Ketu do te gjeni librat e rinj dhe botime te librit ne shqip
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
Ankimi i Zanave - Poezi - Libër i Lek Pervizit
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4556
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
ANKIMI I ZANAVE

POEZI

LEK PERVIZI
Imazh

ANKIM I ZANAVE

POEZI NGA NJE I BURGOSUR POLITIK SHQIPTAR


ANKIMI I ZANAVVE

Autori : Lek Pervizi
Vizatimet: Lek Pervizi
© copyright : Autori




PARATHANIE


Tinguj të kobshëm

Pushuen kangët e gëzueshme të rinisë
tashma
shpejt filloi në zemrën time brenga
tinguj të kobshëm
të nxierrë
prej lahutes
tinguj të përvajshëm
prej lahutës së kohnave
tinguj hapash
që vijnë lart e poshtë
tinguj gjymtyrësh që zvarriten
gjymtyrësh rrënkuese
në të zymtat
qeli
tinguj britmash
vikamash
tinguj të ngjirrun
psherëtimash
grahmash
tinguj hekurash
llozash
prangash
tinguj kërcëllitës
trokitës
qizmësh e këpucësh
xhelatësh
policësh
rojësh
tinguj batarësh
në ato mëngjese pa ngjyrë
te një zall
te një breg
te një lumë
i cili vrapon i lëmëritun
me frikë
me tmerr
e fshehtas
tinëz
në valën e tij të vrullshme
gjak herojsh
gjak trimash
merr
skuq
shkumbën e bardhë.

Tinguj të përziem me gjak
tinguj të njomun me lot
me djersë
tinguj që kumbojnë
kobshëm
tinguj mortorë
tinguj të përvajshëm
nanash
nusësh
motrash
fëmijësh
prej thellësisë së shpirtitnave
të brengosun
prej thellësisë së zemrave
të lëndueme
tinguj të kobshëm
tinguj të vrazhdë
nxierr
tashma
lahuta e lashtë
lahuta e kohnave
pushuen kanget e gezueshme te rinise !


Qëli, burgu i Tiranës, maj 1950.
Porto Palermo


Tallaze të zeza
të një deti të stuhishëm
përplasën mbi shkrepat e thepisun
me një potere shurdhuese
shpërthime stërpikjesh
shkumbë të kuqërremtë
ngrihen t'errtë tallazët
mbi horizontin e përflakun
të një perëndimi të pistë
me re të kobshme
hije ogurzeze
që shtyhen e përdridhen
me ndriçime vetëtimash
gjëmime bubullimash
shkrepje rrufeshë
apokaliptike bie mbramja
mbi këtë siujdhesë të shkretë
tokë të mallkueme.

I kobshëëm burgu
i kobshëm regjimi
i kobshem kush e ndërtoi
kala e mallkueme
humnere e sketerrë
vorr e qivur
qënjesh njerëzore të pafajshme
kositë në lulëzimin e tyne.

Porto Palermo
shkamb i lashtë
shkretinë e vjetër
dhe shkretinë moderne
burg mizor
i një kohë mizore
gjak duket se kullon prej reve të zeza
përzie me lot dhimbjësh
me djersë mundimësh
përskuqet deti nen ndriçimin e zjarrtë
të një dielli të lodhun
që kërkon të çajë mes reve
siç kërkoj unë mes kujtimëve.

Apokalips
mbi tallazët e përgjakun
t'egërsuem
apokalips
në shpirtin tim të brëngosun
të shqetsuem !




Në shpellën e Polifemit

Ciklopin Polifem prisnim
që të zgjaste duert përbindëshe
e të na gllaberonte të gjallë
tallazët e detit Jon
na shoqnonin me vajtime ngashruese
qanin hallin tone ?

Ne
të pllakosun në zgavrat shkambore
ku sundonte errësina
e sundonte mjerimi
gjith ankth
gjith frikë
rrinim bri njeni tjetrit
të heshtun
flisnim apo recitonim
fjalë e vargje
me vetvehtën
të heshtun
prisnim të panjohunen mizore
të heshtun
prisnim monstrin me nje sy ne balle
të heshtun
të pafuqishëm
Uliksi nuk ishte midis nesh
kush vall do të na nxirrte
nga ato shpella burgje ?

Ulurima e erës jëhonte nëpër guvat
me motive mortore
dhe dallget shkumbuese gjëmonin
plot britma lemëritëse
hija e zezë e ciklopit përbindësh
sillej aty vërdallë
e kobshme
Agim mortor

Zemër thyem çohet agimi
lëshon dritën e mekun
mbi bregun e një lumi
mbi zallin e një lumi
zallin e Kirit
zymtohët qielli prej tmerrit.

Mbi atë breg të kobshëm
një kamion gulçitës
burra teëlidhun
bijt e agimit te lidhun
te prangosun
gryka mashinkash mbi brinjët e tyne
kandaqe pushkësh mbi kokat e tyne
buzë humnerës se një gropore të zezë
surretën të zverdhun xhelatësh
kërcëllitje dhambesh xhelatesh
sy të përgjakun xhelatësh
një thirrje lamtumire
amaneti i fundit
rrofte liria !

Breshëri plumbash llahtarisin malet
coptojnë zemrat e nanave
korrin qenje njerëzore
ikën nata e tmerrueme
një ushtar tregon :
të gjallë i mbulova herojt
me këto duer
te gjallë
dhe me këto duer
vehten due me mbulue

gjama e tyne
gjama ime
vaji tyne
vaji im
grahmat e tyne
grahma ime.

Në ato agime që nuk duen me u çue
e prap çohën të kobshme !



Edhe n’andrrat s’ka qëtësi

N'andrrat kërkoj prehje përherë
prej realitetit mizor të ditës
që vetëm çaste trishtimi
prapëhtinash
fyemjësh
brengash
jep.

I shtrime mbi shtresën time të mjerë
pres me dëshirë
që mbi qepallat e lodhuna
gjumi
lehtësisht të me prekë
me njet të mirë
me pushue.

Lumej vërshues e përmbytës
ujna të trubullta
ura të shëmbuna
gremina
humnera
gjarpij
ujq gllabërues
qen të tërbuem
luftime
arratisje
mundime çnjerëzore
për me shpëtue.

Nofulla të çame
egërsinash e kulshedrash
bolla të coptueme
lundrim n'për detna tallazore

stuhi të përballueme
lumej të kapërcyem
ikje me fore
një luftë e parreshtun
pa kufi
edhe në gjumë
edhe n'andrrat
nuk po gjej prehje as qetësi !



Kampi kala –burg i Porto-Palermos


Një grumbull gurësh që formojnë një kala të ndërtueme mbi një grumbull shkrepash të thepisun. Një siujdhesë që shtrihet midis gjinit të vogël të detit Jon. Strehim e skele piratësh që në kohnat lashta. Ali Pashë Tepelena e përdori si fortifikatë për të mbrojtun vilajetin e vet. Një vend i shkretë. Palermo do të thotë "shkretinë e vjetër". Për rreth kodra e male shkambore. Shkurre, ferra e bezga, si dhe nëpërka helmatisëse. Ky ishte Porto Palermo.
Po të vinte njeriu dorën e mbarë mbi të, mund të kthehej në një vend turistik mjaft tërheqës. Por njeriu vuni dorë të mbrapshtë dhe e ktheu në një burg mizor. Mbrenda në atë kala, ku nuk pranonte të hynte as bagëtia, sepse errësina ishte e tillë sa ngjante si një skëterrë hatashmë, diktatura komuniste pllakosi familje të tana: burra e gra pleq e plaka, të rinj e të reja deri dhe fëmijë të mitur e kërthiqe djepi, si pengje e hakmarje ndaj kundërshtarëve patriotë të arratisun, të konsideruem anmiq të përbetuem të regjimit komunist.
Mbasi i hoqën prej aty gratë e fëmijët, duke i degdisun në kampin tjetër famëkeq të Tepelenës, e mbushën kalanë me burra nga katër anët e Shqipnisë, të dyshuem për rrezikshmëni. At u burgosën dhe djemt e të arratisunve ma të randësishëm.
Mbrenda dy muejve, gjysma e të dënuemve, prej dobësisë dhe konditave kafshore, humbën shikimin. Sa afrohej mbramja ata që ishin
të fortë duhet t'i shoqnonin për dore pse nuk shihnin. Buka prej thekne ishte krejt e qulltë. Supa, një spirilang si ujë i turbullt, ku fasulet apo makaronat notonin si peshq vetmitarë, ndahej me nga një lugicë për njeri. Ky ishte ushqimi i përditshëm. Dikush që merrte ndonjë ndihmë nga familja, kishte mundësi të blente diçka nga fshatarët. Shumica mbanin barkun me dorë e vareshin vetëm nga spirilangu i neveritshëm dhe i pamjaftueshëm. Filluen sëmundjet. Disa i zuni dizanteria dhe u semunë randë sa që i ruenim ditë e natë. Ndër ta, Musa Sina, një dibran i ri 16 vjeçar i internuem që në moshën 10 vjeçe, bashkë me familjen. Musa arriti në atë gradë, që quhet e fundit. Mjek nuk kishte, as ilaçe, fare. Gjendja e tij u keqësue tepër. Komandanti i kampit, njëfar rreshter Qaniu, kur erdhi të bajë apelin e darkës dhe u gjet para Musës të reduktuem në një grusht kockash e pa ndjenja, nuk e përmbajti dot urrejtjen kriminale e duke u tregue i ulët e mizor tej mase u çjerr: "Ç'prisni, kapeni këtë kërmë të ndyrë e hidheni në det!" Të burgosunit e tjerë mbetën shtang. Ç'përbindësh! Por Zoti kishte mendue ndryshe. Musa mbijetoi e ishte një mrekulli. Kaloi 45 vjet në burgje e në kampe. Pësoi tortura të tmerrshme e nuk u dorëzue kurrë as nuk nxori një emër e një fjalë. Ai vdiq pas dy vjetëve që përjetoi shembjen e komunizmit, duke lanë një kujtim të mirë, për të gjithë ata që e njohën. Përsonalisht e kam pasun shok e mik të ngushtë e tepër besnik! Njeri i sakrificës, bahej copë për të tjerët. Kurse rreshter Qaniu mbeti i përbuzun përgjithmonë si njeri xhelat e katil. Mori vulën e pashlyeshme të turpit. Kishte kujt t'i ngjante!



Shpirti po shuhët

Kurrë ma
kurrë
s’do të kthehet
koha e bukur e rinisë
fkaka e zjarrtë shkëlqimtare
që rrezatim jetësor shpërndante
e ngohtësi trupit
e fuqizim shpirtit
mendjës jepte
u fik
u shue
fare

Një stuhi e furishme
shi
akull
borë
një tufan i kobshëm
solli errësinën midis nesh
përlau
pishtarët e ditunisë
meku
dritën jetësore
zhduku
idealët njerëzore
mbetëm
haru
në mëshirën e dhunës barbare
të tiranisë!



Ankimi i Zanave

I errìt
qielli
e errìt
toka
e heshtun era
tì heshtun malet
tì heshtun pyjet.

Ma
nuk vallzojnë
të bukurat Zana
as Orë e Shtojzovalle
ne velo të bardha
mbështjellë.

Ma
nuk këndojnë
Zanat e malit
nën tingujt kumbuese të lahutës
kur ndrit hana e argjendë
kur ndrisin yjet e zjarrtë
vajtojnë !

Trupore të ngurta ngjajnë
në rroba të zeza veshun
vetëm ankime
tashma
tinguj të kobsh ëm
nxierrin
prej lahutës së kohnave.

Më kot presin burimet
etjen tuej
më kot presin pemët
andjen tuej
me kot presin vashëzat
dashninë tuej
me kot presin nanat
përqafimin tuej

Të tretun janë eshtnat
të bjerrun vorret
e braktisun dashunia
të harrueme puthjet
shterrun burimet
pertha pemet.

Në qiell shkëlqejnë
yje të rij llamburitës
çdo yll ma i ndritun se tjetri
çdo yll
një hero

në hapsinën e universit
në faqet e historisë
në zemrën e tokës
në kangët
në lëgjendat
të pavdekshëm !



Kala e mallkueme

Tepelenë
Tepelenë
sa krime të llahtarshme
nën muret e tua
kala e mallkueme !

E kobshme
me ato gurë të gdhendun
me gjak e djersë e mundime
skllevësh
të errët
të mynxyrtë
siç e mynxyrtë asht historia jote

Lindun prej gurëve
ndertue me gurë
sundon mbi gurët
sundon mbi terrorin
që këtu ka strofkën e vet makabre
kala e mallkueme !

Pse
këta krijesatë të pafajshme
të pambrojtje
të mjerë
nën hijen tande shtypëse ?

Shiko sa varre të gërmueme
shiko sa kryqe teëdrujta
shiko sa rrasa të gurta
shiko sa nana të dëshpërueme
shiko sa baballarë të trishtun
sa ankth
sa tmerr
kala e mallkueme !

E keqja lind prej së keqës
terrori prej terrorit
tirania prej tiranise
ti
kala e mallkueme
prej një shpirti teëmallkuem !

E furishme era
pa pushim
me vrullin e saj të parreshtun
gerryen e bren
muret e tua mizore
dhe mizor
t'urryem
emnin e namin tand
perhap
mbi botë
kala e mallkueme !



Vdekja sillet midis nesh

Kujtime kohnash të trishta
në mendjën e sfilitun
në trupin e dërmuem
në shpirtin e brengosun.

Hija e shemtueme e vdekjës
e zgërdheshun
e frikshme
sillet midis nesh.
Ne fytyrat e zbehta
në sytë e çakërrisun
në faqet e fishkuna
në trupat e rraskapitun
kërkon viktimën e ditës
kërkon kurbanin e orës
kërkon flijimin e çastit.

Kosa e përgjakun
e ndryshkun
kërcënuese
shtrihet ogurzeze
mbi fatkeqët e pafajshëm
korr
korr
korr

turra foshnjësh korr
sa dhimbje e dëshpërim nanash
turra pleqsh korr
sa dhimbje e vajtim fëmijësh
turra burrash korr
sa dhimbje e brengë nusesh.

Mizore sillet midis nesh
kasape besnike
e nje tirani të egër gjakatar
shërbëtore
por një ditë me siguri
xhelate e tij !



Varre

U gërmuen disa varre
shume varre
në të mallkuemënTepelenë
për foshnje të brishta
për ëngjuj
(a varrosën ëngjujt ?)
që sapo kishin hapun sytë jetës
sy të kaltërt
sy të zi
sy të hirtë
sy laramanë
sy të jeshiltë
sy të mëdhej
te bukur.

Gjithë këto sy u mbyllën përgjithmonë
që të mos shië qyqe vetëm
kërcuna
pa burra
pa fëmijë
fëmijët mbetën pa nana
pe etën
morën rrugët e padë
me nina nanat e harrueme
u groposën
në atë tokë të zezë
të ftohtë
të braktisun
varret humbën
mbeti kujtimi i krrelave t'arta
i syve të kaltërt
emnat e vogëlushve
zemrat e lëndueme të nanave
në lartesitë qiellore
ndritën yje të rinjë !
Acar kërcënues

Acari i netëve të janarit
qëndron pezull
kërcënues
mizor
vagëtima fëmijësh
rrënkime pleqësh
grahma mortore
çajnë muret e kazermave vigane
hidhen drejt qiellit
shigjeta flakruese
mesazhe dëshpërimi e dhimbje
qielli qëndron i heshtun
në zbrazëtinë e pafundshme
i ftohtë
i largët.

Mes territ të natës endem
kërkoj që të flas me yjet
kërkoj që të flas me hanën
(a ka diell e dritë mbi botë ?)
orvatem
të ndez pishtarin e shpresës
për të lëshue një fije ndriçim
mbi këtë tokë të mjerë
mbi këto njerëz të braktisun
të sfilitun
të harruem.

Yjet fundosën në humnerën siderale
hana tej maleve zhdukët
acari i netëve të janarit
qëndron pezull

kërcënues
mizor
vagëtima fëmijësh ndigjohen
rrënkime pleqësh
grahma
ankime e lutje nanash
të trishta !



Skllavët e shekullit njëzet

Një hordhi qënjesh po zbret
nëpër shtigjet e ashpra malore
ngarkue si kafshë pune
burra e gra
djem e vajza të reja
bukuria e tyne
mbështjellë me zhele
t’perkulun
nën peshën e barrës së randë të druve
nën peshën e randë teëterrorit
fytyrat e tyne të dëformueme
prej lodhjës e prej torturës
bie shi
bie borë
frynë era acar
djeg vapa përvëluese
karvani i skllavëve të shekullit njezet
shekull i turpshëm
hyp e zbret leqëve malore
nën tytat kërcënuese të armëve vrastare.
Çdo pike djersë ka një pikë lot
çdo pikë loti ka një pikë gjak
me rraskapitjen shtohët dëshpërimi
me dëshpërimin lodhet me shumë trupi
lodhet dhe mendimi.

Varret qëndrojnë të heshtun
të vdekmit sodisin të heshtun
në qetësinë e thellë të tokës së zezë
ku kane gjetë prehje e qetësi t'amshueme
veshtrojnë ndoshta
nga lartesia e qiellit hyjnor
i shpëtuen përjetësisht mundimeve
mjer të gjallët
mjer këta skllavë të shekullit njëzet !
Heronj e martirë



Heronj trima


thue të dalun prej poemëve homerikë
krenarë
të fortë
guximtarë
si krenaria e shqipëve të malëve
si fortësia e shkambit granitor
si guximi zulmëmadh i luajve
kreshnikë të ri lëgjendarë !

U këputen flatrat
u coptuen shkembejt
u robnuen luajt.

Të tjerë emna herojsh
të tjerë emna dëshmorësh e martirësh
do të skalitën në mermerin e pavdekshëm
do të këndohën nga rapsodët.

Prind herojsh
nana herojsh
nuse herojsh
vllazën e motra herojsh
fëmijë herojsh
ata vetë heroj
ata vetë dëshmorë
ata vetë martirë

Sa të shumta kryqe
sa të shumta varre
pleqsh
nanash
nusësh
vllaznish e motrash
fëmijësh engjullorë
sa e sa kryqe
sa e sa varre
te bjerruna skurrëve e prroskave.

Sa kunora me gjemba
mbi ato koka të pafajshme
sa gozhdë te ndryshkuna
mbi ato duer bujare
sa fytyra të pergjakuna
sa shpata që thyejnë kocka
sa heshta që çajne gjokse.
Me mija të kryqëzuem
Krishta
mbi Golgotën e shekullit tonë
të këtij Kalvari të shekullit njëzet
që komunizmi ngriti mbi botë
për turpin e vet
mbi aq popuj të gjorë
mbi aq kombe të dëshpëruem
për bijt e bijat e tyne
që u banë thëror
vra
mbytë
masakrue
prej xhelatëve gjakatar
barbarë e çnjerëzor.

Sa martirë vogëlushë
sa dëshmore të shejtë
fëmijë
fëmijë
fëmijë
të grabitun prej gjinit të nanave
të bardha petale zambaku
të grabitun prej syve të etënve
të bardha pupla pellumbash
të grabitun prej dashnisë njerëzore
të bardha flutura bore
të grabitun gëzimit e lirisë
jetës fëmijore
(lodrat mbetën të braktisuna)

Sa e sa varre dhe kryqe
varre
varre
varre
kryqe
kryqe
kryqe
të humbun
të zhdukun
të tretun
pa lanë shej e gjurmë
në këtë toke të shkretueme
prej stuhive të çmendunisë njerëzore
tokë lotësh
tokë dërgjesh
tokë në meshirë të fatëve të kobshëm.

Ne lartësine e qiellit
në lavdinë e madhërishme të Zotit
buzëqeshje vëzulluese engjujsh
gjitkund
yje
yje
yje
shëndritës
n'universin e pafund !



Balada e bukës

Yjet vështrojnë të heshtun
dhe vëzullojnë
në largësinë e nates kosmike
indiferentë
endëmi shtigjëve të mendimit
si lugetën e hije
qëndrojme pranë njeni tjetrit
e s'njihemi
as njohim vetvehtën
(kërkova një copëz pasqyrë).

Të gjallët jetojnë me të vdekmit
të vdekmit me të gjallët
për një kafshatë
për një kothere bukë.

Ne grahmën e fundit i burgosuni
mbërthen pas gjoksit racionin e bukës
me dy duert skëletike
rrenkon
bukë
bukë
bukeë!
Shpirti s'po don me i dalë
aq i lidhun pas asaj kotherëje të thatë
aq e shtrejtë
aq e dashun
aq e shejtë
prej së cilës duhej të ndahej
me aq dhimbje
përgjithmonë

Tre dit jetoi i vdekmi me të gjallët
e tre net
tre dit jetuen të gjallet
me bukën e të vdekmit
e tre net
tre dit e tre net
u përgjigj i vdekmi apelit të kapterit
me gojën e të gjallit
u gropos diku
ku ?
U gropos një njeri
u gropos një racion buke
u gropos një emën
një racion buke ma pak
një emën ma pak
në listën e apelit
ma pak shkronja
ma pak kulturë
në librin e shkruem
me mija emna
të gjallë e te vdekun
në librin e kapterit
kryevepër
me mija vargje
kalue Homerit e Virgjilit
Dantes e Shekspirit !

Yjet vazhdojnë të vështrojnë
të heshtun
xixëllues
prej largësive të pafundshme
indiferentë
si gjithmonë !



Flijim mizor

Ç'asht ky idhull prej hekuri e çeliku
i ngritun
mbi këtë altar të tmerrshëm
të përgjakun ?

Nje ylle i kuq vigan
gjak
një drapën i ndryshkun vigan
gjak
nje çëkan i randë vigan
gjak
një flamur i huej vigan
gjak
potrete vigane
të Stalinëve & kompani
xhelateë përbindësh
terror përbindësh
mbi male skeletësh
kokallesh
kafkash !

Cilet jane
këta shtriganë të çthurun
që nuk njohin Zot e fè
që shqyejne
kaq trupëza të brishtë
vogëlushësh të njomë
kaq sure të hishme
vajzash e nusësh përri
kaq trajta të pashme
djemsh guximtarë
kaq muskuj t'fuqishëm
trimash kreshnikë
kaq mise të lodhuna
pleqsh të gjorë
të flijuem kurban
idhullit monstër gjakatar
të komunizmit
të pa din e imanë
të pa feè
të pa Zot?

Një kasapane qënjesh njerëzore
të pafajshme
sakrifikue
nje pushteti tiranik
barbar
mizor !



Nën mbulesën e frikës

Acari i netëve të janarit
qëndron pezull mbi kampin
kërcënues
i kobshëm
dëgjohën
vagëtima foshnjësh të njoma
rrënkime pleqsh
grahma mortore
brenda atyne kazermave vigane
shpella ciklopike
ku i frikshëm
terrori
veshun me rroba policësh
me qizme policësh
me gryka pushkësh
automatikësh
me fjalë t'egra
barbare
poshtnuese
sillet rrotull i llahtarshëm
struken viktimat
nën mbulesën e frikës
të mornicave
të ngricës.

Dikush tepër i lodhun
tepër i dërmuem
nën batanijën e randë
në gjumin e thellë të vdekjës
pushon
prej tre ditësh
zemër madh e bujar
racionin e vet të bukës
trashëgim
ia la dikujt !



Kampi famëkeq i Tepelenës

Tepelena u damkos me njollën e turpit nga komunizmi, që aty krijoi kampet më të tmerrshëm të internimit që kishte njohun ndonjëherë vendi ynë. Duke përfshi edhe Turanin e Memaliajn Veliçotin , aty u mbyllën për pesë vjet shumë të gjatë, me mija familje. Pleq e plaka, burra e gra, të rij e të reja, fëmijë të mitur dhe foshnje të varun pas gjinit të nanave të reja, që sapo ishin nda prej burrave të tyne të arratisun në mal ose jashtë shtetit.
Konditat ishin tepër të këqia. Një mungesë e plotë e strukturave higjenike, krejtësisht primitive. Sëmundjet ngjitëse filluen të korrin viktima ndër pleqtë dhe fëmijët. Qenë këta që e paguen shtrejtë këtë gjendje absurde të një pakujdesie të pafalshme nga ana e administratës komuniste sepse vdekja po i korrte si pas qejfit. Epidemitë shkaktuen një ekatombë të vërtetë foshnjesh të njoma.
Shumë nana mbetën pa fëmijë. Xhelatët përfitonin për t'i nxjerrë menjëherë në punë të detyrueshme. Puna ishte shtazore, me mbajtë mbi kurriz si kafshë ngarkese, barrë të randa drushë, gurësh, plehu etj. me kilometra e me orë të tana, nëpër shtigje të pjerrta e të ngushta malore, me shi e me borë, me vapë e me acar, pa ushqim e pa veshmbathje.
Prej vuejtjeve e mundimeve, prej urisë e prej të ftohtit, vdiqën shumë të internuem, sa që u ba problem për varret, që kishin mbulue fushën në hyrje të Tepelenës e dalloheshin nga rruga automobilistike e binin në sy për keq. Kështu u ndërmor nga komanda tranferimi i parë i varrëve e shumë prej tyne humbën. Varret u çuen në grykën e përroit të Bënçës, një gjysmë ore larg, për t'i përdjerrë. Ato varre do tranferoheshin përsëri ma vonë, në 1953, për t'i zhdukun krejtësisht.
Prania e fëmijëve në këto kampe ishte ana ma makabre dhe e tmerrshme. Kur shpërtheu dizanteria apo kolera, ata vdisnin si mizat. Në një natë të vetme, në kampin e Turanit vdiqën 33 fëmijë. Si pas dëshmitarëve që përjetuen ato rrethana të llahtarshme, pothuaj çdo ditë vdisnin nga shtatë - tetë veta, në Turan, Memaliaj, Veliçot e Tepelenë. Për t'u përmendun, vdekja e dy binjakëve të vegjël të nanës malësore Cuklina. Njeni në mëngjes e tjetri në darkë. Igjithë kampi i lemeritun dha kujën. Vogëlushët ishin të bukur si dy engjëj dhe shtëpia e tyne dilte fare, sepse nuk kishte mashkuj të tjerë. Kjo ngjarje u kthye në tragjedi. Motra tyne, që ishte arratisë, kur mori vesh lajmin e zi, vrau veten. Ma vonë lirohet e ama, tashmë e vejë e pa asnjë fëmijë e pa kërkend. Kur kthehet në kullën boshe e të braktisun e zen një dëshpërim i madh dhe e ther veten me thikë. Këto ngjarje të kobshme, njollosin sistemin e diktaturës, si një sistem nga ma të urryemit e ma kriminelët, që populli shqiptar pati fatkeqësinë të durojë për 45 vjet rresht, duke e pague me flijimin e mija e mija viktimave të pafajshme.
Këto mbresa vlejnë për të dhanë ma të qartë përfytyrimin e asaj vale terrori dhe persekutimi që përfshiu vendin tonë gjatë një gjysmë shekulli. Zgjodha këtë stil të lirë vargëzimi për të dhanë ma të fortë psikozën tronditëse që ishte krijue dhe që po përjetonin familjet shqiptare nën zgjedhën e diktaturës.



Një mijë mundime

Mija herë në pranga
mija herë ekzekutue
mija herë torturue
mija herë ne burgje
mija herë ne kampe
mija herë i uritun
mija herë i etun
mija hereëi vdekun
mija herë i kryqëzuem
ndeë mija kryqe
ndër mija pranga
ndër mija burgje
ndër mija kampe.

Lumej trupash të gjymtuem
lumej mëndjesh të përdaruna
lumej zemrash të brëngosuna
vijne trubull me gjak
shkumbues me gjak
lumej kockash të thyeme
gjymtyrësh të sakataueme
syshë të çakërdisun
gojësh të përçame
nga tmerri.

Xhelatë përbindësh
ku mund të gjejnë strehim
shpirtnat tuej katran
shpirtnat tuej të gjakosun ?

Katran
për krimet mbi njerëzimin
të gjakosun
për gjakun e pafajshëm
që dërdhet mbi njerëzimin !
Ankth e shpresë

Sa dhimbje
sa dëshperim
pushtojnë shpirtin e sfilitun
ankthe
forma të perçudme
kërcënuese
përfytyrohen pa pushim
mbi skenare të përgjakun
perëndimesh të perflaktë
shqetësues.

Uraganë e stuhi shkatërrimtare
lamshe qenjësh njerëzore
genocid universal
me gjak viktimash kupat plot
dehën monstrat e ngërdheshun
përbindshat që nuk njohin Zot
djajt vampirë nga ferri dalë.

Ideologji absurde e çmenduni
përfshijnë këtë tokë të përlotun
shëmbin e rrënojnë
shfarosin e përlajnë

Me sadizem të ndotun
pa dhimshuni
pa ndërgjegje njerëzore
nje tufan ideologjishë të çthuruna
përplaset mbi këtë truell të shkretë
mundohet të errësojë diellin
mundohet të hedhë në ferr ruzullin mbarë.

Diell
ngrihu me fuqinë tande rrezatuese
me fuqinë tande të zjarrtë
me fuqinë e dritës së pasosun
të drejtësisë
të lirisë
të mirësisë
të dashunisë
riktheje paqën në këtë luginë të pa shpresë
riktheje virtytin në këtë botë të përdalun
riktheje qetësinë në zemrat e brëngosuna
riktheje mirësinë midis popujve
riktheje dashuninë midis njerëzve !



Një heroinë e lirisë

Flokët krrela krrela
vashëza e hirëshme
buzët si lulja e allit
vashëza e bukur
zemrën të florijtë
vashëza e mirë.

Tërhequn për flokësh
zvarritun
t'përgjakuna buzët
goditun
ato sy të përvajshëm
mavitun.

Ma e bukur
me atë sjellje krenare
ma e bukur
me ato flokë të shprishun
ma e bukur
me ato sy të përlotun
aq ankth në zemër
aq ankth në mendje.

Bisha lakmiçare
xhelatët
vështrojnë prenë e bukur
Bishë të urituna
gllabëruese
dhe kur fillojnë të nxierrin
kthetrat
dhe kur nisin të skërmisin
dhambët
dhe kur hapin nofullat
t'egërsuem

prej dritarës
fluturon me vrull
vashëza krenare
vashëza e bukur
vashëza trime
heroina shqiptare
fluturim fatal
dallëndyshe pranvere
në një dimën të kobshëm
acar.

Ja vdekje ja liri
vdekje
liri !



Sa e bukur ishe moj Shqimni

Sa e bukur ishe moj Shqipni
tashma sa e zymtë që je !
Ne burimet e tua
të kjarta
të kullueta
gjak !
Në lumejt e tu
të shkathtë
të argjendë
gjak !
Në liqejt e tu
pasqyra të qiellit
gjak !

Sa e lumtun ishe moj Shqipni
tashma sa e trishtueme je !
Neëpyjet e bukura virgjën
vorre
në detnat e kaltra
vorre
në shkrepat granitor
vorre
të humbun
të perdhunuem
eshtnat e herojve trima
të tretuna !

Sa e hishme ishe moj Shqipni
krenare
për historinë tande
të skalitun
në rrjedhën e shekujve
për bijt e tu kreshnikeë
të dalun
prej lëgjendave të lashta homerike.

plot sHkëlqim njato dy sytë e zi
faqet e kuqe porsi molla n' gemb
buzët e tua gazmore
porsi lulja e allit
shtatin si selvia
gojën plot me kangë të hareshme
kangë trimnije
si ato zanat e malit perri
sa fatkeqe je tashti Shqipni !

Mbrapshtue historia
lëgjendat përdhunue
syteëmbushun me lot
faqet flakë e zjarr
prej marazit
buzët nxi prej tmerrit
goja plot vajtime
shtatin me plagë mbulue
kështu të katandisën
e të kanë mjerue
xhelatët e këtij shekulli kobzi
qofshin mallkue !



Atdhe Atdhe i imi

Atdhe Atdhe i im
tokë herojsh
tokë lëgjendash
gojdhanash
që trashëgohen ende
ndër malet e bjeshkët e nalta
ku fluturojne të lira
shqipet krenare
prej mjegullnajës
së kohëve të shkueme.
ndër pyjet e tua shekullore
ndër fushat
lumejt
detnat
ku flitet
një gjuh e vetme arbnore.

Atdhe Atdhe i im mijavjeçar
qytetnime të lashta
ruen me xhelozi
në gjinin tand
tokë bujare
tokë trimash
q'aq forcë i dhe
krahut të fuqishëm
teëGjergj Kastriotit Skenderbeut.

Atdhe Atdhe i im
tokë ligjesh të moçme
tokë e Kanunit të Lek Dukagjinit
të ligjit primar
të shqiptarve
krijue
në agimet e njerëzimit.

Tokë poetësh
lahutarësh
truell i Gjergj Fishtës
vjershëtarit të madhërishëm
të Homerit të fundit
të njerëzimit
që i këndoi trimnitë
heroizmat
e një populli luftëtar
e një populli kreshnik
e një populli liridashës
e nje populli shum të lashtë
si bjeshkët shkambore
që naltohën hijerandë
kunorë
të pamposhtuna kurdoherë.

Atdhe Atdhe i im
aq i çartun e fatkeq
në skëterrën e komunizmit
në sketërrën djallëzore
në skëterrën gjakatare
aq i çartun e fatkeq.

Gjithmonë qëndrove i vendosun
me trimni krenare
ndër stuhitë e historisë
s'pyete as për djall as dreq
as për baloza zullumqarë
histori të reja
kangë të tjera heroike
do të thurin e këndojnë
poetët mendjendritun
rapsodët e lahutarët
me atë lahutë aq të moçme
me atë lahutë jehonë e shekujve
e gdhendun me çelik shpatash
me hekur e zjarr betejash
e kalitun me burrni shqiptare
e stolisun prej mjeshtrave malësorë
e ruejtun prej Zanave belholla
n'ato bjeshkë të nalta mbulue me borë.

Histori të reja
kanë me u këndue
qe te mbesin trashegim
për breznitë e ardhshme
të trojëve arbnore !



Bir'i i njeriut

Kur dhimbja dukej se po më shqyente miset
kur tmerri dukej se po më shthurte mendjen
kur mënija dukej se po më pushtonte trunin
kur vuejtja dukej se po më trondiste shpirtin
kur lutja dukej se po heshte
dhe qëndronte memece mbi buzët e zhurituna
përpara me je shfaqej një kryq
e mbi atë kryq
i kryqëzuem
Bir'i i Njeriut
me atë kunorë gjembash katilë
mbi ballin hyjnor
me ato gozhdë t'ashpra të zeza
mbi duert bujare
me ato kuja të ndryshkun kovaçi
mbi kambët e lodhuna
me ato plagë të gjakosuna
mbi gjoksin e shejtë
me atë fytyrë të pikllueme
për botën mëkatare
me ato sy depërtues të ndritun
nga dhembshunia e madhe
sa dashuni në atë vështrim të zjarrtë
sa mëshirë në atë vështrim lutës
për ata që po e dënonin
që po e torturonin
që po e vrisnin
që po e kryqëzonin mbi kryq
zhdukeshin
dhimbja tmerri dhe urrejtja
e prej thellësisë së gjithë qenies sime
vinte fuqia dhe guximi
besimi dhe shpresa
lutja rikthehej
në buzët e përthame!
Lahuta e coptueme

Mora lahutën
me ia marrë një kange
një kangë trimnije me këndue
një kangë të maleve tona

t'ankueshëm kumbuen tingujt e saj
të vrazhdë
therës
thika në zemrën e lëndueme të njerëzve
si vaji i ngashruem i fëmijëve
në përpëlitjet e fundit
si lemeria e nanave të shkreta
mbi trupat e vogëlushëve pa jetë
si grahma e pleqve të mjerë
buzë vorrit mizor
si britma e llahtarshme e torturës
si kërcëllitja e prangave
si bataret e pushkëve vrastare

kupa e qiellit ra mbi mue
mbeta haru
ngrinë vargjet mbi buzët e zbeta
heshtën tingujt e lahutës së lodhun
s'ishin malet ma male
s'ishin fushat ma fusha
s'ishin pyjet ma pyje
s'ishin mrizet ma mrize
s'ishin krojet ma kroje
s'ishin kangët ma kangë
hana nuk ndriçonte për shtojzovallet
as për orët e zanat e dragojt
dielli nuk shëndriste si përherë
qielli qëndronte krejt i mvrejtun
prej reve të zeza të stuhive

lahutën e kapërtheva me dy duer
e përplasa për një shkamb graniti
e coptova për një trung lisi
tinguj të rënqethshëm u ndigjuen
jehuen të kobshme
isot e vajtimeve mortore!


Zbrazëti

Bora bie
e bardhë e papërlyeme
dhe ndotët e nxihet
prej shthurjeve të njerëzve
dhe skuqet
prej gjakut të viktimave
dhe kthehet në akull kallkan
prej mospërfilljes

kthetra të ftohta
kanë mbërthye të gjithë njerëzimin
(ç'dimën i madh)
dielli qëndron i strukun
mbas shtëllungave të zeza të reve
dashunia përdaret nëpër shtigjet e harresës
një natë e gjatë diluviane
mbështjell rruzullin tokësor
n'errësinën e llahtarshme
të kalamendun
i shtrijmë duert njeni-tjetrit
zbrazëtia hapet para nesh
e përfrikshme
shtrijmë duert për të gjetë një mbështetje
atje ku ka vetëm humnerò!



E kaluemja nuk kthehet

Kurrë
kurrë
nuk rikthehëmi
në lojnat e fëmijore
në lumturinë e rinisë
në dashuninë e pafund
të nanave tona
t'etënve tonë.

Një stuhi e përgjakun
një stuhi e përfrikshme
zhduku
format e tyne toksore
bashkë me to
çdo kujtim
çdo ndjenjë.

Mjegull e largët kohore
abstrakte
vëgimtare
mbetet tashma
e kaluemja
ajo nuk rikthehet ma kurrë !



Gjurmë të humbuna

Hap pas hapi
zvarritem
nëpër shtigjet gjithë pluhun
të arave

ndjek hijën time
hijën timë besnike
të heshtun
qe më prin e stërgjatun
nën dritën e venitun
të diellit përëndues.
mbrapa
mbi pluhurin e shkriftë
mbetën gjurmët e mija të lodhuna.

Për çdo hap një mendim
për çdo hap një ndjenjë
për çdo hap një kujtim
me çudi
e vështrojnë gjurmët
këtë vetmitar
këtë hije
që zvarritet nëpër pluhurin e fushave
aq i mëndueshëm.

Vetëm gjurmët
mbetën mbrapa
stamposun
n'atë pluhur të butë
që zhdukën në hiç
nën vrullin e parë të erës !




Kuq e zi

Të mbështes kokën
në cungun e një lisi
që rrajët i ka thellë
në historinë e kësaj toke
të shtrij trupin e lodhun
në brazdën e plisave
ku do të mbijnë
lisa të tjere te fuqishem.

Të përqafoj barin e njomë të blertë
erë t'u marr lulëve të lëndinave
të thith aromën e gjakut të martirëve
që i vaditën
në agimet e ngarkuem me breshëri armësh
kur gjokset e tyne ishin mburojë të lirisë.

Shume lulekuqe bijnë në trojet tona
gjatë shumë shekujsh bëtejash ranë shumë heroj
dhe gjaku i tyne i dha ngjyrë lulekuqëve
me lulekuqet u qëndis flamuri valëzues
kuq
me zemrën e herojve shqipja dy krenare
zi
kuq e zi
shpaloset flamuri i arbnit
mbi gjithë kombin shqiptar !



Lëgjendat përsëriten

Një baloz i ardhun prej stepave Siberiane
apo prej Uralëve të largta
e prej malëve t'ashpra të Kaukazit
kishte lëshue një haraç të randë.

Nga nje trim për shtëpi
po don me gri
e gra e fëmij
me gllabërue
me gjakun e viktimave
etjen me shue
i pangopshëm gjithmonë
kanibal mizor
hukubet e katalla i ndyrë
me një sy të kuq gjak në ballë
si gacë prushi i zjarrtë
me një drapën në një dorë
me një çekan në tjetrën
korr qënje njerëzore pa meshirë
dh'eshtnat u copton
me egërsi.

Gjergj Elez Alia kreshniku i malëve
trimi i pavdekshëm i lëgjendave shqiptare
turrshëm asht çue si rrufeja
nga varri shekullor
ka ngjesh armët e rrepta
ka shilue atin pullalli
ka vringllue shpatën flakëruese
me balozin fort asht kapërthye
në sulme ngulmuese
idhshem kanë flakrue patershanat
rreptas kane kryqezue jataganat
fort fuqi i ka dhanë krahut Gjergj dragoi
si nje vetimë ka shkëlqye shpata mizore
koka e balozit ka flutrue në njenën anë
trupi asht gremis në anën tjetër
u perserit e lavdishme
lëgjenda e vjetër !

Baloza
Baloza
të zi
të kuq
të verdhë
me shqiptarin mos u ndeshni kurrë
mos u ndeshni me Gjergj Elez Ali
si malet shkambore asht forca e tij
s'pyet për plagët e luftave shekullore
qe e randojnë
s'pyet për rrasat e mermerit
që e mbulojnë
nga vorri çohët përsëri
nuk lejon që sytë e bukur
të motrës trime Tringë
të lotojnë
nuk lejon që kambë anmike e huej
të shkelë atdheun e tij
s'duron që balozat të kapërdisen
e me thundrat e tyne kafshore
të shkelin trojet shqiptare
haraçe tuj kerkue e flijime
e vasheza të bukura si përri
kurdohere do të gjëndet
kurdohere do të ngrihet
një Gjergj Elez Ali
burrë mbi burrat e trim i rallë
tokave arbnore
zot me u dalë ngadhnjimtar
anmiqt
baloza qofshin
apo kulshedra me shumë krena
me i rroposë e me i përmbysë
e me i shue fare !
Ne çdo votër
të kullave kala shqiptare
do të kumbojnë tingujt e lahutës
lëgjenda të reja do të thurën
e Oret e Zanat e malit
e Shtojzovallet
do të kërcejnë
kangët e heroike tuj këndue
për fatosin e pavdekshëm
trim mbi trimat Gjergj Elez Alinë !



Nanës sime

Nanë
nanë
nana ime !

Nje britmë plot ankth
plot ankth një thirrje
prej thellësisë së qënjes sime
prej zemrës
prej shpirtit tim.

Nje jehonë
një fytyrë
një buzëqeshje
një gëzim
kujtime të një fëmije të lumtun.

Mundime
lot
dëshpërim
vdekje.
Kujtime të një njeriu të brëngosun
mbërthye në pranga
trup
mendje
shpirt
perçudnue
mbarue.

E randë pesha e padrejtesisë
e randë pesha e mohimit
e randë pesha a absurditetit
e randeëpasha e terrorit
e randë pesha e përversitetit

Nanë
nanë
nana ime
dashunia jote thyen prangat e zeza
përmbys muret e absurditetit
rropos të gjitha mbrapshtinat
i jep drite mendjës
fuqi trupit
liri shpirtit.

Tashma
zani yt i ambel asht i larget
fytyra jote
vetëm një kujtim i zbetë
dashunia jote
vetëm një vëgim çasti

Nane
nanë
nana ime

ndigjoje britmën e tand bir
ndigjoje thirrjen
në prehnin tand
gjen prehje
një fëmijë
ende !


Dashuni e ndrydhun

Dashunia mbeti e ndrydhun
ndër muret e mendimit
dhe mendimi vetë
ndër muret e qëlive
(e kam fjalen për trunin).

Andrrat vetëm
mund të dëpërtonin përtej gurit
mund të dëpërtonin përtej betonit
përtej dyerve të hekurta
e telave me gjemba.

Ne pandërgjegjën e gjumit
çdo andërr ishte dashuni
e çdo dashuni andërr
e bukura ime
një vëgim !



Balada e trëndafilit

E këputa një gonxhe trëndafili të bardhë
në agimin e një dite pa shkëlqim
dielli fshihej pas reve të zeza
dielli nuk lëshonte ma nxehtësi
nuk kishte ma forcë
nuk kishte ma jetë
ishte shue
si mund të çelte trëndafili i bardhë?

e vendosa në një vazo të kristaltë
në dhomën time të vetmueme
ku diell ishte dashunia
ku dritë ishte mirësia
u magjepsa me lulëzimin e trëndafilit
me shkëlqimin e petaleve të bardha
dhe u mahnita nga ajo bukuri e rrallë
bukuri e brishtë!

e pashë trëndafilin duke u venitun
peta let binin njeni pas tjetrit
si fjolla dëbore
të ftohta
dimni po trokiste mbi xhamat e dritares
dielli tashma ishte harrue
shpirti po sfilitej
në përqafimin e errësinën siderale
ku nuk mund të çelnin trëndafilë të bardhë!



Terror e mizori

Një mjegull e përmortshme
një mjegull e përgjakshme
mbi gjithë vendin
terr
e nëpër terr e terr rreshqasin hije
shpirtna t'arratisun të mallkuem
e nëpër terr e terr një heshtje e randë
që të len haru.

Si hije lugetnish nëpër rrugët
hijet e xhelatëve
vijnë vërdallë
çdo shtëpi përgjon me frikë
me ankth e brengë
plot llahtar.
Befas
një trokitje dyersh
aq shurdhuese
një potere prangash
aq e vrazhdë
gulçasin kamionat
si breshën mbi kalldram
hapa policësh
sigurimi
tmerr !

Burrat i kanë lidhun
trimat i kanë prangue
po duen trimat për me i vra
po duen trimat për me i pushkatue
mizorisht

Vajë nanash të mjera
vaje nusesh e motrash të ngrata
vajë i ngashruem fëmijesh jetima
edhe muret e shtëpive
qajnë
edhe gurët e kalldremëve
qajnë
edhe makinat e kaminonat
qajnë
veç përbindëshi qesh
gajaset
e si oktapodh hukubet i ndyre
zgjat krahët gjarpij - shushunja
që shtrydhin pa mëshire
viktimat e shkreta
shtrydhin
shtrydhin
viktimat e pafajshme.

Lot në sytë e nanave
lot në sytë e motrave
lot në sytë e nuseve
lot në sytë e fëmijve.
Gjak në sytë e xhelatëve
gjak mbi ballin e katilëve
gjak mbi duert e vrasëve

Krisma pushkësh mortore
në breg të lumit
gjak në ujnat e trembuna
lot në zemrat e nanave
batare plumbash mbi gjokset e trimave
gjak mbi zallishtën e bardhë
lot në zemrat e motrave
tyta të zjarrta mbi ballin e herojve
gjak mbi ranishtën e shkriftë
lot në zemrat e fëmijëve
përhapet jehona e përfrikshme
tronditën malet e fushat
llahtar!

Nje za buçet i fuqishëm
një thirrje
ma e fortë se krisma e armëve
ma e forte se breshëria e plumbave:

Rrofte Liria
Rrofte Shqipnia !

Dridhet zemra e tiranit përbindësh
tmerrohet
monstri ngrin i ngërdheshun
ushqye me gjak
zhytun ne gjak
se fundit hesht
infarkt !



Ecce Homo!

Njeriu
kapitali ma i çmuem
shkruente Lenini
po
vërtet
asht njeriu
kapitali ma i çmuem
shpallte Stalini
prej Siberisë së pafund
mbi ato miliona qënjesh njerëzore
që kish zhdukun
në hiç

Ecce Homo !

Shpallin bijt e Stalinit
gjithashtu
Çausheskët
Enverët
Pol Potët
Maot
krijesat përbindëshe të komunizmit
shpallin e shpallin
xhelatët e popujve
dhe demagogët e tjerë
diktatorë

Ecce Homo !

Po
njeriu i prangosun
njeriu i fyem
njeriu i torturuem
i kryqëzuem
i masakruem
i vramë
njeriu i mjerë
bagëti
për me ngranë bar
me acion.
njeriu i degraduem
qen
për me brejte një kockë
një popull
një popull i tanë
qen
për me brejte një kockë.

Ecce Homo !

Mbi banketeë e përbindëshve
mish
në kupat e arta të vrasëve
gjak
në gotat e kristalta
të varrmihësve
lot
djersë
në syte e përskuqun të xhelatëve
në buzët e dëformueme
egërsi
sadizëm
tmerr
tmerr !

Ecce Homo !

Ja njeriu
njeriu i Leninit
njeriu i Stalinit
e i bastardeve të tjerë

i bijve të denjë të tyne
grabitçarë të urryem
të njerëzimit
përbindësha.

Ja pra njeriu
kapitali ma i çmuem

Ecce Homo !



* * * * * * * * *
Korbat

Nje korb
mbi majen e një lisi shekullor
me qindra korba të tjerë
pas tij
mbulojnë degët
me një kunorë t'errët
ogurzezë
dhe fillon orkestra
sinfonia makabre
dhe kori
krra...krra...krra...
Heshtin kangët e bilbilave
ciciramat e zogjve
pushon fluturimi i pëllumbave
në qiellin e kaltërt
të dlirtë
re të zeza të pështjellueme
mbulojnë diellin perëndues.
Te zhytun në llucën e mashtrimëve
të një ideologjie të përdhosun
përverse
qëndrojmë të pafuqishëm
n'atë errësinë të pistë
të përçudun.
Qizmet e randa të diktaturës
shkelin mbi krenat tona
mbi miset tona
të dhunshme
dërmuese
ndigjohet vetem
krrakrrakrraja
e sorrave e stërqokëve
te kërmave
krrakrrakrraja
e korbave të zi !



Vrasjet në kufi

Ata që qëndronin të dënuem në kampet e internimit nuk kishin asnjë mundësi që të arratiseshin, sepse ishin të rujtun ditë e natë prej organeve të sigurimit e prej spiunëve të ndryshëm që kontrollonin çdo lëvizje. Kush prej tyne orvatej të ndërmerte një hap të tillë ose përfundonte i vramë ose kapej e degdisej në burg.
Ndërsa ata që quheshin të lirë, e kishin më lehtë t'i iknin kontrollit e vigjilencës së forcave të sigurimit e ndërmerrnin guximin për t'u arratisun jashtë shteti. Disa arrinin të kalonin, por ma të shumtët mbeteshin të vramë mbi telat me gjemba ose kapeshin duke pësue tortura e dënime të randa.
Ushtarët kufitarë caktoheshin nga familjet komuniste, sepse tek të tjerët regjimi nuk kishte besim. Kohët e fundit, ushtari që arrinte të vriste një njeri që kërkonte të arratisej, shpërblehej me 300 lekë të reja dhe një leje një mujore. Një akt që tregonte qëndrimin kriminal të qeverisë komuniste, për t'i mbajtun shqiptarët të mbyllun brenda kufijve si në një vath bagëtishë . Sigurisht se ky përcaktim i mbyllës i kapërcente përmasat, sepse vendi ishte kthyer në një burg apo vorr të madh.
Rënqethëse ishte shëtitja e kufomave të të vramve nëpër fshatna, të lidhun me tela me gjemba mbi ndonjë rimorkio traktori apo pas
noçkës së ndonjë buldozeri, për t'i kallun tmerrin populsisë. Megjithë këto masa makabre, të rijtë nuk përmbaheshin dhe kërkonin vazhdimisht për t'u arratisun drejt botës së lirë, që sistemi komunist ua ndalonte me masa nga ma të egrat shtypëse. Një gjendje që nuk kishte ekzistue kurrë gjatë gjithë historisë sonë që prej pushtimit turk e këndej. Në kohën e mbretnisë, njerëzit hynin e dilnin prej Shqipnisë lirisht me pasaporta e pa asnjë pengesë për punë, për studime për qejf e të tjera arsyena.
Diktatura komuniste bahej çdo ditë e ma tepër ma e padurueshme. Persekutimi politik sa vinte e shtohej. Vdekja e diktatorit nuk solli asnjë ndryshim për mirë, bile gjendja u keqësua ma tepër, sepse ekonomia arriti në falimentimin e saj të plotë. Qeveria filloi të marrë masa shtypëse të pajustifikueshme. Shqiptarët kërkonin të afroheshin nga Evropa, kurse pushtetarët vazhdonin të rrinin të lidhun pas qerres së komunizmit aziatik të Moskës, të Kinës, Ko resë etj.!
Kjo gjendje nuk mund të mbetej e pa pasqyrueme dhe në veprat e shkrimtarëve dhe por sigurisht jo të atyne që ishin të inkuadruem në Lidhjen e Shkrimtarëve të "Realizmit socialist", sipas të cilit ky lloj realiteti duhej të paraqitej i idealizuem dhe lulëzuem, në kundërshtim me gjendjen, ku të drejtat themelore të Njeriut ishin të mohueme e të shkeluna zyrtarisht! Në këto poezi trajtohet ai realitet i hidhun që kishte mbërthyen vendin si në një danë të hekurt, për të mos i lanë njerëzit me marrë frymë as me mendue një çast të vetëm. Jemi të destinuem me dëshmue të vërtetën para historisë!



Bijt e Prometeut

Netët njohën vetëm
n'errësinën e shëmtueme
të qëlive të ftofta
terrorin njohën vetëm
torturat barbare
të xhelatëve vampirë
gjak e lot
ankth e brengë
njohën vetëm
ata
që misheronin dituninë
të ushqyem me zjarrin e pashuem
të Prometeut
pishtarë te flakëst hyjnore
qe e ngriten lart
mbi kete truell te lashte
ata
që po i këthenin kombit
lavdinë e kohnave heroike
dhe po hapnin rrugën
drejt qytetnimëve të reja !



Sa lutje ?

Sa lutje
(nje lutje ?)
me mija lutje
me miliona lutje
murmuritën
në buzët
në zemrat
në shpirtnat

mendjet e çorodituna
buzët e përthame
zemrat e coptueme
shpirtnat e brëngosun

Nuk mund të perqendrohemi
në mendime
dyshim
nuk mund të levizim buzët
dyshim
nuk mund të tregojmë
rrahjet e zemrës
dyshim
nuk mund të shfaqim
krenarinë e shpirtit
dyshim.

Ligji i dyshimit
kërcënues
qëdnron si orl grabitçar mbi ne
(apo shpatë e Damokleut ?)

Lutjet që shtjellohën thellë në qënjen tonë
në këto netët e gjata dimnore
si farnat bimore u përthanë
mbetën të ngrime në acarin e akullt.

Presim diellin e nje pranvere të largët
a do na ngrohin vall rrezët e tij ?
Lutemi akoma
mjafton të na plotësohet një lutje !



Teori e praktikë

Darwin
Darwin
sa e mrekullueshme teoria jote !
Prej epokave të harrueme
prej shpellave të errëta
të një bote të humbun
të varrosun
nxore në dritë
ringjalle
lëgjendën e madhe
aventurën e mrekullueshme
të njeriut
" homo sapiens "

Miliona e miliona vite
u deshten
qe nje majmun
kafshe gdhe
i pavetëdijshëm
" Homo inconsciens "
të transformohej
në një qënje njerëzore
të vetëdijshme
" Homo consciens "
të evoluonte në njeri
të dijshëm
" Homo sapiens "

Darwin
Darwin
sa e kotë ajo teoria jote !

Nje biri të mallkuem të Stalinit
një diktatori paranoiak
i mjaftuen
vetem dyzet vjet praktikë
me revolucionarizue
njeriun e dijshëm
" homo sapiens "
në kafshë primate
majmun
kafshë gdhe
njeriun e ri
" homo novus "
me e transformue
e përçudnue
një popull të tanë
në kafshë primate
majmun
kafshe gdhe
ne njeriun e ri
" homo novus "
majmun !



Mallkim

Një mëngjes i kuqërremtë
i pergjakun
mbi atdheun fatkeq
të braktisun
të poshtnuem
të perçudun

Një yll i kuq me drapën
një yll i kuq me çekan
yll e drapën e çekan
simbole absurde
të hueja
anmiqsore
mbi një flamur të kuq gjak
gjak që rrjedh e kullon
gjak i mpiksun therorësh.

Drapen
mbi të korrat e bollshme
martirësh e viktimash
gjak

Çekan
mbi kockat e coptueme
herojsh e dëshmorësh
gjak

Drapen
tmerr
Çekan
tmerr!

Kazme e pushkë
të tjera simbole absurde
shkatërruese.
Kazme
shëmbje
varrmihje.
Pushkë
vrasje
krime
xhelatë mizorë
vrasës të pafajsisë
shporruni
jashtë historisë e qytetnimit
te mallkuem !



Dikush vdes

Kur hedh një vështrim mbrapa
në brazdën e gjatë të kohës
mundohem të hulumtoj
të kuptoj
të shoh
pa frymë mbetëm
i tmerruem.

Një turmë njerezish mjeranë
më shfaqet
të zbathun
të çveshun
që zvarriten
nëpër balturinat e moçalëve
nëpër llucat e zeza.

Kazma e lopata
kazma e lopata
kazma e lopata
dhe policë
bisha t'egërsueme
çërberë
nofull dalë
sy çakërdisun e çatallue
gishtin e pamëshirshëm
mbi kambëzen e armës vrasëse.

Nje breshëri mortore
mbi trupat e zdërlaqun
të lodhun
pa mbrojtje
pa forcë
pa shpresë
dikush vdes
një babë
një djalë
një vëlla
një mik
një shok
një njeri vritët
vdes
varri i tij
lluca
varri i tij
kujtimi
ndoshta
emni !




Dëshpërim e lutje

Lëkundet shpirti i shqëtsuem
n'errësinën
e këtij shekulli absurd
absurde
padrejtesitë
absurde
barbarizmat.

Mbi brigjet ranore të kohës
shkelin hapat tona
kërkojnë të lajnë
gjurmët e kujtimëve.
I fshin era parreshtun
i fshijnë dallgët e detit
në çdo çast.

Shtrijmë duert drejt qiellit
lutës
me dëshpërim
në rrjedhjen e lotëve
shkruhën lutjet tona
në rrjedhjen e gjakut
fiksohet fati ynë.

Nanë Shqipni
nanë e shejte
nanë shekullore
nane e mëshirshme
e kombit mbarë
në prehnin tand
na merr
na mbron.

N'ate prehën
bujar
në krahët e tu
në dashninë tande
në dhemshurinë tande
kërkojmë
tashma
shpëtim !



Frati dhe kryqi

Dite e kobshme për njerëzimin
një diell i zymtë
me dritë të mekun
me grohtësi të pakët
një simbol i turpshëm ngrihet mbi botë
një kryqëzim absurd
drapen e çekan
tmerr
në shpirtnat e sfilitun
në mendjet e çorodituna
tmerr
mbi popujt e nënshtruem !

Por
një kryq i thjesht druni
një kryq krejt i thjeshtë
spikat në qiellin e përgjakun
në këtë agim të trishtë
një kryq
në dorën e thatë
të një frati të mjerë
pret frati i vogël
në bregun e mallkuem
të një lumi
pret në heshtje
goditjen e plumbave vrasës.

Kur krisma e kobshme e armëve
bashkohet me currilin e gjakut të shenjtë
kryqi mbetët lart në qiell
në grushtin e hekurt
të fratit trim
kryq i thjesht prej druni
kryq vigan i lirisë
i një vullneti hyjnor
me një shkelqim drite llamburitës
kryq i përflakun
madhërisht krenar
mbi botën
mbi njerëzimin
kryq fitimtar !



Urrejtje e mëshirë

Nje dorë mizore
një grusht mizor
ngrihet
mbi qiellin e vrejtun të historisë
përplaset shkatërrues
mbi vlerat e larta njerëzore
mbërthen
në kethetrat e përçudme
misionarët e besimit
lajmetarët e dashnisë
të vllaznimit !

Shoh
gjymtyrët tueja
të shqyeme
prej breshërive të armëve vrasëse.
Shoh
plot ankth të papërmbajtun
miset tueja
të dëformueme
nga laku i litarit
në ato ditë të mynxyrta
të terrorit absurd.
Shoh
fytyrat tueja të gjakosuna
kunora gjëmbash
mbi ato koka të lodhuna
gozhdë katile
mbi ato duer të shejta
gozhdë xhelate
mbi ato kambë të zbathme.
Shoh
buzet e perthame zhur
prej etjes
gjokset tueja bujare
të plagosun
mbi gjithë ato kryqe
u shoh
të kryqëzuem !

Kurre nuk përjetoi ma turp bota
kurrë nuk përjetoi ma urrejtje njeriu
mbi këtë tokë gjynahqare
të përdalun
dhe kurrë
nuk pa dashuni ma të madhe rruzulli
n'ato vështrime
plot besim të zjarrtë
kur në çastin e fundit
lutëshin
për mëkataret
vrasësit
fali o Zot
se nuk dijnë çka bajnë !



Një martir ma tepër

Në zymtësinë e një dite shiu
një zymtësi qënjesh njrëzore
qe hiqen zvar
nëpër moçalishte
e balta kënetore
me lopatat mbi supet
skllevën
me prangat mbi mendimet
skllevën
me grykat e pushkeve mbi tamthet
skllevën !
T'errta
të kobshme
kalojne retë
lotuese
në velot e tyne te zeza mbeshtjellë
kalojne retë
vajtuese
në llucën e pistë
rreshqitëse
nëpër baltën ngjitëse
një hordhi njerëzish t'rraskapitun
gjymtyrë skëletike
kufoma të gjalla.
Nje krah ngrihet drejt qiellit
prej llucës së gjakosun
një dorë
një kryq
një heshtje
një vdekje
një tmerr
një skllav ma pak
një njeri ma pak
një frymor ma pak
një martir ma tepër !



Kryqi i pavdekshëm

Një mendim i mbrapsht
në trunin e Marksit
dhe ma mizor
i çthurun
e djallëzor
në mendjen paranoiake
të një diktatori të madh
të një populli të vogël
ateizmi !

U shëmbën kishat e faltorët
xhamijat e teqet
u shkulën kryqet e varrëve
u shkulën zemrat
u shkulën sytë
u shkulën kambët
u shkulën krahët
u shkulën kokat
e fetarëve
priftave
murgjëve
të pambrojtun
por jo
kryqi i pavdekshëm
i ruejtun në shekuj
nga çdo besimtar burrë
nga çdo besimtar grue
nga çdo besimtar femijë
simboli i shejtë dymijëvjeçar
dymijë vjet besim i patundun
flaka gjithmonë e ndezun
në shpirtin kristian
gjithmonë
ngadhnjimtar !



Apostujt e besimit

Dymijëvjeçare
rrajët e tua
kryq
në këtë tokë të moçme
të ashpër
ku shqipet fluturojnë të lira
mbi malet mbulue me borë
nëpër kreshtat shkambore
e pyjet e çetinave vigane.

Ndigjohët kushtrimi i borive luftarake
ndigjohët ushtima e armve të rrepta
ndigjohët jëhona e kangëve trimnore
dhe një kumbim i largët
që nuk shuhët kurrë
prej kishave të humbuna
të vjetra
një tigull këmbanash shum i ambël
përtej hapsinave kohore

Në këtë luginë hallësh e mundimësh
plot lot e gjak
në këtë luginë mizorishë e krimësh
gjith padrejtësi
në këtë luginë vuejtjesh e mjerimësh
ku e keqja
shtrinëkthetrat e saja të hukubetshme
e kërcënuese
mbjell terror
tmerr
ankth
frikë
e ne simbolin e nje drapni absurd
mbjelle vdekje
korr jetë njerëzore
e në simbolin e nje çëkani
thyen e shtyp
mish e kocka bashkë.

Të dërmuem
apostujt e besimi
të poshtnuem
apostujt e së vërtetës
të përbuzun
apostujt e dashunisë
të kryqëzuem
apostujt e ndërgjegjës.

Kurrë
nje ankim prej buzëve të zhurituna
për një pikë ujë
të plasarituna
në çastet e torturave barbare

kurrë
një urrejtje në sytë e trishtun
mëshirues
në çastet e fundit të jetës
vetëm dhemshuni
përkushtim
në Krishtin të mishëruem
Krishta !


Lavdi dëshmorve

Pranvera
stina ma e bukur e jetës
sot i përulet vdekjës
vdekjës se lavdishme.

Në kujtim
të nanave
të nuseve
të fëmijëve
në kujtim të kombit mbare
me ma të bukurat lule
me ma të njomin bar
hijëshon
varret e shejta
të panjohun
të tretun e humbun
të dëhmorve shqiptarë
atje ndër pyjet shekullore
atje ndër bjeshkët e nalta
atje ndër fushat pjellore
ndër lumejtë e vrullshëm
ndër dentnat e dallgëzues
varret e shejta nderon
të luftëtarve të lirisë
të herojve të pavdekshëm
të dëshmorve
martirve
të Shqipnisë.



Vajtim

Kush qe ai shpirt katran
tiran mizor e faqezi
që mëshirë nuk pati
as një grimë turp
nuk pati fare
e këtu
mes këtyne maleve gurore
nën hijen e kësaj kalaje
ju përplasi
ju pllakosi
o vogëlushë engjëllorë
ju ndryni si qingja në vathë
në prit je të kasapit të përbindshëm?

një nga ju përlanë
ju shkëputën nga gjini i nanave
porsi njaj skyfteri grabitçar
kur mbërthen me kthetra mizore
zogjt e klloçkës së lemeritun
ju groposën në dheun e zi
ju groposën në dheun e ftohtë
mbushën brigjet e prroskave
me vorret tueja të vogla
kujës ia dhanë nanat e shkreta
qyqe vetëm kërcuna
mbetun
jehoi mbi mbarë vendin
vajtimi i kobshëm mortor!
kishte nanë ai katil
grue a kishte
kishte fëmijë?



Vrasjet dhe ekzekutimet

Vrasjet dhe ekzekutimet e njerëzve, viktima krejt të pafajshme, pa gjyqe apo të dënuem me gjyqe speciale, kryheshin në të aguem të ditës në bregun e lumit të çdo qyteti. Zalli i Kirit në Shkodër do të mbetet i kobshëm për shumë breza. Aty u pushkatuen me qindra e qindra intelektualë, fetarë, oficerë, personalitete e figura të shqueme të historisë e të kulturës, qytetarë e fshatarë myslimanë e të krishtenë, nga ma i randësishmi deri te ma i thjeshti. Edhe bregu i Lanës i Tiranës nuk i la gja mangut atij të Kirit. Ndër të tjera, aty u pushkatuen figura e personalitete të larta të Kombit, si Lef Nosi, Patër Anton Harapi, gjeneralët Aqif përmeti e Mirdashi, kryeministri Maliq Bushati, Sheh Ibrahim Karbunara e plot të tjerë.
Ashtu ndodhi në brigjet e lumejve: Vjosa, Osumi, Shkumbini, Semani, etj., që u përdorën si vende të ekzekutimeve kriminale të njerëzve ma të mirë të qyteteve pranë të cilëve ridhnin. Ma e keqja ishte se nuk i linin t'afërmit që t'i varrosnin, por pllakosëshin në gropa të përbashkëta diku në skuta të panjohuna. As sot e kësaj dite nuk u gjendën vorret. Në ato vende mortore nuk lejohej qarkullimi e ruheshin nga sigurimi, për të ndalue çdo orvatje nga ana e t'afërmve për të marrë eshtnat e të dashunve të tyne.
Që vendi i vorrimit të mbetej i pagjetshëm, mbuloheshin nga vetë ushtarët e togave të pushkatimit. Kishte raste që groposeshin edhe të gjallët, që nuk i kishte kap plumbi ose kishin mbetun të plagosun. Rojet kanë tregue se si përdokohë ndigjoheshin rrënkimet e të vorrosunve ndërsa gjaku gufonte mbi zallin apo ranën. Regjimi komunist po zbatonte politikën e pansllavizmit të Stalinit, duke zhdukun gjithë shtresën patriotike e intelektuale të Shqipnisë. Po përgatitej terreni i përfshimjes së Shqipnisë në kampin sllav si republikë e shtatë e Federatës Jugosllave me president Titon. Ishin këto arsyet që atdhetarët shqiptarë nuk pranuen të bashkëpunojnë me partinë komuniste shqiptare e cila ishte lidhun ngusht pas Moskës e Belgradit dhe zbatonte verbnisht urdhnat e udhëzimet e tyne antishqiptare. Si rrjedhim diktatura komuniste mori përsipër të spastrojë vendin nga të gjithë kundërshtarët politikë të saj, anmiq të përbetuem të sllavizmit, duke ushtrue terrorin ma të egër e kriminal ndaj tyne e duke mbushun Shqipninë me burgje e kampe internimi. Si pasojë vendi u mbyll hermetikisht dhe u izolue nga bota që të mos merrej vesh se çfarë krimesh të hatashme kryheshin brenda kufijve të tij, ku të drejtat ma elementare të njeriut, shkelëshin haptasi e pa ma të voglin pëndim, duke arritë në shkallën e krimeve kundër njerëzimit. Këto ishin pasojat e konferencave të Teheranit e të Jaltës, ku u vendos që Evropa Lindore dhe Ballkani të kalonin nën patronazhin e Bashkimit Sovjetik. Përfshimja e Shqipnisë në kampin komunist, ishte fatkeqësia ma e madhe që i ndodhi, ndër ma të kobshmet të historisë saj!



" COGITO ERGO SUM "
(Decartes)


Katër mure pa shpresë
gurë të ftohtë
të pamëshirshëm
më rrethojnë
mbi betonin e ndotun
spërkatun me njolla gjaku
shenja torturash
hieroglife për t'u dëshifrue
mesazhe misterioze dëshperimi
ngjarjesh të rënqethshme
krimësh.

Nga tavani i ashpër
varet një llampë e ndezun
natë e ditë
ditë e natë
(thue shpatë e Damokleut)
koha qëndron e palëvizun
ankth apo andërr

" cogito ergo sum "
shkruente filosofi Decartes
" sum ergo cogito "
them unë
i shtrim mbi çimenton e lagun
kujtoj rininë time të humbun
jeta ime shkruhet
në faqet e këtyne murëve !



Andrrat dhe realiteti

Murët më vështronin
të heshtun e të akullt
dhe unë ata
ma i heshtun dhe i ftoftë.

Ata
prisnin të njihnin një tjetër hominid
(nga që kishin njohun të ndryshëm)
kurse unë prisja me njoftë ndonjë mur tjetër
që të kishte një frënxhi
për të shikue një cope qiell të kaltërt
për të thithë pakëz ajr të pastër.

Ne gjithë atë zymtësi
nuk më mbetej veçse me andrrue
(kur xhelatët me linin rëhat)
me sy hapun
apo me sy mbyllun
(andrra pa diell).

Mund t'endësha i lirë nëpër botë
përtej këtyne murëve të tmerrshëm
kush mund të ndalte vrullin e mendimit ?
mund të fluturoja mes reve
mund të notojëa në thellësitë e detit
mund të bridhja në fushat pa mbarim
në male te larta
mund të takoja gjithe ato vajza të bukura
cila ishte ma i hijëshme
cilën me zgjedhë
cila do të ma pushtonte zemrën ?

Mund ta shihja veten në shtëpi
ja gjyshja ime e vogël
qe e dojsha aq fort
ja nana zemërbujare
ja prindi i rreptë
vllaznit e miqtë
plot dashamirë.

Mund t’ulësha në bangot e shkollës
mund të lodroja me shkokët çapkenë
në sheshet dhe oborret e kolexhit
plot lule jargavani për rreth .

Risgjohësha nga zhurma e llozave
e britmat e rojëve
pllakosësha ne realitetin e hidhun
muret me qëndronin sipër shtypës
(ç'faj kishin muret ?)
dëshiroja vdekjen !

Si mund të kthehësha në atë jetë përsëri
ashtu i lidhun kambë e duer me pranga
ashtu i mbyllun në atë qëli betoni
ashtu i përplasun në atë burg mizor
në mëshirë të një pushteti çnjerëzor ?

O Zot, o Zot mos më braktis




Edhi koha në pranga

Katër faqe muri
me shikojnë ngultas prej kohësh
dhe unë i shikoj ato në heshtje
kur nuk mundem të mendoj.
Mëni dhe urrejtje më vlojnë përbrenda
për ata njerëz që sajuen këto mure të trasha
që m mohojne qiellin
që më mohojnë diellin
që më mohojnë yjet
që më mohojnë lirinë
që më mohojne jetën
që më mohojne dashuninë
që më mohojnë të njehëm njeri
midis njerëzve
(ç'faj kane këto mure
që vetë njerëzit i kanë ndërtue
për të pllakosun aty shëmbëlltyrat e tyne ?)

Nje llampë qëndron e ndezun natë e ditë
kur ishte natë ?
kur ishte ditë ?
sa net e sa dit ?
mos vall muej e vite ?

Ndoshta koha ishte ndry edhe ajo aty
mes atyne murëve
me fatin tim
arriti njeriu të dënojë dhe kohën ?
mos vall e kane lidhë me pranga?



Petale bajamëje

Lart një frenxhi
qielli pas një zgare të ndryshkun
poshtë
mbi çimenton e ftohtë
mjerimi
bashkë me fatin tim
mbi murin e ngurosun
skalitun
jeta ime
dhe i gervishtun emni
ndër sa emna të pa njohun
e mbase
aq të ngjashëm.

Një petale luleje bajame
grabitun nga era
kaloi nëpër atë prezore
për ajri
si një flutur endacake
dhe erdhi e u ul butë butë
e lodhun
mbi faqen time të rrudhosun
me një përkëdhelje të ambël
lajmetare e pranverës
ndoshta e dashunisë së harrueme.

Ku do t’ishte vall vashëza ime perri
me ato flokë të zi të lëshuem pas erës
me ato sy të ndritun magjepës
me ato buzë te kuqe alli
me shtatin e bukur
me gjinin e mbushun
me puthjet e zjarrta ?

Petalja
qendroi aty gjatë
nuk guxova të lëviz
për mos me humbun
deri sa u fanit
mbi lëkurën time të vrazhdë
u zhduk andrra e dashunisë
që endëj akoma pas prezorës
mbi atë qiell të coptuem
të larget
të pa ngjyrë !



Ekstazë demoniake

Zhytun në zbrazëtinë e netëve të qelisë
gurët na vështrojnë lotues
(a thue për dhëmshuni ?)
qëndrojmë të harruem
mes errësinës së kobshme
ku koha shtanget e nuk lëviz
ku hapësina kufizohet me qivure
ku gjembat e telave të ndryshkun
vaditen me gjak të pafajshëm
që gufon nga toka varr
(çdo pëllambë tokë varr)
sa varre ?

Në shënjestrën e armëve mizore
nguliten të pamëshirshëm
sadistë
sytë e zgurdulluem të vrasësve
vrasës të mishëruem në qenie
qenie apo përbindësha
hije apo pjella të skëterrës
Në shtegun e ngushtë të ballit
rrudhat mblidhen
kërcënuese
fryhën damarët
krejt urrejtje e mëni djallëzore
Xhelatët
sajojnë torturat ma përçude
dhe ia marrin valles
me britma e vikama e kërcëllima
nën ritmin e isove barbare
të dehun
nga kudërmimi i gjakut
të viktimave thërorë
ekztazë demoniake !



Valle makabre

Re të zeza prej stepave të Azisë
prej Siberisë së akujve
të ngarkueme me mbrapshtina
të ngarkueme me stuhi të përgjakshme
plot kokalle të coptueme
mise të sakatueme.

Si nëpër guvat e skëterrës
sillen rrotull shpirtnat e mallkuem
dreqnit
me valle makabre
me rite makabre
me gosti makabre.

Nën dritën e flakadajve
lëkunden
hijet e zeza të djajve
hukubetë
që pijnë e dehën
në kupat - kafka plotpërplot me gjak
në kafkat - kupa plotpërplot me lot
dehje e përbindshme!

Ju
xhelatë dëmonë
të tundrave siberiane
xhelatë dëmonë të trojëve shqiptare
kasapë të njerëzimit
vrasës katila
ç'emna meritoni ma të turpshëm
se monstra e përbindësh ?



Akte dëshpërimi

Gjatë hetuesisë, njerëzit e sigurimit zbatonin torturat ma barbare e çnjerëzore, e arrinin në mizori të tilla sa që viktimat nuk mund t'i duronin e kërkonin shpëtim në vetvrasjen. Një vajzë e një familje patriote, e vendosun e trime, që nuk mund të pranonte t'u nënshtrohej xhelatëve, zgjodhi vdekjen duke u hedhun nga dritarja e degës së brendshme ku e mbanin.
Vetvrasjen për t'i shpëtue mundimeve e zgjodhën edhe të burgosun të tjerë. Disa i jepnin fund jetës me varje, ku gjenin ndonjë tel apo ndonjë rryp pantallonash. Të tjerë pritnin damarët e gjakut. Kishte nga ata që e përplasnin kokën pas murit. Dikush rrinte pa ngranë e pa pi deri në vdekje.
Në kampet e çfarosjes të burgosunit hidheshin mbi gardhin me tela me gjemba ose mirrnin vrapin duke ikun që të vriteshin nga rojet, të cilat mezi pritnin për të tregue aftësitë e tyne kriminale si vrasës profesionistë. Kishte dhe tortura speciale me doktor tek koka, i cili përcaktonte nëse viktima ishte në gjendje me durue tortura të mëtejshme. Shumë të burgosun vdiqën në tortura e sipër në dorë të xhelatëve. Për disa të burgosun të veçantë, të cilëve u afrohej afati i lirimit, përdorej metoda e aksidentit në punë. Për këtë detyrë makabre ngarkoheshin agjentë të sigurimit të futun kastile në burg për të tilla maskarallëqe të neveritshme.
Vetë diktatori dhe shokët e tij të partisë me pozita të larta, shpreheshin për njerëzit që vriteshin me urdhën të tyne, sikur t'ishin 'bagëti për t'u therë te kasapi, me të vetmin ndryshim se ndërsa kasapi i konsideronte berret kafshë, xhelatët komunistë i konsideronin njerëz berre. Pra t'i hiqej jeta një njeriu të pafajshëm ishte ma lehtë se të therej një qingj apo një zog pule. Prandaj ata që përfundonin në birucat e tmerrshme të Ministrisë së Brendshme kërkonin ma mirë t'i jepnin fund jetës se sa t'u nënshtroheshin atyne lloje torturash që shqiptari nuk kishte pa as kishte dëgjue deri në atë kohë, kur erdhi në fuqi ajo parti komuniste që i kishte premtue popullit lugën e florinjtë ndërsa nuk mundi t'i siguronte as atë të drunit.
Ka ndodhun që vetë ata që i kishin premtue popullit lugën prej floriri, ta poshtnonin atë popull duke e detyrue të hante nevojën e vet, duke ia shti në gojë me lugë nën kërcënimin e automatikut, po ata komisarë që dikur mbanin fjalime për lumturinë e begatinë e rendit komunist. Kjo që përmenda në fund, vlen për të kuptue poshtërsinë dhe ultësinë aq të nevertishme e të turpshme të atyne që n'emën të lirisë kryenin krime të shëmtueme mbi vllaznit e motrat e tyne, sepse ideologjia që kishin përqafue ishte krejtësisht antinjerëzore dhe antishqiptare.



Vetmi e madhe

Po më përdjek një vetmi e madhe
i mbyllun mes murëve anmiqsorë
të trishtimit
të dhimbjes
të mohimit
dielli qe aq shum shkëlqente
nuk ndrit ma
i harruem
(nje dimën i egër randon i pameshirshëm
mbi tokën e mbi trupin tim)
vall ka shkëlqye ndonjëherë dielli ?
vall ka ndriçue ndonjëherë hana ?
vall kanë vëzullue ndonjëherë yjet ?
Shpirti grëmiset në humnerat e absurditetit
i fyem
i trishtuem
i braktisun
bota zbehët tashma nga kujtesa
si një lamsh i rrudhosun
i felliqun
pa bukuri e ngjyrë
Mërzitia mbërthen mendjen
humbasin njohunitë e fitueme
e gjithë qenja ime
përplaset
ndër rrjeta mërimangash
viktimë
formash përbindëshe.

Cila dorë do te shtrihet drejt meje
cili krah i fuqishëm do të më ngrejë lart
që të shikoj përsëri diellin
që të shikoj përsëri hanën

që të shikoj përsëri yjet
që të marr frymë lirshëm
nën qiellin e kaltërt
që teëndjej kundërmimin e tokës pjellore
që të thith ajrin e pastert të oqeanëve
që të vazhdoj rrugën nëpër botë
mes njerëzve
njeri ?



Mure të ngurta

Mendimet po ndiqnin ritmin e hapave
që vinin vërdallë
nëpër qëlinë e burgut
katër
dy
katër
dy
ma tutje nuk të linin faqet e murit
trupi ishte i pa kurrfare force
por jo mendja
ajo arrinte të tejshponte
ato mure të ngurta
çimenton e fuqishme
kangjellat e hekurta
telat me gjemba
t'u hikte rojëve
t'u shmangësh vigjilencës
së atyne çërberëve egërsina
s'pyeste për pranga
as për zinxhirë
fluturonte mendimi
endesh
si pas qejfit

Atje nën hijën e freskët të ullijve
ku vashëza ime ishte strehue
për t'i ikun vapës përvëluese
t'asaj dite vere
kur koka e saj u mbeshtet mbi gjoksin tim
për të ndigjue rrahjet e zemrës
kujt i duhëshin ato mure të ngurta
kujt
ato kangjella të hekurta
që mund të mbanin të burgosun trupin
por jo kurrë mendimin ?
Dantes

Dante
poet i pavdekshëm
ku ishe?
në këtë ferr tokësor
nuk u duke
me ato vargje të përkryeme me përshkrue
atë skëterrë
që nuk mundet me përfytyrue mendje njerëzore
ku njeriu kthehej n'eshtna skeletike
dh'eshtnat në pluhun
në hiç!

Apo nuk gjete një shoqnues të lavdishëm
një Virgjil tjetër ?
prandaj atë udhëtim nuk e ndërmore
nëpër humnerat e pafund të llahtarit
lemerinë me ndigjue
të nanave
për fëmijët që përpëliteshin
ndër kthetrat kockore të vdekjes
lemerinë
e një poplli të tanë
që zvarritej
për një kothere buke
të hedhun
siç kocka i hidhet qenit!

Dante
poet i pavdekshëm
ku ishe ?



Bardhësi bore

E heshtun
bie bora
fjolla të bardha fluturuese
flutura të bardha
flutura mizëri
prej errësinës së hapësinave siderale
ndoshta lajmtare
botnash misterioze të largta
ndoshta viktima
holokaustesh përbindëshe
absurde
ndoshta shpirtna
qytetnimesh njerëzore të
zhdukun!
me bardhësinë e tyne të dlirtë
kërkojnë të mbulojnë
mynzyrat njerëzore
mizoritë e tiranëve t'urryem
të diktatorëve gjakatarë
perëndi toksore shkatrrimtare
t'etuna
për lufta
për ekatomba qeniesh të gjalla
për krime monstruoze
t'etuna
për gjak të pafajshmish

e heshtun bie bora
gjatë natës së kohnave
në prit je të një lindje të re
të një epoke t'ardhme
kur rruzulli ynë tokësor

aq i vjetër
aq i lodhun
aq i ndotun
prej mbrapshtinave të mëdha
ndoshta do të ngjajë
si një top vigan bore
me bardhësi të papërlyeme!


Flatra të këputuna

Me velo të zeza mbështjellë
vajtojnë nanat shqiptare
bijt e tyne
të etun për liri.

I këputën zinxhirët bit e shqipës
për me u hedhë
drejt qiellit të lirisë
drejt jetës së re
në fluturime guximtare.

Batare të kobshme
batare të egra mortore
flatra të coptueme
ndër telat me gjëmba
të ndryshkun
prej gjakut të trimave
mbetën
trupnat pa jetë
ushqim makabër
sorrash
e korbash kërmash.

Realitet absurd
i një pushteti tiranik
mizor !
Katakomba

Suferima acar e maleve
e ngriu tokën e ngrohtë
bujare
të trojeve tona
njerëzit u pllakosën përdhunisht
ndër katakomba
të germueme me shpirt ndër dhambë
me thoj të përgjakun

N' errësinën e kobshme
të burgjëve varre
thurin njerëzit vargje
me fillin e mendimit
radhisin libra
me rrahjet e zemrës
endin vepra
me vegime të përfrikshme
me skena makabre
me ngjarje të trishta
gjak pikon nga çdo germë
lot rrjedh nga çdo fjalë.

Sufërima acar
përjashta
shfryen pa meshirë
duke mbështjellë
me një qefin të akullt
dheun mbarë
atje thellë në katakombat
një dritë rrin gjithmonë e ndezun
ajo flakëz e shpirtit
që nuk mund të shuhet kurrë !



Monolog hamletian

Qendroj i pa shpresë
në vorbullën e vetmisë
kam humbun në natën e zezë
në errësinën e dëshpërimit
e ndiej zhurmën e heshtjës
të gjithpushtetshme
e ndiej
asgjësinë
hiçin
kur s’duhet të ekzistojë send tjetër
megjithatë diçka kishte
frikë
po frikë !

frikë me qënë
frike mos me qënë
frike me jetue
frike mos me jetue
frike me vdekë
frike mos me vdekë
si me zgjedhe ?

me qënë apo mos me qënë
me jetue apo mos me jetue
me vdekë apo mos me vdeke ?

një gjë asht e sigurt
si deshe si nuk deshe
zgjidhje ka !



Labirintë

Ne tunelet e mendimit
të pllakosun
rrijmë
të strukun
të ndrydhun
të vetmuem
të braktisun
atje ku nuk arrin
të na pikase kush
ndër labirintët e mendimit
ku ligësia s'guxon të dëpertojë.

Katakomba
labirintë të nëndheshëm
gërrye
me durimin e një murgu
me duer e me thoj
me forcën e shpirtit
me dhimbje në zemër
me vullnet të farkëtuem
gjatë shekujve të qëndresës
me fuqinë mbinjerëzore
të kreshnikve lëgjendarë
me shpresën e pa shterrshme
të shpëtimit
të lirisë.

Prangat u gremisën të coptueme
një pëllumb i bardhë
vërsulet drejt qiellit
një diell i përflakët
rrezaton
ngrohtësinë e dashunisë.

Dalim nga shpellat e skëterrës
nga varret e qivurët e robnisë
të topitun nga shkëlqimi i jetës
haru
të çoroditun
nuk besojmë
vall zymtësia e katakombave
labirintën e nëndheshëm
morën fund
fund ?



Dimën i madh

Fjollat e borës mbulojnë gjithçka
vall shpirtna të pafajshëm që rikthehën ?
vall flutura të bardha që flijohën ?
Sufërima e akullt vërshon e terbueme
sufërima e një ideologjie barbare

Kallkan toka
kallkan qielli
kallkan deti
kallkan zemrat e njerëzve
trupi
shpirti
mendja e njerëzve
dimën i madh !

Nje shkrimtar
nje oborrtar i tiranëve
thonë se shkruejti një libër
nje roman thonë
ku dimni ishte kthye në pranverë
ku bora ishte kthye në lule
ku ngrica ishte kthye në blerim
ku të vdekmit buzëqeshnin
ku të pushkatuemit gajasëshin
ku viktimat dashunohëshin me xhelatet
ku ujqit lodronin me qingjat
ku sundimtari shëmbëllente me perëndinë
(mbasi e kish rrexue nga froni hyjnor)
me fjlalë.

Dimën i madh
kthye në lumturi pranverore
(mbrenda në serrë)

Përjashta
ku acari ishte i gjithpushtetshëm
ku engjujt kishin ngri kallkan
ku edhe shejtnit kishin ngri kallkan
ku edhe perendia vetë kishte ngri kallkan
ku dhe njerezit kallkan kishin ngri
shfryente grahma renqethese e vdekjes
nëpërmjet tytave vrasëse të armëve
bresheria e zjarrte
kethehej ne ngrice mortore
dimën i madh !



Dëshirë e brengë

Poezia pushon në zemrën time
pret të zgjohet
pret të shprehet

në bukurinë magjepëse të një lutjeje
në fluturimin e një pëllumbeshe të bardhë
në vallzimin e ngjyrave të një fluture
në murmuritjen e freskët të një burimi
në kangën e ambël të një bilbili
në shkëlqimin e një rreze dielli
në ndriçimin e hanës vetmitare
në vezullimin llamburitës të yjeve
në sinfoninë madhështore të tallazëve
në buzeqeshjen engjëllore të një foshnje
në dashuninë e pakufishme të një nane
në lotët e përmallshëm të një vashëze
në brengën e fshehtë të një gruaje
në fisnikërinë burrërore të një trimi
në bëmat heroike të një kreshniku
në lutjen e heshtun të një murgu
në pritjen e agi mit të ditës
në qetësinë e një mbramje verore
në perëndimin e përflakun të diellit
në kangën e fundit të një mjellme
në heroizmin e luftëtarit të lirisë
në mundimet e pa shpresë të një skllavi
në qëndresën kryelartë të një të burgosuni
në qetësinë e ftohtë të një vorri
në lagështinën e mykun të një qelie
në tingujt e largët të një këmbane
në llahtarin e tmerrshëm të skëterrës
në kryengritjen e një populli të shtypun
në dënimin e padrejtësisë njerëzore
e tjera e tjera

në mendjen time të sfilitun
në zemrën time
kumbojnë vetëm vargje mortore
rruga e Kalvarit ishte aq e gjatë
pesha e Kryqit aq e randë!



Pritje e heshtun

Në heshtje pres lindjen e diellit
kur agi mi shkëlqen me dritë të trëndafiltë
mbi sfondi n e kaltërt të kupës qiellore
pres në heshtje
perëndimin e tij madhështor
mes ndriçimeve të përflakta
të qëndisuna me fije t'arta
e plot ngjyra të tjera
si një tabllo e bukur
e krijueme nga penelatat e fuqishme
të një piktori të padukshërn
në shekujt e shekujve
agime të pafund
ditë të pafund
perëndime të pafund
net të pafund
pritje të pafund
në heshtje pret njeriu lindjen e diellit
tue u zvarrit
mes thundrave të dinozaurëve
i fshehun në shpellat
ku ndizet
zjarri jetëdhanës i Prometeut
ai zjarr
që do të ndriçojë shtigjet e qytetnimit
pret lindjen e diellit
mbi ishujt e palafitave
të liqejve e të kënetave
zanafillë e legjendës njerëzore
pret lindjen e diellit
shekuj pas shekujsh
në rrjedhën e ngjarjeve të historisë
agime e perëndime pret njeriu
përtej së kaluemes
përtej s'ardhmes
njeri prej ditës së parë
kur u përftue mbi tokë
njeri në ditën e fundit të qenies mbi tokë
njeri në lavdinë e përjetshme të njerëzimit
njeri në madhështinë e amshueme të Zotit
gjithmonë në heshtje pres lindjen e diellit
gjithmonë në heshtje perëndimin e tij.



" MANE TEKEL FARES "
(Danieli, libri V)


Terr
në këtë ditë pa diell
terr
në këtë tokë pa fè.

Të braktisun
përplasemi
në vorbullën e stuhive përverse
me shpirt
me mendje
me trup
të lodhun
të dermuem.
Pulëbardha
në mëshire të shtërngatave
zogj
në mëshirë të tufanëveë.

Një flakë e pashueshme shprese
përgjon në thellësi të trunit
në pritje të mrekullisë hyjnore
dhe mrekullia e madhe ndodh.

Brenda një nate historike
" Mane Tekel Fares“
u shëmbën muret ndarës
u shembën idhujt gjakatarë
miliona pishtarë
miliona qirij të flakëzuem
vershojnë si lumej të zjarrtë
me një ndriçim ngadhnjimtar
shëndritës ma tepër se çdo yll
se çdo diell

zhdukën simbolet absurde
lavdia e Zotit triumfon
me mirësinë
me dashuninë
me vllaznimin midis njerëzve
rilind
një botë e
e lire !



Pesha e kryqit

Të vdekmit nuk harrohen kurrë
as nuk mund të braktisen
zemra mbetet me ta gjithmonë
vetë toka
e ruen dhembshuninë në gjinin e saj
mbi eshtnat e tyne
bie drita e yjeve të largët
ndriçime luhatëse
reflekse të përfrikshme
trondisin
shpirtin tim t'arratisun
ndër vise të panjohuna
era shpërndan farna të reja
vorrezat e harrueme
vaditen prej vesës mëngjesore
mbin bari i njomë
ndihet aroma e luleve
e gjithë qenia ime
ndien ardhjen e pranverës
vijnë kujtimet nëpër errësinën e kohës
të ruejtuna në thellësinë e puseve gurore
si një jehonë tingujsh mortorë
si trashëgim vuejtjesh të pafund
nën peshën e kryqit
si një dëshmi
e një kalvari shumë kohëgjatë.
Çmimi i dhunës

Mos shisni mend ju
që zbatuet tarturat mizore
me pranga
hekur e zjarr
me plumba
e breshëri armësh
me gazep duke ua marrë shpirtin
qënieve të pafajshme njerëzore
ndër të tmerrshme mundime
e pra
i quenit vllazën e motra!
nuk mund të çpiknit një botë të re
as një njeri të ri
ju
të shndërruem në përbindësha
të pangapun për pushtet
për gjak!

të kapun pas fronit si Makbethi
(ku ishte Lady?)
vratë gjumin
e bashkë me gjumin
vratë pafajësinë!
dënuet vetvehten përjetësisht
ndër kthetrat e Luciferit gllabërues
atje në fund të ferit dantesk
ja
çmimi i dhunës!



Lamtumirë e fundit

Jehonte akoma zani im
me tingujt e pafajësisë ndërsa zhytësha
në humnerën e kohës
dhe ndjeja
dhimbjen e pashmangshme të lumturisë së humbun
trupi yt përpëlitej
i veshun me bukuri hyjnore
krahët shtri drejt qiellit të vrejtun
në lutje të heshtun
ia ndjeja rrënqethjen
gjaku gufonte ndër damarët kangët e dikurshme
humbisnin në labirintet e heshtjes
si një lamtumirë e fundit
ndaj dashunisë
një murmuritje vargjesh
në buzët e zhurituna
n'atë shkretinë të zymtë të mohimit
ndërsa dielli i lodhun
ia lëshonte vendin
natës së amshueme.



Zjarr’i fikun

Jehojnë
prej hapësinave të pafundme
të së kaluemes
melodi të harrueme
kujtime
të një kohe të lumtun
flakërime
të një zjarri të fikun
që kërkon të shkundet
prej letargut të fundit
për të gjallnue vetminë e madhe
para përqafimit të mynzyrtë
t'errësinës!



Endacak

Mërgimtar e ndjej veten
endacak nëpër rrugët e botës
hijet e qyteteve të hueja
mbushin hapësinën jetësore
dhe hapësina vetë
peshon mbi qenien time
e randë
e panjohun
dashunia
mbetun e prangosun
nuk mundet t'i ndigjojë ma
kangët që për të u thurën
në këto ça ste të mynxyrta vetmie
kur parajsa e skëterra qëndrojnë
mes vorreve të të vdekunve
ndonëse i groposun për së gjalli
orvatem me këndue
kangën e fundit të mjellmës
orvatem të shtyj gurët
që më mbulojnë
me forcën e rrajëve të lisave
nga thellësia e tokës.




Hiç

Shkruej
në përpjekjen e kotë
për të qenë akoma i pranishëm
(dëshirë e brishtë)
në faqen e një libri
ndër vargjet e një poezie
ndër rreshtat e një tregimi
miset tashma të përdaruna
në pamatësinë e hiçit
hiç!



Pesha e viteve


Të lodhun
shkelin hapat e mija
mbi gjethët e rrëzueme
të vjeshtës
të pamëshirshëm hapat e kohës
mbi kujtimet e përdjerra.

E randë
mbi supët e dërmuem
të përkulun
të vjetruem
pesha mizore e dhunës
mbi flokët e përthijun
pesha e vitëve.

Një lule u duk
mes gjethëve të fishkuna
jeta !
Një mendim u duk
në mendjen e çoroditun
shpresa !
Nje copë bregore shpëtimtare
për naufragun e raskapitun
mes furisë së shtërngateë detare !



Amnëzi

Kaluen gjithë ato pranvera
dhe nuk pashë një lule
nuk dallova kurrë
blerim
drizat e telave metalike
qendronin të thata
kërcënuese
nuk mund të çelnin lule
nuk mund të çelnin gjethe
nuk mund të lidhnin pemë
ndonse vaditëshin
me gjak të kulluet viktimash
të pafajshme
mbetnin gjithmonë
të ndryshkun
të përdredhun
të kobshëm.

Vall a ndriçonte kurreë dielli mbi dhè
vall a ndriste netëve hana
yjet a vëzullonin
n'hapsinën kozmike ?
a binte shi
a binte borë
a fryente erë ?

Hedh vështrimin nga e kaluemja
e nuk dalloj asgja
s'kujtoj asgja
mjegull
errësinë
zbrazëtinë
ankth e brengë
trishtim
amnëzi e llahtarshme !
Humnerë sketërrore

Kujtimet vijnë të papërnbajtuna
në andrrat e shoh vehtën përsëri
në atë humnerë sketërrore
prej kah
zor të dilte kush i gjallë
vitet e bukura të rinisë
mbetën pa u jetue
humbën e u fundosën
në zbrazëtinë e asaj kohë absurde.
Si lule të sapo çeluna
u perfshimë nga kosa e pamëshirshme
krejt ndryshk
prej gjithë atij gjaku të pafajshëm
prej gjithë atyne lotë dëshpërimi
prej gjithë asaj djerse mundimesh.

Dashunia si një rreze vetmitare dielli
mes reve të zeza
që mbulonin qiellin e braktisun
nga kaltërsia
ndriti për një çast
një çast bukurie
një çast buzëqeshje
një çast shprese
edhe në atë lemeri vajtimesh
kanga e fundit e mbjellmes kumboj
madherisht
mes telave me gjemba
çeli nje trëndafil i bardhe
një rreze drite
një buzeqeshje
një kangë
nje trëndafil
vëgime të një të ëe humbun
në humnerën sketërrore !
Mesazhi i shpresës

Dashunia shkëlqeu mes skëterrës
porsi rreze e artë diellore
mes reve të zeza të stuhisë
porsi një gonxhe trëndafili
mes gjëmbave të ferrave
porsi një pëllumbeshë e bardhë
në kupën e qiellit të errësuem.

Dhe unë e grabita atë rreze drite
e në shkimin tim rinor
në zemër
e ruejta
që të më ndriçonte
shtigjet e asaj nate të gjatë
të kobshme
dhe unë e këputa atë trëndafil të bukur
me lotët e dëshpërimit e vadita
që të hijëshonte zymtesinë e burgut
dhe unë e thirra pëllumbeshën e bardhë
që fluturimthi
në duert e mija erdhi
për të më sjellë
mesazhin e shpresës !



Një trashëgim i trishtë

Një vit ma përpara isha i ma i ri
e një vit tjetër
akoma dhe ma i ri
shtatëdhjetëvjet kalue
krejt një fëmijë !
Ç'mbeti nga ajo kohë e trishtë
të një gjysmë shekulli katil
që aq randë peshoi
mbi shpatullat e tua
i pamëshirshëm ?
Cilat dhunat e mbrapështitë
që ti paskëshin sajue
cilat fajet e pakryeme kurrë
cilat akuzat absurde
që gjykuem fajtorë
dhe denuen
pafajsine ?

Nje vit ma përpara ishe ma i ri
e nje vit tjetër
akoma dhe ma i ri
shtatëdhjetëvjet kalue
krejt një femije.

Ç’ka mbeti nga ajo rreze dielli
që një çast vëzulloi
dhe u zhduk
nën rrëbeshët e fatit të tërbuem
nën mynxyrën e qiellit të vrejtun
nën bataret e armëve xhelate
të asj epoke barbare ?

Një skëlet kockash të dërmueme
një lamsh mendimesh të zymta
mallëngjimi i dashunisë së shueme
dëshpërimi për shokët që humbën
hidherimi për t'afërmit që u zhdukën
asgjësimi i andrrave rinore
një trashëgim i trishtë !




Persekutimi


Persekutimi e terrori kishin arritun atë shkallë zbatimi kundrejt popullit, sa që në kulmin e dëshpërimit ky e ndjente veten të katandisun në skllav, kafshë apo vegël pune. Me mprehtësinë e tij ai mundohej të gjente përkufizimin më të përshtatshëm për të paraqitë gjendjen e mjerë që po përjetonte e për të vulosë sa ma vërtetësisht atë sistem dhe atë ideologji absurde që i ishin imponue vendit dhe njerëzve, nën udhëheqjen e një diktatori, fodull, sadist e paranoiak. Kështu nxorri këtë thanie kuptimplote:
"Si pas Darwinit, janë dashun miliona vjet që majmuni të shndërrohej në njeri, kurse shokut Enver Hoxha i mjaftuen vetëm 45 vjet për ta shndërrue njeriun në majmun!"
Kjo thanie përmblidhte gjithë tragjedinë që po përjetonte dhe pësonte populli shqiptar mbi kurrizin e vet. Mija e mija viktima të pafajshme u përfshinë në një terror e persekutim mizor e barbar, që mohonte e shkelte me kambë të drejtat ma elementare të njeriut, në një kohë kur këto ishin shpallun botnisht si parime të shejta nga Organizata e Kombeve të Bashkueme në Konventën e Gjenevës, për t'u respektue prej qeverive të të gjithë shteteve të botës. Por pushteti komunist në Shqipni nuk donte të ia dinte as të merrte vesh për të tilla parime, sepse kishte si qëllim prioritar, mbajtjen e vendit nën një diktaturë të hekurt e kriminale, nën drejtimin e një diktatori xhelat e të pa skrupuj, që e konsideronte jetën e njeriut ma të pavlefshme se të një fije ba ri. Prandaj u izolue nga bota, për të mos lejue askënd, as me hy as me dalë, që të mos merrej vesh se ç'po ngjiste brenda atij vendi që lulëzonte me burgje, kampe pune e kampe internimi, e ishte mbulue me vorret e të pushkatuemve e të vdekmv e prej mundimeve e torturave. Kjo gjendje vazhdoi edhe pas përfundimit të ciklit jetësor të diktatorit, nën kujdesin e pasaardhësve partiakë të nxitun nga vejusha e zezë, e mbiquajtun me plot të drejtë nga një gazetar i huej "Lady Makbeth", bashkëpuntore e ngushtë e burrit diktator në kryemjen e krimeve.
Zoja në fjalë, si grue, kërkonte të dilte e pastër dhe e lamë nga gjithë ai gjak i pafajshëm që u derdh duke dashtë të mbajtë . ushtetin në dorë me çdo kusht (metodë leniniste-staliniste). Kushti ma i kollajshëm ishte krimi dhe metoda ma e mirë, terrori. Nanat e foshnjëve që vdiqën në Tepelenë e në kampe të tjera, i drejtojnë gishtat akuzues drejt asaj femne mizore, vetë nanë, që e mishërueme në një grue katile, la pa femlje me qindra nana të mjera, pa i luejt fare qerpiku! Ato nana kërkojnë shpagim ! Si mund t’i shmangët Zonja e zezë kësaj akuzë të ligjëshme? Mund t’i shmangët gjyqëve qesharake njerezore por jo kurrë gjyqit të Perëndisë !



Podiumi i lavdisë

Profesorët
i mbyllën në tru leksionët
për të hapun katedra të reja
n'errësinën e qëlive
në kthinat e burgjëve
në barakat e kampëve
ku përkulën kokën
mbyllën sytë
në refëratin e fundit të tyne.

Shkrimtarët
ruejtën ndër rrudhat e trunit
e në faqet e kujtesës
romane e poemë të panjohun
të shkruem me fillin e mendimit
me gjakun e plagëve
me lotët e dëshpërimit
me djersën e mundimëve
të pllakosun në burgjet varre
në heshtjën e frikshme.

Ndërsa disa të tjerë
të ngritun në podiumin e lavdisë
të pameritueshme
hijërandë e me syza të zeza
(ndoshta dhe pa to)
me stilografë pelikanë
e pirgje letrash
shkruenin vepra
neveritëse
për lavdine e xhelatëve
dhe të tynën !
të krekosun
mbi eshtnat e kolegëve të flijuem
mizorisht!



Të mashtruemve

Kush ju mësoi
që simbol të keni kosën
atë vegël mortore
që nuk len një fije bari
të thate apo të njomë
mbi toke ?

Kush ju mësoi
që të lani me gjak të pafajshëm
herojsh e martirësh
brigjet e lumejve
dhe të shperndani eshtnat e shejta
të burrave të Shqipnisë
lumejve dhe prroskave
liqejve e detnave
fushave e malëve
si shperndan murlani i terbuem
gjethet e lisave ?

Një Jago ishte ai
që shpifjet kishte ajam
e kurdiste e thurte
intriga
ëngjullin e shpallte djall
e djallin ëngjull
e ne veshin tuej shprazi
këshilla rënqethëse
të kobshme
anmik ishte ai
përmbi çdo anmik
i urryem !



Rrëperte arkeologjike

U shuen andrrat e shpresat rinore
një dimën i madh
acar
qëndron mbi fronin e akullt të urrejtjës
fryen një murlan i egër
me rrënkime vajtuese
nëpër degët e braktisuna
gjethët kanë marrë dhenë
të hshpërdame
shtresa shtresa
si dëshirat tona
nën rrëbeshët e shtërgatava
të ideologjive të çthuruna.

Degët e thata të lisave
shtrihën drejt qiellit lutëse
me dëshpërim e dhimbje
për gjëlberimin ë humbun.

Kah t'i shtrijmë krahët
kur krahët na i gjymtojnë
kah t'i drejtojmë ankimet ?
kur fjalën na e mohojnë
kah ta drejtojmë shikimin ?
kur sytë na i vërbojnë
kah ta hedhim hapin ?
kur kambët na i shkurtojnë ?

Në statuje të thyeme
u shëndrruen qënjet tona
kush do të vijë t'i zbulojë
këto rëperte arkeologjike
e t'i bashkojë
e t'i ngjisë
e t'i drejtojë e vendosë
mbi një muzeum ?

Ndoshta dikush do të ndalet soditës
para të tilla veprash antike të ngurta
duke vështrue pyetës
a do të kenë pasë zemër
a do të kenë pasë gjak
damarë
a do të kenë pasë
tru
mendje
shikim e fjale ?

Pse kështu u katandisëm vall
në rrëperte të braktisuna arkeologjike ?



Bashkëjetesë

Mendueshëm endem
me ritmin e hapave të lodhuna
hapat mbeten të ngjituna pas trotuarëve
mendimet vrapojnë tepër me nxitim
nëpër labirintet trunore
vërshojnë të papërmbajtuna
nëpër hapësinat siderale
tutje galaktikave
tutje planetëve e botëve të tjera
tutje
në të panjohunën e pasosun
trupi
i mbërthyem pas tokës
zvarritet
ku e çojnë kambët
apo rrokulliset
mbi autostrada gjarpnuese
me vrullin e motorëve të fuqishëm
vërsulet
edhe drejt hapësinës qiellore
gjithmonë përpara
tue u mendue me gëlltitë
(aq duket i uritun)
kohën dhe zbrazëtinë kozmike
(a mundet miza me u krahasue me buellin?)
apo përkulet
nën zgjedhën e skllavënisë
nën vigjilencën e rojeve katile
dhe në t'errtat burgje
lëngon i pafuqishëm
kufomë e skelet
i braktisun prej shpirtit
dhe mendimit i braktisun prej njerëzve

i braktisun prej fatit
trup e mendim
materie dhe ide
dy të kundërta në një formë
ku njeni
ku tjetri
megjithatë bashkëjetojnë!
Cikli jetësor

Vjeshtë
e pasun me gjethe që bien
qylyma fërshfëritës
mbi shtigjet pyjore
mbi trotuarët e qyteteve
gjethe
të verdha të kuqe të hijta
të bardha të zeza
endacake
nën vrullin e erës së marrë
lisat
mbesin
haru
krahët të shtrimë drejt qiellit
të dëshpëruem
dimni pllakos i pamëshirshëm
trungjet e zij
spikasin mbi bardhesinë e borës
akulli mbërthen trungjet e fuqishëm
si me një darë të çeliktë
në thellësinë e tokës
në ngrohtësinë e dheut
rrajet ruejnë gjallërinë e jetës
në hështje e me durim
gjërsa dielli pranveror të afrohet
për të ripertri
ato cungje të përthamë
lisat madhështorë
përsëri me kunorat e blerta
hymne do t'i thurin
krijuesit të madh të tyne
krijuesit të amshuem
Cikli jetesor vazhdon panderprerje !



Bukuria që nuk vdes kurrë

Edhe kur bota e çthurun dh'e çmendun
kacafytët në lufta të tërbueme
në kasaphane dhe gënocide
djeg e përvelon e shëmb
pallate shtëpi ura e fabrika
e njerëzit i kthen në kufoma
dhe eshtnat e tyne në plehna
çelin lulet kundërmuese
plot ngjyra
mbi varret e harrueme.

Qeshin
çunakët pa një kambë
plakushët pa një dorë
qeshin
fëmijët jetima të perlotun
para lodrave
që i joshin nga vetrinat
gjithë drita e ngjyra
qeshin
sytë e dy të rinjve
kur dashunia u mbush zemrat me mallë
ndoshta nuk kanë çka të hanë
ndoshta nuk kanë ku të flenë.

Në pyllin që bombat kanë gjymtue
e flakëhedhëset kanë djegun e shkrumbue
ku lisat qëndrojnë të çveshun të thatë
të nximë e të përcëlluem
ndigjohet kanga e një bilbili
nën ndriçimin e hanës vetmitare
shtegtare e netëve plot yje.

Kroni rrjedh e rrjedh i kulluet
e gurgullon e thur me mija vargje
në shtegtimin e gjatë
mes brigjëve shkambore
kalon mbi helmetat mbetun boshe
e mbi granatat mbetun pa plasë
e mbi bombat mbetun pa shpërthye
hidhet plot gjallëri në shatërvanë
e në ujvara shkumbuese.

Bukuria e jetës nuk vdes kurrë !



Absurditet

Sa e bukur asht jeta
në harmoninë famjare
në paqen midis popujve
në vllaznimin midis njerëzve!
gëzojnë fëmijët në dashuninë e nanave
dhe nanat në dashuninë e bijve të tyne
dhe baballarët në djersën e ballit
në djersën që ndërton qytetnime
në përpjekjen e madhërishme
për një botë ma të mirë

luftë!
ulurijnë të fuqishmit
të ulun mbi frone t’arta
luftë!
dashunia shndërrohet në urrejtje
dhe vllaznimi në vllavrasje
dhe djersa në gjak
dhe njeriu
në egërsinë grabitqare
absurditet!
njeriu që andrron aq shumë
paqën lumturinë
mbjell luftën
mizorinë
shemb në një ditë
atë që ndërtoi me aq mundim
gjatë shekujve!



Braktisje

I ndrydhunnë vetvete
kruspull i mbledhun
në mendimet e mija
në kujtimet e mija
në mjerimet e mija
i përdjerrun në shkretinën e mospërfilljes
lëshoj një za të çjerrun
ulurimën e dëshpërimit
britmën e dhimbjes
kushtrimin e pa shpresë

më përgjigjet një heshtje vorri
asnjë jehonë nuk ma rikthen thirrjen
"vox clamantis in deserto"
i shtrimë mbi truellin e ngurtë
pres të jap shpirt
të lëshoj grahmën e fundit
e pra
mbi këtë tokë gumëzhijnë
miliarda qenie njerëzore
pse kaq vetmi e madhe
kaq braktisje?



Tinguj këmbanash

Prej kohës ogurzeze e të mbrapshtë
prej asaj hapsine dyzetepesëvjeçe
dyzetepesë vitesh
të një heshtje varri
ringjallet shpirti im.

Ndër duert me kallo
plagë
shtròngon
kap
e njom me lot
kryqin fitimtar
kryqin e fitorës së madhe
të njerëzimit

Yjet e kuq të përgjakun
drapijt e përgjakun
çëkanet e përgjakun
të flakun
të rrexuem
të coptuem
shkelën prej turmave njerëzore
prej vërshimit të papërmbajtun
të popujve.

milona pishtarë
miliona zemra
miliona shpirtna
se bashku
njëzani
i brohorasin lirisë
tundin këmbanat e lirisë !
rilindje !



Mendime të trishta

Në mëshirë
të mendimëve të mija të trishta
shkoj duke kërkue
ndonjë breg mikpritës
dhe peëfundoj
gjithonë
në të njejtin port anmik !

Te kuqe dallgët
e kuqe toka
i kuq qielli
gjak !
Prej plagëve të plumbave të vrasëve
prej plagëve të prangave mizore
prej plagëve të telave me gjëmba
prej plagëve të torturave barbare
prej plageve të zemrave të lëndueme
prej plageve të fëmijëve të flijuem
prej plageve të nanëzeva kërcuna
prej plageve të luftëtrve trima
prej plageve të zemrave të dërmueme
prej plagëve të Krishtave të kryqëzuem.

Nisëm përsëri
në mëshirë të mendimëve të trishta
për teëmos u kthye ma kurrë
ne ato brigje
mospritës
për fat të keq
rikthehëm
po aty !




Rilindje

E randë pesha e kohës
mbi shpatullat e mija
të kërrusuna
mbi flokët e mij
të zbardhun !

I raskapitun trupi
por
jo shpirti
jo idealet
të ruejtun
të strehuem
thellë
nëpër shtigjet e mendjës
nëpër labirintët e vetëdijës.

E gjatë pritja
të gjata mundimet
në kthetrat e kohës së palëvizshme
në kthetrat e hapsinës së pakalueshme
kur orët dukëshin vite
kur ditët dukëhin shekuj.

Sundonte terrori
sadizmi
ateizmi
përgjonte gjithmonë shpresa
dhe e patundun
bindja
erdhi dita e lirise !

prej thellësisë së shpirtit
prej thellësisë seëmendimëve
rikthehën idealët dëshirat



Kanga e fundit e mjellmës

Mendime t'errta më përmbytin
mendjen e shoh veten
në ato katakomba
ku koha mbetet e mbërthyeme
bashkë me shpresat
e dëshirat rinore

vitet ma të bukura
humbën ndër labirintet e absurditetit
që sundonte i pamëshirshëm
mbi tokën e shkretueme
që sundonte i dhunshëm
mbi pafajsinë
kosa mizore e përlyeme me gjak
me lot
me djersë skllavnie
zbavitej të korrte lulet e porsa çeluna
dhe linte paprekun gëmushët e ferrave

dashunia kënaqej me një buzëqeshje
që shkëlqente e çastit
si rreze dielli vetmitare
ndër të çarat e shtëllungave stuhijore
një fije shpresë
në mendjen e përdjerrë
fluturimi i një mjellme të bardhë
mbi qiellin e errësuem
n'atë humnerë të lemërishme tmerresh
plot vajtime
kanga e fundit e mjellmës
kumboi e madhërishme
mes telave me gjemba të ndryshkun
çeli një gonxhe trëndafili

shkëlqimi i petaleve të bardha
ndriti terrin e guvave nëntokësore
një buzëqeshje
një rreze dielli
një gonxhe trëndafili
kanga e fundit e mjellmës
ky
trashëgimi
i katakombave kohore!




Të pavdekshëm

Hedhim vështrimin nga yjet
me një fluturim mendor të heshtun
përtej kufijve të hapësinave të pafundshme
qëndron trupi i dërrmuem
i lodhun
i braktisun tashma nga vetëdija
mendimet kanë marrë arratinë
nëpër shtigje të panjohuna
labirinte të pa fund e krye
ndërthurun
si rjetë merimangash
ku përpëlitemi
flutura të raskapituna
të mbërthyem n'ato fije mizore
shpresa na ka lanë
kur do të fuqizohën këto flatra?
kur do të rikthehet vetëdija?
e mati kush kohën që kaloi?
u përfshimë në shekuj të pasosun
ku çastet ishin muej
orët vite
mosha humbi përmasat
vallë u bamë të pavdekshëm?
i pandehuni plak nandëdhjetëvjeçar
i dënuem njëqindenjë vjet burg

foli
"mirë
unë duhet ta kryej dënimin
që bujarisht më keni caktue
po cili prej jush
gjyqtarë të nderuem
do të vijë të më hapë derën?"


Mjaft

Sa e kobëshme kumbon krisma e armëve
mbi këtë botë!
pëllumbeshat e bardha
nuk fLuturojnë ma
mbi atë qiell të zymtë
t'errët
të pistë
mbulue prej tymnajëve e flakëve
që shoqnojnë
gjëmimet e bombave vrasëse
sa i kobshëm kumbon vaji i fëmijëve
mbi këtë botë !
në gjitë e përthamë të nanave të mjera
nuk ka ma qumësht
në sytë e çakërritun të foshnjëve
nuk ka ma jetë
tela me gjëmba
rrethojë rruzullin mbarë
të panumurta vorret
që mbulojnë fushat pjellore

mjaft!
le t'i shtrijnë duert nga vllaznimi
le t'i shtrijmë zemrat nga dashunia
le t'i shtrijmë mendjet nga paqja
le të fluturojnë përsëri pëllumbeshat e bardha
mbi qiellin e kaltërt të pastërt
të lira!
Kreyenaltë

E lirë
fluturon shqipja dy krenare
mbi qiellin e kuq
të atij flamuri të lavdishëm
të vaditun me gjak kohnash heroike
që shqiptarët derdhën ndër shekujt
për mbrojtjen e trojeve të shenjta

Liri!
thërret një popull i tanë
Liri!
shtrihen duert për vllaznim
lidhet besa e pathyeshme
ndërtohet një Shqipni e re atje
në ato brigje djep i qytetnimit
dhe i mendimit njerzor
ku akoma
këndohen e jehojnë
kangët homerike
kangët kreshnike legjendare
të maleve arbnore
e ku
prej mija vjetësh
regohet akoma miti
i vashëzes së bukur Europa
që emnin i dha
atij kontinenti
që sundon rruzullin toksor

rilind dhe njëherë ai popull i lashtë
krenar
i pamposhtun
që rrëzoi tiranët

që përmbysi
idhujt e etun për gjak
që shpërndau errësinën e mizorinë
për të marshue kryelartë
në historinë e re!
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 2 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 20 Shtator 2021, 01:58
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari