Batuta, Anektoda, Bejte, Satira etj... c'fare te ju deshiroje zemra juaj humoristike per te bere sa me shume per te qeshur
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
Këndi humoristik i elites se persekutuar te Shkodres
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4578
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
AT GJERGJ FISHTA O.F.M.

GOMARI I BABATASIT

POEM DRAMATIK

“Populli falë ata që e mundojnë,
por nuk ka me falë kurr ata që e rrêjnë.”
Montalembert

PROLOG

Pra, nji herë e pikë ma s’parit
Po i diftoj rodit t’Shqiptarit
Se un ktu s’kndoj burrnin’e t’Parit,
As trimnit e ndo’i luftarit,
Veç nji gaç, nji zog gomarit,
Qi, qyqari, për send tjetër
-N’dashtë i ri t’jet, n’dashtë i vjetër-
S’duhet gja, veç se me bártë
E me ngrânë, t’thuesh, si Shqiptarët....
M’thotë, por, mêndja se ndokujë
Ka m’iu dukë se un mifi nd’ujë
Me ketë kangë, e se mâ gjásë
Sod për mue do t’kishte pásë
Ndo’i send tjetër po t’kish’ zgjedhë
Tortë me vjerrsha ktu me drêdhë.
Po, por shka, se ata e dijnë vetë
Qi ka cofë mikrobi i shkretë
I burrnis’ e i trimnis,
E qi sod në Shqiptarí
Besa ka nji t’madhe zí
Jo aq për bukë e miredi
Sa për burra-burra t’dheut,
Qi për komb e nderë t’Atdheut
Me jetue t’dijnë e me dekë.
Jo, por asht kot, besa, me u rrékë
Se po gjen fatos ndër né,
Se po gjen burra n’ketë dhé –
Burra fjalet e atdhetarë:
Kta veç, Zot! Kjoshin për farë;
Se, per tjetër, mbyti n’ujë:
Gja-ha’ i keq – s’i duhen kujë.
E vërtetë qi njadisa
Ndër né flasin fjalë të mdha,
E na mbahen se ata kjenë
Qi shpëtue na kânë Atdhenë:
Sado qi, kur ishte puna
Me u shpëtue Shqipni kërcûna
E, për té n’luftë me qindrue,
Ata rrijshin tue guksue
N’për Stambollë e np’r Anadoll,
A se villshin kund n’ndo’i stjoll
T’ndo’i hoteli npër Evropë
Alkool’n, me t’cillin ngopë
E ki’n barkun si bagtija,
Der sa n’gjak lahej Shqipnija....
Por, kujtoj, s’ka kund nevojë
Qi un t’i zâ kta ndopak n’gojë;
Pse për ta “Dielli” i Bostonit
Nji epopé ka shkrue tash s’vonit,
Nji epopé me kaq do krypë,
Qi mâ mirë s’ké aspak pse e lypë.
Prandej mue nuk m’jitte tjetër,
Veç me kndue ndo’i fatos t’vjetër:
Ndo’i Berdyl a ndo’i Kastrjot.
Po, por shka, se sot me sot
Edhe ktyne u ka dalë fryma,
E si t’ishin do gjygyma
Të pa fund, janë lanë m’njan’ ânë
E askush n’gojë ma s’don me i xânë,
Kújë për tá ndër mênd s’i bjen.
Der tash vonë, qi, fjala vjen,
Posta e jonë pat përdorue
Nji lloj pullash, m’t’cillat shkrue
Ishte ftyra e Skanderbeut,
Námi e ndera e parë e Atdheut.
Tash, kto pulla mbi sergji
Na i kanë hjedhë nji palë zotni,
Qi ktu marrë kanë Postën n’ dorë,
Kin’ për organizatorë,
E t’kanë qitë do tjera pulla,
Me kambë urash e me kulla,
E me plepa e rrêma shkjope,
T’gjana e t’ gjata si gjuhë lope.
Anì pra Shqiptarët e sotit
S’çajnë fort kryet për punë t’Kastriotit,
As për njat trimnin’e t’Parit,
Ké janë dhanë mbas rrogash arit.
Prandej thashë un se për s’mârit
Do t’ tingllojë për veshë t’Shqiptarit
Nji poem mbi’i zog gomarit.
Edhe kshtu, si fola s’parit,
Vetë me vedi kam mendue,
Mbasi ngaeshëm paçë qillúe-
Mbi ‘i gomar nji kangë me shkrue,
Herë tue qeshë, herë tue vajtue,
“Simbas” rregllave t’Poezisë,
E nevojve t’Shqiptarisë.
Eja, Zanë, pra, prej Parnasit,
E kaluer ti m’shpinë t’Pegasit,
Mêndes s’eme shkundja blozën,
E m’ difto metamorfozën
E njatij gomarit t’ri ,
Qi njâ’i vlershmi zotëni
Babatasi bleu sivjet
Në Tiranë, n’atë kryeqytet,
Ku Ministra e Deputetën
-Ktyne Zoti jau rritët jetën!-
-Qesin xhixha atdhédashtnije
Për lulzim të ksaj Shqipnije
E për ...kambë t’ndo’i sandalije,
Sado qi, mâ e shumta sish,
-Si thanë m’ka mue nji dervish-
Der dje kjenë... nuk dij se shka....
Kush n’ “kapicë” kush në “qylah”,
Por qi sod, npër rroga arit,
Na janë bâ t’gjith frotë Shqiptarit,
Edhe pshtetun mbi kolltukë,
Kalamuq e si terrçukë,
Fâ mirë barkun me “mastikë”,
Pa logjikë – pa gramatikë,
Na pshtyjnë dije e politikë,
E, me “gisht” ngordhun përpjetë
I pijnë gjakun Kombit t’shkretë
Jo me hingzë, por me sahâna.
Veç se shka, mori lum Zâna,
Kah të dirgjesh m’shpinë t’Pegasit,
Xiere ‘i vishkull n’pyllë t’Parnasit –
Vishkull t’hollë e t’gjatë zarânet,
Pse ksaj herë, besa, po m’kândet
Me ja hjekun qafës dikuj,
Për m’e bâ qi zâ’n t’a shuej,
Se t’jet’ gjallë. Due t’a marrë vesht,
Se me buej s’kapet nji plesht.

Në “Revistë Pedagogjike”.
Qi â’ i përkohshme fjesht zyrtare,
Mbajtë me mjete t’Kashës kombtare.
Qeverija âsht afetare:
Prandej thom se zyrtarisht
Edhe kshtu llapazânisht
Nuk âsht mirë qi n’polemikë
T’hijmë na sod me katolikë
….
E qi ata tue kenë shqiptarë,
T’jenë, si thue ti, antikombtarë.
E po ‘imênd – t’ngjatët Zoti jetën! –
Esad Pasha a thue ndër Fretën
Ka xanë shkollë?.... Arif Hiqmeti
A ndër Fretën apo n’jeti
Ai kjé rritë?.... Haxhi Qamili
- T’ thotë shka t’thotë, po, qaj Nebili!
…..

Kè po merr e ep me Evropën,
Tue çue Korsuj e Sefira
Për gjith skuta e për gjith bira,
Për m’ia u shtî evropjanve n’kokë,
Se na mênd kemi me okë:
Se Shqipnija, fush’e male,
Asht bâ sod “aksidentale”....
Desha t’thom “oksidentale”:
Si ajo Italja, si ajo Franca,
Me aeroplana, orkestra e danca,
Me “mocjone” e “interpelanca”:
“Ferku” âsht vetëm ndër “pjatanca”:
Kè atje rruejnë, po, shepka e fllânxa,
Na me mzì ktu bukë e plânca,
Kur t’i kemi; pse Financa.
Endè ktu, si kje dishrue,
S’mujt me u “oksidentalizue”
Veç se shka, se do tregtarë
Mue m’kanë thanë se punët fort mbârë
Nuk po i ki’n kta korcullarë,
Kta sefira t’onë shqiptarë,
Kè qyqarve muej për muej
Po u mbijnë fjalë me gjìnd të huej,
Sidomos për qirá t’shpisë,
Posë kasapit e furrxhisë;
.....
Prandej t’mjerët sod janë ngushtue
Pa nji dysh, me thanë, n’kuletë,
Me i shkue Evropës poshtë e përpjetë,
Si kual pleq qi lshohen n’knetë,
Pa tagji – pa kashagi
Përse askund nuk del me i blé:
Si mo’ Zot! Ma keq për né,
Qi gjithmonë e kém’ mâtë vrapin
Mâ të madh se kém’ pâsë hapin.
......
Diku larg atje n’Belgjikë,
Për me lypun metelikë.
Veç se rruga i vojt bihude,
Edhe i shkuen paret zollude,
Pse “Brabanti”, si un kam ndie,
Po kish kenë nji bastanxhi
Qi epte vetë, po, kastraveca
Për sherqij, edh’ epte speca
Për tomate e patlixhana,
......

Për lulzim e nderë t’Atdheut.
T’u ngjatët jeta! Mâ s’mund t’rri,
Pse do t’shkoj n’Kryeministri,
Ku Ministrat janë bashkue
Për do çashtje me u kshillue.
……
Q’se Ministrat ndajnë dekrete,
Pa peshue nji herë ma s’parì
Se ç’zotsi mund t’ketë zyrtari,
E q’se fati i Atdheut të shkretë
Mûjtka aj sod edhe me mbetë
N’dorë t’do njerzve, për t’cillt vetë
E as kurrkush, kujtoj, s’di gjâ
Se ç’shirok a se ç’murrâ
Na i ka hjedhë e prû n’ketë dhé
E po kush di gjâ ndër né
Për nji palë, qi ktu n’Shqipni
Po rruejn petlla e “kabuni”,
E rrmejn rroga n’ar flori,
Kush di gjâ, po tham, zotni,
Se ku i kanë gjak e gjini,
Se ku i kanë kta plâng e shpi,
Stane, pleme, vathë e gji?
Pasaportat kush ua pav ,
Për me thânë se kta s’janë Slav.
Nuk janë Slav, Turq, as Bulgarë,
Por janë fjesht burra Shqiptarë?...
Shka punuen kta për Atdhé?...
Ku janë krenat qi kanë pré?...
Librat shqip qi kanë botue?...
Edhe ndihmët qi kanë kushtue
Për triumf të liris s’onë?
Për posë emnit se si u thonë,
Kurrkush gjâ nuk di, për tà:
Nuk di gjâ, por megjithktà,
Megjithse edhe t’pa zotsi,
Na po e shofim kè n’Shqipni
-Qeni t’zo’n mâ ku s’po e njeh –
Na janë ngrefë si gjelat m’pleh,
E pedanta e “Don Kishjote”,
Me nji hije krejt kokote,
Tuj u mbajtë për liberala,
Për modern e oksidentala.
-Sidomos n’kto kohët e mbrame –
Pjellin ligjë, vjellin programe,
Apin urdhna edhe dekreta,
Sjellin gjinden poshtë-përpjeta,
E n’ketë mnyrë çdo përparim
Kanë pengue, e mbrendë n’sundim
Njerz e punë kaq kanë pshtjellue,
Kaq përzie e kaq ngatrrue,
Porsi flokët e atij harapit,
Sa qi mbrendë në krye t’nji krapit
Ka mâ shum, thom, harmoni
E tendencë për qytetni,
Se n’shtet t’onë. – Eh, moj Shqipni!
Fort po drue se nji ditë ngusht
Ké me ra, e kryet në grusht
Ké m’e kapë, pa pasë pi musht,
Q’se do njerz, qi kush me i xanë
S’kisht’ për pêng as për dorzânë,
M’kurriz t’and po sjellin patën,
Edhe m’mjaltë po e mbajn sod spatën:
T’cillt ngërdheshë m’nipa t’Kastriotit,
Kndojnë at kangën, si ‘i herë motit:
“T’shkojmë e t’hamë na voe t’fergueme
Ké ajo ndrikulla e hutueme.”
E, kjo ndrikulla e pamênd
Ti Shqipni jé, t’tham p’r’imênd:
Pse, po mêndt t’i kish’ ti tok,
Sod s’do t’ishe un Arkeolog,
E as do njerz, besa, për t’gjallë,
Kurr Ministra s’do t’ki’n dalë,
Po pse mêndt ti m’vend s’i ké.
Prandej kot rrërmoj un dhé,
E batallat, varg e vistër,
Bâhen “Pashë”, bahen “Ministër”,
E i biejn shtjelm sahânit t’shllinës,
Kah ty t’hjekin dredha shpinës,
E pa i qitë zavall kaptinës,
Pa prek pêndë – pa prek parmêndë,
Tuj u tállë – tuj u gërvállë.
Po t’i hjekin spik ksaj jeté,
Qi ma mirë nuk ka ku veté.
Xhepin plot e barkun kodër
S’ka si u vè’ mâ mirë kjo lodër.

Mbrendë e jashta me baltë lye,
Hukubet me u pa me sy:
Thue se isht’ furrë me pjekun tulla,
A kaçorr ngrefun për pula.
Kur, qé, ‘i nade, tue rá dielli,
Brî Muzeut po kalon filli
Nji grue plakë, pështjellë n’“binish”,
Garravaxh e bâ dyfish
-Ashtu lamsh, si shtupë buliret-
Me ‘ì shkop n’dorë e shmërtisë ftyret,
Jo pse ndie kisht’ gja njimênt
Se isht çilë fjala n’Parlament
Qi, për t’dajtë na liberala,
Njerz taman “oksidentala”,
Do t’a bâjshim sod zanat
Me na u siellë pa perde grat’;
Por pse isht’ plakë e bâ gjytrym,
Si dêll ujkut thá mbi tym,
Nieri i shkretë e lé në skam
E qi n’gojë s’kish’ veç se ‘i dhamb,
Edhe até, po, me ixhiram.
Mbasi prá na mbrrini plaka
Brî Muzeut – i u preftë nafaka!
Hè! Até Zana m’a shitoftë! –
Kè isht’ tue fry nji erë e ftoftë
E, ajo lehtë fort ishte veshë.
Po ja nisë nji herë me u teshë,
“Tshjef” e”tshjef” tuj u ngërdheshë,
Mandej kolli i çohet peshë,
“Rruf”e “gjuf” njâ disa hera,
Sa as me hecë mâ s’mujt e mjera.
Ashtu, n’kambë, tu’ u teshë, tu’ u kuell,
Bâ prej lotësh...e, nejse, quell,
Edhe krejt irnue ajo bojet,
Kur, qé.... dhambi i shkulet gojet,
Edhe shkon – morè ku jé! –
Shkon e ndêshèt për Muzé,
Qi, si rá t’i kisht’ nji rrfé,
Vjen e shâmbet krejt për dhé
Edhe kshtu djalli i rrumbullon
Rràsh pesqind e ‘i napoljon.

Kush asht ky? Ky asht nji mendiz,
Qi xânë ka, po thonë, n’Paris....
N’ Paris jo, por në Stambollë,
Ku, po thonë edhe, se n’shkollë
Xânë nuk paska tepër hollë,
Pse, si thânë m’kanë do puntorë,
Me mbajtë s’din as shesten n’dorë.
Veç, tue kenë se ky asht sebet
Me dikè ndër deputet,
Fjala e t’cillit aso hére,
Mbrrijté nalt ndër Ministére:
Mbasi ky “gishtin e shllinës”,
-Me nji thue si ‘i gjeraçinës –
Qeverisë ja kishte dhânë,
Për m’e njitë ajo m’gerhânë,
N’rend me “gishta” tjerë t’“Partisë”,
E me té mandej Shqipnisë
Pa dhimbë shpinën me ja lnuer
E, m’ja xjerrë ndo’i dredhë m’likurë:
Për ketë punë, mbas fjalve t’tija,
Ketë mendiz thrret Qeverija,
Edhe e qét në “Punë Botore”,
Tue i caktue për rrogë muejore
Gjashtqind Frank të njehun n’ar.
…..
Qeverija e quen “ekspert”,
-Njatë qi i dêjë s’isht për shegert –
Edhe kshtu, po, me këte rrênë,
Ky mendiz, halldup tue kenë,
E, qi s’dijte inzhenjerí,
Me sa di un arkeologji,
Në Tiranë na u bâ zotni;
Edhe, ngrefë porsi kokot,
Me kaloshë e redingot,
Lavjerrë hundën si gjel deti;
“Teodolitten” për mbas veti:
Qitë “sarvietën” për nën sjetull
E vrâ ballë e ngërthye vetull,
Për mendiz edhe arkitekt,
Kalangerrçet npër qytet
Si t’isht’ Gjoti – a Bonarroti.
…..
Çudë, njimend, me bâ! Shqiptari
Për nji krrabë, p’r’i rreth kulari,
P’r’i’ krye lakne a ‘i bisht purrîni
Pushkë shi m’t’vllan ndo’iherë aj shtîni,
Edhe bartë nuk ka qi nieri
T’a damtojë hiri e pa hiri
N’tokë a n’gjâ sado qi vetë,
Q’se n’mênd mbahet në ketë jetë,
Kjé gjithmonë zemërbujar,
Si për shokë si për shtegtarë,
Si për miq, për nevojtarë,
Edhe dalë u ka aj vllá
N’daç me bukë, në daçme uhá
Por, qé sod, qi disa piça,
-Qi po mbahen për ogiça:
Kush mehmur e kush Ministër –
Si ata orlat, varg e vistër
Na i kanë rá Financës kombtare
E me kthetra guximtare
Tue përpushë npër gjak t’Shqiptarit.
Po ndajnë zyre e rroga arit
Nëpër krushq e kushrini,
Nëpër miq e kumbari,
Për me ngrefë me tá parti –
Parti barkut e karrigash,
-Klika t’mshefta, çerdhe intrigash.-
Jo, veç gjyq Shqiptari s’lypë,
Pse aj do t’hajë veç bukë e krypë,
Ndërsa ata npunsat e shtetit
Rrijnë t’u mâjë si gjela detit
Me gjak t’tij, por ndêjë harrû
Si gur vorri e mênden hû.
Piqet n’diell e kalbet n’shí,
Për me mbushë me ar florí
Kanavetat e Financës....
......
Ah Shqiptarët... këta i ndjeftë Zoti!
Se s’i regjë as halli as moti,
Edhe vetë, po, me sy m’ballë,
N’ vorr me hî duen për të gjallë.
Për pa mbâjtë kush për tá zi,
E po ku, posë se n’Shqipni.
Njikjo punë mundet me u ndi
Se, pa u mbushun gjymsa e vjetit
Firo shkon gjith parja e shtetit
Nëpër xhepa t’ “atdhetarve”.
Qi p’r Atdhé e nderë të t’Parve
Der mësod nji marimângë
Prej birucet s’e kanë shmângë;
E as ndër mênd kurr s’u pat rá
Se Shqipni kund m’shekull ká,
Veç dishmue janë për Shqiptarë,
Q’se Financat n’dorë kanë marrë?
Jo! Shqipninë na s’e kem’ bâ
Veç për t’ngopë edhe për t’fâ
Me bukë t’bardhë e rroga arit
Ndonji kalangerrç zyrtarit,
T’cillit barku i pat ndejë fyell,
Edhe shtatit ardhë kercyell
Kjè si hûni n’kapërcyell,
E as pse dhet’ a pesmbdhetë vetë,
-Pa gjâ n’bark, pa gjâ n’kuletë –
Me u njitë t’mujshin thìk përpjetë
E me xânë “kulltukët” e parë,
Edhe ngrefë për sundimtarë,
Me mehmur e me zyrtarë,
Me inzhenjera – e me shofera,
Me nëpunsa e sherbtorë
Me përla Financën n’dorë:
E grìsh miq e semahorë,
Ngref Kongrese e Parlamente,
Kshille t’Nalta e Konstituente,
Herë tue qeshë, herë tu’u gërmushë,
Tash tu’u tállë, tash tu’u përpushë,
M’shpinë t’Shqipnisë me lujtë harushë,
Mirë me ngrânë e mirë me pi,
Me mbushë xhepat me ar flori,
Me ja u pasë nji Mbret lakmi:
Por Shqipninë na bâ e kína.
Qi t’gjith na, po, t’gjith si jína,
Gegë e Toskë, fushë e malcina,
Qytetarë – edhe fshatarë,
Nëpër rreze të lirisë
T’vêhna m’rrugë të qytetnisë,
E t’kem bukë edhe qetsi,
Përparim n’Shtet edhe n’shpi,
E mos t’vuejm gjith’ atë siklet,
Qi vuejtë kem’ për pesqind vjet,
Sa pa’m ndêjë nën thembêr t’huej,
T’shámë e t’shtypun prej gjithkujë.
.....
Me gjith kta populli i ngrâtë
Prap ka ngelun me bukë thatë.
E me crule e zhele m’shtat,
E me krye aj për nën bàt,
Tuj u vrá gjindja n’ditë t’sotit
Si kjenë vrá kta dikur motit:
Pse ata dhet’ a pesmbdhetë vetë,
Qi “kulltukun” e atdheut t’shkretë
E kanë bâ sod monopol
Edhe dajnë rrogat me spol,
Ata ‘i t’mirë vendit s’i a réshën,
Veç shka kombin t’ngrâtë e zhveshën,
Me “tarifa”, “taksa” e “oktrova”,
Me “xhelepa” e tjera prova,
Si me thânë, me “t’dheta” specash,
Kungujsh, poçash, kastravecash:
Me “vergî” mbi stane e ksolla,
Edhe vendin rreth e okolla,
Kshtu tue repë si njeti askund,
E kanë lshue sod n’ujë t’pa fund.
.......
Jo, po, mirë, besà, po thue,
Pse kurrkush s’din me kallxue,
Kta zotni shka kanë veprue,
Q’se kanë nisë ktu me sundue:
Ku janë rrugat qi kanë shtrue?
Ku janë urat qi kanë lshue?...
Sa janë knetat qi kanë thá?
Kund ndo ‘i prrue a lùm a ká,
Qi kta prû t’a kenë n’âmë t’vet?...
Qé , tash mbush’ janë plot dhetë vjet
Q’se Shqipnija ka dalë m’veti.
….
E, q’se kombi nisë ka i shkreti
Me lá taksa, pagë e t’dheta,
E q’sè prè si kacabeta
Kta kanë rá m’Financa t’ona
Dhe me lira e napoljona
Lajnë nëpunsat - akraba
E atdhetarët e “fjalve t’mdha”,
N’ kto dhetë vjetë, po pyes un, prá,
A thue u vû ndo ‘i punë për fije?
A u çil kund ndo ‘i shteg tregtije,
A ‘i burim ekonomije,
Për me t’mbajt sado pak shpresa,
Se për né dikur rrnésa
Ka me u sjellë ajo për s’mârit,
Mbasi shtetit grumbuj arit
Asht tue i lá rodi i shqiptarit?
……
Jo, qé bésà, kurrnji sênd
Der sod bâ s’asht për ketë vênd –
Per ketë t’mjerën moj Shqipni,
Edhe tham se kta zotni
Kot thajnë dokrra e thajnë kopalla,
Çajnë makllada e qesin prralla,
Kur na thonë, me ‘i qind inshalla!
Se me u orvatë kanë për Atdhé,
E, se s’shpejti ‘i kohë e ré
Do t’zânë fill n’Shqipni për né:
Se, manà, me ç’m’duket mue,
Fort ma zí punët kanë me shkue,
Po kjé imênd se na harrû
Kem’ me ndejë, e porsi viça
Syt me i ngulun kem’ m’kta piça,
Kinse kta t’na çilin shteg
Edhe Atdhénë t’na qesin m’breg
Nulla, po, cupido ignoti,
Ka pasë thanun Aristoti,
Për me u orvatë, pra, për Atdhé,
Duhet pasë ma para i’idé,
E me dijtë se shka asht Atdhéu,
Shka asht Shqipnija e Skanderbeu.
Po, por kta, kishe me thanë,
Se endè mirë nuk e kanë xanë
Se shk’à Atdheu e shk’asht Shqipnija.
Venju shêj, po, fjalve t’mija:
Kta Shqipnin’ me gjásë, s’e duen
Për gjâ tjetër, veç pse druen
Se i mbytë Slavi a se i shtypë Greku,
E, se u hupë rroga a qiflleku:
E jo, pse kta kanë dashtni
Për Atdhé e për lirí,
A pse duen me pasë vllazní
Shoq me shoq, e parasí
Ndër detyrë e në drejtsí.
Prandej fjalët “demokraci”,
“Shqypni e lirë” e “qytetní”
“msim”, “Arsim” – e “përparim”,
“Orjental” – “Oksidental”,
“Parlament” e “Punë Botore”,
E, sa tjera fjalë kso dore
Nuk janë tjetër veç se dokrra,
“Thasha” e “thana” të pakokrra
E krejt fjalë à la zhon – tùrka,
Qi më sa shpata ndër furka,
Aq n’gojë t’tyne kto kanë hije:
Fjeshtë makllada komedije.
Edhe kshtu né asht tue na rá
Me pa sod shka jem’ tue pá:
Me pa popullin t’ngrâtë tue kjá,
Me pa popullin t’mjerë pa bukë
E, me pa pështetë m’kulltukë
Muhaxhirë edhe spathokë,
Matrahula e njerz t’pa kokë:
T’cillt, kërtylë, si t’mbajtun n’thark
E me ‘i zemër leprit n’bark,
Na janë ngrefun për “dëshmorë”,
Edhe marrë Financën n’dorë
E marrë n’dorë edhe fuqinë,
Qifllek t’vetin bâ Shqipninë,
Po rruejn petlla e makerona,
Po dajnë lira e napoljona:
E si orrla e si kojrrila,
Tuj u endë m’automobila.
Poshtë-përpjetë nëpër Shqipni,
Si ‘i herë Mbretënt koçi:
Kta qi – ‘i palë – s’kanë pasë me u ngî
As bukë thatë t’pjekun në hî
E, der djé, mos tjetër gjâ,
Pásë i kanë vithet n’shullâ
Edhe, bésa, n’nâde e n’mbrâme
Kanë njye n’shllînë e kanë zie bâme
E t’kanë repë morrin për kâme,
Si çdo tjetër matrapaz.
.......
Qeverija edhe ia gjeti
Titllin ktij, tue quejt ekspert;
Si nuk pat as turp as dert
Me quejt’ n’rrênë “bibliotekar”,
(me nji rrogë treqind frangsh ar)
Dike tjetër m’Kshill Kombtar,
Ku, jo veç s’ka bibliotekë,
Por, me pasë ti për t’u rrékë
Nji javë ditë n’atë Kshill, nuk ké,
Për t’hasëm’libër kûnd për bé;
Pse, mjerisht, doke asht ndër né,
-Si ndër pupuj gjymsë – barbarë –
Me u çilë zyret për zyrtarë,
Jo zyrtarët me u zgjedhë për zyre
E prandej sod ketë linjyre –
Ketë mendiz – ekspert e kam
Nepër kamë sabah e aksham,
Der sa vetë – nga poshtë – përpjetë,
Kaq jam lodhë e kputë e lmekë,
Sa qi n’mênd e kam me hjekë
Dorë prej punet t’ktij Muzéut,
Dalë ku t’ dalë “lulzimi i Atdhéut”;
Pse edhe kshtu s’po mújë m’e qitë.
....... E vërtetë;
Me gjith kta kishe me thanë,
Se s’ban mirë punën m’e lânë:
Mbasi zjarmi shpisë ‘i asht dhânë,
Pse mos t’ndezësh m’té cingaren?...
A din shka? Ndigjo kumbaren,
Se márë puna ka me t’dalë.
Del n’pazar e blejë nji kalë,
Tuj e qitë n’kredit t’Muzéut,
“Për lulzim e nderë t’Atdhéut”.
.......
Po, ketë punë e kam mendue
Edhe un vetë. Veç se nuk due
Me blé kalë: Tham, ma për s’marit
M’del me blé nji zog gomarit;
Pse gomari bjen mâ lirë.
E din vetë, se n’ketë kohë t’vshtirë
Nuk asht, besà, kurrkund ngâja
Me bâ kot shpenzime t’mdhaja.
Por gomarin, lum zotnija,
Due m’e blé me pare t’mija,
E jo me kredit t’Muzeut:
Me u përzie s’due n’gjak t’Atdhéut;
Pse edhe mjaft rodi i Shqiptarit
Sod me sod aj pare arit
Asht tue lá për shpirt t’gomarit.
….
Qè, zotni, ‘i gomar për ty....
Bukuri me u pá me sy,
Kurrkund sho’jn un s’ia kam pá.
Kqyrja veshët nji herë sa i ká:
Me të dy, po, (tham), del s’pakut
Për Ministër nji bisht “frakut”,
Ndoshta, ndoshta, edhe ‘i “kravatë”.
Syni i keq oh! Mos e pát’të.
Parsmja gjanë e bishti gjatë;
Sho’jn kurrkund ti pá s’ia ké
N’Barbullush as n’Myzeqé.
Nji gomar – tamand gomár,
N’daç për shálë, n’daç për samár;
Marshallah edhe kenka i ri,
Turru e bleje, brè fatzi;
Pse nuk hasë má m’sho’jn e tij.
.....


Váll, traktatit të tregtisë
N’mjes Shqipnisë e Italisë,
Qi tash mâ se nji motmot
Kjé bâ gati, pse der m’sot
Qeverija s’i vû dorë,
Por là fushë edhe malcorë
Me u thá ûjet t’ngratët té shpija,
Kè s’u ban pare bagtija?

Prá, si thashë, kur n’Kvirinal
T’shkojë Ministri “okcidental” –
Ky Ministri i Shqiptarisë,
T’shkojë me “çantë” t’diplomacisë,
Gjatë dy pllambë “cilindrin” m’ krye,
Ngrî manshetat n’dorë mbërthye,
Si aj Bismarku hapa – hapa,
Un shpresoj se atë – herë e mbrapa
Do t’na siellen punët për s’marit
E, n’Shqipni nji zog gomarit
S’ka me u gjetë as n’Barbullush
Persè i lirë do t’jetë gjithkush
-Si traktati t’jetë nënshkrue –
Në dhé t’huej gomarët me i çue....

Vazhdon………

Shenim:
Botohet pjesa me humoristike e vepres se At Gjergj Fishtes ''Gomari i Babatasit'' te shkruar ne kompjuter nga dora e Fritz Radovanit. Me deshire ja dhuron sitit ''www.proletari.com gratis. Ne emer te pronarit te saj e falenderoj thelle nga zemra atdhetarin e shquar, puntorin e palodhur Fritz Radovanin. I urojme shendet dhe jete te gjate!
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 137
Antarësuar: 29 Janar 2009, 21:45
sinqerisht nuk e lexova gjithe poemen renditur me lart...por deshroja te thoja qe humori shkodran eshte i pakrahsueshem....brenda tij gjen argetim...filozofi...ironi dhe origjinalitet, dhe kjo ska ndryshuar neper vite.

:muah per shkodranet
OSARE SEMPRE
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 26 Korrik 2021, 02:27
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari