Faqe 1 prej 1

BASHKIMI I SINDIKATAVE TËPAVARUNA SHQIPTARE-SHKODËR- 20 VJET

PostPostuar: 15 Janar 2011, 13:44
nga Laert
Nga Fritz RADOVANI:
B.S.P.Sh.
(BASHKIMI I SINDIKATAVE TË PAVARUNA SHQIPTARE)

Ferdinand Temali.jpeg

Ferdinand Temali - Themeluesi dhe Kryetari i Sindikatave Demokratike të Shkodrës


Në 20 vjetorin e thëmelimit të Saj në Shkoder – Janar 2011


Mbas ngjarjeve në Rumani në Dhetorin e vitit 1989, kur komunizmit po i vinte fundi edhe në Ballkanin e shpartalluem nga diktatura, radhen e kishte “kështjella” e fundit e tij, në një nga shtetet e lanuna mbas dore nga vetë Europa, Shqipnia e Gjergj Kastriotit dhe e Nanë Terezës. Ishte ajo zonë e vjetër e trazueme e Ballkanit, që vazhdonte rrugën e diktaturës së proletariatit, nga e cila nuk i bahej me u shkëputë drejtuesëve katilë e terroristë shqiptarë, mbasi u dukej se kishin mundësi me vazhdue me kenë “flamurtarë të marksizëm – leninizmit” në botë. Kjo pikpamje e tyne, që kishte gllabrue kokat e mykuna anadollake të udhëheqësve të PPSh, ishte shfaqë haptas mbas sa e sa vizitave zyrtare e private të Shtrausit të Gjermanisë Federale në Shqipni. Krimineli i njohun Ramiz Alia, mbas premtimeve të Erich Honecker të Republikës Demokratike Gjermane, i pat ndërpre të gjitha mundësitë e shpëtimit të Popullit Shqiptar nga vorfnia dhe mjerimi komunist, tue mendue se “ne nuk jemi as Lindje as Përendim..!”, por mund të vazhdojmë rrugën e gjetun nga vetë ai që për 45 vjet kishte rjepë Popullin dhe Shtetin Shqiptar, tue e shfrytzue, plaçkitë, vjedhë, masakrue dhe robnue ma keq se në kohën e rendit skllavopronar..., tue pasunue vetën dhe trashigimtarët e vet me kapitale të rezervueme në bankat Përendimore e aziatike dhe, tue u sigurue pasardhësve batakçijë edhe postet shtetnore të tyne.

Fillimi i vitit 1990 nuk kje aq i qetë për komunistët shqiptarë, ndonse prania e atij sistemi edhe në Jugosllavi, si gjithmonë, u krijonte njëfarë sigurije me vazhdue rrugën e fillueme bashkë me ta që në vitin 1944, kur në krye të shtetit komunist shqiptar ishin po këta spijun të zgjedhun prej tyne që në themelimin e partisë komuniste nga bolsheviku Tito. Edhe kjo ishte një siguri e tyne për mos me ndryshue kursin e filluem nga sovjetikët, të cilët nuk muejtën me shfrytëzue kurrë Presidentin Ronald Regan, ashtu si pat muejtë me veprue Stalini me paralitikun Ruzvelt në 1945 në Jalta. Bota tashti fliste me një gjuhë tjetër.
Janari i 1990 dha tingujt e parë të kumbonëve të Lirisë edhe në Shqipni!

Ramja e Murit të Berlinit kje “Shpata e Demokleut”, që i këputi kryet Kremlinit! Rendi kolonial i shekullit XX ndër vendet komuniste humbi të “drejten” e prangave të revolucionit ndër burgje e kampe shfarosje, tue përfshi edhe ata skllavë që punonin me nga tre turne ndër fabrika, minjera apo kooperativa e ferma bujqësore...për pasunimin e byrosë politike e spijunëve të saj.

Protesta e Burrave të Malësisë me arkivolin e djalit të vramë Pëllumb Pllumbaj, para komitetit të partisë me dt. 16 Qershor 1990 dhe thirrjet e tyne kundër Nexhmije k... e Ramiz p... ishin sinjali i dytë mbas demostratës së heshtun të 14 janarit për rrëzimin e bustit të Stalinit në sheshin qendror të qytetit të Shkodres, që nuk u realizue sepse sigurimi një natë ma parë arrestoi të gjithë organizatorët e asaj vepre, që e kishte denoncue në ambasaden gjermane Rin Monajka.
Edhe sistemi “socialist” i shteteve Përendimore kishte pësue aq shumë deformime, sa dukej kjartë paaftësia e tyne me ndalue ramjen e “Murit të Berlinit”, dhe me përballue thirrjen e zanit të fuqishem të Papës polak Gjon Pali II, drejtue Popujve të shtypun: “Mos keni frikë!”.

Ishte ajo thirrje që i dha forcë edhe Don Simon Jubanit, i porsa dalun nga burgu i Burrelit, që me 11 Nandor 1990, me thye “dyertë e hekurta” të byrosë politike të komitetit qendror të PPSh, që deri atëherë ishin të betonueme me 700.000 bunkera anë e kand Shqipnisë.
Sigurimi i shtetit filloi me pa andrra të kqija. Thirrja e Don Simonit me 13 Nandor në Rrëmaji për formimin e partisë demokristjane në Shkodër me Prof Nush Radovanin, shpartalloi përfundimisht frikën gjysëshekullore të Shqiptarëve dhe shpalli botnisht triumfin e fitorës së Lirisë nga robnia komuniste! Hija e zbehtë e tradhëtarit Ramiz Alia filloi mos me i besue postit të “sekretarit të parë” të PPSh dhe natën për hanë, u ndrye në pallatin mbretnor të “brigadave”, tue kërkue që nga “tribuna” e kalbun e atij parlamenti 46 vjeçar, me grumbullue rreth vetës studentat universitarë, me muejtë me i drogue me fjalët e tij hipokrite dhe servile, për me ruejtë kokën e karrigen e thyeme nga krimet mizore, vepër që e ka dëshmue edhe atë natë me studenta.
Shqiptarët këputën prangat e robnisë komuniste! Për mos me lejue krijimin e partisë së re demokristjane apo popullore me pjestarë të besimeve të ndryshme në Shkodër, “një ditë” pa u kujtue askush...

Në Dhjetor të 1990 u shpall Partia Demokratike Shqiptare në Tiranë.
Pak ditë ma vonë shkuen në Venecia dy udhëheqësit kryesor të dy partive kryesore që kishte zgjedhë vetë Ramiz Alia, ai i partisë socialiste, Fatos Nano, dhe Sali Berisha i partisë demokratike, në përshtatje të plotë me të gjitha udhëzimet e dhanuna nga Gorbaçovi në Kotovicë, ku Shqipninë “komuniste” e përfaqsonte “shoku” Sofokli Lazri, një maskë sllavo – orthodokse e Ramiz Alisë, i njohun me kohë...Në Venecia u nënshkrue “marrveshja” mes tyne, ku i pranishem ishte De Mikelis i Italisë dhe shqiptari me qendrim në Itali Mentor Qoku, i cili vdiq shpejt mbas atij takimi!! Po, një fakt asht i njohun edhe sot: Politika shqiptare vazhdon me kenë “besnike” e asaj marrëveshje!Atëherë ky takim pat mbetë i fshehtë dhe ende sot nuk bahet fjalë për këte “pakt” që dy partitë bija të PPSh, nënshkruen dhe vazhdojnë me i qendrue atyne dy firmave...të Venecies.
Populli Shqiptar nuk mund të vazhdonte ma me kenë rob i çifligarëve komunistë, kur në të gjitha vendet e Europës Lindore përmbysja e sistemeve komuniste ishte e paevitueshme.
Minatorët e Valiasit u ngujuen në minjerë. Në “dhomat e partisë” ku erreshin organizatat e partisë komuniste tue thurë intriga, poshtërsi, plane arrestimesh, vrasjesh e pushkatimesh, filloi me u pa ditën e natën “flakadani” i teserave të hjedhuna në zjarrin e dëshprimit...e ndokush edhe guxoi me i shoqnue këta zjarre me veprat e despotit të ngordhun pak vite ma përpara!

Viti i Ri 1991 ishte viti i realizimit të shpresave të vdekuna të Popullit Shqiptar!
Liria dhe Demokracia lypnin sakrifica por edhe Besë, Bashkim e Trimni...
Punëtorët Shqiptarë shpartallojnë “shkollat e komunizmit”, bashkimet profesionale!

Me datën 10 Janar 1991, unë(Fritz Radovani) u zgjodha nga puntorët e fabrikës së Pëlhurave në Shkodër, kryetar i organizatës profesionale ku, një punëtore e stampimit, e quejtun Albina Mëshkalla, thirri me forcë “Rroftë Lekë Valesa!”...Një thirrje që edhe sot më topitë kur e mendoj..., Me datën 14 Janar, i njoftuem nga z. Zef Prela, kryetar i organizatës së ndërmarrjës metalike, rreth orës 16.00 u ndodha tek Fermentimi i duhanit...Ishim një grup i vogël që shkuem në Uzinën Mekanike dhe hyme në një dhomë ku nuk zente ma shumë njerëz se ishim aty. Organizator të atij takimi ishin Ferdinand Temali dhe Arben Borshi, të dy punëtorë të larguem ato ditë nga puna nga ndërhymja e sigurimit në drejtorinë e tyne, mbasi spijunët kishin ra në gjurmët e veprimit të tyne “kundër ligjit” për krijimin e Sindikatës... Por Ata pa frikë vazhduen rrugen e fillueme.

Ajo ditë ishte hera e parë që njoha afër Ferdinandin... aso kohe Ai ishte 36 vjeç, një djalë i pashëm, i gjatë mbi 1.80 m, zeshkan, me një za Burri dhe të fortë, që ushtonte mbrenda asaj dhome të vogël aqsa me tu dukë se kushedi sa vetë kishte përpara...vinte nga minjera e Valiasit dhe do të merrte përsipër detyrën e madhe të luftës pa asnjë mëdyshje kundër komunizmit gjakatar...U paraqit se punonte shofer, por nuk dukej se kishte mbetë në kufinin e profesionit të vet, kishte elokuencë dhe rrjedhshmëni fjale, por ajo që tregonte syni i Tij i mprehtë ishte “Trimnija e një Burri” të formuem parakohe...Aty mora vesh se ishte djali i mësuesit Mark Temali, po kur pashë mbas sa ditësh në familjen e Tij, një grumbull fëmijësh, nusen e Tij të re Fioren dhe dy prindët...mendova, se...me të vërtetë ka në Shkodër endè Burra që e duen me shpirt Lirinë dhe Demokracinë, por edhe që...interesin e Atdheut e venë mbi gjithshka...pra, Ferdinandi kishte një Ideal të Naltë për të cilin luftonte pa iu tutë syni!... Në kushte vorfnije, shpesh edhe pa bukë, i çonte fëmijët me fjetë, por kurrë nuk epèj me u ankue, se: “Kështu, janë konditat e të gjithë Popullit tonë nën komunizëm!”, kjo ishte arësyeja për të cilën: “duhet ta përmbysim sa ma parë komunizmin!..” Sekretar që mbante proces-verbalin pranë Ferdinandit ishte Arben Borshi, të cilin e njihshe nga larg, se asht nipi i Martirëve Shyqyri Borshi dhe Qemal Draçini, antikomunistë të njohun në qytetin e Shkodres.

Fjala e zjarrtë e Ferdinandit
dhe mbas Tij e Arbenit, tregoi kjartë se beteja duhej fillue sa ma parë, por duhej organizim e vendosmeni.
I pari e mbështeti fjalën e tyne Arben Hafizi e mbas Tij me rradhë të gjithë të pranishmit. Ishte mjaft terr e errësinë kur dolëm, por mbyllja e kënaqëshme na dukej se jemi tue iu afrue një “drite” që binte nga nalt dhe ndriçonte rrugën që kishim përpara drejt së cilës ishim nisë!
Në mbledhjen e parë ku ishim shumë kryetarë të organizatave profesionale, u vendos pa asnjë votë kundër që organizatat profesionale të njihen Anëtare të Bashkimit Sindikatave të Pavaruna të Shqipnisë dhe Kryetar i Sindikatës së Shkodres u zgjodh Ferdinand Temali.
Bashkpuntorët e Asaj beteje aq të madhe, por edhe të rrezikëshme, nuk besoj se kanë harrue mbledhjet e darkave në “Selinë e BSPSH”, ku dyshemja tundej kur ecte Ferdinandi, mbasi tjetër godinë “nuk kishte” Shkodra për né, vetëm ajo mbi kafe “Moska”...dhe, me të vërtetë nuk na duhej tjetër mbasi pikërisht ajo kafe dikur ishte çerdhe spijunazhi, prandej detyra kryesore e jona ishte: “në BSPSH nuk ka vend ma për komunista e spijunë me drejtue klasën e shtypun të puntorëve të Shkodrës!...”, dhe ishte Ferdinandi që filloi me guxim luftën kundër “drejtorëve” të ndërmarrjeve dhe shefave të kuadrit në të gjithë Shkodrën, tue kërkue me forcë ndryshimet ose shkarkimet e tyne nga kryetaria e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, atëherë Tereza Marubi.
Shkodranët e masakruem në rregjimin komunist, nuk mbaheshin ma! Rinia e Kështjellës “Rozafat” errej e zgjohej pranë dy godinave, asaj të BSPSh dhe asaj të Muzeut Ateist, ku kishte zanë vend Kryesia e Partisë Demokratike të Shkodrës...Distanca e shkurtë mes këtyne godinave tashma lidhej me vargun e të përsekutuemve politik dhe rinisë heroike shkodrane, ku thirrjet e tyne: “Poshtë komunizmi” dhe “Duem Shqipninë si gjithë Europa!”...nuk pushonin një minut!

Në muejn Shkurt 1991 u organizue një takim i madh në teatrin “Migjeni”, të cilin e drejtoi Ferdinand Temali. Mbledhja u hap me një historik të shkurtë nga Fritz Radovani, i cili tregoi luften sindikaliste të fillueme që në 1905 e deri në 1944 po në qytetin e Shkodres, ardhjen e komunistëve dhe prishjen e atyne përpjekjeve të puntorëve shkodranë, si dhe për rrugen e së ardhmes së BSPSh tashti në vitin 1991. I pari që mbështeti luften antikomuniste që do të zhvillojnë BSPSh ishte Don Simon Jubani, fjala e të cilit u prit me shumë interes nga të gjithë të pranishmit. Theksi i fjalës së Tij ishte bashkpunimi vllaznor i puntorëve shkodranë pa asnjë paragjykim fetar e krahinor. Lidhjet e BSPSh me Komunitetet fetare janë kenë të shkelqyeshme. Ndërlidhës i ynë me Ata ishte antari i Kryesisë së BSPSh Fritz Radovani, i cili bashkë me Arben Borshin dhe Kryetarin Ferdinand Temali, ka ndihmue me anën e atyne komuniteteve edhe në ruejtjen e unitetit të Sindikatës, kur në një rast u pat shfaqë një rrezik i përçamjes së Saj nga një grup fanatikësh anadollakë, të cilët ma shumë ishin të shtymë për këte përçamje nga ndonjë element i lidhun me sigurimin e shtetit. Dështimi i kësaj tentative u dha me kuptue të gjithëve se uniteti ynë ishte i pathyeshëm.

Në muejn Mars 1991, jo vetëm që BSPSH ishte e pranishme në ma shumë se 70% të ndërmarrjeve të Shkodrës, por ajo ishte formue në disa pika kyqe, si në hidrocentralin e Vaut të Dejës, Stacionin hekurudhor (që fatkeqsisht nuk më kujtohet emni i thëmeluesit, një ndër ma aktivët), Uzinën e madhe të Fermentimit të duhanit ku vepronte i riu Arben Broci. Shpejt u përfshi edhe ajo e letrës etj. Në Uzinën e Telave dhe Kabllove Elektrike vepronin edhe dy anëtarë të asaj sindikatë që meritojnë me u kujtue kryetarin z. Paulin Pepa dhe drejtuesin e sindikatës të Reapartit të Zmaltimit të Uzinës Bep Martin Pjetri. Shpejt BSPSh arriti me marrë me vete edhe armaten e madhe të mësuesve me kryetarin Qazim Lika e Xhelal Fejzo, ku nuk harroj kurrë me sa dashuni mësuesit ishin të gatshem me na ndihmue për çkado kishim nevojë, e pra, ishte ajo armatë e madhe ku komunistët nuk kishin kursye asgja për shpartallimin e moralit, edukatës dhe ndërgjegjes së “njeriut të ri vepres më të shkelqyer të partisë”. Formimi i BSPSh në spitale dhe në Poliklinikë me kryetar mjekun Leonard Kçira, përfshi këtu ma vonë edhe klinikën dentare, asht kenë për mue krejt e papritun mbasi mbrenda asaj Sindikatë elementi ishte shumë i dyshimtë, ndonse unë ishe gabue mbasi përkrahja e tyne ndaj nesh asht kenë pa asnjë rezervë. Nuk imagjinohej kurrë nga komunistët se ndërmarrja e Minjerave me kryetar Agron Sykja e ajo Gjeologjike me kryetar Ingj. Gjon Suma, ishin forca në favorin tonë aqsa, kur shkova dhe ju fola atyne për rolin që do të lozin BSPSH në të ardhmen e minatorëve, kujtoj kryetarin e posazgjedhun Agron Sykja, i cili më tha: “Mos prano me pi kafe këtu, se nuk ka asnjë siguri jete!...”

Me datën 26 Prill u anëtarsuen në BSPSH edhe 91 nëpunës të qendres informatike, ku u zgjodh drejtues [b]z.Valter Paci, [/b]qender ku komunistëve nuk u besohej anëtarsimi i saj në Sindikatë.

Me 29 Prill 1991 BSPSH mori edhe kokën drejtuese të arësimit dhe kulturës shkodrane, me serena nga Xhavit Xhurkaj, elektriçist në Institutin Pedagogjik, të cilin në këte 20 vjetor e falnderoj fort për veprimet e tij burrnore. Aty kam numrue 68 profesora nga 103 vetë ku, përjashtohej grupi i spijunëve me Sadik Ramën e Angjelin Kumrinë në krye etj...të cilët, as nuk i kemi pranue në sallën e madhe ku janë zhvillue zgjedhjet kur u zgjodh kryetar Prof. Gjovalin Kolombi. Dy institucione me vlerë për ne ishin PTT dhe Radio Shkodra, sidomos e dyta Radio, ka luejtë rol kryesor mbas shkuemjes drejtor aty të z. Anton Çefa. Me që më ishte ngarkue mue puna me propaganden e Sindikatës, më ra rasti me u lidhë afer me personelin e Radios dhe kujtoj se me sa interes priteshin nga shkodranët njoftimet e BSPSH në Kavajë, Tiranë etj. Ashtu si Shkodra mbarë priste emisionet e demaskimit të komunizmit, po me atë andje e dashni qytetarët tonë vraponin me u interesue a mërrijti gazeta “Sindikalisti” nga Tirana...

Me datën 25 Shkurt 1991, Ferdinandi mori pjesë në zgjedhjet e Kryesisë BSPSH për Republikën e Shqipnisë në Tiranë, dhe u zgjodh anëtar i asaj Kryesije, me të gjitha votat pro të të gjithë pjesmarrësve. Ai asht kenë ndër organizatorët kryesorë të saj në të gjitha betejat.
Ferdinandi aso kohe shkëmbente shumë mendime dhe punonte për rrugzgjidhje me mjete paqësore me Kryesinë e Tiranës, z. Gëzim Shima, Eqrem Kavaja, Gëzim Kalaja etj., por një besim të patundun kishte tek i riu, studenti Arben Broci, që ishte në ndërmarrjen e Fermentimit të duhanit në Shkoder ku organizonte Sindikatën dhe PD e asaj fabrikë. Kujtoj një takim me Arbenin kur më shpjegoi “darken e fundit” me tradhëtarin Ramiz Alia në pallatin e brigadave dhe qendrimin e pabesë të tij ndaj një vajzës trimneshë vlonjate atë natë...

Datat 31 Mars dhe 1 Prill 1991, ishin ditët e shkrepjes së armëve të “fitores” së fundit për ata që besoj kujtojnë mirë automatikët e sigurimit që lajmonin hajninë e votave nga komunistët!
Ferdinand Temali punoi shumë për lidhjet e BSPSH me Tiranën dhe Kavajen, qendrat ku BSPSH po hartonte ramjen e qeverisë komuniste... dhe, duhet vue në dukje roli i madh i rinisë shkodrane i pasuem nga mbarë Populli i Shkodres, në protesten e paorganizueme para selisë së komitetit të PPSH në mbasdreken e

1 Prillit 1991, kur turma mijra vetësh u drejtuen nga ajo seli,
mbas thirrjeve tek busti i Stalinit dhe Leninit, në sheshin qendror për me shkue tek komiteti i PPSh, parti e cila kishte vjedhë votat ashtu si kishte veprue për 45 vjet rresht me rezultatin e njohtun 99.99% në favor të saj. Edhe atje ishte pikërisht Ferdinand Temali që kërkoi me ngulm nga protestuesit mjete paqësore, kështu mbas orës 21.00 u shpërnda protesta tue thirrë në bulevardin e Shkodres: “Nuk e duam komunizmin jo, jo, jo...!”

2 Prill 1991...
Imazh

Pa u errë nata në Shkoder ishte zv. ministri i mbrendshëm Hajredin Shyti, i cili, në bashkpunim me Çapajev Taçin, Dilaver Paparen dhe Gjekë Celi i policisë (spijun nga Mali i Shengjinit), organizuen vepren terroriste që u realizue me 2 Prill 1991, mu në atë Shesh ku një natë ma përpara çdo veprim ishte demokratik...dhe paqësor, po aty në mes të predhave dhe vrasjeve të organizueme nga presidenca terroriste e Ramiz Alisë, mbi trupat e të rijve Arben Broci 21 vjeç, Besnik Bishanaku 22 vjeç, Nazmi Kryeziu 38 vjeç dhe Besnik Ceka 21 vjeç. me 97 vetë tjerë të të plagosun, ishte Ferdinand Temali me Marina Rraboshtën, që hyjnë nën snajpër për me i thanë sekretarit PPSH Xhemal Dymylja: “Kush asht ai terrorist që ka urdhnue me gjujtë mbi turmat e pambrojtuna të studentave të shkollës “Jordan Misja” e Popullit të Shkodres, o ndaloni zjarrin ose drejtohuni kufinit e ikni, se Populli do t’ju shkyejë për së gjalli!..”
Kujtoj si tashti në rrugën para komitetit ekzekutiv një vajzë me flamurin e Shqipnisë e hypun mbi një tank ushtarak, që ishte pushtue prej asaj Burrneshë Shkodrane!
Po drejtuesit e PD së Shkodres ku ishin?..Ma mirë se kushdo e di z. Tanush Mulleti... Cilat ishin parullat që u hodhën në rrugë Xhabijej e ma vonë tek Radio Shkodra? – Besoj i kujton mirë Populli i Shkodres “ata” dhe rolin që ka luejt BSPSH, Ferdinandi, Marina Raboshta, Tanush Mulleti, Besnik Komi, Arben Borshi, Lela Zorba, Muhamet Gradeci, Zef Prela, Arben Hafizi, Leonard Kçira, etj. për ruejtjen dhe sigurimin nga djegëja të Radios, Fototekës, hetuesisë dhe të vetë Prefekturës, dhe sa objekte të tjera të cilat i kemi mbrojtë edhe me rrezik koke, kur snajpërt e sigurimit ishin në gatishmeni mbi kokat tona në çdo qoshe, në Prefekturë, Turizem, teater “Migjeni”, zjarrfiksa etj. ndonse, ideali ynë e kishte mposhtë ndër ne frikën e komunizmit.
Imazh

Me datën 2 Prill, ora 19.15’ deri ora 20.00, intervista e dhanë nga Arben Borshi dhe Fritz Radovani për “L’Express” të Parisit, korespondentit Vincent Hugux në Turizmin e Shkodres, e cila u transmetue në ora 22.00 nga Franca, asht kenë ndër fitorët e mëdha të BSPSH, se ajo Agjensi zbuloi para Evropës të gjitha planet djallzore të sigurimit të shtetit për gjakderdhjën që u ba, dhe që R. Alia po u pregatiste me e vazhdue kasaphanën pandërpremje në Shkoder.
Po takimi me zv. ministrin e “pafajshem” Hajredin Shyti në seli të BSPSH, besoj ju bie ndër mend të gjithë pjesmarrësve bashkë me “përshëndetjet” që i derguem Tiranës komuniste!

Takimi i asaj darke në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, me Esma Ulqinakun zbuloi fëtyrën e vërtetë të vëprimëve të datës 2 Prill. Ishte ora 21.30 kur gjithë grupi i BSPSh së Shkodres dolëm nga salla e Kom. Ekz. Unë ishe me Arben Borshin, kur papritmas u gjetëm në dalje tek dera mes një grupi të madh ushtarësh të armatosun e, posa i pashë i kam thanë Ferdinandit që kishe pranë: “Na prijë në këte paradë Ferdinand, se asht e para herë në jetën teme që po kaloj në revistë...” dhe Ai, na prini kur bashibuzukët e Ramiz Alisë, të rreshtuem me forcat sambiste po qendronin nga nalt tek dera e sallës madhe të Prefekturës e deri poshtë tek rruga, me armë në gatishmëni...kundrejt grupit tonë të BSPSh, që ishim fare pa armë dhe me duer ndër xhepa...
Po rezultati cili ishte? – Qeveria komuniste me dhanë dorëheqje sa ma parë, mbasi BSPSH do të organizojnë Grevë të Përgjithëshme në gjithë Shqipninë. Vrasësit e Arben Brocit me shokë ti kalohën organeve kompetente dhe shpejtë do të organizohën zgjedhjet e reja etj..

Me datën 3 Prill,
ora 9.00 kemi shkue bashkë me Arben Borshin tek komandanti i forcave të armatosuna të Shkodres, Enver Gaba dhe e kemi falnderue për mosndërhymjen e tyne mbi Popull me tanke dhe, nga ajo ditë ushtria ishte shpirtnisht “anëtare” e BSPSH...Ky veprim nuk u prit mirë nga ministri mbrojtjes, zadhanës i R. Alisë...në postin e “presidentit” Haxhi Lleshi.
Rruga e BSPSH ishte krejt e papritun për Ramiz Alinë me shokët kriminel të presidencës së tij terroristë e vëllavrasës, ku fatkeqësisht ishte tashma e kjartë se “pa gjak” nuk merrej asnjë zyre rojesh apo “dezhurësh” të institucioneve të tyne...Ishte ajo kohë kur koka e komunistëve qelbun ulërinte: “Edhe gjak do bëjmë,...!” dhe, me të gjitha armët e tija të pista vriste bashkë me Fatos Nanon, Gramoz Ruçin, Xhelil Gjonin dhe tradhëtarë tjerë, Rininë Shqiptare kudo deri larg në piramidat kufitare...Ishte ajo kohë kur Nexhmije Hoxha vetëm mendonte si me nxjerrë jashtë me Sulo Gradecët thesaret e plaçkituna e të vjedhuna nga mundi dhe djersa e Popullit Shqiptar.

Greva e shpallun nga BSPSH me datën 3 Prill
në Shkoder dhe zjarret e ndezuna në oborret e ndërmarrjeve me dhetra e dhetra “tesera të PPSH”, nga komunistët që hoqën dorë nga partia komuniste përgjithmonë, i treguen Popullit Shqiptar se BSPSH, tashma drejtonte të gjitha veprimet që paralizonin partinë dhe sigurimin famkeq komunist.

Herojt e 2 Prillit u varrosën pa u ba autopsia, ndonse mjekët Bardhyl Çipi, Xhemal Zeneli dhe Injac Simoni, vepruen si i urdhnoi sigurimi i shtetit dhe prokuroria komuniste. Ata kanë firmue dokumenta pa hapë fare kufomat, mbasi autopsia e tyne u kërkue shumë kohë mbrapa nga grupi i BSPSh së Shkodres në Prokurori të Përgjithshme, ku kam marrë pjesë unë dhe Ferdinandi me disa shokë të tjerë para se të zhvillohej gjyqi dhe, kufomat u nxorën nga vorrezat për autopsi nga mjeku ligjor Estref Myftari, ku mori pjesë i ngarkuemi i BSPSH së Shkodres z.Tanush Mulleti. Konkluzioni ishte se “viktimat janë vra me armët e zjarrit nga policia”.

Komiteti i PPSH u dogj por, jo, nga Populli, ishte vetë sigurimi që donte me mbulue me djegëje vrasjet e bame para atij komiteti. Me muej të tanë hetuesit Vladimir Meçe, Shefki Bejko, Besnik Ymeri, Petrit Shehu etj. bredhnin edhe në Itali, gjoja tue kërkue “fakte”, sëpse një film ishte gjirue nga një italian prej apartamentit, nga dritaria e shkallës ku banonte qytetari Frano Preçi, i cili më ka tregue Ai vetë që e ka pa italianin tue gjirue veprat makabre të Ramiz Alisë, Fatos Nanos, Gramoz Ruçit, Haxhi Lleshit, Kiço Koçit, Rapi Mino, Hajredin Shyti, Qemal Lame, Kastriot Islamit etj. etj. që mbushnin faqe të tana proces- verbalesh në mbledhjet e pafund në Kom. Ekz. të Shkodres, kur BSPSH me forcë kërkonte ideatorët dhe zbatuesit e terrorit, ndërsa “sherbëtorët” e presidencës ishin të mobilizuem me gjetë se: “kush e dogj komitetin e PPSH?” dhe, se vrasjet e Herojve janë krye “mbasi asht djegë komiteti apo, legjenda e hetuesisë së përgjithshme se vrasjet janë krye nga gjuejtjet në mes të turmes nga njeni tjetri, po jo, nga policia...etj”.

Që nga data 12 Prill, 23, 26 e deri me 1 Maji,
BSPSH nuk ka ba veprim tjetër vetëm, ka shpartallue moralisht rezistencën e PPSH për mbajtje të pushtetit dhe ka demaskue botnisht organin e “paprekshëm” të asaj diktature të pashpirtë e mizore 45 vjeçare, sigurimin e shtetit, aqsa spijunët e sigurimit dhe oficerët besnik të tij me dt. 2 Prill 1991, ora 14.00 nuk kanë pasë asnjeni ndër dyer etiketat e emnave në apartamente...tue fillue nga Çapajev Taçi e deri tek Shyqyri Qoku...që strukej si qen skutash për mos me u lagë...nga vesa e pranverës që po lulëzonte mbi veprat makabre e gjakatare të tyne!
Greva e Përgjithshme vepër e BSPSh...

Me datën 1 Maji asht ba takimi i parë i BSPSH së Shkodres me disa nga kryetarët e BSPSH së Rretheve të tjera në Selinë e Tiranës, nën drejtimin e z. Gëzim Shima dhe Eqrem Kavaja, ku merrte pjesë edhe i deleguemi z. Donald Slaiman nga USA. Ai foli për rrugën me mjete paqsore që duhet të ndjekim kundrejt veprimeve terroriste të R. Alisë. U muer vendimi i Grevës së Përgjithshme në gjithë Shqipninë. Mbështetje të madhe na dha BSPSH e Kavajës, si rezultat i shkëmbimëve të maparshme nga ana e Ferdinand Temalit me ata miqë të shtrejtë, që posa u arrit fitoria e BSPSH kanë ardhë në Shkoder, e edhe pse komunistët na “fikën dritat” kur ishim të grumbulluem në Turizem, buçiste thirrja e jonë: “E duam Shqipninë si gjithë Europa!”.

Ja nga kujtimet e z.Arben Borshi, ish sekretar i BSPSH, ku del roli i Ferdinandit:
“...U mblodhëm në Tiranë për greven e madhe mbarëkombëtare. Doli me drejtue atë mbledhje Valer Xheka, jurist i ardhun nga kinostudio...Ferdinandi kërkoi me ditë se ku asht Gëzim Shima...?! Valeri, tha: “Vetëm kur të më shihni mue në TV, do të mbyllet greva!”
Ishte pika kulminante e Ferdinandi nuk duroi ma, por i tha: “E kush je ti? – Një spijun i shkolluem në ministrinë e mbrendshme për me burgosë e pushkatue të pafajshëm do me na drejtue ne..?” dhe, u turr me e kapë për fytit...U çuem të gjithë me e ndalue, se unë i vetëm nuk ishe në gjendje me e zaptue tanë Atë Ferdinand...që vazhdonte me folë: “Të hjedhi nga dritaria Valer Xheka, a more vesht?!...” i tha, dhe doli nga salla...Vetëm mbas dy orësh arritëm me u ulë e me diskutue...Por, kurrma nuk kemi ra dakord me drejtuesin e ri të grevës së Tiranës...”
Greva e Përgjithëshme filloi që me datën 3 Prill, po komunistët e Tiranës nuk donin me e besue fundin e vet edhe pse e shihnin me sy Fitoren e pashmangshme të Demokracisë...
Kërkesat e BSPSH së Shkodres, i kemi pregatitë me Arben Borshin, dhe bashkë me te ia kemi dorëzue letren në dorë kryetarit të Kuvendit Popullor Kastriot Islami, me dt. 5 Maji 1991, para Kom. Ekz. të Shkodres, letër që besoj ruhet prap sot në arkivin e kuvendit popullor. Letra i ban të kjarta dhe me fakte veprat terroriste të Ramiz Alisë, Xhelil Gjonit dhe Gramoz Ruçit, tue kerkue edhe mbështetjen e ligjit për dënimin e vepres së tyne penale në dam të Popullit.


Data 15 Maji 1991 asht dita e dënimit me vdekje të komunizmit në Shqipni.


Greva e Urisë shpartalloi përfundimisht pushtetin diktatorial komunist të Enver Hoxhës, i cili edhe pse nuk ishte ma “mes nesh”, “vazhdonte” sundimin me trashigimtarin e vet, tradhëtarin Ramiz Alia, i cili pa pikë turpi arrinte deri aty sa me shkue me pi edhe kafe në shtëpijat e Atyne Djelmëve Heronjë, që kishte vra pabesisht me dorën e vet me 2 Prill 1991 në Shkoder...

Nga data 20 Maji kam shkue në Tiranë dhe i kam paraqitë Kryesisë BSPSh., propozimin tonë për Presidentin e ri të Republikës, ku kerkohej nga BSPSh e Shkodres, ardhje e Prof. Arshi Pipa, Sami Repishti dhe e zonjës Nermin Vlona (Palaschi) në poste drejtuese qeveritare. Mbas dy ditësh ka ardhë në Shkoder z. Eqrem Kavaja dhe na ka komunikue edhe aprovimin e Kryesisë.
Kuvendi popullor botoi ligjin e pranisë në Shqipni, për 20 vjetët e fundit...për me evitue ardhjen e të gjithë personaliteteve nga diaspora në organe drejtuese, ligj që “zbatohet” edhe sot!

Me datën 25 Maji, ora 11.00 u organizue nga BSPSH Mitingu i Madh në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodres, ku morën pjesë mbi 30.000 vetë. Kur dola në tribunë me hapë mitingun, një përson që gjironte me kamera më tha: “Fritz, në apartamente përballë kanë vue snajpër...kujdes kur të flasësh!”...Unë në ecje drejtë mikrofonit iu përgjigja: “Çka kam shkrue do ti lexoj, por nuk besoj se komunistët mendojnë sot me më ba edhe mue Hero!” dhe, vazhdova fjalën historike të temen përballë “Rozafës”, që ishte e veshun me të zeza për ma shumë se 45 vjet...
Foli aty Muhamet Gradeci, Tanush Mulleti, Vinçenc Çefa...etj. dhe arriti nga Tirana edhe Kryetari i Nderuem i yni Ferdinandi, i cili, si gjithmonë me za si pushka, ushtoi me sa forcë kishte me pushtue zemrat e qytetarëve të Shkodres të thame dhe të zharitun për Liri dhe Demokraci, e cila nuk vonoi me ardhë mbas Asaj dite të bukur të BSPSH së Ré!...

Me 1 Qershor, në Tiranë, ora 11.00 në stadiumin “Dinamo”, ku kam përfaqsue BSPSH e Shkodres me zonjën Adlije Broci, në prani të mijra vetëve kryeqytetas, fjala mbyllej kështu:
“Kur një Populli i ikën frika, Atij shpejtë i vjen Liria! Rrnoftë Shqipnia!”...

Qeveria ra...Me datën 10 Qershor, ora 11.00, në intervistën e dhanun “Zërit Amerikës” nga anëtarët e kresisë BSPSH së Shkodres, kam theksue: “Qeveria e ardhëshme kurrë nuk do të realizojë aspiratat tona dhe të mbarë Popullit Shqiptar, nëse në përbamjen e saj do të ketë kjoftë edhe vetëm një komunist...!”. Atëherë shumë vetë më quejtën “ekstremist”...por, sot, besoj janë me mendimin tem edhe ata që atëherë menduen me bashkpunue në qeveri me “komunistët e konvertuem”! Prania e tyne në çdo zyrë të mardhanjeve me Popullin sjelli vetem korrupsion!
Ata ishin sabotuesit e të gjitha premtimeve të bame ndaj Popullit e punëtorve liridashës!
Me të gjitha mjetët u punue për mos me zhvillue gjyqin e viktimave të 2 Prillit.

Partia Demokratike Shqiptare ishte e para që ndërhyni, me “mbyllë” Grevën pak ditë para kongresit PPSH, që me datën 8 Qershor, kur ajo po bahej gati me u veshë me petkun e “socialistave”, edhe pse terroristi R. Alia kishte deklarue: “...Parimet nuk i shkelim!” ndonse, për hirë të kolltukut i shkeli të gjitha madje, edhe flamurin e marksizmit e deri tek premtimet tek vorri i Enver Hoxhes me vejushen...e tij. E vetmja fjalë që ka mbajtë deri në fund dhe vazhdon edhe sot, asht: “Edhe gjak do bëjmë!...”, e kam frikë se mbrenda këtij “betimi” mund të jenë edhe vdekja e parakohëshme,

në moshën 54 vjeçare e Thëmeluesit të BSPSH së Shkodres, Ferdinand Temali, me 1 Qershor 2009...! Takimi i Ferdinandit në presidencë me té, më kujton qendrimin burrnor të Ferdinandit, të cilin e kemi pa edhe në TV, por më kujton edhe fjalët e R. Alisë, i cili i tha Ferdinandit kur po delte në një anë: “Ferdinand, ra vetja e më këputi, thonë andej nga Shkodra!” dhe, Ferdinandi iu përgjigjë: “Nuk i tradhëtoj shokët!”. Dhe me të vërtetë besnikinë e Tij Ferdinandi e vazhdoi. Endè sot Ata Herojë nuk janë dekorue e bashkë me Ta edhe Ferdinandi që me datën 13 dhetor 1990 pëmbysen përtokë njëherë e përgjithmonë bustin e kriminelit Enver Hoxha, para Prefekturës së Shkodres! Ai ishte akti ma Heroik i Rinisë kur në Tiranë, Stalini dhe Lenini i banin shoqni diktatorit tonë në sheshet qendrore! E, mos harroni, se endè ka nga Ata Djelm që vazhdojnë me kenë të gjymtuem nga torturat e bame prej sigurimit nga zv.ministri i mbrendshëm terroristi Zylyftar Ramizi, që nga data 14 Janar 1990...

Me datën 9 qershor, kur pritej realizimi i kerkesave të Grevës mbarkombëtare dhe ishim të grumbulluem në Institutin Pedagogjik, mbas dreke erdhën nga Tirana dy antarët e kryesisë sonë, Mark Bardeli dhe Muhamet Gradeci që na komunikuen në prani të ma shumë se 500 vetve, se ishte vendosë mbyllja e Grevës nga “shoku” Valer Xheka. Unë i ndërpreva fjalen dhe i thashë se “Shkodra nuk do ti bindet urdhnave të spijunve të Ramiz Alisë, por të shkojmë në Kryesinë tonë dhe atje do të vendosim!” U nisem të shoqnuem nga turma që thërriste për vazhdimin e Grevës deri në fitoren e plotë të kerkesave tona. Besoj iu kujtohet “grushti i shkrepun mbi tavolinë dhe ngritja e makinës së shkrimit mbi 10 cm lartë” kur u vendos vazhdimi i Grevës edhe dy ditë të tjera “mbas hapjes së kongresit të PPSh” e brohoritjet e turmes jashtë selisë sonë.

Kujtoj që me datën 12 qershor
kanë ardhë në seli dy antarë të Kryesisë PD, z. Menduh Derguti dhe A.Luli, të cilët kerkonin që të jepej urdhën nga ne, “me u nisë vagonat e ngarkuem me sheqer për Tiranë, mbasi Greva kishte krijue mungesë sheqeri në dyqanet e Tiranës...” Unë i shikova ...dhe u thashë: “Jo, këte herë komunistët e Tiranës, të festojnë fillimin e kongresit tyne me bakllavë të paperlueme me sherbet, se kështu kanë urdhnue punëtorët e Shkodres!” dhe kujtoj si tashti të qeshunin me zemer të Qazim Likës, që u ndodh aty dhe u knaq nga përgjigja ime...

Mbas dy ditësh takova Pjeter Arbnorin tek SMT e vjeter, dhe më tha: “Doktori më ka thanë se asht e paknaqun partia nga qendrimi i fundit i sindikatës së Shkodres!” Unë, e pyeta: “Po për cilën parti e ka fjalën doktori, atë që ka kenë apo për këte që asht tashti?”. Pjetri më tha: “Për partinë tonë...ç’ punë kemi ne me komunista?”...”Nuk po kuptoj se pse asht i paknaqun ai, mos ndoshta e keni dashtë sheqerin ju, me i perlue bakllavat e kongresit të tyne?” Më shikoi i zemruem dhe gati harroi me më dhanë edhe doren, e pra ky, drejtonte PD e Shkodres!!...

Në muejn Qershor 1991, në takimin e BSPSh me z. Gramoz Pashko, në Komi.Ekz. të Shkodres Fritz Radovani i pat propozue aprovimin e krijimit të Shoqatës së të Përsekutuemve dhe të burgosunve politik në Shkoder. Ai e priti mirë propozimin tonë dhe mbas tri ditësh erdhi nga Tirana aprovimi zyrtar i Shoqatës. U patën propozue edhe dy emnat për Kryetarë, Karlet Luka dhe Bardh Shiroka. Emnimi i z. Lin Martinit asht pritë shumë mirë nga Sindikata dhe bashkpunimi ka kenë i frutshem mbasi figura e Tij ishte vertetë e nderueme. Edhe me krijimin e Seksionit të Përsekutuemve në Prefekturë bashkpunimi asht vazhdue i rregullt me nëpunësit e atij seksioni, Xhemal Elezi, Sadedin Taipi dhe Bardh Shiroka. Ky fakt u prit mirë edhe nga të huejt, sidomos kjo u dallue në takimet tona me gazetarë të “Zërit Amerikës”, të cilët e kanë vlersue shumë krijimin e kësaj shoqatë në Shqipni nga BSPSh. Duhet vue në dukje edhe roli që ka luejtë aso kohe në takimet me të huejtë përkthyesi Sokol Muça, një njeri me të vertetë pozitiv.
Në muejn Korrik 1991 BSPSh e Shkodres kishte lidhje me Kryesinë e Tiranës, Kavajës, Durrësit, Korçës dhe me Kryesinë e BSPSh kombinatit tekstilit të Beratit. Lidhje të ngushta janë mbajtë gjithnjë me Kryetarin Gëzim Kalaja, i cili i ka vazhdue ato lidhje edhe mbas 1997.

Humbja e Kryetarit të BSPSh së arësimit, të Ndjerit Qazim Lika asht kenë një ndër fatkeqsitë ma të mëdha që ka pasë Sindikata e Shqipnisë, mbasi Ai përsonifikonte një qytetar të formuem e të kulturuem që luftonte dhe punonte për marrveshje e mirkuptim ndërmjet besimeve. Ai ishte dhe mbetët simbol i tolerances Fetare mes besimeve për të gjithë brezat e ardhshme!

Në muejn Shtator 1991, në datat 11, 12, 13 dhe 14 u organizue në Durres një seminar i BSPSH me rreth 200 anëtarë nga kryesitë e gjithë Shqipnisë. Aty drejtonin amerikani Donald Slaiman nga USA, Tom Cook nga Britania dhe Sasha Morina nga Gjermania. Ditën e fundit ata dhanë konkluzionet dhe porositë e tyne për BSPSH, tue u cilësue nga D. Slaiman me këto fjalë: “...Ju jeni Sindikata që keni thye dogmen e komunizmit!”. Ndërsa, në emnin e të gjithë BSPSh Ata u falnderuen dhe u përshëndetën nga anëtari i Kryesisë së Shkodres Fritz Radovani.
Mbas mbledhjes së organizueme në teatrin “Migjeni” me z. Tony Freeman, që ishte Nënsekretar i Shtetit në USA,

me datën 18 Korrik 1991, dhe takimit të nesërm me Té në hotel “Dajti” bashkë me Ferdinandin, unë kam kuptue mirë lojën e sindikatave italiane, të cilat bashkë me socialistët e Kraksit e Martelit, kanë luejtë rolin ma negativ për t’ardhmen tonë në të gjitha drejtimet...e, kryesisht në zhvillimet e ngadalshme demokratike tek na, veprime të cilat gjetën një terren shumë të përshtatshëm në të gjitha hallkat e pushtetit demokratik që posa mori drejtimin e shtetit, filloi kompromisin me ishkomunistët tue ua krijue të gjitha mundësit e korrupsionit dhe të ruejtjes së “imunitetit” të paprekshëm të gjithë kriminelëve, nga Ramiz Alia e deri tek vrasësit e të rijve në të katër anët e vendit prej piramidave kufitare e deri tek Mali me gropa...në afersi të Tiranës...apo, gjaksit e pafalshem të sigurimit shtetit që filluen me vra me “ligjët” e Kanunit, kur 95 % e tyne as nuk njihnin as emnin e Autorit të Tij, e që as nuk e kishin pa kurrë atë liber!
Ndonse pushteti, gjykatat, prokuroria dhe institucionet tjera ishin në doren e sigurimit dhe të komunistëve, lufta e BSPSH për zbardhjen e vrasjeve të 2 Prillit asht kenë pa kompromis dhe, këte e dëshmojnë proces –verbalet, filmat dhe dokumentat e takimeve të Kryesisë sonë, ku ishin Ferdinand Temali, Ben Borshi, Fritz Radovani etj, përballë kriminelëve Çapajev Taçi, Dilaver Papare, Rapi Mina, Kiço Koçi, Qemal Lame, Hajredin Shyti, Shefki Bejko, Vladimir Meçe, Gramoz Ruçi, Kastriot Islami e deri tek “hija e zbetë” e Ramiz Alisë...që hallakatej tue “i marrë erë”.. kolltukëve të Enver Hoxhës. BSPSH protestoi dhe kerkoi edhe lirimin e të burgosunve politik të 14 Janarit 1990, Rin Monajka, Gjergj Livadhi, Dedë Kasneci etj. që vazhdonin dënimin. Dyert e “burgjeve” ishin garancia e të gjitha fitoreve të PPSh dhe sigurimit të shtetit komunist.

Djelmët tonë u vranë po askush nuk ishte kenë “fajtorë”..!
Burim i të gjitha pasojave dhe disfatave asht kenë atëherë e prap sot mos hapja e dosjeve, dhanja e shumë dokumentave false të pastertisë së figurave, të cilët arritën me kenë edhe drejtues ndër rrethe të degëve të Partisë Demokratike, tue fillue nga qyteti i Shkodres në vitin 1991 – 92 e ma vonë. Kjo solli pasoja rrenuese mbasi ishspijunët jo vetëm rimorën drejtimin e shtetit, por edhe mbrojtën të paprekuna labirintet e sigurimit shtetit terrorist i cili riforcoi pozitat e korrupsionit dhe pasunoi në mënyrë të vrullshme hallkat e lidhjes së spijunve, me komunistët e konvertuem në “demokrat”. Shumë nga spijunët e njohtun bane sikur u terhoqën nga vendet e punës, por pushtetarët e rijë u ndejën gati tue u krijue mundësi të reja të vendeve të tjera, si bie fjala në dogana, polici financiare, noter në gjykata apo zyre pasaportash, në zyra të këthimit të pronave e pak ma vonë në firmat piramidale, ku lulzoi neokomunizmi kapitalist i fortifikuem me ishoficerët e sigurimit, që i siguronin kushte largimi nga Shqipnia të gjithë këtyne hajdutëve dhe vagabondave me anën e gomoneve apo pasaportave false si dhe rrugë të tjera, që dispononin në portet e blindueme detare këta spijun. Njëherësh filloi trafiku i armëve dhe i drogës...
Komunistët “proletarë” filluen ekonominë e tregut me kioska dhe tavolina, tue shitë para dyerve të tyne mallna importi...Ky ishte një veprim largpamës i R. Alisë atëherë kur ai shperndau rezervat e fundit bankare, për pasunimin e komunistëve e spijunëve besnikë të tij.
Sabotimet për rrugën e demokracisë ishin të planifikueme direkt nga naltë. Kur shoqatat e hueja fillue me sjellë ndihma kryesisht për zonat fshatare të vorfna, kujtoj shkuemjen në Pukë, ku ishim me Ferdinandin dhe dy anglez tek spitali dhe, posa ikem na sigurimi organizoi djegëje dhe përleshje, ku gjeti vdekjen edhe një qytetar, vetëm me krijue pasiguri udhtimi për të huej që donin me çdo kusht me ndihmue spitalet dhe qendrat e shndetsisë ku gjendja ishte e mjerueshme.
Këta veprime të organizueme ndikuen për keq tue krijue imazh të papelqyeshëm dhe tue kalue turma të tana njerzish në një zhgënjim ndaj të gjitha sakrificave që kishin ba, e kryesisht Rinia e cila lau me gjak rrugen për arritjen e Fitores së Demokracisë aq shumë të dishrueme. Njerzit e ndershëm që luftuen në ballin e luftës mbetën fukara dhe të vorfen pa asnjë fitim për mos me thanë se humbën edhe të gjitha iluzionet e Fitores...e, një ndër ta ishte edhe luftari i Demokracisë në Shkoder, Ferdinand Temali...pa u zgjatë me qindra të tjerë qytetarë shkodranë.
Gjithnjë shokët e bashkpuntorët dhe të gjithë Ata anëtarë të BSPSh, që luftuen për me rrëzue komunizmin gjakatar do të kujtojnë Luftarin Trim të Saj Ferdinand Temalin...e, do të kujtojmë... në sa e sa Përvjetorë të tjerë zanin e Tij, që edhe sot vazhdon me ushtue si gjithmonë:
“Do fitojmë apo jo?!...Po, Po, Po..!”
Me këte rast po ripërsëris fjalët e Prof. Arshi Pipës, që mi ka thanë personalisht mue:
“...Jeni e vetmja Sindikatë e një vendi të vogël, por që keni rrëzue një qeveri me të gjitha tiparët e terrorizmit komunist, gja që deri sot nuk ka ndodhë në historinë e të gjitha Sindikatave të botës!...” (Shkoder, 1993).

E, Themelues i Asaj BSPSH, organizator dhe luftar besnik në betejën e përmbysjes së komunizmit ishe Ti, e vetëm Ti, o i pavdekshmi Ferdinand Temali!..
E, Populli Heroik i Shkodres me të gjithë ne të tjerët,.. mbas Teje!
Imazh
Fritz Radovani - Bashkëthemelues i Sindikatës Parë Demokratike të Shkodrës pas komunizmit

Melbourne, Janar 2011.

Shënim i Autorit:

Ky material asht pjesë e marrun nga dorshkrimi em, me rastin e themelimit të BSPSh në Shkoder: “Fitoria BSPSh asht disfata e komunizmit” Melbourne 2009. I kerkoj ndjesë të gjithë Atyne që koha më ka fshi emnat e Tyne nga kujtesa.

[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari