Mendesia shqiptare, mendimtaret shqiptare dhe krijimit i mendimit shqiptar
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
At Zef Valentini - mendimtar i madh i shek. XX-të
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4572
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Ndriçim Kulla: Zef Valentini, “hija” që duhet ndriçuar


"SHQIPTAREVE IU MUNGON LITERATURA E NDERGJEGJES" Ndricim Kulla

albanologu italian

Kush është jezuiti italian që adhuronte Shqipërinë

06 Gusht 2004

Një italian 20-vjeçar, vendos të shkelë Shqipërinë e viteve ´20. Ishte një prej jezuitëve që u mrekullua me gjithçka hasi në vendin e shqiptarëve.

Kalendari shënonte fillimin e viteve ´20, kur ai shumë shpejt e mësoi gjuhën shqipe në mënyrë të përkryer, dhe nuk kishte asnjë shenjë dalluese nga e folura e shqiptarëve. Quhej Zef (Giuseppe) Valentini dhe i dha Shqipërisë dhe shqiptarëve, kontributin më të amdh që mund të jepte një i huaj. Krejt në hije për dekada me radhë, Zef Valentini, albanologu dhe albanofili më i madh shqiptar, do të nisë të zbulohet pak nga pak dhe të njihet më në fund.

Më 25 prill 1968, me rastin e festimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Papa Pauli VI në Romë, ndër të tjera, foli edhe për At Zef (Giuseppe) Valentinin, duke thënë: “Shqiptarë! Duajeni At Zef Valentinin, se ai ju dashuron me zemër. Çmojeni, se ai punon paprerë, për të njohur përpara botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është juaji, sepse i ka vënë çështjes suaj mendjen dhe zemrën e vet”.

Por në Shqipëri, në vitin 1968 kishte njerëz dhe ambiente që me vetëdije të plotë e zhdukën emrin e tij dhe nuk e përmendën kurrë, ndërsa ai, përtej tokës shqiptare, punonte pandërprerë derisa vdiq. Së fundi, shumë prej veprave të tij mbi Shqipërinë, do të botohen të plota nga shtëpia botuese “Plejad”, ndërsa botuesi Ndriçim Kulla, pas një pune të gjatë disavjeçare me veprën e tij, ka shumë për të thënë për Zef Valentinin.

Cili është ky “shqiptar” kaq i shquar me një emër të huaj?
Nuk mund të flasësh për lartësimin e kulturës shqiptare, pa u ndalur në kontributin e Zef Valentinit, i cili konsiderohet sot si një nga albanologët më të mëdhenj shqiptarë, si një albanofil i jashtëzakonshëm dhe, së bashku me Branko Merxhanin, me shkrimet e tij brilante publicistike, është një nga majat më të larta të etikës dhe iluminizmit shqiptar.

Në vitet 1920-1945, një falangë e shquar shkrimtarësh dhe mendimtarësh shqiptarë të organizuar rreth revistave dhe gazetave më të rëndësishme të kohës si “Përpjekja shqiptare”, “Hylli i dritës”, “Leka” dhe “Demokratia” e Gjirokastrës, u përpoqën me përkushtim për të ripërtëritur Rilindjen Kombëtare, në drejtim të kulturës dhe mendimit. E në botën e veçantë mendore të asaj kohe, njëri nga zërat më të dalluar ishte edhe Zef Valentini. Ndërmjet revistës së shquar,‘LEKA’, drejtuar për tetë vjet rrjesht prej tij, me shkrimet rigoroze, të mprehta e të mbushura me informacione historike e kulturore, ai u mësonte shqiptarëve se si ta vëzhgonin dhe zgjidhnin problemin e tyre kombëtar, me filozofi dhe ndërgjegjje kritike. Kësisoj, At Zef Valentini u bë shembull i kristalizimit të një tendence që synonte analizimin e së tashmes, rindërtimin historik të së shkuarës, dhe një orvajtje e guximshme për të vendosur bazat e së ardhmes, të karakterizuara nga cilësitë e veçanta të shpirtit etnik shqiptar, që ishin dashuria për lirinë dhe lidhjet e forta me traditat e shëndosha.

Nga ana tjetër, Zef Valentini ka edhe një famë ndërkombëtare për kontributin e tij të çmuar në fushën e albanologjisë dhe studimeve historike, duke i shtuar kështu një faqe brilante aktivitetit të tij të dëndur në mendimin filozofik, sociologjik dhe edukimin demokratik, qytetar dhe humanist të individit shqiptar.

Ç’mund të na thoni më hollësisht mbi jetën dhe veprën poliedrike të këtij njeriu të madh?
Ishte italian i lindur në rrethinat e Padovës, i diplomuar në filozofi (1924) dhe teologji (1928). Që në moshën 20-vjeçare vjen me detyrën e misionarit jezuit në Shqipëri. Në fare pak kohë, e mësoi aq mirë shqipen sa nuk dallohej prej shqiptarëve të tjerë. Ndërmjet viteve 1922-1932, ushtroi mësuesinë në Gjimnazin Jezuit të Shkodrës. Vepra e parë për Shqipërinë “Kolegja Saveriane ndër 50 vjetët e para 1877/´78- 1927/´28”, u botua shqip dhe italisht. Një vit më pas shkruan në shqip një biografi të Garcia Moreno-s dhe pas tre vjetësh, përkthimet e “Polieucte” të Kornej-it, “Sauli” të Alfieri-t dhe një libër me poezi. Boton, gjithashtu, bashkë me akademikun e njohur italian, Fulvio Cordignano, një studim mbi hakmarrjen historike të shqiptarëve. Nis në vitin 1940 edhe një kronologji mbi historinë e Shqipërisë, nga viti 313 e deri në shekullin XIII, nga e cila u botuan vetëm dy vëllimet e para. Prej vitit 1932 drejtoi revistën e njohur “LEKA” deri më 1943 dhe, së bashku me të revistën “Lajmtari i zemrës së Krishtit” (1933-1939). Të dy organet mbajnë kontributin e dendur të Zef Valentinit, në mjaft argumente të shkencave shoqërore (histori, dokumentacion e arkivistikë, letërsi, filozofi, jurisprudencë etj).

U largua nga Shqipëria në fund të vitit 1943. Në Itali themeloi dhe drejtoi revistën “Letture”, numri i parë i së cilës doli në janar 1946, por s’e harroi kurrë Shqipërinë. Rifilloi kështu nga botimet për Shqipërinë: “E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare” (1956), “Ligji i maleve shqiptare 1880-1932”, (1969), dhe prej 1968 e deri më 1973, dy vëllimet e para të veprës “E drejta juridike shqiptare”.

Më pas nisi redaktimin e 30 vëllimeve të veprës së tij monumentale, “Akte shqiptaro-veneciane të shekujve XIV- XV”, që hedhin dritë mbi një fazë tepër të rëndësishme të historisë shqiptare e që i dhanë autorit famë ndërkombëtare. Për fat të keq, sa qe gjallë ai pa të dilnin në botim vetëm 25 vëllimet e para, pavarësisht se vepra e plotë qe dërguar për shtyp që më 1976. Veç punës studimore, ndihmesa e Valentinit në fushën e pedagogjisë dhe studimeve mbarëshqiptare është veçanërisht e spikatur. Në vitin 1955 ai bëhet titullar i Katedrës së Gjuhës Shqipe, në Universitetin e Palermos (1955) dhe po aty themelon dhe drejton “Qendrën ndërkombëtare të studimeve shqiptare”. Nga ana tjetër, Valentinit i njihet jo vetëm një kontribut i çmuar në fushën e albanologjisë dhe studimeve historike shqiptare.

Një kontribut me vlera të rëndësishme në fushën e mendimit filozofik dhe edukimit familjar, qytetar dhe shoqëror, të cilën ai shpalosi në shtypin e kohës.

Probleme të edukatës, etikës, moralit, humanizmit njerëzor, ishin “leksione” të cilat ai i trajtonte nga këndvështrimi i një mendimtari edukator. Kategori të tilla filozofike si e mira dhe e keqja, optimizmi dhe pesimizmi, ai i ngriti në planin teoriko-filozofik, duke i konkretizuar madje edhe me jetën e ardhshme të sociologjisë së shqiptarit.

Ç’vlera të veçanta aktuale, historike dhe kombëtare do të kishte përzgjedhja dhe botimi i veprës së këtij autori për publikun shqiptar apo për opinionin e huaj?
Kam lexuar këto ditë librin e Samuel Huntington, ”Konflikti i qytetërimeve”. Më ka bërë shumë përshtypje dhe më kanë ngacmuar shumë opinione; mendimi i tij që i klasifikonte shqiptarët në qytetërimin tipik mysliman. Për mendimin tim, ky është një opinion i gabuar, një tabu e kompozuar nga sulmi historiografik i fqinjëve tanë me anë të superprodhimit të botimeve të tyre, për të errësuar traditat dhe historinë e qytetërimit, të cilit ne i përkasim. Kjo është njëra nga mangësitë tona historike dhe një problem aktual dhe serioz që i përket kontributit tonë për zbulimin e së vërtetës. E Zef Valentini, si një shkencëtar dhe albanolog i madh, me publicistikën e tij të shumtë, me librat dhe dokumentet e bollshme të mbledhura nëpë arkivat e botës, e sidomos me kryeveprën e tij 28-vëllimshe, “Akte shqiptare-veneciane” të shekullit të 14-15-të, na paraqet një Shqipëri ekumenike, me shumë elemente romake e të krishtera në kulturën e saj; një Shqipëri me lidhje të forta me Perëndimin për një periudhë jashtëzakonisht të gjatë, që i kalon pesë shekujt e lidhjeve të afirmuara me të. E ka ndodhur, jo rrallëherë në historinë tonë, që mjaft vepra e dokumente shkencore, që mund të na favorizonin me gjeopolitika të privilegjuara, lihen në harresë apo nënçmohen, kur ndërkohë ato janë fryt i një arsyetimi të ftohtë, profesional e mjaft të dëgjueshëm në qarqet e duhura, që mund të vendosin mbi nivelin e lidhjeve të ndryshme gjeopolitike.

Atëherë, si është e mundur që një vlerë e tij, kaq e madhe kombëtare, të jetë lënë në hije për një kohë kaq të gjatë?
Shkaku kryesor i harresës së kësaj figure madhore të albanologjisë shqiptare, sigurisht që ka të bëjë me regjimin komunist, edhe pse ai nuk u mor kurrë me politikë militante në Shqipëri. Gjithsesi, duke njohur ideologjinë komuniste, një qëndrim i tillë arrin të imagjinohet, ndërkohë që është e papërligjshme dhe fajtore harresa që i është kushtuar këtij autori nga brezi i studiuesve, kritikëve dhe institucioneve tona, që pas viteve ´90. Përmasat e këtij personaliteti me famë të jashtëzakonshme ndërkombëtare meritonin jo më harresë, por një vlerësim maksimal në të gjitha nivelet: shkollë, arsim, analizë, kulturë e histori. E duke sjellë ndërmend fjalët e Papa Paulit VI mbi dashurinë, pasionin dhe gjeninë që ai derdhi për Shqipërinë, është imperative nga ana jonë, që nëpërmjet ndriçimit të kësaj ‘hijeje’, ku ai është lënë, pra, nëpërmjet botimit të plotë, së paku të veprës së tij, të arrijmë jo vetëm të respektojmë kulturën dhe dinjitetin tonë, por edhe t’i shërbejmë interesave dhe strategjive tona vitale kombëtare.


Pak për jetën dhe veprën e misionarit jezuit
Kush është At Zef Valentini


Ai quhej Zef Xhuzeppe Valentini, italian i lindur në rrethinat e Padovës. U diplomua për filozofi në vitin 1924 dhe më pas për teologji në vitin 1928. Kur ishte vetëm 20 vjeç, ai mbërriti në Shqipëri me detyrën e misionarit jezuit. Ndërmjet viteve 1922-1932 ushtroi profesionin e mësuesit në Gjimnazin Jezuit të Shkodrës. Ndërsa vepra e tij e parë, për Shqipërinë, titullohet “Kolegja Saveriane ndër 50 vjetët e para 1877/´78-1927/´28”, një vepër e cila u botua në gjuhën shqipe dhe italiane. Më tej ai shkruan në gjuhën shqipe një biografi të Garcia Moreno-s dhe në vitet që pasojnë merret me shumë përkthime në gjuhën shqipe të autorëve të njohur botërorë dhe, paralelisht, disa studime historike mbi shqiptarët dhe studime të tjera letrare mbi autorët shqiptarë. Nga viti 1932 drejtoi revistën “LEKA” deri më 1943, së bashku me të, revistën “Lajmtari i zemrës së Krishtit”. Në fund të vitit 1943 At Zef Valentini largohet nga Shqipëria për në Itali, ku drejtoi revistën “Letture”. Në Itali ai nisi të botojë shumë tekste mbi Shqipërinë. Në vitin 1955 ai bëhet titullar i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos, ku themelon dhe drejton “Qendrën ndërkombëtare të studimeve shqiptare”.

Vepra të Zef Valentinit

“Kolegja Saveriane ndër 50 vjetët e para 1877/´78-1927/´28”
“Biografi e Garcia Moreno-s”
“Polieucte” e Kornej (përkthim)
“Sauli” i Alfieri-t (përkthim)
“Studim mbi hakmarrjen historike të shqiptarëve” (Bashkautor me Fulvio Cordignano)
“Kronologji mbi historinë e Shqipërisë nga viti 313 e deri në shekullin XIII”
“E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare” (1956)
“Ligji i maleve shqiptare 1880-1932” (1969)
“E drejta juridike shqiptare”
“Akte shqiptaro-veneciane të shekujve XIV-XV”
Revista “Letture” (themeluar prej tij më ´46-n në Itali)
“Shkodra dhe poeti i saj” (ese për Ernest Koliqin)
“Fishta” (studim për Gjergj Fishtën) etj.

Jezuiti italian që dashuronte Fishtën

“Ai është Homeri shqiptar, një poet nga më të mëdhenjtë”

“Fishta është një Homer shqiptar. Ai nuk është vetëm një poet i madh kombëtar. Ai është nga më të mëdhenjtë në botë. E rëndësishme është që ai të njihet prej saj”.

Ky ishte vlerësimi i At Zef Valentinit për poetin “e cunguar” në Shqipëri për shumë e shumë vite, poetin e vargjeve të mrekullueshme të Lahutës së Malcisë. Studimi i Valentinit për Fishtën është një studim madhështor. Kështu thotë botuesi Kulla, ndërsa rrëfen rrugët dhe përpjekjet e këtij studiuesi për të depërtuar te të mëdhenjtë e letërsisë shqipe. Sepse At Zef Valentini është një studiues krejt i veçantë.

Me kritikat e tij, pas viteve ´30 ai lë gjurmë në kritikën e letërisë dhe autorëve shqiptarë.

“Përveç një varg përkthimesh, aktiviteti i Valentinit është mjaft i spikatur edhe në kritikën letrare të autorëve tanë më përfaqësues”,- thotë Kulla. Sipas tij, “më madhështori është studimi i tij, “Fishta”, ku me mprehtësinë dhe zbulimin e detajeve dhe metrikës, ai e çmon autorin si një Homer shqiptar, si një poet jo vetëm kombëtar, por edhe nga më të mëdhenjtë në botë, mjaft që të përkthehet e të njihet prej saj”.

Më tej, ai përmend kritikat e famshme të Valentinit mbi Mjedën dhe Koliqin. “Për Ernest Koliqin, Valentini ka shkruar një ese të gjatë me titull “Shkodra dhe poeti i saj”, një ese mjaft interesante”,- cilëson Kulla, duke përmendur pas kësaj studimet mbi arbëreshët e mëdhenj De Rada dhe Zef Skiroi.

“Madje, për poemën e njohur të këtij të fundit, me titullin “Kthimi”, ai citon se është për letërsinë shqiptare ashtu siç është “Komedia hyjnore” e Dantes në letërsinë italiane”,- citon botuesi. Ai thotë se për të mos u harruar në letërsi, janë edhe dy krijime të tij autentike, mjaft të bukura artistikisht, kushtuar flamurit shqiptar. Njëri sonet titullohet “Flamuri u ngjall”. Po ashtu, një krijim tjetër i Zef Valentinit, mjaft interesant, i kushtohet arkeologut të madh shqiptar dhe martirit të shquar të idesë kombëtare, Shtjefën Gjeçovit.

E megjithkëtë, në fushën e studimit ai la edhe shumë gjurmë të tjera. Studime mjaft të rëndësishme prej tij u lanë edhe për metrikën e gjuhës shqipe. Sipas botuesit Ndriçim Kulla, i një rëndësie tejet të veçantë është edhe një studim i tij i gjatë, i botuar në shumë numra të “Leka”-s, mbi metrikën shqipe. Më tej, këtë studim të gjatë Zef Valentini e plotësoi, kohë më vonë, në formën e një traktati, të cilin ia dhuroi Ministrisë sonë të Arsimit të asaj kohe, ku shënonte se mund të përdorej në shkollat e mesme.

Sipas Kullës, po të përjashtohej vepra e Luigj Gurakuqit, “Vargnimi në gjuhën shqipe”, një vepër kjo e botuar në vitin 1906, studimi i Valentinit është i pari libër i këtij lloji në gjuhën shqipe.


Valentini i botuar në Shqipëri

Botuesi i shtëpisë botuese “Plejad”, Ndriçim Kulla, e ka obligimin e tij kryesor për momentin. Fjalët e Papa Paulit VI mbi dashurinë dhe pasionin që Zef Valentini derdhi për Shqipërinë, e kanë shtyrë gjithmonë të mendojë se “nëpërmjet ndriçimit të kësaj ‘hijeje’, ku ai është lënë, pra nëpërmjet botimit të plotë të veprave të tij, të arrijmë jo vetëm të respektojmë kulturën dhe dinjitetin tonë, por edhe t’i shërbejmë interesave dhe strategjive tona kombëtare. Ai thtoë se ka bërë tashmë gati për botim një pjesë të veprës së Valentinit, dhe një nga veprat e tij mbi Kanunin, sistemin legjislativ të kohës në Shqipëri, për kohën e Skënderbeut, si dhe shumë studime të tjera të bien në dorën e lexuesve shqiptarë.

''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4572
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
“Dënimi” në liri i një albanologu Zef Valentini»

Vendosur: 28/07/2008

• Ndriçim Kulla

Që At Zef Valentini, ishte një historian dhe albanolog i përmasave ndërkombëtare, përveç qarqeve akademike dhe dijetarëve të specializuar, besoj se është një gjë e njohur edhe për shumicën e lexuesit shqiptar. Po kështu njihet edhe qasja goxha vitale dhe gati unisore që autori arriti të ketë me gjuhën shqipe, në të gjitha dimensionet e saj: kërkimore, dokumentare, kulturore, letrare dhe lëvruese. Megjithatë, pasioni i tij më i gjallë për gjatë gjithë jetës dhe fusha shkencore e studimeve ku ai shpalosi gjithë erudicionin e vet të stërmadh ishte historia e Shqipërisë. Kjo ishte arsyeja madhore që ai iu përvesh punës studimore nëpër rafte e arkiva bibliotekash, duke grumbulluar një sasi të bollshme dokumentesh të pabotuara, ose të botuara veç pjesërisht apo të mbetura në dorëshkrim. Qëllimi i tij kryesor ishte sistemimi në mënyrë të qartë i periudhave më të trazuara të historisë shqiptare, nëpërmjet sitës së një kontrolli të saktë të dokumentacionit. Për këtë arsye, ai ndërmori fushata të shpeshta kërkimesh arkivistike. Më 1939 shkon në Napoli, ku viziton Benedeto Kroçen, asokohe filozof me famë botërore, duke i kërkuar atij tregues shpjegimorë për Arkivin e Napolit dhe një letër rekomandimi për drejtorin e këtij arkivi. Madje, tregohet se ai s’u zmbraps së vazhduari kërkimet e tij si inspektor i Arkivit historik të Korfuzit më 1942, edhe pse gjatë shfletimit të materialeve i duheshin mjete të posaçme mbrojtëse nga infeksioni që mund t’i përhapte mortaja e një lloji të veçantë, që shkakton “lunga” të mëdha në trup e që mikrobin e saj mund ta mbajë të mbijetuar për shekuj të tërë.
Themelon pas vitit 1945 Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Palermo dhe fillon që nga viti 1956 e deri në fund të jetës botimet e tij madhore për jetën dhe kodin zakonor të shqiptarëve, për aktet juridike shqiptare, në dy vëllime, dhe kryeveprën në 30 vëllime “Akte shqiptaro-venete shek XIV-XV”.
Për të gjitha këto arsye bota jonë kulturore (por paresishte ajo shtetërore) lipset t’i kushtojë nderimin dhe respektin e vet më unikal, këtij hulumtuesi të jashtëzakonshëm me ndërgjegje dashurore dhe shkencore për Shqipërinë, që ajo sot ka në dorë një material të bollshëm për të shkruar faqet më kryesore të historisë së vet, sidomos ato të periudhave të errëta të saj.
“Shqiptarë! Duajeni At Valentinin, se ai ju dashuron me zemër. Çmojeni, se ai punon paprerë, për t’ia bërë të ditur botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është juaji, sepse i ka dhënë çështjes suaj mendjen dhe shpirtin e vet”. Këtë vlerësim merrte se kështu do të shprehej fare publikisht Papa Pauli VI, përpara mijëra të ftuarve ndërkombëtarë që merrnin pjesë në solemnitetin kremtues të kongresit kastriotian mbajtur, më 25 prill 1968 në Romë, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë të madh kombëtar.
Për plot 10 vjet nisa të punoj me projektin Valentini dhe me shumë punë dhe përpjekje vetëm në këta 4 vitet e fundit kjo punë arrin të bindë pushtetarët shqiptarë dhe ministrat përkatës të kulturës, duke filluar nga Arta Dade, e më pas Blendi Klosi e Bujar Leskaj, për të ndihmuar të paktën botimin e disa veprave që u mblodhën, seleksionuan, sistemuan, përkthyen e u bënë gati për botim. Nuk ka qenë e lehtë kjo aventurë, pasi duheshin kaluar shpesh ngarkesa personale dhe partiake, pse jo dhe ziliqare e ndërhyrje të fshehta, për të dalë sipër vetes dhe situatës. Por ajo që arriti të fitojë ishte materiali super-shkencor dhe i nivelit të lartë, që përfaqëson vepra e Valentinit dhe përgjegjshmëria e ministrave përkatës.
Për fat të keq, Atdheu ynë në vitet e trazuara të luftës e në vazhdim, tregoi – më e pakta – një shenjë të lartë mosmirënjohje ndaj një njeriu që me famën e krijuar nëpërmjet dy revistave që drejtoi dhe aktivitetit të stërmadh në fushën e Albanologjisë, kish arritur të përfaqësonte një nga majat më të larta në etikën dhe iluminimin e kulturës shqiptare të atij brezi të viteve ‘30-të, që u shfaq plot energji e vullnet përtëritës në skenën shoqërore dhe politike të Shqipërisë. Nga mirëdashës dhe mirëbërës i kulturës sonë kombëtare, ai u shndërrua menjëherë në një armik të Atdheut, madje në njërin nga më të rrezikshmit. I shpëtuar, ndoshta falë intuitës së Koliqit, i cili duke parë përkeqësimin e gjendjes në Shqipëri, e dërgon të punojë në arkivat e Italisë, ai do të vazhdonte të kërkohej për vite të tëra e të procesohej vazhdimisht njëlloj si kriminelët e tjerë të luftës, si ai që “kish guxuar të monopolizonte kulturën shqiptare apo si spiun i vjetër i SIM-it e Gestapo-s”. Se si mund të klasifikohet kështu një njeri i tillë ndoshta është një mister, që s’do të zgjidhet kurrë, por e rëndësishme është që misteret e qëndrimeve ndaj figurës së tij të mos vazhdojnë edhe në vitet e demokracisë. E kjo për faktin se “dënimi” i tij vazhdoi pa ndërprerje, jo vetëm në vitet e luftës, por deri në vitet e fundit të regjimit. Është me të vërtetë shtangës, por edhe e hidhur në thelbin e vet, që një autor i tillë i përmasave ndërkombëtare në Albanologji të mos ketë rrezatuar me gjithë fuqinë e diellit të tij shqiptardashës në hapësirat e ftohta kulturore dhe akademike të Shqipërisë përpara, por sidomos pas ‘90-ës. Si mund të ketë ndodhur vallë anashkalimi i një historiani me një famë të tillë? Ndaj, nuk duhet parë si e rastësishme që heshtja dhe ostracizmi i tij ka vijuar edhe në vitet e lirisë. Ndoshta metastaza dhe lobime të zgjatura të atij projekti famëkeq vazhdojnë të helmojnë ende dhe sot.
Me dëshirën e mirë dhe objektive për t’i përmirësuar gjërat në fushën e librit dhe sidomos librit albanologjik, u kërkua më tepër prej ministrit te mëparshëm Bujar Leskaj. Mirëpo, ka projekte e aktivitete me vlerë që u filluan me shumë devotshmëri prej ministrit Leskaj, që tani gjenden në amulli e heshtje të frikshme. Një shembull konkret është edhe ndërprerja e botimit të veprës së Valentinit prej ministrit Pango, për të cilën duhej të kishte entuziazëm dhe jo një refuzim të heshtur. Nuk arrin askush ta besojë e ta kuptojë padijen apo mosdashjen e një ndërmarrje të tillë nga ana e ministrit të sotëm të Kulturës? Por, as qeveria nuk duhet të shpëtojë nga njolla e turpit për një “dënim” të ri e ç’është më e keqja në kulm të lirisë, që po i kryhet aktualisht veprës së Zef Valentinit me mungesën e interesimit për të ndihmuar vepra të tilla albanologjike.
Për të gjithë ata që merren me librin, shqyrtimi i vlerës së kërkuar për financim, të lë të kuptosh menjëherë që s’kemi të bëjmë aspak me një kërkesë fitimprurëse. Kriza që po kalon libri sot e bën krejt të pamundur botimin pa financim të librave të tillë specifikë, shkencorë, në një treg të vogël si Shqipëria, aq më shumë që botimi i veprave të tilla nuk mund të mendohen ndryshe veçse si projekte shtetërore në çdo vënd. Prandaj, shqetësimi është intelektual dhe i përgjegjshmërisë publike, paçka se në këtë pikë ai përkon edhe me një iniciativë private.
I kemi kërkuar edhe më parë në një artikull para disa javësh, qeverisë dhe ministrisë përkatëse, mbrojtjen e librit të traditës, të historisë dhe gjithë dimensionit albanologjik, nga kriza e tregut dhe lënia e tij në dorë të “industrisë së kulturës”, si shprehje të krizës së frikshme që ka mbërthyer kulturën shqiptare. Ndoshta po e vëmë përsëri veten në skenë për një kauzë të vështirë, por që na jep atë ndjenjë përfaqësimi, vullneti shkencor dhe intelektual.
Projekti i ndaluar “Valentini”, i cili është një projekt i qartë albanologjik dhe mjaft i rëndësishëm për këtë vend, po na çon edhe një herë në fillesat e rihapjes së një problematike, në fillesat e një gjurme të çmuar për albanologjinë tonë, që synon të zbulojë e botojë, por që në këtë nismë të vet duhet të ketë pas vetes patjetër një vullnet të dukshëm politik. Ky vullnet mungon. Me këtë vullnet këto dije të fshehura, dikur të ndaluara mund të shkojnë shumë larg. Pa këtë, ato do të vazhdojnë të na befasojnë, por jo të bëjnë atë hop të madh cilësor që i takon historiografisë shqiptare dhe ndërgjegjes së saj nacionale, tashmë të zgjuar ndaj kësaj literature. Ajo që luhet është goxha themelore për të ardhmen ndaj rrugës së numërimit të turistëve që po bën ministri. Prandaj, kësaj emergjence duhet t’i përgjigjet një politikë ministeriore, e madje qeveritare.
Dhe si provë e qartë e një vullneti të tillë, “hija” ku kërkon të zhytet Valentini, duhet të ndriçohet medoemos. “Dënimi” i tij dhe i dhjetëra veprave albanologjike nuk duhet të çohet deri në fund. Ajo s’duhet të ngelet “pre” e një nënçmimi të tillë flagrant nga institucionet si asnjë herë tjetër, as e skutave të egoizmit, qoftë intelektual e qoftë njerëzor. E kjo jo vetëm pse veprat që ai la pas, mund të na shërbejnë si një domethënie e sigurt në konjukturat e sotme gjeopolitike, por edhe pse është e një rëndësie jetike që shoqëria shqiptare ta kthejë kokën e ta shohë drejt e përballë këtë diell dashurie dhe erudicioni, të atij që mund të quhet pa pikë droje emblema e një albanologu të madh, por mbi të gjitha e një albanofili të jashtëzakonshëm.

Marre prej gazeta Panorama
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 03 Mars 2021, 23:43
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari