Faqe 1 prej 1

Komedia "VETERANI" i Luftës Nac- çlirimtare që nuk ishte

PostPostuar: 30 Nëntor 2014, 09:43
nga Laert
VETERANI

Nga Broz Simoni
E shtunë, më dt. 29.XI.2014
Në një stacion televiziv kombëtar, “i pavarur”, lajmërohej: “ Vdiq Ali Senjefi, Veteran i Luftës.”
U befasova te s’bën e mendja më shkoi te i biri që e kisha pasur shok shkolle e ma kishte treguar fije e për pe heroizmin e të atit. Ai më pati thënë se baba Ali bashkë me mixhën plak, kishin pasur një punishtë ëmbëlsirash mu në mes të qytetit ku përgatitnin hallvasi të bardha, haxhimakulle, bakllava, tespixhe, sheqera të gjatë e të rrumbullaktë me ngjyra e shumë xhingla- mingla të tjera që banorët ëmbëlsidashës i blinin vazhdimisht, se atyre, babait të shokut tim e mixhës, u kishte dalë nami si mjeshtra të pakundshoq në qytet. Dyqanin e kishin diku afër xhamisë me kupolë në formë çallme, çka ia rriste edhe më tepër vlerën dugajës, se vendi ku ishte ndërtuar quhej vakëf “i shenjtë”.
Në qytet kishin filluar të krijoheshin njësite guerile të fshehta nga disa të rinj me vizion e dëshirë për të ndryshuar jetën e myktë stërgjyshore, prandaj edhe ëmbëlsirëshitësit nganjëherë ua njomnin dorën e gojën me nga ndonjë ëmbëlsirë nga ato më të lirat. Ai grup të rinjësh e pagëzoi vehten: “ Grupi Qarkor Provizor”. Vetë emërtimi linte për të dyshuar, po të rinjtë si veriu, s’mund t’i ndalnin prindërit e tyre që të shihnin punën e tyre e jo luftën guerile që bëhej brenda qytetit ndërmjet kundërshtarëve politikë, ballistë e guerilas. Asnjë armik deri ato ditë nuk ishte dukur në qytet, po të rinj vriteshin dita – ditës herë ditën me diell, po më shumë në fshehtësinë e pabesë të territ. Sipas hamendjes së shokut tim, ai njesit na paskësh krijuar pas disa ditësh edhe një formacion të rregullt luftarak të mbiquajtur:” BERBAT TABORI”.
- Zot na ruaj, – i pata thënë shokut me sy të zgurdulluar, – po ai emër nga u kishte mbirë në mendje?!
Ai ma pati sqaruar, po, mëqë kishin kaluar shumë kohë, unë s’po sqaroj gjithçka, se shumëkush e merr me mend emërtimin turkoarab “ Berbat Tabor” që të luftonin armikun të cilin vetëm në ëndërr e shihnin guerilasit. Po, medemek ata farë trimash na paskëshin caktuar në letër edhe mënyrën se si do ta ndihmonin luftën. Kishin parashtruar në konspiracion edhe disa pika, si:
1.Të sabotonin e sulmonin objekte të ndryshme ushtarake që do të krijoheshin në qytet.
Kjo pikë kishte të bënte me hamendje të disa guerrilasve që merrni vesh nga strategjia e luftës. Kishin lexuar në disa broshura, si “ Bota e re” se në Bashkimin Sovjetik, veprimet shkatërruese të të rinjve, u kishin sjellë shumë prapësi caristëve.
2. Të rrëmbenin, (nënkupto, të vidhnin), materiale ushtarake..
Se cilit s’dihej, po ishte shenuar si direktivë lufte e guerilasve çapkënë të qytetit. Madje ishte parashikuar edhe dyqani ku do t’i shitnin si mallra trofe të rrëmbyera armikut. Me paratë që do të siguronin nga shitja, do të ndihmonin njëri – tjetrin ose do të miklonin ndonjë të ri që të përzihej me ‘ta, sepse pas luftës do të hanin bashkë me lugë ari.
3. Të sulmonin burgjet për të çliruar të burgosurit…, në qoftë se do të kishte, pavarësisht se deri atëherë s’kishin marrë gjë vesh për të burgosur në ishin hajdutë, vëllavrasës a kriminelë. Mjafton t’i “çlironin” që t’u dilte emri në qytet si bamirës ndaj atyre që s’dihej si u ishte mohuar liria.
Më e rëndësishmja që i vinte kapakun programit të guerrilasve ishte pika e fundit:
4. Të vritnin e mundësisht të kapnin të gjallë spiunë fashistë nga qyteti e antikomunistë.
Domethënë lufta do të bëhej brenda llojit, brenda lagjes e rrethinave. Program lufte më i detajuar se ky, nuk ishte parë në qytet. Armiku n’punë t’vet, djelmoçat n’betejë me njëri – tjetrin.
Pikërisht, në një aksion për kapjen e një spiuni antikomunist, të imagjinuar si kundërshtar i tyre, e pësoi dyqani i ëmbëlsirave ku punonin vëllezërit “ Senjefi”.
Guerilas të ardhur nga lagje të ndryshme, sulmuan me granata dore spiunin antikomunist rrezikzi që kishte hyrë për të ngrënë një sheqerpare në punishte. Predhat vrastare të granatës, të hedhura kuturu, nuk kishin goditur spiunin, por kishin troshitur xhamat e dyqanit e tavanin prej dërrasash të kalbura.
Të befasuar nga shkatërrimi pa dashje i dyqanit, guerilasit, pasi ishte davaritur pluhuri e tymi qorrues, u afruan të vëllezërit, zotër të dyqanit, që t’i shpërblenin për zallamahinë e krijuar. Thonë se ishin sterlina që Ingliterra i jepte pa dhimbë për të luftuar nazifashistët në Evropë. Ishte hera e parë që dyqanxhinjtë kishin në duar atë lloj valute. Qysh atëherë e deri sot englezët s’e lënë të dalë më jashtë vendit të tyre. Ato stërlina vëllezërit i ruajtën deri pas çlirimit, se nuk patën ku t’i këmbenin, se ishte luftë, si e përshkruam.
Pasi nazifashistët u larguan në punë të vet, pa i trazuar njeri, ish guerilasit ndjehën me gradat e majorit, të gjeneralit të…
Një ditë prej ditësh, dy aso të vetëgraduarish, që artin e luftës e kishin mësuar me guerilasit, u dukën te ish dyqani i ëmbëlsirave. Njëri, që i kishte gradat më të ulëta, mbante në dorë një pllakë çimentoje ku shkruhej: “ KY DYQAN GJATË LUFTËS NACIONAL – ÇLIRIMTARE KA QENË BAZË PARTIZANE”.
Ushtarakët ia lanë në dorë pllakën me shkronjat e qendisura në çimento njërit nga vëllezërit, se tjetri ishte shtrirë në shtrat, mëqë i ishin afruar ditët për t’u ndarë nga kjo jetë.
Të mos e vinte pllakën mbi derën e dyqnit, vëllait që ishte shëndosh e mirë, nuk ia mbajti, se do t’ia merrnin për tradhëti ndaj luftës e mund të kishte pasoja, prandaj, thirri një usta që t’ia ngatërronte diku në një vend të dukshëm. I vinte turp dyqanxhiut nga pllaka e vënë aty, se i gjithë qyteti e dinte të vërtetën e asaj “baze lufte”
Pas disa ditësh, një pojak u duk te dyqani dhe i la në dorë të zotit një zarf të mbyllur. Kur dyqanxhiu e hapi lexoi:
Vdekje Fazhizmit! Liri Popullit!
U çudit për ato fjalë në krye të saj, mëqë e dinte se populli ishte i lirë, po, mesa po kuptohej, duhej të ishte më i lirë, po, fashistë, nuk kishte parë, jo tani, por as gjatë luftës. Më e çuditshmja ishte se më poshtë shkruhej që me datën 12 të atij muaji, të paraqitëshin vëllezërit Senjefi pranë Korpusit Ushtarak për një problem me shumë rendësi.
Korrekt në punën e tyre, vëllezërit e bënë me fjalë që të shkonin në tubim. Ai, i sëmuri, i tha të vëllait që të ishte i matur, të mos fliste kudo rafsha, mos u vrafsha, po ta maste mirë fjalën hem se mund t’i prishte punë vehtes e vëllait, hem se, si po shihej puna, kishin mundësi të merrnin edhe ndonjë dekoratë e ta kishin si dëshmi për të ardhmën e fëmijëve të tyre.
Vëllai i shëndoshë, në datën e caktuar, u gjend midis shumë dugajxhisve të qytetit që gjatë luftës më shumë e kishin mbajtur dyqnin mbyllë nga frika që t’mos u ndodhte si vëllezërve Senjefi. Një pjesë e tregtarëve ishin në ethe, se s’dinin objektin e asaj mbledhjeje, ndërsa orta e atij që kishte vënë pllakën, ishin shend e verë. Fjalë nëpër fjalë, kishin marrë vesh se do të shpërbleheshin për ndihmesën që kishin dhënë. U ngrit një ushtarak me gradat e gjeneralit dhe lexoi emrat e personave që tashti, me vendosjen e Pushtetit Popullor, do të pajiseshin me një librezë ku do të shenohej dhe shuma e parave që do të merrnin çdo muaj.
Dyqanxhinjve të tjerë u thanë se do të derdhnin një shumë parash në formë dhurate për shtetin e sapodalë nga lufta. Për të shpërblyerit u vu edhe postulati:” Njëmijëlekëshi i luftës”.
Si më tregonte shoku im, njëmijëlekëshin kishte vazhduar ta merrte edhe ai, pavarësisht se i ati, baba Ali kishte vdekur me kujtimin e mirë se po largohej nga kjo botë si veteran lufte.
Në një seancë plenare të Parlamentit ishte vendosur që shpërblimi për luftën t’mos u hiqej brez pas brezi trashëgimtarëve të veteranëve, se mbrojtja e atdheut ishte detyrë mbi detyrat dhe se ata dhe vetëm ata na e kishin lënë vendin të lirë që ta gëzonin shqiptarët…

[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari