Faqe 1 prej 1

Fjalët e Fundit të Martirve Meshtarë Katolikë

PostPostuar: 27 Nëntor 2013, 12:10
nga Laert
Fjalët e Fundit i Martirve Meshtarë Katolikë Shqiptar
Monumentë Drite e Pashueme!


Imazh

Libër i Ndërgjegjes të Kombit Shqiptar
Këmbanë që s’ndalet!
Memoria e Kombit Shqiptar
I

Autori - Bep Martin Pjetri

Pak mbi kuptimin e Fjalëve të Fundit të Njeriut - Institucjon i Vetëdijes dhe Kulturës Shqyptare
Njeriu kur lind nisë të bëlbëzoji dhe bash ky bëlbezim i parë e shoqnuem me ato rrokje të pakodifikueshme ruhen, inçizohen nga shirit i kujtesës të prindit dhe nga ai i pranishmi i vemendshëm. Gja që permenden gjatë jetës e merrë tonin kuptimplotë kur mbyllë sytë për fjalët e para.

Po ashtu ruhen me randsi si thesar edhe ato Fjalët e fundit të njeriut para se të mbylli sytë në çdo rrethanë.
E tuj i ruejt me fanatizëm të dyja kto ekstremitete të jetës së njeriut përban nji vlersim universal të portretit të Njeriut - udhtar i ksaj galaktiket.

Po çndodhi n'Shqypnin e mjerë në institucjonin e Fjalës së Fundit të Njerzve të keqtrajtuem nga kanibalizmi i pushtetit komunist nën trysninë e epsheve të tyne dhe ndikimeve ultra-ideologjike antinjerzore të sllavo-osmanve-turq-komunist dhe nga mbshtetja kapitale - politike - ideologjike nga anglo-amerikanët??

Për çudi askush n'Shqypni spaku pas 1992 nga institucjonet e socjologve, psikologve, antropologve, istorjanve, letrarve dhe fetare nuk u interesoi dhe intereson edhe sot e në vazhdim trajtimi sa human aq dhe i detyrueshëm i subjektit në fjalë socjal i njeriut të keq-dhunuem deri në shfarosje! Sepse padashje kto e zblojnë vedin të implikuem me sistemin komunist diktatorjal si shërbtor të tyne.


Unë nuk jam as socjolog, as antropolog, as psikolog, as historjan, as letrar dhe as prift apo, popë, apo hoxhë, por e ndjej si detyrim njerzor, human si shqyptar që të mos e braktisë spaku edhe anën humane të njeriut që la nji Thesar gjigand të Fjalës Fundit nga Martirët e Fesë Katolike për Ndërgjegjen dhe Kulturën Shqiptare.

Fjalët e Fundit të Njeriut janë ato fjalë që negocion njeriu me vedin duke ja shprehë njerzve që i gjinden pranë në pragë të vdekjes për një qëllim të caktuem. Vdekja ashtë fenomen normal biologjik, ku populli ka një shprehje sa e vërtetë aq dhe ngushëlluese; ”Kush lind edhe do të vdesi”. Shumica e njerzve e vuajnë fenomenin e vdekjes, por ndryshe nga të gjitha të tjera ai e ,,mohon,, atë me bindjet e tij në jetën e përtejme me anë të besimit fetar, pregatijes kulturore etj.
- Testamenti ashtë një dokument i shkruem ligjore para vdekjes në kushte normale i detyrueshëm që përcakton se çfarë dëshiron një person të baji me sendet e tij apo të saj, kur ai ose ajo vdes. Testamenti asht i vjetër sa qytetërimi i hershëm.
- Porosia - Fjalët e fundit të Njeriut në kushte normale para vdekjes mund të quhen edhe Porositë, këshillat e fundit.
- Testamenti i Pashkruem - Fjala e fundit të Njeriut para vdekjes në kushtet e ushtrimit të një dhune, terrori janë në vedvedi një testament i pashkruem sepse në pamundsi fjalët e viktimës shprehen me gojë, me za duke dhanë jetën.
Ndryshimet midis testamentit të shkruem dhe Fjalës të Fundit të Njeriut janë thelbsore për nga rrethanat se si parashtrohen ato.

Fjalët e fundit të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut

Njihen Porositë e fundit të heroit tonë kombtar i Gjergj Kastriotit: ”Çmoni çdo gja ma poshtë se të mirën e përbashkët dhe dobinë publike, rueni gjithmonë paqën dhe bashkimin së pari, dhe pastaj besën e dashamirësinë ndermjet jush. Dhe me të vertetë, s’ka asnjë shtet aqë të fuqishëm dhe aqë të shëndosh që të mos shembet dikur e të mos rrënohet, kur u lëshon vendin mërive dhe grindjeve të përbashkëta, kur vë përpara së mirës së përgjithshme dobinë dhe përfitimin vetiak……” “Historia e Skenderbeut” te Marin Barletit, botim i vitit 1964 faqe 485, Tiranë.

Fjalët e Fundit i Martirve të Kishës Katolike – Testament i Përjetsisë
Në Shqipni ndodhi Tmerri ma i përgjakun se asnji vend ish komunist një gjenocid ndaj nji grupi pakice njerzish me përkatsi fetare katolike prej 1941 deri në 1991. Para ftyrave e shpirtrave gjaksorë hetuesa, prokurora, polica të etun për gjak e thyerje kockash,......u përballën me pafajsinë e meshtarve katolikë të moshave të ndryshme të Shqipnisë. Viktimat dhuruen me bujari thesare akademike dijesh, kontributesh të panumërta edhe me armë kundër barbarve osmanë, kundër tradhtarve shqiptar, kundër okupatorve italiano-gjermanë si dhe kundër diktaturës komuniste.
Ashtë e vështirë të gjëndet në leksikun e pashtershëm të gjuhës shqipe një fjalë përmbledhse të fjalve të fundit të martirve meshtarë para terrorit, gjenocidit antinjerzor. Natyrisht para ksaj tmerri shnjerzor nuk u gjunjëzuen viktima para xhelatve, por u banë edhe ma të fortë, u ringritën në kambë edhe ma të fortë moralishtë duke i shprehë tanë ato fjalë të pakta, që shoqëria shqiptare u tronditë thellë. Ato fjalë të arta nuk u shembën me rrëzimin e trupave të tyne, po u naltsuen në majat e malevesi dhe u shkruen në Librin e Ndërgjegjes Kombtare. Fjalët e Fundit të Meshtarve katolike shpërthenin prej krahnorit e vetëdijes të kjartë e prej plagve vdekjeprurse të tyne para plumbit, në çastet e hedhjes prej kateve të hetuesive, të hedhjes në gropat e gëlqeres, e ziftit e fekaleve, të varun me kry poshtë e të lidhun me tela me gjemba, të hedhun midis dhambve të sëmurve psiqike, para se t’i pritnin kryetin e coptue kambë e duar për së gjallit, gozhdimit të gjuhës për tavolinë, para hedhjes në gjendje të sëmurë randë nëpër kanale ku e shqyenin qenjtë e egërsina e të tjera lloje krimesh të shtetit komunistë.
Ato Fjalë të Fundit para fondamentalistve shnjerzor komunistë nuk ishin absolutisht fjalë friket, shtirjeje apo shfajësimit ndaj akuzave absurde ndaj tyne – viktimë e sistemit ideologjik sllavë. Jo! Ishin mesazhe atdhedashurie, respekti për fenë, lirinë e demokracinë e një kombi shqiptar, ishin dëshmi e një kauze për vdekjen e parakohshëm të pameritueme.

Fjalori i shemtuem i terroristve komunistë para vdekjes

Ndërsa nga goja e diktatorve para vdekjes biologjike delni shprehje kënaqsie, dehjeje që realizuen andrrat e tyne satanike gjakderdhse ndaj nji pakice të kombit, ndaj popullit të vet dhe ndaj klaneve për pushtet. Nji pjesë e terroristave që pushkatoheshin për llogari klanesh shpraznin prej shpirtit tyne para varjes apo plumbit fjalë nga ma të shëmtueme të Gjuhës Shqipe. Këta kishin arsye të zhbraznin pisllëqe nga fjalori i tyne fyerjesh sepse nuk i lanë të vazhdonin projektet e gjenocidit ndaj vlerave të kombit.

Morali i shoqnisë duhet zgjohet nga Varri i Heshtjes

Shoqnia heshti kur para syve tyne derdhej lumë gjaku prej një pakice në krye të shtetit komunistë! Heshtja akuzon randë shoqninë shqiptare, që lejoi parezistencë gjithë këto krime të përbindshme që i bahej prej shqiptarve ndaj shqiptarve! Nuk e kishte aq të lehtë shteti i terrorit të rrëzonte një nga një, e kolektivishtë ato lisa viganë të kombit, sepse ishin të kapun fortsishtë prej fesë e rranjve të kombit shqiptar me aq dashni të madhe. Edhe sot pas 22 vjetve të rrëzimit të komunizmit ndihet stuhia e vigmave të hedhun nëpër shkambinjë e përrenjë sepse drejtsia e shoqnisë dhe e shtetit vazhdon të pranoji holokaustin shtetnor komunistë me heshtjen e turpshme. Fjala e Fundit e tyne ashtë në vetvedi një institucion i gjanë kulture, një libër i madhë i çmuem për kulturën njerzore shqiptare në shekuj. Koha e diktaturës i vështirosi familjet e meshtarve të merreshin me ta nëpër burgje e qelira hetuesie prej frikës dhe tmerrit të pasojave partiake-policore. Gjithsesi me ta ishte populli padallim feje i terrorizuem nga helmi i propogandës dhe frika e shfarosjes përjetonte vuejtjet, likujdimet fizike dhe hedhjes të trupave të tyne jashtë vorrezave. Në ndijesinë e heshtjes, zemra u rrahi fortë e përcilleshin në biseda familjare edhe mbi testamentet e përjetsisë të tyne. Egërsia, urrejtja, revanshizmi, absurditeti i qeverisë komuniste nuk triumfoi mbi zemrat e besimtarve shqiptarë sepse besimi në fe e dashnia për atdhenë ishin ngulitë në vetëdije, në shkambinjtë e vendosun me aq sakrifica e dashni prej punës vigane në fushën e kulturës të Kishës Katolike në shekuj. Ne duhet t’i thërrasim në ndihmë moralit për të reflektue mbi Varrin e Heshtjes ndaj aty Fjalëve të Fund-Jetës të Martirve Meshtarë, që ishin edhe profetike, ku ne si popull po gëzojmë falë edhe kontributit të Mesazheve e Gjakut të derdhun të tyne. Përse ashtë morali? Morali nuk ashtë pastë dhambësh. Morali ashtë aorta, dinjiteti dhe kujtesa i çdo kombi. Morali i kombit u poshtnue keqas nga banda diktatoriale me gjithë makinën e saj mishngranse. U përdhosë dinjiteti, kujtesa, historia dhe shkaktoi pasoja të mëdha sociale.
Heshtja ,,e vdekun,, u zgjue pas 1991. Llogjikishtë zinxhirat e heshtjes duhen kohë të çlirohen nga njena-tjetrën prej traumës sociale. Lypset paqe e pa drejtsi nuk ka paqe. Kuptimin ma të plotë e përcakton në testamentin e tij, martiri 36 vjeçari Don Marin Shkurti me këto fjalë para pushkatimit: „Ju mendoni se me këte “Revolucion” do të fitoni mbi Fenë tonë katolike, por mos harroni, se gjaku i jonë që derdhet tash dymijë vjet rrëkajë ndër thëmelët e Kishave, Ai prap do ti rindertojë këto Kisha që ju po prishni!...” Njeriu duke lexue shpesh herë librin e Historisë të Meshtarve Katolikë gjenë mbi jetën e meshtarve martirë që u rrjeshtuen me pendë, me qendresë paqsore, me armë dhe me Kryqin në dorë vetëm në mbrojtje të lirisë, pavarsisë, dijes e kulturës të Shqipnisë. Aty gjenë arkivin e kulturës të një kombi si folklorin, ninullat, kangët e djepit, triminit e femnës shqiptare në shekuj, historinë dhe legjendat e popullit shqiptar, aty ndihen lavdia e lulëzimit në shekuj lirie. Aty shkreptijnë rrufetë e gjamat e kombit shqiptar në shekuj. Aty lexohen plagë të randa nga heroizmi i saj, por edhe plagë që turpnojnë Shqipninë për jetë e motë. Aty gjenë të latueme me lahutë, me shkrojla e me plumba Fjalët e Fundit të Ndrituna të tyne, para litarit, para grykës automatikut, para torturave makabre të pushtuesve të huej dhe qeveritarve komunistë. Fjalët e heronjve meshtarve katolikë nuk kanë si harrohen e si lehen nën rrasën e pluhunit të kohrave, pasi ishin Profecira atdhedashunie, demokracie e besimi në Zot. Ato shprehni me dëshirë të pranonin vuejtjet për Atdhe dhe Krishtin, që historia shqiptare kurrë nuk i shqyrtoi dhe ende vazhdon nën kënetën e harresës të qellimtë të injorimit edhe pas 1992 si viti i ndrrimit të sistemit nga ai komunistë në pluraristë me vazhdimësi komunistash në krye. Mos i braktisni me heshtje veprën e tyne! Ata nuk duen lapidare, monumente e shkrojla nëpër male, por një reflektim të Ndërgjegjes të Shoqnisë shqiptare, një ndjesë falje, një shprehje respekti si dëshmi angazhimi ndaj mospërsëritjes të Gjenocidit Komunistë në Shqipni. Sa e dobishme do të ishte të caktohej 1 nandori i çdo viti të ishte dita e mbarë kombit shqiptarë edhe ato etnike e Reflektimit të Ndërgjegjes shtetnore e shoqnore ndaj Martirve të Fesë(Padallim feje)! Kur do ta dëshmoji shteti dhe shoqnia shqiptare me vepra Pendesën, që e çliron nga një mëkat?

Morali i Fjalve të Fundit të Martirve Meshtarë
Fjalët e Fundit të Martirve Meshtarë në vetvedi kishin moralin e vet shembullore, që ashtë për t'u njohë. Nuk gjendet në asnji proçes - verbal të mbajtun nga hetuesa e prokurora për asnji meshtarë katolik në një gjendje fizike të shkatrruem nga dhjetra e dhjetra lloje torturash shnjerzore prej terroristave hetuesa e polica, para plumbit ekzekutiv asnji fjalë fyese, sharëse, hedhje pështyme ndaj qeverisë, terroristave dhe ekzekutorit prokuror. Viktimat meshtarë nxorrën nga shpirti vetëm fjalë dritë-falje dhe urime për nji Shqipni e një popull të lirë e demokratike e me besnikëri edhe ndaj besimit fetar. Kjo sjellje e Martirve të Veriut ashtë unikale në botë. Në ditë të vështira njihet morali i njeriut. Këta dëshmuen një moral shembullor sipas Mësimeve të Jezusit dhe të Gjergj Kastriotit e heronjve viganë rilindas e luftëtarë që i dhanë Shqipnisë pikat e gjakut dhe gjithë kontributin e tyne.

Vetëm Meshtarët dijnë të falin

Kush e ban këtë aktë hyjnor? Cili të falë në raste të tilla? veni re miqë se shumë shqiptarë janë vra ndër vedi pas 1992 për një zanie rruge apo parakalim me veturë, për nji pemë, për një vijë uji apo për një shikim etj. Tortura dhe likujdimi fizik i tyne ishte e ideuem në shpirtë nga projektuesit qeveritarë pa gjak shqiptari. Pra janë vetëm Meshtarët Martirë Katolikë dinë të falin? Fjalët e fundit janë mesazhe urtie e profecie, sentenca të martirve të Kishës. Ndërsa nuk ashtë shkruejtë ende Historia e Martirve Meshtarë Katolikë nga historianët zyrtarë shqiptarë në trevat etnike sepse nuk ka ndalesë inercia e urrejtjes dhe e paragjykimeve, xhelozirave në ndërgjegjen e tyne prezente edhe sot. Studjues dhe historianë serioz kanë shpalosë tablonë e „Gjenocidit mbi Martirët e Kishës Katolike“ sikurse janë librat e para të shkrimtarit Fritz Radovanit, profesor Zef Mirdita, meshtarve që mbetën gjallë si Ipeshkvi Frano Ilia, At Konrad Gjolaj O.F.M., Dom Simon Jubani, At Zef Pllumbi etj. Në këto libra mëson mbi kontributet e shumanshme si dhe gjithë qendrimet me shprehitë e fund-jetës të meshtarve përballë hetimeve, gjyqeve e jo gjyqeve të tmerrit komunistë.

Trashëgimia e Martirve Meshtarë ashtë Libri i Moralit të një epoke të caktuem të shoqnisë shqiptare
Pas 22 vjetësh janë pasurue shumë libra mbi jetën, veprën dhe përballjen me qeverinë komuniste. E prej ktyne veprave të shkruem me dhimbje e krenari lexuesi seriozë mëson dhe merrë pjesë-pjesë, me synim të evidentojë ato anë lexuesit tonë të etun për Gjenocidin Komunist ndaj Klerit Katolik. Gjaja ma vogël ashtë t’i mbledhësh këto amanete të spërkatun me gjak e të shkëlzyem nga drita e pashueme e shpirtit, e qiriut të ndezun në përjetsinë e tyne, të altarit të pavdeksisë. T’i sjellësh historisë Pafajsinë dhe Mesazhin e tyne të Faljes ndaj bishave komunistësh ateistë dhe të pushtuesve të huej ashtë fisnikëri ndaj Monumentit të tyne . Mesazhi i atdhedashunisë, të lirisë, të demokracisë, të dijes, të moralit shqiptar, të harmonisë ndër vedi të shqiptarve padallim feje, krahine e kulture dhe besimit në Zot tingllon edhe sot shumë e freskët dhe e nevojshme. Politikanët e kanë hedhë në zgripë kombin duke ja rrezikue shumë herë themelet e lirisë të vendosun me aq urtësi e heroizëm nga populli shqiptar me në krye Gjergj Kastriotin - Skënderbe, luftëtarve, të rilindasve, martirve të kishës dhe të heronjve të besimeve tjera si dhe shumë luftëtarve prej 1912 e deri më sot në 2013(që ende vazhdon), që falin jetën Nanës Shqipni.
Po e baj ket punë kaq të vogël me shpresë se dikush ka me i lexue dhe ka me depërtue në vetëdijën e n’zemrën e çdokujt, pasi Thaniet e Fund – jetës tyne nuk lypë koment e filozofira, por një reflektim në vetvedi! Materiali i sjellun ashtë i mbledhun shkurtë nga autorë të ndryshëm me synim që të evidentojnë atë pjesë ma të ndjeshme të sakrificës të Meshtarve katolikë, që përban një risi për kulturën tonë. Sa mirë do t’ishte të mësonin brezat Librin e Thanieve të bijve tyne meshtarë dhe patriotë gjatë regjimit zogistë dhe asaj diktatorial enverist! Trashëgimia e tyne duhet t’i çmoji sëpari institucionet historike, politike, letrare e muzikore dhe ato social-estetike të shtetit shqiptar si në Tiranë, në Prishtinë, në Podgoricë, në Shkupë dhe mbarë studjuesve të kudo ndodhun në botë si detyrë sa morale aq dhe kombtare.

Martirët Meshtarë adhuruen Zotin dhe Atdheun, Dijen dhe Demokracinë

Meshtarët katolikë ma parë kishin në zemër Njeriu dhe Zotin, Atdheun - Shqipninë dhe Dijen. Duket e pabesueshme, por si provë keni të nderuem lexues Veprat e tynë, që shkëlzejnë me krenari e mirësi edhe sot e në shekuj.

Kombi ka nevojë për Fjalët e Fundit të Meshtarve katolikë Shqiptar

Faktë ashtë se për Fjalët e Fundit të Njerzve ashtë shkrue në shekuj, për personalitetet shqiptarë dhe botnor. Gjithashtu ashtë shkrue Fjalët e Fundit të Martirve të Kishës nga shumë autorë në biografinë e tyne. Por duhet venë në dukje se ende nuk ashtë shkrue deri më tash një shkrim me titull ” Fjalët e Fund-Jetës të Meshtarve Shqiptar nën dhunën diktatoriale.
Bota ashtë krejt e mbushun me testamente me shkrime, e me gojë dhe nuk e di se a merret ndonjë institucion a katedër shkencor me këtë thesar që duken si të parandsishme pasi i përkasin sferave fesë, që për shoqnitë e sotme nuk kanë vlerë. Ditët e fundit të nandorit 2013 u vue në ankand Amaneti i fundit i Napoleonit, gja që dëshmon se kur don shoqnia e shteti merrë randsinë e saj të duhun, jo vetëm në aspektin komercial sikurse reklamohet, por në atë vështrimin e sfondit konntribues të personit.

Randsia e Fjalve të Fund-jetës të Njeriut!
Në faktë shoqnia shqiptare për nga natyra ashtë konservatore në ruejtjen e virtyteve të kombit, si në rastet kur i afërmi para se të mbylli sytë, pretë gjithmonë të mësojë fjalët e fundit, për me i ditë ,,sekretin,,. Mosmbajtja e testamentit me shkrim apo me gojë nga familjari apo miku ashtë për traditën shqiptare një detyrë e pakryem, një gurë i randë mbi shpinë, një mundim, një faj, një mëkatë. Ndjenja e përgjegjsisë të miqve dhe familjarve si dhe vetëdija e ban ta rueji e ta kryeji me çdo mënyrë porositë e të vdekunit. Ashtë ba zakon, që mbas disa pyetjeve të zakonshme për njeriun që u shkëputë nga jeta rrjeshtohet e fundit pyetja; Çka tha i ndjeri Fjalët e Fundit? Kjo lloj pyetje ashtë gati misterioze. Prandaj ka randsi shumë për ata njerëz që dinë të kuptojnë substancën e thënieve të fundit.
Fjalët e fundit të njeriut - një vlerë njerzore dhe kombtare
Kombi jonë ka trashëgue vlerat e saj të shumta edhe në ditët e sotme. E kjo ashtë merita e prindërve tanë, atyne paraardhsve tanë luftëtarë, pendëartë dhe folkorista virtuoz, që i qendisën në shtatin e shqipes me aq mjeshtri të drejtën për të kenë të lirë e me demokraci. Interesë i madhë kulturor, politikë e filozofik me përmasa kombtare janë Thesari i Thanieve të Fund –jetës të Martirve Meshtarë Shqiptarë sepse nuk thanën rnoftë nana e baba, rrnoftë vendlindja e tyne. Ajo që u ba shkakë të ushtrohej me tërbim terrori ishin bash ato thanie të urta për atdheun, Zotin, demokracinë dhe prosperitetin e kombit shqiptar. Kjo ban pjesë në vlerat universale kombtare. Njeriu biologjikisht kur lind flet me za të naltë; Ja edhe unë jam banor i ktij Dheut! Edhe kur vdesë Njeriu me po atë za thotë disa fjalë lamtumire, që populli në mote i ka cilsue, si subjekt shoqnor me karakter historik.

Pak shkruejta
Nuk mora përsipër ta trajtoj shkencërisht subjektin institucional të moralit, atë të Thanieve të Fund-Jetës përmes terrorit të Njeriut si Libri i Ndërgjegjes, pasi duhet nge. Nëse ja venë mendjen, apo e nuhat ndonjë studjues i ri do të ishte me fat të mbronte nji disertacion shkencor për një gradë shkencore se kam përshtypje se nuk asht lëvrue kjo lloj teme specifikishtë! Do ta uroja në se e merrë përsipër ndonji shqiptar me gjithë zemër sepse toka shqiptare mbartë landë ari të shumta.

E enjte, më dt. 9.XI.2013

Fjalët e Fundit i Martirve Meshtarë Katolikë

PostPostuar: 28 Nëntor 2013, 21:30
nga Laert
Fjalët e Fundit i Martirve Meshtarë Katolikë Shqiptar
Monumentë Drite e Pashueme!


Imazh
Enver Hoxha, në Konferencën e Pezës, në vjetin 1984 tha:
“Hierarkët katolikë ishin njerëz pa atdhe, vareshin plotësisht nga Vatikani … Të gjithë hierarkët e kishës katolike … ishin të mësuar, të shkolluar me shkollë teologjike, me disiplinë të hekurt, me metodat dhe dredhitë e shtypjes së vullnetit të njerëzve me frikën e zotit … Kisha katolike dhe hierarkia e saj ishin në kulm obskurantiste, konservatore … gjithmonë në aleancë më regjimin reaksionarë …”




Libër i Ndërgjegjes të Kombit Shqiptar
Këmbanë që s’ndalet!
Memoria e Kombit Shqiptar

II

Autori - Bep Martin Pjetri
"Shqipnia - Kombi i Biblës" - Nanë Tereza
Pak nga numri i madhë i Martirve Meshtarë


Unë nuk kam pasqyrue gjithë numrin e madh të Martirve të Atdheut e të Fesë në pamundsi, por vetëm disa, si qëllim kisha ta prekja këta Pishtarë të Pashuem. Shpresoj se dikush ka me ba nji libër të plotë. Dhe në thelbë i kushtoj randsi që historisë shqiptare ta pasuroj me fakte e jo me dokrra të historisë shqiptare që ende nuk ashtë rishkrue sipas FAKTEVE REALE.

Don Gjon Gàzulli
26.III.1893 - 5.III.1927

Imazh

„…5 Mars 1927, pa arrijtë në orët e para të atij mengjezi, kur Don Gjonin, pa dalë drita, e vari në Fushen e Druve, mu në qender të qytetit të Shkodrës, me një paramendim të caktuem, që Zogu me këte veper donte me i tregue Klerit Katolik dhe mbarë Popullit të Veriut dhe Shkodres, se “ky asht fillimi i asaj që do të ju baj ma vonë nëse çoni krye prap kundër meje!!”
„..fjala e fundit e Don Gjonit, para heqjes së stolit tregon ma së miri se kush kje Ky Prift, që burrnisht vdiq pa iu tutë syni, edhe pse nuk ishte ma shumë se 34 vjeç:I vetmi faj që i njoh vetes, asht se e kam dashtë Atdheun deri në flijim për të. Fritz Radovani. Vllaznit Gàzulli dhe “Peshorja e Drejtsisë” Shqiptare.
Ishte urrejtja fetare e antishqiptarve ajo që tërbimi ishte i pamëshirshëm ndaj të rinjve e të moshuarve meshtarë. Pandi Kristo, antar i Byrosë Politike të KQ të PKSH, Shef i Shërbimit Sekretë, ministër pohon në burg se: “Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj vetëm sëpse kanë qenë katolikë!...” Fritz Radovani „Një monument nën dhe“

Dom Lazër Shantoja
2.IX.1892 - 5.III.1945
Imazh

Me datën 9 shkurt 1945, u mblodh komisioni për zbulimin e kriminelëve të Luftës për Tiranën... Shoku Jusuf Alibali, vjeç 24, nga Shkodra, deklaron si mbas akt-akuzës së sipërme. Poshtë shënohet: Deklaruesi (Jusuf Alibali) d.v. Komisioni hetimor: J. Alibali d.v. "Vendimi u ekzekutue në Tiranë, me datën 5 mars 1945."
Urrejtja karshí tij kje aq e madhe sa i thyene e i lanë m'u kalbë gjymtyrët e trupit. Kur i shkon e ama me e takue, i kerkon që t'i napin fund dhimbjevet. E gardiani gjuen pjesen që kishte mbet e pushkatueshme. Ja se si e përshkruen gjendjen fizike para pushkatimit ë Dom Shantojës, bashkëvuejtsi, Xhemal Alimehmeti me këto mbresa: Me ta marrë vesh se ishte si të thuash “përgjegjësi“, Dom Lazri ju drejtua: “Ju lutem më vrisni, mos më lini ma gjatë në këte gjendje”, por përgjigja e tij, gjithë kërcënim, ishte: “kjo nuk është puna ime!”
Nana Luçija e Shantojës shkon të vizitojë djalin e saj në qeli dhe e sheh të vuajë me kambë e krahë të thyem i lutet me përvujtni rojeve të burgut që t’i tregonin mëshirën e fundit djalit të saj dhe ta vrisnin.

Nuk më janë ndarë gjithë jetën ata dy sy. I hodhën ashtu si dy thasë aty poshtë në bodrum. Dom Lazri ishte i mbështjellur në një thes dhe vetëm kokën kishte përjashta. E, në atë kokë të deformuar nga torturat, kishte dy sy të dalë që nuk munda t’i harroj gjithë jetën. I qelbeshin këmbët. “Kujdes atë”, fliste me zor Sulço Begu. “Kam disa javë që flej me koken time tek këmbët e tija të kalbura. E kanë torturuar keqas me hekura të skuqur”. Të nesërmen nuk i gjetëm më aty, i kishin varrosur”.Prof. Dr. Pjetër Pepa, Vepra "Dosja e Diktaturës"

Don Ndre Zadeja
3.XI.1892 - 25.III.1945
Imazh

Don Mikel Koliqi, atëherë i arrestuem, më tregonte në vitin 1993: “Si tash e kam ndër veshë të inçizuem zanin e të shkretit Don Ndre, kur po e torturonin, ... ai asht torturue shumë dhe po u thonte atyne : “Mohni bre kështu, po a ban shqiptari në shqiptarin shka jeni tue ba ju në mue!?”
Don Ndre Zadeja u pushkatue më 25 mars 1945, në Zallin e Kirit, mbas murit të vorreve të Rëmajit, në Shkodër. Fjala e fundit e Don Ndre Zadejës ishte: Ah, moj Shqipni, moj mizore e, çka të baj ma shumë për ty?!”.

Dom Nikoll Gàzulli
26.III.1893 – 2.II.1946
Imazh

”E vranë me 2 shkurt 1946. Të njejtat fjalë Dom Nikollë Gàzulli ua tha edhe malësorëve të Shkrelit më 1945, kur Shqipnia faktikisht ishte kthye në një republikë të shtatë jugosllave: Lirinë e fitueme me gjak, këta duen me e lëshue pa gjak në dorë të shkjaut në emën të idelogjisë së tyne çnjerëzore komuniste! Pra, o burra, armët për syni!” ”Tre vëllaznit Gàzulli nën rrasën e randë të harresës …” Fritz Radovani

At Anton Harapi O.F.M.
(5.I.1888 – 20.II.1946)
Imazh

At Anton Harapi ka le në lagjen e Shirokës të Shkodrës. Personaliteti i kulturës, i politikës dhe i fesë thoshte: “Kam punue për Shqipni ballfaqas. Nuk pres shpërblim, por as denimi nuk ka pse m’pret. Bashkatdhetarët e dinë fort mirë se kurr nuk i trathtova. Me ta vuejta, me ta punova, me ta qindrova, me ta gzova. Me ta edhe do t’vdes. Eshtent e mi, n’token e t’parve t’jen testamendi em”.
At Anton Harapi, në gjyqin e Tij, në shkurt të vitit 1946: Shqipnia u fitue me gjak; me gjak dhe po mbahet e robnueme. Do të vij dita e me Paqe e Drejtsi do t’fitohet. Fjalët e fundit të At Anton Harapit para pushkatimit: “Lumninë e jep vdekja, kunoren ia ven vorri!”(Kjo frazë prej Fritz Radovanit).
Frati i përvujtë, por krenar, hidhte hapat me kujdes, tue ngritë herë–herë kindet e zhgunit, për të mos u stërpikë nga balta që shkelte. Një prej ekzekutorëve i tha: “Mos ki dert, o prift reaksionar, se te balta ke me perfundue”. Ai e shikoi dhe reagoi me qetësi e kthjelltësi: “Atje tek shkoj, biri im, due me shkue i panjollë, siç kam kenë tanë jetën!”
Para pushkatimit ai tha fjalën e fundit: “Zoti Prokuror, pasi të mbaroni punë me armiqtë me kë do merreni, apo do filloni me njëri-tjetrin”. U morë prej ”Krimet çnjerëzore ndaj klerit katolik shqiptar”, autor - Nga Mark Topollaj - Regjizor, gaz. "Koha e Jonë",13.IX.2014
”E në gjyq ai pat lanë testamentin e tij lapidar: “A e dini se çdo ndertese i vihen temelet n’dhe? Edhe pse n’varr, na hijshem duhet t’jemi gurt e temelit t’njiasaj binaje t’cillin sot e quejm Shqypni”. ”At Anton Harapi - I vramë tri herë” Daniel Gàzulli

”Madje një herë gjatë takimit të Ambasadorit Jugosllav, Jozef Gjergja(11.II.1911. — 18.II.1990) në Shqipni prej 1945-1948Jozef/Јосип - Gjergja/Ђерђа, ish/тадашњи, ambasadori/амбасадор i Jugosllavisë/Југославије në Shqipni/у Албанији "(Sqarimet e nenvizueme i bani Bep Martin Pjetri) me Enver Hoxhën ky i fundit shënd e verë i kishte thënë:
E mbytëm P.Anton Harapin e me të kemi plagosur për vdekje Klerin Katolik", por diplomati i vjetër panserb do t'i përgjigjej: "Po... por keni ende gjallë Padër Gjon Shllakun, që peshon shumë"
.
E këtë fjalë përkthyesja ja kishte thanë të shoqit në shtëpi, që kish qëlluar ish-nxënës e admirues i At Gjonit dhe që kishte gjetur rrugën për t'ia çuar në vesh. Ja pra se pse priste radhën At Gjon Shllaku, edhe pse pa ditur se ku mund të shpërthente "faji". Dr. Prof. Pjetër Pepa

Padër Gjon Shllaku
27.II.1907- 4.III.1946
Imazh

Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje: Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946 (Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë). Ishte agimi i përgjakshëm i 4 marcit 1946, që u shue jeta e Padër Shllakut. "Tashmë e kam rradhen unë, por mjerisht s'jam i pari as i fundit. T’i lutemi Zotit të na japë forcë e guxim për të përballuar martirizimin”, do t'i thoshte miqve të vet P.Gjon Shllaku. Para plumbit thotë këto fjalë të fundit më 4 mars 1946: Lamtumirë m'i thoni shokëve Françeskanë dhe të gjithë të njohurve. Rrnoftë Krishti mbret! Rroftë Shqipnia.”

Padër Daniel Dajani
2.XII.1906 - 4.III.1946
Imazh

Patër Danjel Dajani: I fali ata qi më kanë ba keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm, ma mirë se fajtor. T’i japin prindët (far’e fisi), P. Zef Shllakut me pasë me më thanë dy meshë. Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje: Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946 (Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë). Më 4.III:1946 u ekzekutue Padër Dajani.

Padër Giovani Fausti(Gjon Fausti)
19.10.1899- 4.III.1946
Imazh

Patër Giovani Fausti italian: Jam kondend se vdekja po më vjen tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet Jezuitve, xhakojve, Apostolikve dhe Argjipeshkvit. Rrnoftë Krishti Mbret!
Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje: Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946 (Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë).

Seminarist Mark Ndoc Çuni
30.09.1919-.4.III.1946

Mark Çuni nga Bushati : I fali të gjithë ata qi më kanë gjykue, dënue, si edhe ata që do të më ekzekutojnë. I thoni nanës që i kam Ludovik Rashës 15 napolona borxh dhe t’ja paguejnë. Rrnoftë Krishti Mbret! Rrnoftë Shqipnija!
Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje: Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946 (Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë)

At Bernardin Llupi
Imazh
7.II.1886 - 25.XI.1946

Ishin orët e para të mëngjezit, kur u dëgjuan çelsat e randë të dyerve. Mbretroi një heshtje e përmortshme... Menjëherë e mori fjalën At Bernard Llupi: - Ç’keni o burra që heshtët? Mos u shtangni, se vdekja nuk na frikson. Kushdo që lind do të vdes herët a vonë, aq sa ka thanë Zoti. Na po vdesim ballhaptë dhe po shkojmë nga kjo botë të bindun se me vdekjen tonë do ta ndihmojmë çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Atdheun Nanë, ....Shqiptari shkon në vdekje si në darsëm, sëpse lufton dhe vdes për popull, për liri, për jetë ma të lumtun!
”At Bernard Llupi, pa iu trembun syni dhe pa u nervozue fare iu drejtua rojës: - Ndaluni pak, se due të përshëndetem për herë të fundit me vëllaznit e mijë.….ejani, të shkojmë krenarë, le ta shohin se nuk ia kemi frigën plumbit! Duhët të jemi të lumtun që po vdesim për idealet e kombit. Fjala e fundit e At Llupit para pushkatimit ishte: “Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kupë e artë!”...Mbas të shtimeve të automatikve të serbve – kosovarë, At Llupi kishte mbetë në kambë edhe pse zhguni i panjollë ishte la me gjakun e këtij martiri... Ai thirri edhe njëherë: “Rrnoftë Shqipnia!”, xhullinjtë iu afruen tue shti mbi tè, derisa Frati 60 vjeçar u shtri mbi tokën shqiptare për të cilën dha jetën.”Fritz Radovani, ”Një monument nën dhe”.

At Bernardin Palaj
22.X.1894 - 2.XII.1946
Imazh

"At Bernardin Palaj i ka mbetë në dorë Dul Rrjollit e Fadil Kapisyzit, mbasi nuk i besonin fjalës së tij se asht i sëmurë me zemër dhe e torturonin me rrymë elektrike,… "Fritz Radovani, ”Një monument nën dhe”. E lidhën me tela të ndryshkur, dhe kështu vdiq nga tetanozi.

Dom Mark Gjani
10.VII.1909 - 21.III.1947
Imazh

Dom Mark Gjani, tue e torturue, i kerkuen ta mohonte Krishtin. Përkundrazi Dom Marku tha fjalët e fundit mes dhimbave: "Rrnoftë Krishti Mbret!" Vdiq i varun nder shpatulla, tue ia hjedhë trupin qejve e mbeturinat e tij i lëshuen në përrue.”

Don Dedë Maçaj
(5.II.1920 – 29.III.1947)
Imazh

E përgatiti videon Pjetër Sokolaj

“E çuen jashtë zonës ushtarake në një lëndinë pranë Vjosës. I hoqën petkat, siç banën me Jezusin në Golgotë, dhe një skuadër qitësish qëlloi mbi të. Por ai nuk ra përtokë. Qëlluan përsëri mbi të dhe përsëri Dom Deda qëndroi në kambë. Xhelati, i tërbuem nga inati, prej faktit se nuk kishte mundur ta shtrinte për tokë me një të goditun të vetme atë vigan, dha urdhën që të qëllonin për të tretën herë. Por këtë herë ai nuk arriti të qëndronte!
Ja ku po e them para Zotit tonë, që shpejt ka me më pritë, dhe para gjithë jush, ushtarë të shtrejtë, që po më vrasin vetëm per shkak se urrejnë Fenë Katolike. I tham këto fjalë pa ligsi dhe pa urrejtje per ata që do t'më pushkatojnë!
Rrnoftë Krishti – Mbreti Ynë! Rrnoftë Papa! Rrnoftë Shqipnia!
U rrëzue dhe përshëndeti tokën nanë, e cila u skuq me gjakun e tij”.

Atë Serafin Koda, O.F.M.
25.IV. 1893 - 11.V.1947

Imazh

Lindi në Kosovë. U arrestua ne kuvendin françeskan të Lezhës nga forcat e Sigurimit: ishte dita e emrit të tij, 12 tetor 1946. E torturuan duke e futur në një fuçi me ujë deri në fyt. Ia ngulën aq shumë thonjtë në fyt sa ia shqyen gurmazin si dhe i dolën venat nga fyti. Atë Serafini iu drejtua Zojës me këtë lutje: - O Zojë, baje shpejt punën tënde! . Nën kujdesin e Manastirit “Shenjtja Kjarë” – Klarise – Shkodër

Padër Çiprian Nika
19.VII.1900 – 11.III.1948
Imazh

Françeskani P. Çiprian Nika lindi në Shkodër, më 19 korrik 1900. „Por unë kam një mision në këtë mes ma shumë se të tjerët. Më duhet të ndez dritën ku do qi asht shue ajo. Vuajtja sigurisht qi nuk asht e lehtë, por tue me shikue drejt në sy më tha: “Asht e vetmja e mirë që më ka mbetë por vuejtja o bir e ban ma fisnike fitoren e korrur”. Pak muaj ma vonë ky Bir i denjë i shën Françeskut rreshtohej në vargun e gjatë të martirëve të fesë katolike.“ Prof. Sami Repishti(dëshmitar i burgosun i orëve të fundit të pushkatimit në qeli të Padër Nikës). Fjalët e tij të fundit të shkruara në proçes-verbalin gjyqësor kanë qenë: Rrnoftë Krishti Mbret! I falim anmiqtë tanë. Shqipnia nuk vdes me ne!
Më datën 28.XII.1947, trupi gjykues me Kryetar Misto Bllaci, anëtar Bastri Beqiri dhe Anastas Koroveshi, sekretar Tish Tukja, dha vendimin për At Çiprian Nikën “me vdekje me pushkatim”. Vendimi u ekzekutue me 11 Mars 1948, ora 05.00 në mëngjez pranë vorreve të Rëmajit, në Zallin e Kirit në Shkoder.

Imzot Frano Gjini
20.II.1886 - 11.III.1948
Imazh

IMZOT FRANO GJINI (Ipeshkëv ‐Abat i Mirditës, në Orosh) Lindi Në Shkodër, Më 20 Shkurt 1886. Studimet filozofike i kreu në Seminarin Papnor Të Shkodrës, Kurse studimet Teologjike në Kongregatën Propaganda Fide (Romë). U shugurua Meshtar në Durrës më 28 qershor 1908, ku zhvilloi edhe shërbimin e tij meshtarak. Në Vitin 1930 U shugurua Ipeshkëv I Durrësit, seli Që e ndryshoi, sepse u emërua titullar i Abacisë Nullius të Oroshit. U Arrestua më15 nëntor 1946me akuzat “spiun i Vatikanit” dhe “bashkëpunëtor i anglezëve e organizator i Kryengritjes së Postribës”. Pësoi Keqtrajtime dheTortura të ndryshme. Pas shumë vuajtjesh, u dënua me pushkatim. Fjalët e tij të fundit qenë: Rrnoftë Krishti Mbret! Shqipëria Do të jetojë edhe nëse ne vdesim!”. U pushkatua më 11 mars 1948.

At Maté Prennushi
(2.X.1882 – 11.III.1948)
Imazh

At Maté Kolë Prennushi O.F.M. Provinçial i Françeskanve të Shqipnisë.
„Një ditë erdhi i lamë në gjak, se i kishte ra ballit me një hekur krimineli Nesti Kopali...Për këte arsye këtij grupi gjyqi i asht ba me dyer të mbylluna në janarin 1948, ku gjykatësi Misto Bllaci i dha “dënimin me vdekje me pushkatim”. Asht ekzekutue me 11 Mars 1948, ora 5, në Zallin e Kirit në Shkodër e as sot nuk dihet vorri me Eshtnat e Tij. Në fjalen e fundit para ekzekutimit ka  thanë: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Papa, Rrnofshin Katolikët, Rrnoftë Shqipnija! U baj hallall gjyqit dhe atyne që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!” (Proçes – verbal në Dosjen nr. 1302/II A, Arkivin M.P. Mbrendshme Tiranë, 1998)” Fritz Radovani

Imz. Gjergj Volaj
1905 – 3.IV.1948


“Monsinjor Gjergj Volaj, i arrestuem qysh në shtator 1946 dhe ishin torturue çnjerëzisht në hetuesinë e Sigurimit të Shtetit të pushkatuem me gjyqe të inskenuem gjatë viteve 1946-1947-1948, i cili para pushkatimit la fjalën e fundit:
Të m’i thoni shtëpisë se meshët që kam lënë pa thënë, të m’i thonë, Rrnoftë e përparoftë Shqipnia! fq.86 Postriba Riza Spahija
- "Nanë, mos qaj për çka po sheh tash, qaj për atë që po vjen!"

Don Pjeter Çuni
(9.VII.1914 – 31.VII.1948)

Don Pjeter Çuni (9 Korrik 1914 – 31 Korrik 1948) Asht masakrue me Don Aleksandrin dhe asht groposë bashkë me Té në gropë të fekaleve të hetuesis n'Koplik, tue thirrë:Rrnoftë Krishti...tek Ai, po shkoj..., me 31 Korrik 1948. Fritz Radovani "KU I KANË VARREZAT KËTA BURRA..?!"

Emzot Vinçenc Prennushi O.F.M
(4.IX.1885 – 19.III.1949)
Imazh

Vinçenc Prennushi deklaron se lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste që të mos egzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve. (Dosja 1245, po aty). Imzot Vinçenc Prennushi vdiq në burgun e Durrësit me 19 mars 1949.

Don Marin Shkurti
(1.X.1933-1.IV.1969)
Imazh

Don Marin Shkurti, ka lé në vitin 1933 në fshatin Samrish, fshat kufitar në breg të lumit Buna, jo larg qytetit të Shkodres. Me daten 1 Prill 1969, me urdhen nr. 620, të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme në Tiranë, ekzekutohet me pushkatim, kur ende nuk ishte as 36 vjeç... Në fjalën e fundit Ai tha:Ju jeni tue më pushkatue vetëm se unë jam prift, mbasi unë jam i pafajshëm! Rrnoftë Feja e Krishtit! Rrnoftë Shqipnia!.

Don Mikel Beltoja
17.IV.1935 (Thuhet se vdiq)më 10.II.1974
Imazh

Pohon Laura Keqi kur ishte në qeli....mujta me dallue zanin e katilit Shyqyri Qoku që i vërriste Don Mikelit: Pusho... pusho, po të tham... Këtë herë dallohej se nuk ishte vetëm. Në atë lamsh mendimësh përzi me zhurmën e vargojve ndigjova zanin e Don Mikelit, e zemra mu mbush me vajë. Ishte mjedis kafshëve të egra që donin ta shkynin, e thërriste:O Jezu Krisht! Zoti em, më jep forcën e fundit, o Shenjtja Mari, Nana e eme e përjetëshme për të fundit herë po të kërkoj, fali vëllaznit e mij, kij mëshirë për ta, se nuk dinë çka bajnë! Fali o Krisht! O Zot ndihmoje Shqipninë me shpëtue nga këta kriminelë komunistë. Zoja e Bekueme, Nana e Krishtit dhe e gjithë Botës, lutju Birit tand, Zotit tonë Jezu Krishtit, që të më pranojnë në Mbretninë Qiellore, ndër duert Tueja të Bekueme ardhët Shpirti em!...Rrnoftë Shqipnia, Rrnoftë Krishti!...” Ai iku në Mbretni të Qiellës...
Jam kenë interesue se çka u ba me Don Mikelin mbasi e morën atë natë, nga një roje që ndryshonte pak nga të tjerët me emnin Ndue. Ai më pat tregue se janë nisë për Tiranë, dhe rrugës i kanë ba një ingjeksion dhe ka vdekë. E kanë çue të vdekun në Ministrinë e Mbrendshme dhe prej aty e kanë futë në një kasetë frigoriferike me nr. 7 (shtatë). Mendonte se Ai asht coptue nga mjekët e besueshëm qeveritarë për studim, nga studentët e fakultetit të mjeksisë së Universitetit të Tiranës.

Don Mark Hasi
1920 – 11..IX.1981

Don Mark Hasit i ka mbërthye me thikë gjuhën për tavolinë hetuesi kriminel Nesti Kopali, derisa të japin shenjë se do të flasin. Kishte humbë ndjenjat nga hemoragjia. E kanë mjekue vetëm me krypë, tregonte fatziu Don Mark. Fritz Radovani ”Një monument nën dhe”.

At Donat Kurti
3.IX. 1903 - 10.XI.1983

Imazh

Donat Kurti lindi në Shkodër dhe ishte etnolog, folklorist, e albanolog, gjuhëtar, poet, piktor e muzikant. Prof. Eqerem Çabej do ta çmojë lart për zbulimin e përsonazheve si Dedalia, i cili i përngjan aq shumë Odiseut me bëmat e tij. Sipas zotnisë Anton Ashtës
Në sa po jepte shpirt ky njeri i bekuem, la amanet vetëm tri fjalë:
"Dashni!, Vllazni!, Mëshirë!" Ishte mesazhi i fundit i shpirtit të tij fisnik, mesazhi i një dijetari të martirizuem, që e deshti aq shumë popullin dhe atdheun e vet e që për ta arriti deri në flijim… Anton Ashta, Prill 2002.

Patriotë antikomunistë që ishin bashkë me Meshtarë


Qerim Sadik Myftari
12.2.1919. - 4.III.1946
Imazh

Qerim Sadiku nga Vuthaj, Guci, I biri i Sadikut e Lenës, nga Gucia e Kosovës, ka lindë në Vuthaj-Shkodër
: I fali ata qi në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më kanë dënue me vdekje, dhe ata që do të më ekzekutojne. Rrnoftë Krishti Mbret! Rrnoftë Shqipnija!
Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje: Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946 (Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë)

Gjelosh Lulashi
2.IX1925 – 4.III.1946

Gjelosh Lulashi ishte oficer, me shërbim Sekretar në spitalin ushtarak, djal i bajraktari të Shoshit Dukagjinit: ”Thoni babës të më falin se e kam trazue. Të më falin shokët, se ndonji shpifje e kam ba prej zorit qi kam pasë. Nanës të fala dhe të mi puthin vllaznit. Borxhet që kam mbetë të mi paguejn prindët. I fali me zemër të gjithë ata që më kanë ba keq. Rrnoftë Shqipnia!”
"Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje: Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946 (Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë)"F.Radovani

Major Gjelosh Luli
(1908 – 31.XII.1946)
Imazh

”Në vitin 1999, në muejn Tetor, më ka shpjegue zonja e Nderueme Helena Luli (Mirakaj), e shoqja besnike e Gjelosh Lulit, që atë natë kur Gjeloshi do të merrte malet, mbasi u vesh me rrobat ushtarake, vuni nën koletin e xhaketes një Kryq të vogel, dhe mbasi puthi dy vajzat e veta të vogla, Klaren dhe Belen, i kishte kerkue zonjës Helena revolverin që e ruente të mbyllun me çels. Kjo ia kishte sjellë dhe Ai e kishte marrë në dorë, e kishte shikue dhe i kishte thanë: Mos e thashtë as mos e premtoftë Zoti, që unë me këte armë me rrëzue Landen e Tij! - dhe e kishte vue në brez, ishte perqafue me Té dhe kishte dalë nga shtëpia për mos me u kthye kurrmâ. Me daten 31 Dhjetor 1946, tek zyret e ndjekjes së Koplikut asht ekspozue vetëm koka e preme e Gjelosh Lulit, për me terrorizue Malet e Veriut dhe krahinat antikomuniste!” Fritz Radovani

Prekë Cali
(1872-1945)
Imazh

”Malësorin Trim të Maleve të Kelmendit, Burrin Legjendar dhe Atdhetar Prekë Calin, e pyeti diktatori Mehmet Shehu, kur e arrestuen: “E more Prenkë Cali, të pat ardhur dita t’a mbyllje historinë tënde me shkronja ari po t’ishe bërë me ne! Po, pse bërë kështu?” dhe, trimi legjendar i përgjegjët burrnisht: “Zotni, faji bjen mbi ju, se ju u batë aleatë me anmikun tonë shekullor, me serbin! [/u](Arkivi Min. Mbrendshme Tiranë, Dosja P.Cali, 1998.)Fritz Radovani.

Ndue Pali
1922- 15.VII.1945

Ndue Pali, vjeç 23, nga Shkodra, i biri i Mirashit dhe i Mrikës Gjelosh Vatës. Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para drekë, unë prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e fundit të tyre, në të cilën thanë këto:
Ndue Pali: ”Nuk më vjen keq, që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij. Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh, që pata nga fashistët dhe nazistët. Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin! Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste: Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike! Rrnoftë Shqipnia e shqiptarëve! Të fala familjes.(Fritz Radovani, Një monument nën dhe”)

Kur do të lexohet Libri i Ndërgjegjes të Kombit Shqiptar?

Gjithë këta Lisa Viganë të hedhun në krematoriumin e hetuesive padrejtsisht i mbyllën sytë me dinjitet e shpirtmadhësi duke falë barbarin shqiptar, që të ishte i lirë nga ky veprim, por jo se t’ua mohonte heshtjen dhe pendesën e tyne. Ku asht ndërgjegja e kombit? Pse heshtë me kaq tirani ndaj atynë që për Atdhe, Dije e Fe flijuen gjakun e fundit? Bukur fort e përcakton në sentencën e tij At Gjergj Fishta“ … fatzeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtë ty”.
Me të drejtë shprehë një brengë të thellë, shkrimtari z.F.Radovani: ”Përse? Sepse në Shqipni asht politika ajo që përcakton edhe vlerën e figurave historike. E, po qenë nga Veriu, veçanarisht priften katolikë, bahet gjithçka me i lanë në hije. Një gja të tillë në vitet ’40-’50 ua kërkonin edhe Beogradi e Moska. Po sot? Në pushtet janë po ata që i varën apo i pushkatuen, ose bijtë e tyne, nipat.”
Duan apo nuk duen Fjalët e Fundit të Martirve Meshtarë Katolikë janë Këmbana që s’pushojnë dhe Libri i Ndërgjegjes të kombit shqiptar mbahet i burgosun nga liderët e qeverive, partive dhe nga Heshtja e Shoqnis Shqiptare!

Shënim
- Me dashtuni, krenari e me dhimbje të madhe jo vetëm për Vetmohimin e tyne për një Shqipni të lirë e demokratike me Fe e Dije, por për Heshtjen e Mesazheve paqsore, vllaznore të Martirve Shqiptar i shënova disa rrjeshta falë punës titanike të shkrimtarit Fritz Radovani dhe disa autorve të nderuem të tjerë në ditët tona.

- Josif Gjergja (shqiptar, lindi në Zarë të Kroacisë, 11 shkurt 1911 - Beograd, 18 shkurt 1990), ishte arbëresh nga Arbanasi i Zarës, politikan dhe diplomat kroat. Ka kenë anëtarë i PKJ(Partis Komuniste Jugosllavis) nga viti 1934, i burgosur nga viti 1935-1938. Pjesëmarrës i luftës antifashiste nga 1941. Pas Luftës së Dytë Botërore ambasador i Jugosllavisë në Shqipëri(1945-1948), Egjipt, Libi dhe Birmani. Ndihmës i ministrit jugosllav për punë të jashtme nga viti 1959-1963, delegat dhe nënkryetarë i kuvendit federativ të RSFJ (1970-1972). Pasi ra në konflikt me udhëheqjen e LKJ(Lidhja Komuniste Jugosllavis) dhe politikën e Titos dha dorëheqje.
Imazh
… fatzeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtë ty”.

Autori - Bep Martin Pjetri
E shtunë, më dt. 9.XI.2013


7 Fjalët e fundit të Jezusit para Gozhdimit në Kryq

"Eloi, Eloi, lama sabatkhani?,,
"Hyji jem, Hyji jem, përse hoqe dorë prej meje?"

1 . Jezusi lutej: " O Atë , fali ata sepse nuk dinë se çfarë bajnë" ( Luka 23:34 ).
2 .I drejtohet Jezusi hajdutit të penduem, që e kishte pranë duke i thanë: " Unë ju them të vërtetën, sot do të jesh me mue në parajsë " ( Luka 23:43 ).
3 . Duke parë nanën e tij, tha : " O grua , ja biri yt ", atëherë i kthyem nga apostulli Gjonit të dashtun, të friksuem dhe plot trishtim, tha: " Ja nana yte" ( Gjoni 19:26,27).
4 . "Hyji im, Hyji jem, përse hoqe dorë prej meje? " (Mateu 27:46 ).
5 . Jezusi tha prej sforcimit:" Kam etje " ( Gjon 19:28 )
6 . "U krye " ( Gjoni 19:30 ).
7. " O Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tem "(Luka 23:46). Si tha këto, dha shpirt.

U përgatitë në shqip nga Bep Martin Pjetri
E enjte, më dt. 28.XI.2013


E martë, 2.IV.2019 - Nr. 2908

[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari