Politika e huaj ne zhvillimet dhe fenomenet e politikes qe ka influencuar ne luftrat boterore.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 4 postime · Faqe 1 prej 1
Stanisllav Zuber – Martir i Demokracisë e Shkencëtar Polak
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4578
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Stanisllav Zuber – Martir i Demokracisë
Shkencëtari polak që vdiq në tortura nga komunistat
1883- Tetor - 2011

Imazh

Stanisllav Zuber(Stanisław Zuber) lindi më 14 tetor të 1883 në Lvov dhe vdiq në 18 tetor të 1947 në tortura të xhahilave komunistë në Tiranë.U arrestue në qershor të 1947 dhe vdiq në 18 tetor të 1947
Stanisllav Zuber ishte i biri i Rudolf Stanisllavit dhe Zuberóves. Babai i tij, Rudolf Zuber ishte një profesor i gjeologjisë në Universitetin Lvov. Ai kishte një motër të quejtun Julia dhe vëllain Kazimir. Stanisllavi ishte inxhinier shpimit ka punuar si drejtor i kompanisë së naftës italiane në Shqipëri në vitet 1930.

Ai studioi në Lvov(qyteti i Ukrainës) dhe Krakov(qytetë i Polonis). Edhe si student botoi gazetën e parë shkencore në vitin 1914. Ai ishte poliglot, njohës i polonishtes, rusishtes, gjermanishtes, frëngjishtes, anglishtes, italishtes, shqipes, serbishtes, greqishtes, arabishtes, persishtes e armenishtes. Në pranverë të vitit 1915, pas pushtimit të Lvov-it u deportuan në Rusi. Ai u vendos në Baku, ku përmes ndikimit të babait gjeti punë si një gjeolog në kompani të naftës polake. Ai punoi atje në vitet 1915-1923. Ingjinieri gjeolog, Stanisllav u morë me kërkime për vendburime të naftës në, Kaukazin Lindore dhe në jug-lindje të Detit Kaspik, rajon i Bakut. Aty studioi gjithashtu, ndër të tjera dheun vullkanik. Rezultatet shkencore e metodike të punës tij u botuen në BRSS dhe në Poloni, pas kthimit të tij në vitin 1923. Në vitin 1924 ai mbrojti tezën e doktoraturës në Lvov me temën e disertacionit “Mbi dheun vullkanik”.

Në Kongresin Ndërkombëtar të XIV të Gjeologjisë në Madrid, në vitin 1926, raportoi Stanisllavi studimet e tij mbi gjeologjinë e fushave të naftës në Ponto-Kaspik, mbi dheun vullkanik dhe shtresat mermere (pol.fliszu) të vargmalit të Karpateve(shtrihet në Çeki, Sllovaki dhe Poloni). Në të njëjtin vit, gjatë Kongresit Ndërkombëtar të naftës në Bukuresht shpjegoi në lidhje me migrimin e naftës. Të pranishëm në kongresin e përfaqësuesve të kompanive të naftës kanë vënë re një Zuberze gjeolog të talentuar. Si rezultat, Kryetari i delegacionit italian, senatori dhe industrialisti Puppini nënshkroi një kontratë punësimi në kompaninë e naftës AIPA (Azienda Italiana PETROLI Albania) për të kryer punën eksploruese në Shqipëri, Itali dhe në Mal të Zi.

Kuçova furnizoi me karburantë makinën ushtarake të Italisë gjatë Luftës II-të Botnore

Pas dhënieve të leksioneve të tij në Universitetin Jagielloński të Krakovit në vitin 1927 shkoi S. Zuber në Itali, nga ku ai shkoi në Shqipëri, ku mori postin e shefit të kompanisë gjeologjike të AIPA-s me seli në Kuçovë, që përfshin rajonet e kërkimeve të naftës në Kuçovë - Lushnje, Murriz-Pekisht dhe Patos-Cakran-Selenica. Rezultatet e studimit të kryer në zonat koncesionare italiane i ka informue ingj. Stanisllavi në Romë. Vlerësimet pozitive të tilla hapnin perspektivat e një epoke për zbulimin e katranit dhe gazit në pjesën jugore të Shqipërisë, i cili shpejt u pasqyrue me proçesin e shpimit. Në sajë të përpjekjeve të tij, Shqipëria aktualisht ka dy qytete të naftës: Kuçovë dhe Patos. Vendburimet e naftës në Kuçov ishin aq të mëdha sa që përballuen nevojat e furnizimit me karburantë të makinerisë ushtarake të Italisë gjatë Luftës Dytë Botërore.


Ingj. Stanisllavi merrë titullin “Docent”

Me 1935 udhëtoi ingj. Stanisllavi shpesh në Poloni, ku ai mori titullin e "Docentë i shkencave ingjinierike për Gjeologji". Në të njëjtën kohë studimet gjeologjike i kryer në Itali, në gadishullin e qendrore dhe jugore të Apenineve, si në Siçili e të Napolit. Ai ka marrë pjesë në konferenca e simpoziume të shumta ndërkombëtare mbi shkencat e tokës, sidomos gjeologjinë e fushave të naftës (Paris, Uashington, Romë, Liege të Belgjikës, Londër, etj).

Pas vitit 1935 u vendos ingj. Stanisllavi përgjithmonë në Shqipëri, dhe iu përkushtua studimit të gjeologjisë të vendit, veçanërisht praninë e naftës bruto, gazit natyror, bitumit natyror, ferritet dhe ujin e pijshëm. Gjithashtu studioi Stratigrafia terciare dhe tektonike, e cila ka vue bazat themelore shkencore të Gjeologjisë Shqiptare njohuri mbi “Neogjenet Shqiptare,,. Ai ka hartue edhe një hartë tektonike të Shqipërisë në shkallë 1:4 000 000, Hartën gjeologjike e Shqipërisë në shkallën 1:200 000 dhe Hartën minerale të Shqipërisë në shkallë 1:300 000
Ai shkroi raportet dhe projektet të shumta si dhe ka hartue edhe një numër të seksioneve kryq në hartat gjeologjike në shkallë 1:50 000, deri në një shkallë nga 1:10 000. Numri i përgjithshëm i botimit të studimeve tij arrin një listë prej mëse 450 artikuj e publikuem në revista të ndryshme të botës që përmban 62 tituj shkencor.
Pas Luftës Dytë Botnore midis viteve 1945 dhe 1946, Stanislav Zuber ishte i njohur dhe u konsiderue puna e tij edhe nga regjimi komunist që erdhi në 28 nëntor të 1944 në Shqipëri dhe kjo nuk përbën pengesë për të punuar mëtej. Në vitin 1946 paraqiti ai, ndër të tjera pranë Ministrisë të Ekonomisë raportin për vendburimet e mineralit në Shqipërinë lindore dhe veri-lindore, duke shënuar vendndodhjen e mineraleve për t’u hapë në dekadat e ardhshme.


Arrestimi dhe vdekja gjatë torturës gjatë hetimit i docentit të shkencave gjeologjike, ingj. Stanisllavi

Në fillim të Zuber të 16 qershorit 1947 u arrestua dhe u akuzua për bashkëpunimit në sabotim dhe spiunazhë në sektorin e miniera gjeologji. Ai u nënshtrohet torturës, për të tregue për akuzat e shpifura ndaj tij. Ai vdiq gjatë hetimit, në burg në Tiranë. Fakti i vdekjes së tij në burg nuk ishte i njohur në Shqipëri deri në prill të vitit 1991 shkroi shkrimtari dhe gazetari Petro Marko rreth çështjes te gazeta “Rilindja Demokratike”.


Nderime dhe çmime
Imazh
Presidenti Bamir Topi dekoron Ing. Stanisllav Zuber (pas vdekjes) me Urdhrin “Nënë Tereza”. I dorëzohet Ambasadores polake, Irena Tatarzinska në Kuçovë më dt. 17.X.2011. Aty mori pjesë Ministri polak i Kulturës, Zdrojevsk dhe i Shqipnisë Aldo Bumçi etj,.


Në vitin 1992, pas vdekjes mori çmimin “Martir i Demokracisë”.
Më 17 tetor të 2011 do të shpaloset në Kuçovë bustit Stanislaus Zuber, skalitur nga Mumtaz Dhrami.

E pregatiti në shqip Bep Martin Pjetri
E hanë, më datën 17.X.2011

Shënim
E pregatita në shqip me rastin e 128 vjetorit të lindjes shkencëtari dhe martirit Stanisllav Rudolf Zuber. Me ndjenë të thellë mirënjohje për kontributin e madh shkencor që dha për vendosjen e bazave shkencore për Gjeologjinë Shqiptare si dhe me dhimbje të madhe që ndjejë për ingj. Stanisllavin që ra martir u ula dhe ja kushtova si shenjë respekti edhe për popullin vëlla polak, atdheu i Gjon Palit të Dytë.
Autori
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4578
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Rudolf Zuber - Ingjinier dhe shkencëtar polak - Baba i Martirit dhe Dijetarit Stanisllav Zuber, që punoi e u martirizue për Shqipninë
Imazh

Fotoja daton 14.2.1914 ingj. gjeolog Rudolf Zuber i ulur nga e djatha, i treti, si më i vjetri në moshë, midis stafit ingjinierik gjeologjisë nën drejtimin e tij.

Anëtarët e Shoqatës shkencore “ Koperniku” në Muzeun e Lvov-it.

Rudolf Zuber lindi më 13 shtator të 1858 në Orlat të Transilvanisë dhe vdiq më 5 prill të 1920 në Lvov. Ishte Gjeolog polak dhe eksplorues.


Biografia

Ai studioi për ingjinier të gjeologjisë në Universitetin e Lvov-it. Në vitin 1884 dha Rudolfi mësim në universiteti dhe që nga viti 1896 u emnue si profesor në fakultetin e gjeologjisë. Në vitet 1895-1915 ka drejtuar Departamentit të Gjeologjisë dhe paleontologjisë të Universitetit të Lvov-it. Ai ishte një ekspert me famë botërore në kërkim të naftës. Ai u thirr për të eksplorue naftën nga kompanitë e shumta dhe qeveritë.
Hulumtimi i punës kërkimore skencore të vendburimeve të tij përfshijnë të gjitha udhëtimet jashtë Australisë, në pjesët e banuara të botës si:

* Ai ka studiuar gjeologjine e Karpateve Lindore
* Në vitet 1886-1892 u morë me hulumtimin në Argjentinë (eksplorimit të naftës pranë Mendoza), si dhe në Kili, Bolivia dhe Venezuela.
* Në vitet 1900-1910 kreu kërkime në Kaukaz, në Spanjë, Meksikë, Venezuela, Trinidad, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara
* Në vitin 1910 ai u ftua për të kryer hulumtime në kolonitë britanike në Afrikën Perëndimore - Nigeri dhe në Gana. Ai ka kryer edhe kërkime në Bregun e Fildishtë dhe Guinenë e Afrikës Perëndimore bregdetare.
* Në vitin 1912 shkoi ai në Indinë britanike, ku ai ka hulumtuar Malin Salt (Sakhisar) në Punjab.
* Në vitet 1912-1914 u impenjue me studime dhe kërkime në Krynica në burimin e ujrave minerale me përbamje të koncentrueme alkaline, tani mban emrin e zbuluesit të saj ,,Uji Zuber,,.
Në bazë të rezervave të ujërave minerale, këtu dhe tani vepron një veprimtari e njohur turistik polak. Burimi i gjetur mieral quhet për nder të zbuluesit Alfred Zuber - "Uji i Zuber-it."

Gjatë ekspeditave të tij ka kryer hulumtime të gjera gjeologjike për naftë dhe ka përpilue harta gjeologjike. Në ngushticën e Magellan dhe Kordillerës ka kërkuar qymyrin, ndërsa në Amerikën e Jugut asht marrë me mbledhjen e fosileve.
Në vitet 1888-1889, 1898-1999 dhe 1918-1919 ishte kryetar i Shoqatës Polake "Koperniku” e natyralistëve.
Ai gëzonte një reputacion të madh, duke qenë i vetmi në botë i njohur si ekspert në kërkimet dhe eksplorimit për naftë. Shumë kompani të naftës dhe qeveritë e ftuan atë si një konsulent.
Gjatë ekspeditave të tij të shumta, Zuber hulumtoi me përmasa të gjera gjeologjike, të përfshira jo vetëm eksplorimin e naftës, por ka punuar edhe në krijimin e hartave gjeologjike duke paraqitë studimin e territoreve të tyre.
Au zgjodhë president i Shoqërisë polak e natyralistëve "Koperniku " ne vitet 1888 - 1889, 1898 - 1899, 1918-1919.
Ai vdiq në vitin 1920 dhe u varros në varrezat Lychakiv të qytetit Lvov .
Imazh

Varri i prof. Alfred Zuber në varrezat Łyczakowskim


E pregatiti në shqip Bep Martin Pjetri
E hanë, më datën 17.X.2011

Shënim

E pregatita me dëshirë si shenjë mirënjohje ndaj Martirit dhe Dijetarit polak, Stanisllav Zuber për të treguar rranjët e tija si biri i një familje shkëncëtarit të madh të Polonisë.

''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4578
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Si u zhduk në Tiranë profesori i shquar Zuber Stanisllav
Imazh
Muntaz Dhrami duke punue në statujën e Heroit të Martirizimit dhe shkencëtarit polak - Stanisllav Zuber

E Premte, 19 Gusht 2011
panorama.com.al
Profesor Arqile Teta, duke rrëfyer për “Panorama”.

Me fundin tragjik të profesorit polak, që zbuloi vendburimet e naftës në Kuçovë e Patos, regjimi i Tiranës eliminoi një nga kontribuesit e fuqishëm të depozitave të “arit të zi”.Më shumë se një akt barbar, profesor Arqile Teta, autori i monografisë “Stanisllav Zuber, jeta dhe vepra”, zhdukjen misterioze të inxhinierit gjenial të përmasave europiane, e cilëson vetëvrasje të interesave strategjike të ekonomisë shqiptare në një periudhë kritike. Për të, mënyra si u mohua emri dhe vepra e profesor Zuberit nga regjimi komunist, ishte e pakuptimtë dhe kriminale. “Ka qenë diçka absurde në sjelljen e pushtetit me kontributin e tij, saktëson profesor Teta, duke nënvizuar se vepra e shquar e inxhinierit të famshëm iu destinua zyrtarisht harresës dhe u ndalua të njihej e të studiohej nga specialistët e fushës. Me hulumtimet në Shqipëri e Poloni, studiuesi i njohur ka ndriçuar profilin e këtij kolosi të shkencave gjeologjike me materiale të panjohura dhe dokumente të shumta, të cilat i japin figurës së profesor Zuberit trajta të plota e përmasa reale. Në rrëfimin për “Panorama”, autori i monografisë kushtuar shkencëtarit të famshëm zbulon të tjera fakte e hollësi mbi jetën e profesor Zuberit, këtij personaliteti të shquar me kombësi polake, që vdiq në kushte mizore në Burgun e Tiranës…
Zoti Arqile! Në monografinë “Profesor Stanisllav Zuber, jeta dhe vepra”, që keni botuar së fundi, e vlerësoni atë si “babain e Gjeologjisë së naftës shqiptare”. Çfarë keni parasysh me këtë cilësim?
Profesor Zuberi ishte një nga korifejtë e shkencave europiane, që kontribuoi në vendin tonë nga viti 1927 deri në vitin 1947. Ai realizoi studime shumë të rëndësishme në fushën e Gjeologjisë krahinore, Tektonikës e veçanërisht në zbulimin e vendburimeve të naftës e të gazit, të cilat edhe sot kanë impakt e vlera të padiskutueshme. Ndër veprat më të spikatura të tij mbeten Harta Gjeologjike e Shqipërisë e shkallës 1.200.000 dhe sidomos Harta Tektonike e Shqipërisë e shkallës 1.400.000, të cilat kanë qenë e janë një bazë e shëndoshë e studimeve shkencore të fushës përkatëse. Profesor Zuberi ishte një personalitet i shquar, jo vetëm si kërkues e zbulues i dobishëm, por edhe si autor i dhjetëra studimeve e botimeve shkencore që bënë emër edhe përtej Europës. Një ndër veprat e famshme të tij ishte Muzeu Gjeologjik i Kuçovës, i nderuar e konceptuar si Muzeu Gjeologjik i Ballkanit. Në atë kohë, Zuberi, ishte ndër të paktët specialist që e njihte shumë mirë gjeologjinë e rajonit dhe të gadishullit të Apenineve…

Cilat ishin arsyet që regjmi i vendosur pas luftës e mohoi kontributin e profesor Zuberit?

Ka qenë diçka absurde në sjelljen e pushtetit komunist me kontributin e profesorit polak Stanisllav. Për gati gjysmë shekulli emri dhe vepra e tij u mohuan në mënyrë kriminale, ndërkohë që vet ai ishte shpallur reaksionar e sabotator. Paradoksalisht, vepra e shquar e inxhinierit të famshëm iu destinua harresës dhe u ndalua zyrtarisht të njihej e të studiohej nga specialistët e fushës. Po ashtu ishte ndaluar të citoheshin studimet e tij, madje nuk lejohej t’i përmendej as emri.

Çfarë ndodhi me studimet e profesorit pas vdekjes?

Profesor Zuberi ishte një arkiv i jashtëzakonshme. Pas vdekjes së tij ndodhi ajo që sot është e pakuptueshme dhe kriminale. Vepra shumëvëllimëshe e profesor Stanisllavit (studime, relacione, promemorie, përshkrime, skica, profile, vizatime e deri te hartat madhore) artikujt e veprat e botuara në revista e gjuhë të ndryshme, u nxorën brutalisht nga shtëpia e tij, nga biblioteka private dhe u hodhën “rifuxho” pranë Muzeut Gjeologjik të Kuçovës, duke i lënë në mëshirën e fatit, në shi e në baltë. U përbalt kështu puna, djersa, u flak mendimi i artikuluar, u shkel e u masakrua trashëgimia shkencore e “Zuberit të Madh”. Ky ishte fati i zi i veprës së shkruar të këtij kolosi, që u ndëshkua nga mizoria e krimit të forcave injorante. Fat edhe më të keq pati Muzeu Gjeologjik i krijuar me aq mund e djersë gjatë një periudhe 20-vjeçare nga Zuberi. Gjithë ato eksponentë e koleksione të sistemuara mbi kritere shkencore, prerje gjeologjike, harta, skica, vizatime ilustruese u flakën e shpërdoruan si gjëra pa vlerë. Sallat e muzeut u kthyen në mjedise dëfrimi e salla lojërash. Po vepra e profesor Zuberit nuk u zhduk plotësisht. Mjaft nga dorëshkrimet e tij mbetën nëpër zyra e institucione. Pati të tjera që u fshehën e ruajtën nga individë të ndryshëm. Të gjitha këto përballë urdhrave zyrtarë që vepra e “armikut” Stanisllav të mos lexohej e të mos citohej, pasi ka “gabime” ideologjike, koncepte “idealiste metafizike” që bien ndesh me ligjet universale të materializmit dialektik marksist…

A ka pasur interes nga studiuesit e fushës për t’u njohur me materialet e Zuberit?

Interesimi i specialistëve për materialet studimore të profesor Zuberit ka qenë i vazhdueshëm, ndonëse ilegalisht. Fillimisht kanë qenë më të interesuar specialistët e huaj. Ata e njihnin mirë peshën e profesorit të talentuar dhe vlerën e arkivit të tij. Ka dëshmitarë që pohojnë se edhe pjesën e mbetur të arkivit të Stanisllavit, në vitin 1948 e ngriti me kamion dhe e çoi në Bashkimin Sovjetik inxhinier Staniklijev, gjeologu i parë sovjetik që erdhi në Shqipëri. Ka hipoteza të tjera që mjaft nga studimet e profesorit polak kanë shkuar në rrugë ilegale në Beograd. Mjerisht, edhe ato pak dokumente që mundën të shpëtonin nga inkuizicioni absurd, në vitet ‘70 u dogjën me urdhër, sikundër edhe mjaft nga materialet dhe studimet e specialistëve të tjerë të huaj që u hoqën nga qarkullimi dhe u zhdukën përgjithmonë. Këtë fat pësuan madje të gjitha tekstet e shkruara që u referoheshin këtyre punimeve…
Nga aq sa e keni studiuar biografinë e Zuberit, cilat rezultojnë motivet kryesore të penalizmit të tij, menjëherë pas çlirimit?
Për të zbardhur të plotë këtë dilemë, duhet marrë në konsideratë konteksti kohor i ngjarjes. Parë në këtë vështrim, profesor Zuberi është një nga viktimat e fushatës represive që ushtroi regjimi kundër pjesës më të madhe të intelektualëve të diplomuar në Perëndim, përfshi intelektualët e huaj që kishin mbetur në Shqipëri paslufte. Ishte koha e arrestimeve masive, e gjyqeve të egra politike, e dënimeve me vdekje, e proceseve të montuara me armiq e sabotatores, e të pandehurve të zhdukur në rrethana që nuk u bënë kurrë të njohura. Ky terror i paparë përfshiu e përplasi në burg në fillimin e verës së vitit ‘47 edhe profesor Zuberin. Fillimisht e akuzuan si “agjent të zbulimit amerikan” që bashkë me inxhinierin Riza Alizoti, si “të vetmit specialistë të lartë të industrisë së naftës në Shqipëri”, kishin qenë “organizatorët kryesor të sabotimeve në naftë”. Pastaj e penalizuan si agjent të gjermanëve( nisur nga kombësia gjermane e bashkëshortes që u vra nga bombardimet e aleatëve ne vitin ‘43 në Kuçovë), si bashkëpunëtorë të okupatorëve italianë, si spiun të britanikëve etj…
Flitet ndërkaq se profesor Zuberi është dënuar se ka fshehur vëndburimet e floririt në vendin tonë…
Akuza e dokumentuar edhe ne dosjen e procesit, se Zuberi “mban një qëndrim konspirativ e tallës kur i kërkohet të tregojë ku ndodhet floriri në Shqipëri”, është me e rënda e më absurdja njëherazi. Gjithçka në këtë histori qesharake lidhej me një ngjarje spontane. I pyetur nga një zyrtar partiak në fund të vitit ‘46 për depozitat e arit, profesor Zuberi ishte shpjeguar shkujdesur: “Shqipëria ka ar, por për ta zbuluar atë, duhet të harxhojë dhjetëfishin e vlerës së depozitës”. Kjo deklaratë iu vu përpara nga hetuesi i çështjes, një natë para se të ndërronte jetë…

Në çfarë rrethanash ndërroi jetë profesor Zuberi?

Ajo çfarë ndodhi çastet e fundit me profesorin fatkeq u mësua vetëm pas viteve ‘90. Më herwt, të gjitha interesimeve zyrtare nga Polonia u kthej përgjigje e pa qartë. Herë flitej se vdiq nga infarkti i miokardit, e herë nga një emoragji cerebrale. E vërteta u zbardh vetëm në vitet e demokracisë. Ai që kishte ndarë natën e fundit me Zuberin në qeli, ishte poeti i njohur Petro Marko. Sipas kujtimeve të tij, profesor Zuberi vdiq nga torturat barbare të kapterit të shërbimit të Burgut të Tiranës. Pra, për të nuk u zhvillua proces, nuk pati gjyq…

Zuberi, “Martir i Demokracisë”

Profesor Zuberi është vlerësuar pas viteve ‘90 me medaljen “Martir i Demokracisë”. “Studimet dhe orientimet e tij në shërbim të gjeologjisë shqiptare, thuhet në motivacionin e saj, të cilat koha i vërtetoi si të sakta, të vlerësuara edhe nga institucionet gjeologjike botërore, mbështeten në figurën e tij prej demokrati të vërtetë, që nuk iu përul diktaturës, si një shkencëtar që u masakrua dhe u zhduk prej saj”.

“Me siglën “Sekret Shtetëror”, regjimi burgosi veprën e Zuberit”


Faksimile e dosjes
Imazh


Interesimi i shtetit polak për fatin e shkenctarit Stanisllav zuber

Ka qenë viti 1993 kur gazetari polak Carnieciecki, pas një shërbimi disaditor në Shqipëri, zbardhi për herë të parë për bashkëkombësit e tij historinë e inxhinierit të shquar Zuber Stanisllav. Për të ngritur profilin e tij, shfrytëzoi kontaktet me bashkëkohësit, hulumtimin në arkiva, bisedat me dëshmitarët, si dhe vizitat në vendet ku kishte punuar inxhinieri i famshëm. Më poshtë është një pjesë e shkrimit të Carnieciecki, botuar në revistën “KAMIENIE” të Varshavës…

Profesor Zuberi u gjend në Shqipëri i ftuar nga një firmë italiane në vitin 1927, pasi mori titullin e profesorit në Universitetin e Jagelonit në Krakov. Aty punoi 20 vite me radhë në zonën e Kuçovës. Krahas studimeve, kërkimeve dhe zbulimeve të vendburimeve naftëmbajtëse në Shqipëri, Zuber zhvilloi aktivitet në Malin e Zi dhe Itali. Kuçova, vendndodhja e tij, u zhvillua si një fushë e pasur naftëmbajtëse. Kërkimet e tij në atë periudhë zhvilluan prodhimin e naftës. Krahas kësaj, zhvilloi studime stratigrafike të përmbledhura në hartimin e Hartës Tektonike në vitin 1942. Hartoi gjithashtu disa harta rajonale gjeologjike. Është autor i mbi 200 ekspertizave, shprehur nga shkencëtarët shqiptarë në atë sesion. Një pjesë e vogël e tyre u paraqitën të dokumentuara, së pari nga udhëzimi i drejtuesve italianë të institucionit, e mandej, pas çlirimit, këto dokumente nuk publikoheshin nën siglën e “Sekretit Shtetëror” të psikozës së qeverisë së Hoxhës. Pas çlirimit, fillimisht u trajtua si shkencëtar i famshëm, pastaj u persekutua dhe u akuzua për spiunazh. Në vjeshtën e vitit 1947 u arrestua dhe u torturua deri sa vdiq në qelinë e burgut. Gjatë punës në Shqipëri, prof. Zuberi mori pjesë në jetën shkencore në shumë kongrese ndërkombëtare me paraqitjen sidomos në Francë të punimeve nga fusha e Gjeologjisë. Në Kuçovë ngriti Muzeun Gjeologjik, përgatiti gjeologët e rinj dhe krijoi lidhje me shkencëtarët shqiptarë. Fati tragjik i Stanisllav Zuberit e vendosin atë në përbërjen e gjeologëve të famshëm polakë, që perifrazohen në titullin e “njerëzve pa çati”, që u sakrifikuan në shërbim të shkencës.

---------------------------------------------------------------------------------,
---------------------------------------------------------------------
“E pashë Zuberin kur dha shpirt”

Petro Marko

Imazh

Ishte fillimi i viteve ’90-të kur u zbulua për herë të parë tragjedia e profesor Zuberit. Shkencëtari fatkeq në çastet e fundit kishte pasur fatin e mirë të ndante të njëjtën qeli me Petro Markon. Poeti i njohur që nuk pati mundësi ta ndihmonte sadopak në ato momente dramatike, pati “privilegjin” ta fiksonte në kujtesë gjithë tmerrin e asaj mbrëmjeje të lagësht të vjeshtës së ’47-s. Vonë, shumë vonë, kur kishte rënë regjimi i komunizmit, Marko rrëfeu të vërtetën për çastet fatale të Zuber Stanisllavit. Po, si e përshkruan ai fundin e mikut të qelisë…


Petro Marko ndodhej në burg i varur në v.1947 rrëfen për polakun

Jam i varur nga duart, lidhur me zinxhirë të rëndë që më rëndojnë mbi supe dhe qëndroj në majë të gishtërinjve të këmbës. Një torturë e panjohur në trupin tim, as në burgun e regjimit të Mbretit Zog, as në atë të okupatorit fashist. Kjo ishte një torturë që më bëhej në pranverën e ‘47-s, në Shqipërinë time, për çlirimin e së cilës kisha kushtuar tërë ëndrrat e rinisë sime.
Një ditë u hap dera e qelisë dhe rojet shtynë barbarisht aty një plakë si Ghandi. Ai nuk ishte leckë, ishte njeri. Ngriti kryet ashtu siç ishte përdhe i shtrirë, më pa dhe shqiptoi: “Petro Marko, këtu?! Unë shpresoja te ju. Kam dashur t’ju drejtohem me një letër që të sqaroni lart pozitën time. Jam i pafajshëm!” Aty për aty e pyeta: “Kush jeni ju?”. “Jam profesor Zuberi!”, m’u përgjigj. Ai e fliste shqipen me një theks të huaj. Një çast u përmenda dhe kujtova momentet kur isha njohur për herë të parë me gjeologun me famë botërore. Para disa muajsh kisha qenë me të pjesë e një ekipi të përbërë nga Nako Spiro dhe gjeologu ynë i shquar, Andera Xenga, në zonën e Koplikut të Shkodrës për të kërkuar nëse kishte burime uji të pijshëm. Mbaja mënd që Andrea më foli gjatë atë ditë për personalitetin e madh e me famë botërore të Gjeologjisë, Zuber, që asokohe ishte këshilltar pranë qeverisë.
Një ditë nga të panumërtat, të gjatat ditë të birucës, Zuberi, pasi u kthye nga Hetuesia në një gjendje sa nuk e mbanin këmbët, më tha: “Më torturojnë, duan me çdo kusht të pranoj se jam agjent. Duan me doemos të them qëllimin tim, sepse nuk ka shënuar në hartën gjeologjike të Shqipërisë vendburimet e floririt. Unë them; ka pak flori, po duhen 20 herë më shumë vlera në ar për të nxjerrë atë sasi minimale që ekziston nën tokë. Për cilin shtet mund ta kem ruajtur unë atë sasi qesharake?! Ai fliste dhe unë e dëgjoja me vëmendje. Ishte tepër e dhimbshme të shikoje atë burrë të moshuar katandisur në skelet. I binte gjoksit të tij të thatë me pëllëmbë dhe thoshte: Dua të jetoj, dua të kthehem në Poloninë time!
Edhe pse vuaja nga torturat, ndieja një përgjegjësi morale si shqiptar për këtë shtetas polak me vlera kulturore universale që trajtohej barbarisht.

Momenti i vrasjes të profesor Stanisllavit

Akoma sot e kam tronditjen që pata për fundin e tij tragjik. Profesori i shtrirë në çimenton e ftohtë murmuriste sikur jepte leksion. Një moment hapet dera dhe futet një roje trupmadh.
-Ç’është ky, ç’është kjo paçavure?, – pyet ai
-Është gjeolog,- i them
-Ç’është gjeologu?!
Pyetjes së tij iu përgjigj vetë Zuberi.
-Është njeriu që merret me zbulimin e pasurive të nëntokës.
Roja qeshi me të madhe, iu afrua, i këputi një shkelm në qafë me këpucën e rëndë ushtarake dhe, po duke u zgërdhirë, i tha:
-Shko nën tokë dhe na gjej ca pasuri!
Mbylla menjëherë sytë për mos ta parë këtë skenë. Dera u përplas dhe u mbyll përsëri me lloz. I varur siç isha, i lidhur me zinxhirë, nuk kisha mundësi të bëja asnjë lëvizje në ndihmë të profesorit. Kur hapa sytë pashë që ai qëndronte i palëvizur me duar dhe këmbë të ndera dhe një curril i hollë gjaku i rridhte nga buzët. Zuberi i madh kishte dhënë shpirt.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4578
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
“Profesor Zuberi, viktimë e prapaskenave serbe”
Imazh
Prof. Arqile Teta

Profesor Arqile Teta
Për “Panorama”

Monografia “Profesor Stanisllav Zuber, jeta dhe vepra” është libri më i fundit i profesorit Arqile Teta. Përballë sprovës për të ndriçuar figurën e këtij kolosi të shkencave gjeologjike që kontribuoi 20 vite në vendin tonë, autorit i është dashur një punë e madhe hulumtuese në Shqipëri dhe Poloni, për të zbuluar dokumente e materiale të panjohura që i japin profilit Zuberit trajta të plota e përmasa reale. Përveç dimensionit shkencor të gjeologut të shquar, monografia e profesor Tetës hedh dritë mbi kalvarin e vuajtjeve dhe rrethanat në të cilat u zhduk Zuber Stanisllav në Tiranë. Për autorin e monografisë, eliminimi i këtij emri të madhe të shkencave gjeologjike lidhet me veprimtarinë subversive të Beogradit për gllabërimin e pasurive nëntokësore shqiptare. Më poshtë, po japim një pjesë të këtyre refleksioneve….


Prof. Stanisllavi ishte kundra monopolizimit të pasurive nëntoksore nga ana jugosllave

Profesor Stanislavi ishte i pari që kundërshtoi strategjinë e ndërmarrjes së përbashkët shqiptaro-jugosllave, krijuar në fillimin e vitit 1947, për të kaluar tërësisht në varësi të Beogradit. Kjo sipërmarrje e krijuar në kulmin e miqësisë midis dy shteteve, dikur aleate në Luftën e Dytë Botërore, hasi në vështirësi qysh në fillesat e veta. Përplasjet e para u ndjenë në kantieret naftënxjerrëse të Kuçovës, Patosit, Selenicës, të cilat ishin rimëkëmbur dhe funksiononin normalisht duke dhënë produkt të konsiderueshëm. Profesor Zuberi sakaq kishte përfunduar studimet dhe në fillim të vitit ‘47 ishin në përpunim një numër strukturash perspektive të nxjerrjes së naftës ku bëheshin shpime të thella të puseve të zonave të Krujës, Karbunarës, Selishtës etj. Pra, nga mëndja dhe dora e inxhinierit të talentuar, shoqëria e përbashkët shqiptaro-jugosllave e naftës kishte gjithçka të përgatitur, madje me një perspektivë të konturuar qartë. Po, pala jugosllave që nuk mjaftohej me kaq, synonte produktin shqiptar për të shuar urinë e jashtëzakonshme për karburante dhe bënte ç’është e mundur për ta gllabëruar atë. Në këto kushte, kërkoi që nafta e depozituar në Kuçovë, për arsye të teknologjisë së vjetër, sipas tyre, të përpunohej në Rieka, si dikur në kohën e fashizmit. Ndërkaq, drejtori i naftës së Jugosllavisë, Stepan Koren, kundërshtonte ngritjen e uzinës së rafinerisë në Shqipëri dhe ndërtimin e saj në Beograd. Nga ana tjetër, ekspertët jugosllav, gjithnjë në funksion të qëllimeve të tyre, pengonin kërkimet e reja dhe përqendroheshin vetëm te shpimet në zonën e Patosit, që ishte një vendburim i ri dhe kishte prodhim të lartë.
Shkurt, e gjithë strategjia e tyre, diku terthorazi e diku haptas synonte depozitimin e naftës shqiptare në distributorët e Jugosllavisë.

Serbët izoluen dhe likujduen kundërshtarët e tyre shqiptar dhe Profesorin polak - Stanisllav
Për ta realizuar këtë, ata u munduan të izolonin e likuidonin elementin kundërshtues shqiptar dhe Zuberin, pengesën e pakapërcyeshme të synimeve gllabëruese. Një përpjekje e tillë ishte urdhri djallëzor për të shmangur praninë e specialistëve shqiptar dhe sidomos të Zuberit në grupin e kontrollit, në puset e naftës. Pikërisht në këtë kohë, pala shqiptare e kryesisht Nako Spirua, që kishte në stafin e tij këshilltar kryesor, inxhinierit Stanislav Zuber, kundërshtoi ofertën e jugosllavëve për ta kaluar tërësisht varësinë e shoqërisë së përbashkët të naftës nga Beogradi. Ishte ky reagim i qartë e i prerë, i cili i parapriu fatit të keq të tij, Zuberit dhe të disa specialistëve të tjerë.
Sipas logjikës së njerëzve të Titos, shoqëria Shqiptaro-Jugosllave e Naftës, e cila tashmë ishte vënë plotësisht nën kthetrat e tyre, duhej të drejtohej nga gjeologët e inxhinierët jugosllav. Stanisllav Zuber ishte për ta i “panevojshëm” dhe pengesë serioze e planeve kolonialiste.

Jugosllavët dhe Koçi Xoxe - ministër i brendshëm e piketouen për likujdim
Jugosllavët dhe sejmenët e Koçi Xoxes e dinin që Zuberi nuk mund të blihej e shitej në dëm e shpërdorim të pasurive nëntokësore, për zbulimin e të cilave kishte punuar 20 vite me radhë. Pikërisht për këto arsye ata ishin të interesuar që aparati represiv i Koçi Xoxes ta mbante në qeli profesorin e nderuar, e pse jo edhe ta zhdukte. Dhe plani ogurzi u realizua, ashtu si e deshën interesat e Beogradit. Do të ishin realizuar edhe synimet e tjera, por, fatmirësisht, në gjysmën e dytë të vitit ’48, kjo shoqëri dhe përgjithësisht marrëdhëniet me Beogradin u prishën e u acaruan deri në armiqësi për disa dekada.

AFRIM IMAJ
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 4 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 2 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 26 Korrik 2021, 02:56
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari