetësh. Kultit të Hoxhës i erdhi fundi, Shqipnia shpëtoi nga ajo murtajë.
Kur studentat u hodhën në demonstratë, kërkuen nji takim me Alinë. Por të parysun qysh ishin në dhelpënitë e diplomacisë staliniste, ata kishin nevojë për nji njeri me përvojë që të vepronte si avokati i tyne. Ky funksion i takoi nji burri guximtar që kishte përkrahë revoltën e studentëve. Ky njeri, profesor universiteti, kishte qenë sekretar partie për personelin e nji spitalit të Tiranës. Emni i tij, Sali i Berisha, kosovar.

Tue qenë se Ramiz Alia ka le në Shkodër prej nji familje kosovare, dhe tue marrë parasysh statusin e Berishës si njeri i besuem i Partisë, zgjedhja e tij si ndërmjetës mes Alisë dhe studentavet ishte e përshtatshme. Studentat dojshin me formue partinë e tyne. Berisha i kandisi për formimin e nji partie të gjanë popullore në të cilën studentat do t’ishin forca propulsive. Ndërmjet studentavet që rrëzuen monumentin e Hoxhës dhe që veproi si pris i tyne ishte nji tjetër kosovar, Azem Hajdari, nji djalosh që shpejt u ba dora e djathtë e Berishës dhe që sot asht Nënpresidenti i Partisë Demokratike dhe kryetar i komisionit parlamentar për rendin publik, sigurimin dhe mbrojtjen.
A qe themelimi i PD-së fryt i nji kompromisi mes tre kosovarëvet, njeni President i partisë në fuqi, tjetri nji përfaqësues disident i studentavet, dhe i treti nji profesor universiteti me emën të mirë në Parti që veproi si ndërlidhës? Çka mund të thuhet pa frigë gabimi asht se thelbi i PD-së qenë antarë Partie renegatë të Partisë, disa sish bij burokratësh ndër pozita kyçe në shtetin stalinist. Nji krahazim mes Turqëvet të Rij dhe udhëheqësvet të PD-së asht me vend. Në të dyja rastet impulsi për kryengritje erdhi nga studenta, të neveritun prej despotizmit dhe korrupcionit të sundimtarëvet. Ndër të dyja rastet, kryengritja karakterizohet nga mosha: të rijt kundër të vjetërvet. Tjetër faktor i përbashkët asht oportunizmi i të dy palëvet: stalinistat shqiptarë renegatë mohuen hoxhanizmin n’emën të demokracisë pa qenë ata vetë demokratë po ashtu si Turqit që çuen krye kundër Sulltanit n’emën të liberalizmit dhe nuk ishin ata vetë liberalë. Nji tjetër gjasim asht se të dyja kto lëvizje disidente nuk ishin fillime por vazhdime. Turqit e rij ecën në vazhdën e liberalëve turq të mërguem, ndërsa revolta e shqiptarëvet stalinista qe shprehja finale e disidencës partiake e cila ka nji histori të gjatë.

IV


Pak para zgjedhjevet të para parlamentare (mars-prill 1990), stalinistat shqipatrë ndryshuen emnin e partisë nga Partia e Punës në Parti Socialiste (PS). Mandej, tue manipulue përfundimet e votavet, siguruen dy të tretat e postevet që duheshin për me zgjedhë President të Shqipnisë udhëheqsin e tyne, Alinë. Nji ndër punët ma të para të ktij parlamenti qe sabotimi i pluralizmit tue “pezullue” legalizimin e Partisë Popullore Islamo-Krishtene të Shkodrës.[10] PD-ja nuk e kundërshtoi këtë akt anti-demokratik tue ra në godi me PS-në që kjo t’i mohonte regjistrimin të nji fraksioni ekstremist të PS-së me kusht që PD-ja të mos përkrahte legalizimin e partisë shkodrane. Bolshevizmi ngadhnjeu në Rusi tue zbatue taktikën e përjashtimit nga qeveria të partive të tjera, si Partia Social Demokrate (Menshevike) dhe Partia Social Revolucionare. Taktika e PS-së me të cilën u pajtue PD-ja ishte taktikë bolshevike. Arsyeja për pezullimin e partisë shkodrane qe se kjo parti ishte fetare. Por partitë fetare janë fenomen i zakonshëm në demokracitë perëndimore dhe PD-ja ka demokracinë të shkrueme n’emnin e saj. Monizmi i përbashkët i PD-së dhe PS-së u ri-shpreh në zgjedhjet e dyta: nji parti greke, Omonia, nuk u pranue të regjistrohet pa ndërrue emnin, me arsyetimin e çalë se ajo ishte “ethnike”. Por ekzistenca e partive ethnike ndër demokracitë perëndimore asht nji fenomen i rëndomtë. Çka tjetër posë se ethnike asht Partia për Prosperitetin Demokratik, e cila përfaqson ethninë shqiptare në Republikën e Maqedhonisë? Raste si kto provojnë se demokracia e PD-së ka le më dangën e monizmit në ballë.
V

18 parti dhe shoqata morën pjesë në zgjedhjet e dyta (23 mars 1992). Por mbasi shumica e tyne u regjistruen me vonesë (PD-ja nuk bani nji çap me shpejtue pranimin e tyne) ato nuk mundën me fitue katër-përqindshin e votavet të duhuna për me u përfaqsue në Parlamentin e ri. Nji mënyrë për me arrijtë këtë përqindje ishte shoqnimi me PD-në, taktikë e përdorun me përfitim nga PS-ja në zgjedhjete para. PD-ja vendosi mos me u shoqnue me partitë e vogla, përveç se me dy ndër to, me Partinë Social Demokrate (PSD) dhe me Partinë Republikane (PR). Kto dy parti, legalizue qysh në zgjedhjet e para nuk fituen as edhe nji post në parlament sepse nji pjesë e mira e antarvet të tyne votuen jo për partitë e tyne por për PD-në. Ata që votuen kësisoj janë për t’u lavdue mbasi ata interesat partiake për hir t’interesavet kombtare. Mbasi interesa kombtare kombtare ishte gjithnji në zgjedhjet e dyta dhe mbasi fitorja e PD-së nuk ishte aspak e sigurtë, duhet që partitë opozitare të grumbulloheshin në nji front demokratik, ashtu si u ba në Nicaragua.[11] Opoziat e bashkueme në nji front demokratik anti-komunist do të kishte ma shumë shance për fitore për disa arsye të mira: bashkimi do të shmangte shpërndamjen e votavet që do të favorizonte partinë në fuqi; efekti psikologjik i bashkimit do të vepronte fuqishëm ndër votuesit pa preferenca partizane të cilët kanë prirje me votue për shumicën; nji front demokratik i përbamë prej shumë partive do të kishte nji tërheqje ma të madhe se nji parti e vetme mbasi pluralizmi paraqet opocione ma të shumta se monizmi.

Por PD-ja zgjodhi alternativën moniste, tue vu kështu interesat partiake përmbi interesat kombtare. Asht e vërtetë se monizmi i ksaj partie u çngjyros paksa nga aleanca e saj me dy parti opozitare, me PSD-në dhe PR-në. Por mbasi kto dy parti u themeluen dhe drejtohen nga renegatë komunistë bash si ata që drejtojnë PD-në, taktika e PD-së ngeli n’esencë moniste. Shqip ksaj i thonë, gjeti tenxherja kapakun.
VI

Zgjedhjet e dyta dhanë rezultate që janë t’anasjelltat e atyne që dolën në zgjedhjet e para. Fitorja ksaj here i qeshi PD-së e cila mori 70 përqind të fronavet të Parlamentit. Dy partitë aleate morën nga nji fron secila, partia greke zuni dy vende, dhe kusuri i takoi PS-së. Tue marrë parasysh se kjo parti në zgjedhjet e para fitoi 67 përqind të vendeve në Parlament, humbja e saj qe katastrofike. Por do t’ishte gabim me interpretue triumfin e PD-së si nji fitore të demokracisë. Fitimet demokratike janë të ngadalashme dhe të mundimshme, ndërsa anasjelljet si kjo janë provë paqëndrueshmënie politike. Marx-i kritikoi Hegel-in për filozofinë e tij idealiste, të cilin e krahazoi me njeriun që ecë krye-teposhtë dhe kambë-përpjetë. Ç’fryte solli anasjellja materialiste e Marx-it? Frytet e saja qenë kataklizma.
Të vetëquejtunit demokratë që udhëheqin PD-në s’janë ma demokratë se ç’janë socialista renegatët stalinista. Ndërrimi i emnavet len të paprekun substancën. E veç n’u baftë ndonji mrekulli, pse kush bie më fjetë komunist nuk mund të pritet të gdhijë demokrat. Grindjet e kacafytjet në parlamentin e parë kanë me vazhdue në parlamentin e dytë, konflikti mes dy partive ka me i gjasue nji grindjeje në familje, me shance të pakta për zhvillimin e demokracisë në nji gjendje ku veç rolet janë anasjellë. Pak a shumë ashtu si u shpreh Konica kur krahazoi Turqit e Rij me turqit e vjetër: bukë e nji mielli, ose, thanë ndryshe, faqet e së njajtës monedhë.
VII

Tue komentue mbi zgjedhjet e dyta, nji qendër angleze e specializueme n’analyza shkruen:

“Demokratët nuk kanë plane të qarta shoqnore, diplomatike dhe ekonomike për me shpëtue Shqipninë prej kaosit ku gjindet. Berisha dje bani dy deklarata të cilat nuk janë ogur i mirë për profilin e qeverisë së re. Ai tha se, në frymën e pajtimit kombtar, ai nuk do të spastrojë ish-komunistët nga aparati shtetnor. Kjo deklaratë inteligjente për sy e faqe nuk përputhet me retorikën antikomuniste të fushatës elektorale: PD-ja asht nji parti intelektualësh ish-komunistë, kurse ithtarët e saj janë të rij ahmarrës të cilët kërkojnë therorë për krimet e bame dhe për oportunitetet e humbuna të së kaluemes.
Deklarata tjetër e Berishës asht nji themë e zakonshme e tija: rreziku i madh që u kërcënohet kosovarëvet. Berisha do t’i japë të drejtën e qytetarisë kujdo që asht i kombsisë shqiptare, tue acarue kështu marrëdhaniet me Serbinë dhe Maqedhoninë deri në pikën e krizës”.[12] Këtë ai do t’a bajë, si kosovar që asht. Se çka tjetër mund të bajë nji kryetar shteti që e quen veten shqiptar veç se me u ardhë ndihmë vëllezënvet kosovarë? Hataja që asht tue ba Millosheviqi mbi myslimanët boshnjakë, kur t’i ketë la duert prej gjakut të tyne, do të përplaset mbi myslimanët kosovarë. Kjo don me thanë nji votër e tretë lufte në Ballkan.
Edhe pse të ndamë mes tyne ndër fise, kosovarët e Jugosllavisë kanë farkue nji ndjenjë të fortë solidariteti. Tue fillue me Lidhjen e Prizrenit (1878-81), historia shqiptare dëshmon se kosovarët kanë qenë lokomotiva e nacionalizmit shqiptar. Agonia e tyne nën robninë serbe i ka ba edhe ma të vendosun për me u bashkue me atdheun me çdo kusht e me çdo mënyrë, tue përfshi edhe pushtimin e tij. [13] Pse Shqipnia e Hoxhë-Alisë ka qenë ndjerkë për ta, ajo i ka nxitë me provokue serbët dhe me u rebelue, por i ka burgosë kur ata kanë kërkue strehim në tokën shqiptare. Asht e vërtetë se Berisha nuk asht nji tjetër Hoxhë. Por le e rritë në Shqipninë staliniste, ai ka thithë frymën e stalinizmit bashkë me sisën e s’amës. Inteligjent, trim, karizmatik, nuk mund t’i mohoet Berishës merita e krijimit të nji partie opozitare dhe të primjes së saj deri në fitore. Koha do ta tregojë a asht ai njeriu që i duhet Shqipnisë për me e nxjerrë nga humnera ku e plandosi stalinizmi.
VIII

Skenari i masipërm ka gjasim edhe më përvojën rumune. Rumania vazhdon të qeveriset prej komunistash të hershëm, por që nuk e quejnë veten demokratë. Nji tjetër ndryshim i fortë asht se udhëheqësit rumunë komplotuen kundëe Ceausescu-t tue vu në rrezik krenat e tyne, kurse Turqit e Rij shqiptarë nuk rrezikuen asgja tue kalorue valën revolucionare të nisun nga studentat dhe të çueme përpara nga grevat e punëtorëvet. Berisha me shokë kanë korrë çka nuk kanë mbjellë.

Sa do të zgjasë sundimi i tyne?


Turqit e Rij humbën vrullin e tyne revolucionar mbas katër vjetësh. Sundimi i PD-së ka gjasë mos me qenë aq i gjatë. Udhëheqsit e saj kanë ba shumë poterë me akuzat e tyne kundër komunistëvet të Hoxhë-Alisë, tue ba popullin me besue se, t’ardhmen ata në fuqi, do të hapnin gjyqet. Por kte ata nuk do t’a bajnë tashnjiherë, mbasi hapja e dosjevet të Sigurimit mund të jetë kompromentuese për së paku disa prej tyne. Por, së paku, a do t’a arrestojë Berisha Alinë? T’a arrestojë? Mos u çuditni fort në se nesër-mbasnesër do të lexoni në Rilindjen Demokratike se Alia ndodhet në nji klinikë të Romës dhe të Parisit për me mjekue zemrën e tij delikate. Nji notë në ktë lajm do të shpjegojë se ktë herë shpenzimet e kurës Alia do t’i paguej nga xhepi i vet, jo nga arka e shtetit si në të kaluemen. Çka Berisha me shokë janë kah bajnë (harroni çka i tha fill pas triumfit) asht me spastrue shtetin, tue fillue me kufomën e Hoxhës.[14] Berisha diçka duhet të ketë nxanë prej tij.
X

Çka mund të nxehet nga historia e revizionizmit shqiptar?

Disa naivë kanë pritë që Alia të bahej Gorbachev-i [Gorbaçov- “Investigim”] shqiptar. Por ai nuk kishte as trutë as koqet e Gorbachev-it. Alia veçse e zgjati agoninë e popullit shqiptar me pseudo-reformat e tija të cilat iu banë pendë shpërthimit t’urrejtjes së popullit. Kjo agoni do t’ishte shkurtue, tue u kursye atdheut, përveç mizerjes ekonomike, turpin e dyndjevet dhe turpin tjetër të lëmoshëvet nga Italia dhe vendet tjera, po t’ishte krijue opozitë ma herët se kur u krijue. Kjo nuk mund të bahej në Shqipni pak a shum në të njajtën kohë siç u ba në vendet e tjera t’Europës Lindore. Por mund t’ishte ba në diasporën shqiptare, sidomos aty ku ajo ishte grumbullue, në Shtetet e Bashkueme, ku ekzistojnë mundësitë dhe mjetet e duhuna. Krijimi i nji fronti demokratik opozitar në Shtetet e Bashkueme do t’a kishte shpejtue krijimin e opozitës n’atdhe. Kjo, fatkeqsisht nuk u ba.
N’anën tjetër, kur kjo opozitë u krijue ma në fund n’atdhe, boshti i opozitës, Partia Demokratike, bani gabimin e randë me pranue të futej në nji qeveri koalicioni, tue ndrydhë ksisoj hovin opozitar. Nji tjetër gabim i randë i ksaj partie qe refuzimi i saj me i pri nji fronti demokratik me përfshimjen e partivet që u krijuen dhe rikrijuen n’intervalin nes zgjedhjeve ta para dhe të dyta. Po e përfundoj këtë artikull tue komentue shkurt mbi ktë tjetër mungesë në kuadrin e skenarit t’ardhshëm politik kombtar.
X

Analyza e zhvillimit të gjendjes katastrofike të Shqipnisë ka vu në dukje se PD-ja paraqet disa pika të dobta që grishin sulme nga kundërshtarët. Njena prej ktyne asht prirja e ksaj partie me monopolizue pushtetin politik. Mandej PD-ja asht e njollosun prej kompromisash me Partinë staliniste të bame në qeverinë e koalicionit dhe në parlament. Nji pikë tjetër e dobët asht të qenët e PD-së nji parvenu [ndërkombëtarizëm dhe term historik, fjalë frënge, shqiptohet “parveny”: honxhobonxho, person relativisht i ri, i sapoardhur në një klasë social-ekonomike; me origjinë nga shtresat e ulëta të shoqërisë, zengjin i ri, që nuk ka origjinë fisnike,– “Investigim”] në historinë e disidencës antikomuniste dhe si i tillë, jo i meritueshëm për me qeverisë shtetin. Lidhun me këtë pikë, prirja e PD-së me vu interesat partiake sipër interesavet kombtare siç u spjegue masipër e cilëson kte parti si nji parti sektare, e unshme për pushtet.
Tue pranue me qeverisë vendin së bashku me parti të tjera opozitare, jo vetëm me dy sosh të themelueme dhe t’udhëhequna nga ish-komunista, PD-ja do t’a kishte mënjanue akuzën për monopolizim të pushtetit, do t’a kishte neutralizue akuzën e monizmit, dhe do t’i kishte dhanë vetes nji verniçe legjitimiteti për rolin e saj si prise në frontin demokratik. Çka PD-ja la pa ba, nji tjetër parti jo e përfaqsueme në parlamentin e ri mund t’a bajë.
Ndërmjet ktyne partive janë tri parti të moçme: Balli Kombtar, Legaliteti, dhe Blloku Indipendent, të dallueme për anti-komunizmin e tyne të rreptë. Por mbasi dy të parat u themeluen gjatë okupimit t’atdheut nga Italia fashiste për me luftue okupimin, ato kanë shanc ma të madh me rivalizue me PD-në.
Por nisma me krijue çka mund të quhet Blloku Kombtar (BK) mund të merret nga cilado tjetër parti opozitare. Tue veprue kështu Blloku Kombtar vret dy zogj me nji gur, mbasi kriticizmi i PD-së reflektohet mbi PS-në. Çka asht e randësishme në ktë straetegji asht aleanca me syndikatat, roli i të cilavet qe vendimtar gjatë intervalit revizionist. Pse, ndërsa studentat rrëzuen monumentin e Enver Hoxhës, minatorët e Vakliasit rrëzuen dy qeveri.

SHËNIME [TË AUTORIT]

[1] Nji formë stalinizmi, shpesh i quejtun “neo-stalinizëm”, ekziston sot në Serbi. Por kjo asht nji prej atyne tuhafleqevet të cilat nuk i kapë dot arsyeja – nji tumor kanceroz i mendjes mythologjike.
[2] Shih librin tim, Albanian Stalinism: Ideo-Political Aspects, East European Monographs, no. 287. Distributed byColumbiaUniversity Press, 1990. Sidomos kapitullin “Prospect of Albanian Future”.
[3] Enver Hoxha. Reflections on the Middle East. 8 Nëntori, Tirana, 1984, f. 245.
[4] ibid.
[5] Stavro Skendi. The Albanian Awakening.PrincetonUniversity Press, 1967, f. 335.
[6] skendi, op. cit., f. 336.
[7] Ibid., f. 341.
[8] Shih numrin e shkurtit 1992 të Dielli-t për reaksionin e fisevet të Mirditës ndaj shpalljes së Kushtetutës, qysh përshkrue nga M.E. Durham në librin e saj High Albania, 1909.
[9] Albania, XII, 1909, f. 43.
[10] Dielli botoi letrën e Partisë Popullore Islamiko-Krishtene drejtuar Sekretarit të Shtetit të SH.B. në numrin gusht-shtator 1991.
[11] Mbi ktë ka institue Dielli n’editorialët e vet si edhe në nji artikull nga Niko K. Kirka, ”Atdheu në rrezik,” në numrin e tetor-nandorit 1991.
[12] Oxford Analytica, ”Albania: Communists Ousted,” mars 24, 1992.
[13] “Qysh në vjetët ’90 dhe ndoshta në lidhje me nji traditë të maherëshme, nji ide filloi të formohet ndër kosovarët. Simbas ksaj ideje, ata janë të destinuem me luejtë nji “rol zgjues” edhe në lidhje me vetë Shqipninë. Friga e Tiranës ndaj kosovarëvet si dhe përpjekjet e saja me vendosë marrëdhanie të mira me Belgradin në vend të Prishtinës, asht e rranjosun jo vetëm në konsiderata politike, por në vetë atë ide.” Victor Meier, “Diskriminimi ban njeriun të vetëdijshëm.” Frankfurter Allgemeine Zeitung, 5 dhetor 1985.
[15] Shih A. Pipa. Albanian Stalinism, op. cit., kapitulli “Party Ideology and Purges inAlbania.”

Shënimi i “Investigim-it”

Ribotimi i shkrimit: Arshi Pipa. Turqit e Rij të Shqipnisë së re. Ribotim i autorizuar për “Adriatikun”, marrë nga gazeta “Dielli”, Boston, MA USA, vol. 83, nr. 10, maj-qershor 1992. “Adriatiku”, 3-10 tetor 1992, nr. 20 (2360), viti i 23-të i botimit, faqe 2 dhe 4


Pak nga jeta
Arshi Pipa (1920-1997)


Arshi Pipa (1920-1997), albanolog, filozof, poet, kritik letrar, studiues, pedagog në universitete amerikane, publicist, politolog, përkthyes.

Mësoi në Kolegjin Saverian e në liceun shtetëror të Shkodrës, studioi për filozofi në Universitetin e Firences., ku në vitin 1942 dhe mori gradën e doktorit në filozofi. U emërua mësues filozofie në Tiranë, Shkodër, Durrës. Pas luftës, mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Tiranë. Në prill 1946, u arrestua për veprimtari armiqësore dhe punoi në kampet e punës së Maliqit dhe burgje të tjera për 10 vjet, deri në vitin 1956. Në vitin 1957 u arratis në Jugosllavi. Emigroi në SHBA në vitin1958. Në vitin 1960 filloi të jepte ligjërata për filozofinë në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas. Pastaj drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, të Georgia-s, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofie, në “Kolegjin e Arteve të Lira” (verë, ’61, dhe ’62). Ka qenë pedagog i gjuhës italiane në universitetin e Kolumbia-s në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, kolegjin Adelphi Suffolk profesor i asociuar në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornias, Berkley. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (PhD). Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Uashington, D. C., pranë së motrës, Fatimes. Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qëndroi vetëm një vit.

Veprimtaria e tij përfshin fusha të artit letrar, të filozofisë, estetikës, kritikës letrare, folklorit, folkloristikës, gjuhësisë, politikës, publicistikës. Disa nga veprat më madhore: “Lundërtarë” (1944); “Libri i burgut”, 1959; “Rusha”, (1968); “Montale and Dante”, (1968); “Meridiana”, 1969; “Albanian folk verse. Structure and genre”, (1978); “Albanian literature. Social perspectives”, (1978); “Hieronymus de Rada” (1978); “Studies on Kosova (së bashku me Sami Repishtin)” (1984); “The politics of language in socialist Albania” (1989); “Albanian Stalinism. Ideo-political aspects” (1990); “Contemporary Albanian literature” (1991); “Subversion drejt konformizmit. Fenomeni Kadare” (1999). Por bibliografia e artikujve, studimeve, përkthimeve është shumë e gjerë, rreth 300 zëra. I madhi Martin Camaj (1925-1992) ka shkruar: “Besoj se Shqipëria do të jetë me të vërtetë e lirë, vetëm atëherë kur shqiptarët do të kenë mundësi të lexojnë, të studiojnë dhe të vlerësojnë veprat e shkrimtarëve të tillë të mëdhenj si Arshi Pipa”. /Sipas Anton Çefës dhe Uran Kalakullës/

U morë prej http://gazeta-lajmi.info/arshi-pipa-tur ... ise-se-re/
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 14 Prill 2021, 10:46
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari