Mendesia shqiptare, mendimtaret shqiptare dhe krijimit i mendimit shqiptar
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
Tajar Zavalani - Mendimtar i Madh i shekullit të XX-të
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4572
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Tajar Zavalani, mendimtari që modernizoi publicistikën shqiptare
Imazh


Tingëllime shqiptare

Nga Ndriçim KULLA

Tajar Zavalani është një bilbil që i këndoi me zemrën dhe mendimin e tij lirisë, drejtësië dhe idealit tonë kombëtar një jetë të tërë. Ai për ne shqiptarët është nga ato gurë të çmuar që fatkeqëssht edhe sot nuk ka rrezatuar akoma këtu në vendin e tij. Të merresh me Tajar Zavalanin dhe veprën e tij, ndërkohë përjeton edhe një dramë. Ana dramatike qëndron tek njohja dhe mos njohja mirë e këtij personaliteti të shquar të kulturës tonë kombëtare. Shumë nga ata që "vdisnin" për lirinë takoheshin me të fshehurazi për natë nëpër valët e B.B.C. duke thyer terrin informativ që u serviste pushteti komuniste, me të vërtetat që mësonin nga lajmet dhe komentet e bëra dhe të transmetuara prej tij. Ndërsa mosnjohja qëndron tek brezi i ri. Propaganda dhe çensura komuniste kishte bërë të pa mundurën për të fshirë çdo lidhje të brezit të ri me mendimtarë të tillë të kalibrit të Tajar Zavalanit, mendimi i të cilëve rrezantonte dritë lirie dhe qytetërimi. Eshtë një mosnjohje dramatike e imponuar nga klika komuniste që Shqipëria e sundoi për 50 vjet me radhë, mosnjohje e cila brezit të ri sidomos i ka kushtuar shumë.

Tajar Zavalani është një pesonalitet me peshë në kulturën e gazetarinë shqiptare të viteve tridhjetë. Ai është përkthyes i romanit "Nëna" të Gorkit,"Ana Karenina"dhe "Sonata e Krojcerit" të Tolstoit, Tregimit "Njeriu me kllëf" dhe "Novela të zgjedhura" të Çehovit, Fajdexhiu "Gobsek" të Balzakut, Romanin "Tartarin e Taraskonit" të A.Dode, Romanin "Ishulli Thesarit" të Stevansonit, "Zonja me Kamelie" të A.Dumas ( i biri). Gjithashtu ai është përkthyes i librit "Jeta e Napoleonit" të Emil Ludvigut të cilën e la në dorshkrim, përkthyes i librit "Njeriu ky i pa njohur" të A.Karrelit që e la në dorëshkrim dhe i disa veprave të tjera politiko - shoqërore që kanë autorësinë e tij dhe meritojnë kujdesin e veçantë për botim. Tajar Zavalani njeriu që investoi një jetë të tërë në B.B.C, lindi më 1903 në qytetin e Manastirit. Si bir i Dangëllisë të Përmetit nga ishin edhe vëllezërit Frashëri, familja e tij e vendosur në Manastir ishte një familje me tradita patriotike. Babai i tij Feim Zavalani ishte kryeredaktor i gazetës "Bashkimi i kombit" botuar në Manastir më 1907-1908. Më 1922 ai vjen në Tiranë për të filluar punë në Ministrinë e Jashtme ku u caktua si sekretar për çështjen e kufijve. Më vonë punoi si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme. Së bashku me Ali Kolonjën bën të gjitha përpjekjet në diplomacinë ndërkombëtare që të ndryshonin vendimet e vitit 1913 dhe vitit 1919 në konferencën e Versajës për kufijtë e Shqipërisë që lanë shumë pjesë jashtë saj. Në vitin 1925 shkon për të vazhduar studimet e larta për ekonomi politike në Rusi. Në Rusi humbet të vëllanë e tij Hysen Zavalanin i cili pushkatohet nga qeveria ruse për ngjarjet e vitit 1937-38 kundra diktatit të Stalinit. Situata ruse e përgatit Tajarin një antikomunist të vendosur. Më 1930 shkon në Zvicër ku qëndron tre vjet dhe 1933 kthehet në Shqipëri nga ku punon si gazetar dhe përkthyes. Në kohën e pushtimit fashist të Shqipërisë Tajar Zavalani emigroi në Angli dhe filloi punë si gazetar në emisionet e Radio - Londrës. Plot 26 vjet ai punoi si drejtues i seksionit të gjuhës shqipe në B.B.C. Nga valët e kësaj radioje ai bëri të njohur Luftën Antifashiste të Shqipërisë dhe përcolli me vërtetësi çdo vendim që u mor nga fuqitë e mëdha për këtë luftë. Antikomunist i vendosur për 26 vjet komentoi rrezikun e asaj që ndodhte në Shqipëri nga regjimi diktatorial. Ai vdiq më 19 gusht 1966 në Londër në moshën 63 vjeçare me bindjen se Shqipëria do të çlirohej një ditë nga komunizmi. Mes shokësh të shumtë shqiptar dhe anglez ai u varros për t'u riatdhesuar një ditë në atdheun e tij.

Në vendin tonë jo vetëm që është mbajtur një heshtje nga ana e regjimit komunist për këtë figurë i cili është shquar për kulturën e tij të lartë, për patriotizmin dhe mendimet e tij demokratike, por ai është ndjekur këmba këmbës nga ana e njerëze të shërbimit sekret për t'u vrarë. Lidhja e brezit të ri me mendimtarët të tillë të cilët u shquan për vizionion e tyre të qartë për ta orientuar Shqipërinë plotësisht drejt botës së lirë e të qytetëruar perëndimore me siguri do të na ndihmonte për zgjidhjen e shumë problemeve.



Figura e Tajar Zavalanit, fare pak e njohur me parë sidomos nga lexuesit e rinj është një figurë poliedrike. Nëse "Histori e Shqipërisë" e punuar prej tij në mërgim që ka kohë që është në duar të lexuesve shqiptare flet për punën e tij krijuese që ka bërë në Perëndim kur Shqipëria jetonte nën diktaturë libri "Misioni i shek XX" shpreh kontributin publicistik të këtij personaliteti në gjithë spektrin e shtypit të viteve 30. Përmbledhja "Misioni i shek XX" që ka kohë që lexuesi ka në duar, ka pothuajse pjesën më të mirë të shkrimeve (artikuj, recesione, sprova, polemika etj), që T.Zavalani ka botuar në të përkohshmet shqiptare duke nisur që nga viti 1930 deri në vitin 1939 qoftë me emrin e tij, qoftë me pseudonimet e shumtë të përdorur si T.Z., ZAKS, TANI, TARZANI,TA,tz,T etj. Duke shpërfletuar faqet e gazetave dhe revistave të kohës "(Illyria, Minerva, Bota e re, Përpjekja shqiptare, Koha e Re, Besa, Shtypi, Shkëndija, Leka, Vatra, Rilindja etj bindesh se ai është një protagonist në gazetarinë e asaj kohe. Shkrimet e tij zbulojnë.nje pene të mprehtë ,një kulturë të gjërë, e solide, një vizion të hapur dhe demokratik për shumë cështje, zbulojnë prirjen e tij të theksuar drejt Europës. Së bashku me një plejadë të tërë intelektualësh të atyre kohërave (Branko Merxhani, Vangjo Nirvana, Ernest Koliqi, Nibil Cika,Migjeni, Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Mit'hat Araniti etj) ai përpiqet për të vënë gishtin në plagët më të dhimbshme të shoqërisë shqiptare, të analizojë ato me realizëm dhe të përpiqet që të shikojë edhe ndonjë rrugëzgjidhje. Në këtë përmbledhje shkrimet janë ndarë në katër grupe të mëdha që të lejon të kuptohet edhe me mirë bota e pasur intelektuale e këtij njeriu që flet me kompetencë si për cështje politike dhe historike, ashtu edhe për cështje ekonomike e shoqërore, artistike e kulturore etj. Kurse në pjesën e dytë vështrimit të Zavalanit nuk i shpëton thuajse asnjë problem i qenësishëm shoqëror sic mund të jetë raporti i brezave, gjendja e gruas, kriza e familjes shqiptare etj. Interesant paraqitet edhe pjsa e tretë ku vec të tjerave nëse nuk gabojmë hasim shkrimet e para muzikore dhe ku shohim që të flitet me kompetencë për këngëtarë dhe muzikantë si Tefta Tashko (Koço) , M.Paluca, K.Antoniu etj.

Siç mund te kuptohet edhe nga titujt e këtij libri tematika e trajtuar nga autori është e larmishme dhe shumë interesante. Mendimet dhe vëzhgimet e autorit janë përherë të mprehta të motivuara drejt dhe ajo që na intereson ne është se kanë një vlerë të jashtëzakonshme aktuale.

Pas publikimit të veprës madhore të Tajan Zavalanit "Historia e Sqipërisë" korpusi i veprës së këtij historiani, mendimtari dhe atdhetari të madh shqiptar fiton një dimension shumë të rëndësishëm me publikimin e publistikës më të zgjedhur të tij, në 20 vjet të angazhimit konsistent të tij në këtë fushë. Misioni i Shek.XX" është pasaporta më e saktë e marrëdhënies së gjatë të T.Zavalanit me opinionin publik shqiptar një dimension i shoqërisë civile i cili ndoshta zë fill njëkohësisht me sprovat e tij të para publistike. Pa u përpjekur të llustrojmë, zbukurojmë e lehtësojmë skalitjen e këtij raporti marrëdhëniesh të komplikuara sepse zhvilloheshin në një ambient të zbrazët, thuajse pa histori dhe precedentë. Fenomenet moderatore të publicistikës së Zavalanit shërbyen si referenca në përpjekjet e më vonshme për kultivimin e mentalitetit perëndimor mbi pushtetin dhe përgjegjshmërinë e shtypit dhe opinionit publik.. Guximi publistik u bë bashkudhëtari i penës së T.Zavalanit.



Në një fushë pa precedent ne histori dhe rrethana te zbrazëta mund të tkurrnin diapazionin e interesave dhe angazhimeve të individit, veçanërisht kur sprova të tilla lindin në periudha ku klima e komunikimit nuk është fort e përshtatsme e kur interesat e palëve të përfshira në këtë komunikim nuk interferojnë me njëra tjetrën . Nëse për klimën mund të them se ishte e tillë në shtetin ende të brishtë shqiptar, nuk ndodh në determinimin e pengesave që gjeneron kjo klimë.Për Zavalanin, përgjegjshmëria e pasardhësit të Rilindasve, themeluesave të shtetit shqiptar, është ushqimi i domosdoshëm dhe i mjaftueshëm për t'u mbrojtur nga referencat negative të kohës. Botkuptimi thellësisht nacionalistë shtysa që pjell guximi publicistik te Tajar Zavalanit nuk prezantohet si atavizëm filozofikë. Krejt tjetër ndodh. Pikpamjet si interesa të tilla, janë jo të nevojshme e më se keq, jo të rëndësishme për publicistikën e shtetit të ri shqiptar, u bën pengesa më e madhe në ndërtimin e shtratit fillestar të saj. Duke munguar historia e mirfillët, pionierët e publicistikës shqiptare huazuan nga publicistika moderne prirjen sinkronike të saj, e cila prej dallimeve që vinin nga diferencat në zhvillim dhe nga pamundësia e zbatimit rigoroz të saj në Shqipëri, rezultoi në një sistem të zventuar pa shpirt, pa të ardhme dhe të pakuptueshëm për opinionin publik të saj. Filozofia nacionaliste e Tajar Zavalanit përkundrazi ironizonte vetvehten në optikën e publiçistikës së tij, me një gamë interesash të gjëra dhe të guximshme që buronin nga shqetësimet e ligjshme të momentit ku " të zotët e punës" konsolidonin shtetin shqiptar. Këto interesa, pikërisht prej momentit kur gjeneroheshin, prezantoheshin për opinionin publik shqiptar si jetikë. Njëkohësisht integrimi i tyre në një platformë shtetërore dhe institucionale e bënin publicistikën e tij krejt moderne e perëndimore, polimiste e fisnike kërkuese e të përgjegjshme. Për Zavalanin është njëlloj e rëndësishme si të merresh me tezat për një ideologji shqiptare, si të shprehësh për krizën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Natyrisht që është e kuptueshme dhe justifikueshme kjo teori pariteti në publicistikën e tij. Në një fushë ku në zbrazëti çdo gjë konturohej nga fillimi, sprovat prezantoheshin detyrimisht të plota dhe universale, përtej limiteve, sektare të teorive moderne të publicistëve modernë,, të cilët prej kohësh e kishin profilizuar diapazionin e interesave të tyre. Universalizimidhe institucionalizimi i profesionalizmit të publicistikës së Zavalanit ,shfazimi që shfaqte historia e publicistikës shqiptare ballas asaj Europiane i kërkonte adoptimin e veçantë të rregullave, ndarjeve, kodeve dhe marrëdhënieve që impononte përvoja e huaj. Ky shfazim merrte dimensionin e konfliktit mes profilizmit dhe universalizmit. Shqetësimet u përkasin sërish të njëjtëve njerëz, atyre që kishin marrë përsipër që të konturonin bazat e publiçistikës shqiptare. E nëse ata që bënin "Hosana" për çdo gjë që ngrinte krye në perëndim, ofruan modelin e zvetënimit publicistik me imitimin e profilizimit europian, Zavalani eci si edhe shpeshherë të tjera kundra rrymës. Duke patur si të shenjtë realizimin e një komukimi të plotë mes tij dhe sa më shumë lexuesve ai preferoi të zbresë nga "Olimpi i profesionalëve" e duke duruar edhe akuzat e pa drejta për mungesë serioziteti e shkelje etike, bëri objekt të publicistikës së vet çdo shqetësim të shqiptarëve, të gjendur për herë të parë në marrëdhëniet e koklavitura në shtetin e krijuar prej atyre vetë. Këndvështrimi i tyre shprehet larg terminologjisë teknike e akademike, ndoshta duke mos qenë shumë rigoroze, por ku e ku më e kuptueshme për shqiptarët dhe më e rëndësishme për veshët e shtetarëve të cilëve u drejtohej së pari. Kjo filozofi e të shkruarit dhe të shprehurit për të qenë organike dhe e plotë nuk lejonte limite tematike. Kështu si politika ashtu edhe ekonomia ,si letërsia ashtu edhe muzika e sporti nuk ndjejnë dallimin e nënës dhe të njerkës. Cdo problem bëhej i rëndësishëm dhe i denjë për publicistikën e tij po të mendonim se gjithçka shihej nën dritën e atdhetarit që vërente se diçka nuk shkonte mirë në shtetin e vet. Por T.Zavalani nuk mund të mos pranonte edhe risqet që sillte një optike e tillë. Duke dhënë shembullin e një etike të lartë profesionale ai shprehet vetë për mangësitë kur bënte kritikën muzikore të recitaleve të Tefta Tashko Koços."Por ç'mund të bëjnë të tjerët kur profesionalisht janë tulatur e nuk duken gjëkundi"-thotë ai në revistën Minerva. Megjithatë në sajë të këmbënguljes së tij për të prezantuar një publicistikë të plotë ai i njeh vlerën punës së vet, ku e pohon pak kohë më parë se në sajë të përsjelljes besnike të aktivitetit muzikor të kryeqytetit edhe në një koncert të muzikës klasike kinemaja e kryeqytetit mbushet plot e për plot. Evidentimi i rolit edukues të publicistikës shqiptare në një vend ku "klima" nuk është shumë mikpritëse, është etaloni që tregon se rruga që zgjodhi Zavalani ishte më e drejta e që institucionalizoi triumfin e universalizimit mbi profilizmin, zgjidhja e vetme profesionale për një publicistikë të përgjegjshme dhe rezultative.

Shoqëria e hapur prej Tajar Zavalanit u konsiderua qartë si vaksina e vetme kundra totalitarizmit. Ndoshta nga këndvështrimi i sotëm ngjan si një evokim i demagogjisë patetike të politikës shqiptare të viteve 90, si një rrimarrje që inicioi shndërrimet e shoqërisë shqiptare, por nuk është gjë tjetër vec evidentimit sintezë të sociologjisë së publicistikës së Tajar Zavalanit.



Për të kuptuar avanguardën e këtij parimi, mjafton që të mendojmë si edhe sot e gjithë ditën, filozof dhe mendimtar shqiptar, që u ka mbetur ora një shekull pas, tjetrën teori mbi dobinë e shoqërisë së mbyllur, mbi konservatorizmin rigoroz të shoqërisë shqiptare e mbi prioritetet e lirsë së kufizuar. Janë me dhjetra titujt e Zavalanit që luftojnë qysh në embrion rrezikun që këto teori të fitojnë qytetarinë. Politika, ekonomia, kultura, historia dhe religjioni janë fushat ku zhvillon betejën e vet Tajar Zavalani. Shteti dhe pushteti besimi dhe toleranca fetare, roli i brezave në periudha shndërrimesh historike emancipimi i gruas etj..., përbëjnë një tematikë që merret dhe rimerret në kontinutet., gjithmonë në të njëjtin drejtim:për një shoqëri të hapur shqiptare pluraliste dhe moderne. Natyrisht, gjetja e një harmonie dhe ekuilibri të drejtë me subjektin ku drejtohen opinionet e Zavalanit në vitet 30 ishte një punë assesi e lodhshme e që impononte vetvetiu edhe zbritjen tek kompromisët. Kështu rrethana kohore i impononte domosdo limitin, përtej të cilit publicistika nuk do ishte e dobishme.

Superstruktura kulturore e popullit shqiptar për aq sa mund të duket e thjeshtë, është mjaft solide për shkak të gjurmës mijvjeçare të historisë. Për rrjedhojë limitet tematike prezantohen shpesh në publicistikën e Zavalanit por ato përkundër hileve të akademikëve gazetareskë e që nuk merreshin fare me këto punë, janë limite të guximshme dhe maksimalisht efektivë.

Një pozicion i tillë aktivë sillte me vehte nevojën e vazhdueshme për vetmbrojtje. Afër mendsh skematikët nuk mund të toleronin një model të ndryshëm nga rregulli. Megjithatë na duket se replikat e Zavalanit kanë një dimension thellësisht profesionale e nuk zbresin në shpërfaqje personale e klanore sic po ndodh sot rëndomë në mjaft gazetarë dhe opinionistë të shtypit të përditshëm. Nuk ndjen shumë vështirësi për të kuptuar se në gjithë përmbledhjen e zgjidhur publicistike të Tajar Zavalanit nuk ka pozicionin istikami. Ai shkruan tek "Minerva" replikon me "Minervën" , shkruan tek "Tomorri" por edhe tek "Bota e Re" dhe kështu me radhë. Ai shkruan gjithandej në shtypin e kohës, por kur është fjala për të kontestuar gjëra që nuk shkojnë e bënë pa hezitim duke mos u bërë skllav i lidhjeve dhe pasioneve sentimentale, as me ato redaksi gazetash që ai është bashkëpunëtor i preferuar dhe i zgjedhur. Polemikat e tij janë përplasje ambicioze me fanatikët të cilët me qëndrimet e tyre ndalojnë konceptet e reja, por edhe me kozmopolitët të cilët me qëndrimet e tyre ndalojnë dhe shkatërrojnë traditat vendase. Megjithatë me një sens të matur mase, beteja kundër shfaqjeve e qëndrimve totalitare e intrasigjente përbën "biblën" e Tajarit, unitetin e publicistikës së tij. Të publikosh një përmbledhje publicistike që përfshin një aktvitet të dendur 20 vjecar në një spektër me të vërtetë të komplikuar që i shtrin ndikimet e veta në të gjitha trojet shqiptare është në radhë të parë një punë serioze që tregon se sa seriozisht shoqëria jonë e ka marrë punën për të kthyer në jetë ato mendimtar shqiptar që na kanë munguar.

Në fletoret e përditshme, të përjavshme si dhe revistat e ndryshme ai shkruajti me kurajo për politikën, edukatën, për shtetin, atdheun, madje edhe për ekologjinë. Një nga vecoritë karakteristike të publicistikës së tij që e manifestonte kryesisht gjithë shtypi i kohës ishte fakti se ai jetonte në msionin e tij, të qetë i natyrshëm pa sensacione dhe bubullima të tepruara , duke aplikuar një etikë morale dhe gazetareske shembullore dhe dke qenë plotësisht në pararojën e këtij shtypi. Tajar Zavalani ishte në lartësinë e misionit të vet duke i dhënë shumë këshilla shoqërisë dhe duke ndricuar së bashku me një grup intelektualësh pararojë ide të rëndësishme që do të bënin të mundur ndryshimin e Shqipërisë. Vizioni i tij për ndryshimin e Shqipërsë ishte gjithmonë perëndimor, pikërisht nga Evropa, andej nga i kishin sytë ai dhe bashkohësit e tij të kulturuar, por që morali dhe predikimet e tyre të bëheshin të besueshme, ata i referoheshin edhe mentalitetit psikologjik që përjetonte asokohe shoqëria shqiptare. Gjithmonë midis brezave të ndryshëm të një shoqërie ka patur dhe do të ketë antagonizma që lindin nga pikpamja të kundërta dhe kundërshtime të papajtueshme para ngjarjeve të jetës. Dhe kjo ka se si shpjegohet. Rryma historike ecën pa u ndalur përpara dhe brezat që shkëmbehen në vallen e jetës janë fuqia vepronjëse që ajo përdor. Ata e ndjekin se janë në moshën e akvitietit krijonjës. Realizojnë qëllimet që ajo fsheh në gjirin e vet të mbarsur me forma të reja, por vjen një ditë që në jetën e cdo brezi kur ai rëndohet dhe nuk mund ta ndjekë më. Kurse rryma e jetës me hovin e vet të furishëm shkon gjithmonë përpara. Brezi që e ka ndjekur deri dje ngec i habitur nuk i kupton ndryshimet që duken në rregullin e shoqërisë dhe që i kqyr punët nga një pikpamje e vjetëruar meqë nuk mund ta gjej fajin në vetvehten e tij, kujton se jeta u marros. Dhe atëhere nisi reaksioni, rrymën që nuk e ndjek as e sundon dot ai mundohet ta ndalojë, ta kthejë prapa. Kjo është një dilemë që karakterizon tërë fazat e ndryshimeve, cilësore të shoqërisë njerëzore, por vitet që shoqëruan ngjarjet shoqërore të paspavarësisë shqiptare e sidomos të viteve 1930-1940 e bënin tragjike këtë dilemë. Udhëkryqin e kësaj dileme e bënte më të komplikuar jo vetëm konflikti midis botës së vjetër që nuk e ka të lehtë tia lërë vendin botës së re, por edhe lidhjeve specifike historike të kësaj bote që trashëgonte e kaluara jone."Të vjetrit përjetësuan sistemin e trashëguar nga Turqia otomane, ku populli kqyrej si"bashkodhanës" që kish të gjitha detyrat dhe asnjë të drejtë-shkruan ai në artikullin"Të vjetërit apo të rinjtë". Ata sipas tij ishin produkt i një regjimi ku filozofia dhe politike përmblidhej në sentenca që e quanin të humbur atë që nuk pasurohej në dëm të arkës së shtetit. Kohërat e athershme nuk i mësonin njerëzit e atij regjimi as të ndjejnë, as të mendojnë, as të veprojnë si miza të një kolektiviteti. Për ata bota nis dhe mbaron atje ku vetëm e vetëm nga pikpamja e dobisë vetjake që mund të kishin"ideali i tyre si nënpunës të shtetit ka qenë një jetë paraziti pa mendime dhe pa andralla dhe me kënaqësi të shumta e vulgari. Ata sa qenë në fuqi vepruan brenda një horizonti të ngushtë që nuk e ndiqte aspak lëvizjen e kohës, evolucionin e natyrshëm,por vepruan me konceptin e një shteti të dështuar. Populli e quajtën "turme amorfe" ose lope që milet dhe nuk bën të zë. Para, ishte nevoja që të formohej ndërgjegjia kombëtare, të zhdukeshin difektet e krijuara nga pesë shekuj sundimi të huaj. Të vjetërit këte nuk e bënë. Ata nuk ditën të shëronin plagët shoqërisë historike. Tajar Zavalani ishte një nga mendimtarët e qartë shqiptarë të kohës që jo vetëm e kishte kuptuar këtë gjë, por kishte menduar edhe seriozisht sesi duhej ndryshuar . Që në fillim deri në fund të publicistikës së tij qe daton edhe me largimin nga Shqipëria mbas pushtimit të saj më 7 prill të vitit 1939, ai shprehu nevojën të formohej ndërgjegia e qartë kombëtare dhe të zhdukeshin ndasitë e krijuara nga pesë shekuj sundimi të huaj. "Rinia shqiptare duhet që të flakë jashtë rradhëve të saj arivistët, syrtykët, dallkaukët e mbledhur nga janë dhe nga s'janë. Duhet që të zhdukë nga rrethi i vet frymën e ndotur të kohës së kaluar dhe të ngjallë shpirtin e solidaritetit, mystikërinë e së mirës së përgjithshme, nderimin e emrit shqiptar dhe përbuzjen për ata që i vënë njollë këtij emri - shkruante ai në essen publicistike "Probleme Shqiptare".

Tajar Zavalani ishte i mendimit se krijimi i shpresës tek rinia ishte i rendesisheme, sepse e mobilizon atë,Ne artikullin e gjatë "Pikpamje të përgjithshme ai konstaton se rinis shqiptare nuk i dhimbset që vuan, por mjafton që të rroj me shpresa, të ketë bindjen se sakrifikohet për diçka që vlen se jeta nuk i mbetet e zbrazet dhe pa kuptim. Ajo duhet që të ketë një ideal dhe ky nuk mund të jetë jetë jetë tjetër, veçse hapja e rrugës drejt qytetërimit. "Të vjetrit nuk mund të kuptojnë problemet e kohës, dëshirat e rinisë për ndryshim" - shkruante ai. Brezi i vjetër në shumicën dërrmuese ishte edukuar nën sundimin e perëandorisë osmane, e cila ishte teokraci absolute, me sulltan, kalifë, sheriatë e kadilerë në mes të monarkive absolute "ndërsa intelektualët e rinj në mes të monarkëve kushtetuese dhe republikave demokratike".

Në atë periudhë historike, ku kishte vetëm 2-3 dekada kur Shqipëria ishte shkëputur politikisht nga turpi dhe tmerri bizantino-otoman, dolen disa intelektualë të vërtetë, të vendosur dhe të edukuar me një frymë të qartë perëndimore, ku njëri prej tyre ishte Tajari. Për të si dhe për shumë të tjerë Shqipëria duhej të ecte sa më shpejt, por ndërkohë të shikonte me kujdes dhe të mos adoptonte edhe difektet e botës perëndimore, që siç dihet në atë periudhë ishte e turbullt. Për të ndriçuar një rrugë të tillë popullit ,një detyrë parësore u takonte intelektualëve, prandaj ai e këshillonte elitën shqiptare që ta përmbushin këtë detyrë që vetëm nëpërmjet mendjes dhe kulturës së tyre arriheshin qëllime të tilla historike. Por, Tajar Zavalani i fton intelektualët shqiptarë që ta njohin mirë realitetin shqiptarë, të jenë njerëz të gjallë, me frymë praktike, të merren me çështje konkrete, të shkruajnë kuptueshëm për probleme që preokupojnë të nesërmen. Ata duhej që të mos harronin se "pleqtë u katandisën në një luftë për karrigen, prandaj atyre u duket se ndertesa është ideale dhe ajo s'mund të bëhet më e mirë. Ai duhej të shtonte si rrogat e majme dhe dhe pasuritë e mëdha nuk i shihnin që të vështronin larg. Drejtësia, liria, dashuria për atdhe kanë vlerë universale, por nënpunësit halldup s'kishin ndërmend që ato t'i mësonin dhe t'u përkushtoheshin atyre.

Në vitet '30 të shekullit të kaluar në Shqipëri pati një luftë mendimesh të kundërta, të cilat ishin mjaft të nevojshme për ecurinë e mëtejshme të vendit. Loj-lloj gazetash dhe revistash që qarkullonin, bënë një emancipim të paparë masiv të vendit. Merita e madhe e tyre ishte se ato i kishin ndërgjegjësuar faktin se 28 nëntor 1912 nuk ishte veçse fillimi i një historie të re në historinë shqiptare. Nëpërmjet shkrimeve të shumta propozoheshin rrugë për zhvillimin e atdheut të tyre drejt horizonteve të reja. Lexuesi i vëmendshëm e kupton lehtë se sulmet që u bënë në kohën e diktaturës kundër mendimeve dhe autorëve të asaj periudhe, kanë qenë jashtë kohës dhe hapësirës.

Eshtë fjala për ata autorë, që nuk u pajtuan me pushtuesin e paftuar. Tajar Zavalani si një nga intelektualët më të shquar të asaj kohe, bën pjesë në atë kategori ku me pendën e tij të mprehtë, iu fut punës për një Shqipëri të re, duke u matur pa u tutur me mbeturinën bizantino-osmane, që kishin zënë rrënjë gjatë shekujve. Por, ndërkohë nuk duhet harruar që ai ka qenë mendimtari, qe modernizoi edhe gazetarinë shqiptare.

''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4572
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Tajar Zavalani [1903-1966]
Tajar Zavalani, erudit dhe figurë e ndritur e nacionalizmit dhe kulturës shqiptare


(Me rastin e 40-vjetorit te vdekjes 15 gusht 1903 - 19 gusht 1966)


40 vjet më parë u shua jeta e birit të shquar të kombit tonë, intelektualit erudit të përmasave europiane, Tajar Zavalani, njeriu që investoi një jetë të tërë në BBC. Me një biografi të pasur prej shkrimtari, gazetari, përkthyesi, historiani e politikani, ai u lind në Manastir më 15 gusht të vitit 1903. Si bir i Dangëllisë së Përmetit, nga ishin edhe vëllezërit Frashëri, familja e tij e vendosur në Manastir, ishte një familje me tradita të shquara atdhetare e patriotike. Meqë në atë kohë nuk kishte shkolla shqipe, i ati e dërgoi në shkollën franceze, të cilën e kishin hapur në Manastir misionarët katolikë, të ashtuquajturit "Vëllezërit Maristë". Megjithatë, i ati u përpoq t'i japë edhe njohuritë në gjuhën shqipe nga një anëtar i familjes Qiriazi, anëtarët e të cilës më vonë hapën në Korçë Shkollën Femërore Shqipe.

Gjatë Luftës së Parë Botërore (1916), kur francezët bombarduan dhe dogjën Manastirin, me shumë të tjerë edhe Tajari la vendlindjen dhe shkoi në Selanik. Aty u hapën disa shkolla franceze, rreth të cilave u mblodhën nxënësit refugjatë.

Tajari i dha të gjitha provimet gjatë gjithë viteve që mësoi aty, ku mbaroi edhe studimet në degën e letërsisë. Sipas dëshmisë së konsullit francez, i cili i kishte dorëzuar diplomën, Tajari në atë kohë ishte laureati më i ri që kishte kryer studimet në universitetet franceze.

Pas studimeve, përkohësisht mbeti te prindërit. Babai i Tajarit kishte pronat e veta në rrethin e Manastirit. Duke parë se si në vjeshtë pjesa më e madhe e prodhimeve shkonte në hambarët e zotërisë e jo të atyre që kishin derdhur djersën duke punuar, Tajarit të vogël iu duk e padrejtë kjo gjë. Kur ishte në moshën dhjetë vjeçare mori guximin t'i thoshte babait se nuk ishte e drejtë ajo si vepronte ai. Nga ajo ditë vazhdimisht mendonte si t'i ndihmojë katundarit, njeriut të vogël që vuan, i cili po ashtu kishte të drejtë të kalonte një jetë të denjë njerëzore.Gjithsesi i ati Fehim Zavalani, një nga themeluesit e Komitetit të Fshehtë të Manastirit (1905), kryetar i Klubit të Manastirit (1908) dhe drejtues i gazetës "Bashkimi i Kombit", pati një ndikim të rëndësishëm në formimin e tij intelektual.

Kur po i viheshin themelet shtetit modern shqiptar, më 1922, u ftua që të merrte një detyrë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai ishte nga ata pak shqiptarë me diploma franceze, ndihma e të cilëve ishte shumë e nevojshme për shtetin e ri shqiptar, që po bënte hapat e parë të jetë në pavarësi. Me të marrë ftesën ai u nis me entuziasëm në atdhe, të cilit dëshironte t'i shërbente me të gjitha fuqitë që kishte. Në fillim qe emruar sekretar i Komisionit Shqiptar për Çështjet e Kufijve, të cilin e kryesonte Ali Pash Kolonja. Ky Komision merrte pjesë në grupin e përfaqësuesve ndërkombëtar të shteteve të ndryshme, që kishin mbi vete këtë çështje. Në fakt kufijt ishin të caktuar në Konferencën e Paqes, mirëpo ky Komision kishte për detyrë t'i zbatonte përfundimet e bëra që të ishin sa më të natyrshme.

Pas kësaj detyre Tajari qe emruar Sekretar i Legatës Shqiptare në Romë. Ashtu si shumë të rinj intelektualë shqiptarë të brezit të tij, ra në kontakt me idetë komuniste të kohës, duke ushqyer endrrën se komunizmi do të ishte rruga e shpëtimit të popullit të shumëvuajtur shqiptar.

Më 1925 gjendet në Rusi për të plotësuar deri në fund "ëndrrën e jetës" së vet. Kishte menduar dhe dëshiruar të studionte elektroteknikën, por në vend të saj studioi ekonominë, ku njëkohësisht me një zell të posaçëm mori diplomën e shkencave politike. Ai e kishte përherë parasysh të mirën e ardhmerise së popullit, ndaj deshi të sakrifikonte edhe veten për idealet që kishte. Kur e pa mashtrimin e madh që iu bë, ishte tepër vonë për tërheqje, sepse shpesh herë i binte në vesh për kolegët e tij të humbur në terr. Rusia e zhgënjeu mjaft Tajarin e ndjeshëm e të drejtë, për më tepër kur vëllai i vet Hyseni, një ushtarak i aftë, shok i Riza Cerovës, ra viktimë e terrorit Stalinist në ushtri (Saratov 1937-38), ndaj gjithnjë lypte rast për të braktisur atë "Parajsë të premtuar".

Në atë kohë, pa pritur iu hap një shteg shpëtimi, kur në derë të tij trokiti një sëmundje, e cila gjeti tek ai strehim të përkohshëm. Kjo i dha mundësinë të largohej e ta linte krejtësisht atë tokë vuajtjesh, torturash e llogoresh, siç e quante ai Rusinë. Kështu shkoi në Zvicër për t'u shëruar, ku ndenji tri vjet.

Prej Zvicrës, shkoi te i ati në Selanik, ku i përmalluar, ishte fare afër atdheut të dëshiruar.

Tajar Zavalani u kthye në Shqipëri më 1933, ku bashkëpunoi me grupe intelektualësh e punoi si gazetar e përkthyes. Ai është një personalitet me peshë në kulturën e gazetarinë shqiptare të viteve 30-të. Shkruan gjithandej në shtypin e kohës- për revistën "Iliria", replikon me "Minervën", shkruan tek "Tomorri" por edhe tek "Bota e Re" e kështu me rradhë. Më 1935, ai ka qenë editor i revistës "Jeta dhe Kulltura". Pas një kohe të shkurtër merret në Ministrinë e Financave, ku kryen detyrën e Drejtorit të Statistikave. Në këtë detyrë mbeti deri në vitin 1939, kur Shqipëria qe shkelur prej armikut.

Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, për përkthimin e "Nënës" dhe artikujt e tij therës, Tajari bashkë me zonjën e tij internohen në Itali, ku kalojnë përdhunazi kufirin dhe shkojnë në Francë. Me një letër iu drejtua Mehmet Konicës, i cili në atë kohë ishte një nga anëtarët e Këshillit Mbretëror, madje iu drejtua edhe Mbretit, duke ia shfaqur me plot sinqeritet mendimet, dëshirat, idetë e idealet e veta. Mbreti jo vetëm që "e fali", por u përgjigj se për Tajarin ka pasur një dashuri e simpati të posaçme, sepse e njeh mirë zemrën dhe thjeshtësinë e tij, ndaj në Francë qe emeruar prej Madhërisë së tij si atashe i shtypit i Oborrit Mbretëror. Kur Mbreti Zog gjendej në Francë, e cila në atë kohë kapitulloi, qe ftuar prej Mbretit të Anglisë, Gjergjit VI (Xhorxhit VI), që të kalonte në Britaninë e Madhe. Me ardhjen e Tajarit në Londër, veç detyrave të tjera, filluan edhe transmetimet e para në gjuhën shqipe me anën e Radio BBC-së, në nëntor të vitit 1940 si përkthyes dhe spiker në Seksionin Shqiptar të Shërbimit për Evropën, së bashku me diplomatin Dervish Duma dhe Anton Logorecin.

-"Ju flet Radio-Londra"-Këto fjalë të përhapura në eter për 26 vjet me rradhë nga goja e Tajar Zavalanit, me komentet e tij të mençura e plot zjarr, do të bënin të njohur para gjithë botës, luften e drejtë të popullit shqiptar.Do të ishte BBC, që fshehurazi nëpërmjet zërit të tij, do të hynte në shumë shtëpi shqiptare, në periudhën e gjatë të territ stalinist që mbuloi Shqipërinë, që do tu dërgonte nga larg shqiptarëve të terrorizuar dhe të demoralizuar frymën e lirisë e të demokracisë.

Pjesëmarrja në politikë ishte vetëm njëra anë e veprimtarisë së Tajar Zavalanit. Letërsia ishte gjinia së cilës i përkushtoi jetën.

Po përmendim përkthimet më kryesore, të bëra gjatë veprimtarisë së tij me një rend kronologjik: "Sonata e Krojcerit" dhe "Ana Karenina" të Tolstojit, "Novelat" e Çehovit, "Nëna" e Gorkit, "Zonja me kamelje" e Alekasandër Dymas - të birit, "Tartarini e Taraskoni" të Dodesë e "Gobsekun" e Balzakut. Si përkthim të përgatitur për shtyp la në Shqipëri kur qe i detyruar të ikë, "Jeta e Napoleonit" prej E. Ludwig, e gjithashtu një pjesë bilingue të të famshmit Larousse (frengjisht-shqip), pjesën shqip.

Në mergim përktheu nga rusishtja në gjuhën frenge librin e kolonelit G.A.Tokaev "Kujtimet e mia mbi parajasën e Stalinit" (Mes memoires - Le Paradis de Stalin), që u botua në Paris më 1957. Si vepër të posaçme publikoi në gjuhën angleze librin "Sa është e fortë Rusia?" (How strong is Russia?), në të cilën dëshironte t'i tregojë botës se lirë se "Ariu i bardhë" nuk është aq i rrezikshëm sa u paraqitet të tjerëve, ku me argumente faktike ve në dukje dobësinë e Rusisë nga brenda, në çdo pikëpamje.Gjithashtu ka lënë në dorëshkrim përkthimin e papërfunduar të "Njeriu-ky i panjohur" të Aleks Karel.

Një vend të posaçëm në veprimtarinë e tij si vepra më e mirë origjinale do të mbetet "Historia e Shqipnis" në dy vëllime, të cilën e botoi në Londër në vitin 1965. Pjesa e parë përfshin kohët prej Ilirëve e deri në Kongresin e Berlinit, kurse e dyta vazhdon e mbërrin deri në ditët tona (në vitet gjashtëdhjetë).Pas gjysmë shekulli ai u botua në atdheun e tij, ku ndër të tjera në promovim Besnik Mustafai, në diskutimin e tij, e ka cilësuar "Historia e Shqipnis" si botim shumë të rëndësishëm. Sipas tij:"Jo vetëm përmbushet një amanet i autorit, por libri sjell historinë e vërtetë të Shqipërisë, për njohjen e identitetit të kombit tonë nga të huajt, në një kohë kur shteti stalinist shqiptar bënte gjithçka për ta mbyllur Shqipërinë."

Në Londër Tajar Zavalani ka mbajtur një varg konferencash nëpër institute të ndryshme mbi Shqipërinë. Tri vjet ishte Sekretar i Përgjithshëm i Pen Clubit të shkrimtarëve në mergim, që vinin nga shtetet e robëruara. Pothuaj se tërë një numër të "Arena" (revistë letrare e klubit të përmendur) ia kushtoi letërsisë shqipe, ku botoi edhe përkthimin e "Gjeniut" të At Gjergj Fishtës në gjuhën angleze, që ai e përgatiti.

Me formimin e Degës ACEN për Evropë (Komiteti i Kombeve të Robëruara), ishte delegat i Komitetit Shqiptar. Në këtë detyrë ishte deri në fund të jetës. Në fakt, vitin e fundit ishte kryetar i Degës ACEN në Londër. Në janar të vitit 1962, si delegat shqiptar, merr pjesë në Këshillin e Evropës në Strasburg. Prania e Tajarit ishte më se e nevojshme, meqë shumë intriga e dredhi të huaja dolën në dritë dhe kështu ai vetë me anën e miqve e tha të vërtetën mbi Shqipërinë.

Kur u botua përkthimi i "Nënës" në revistën "Leka" u botua një kritikë. Nga fundi i recensionit ishin edhe këto fjalë: "Përsa shihet përkthyesi asht tue e lyp të vërtetën edhe nji ditë do t'a gjejë". Këto ishin porsi fjalë të një profeti, sepse kështu edhe ndodhi.

Nuk mund të themi kur qe momenti deciziv i konvertimit të tij në fenë katolike, që gjithnjë e më tepër zuri vend në shpirtin e tij. Qysh në rini njohu At Zef Valentinin S.J. për të cilin pati nji simpati të dallueshme. Deri në fund të jetës nuk mund te harroje miqësinë e këtij meshtari, i cili me thjeshtësinë, dashurinë e simpatinë la përshtypje të madhe tek ai. Në Londër pati rastin të njohë një tjetër meshtar: Rev. P. John-Henry Wheelan, një misionar katolik anglez, i cili kishte kaluar disa vjet nëpër kampet japoneze. U kungua në Kishë, ditën e lindjes së vet, më 15 gusht dhe si emër të ri mori Thomas-Henry - të parin për të përkujtuar apostullin e madh, kurse të dytin për të nderuar pagezuesin e vet P. Wheelan. Si kumbar pati të vejën e kolonelit Aubrey Herbert, mikut të madh e simpatizuesit të Shqipërisë e të shqiptarëve, zonjën Mary Herbert dhe djalin e saj Auberon Herbert.

Shumë më parë se të pagezohej ai rregullisht shoqëronte bashkëshorten e vet Selma për meshë të dieleve e kremteve të tjera e së bashku thonin uratat e veta, sidomos Rozaren e Zojës, të cilës i mbeti besnik deri në fund. Fatkeqsisht nuk pati fëmijë.

Tajar Zavalani shkroi e botoi shumë, por pasuri nuk vuri kurrë, përveçse bibliotekës shumë të pasur. Ai nuk i shiti bindjet e idealet e veta, duke mos u bërë skllav i askujt, as në lindje as në perëndim. Ai mbeti gjithë jetën e vet një intelektual atdhetar, i pastër dhe antikonformist, luftëtar i paepur për të vërtetën.

Vdiq po në muajin e lindjes, në mëngjes herët të 19 gushtit të vitit 1966, i nderuar në udhëtimin e fundit nga respekti i Londrës aristokratike, larg atdheut të dashur.

Si shkrimtar shqiptar në botën perëndimore Tajari u njoh mirë nga shkrimtarët e tjerë të mërguar. Ata e nderuan duke e zgjedhur për disa vjet si sekretar të përgjithshëm të Shoqatës së Shkrimtarëve Pen in Exile. Në këtë funksion përveç të tjerave ai i ka bërë një shërbim të madh kulturës shqiptare, duke e bërë këtë të njihet në mërgim me anën e botimit të një numri të posaçëm të revistës "Arena", pothuajse krejtësisht dedikuar shkrimtarëve kombëtarë, kryevepra të të cilëve kanë qenë përkthyer në anglisht e frengjisht, të cilat ai i njihte aq mirë, sikundër edhe rusishten, gjermanishten, greqishten e italishten.

Dervish Dume, me të cilin Tajari bashkëpunoi për shumë vjet, me rastin e vdekjes së tij ndër të tjera tha:


"… Çdo shqiptar, pa dallim besimi ose partie, e nderonte për atdhedashurinë dhe për patriotizmin e tij të flakët. Kur e thërriste detyra e atdheut, njashtu siç bënë të parët e fisit të tij, Tajar Zavalani kurrë nuk mungoi të gjendet në radhën e parë dhe të vepronte pa frikë … Shokët e tij në BBC-i, ku ai vazhdoi punën pa lodhje për njëzet e sa vjet, janë dëshmues të shpirtit dhe të vullnetit të tij kur ishte puna për Shqipërinë"

Gazeta RD
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 03 Mars 2021, 23:14
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari