Letersia e huaj ka ndikuar thelle ne formimin dhe pasurimin e shpirtit te njeriut pavaresisht nga prejardhja e tij.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 4 postime · Faqe 1 prej 1
Trokitje ne poezine italiane
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 64
Antarësuar: 18 Qershor 2009, 15:27
Trokitje ne poezine italiane, Posted 13 Korrik 2009, 06:54
EUGENIO MONTALE


Imazh

Poeti italian i nderuar me cmimin Nobel



1896

Eugenio Montale u lind në Gjenovë në 12 Tetor 1896 nga Domeniko tregtar dhe Xhuzepina Riçi. Ishte i fundit nga gjashtë vëllezër, nga të cilët njëri i vdekur menjëherë pas lindjes. I kalon fëmijërinë dhe adoleshencën në brigjet ligure.

1916

Shkruan poezinë e parë “Nën hije i zbehtë dhe i përhumbur”, që do të bëhet bërthama e librit “Ossi di Seppia” (eshtra prej sopie).

1917

Futet nxënës në shkollën e oficerëve të këmbësorisë. Njohu kritikun Serxhio Solmi.

1918

Si oficer këmbësorie shkon vullnetarisht për të luftuar në Trentino; i besohet komanda e një pozicioni në vijën e zjarrit në fshatin Valmorbia. Nga kjo eksperiencë do të mbetet si dëshmi poezia “Valmorbia, bëhet fjalë për fundin tënd”, më pas e botuar në librin “Ossi di Sepia” (Eshtra prej sopie).

1920

Fillon të frekuentojë krerët kryesorë të kulturës Gjenoveze, midis të tjerëve poetin Kamilo Sbarbaro.

1921

Poli intelektual i tij u bë Torinua, ku njohu bërthamën e gazetës “Primo Tempo”.

1922-1926

Sergio Solmi i boton në “Primo Tempo” poezitë e para. Njihet me letërsinë e autorëve të mëdhenj europianë: Musil, Kafka, Italo Svevo. Në Milano njeh Sibilan Aleramon. Boton librin e tij të parë “Ossi di seppia” (1925). Ka shumë sukses nga kritikët më të mëdhenj. Në Trieste njeh Umberto Sabën, me të cilin lidh miqësi të fortë.

1927

Njeh poetin amerikan Ezra Paund. Takon Drusila Tancin që do të bëhet shoqja e tij e jetës. Transferohet në Firence.

1928

Del botimi i dytë i librit i plotësuar me poezi të reja. Poezia “Arsenio” përkthehet në anglisht dhe bëhet e famshme pas botimit të saj nga T.S.Eliot.

1931-1932

Del botimi i tretë i librit. Boton “Shtëpia e doganierëve” që bëhet bërthama e librit të dytë “Occasioni” (Raste).

1939

Bashkëjeton me Drusila Tancin. Njeh dhe frekuenton në të famshmen “Kafe e Xhupave të Kuq” tregimtarët Elio Vitorini, Karlo Emilio Gada, Aleksandër Bonsanti, Tomaso Landolfi dhe dy poetë të rinj, Piero Bigonxhari dhe Mario Luci, që do të bëhen autorët më të rëndësishëm të shkollës hermetike. Në grup bëjnë pjesë edhe disa piktorë.

1940

Del botimi i dytë i “Occasioni” i zgjeruar. Fillon për Montalen një aktivitet i dëndur prej përkthyesi midis të cilëve Eliotin, Shekspirin, Stainbekun, Servantesin, etj. Vazhdon aktivitetin e tij në fushën e studimit dhe të kritikës.

1944

Strehon në shtëpi disa miq hebrej të persekutuar nga regjimi fashist midis të cilëve Umberto Saba

dhe Karlo Levi.

1945

Bashkë me Aleksandër Bonsanti dhe Artur Loria, themelon dhe drejton revistën pesëmbëdhjetë ditore “Il Mondo” (Bota).

1946

Fillon të bashkëpunojë me gazetat “Corriere d’Informazione” (Korrieri i Informacionit) dhe “Corriere della Sera” (Korrieri i Mbrëmjes). Takon poetin Pol Eluar. Në vjeshtë “Il Mondo” ndërpret botimet.

1948

Transferohet në Milano, ku punësohet në “Corriere della Sera”. Detyra e tij e re do ta çojë të udhëtojë nëpër botë. Gjatë një udhëtimi në Angli, ku ndodhet i ftuar për një cikël konferencash bashkë me Alberto Moravia dhe Elsa Morante, takon T.S.Eliot.

Boton në librin “Quaderno di traduzioni” (Fletore përkthimesh), përkthimet e tij nga poetët më të rëndësishëm.

1956

Boton librin e tretë poetik, “La bufera e altro”.

1957

Shtëpia botuese “Mondadori”, boton botimin e dytë të zgjeruar të librit “La bufera e altro”.

1959

I akordohet titulli “Legion d’onore”.

1962-1965

Martohet në kishë me Drusila Tanci. Në Milano i akordohet çmimi ndërkombëtar “Feltrineli”. Në tetor, pas një viti martese vdes Drusila Tansi. Poeti nuk do të rimartohet kurrë. Merr pjesë së bashku me poetët më të njohur nga e gjithë bota në festimet përvjetorit të lindjes së Dantes.

1967

Fama dhe prestigji i tij rriten jo vetëm në kufujtë kombëtarë. Universiteti i Kembrixhit i akordon titullin “L’Honorary Degree”. Në Itali i akordohet vëndi i senatorit të përjetshëm “që ka nderuar Kombin me meritat e larta në fushën letrare dhe artistike”.

1968

Njihet me poeten e re Analiza Çima.

1971

Boton në “Mondadori” librin e tretë me poezi “Satura”, në të njëjtin vit del vëllimi “Diario del ‘71”.

1972

Botohet versioni i parë i zgjeruar i “Diario”, i titulluar “Poeti, Ditar”.

1974

I akordohet nga universiteti i Romës titulli “Honoris Causa” në Letërsi. Nga Mondadori boton versionin definitiv të ditarit në vargje, të titulluar “Diario del ’71 e del ’72”.

1975

Boton versionin e dytë e të tretë, të zgjeruara, të “Quaderno di traduzioni”, në Mondadori. I akordohet Çmimi Nobel për Letërsi. Në Stokolm, në Akademinë e Zvicrës, mban diskutimin “Është ende e mundur poezia?”.

1976

Botohet nga Mondadori një vëllim i studimeve të tij mbi poetë italianë e të huaj dhe mbi poezinë e tij, “Sulla poesia”, që do të bëhet një libër i rëndësishëm.

1977

I akordohet nga Bashkia e Firences në mënyrë solemne titulli “Qytetar nderi”. Del nga Mondadori libri i tij i gjashtë poetik “Quaderno di quattro anni”. Nga i njëjti botues në nëntor del vëllimi “Tutte le poesie”, me të gjitha vëllimet që kishin parë dritën e botimit deri atë moment.

1978

I akordohet titulli “Anëtar Nderi i Akademisë Amerikane dhe i Institutit të Arteve dhe Letrave”.

1980

Botohet nga shtëpia botuese “Einaudi”, botimi i parë i kritikave të poezive të tij, “L’opera in versi”, një rast i rrallë për një poet ende të gjallë, që konfirmon rolin e jashtëzakonshëm të aritur tashmë në kulturën italiane.

1981

Botohet përmbledhja poetike “Altri Versi” që rimbledh tekste të pabotuara dhe publikime të tjera nëpër media të ndryshme. Në gusht shtrohet në klinikë, ku vdes në 14 shtator. Pas funeralit shtetëror në Duomo të Milanos, varroset pranë Drusila Tancit në varrezën “San Felice” në Ema të Firences.

1991

Dhjetë vjet pas vdekjes së tij, siç e kishte lënë amanet vetë, publikohet nga Mondadori, me përkujdesjen e Analiza Çima dhe Rozana Betarini, vëllimi i poezive të pabotuara “Diario postumo”, si rezultat i besimit dhe dhënies së rregullt të teksteve të pabotuara nga Montale vetë Çimës.




Imazh
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 64
Antarësuar: 18 Qershor 2009, 15:27
Re: Trokitje ne poezine italiane, Posted 13 Korrik 2009, 06:58
ERË MBI GJYSMËHËNËN



Ura e madhe nuk çonte te ty.

Do të të kisha arritur edhe duke lundruar

nëpër fekale, me një urdhër tëndin.

Po dhe forcat, bashkë me diellin mbi kristale

verandash, shkonin drejt shterimit.



Njeriu që predikonte mbi zhvillimin

më pyeti “E di ku është Zoti?”. E dija

dhe ia thashë. Tundi kokën. U zhduk

në vorbullën që mori njerëz e shtëpi

e i ngriti lart, në paqe.



SHPESH NEVERINË E TË JETUARIT KAM TAKUAR



Shpesh neverinë e të jetuarit kam takuar:

ishte burimi i mekur që gurgullonte,

ishte vyshkja e gjethes

së tharë, ishte kali i shembur përtokë.



Mirë nuk dita, veç mbinormales

që lë pak hapur hyjnorja Indiferencë:

ishte statuja në gjumin

e mbasdites, dhe era, dhe skifteri i ngjitur lart.



***



Antik, tingulli dehur nga zëri

që del nga gojët tuaja kur hapen

si këmbana jeshile e rihidhen

mbrapsht, e shkrihen.

Shtëpia e verërave të mija të largëta,

të rrinte afër, e di,

atje në fshatin ku dielli digjte

e mjegullonin ajrin mushkonjat.

Si dikur sot në prezencën tënde gurëzohem,

det, po jo më i denjë

ndihem ndaj këshillave solemne

të frymëmarrjes tënde. Ti më ke thënë i pari

se i vogëlthi shqetësim

i zëmrës sime nuk ishte veçse një moment

i tëndes; që për mua në fund ishte

ligji yt rrezikues: të jesh i gjerë, i veçantë

dhe njëkohësisht i palëvizshëm:

Dhe të zbrazem nga çdo mbeturinë

siç bën ti kur përplas në breg

mes sfungjerëve, algave, e guackave,

plehrat e pavlefshme të thellësive të tua.

Kush ngjitës mban bashkë

këta katër gurë.



***



Mendoj engjëjt

të shpërndarë aty – këtu

që s’bien në sy

pa pendë, pa formë

të pavetëdijshëm

injorues të paraqitjes së tyre

dhe tonës

edhe pse janë

një kundrapeshë më e fortë

se pika e Arkimedit

dhe nëqoftëse askush s’i shikon

është sepse nevojiten të tjerë sy

që unë nuk i kam

por dhe nuk i dëshiroj.



E vërteta është në tokë

dhe këtë nuk mund ta dije

nuk mund ta doje

dhe sikur të duhej të na shkatërroje.



Kështu duhet shtirur

që ka diçka këtu

ndër këmbë, ndër duar,

as akt, as e kaluar

as e ardhme

dhe aq më tepër as mur

për ta kapërcyer

duhet shtirur

që lëvizja dhe palëvizshmëria

të kenë kuptimin

e jokuptimit

për të marrë vesh

që pika fikse është një kompleks

i hiçëzuar.



***



E vërteta është se jeta nuk shpjegohet

as me biologjinë

as me teologjinë.

Jeta është shumë e gjatë

edhe kur është e shkurtër

si ajo e fluturës –

jeta është gjithmonë e jashtëzakonshme

edhe kur toka nuk prodhon

asgjë.

E tmerrshme është lufta që bëhet

per ta kthyer në të kotë e të pamundur.

Nuk mbetet veçse zhytja

në nënndërgjegje

farsa e fundit e teatrit tonë në mbyllje.

Do ta shpie në internim, a në litar

atë që e përkufizon apo e përballon. Dihet

që padituria

është më se e mjaftueshme për të errësuar

errësirën.



***



Zbrita, dukë të dhënë krahun, të paktën

njëmilion shkallë

e tani që nuk je më është bosh çdo

hap.

I shkurtër udhëtimi ynë i gjatë.

Imi vazhdon ende, as më duhen më

rastësitë, prenotimet,

grackat, paturpësitë e atyre që besojnë

se realiteti është siç na paraqitet.



Zbrita duke të dhënë krahun

jo sepse me katër sy ndoshta

shikohet më shumë.

Më ty zbrita se e dija që ndër

ne të dy

të vetmet bebe, megjithëse

shikimturbullta,

ishin të tuat.



***



Ndoshta një mëngjes duke shkuar drejt një ajri

të qelqtë,

të thatë, do kthej kokën e do shoh si do ndodhë

mrekullia:

hiçin pas shpatullave, boshllëkun mbas

meje, më një tmerr prej të dehuri.



Pastaj si në një ekran,

do rreshtohen në distancë

pemë, shtëpi, kodra, gënjeshtra e zakonshme.

Por do të jetë shumë vonë; unë do iki

i heshtur

tek njerëzit që s’kthehen më, me

sekretin tim.



***



Rrotullohet rrota e pusit,

uji del në dritë dhe lëngëzohet.

Dridhet një kujtim në kovën plot,

në të përkryerin rreth një imazh qesh.

Mbështes fytyrën me buzët e fikura:

deformohet e kaluara, bëhet plakë,

i përket një tjetri…

Ah ja ku ankohet

rrota, të dhuron në fundin tjetër,

vizion, një largësi na ndan.



***



Eshtë qesharake të besosh

që njerëzit e nesërm

mund të jenë njerëz,

qesharake të mendosh

që majmuni të shpresojë

të ecë një ditë

mbi dy këmbë.



Eshtë qesharake

të ruash kohën

dhe gjithashtu është

të imagjinosh një kohë

të ndarë në shumë kohë



dhe sidomos

të marrësh me mend që diçka

gjallon

jashtë gjallësisë,

vetëm kjo shikohet

nga të qenit i gjallë.



***



Lumturi e plotë, ecet

për te ty mbi fillin e briskut.

Syrit i je dritë e zbehtë që lëkundet,

këmbës i je akull i rrezikshëm që thyhet;

kështu pra, të mos të të prekë ai që më shumë e do.



Kur arrin në shpirtrat e pushtuar

nga trishtimi dhe i kthjellon, mëngjesi yt

është i ëmbël e mallëngjyes si foletë

e zogjve.

Po asgjë mund të paguajë të qarën e fëmijës

kur topi u humbet shtëpive.



Mos më kërko fjalën që nuk përputhet

nga asnjë anë

kurajua jonë pa formë dhe me shkronja

të zjarrta

shpalle e ndriçoje si një luleverdhë

humbur në një lëndinë

tërë pluhur.



Ah njeriu që jeton i sigurt,

mik i të tjerëve dhe i vetvetes

as hijen e tij nuk ruan se zagushia

ia vulos në një mur të rënë suvaje!



Mos ma kërko formulën që botët

mund të t’i hapë,

ji një rrokje e shtrembër dhe e tharë

si bujashkë.

Vetëm këtë mund të të dëftejmë sot ,

çka nuk jemi dhe çka

nuk duam .



***



Lavdi e gjumit të mbasdrekës

kur as pemët nuk bëjnë hije

e për më shumë kur shfaqen rreth e rrotull

nga drita e tepërt, të verdhat shëmbëllime.



Dielli, atje lart, - shtrat lumi i tharë.

Dita ime ende s’ka mbaruar

matanë, muri, orët e bukura

mbyll në një perëndim të zbehtë e të praruar.



Përvëlim rreth e rrotull: një zog peshkatar

mbi një relike jete rrotullohet

shiu i mbarë është mbas gufosies

e ndërsa pres, lavdi gjumit që afrohet.



***



Një pëllumb i bardhë më zbriti

tek yjet, poshtë fillesave ku qielli

ka folenë. Agime e dritëza në pritje: kam dashur diellin,

ngjyrën e mjaltit, flori kërkoj të errëtin,

kërkoj zjarrin që e ngroh jetën, këtë varr

që nuk fluturon, shikimin tënd që sfidon.

***



Kam shumë besim te ty

dhe do vazhdoj

(është budallallëku që të thashë

një ditë)

derisa një vetëtimë nga e përtejmja

të shkatërrojë

këtë rrëpirë të pafundme ku

jetojmë.

Do të takohemi atëherë nuk e di,

në ç’pikë

po ka kuptim fjala pikë kur s’ka

hapsirë

e do diskutojmë për ndonjë varg

të shumëkuptimtë

të hyjnores poemë.



E di që jashtë të parit e të prekurit

nuk është jetë e mundur, po pasjetë,

ndoshta fytyra tjetër e vdekjes

se e mbajtëm të mbyllur në vetvete

për vite e vite.



Kam shumë besim te vetja

e ndeze ti padashur

pa e ditur që në çdo karkasë

të jetës ka një truk

që nuk e njohim dhe na ka zënë

pritë, ne të shpërndarëve e të pazotëve

per t’i dhënë kuptim.



Kam shumë besim që do më djegë: po

kush do më shohë do thotë është njeri prej hiri

pa e kuptuar se është rilindje.



***



Më sill lulediellin ta mbjell

në baçen time të djegur nga kripërat,

e t’u dëftej gjithë ditën të kaltrave

pasqyra

të qiellit, ankthin e fytyrës së saj të verdhë.



Tentojnë qartësinë gjërat e errëta,

shkrihen trupat në ujëvarë

ngjyrash: këto në muzikë. Të shuhesh

qënka fati i fateve.



Sillma ti lulen që të shpie

tek burimet e transparencave bionde

ku jeta thelbet avullëzon;

sillma lulediellin e çmendur për dritë.



***



Ja shenja; merr jetë

mbi murin që prarohet;

një palmë si e gdhendur

e djegur nga vezullimi verbues

i agimit.

Hapi që vjen

nga serrat, bëhet i papeshë

nuk është i kadifejtë nga bora

është akoma

jeta jote, gjaku yt

në venat e mia.



Imazh
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 64
Antarësuar: 18 Qershor 2009, 15:27
Re: Trokitje ne poezine italiane, Posted 13 Korrik 2009, 07:04
ALDA MERINI

Imazh

Poete italiane e propozuar për çmimin “Nobel”

U lind në Milano, në 21 mars 1931. Ka filluar të botojë qysh në moshën 16 vjeçe nën kujdesin e Angelo Romano dhe Giacinto Spagnoletti. Përmbledhja e parë me poezi “Prezenca e Orfeos”, botuar në 1953 nga Schwarc, ka tërhequr menjëherë vëmendjen e një numri të konsiderueshëm letrarësh. Janë marrë, veç të tjerësh, me veprën e saj edhe Oreste Macri, David Maria Turoldo, Salvatore Quasimodo, Pier Paolo Pasolini, Carlo Betocchi, Maria Corti, Giovanni Raboni. Në vitin 1993 është publikuar vëllimthi “Aforizma” me fotografi të Giuliano Grittini ku i është dhënë gjithashtu çmimi Librex- Guggenheim “Eugenio Montale” për poezi. Emri i saj i është propozuar Akademisë Franceze për çmimin Nobel në poezi. Në 1997 Maria Corti ka botuar një antologji me veprat e Alda Merinit me titull “ Lule poezish” 1951- 1997.

FËMIJËT



Fëmijët, sipas meje, kanë një shpirt në

ndërtim e sipër, jetojnë ndërmjet asaj që është

dlirësisht e ndjeshme dhe asaj që mund

të imagjinohet

duke u nisur nga ç’ka është e ndjeshme.

Shpirti dhe mbi të gjitha çmenduria kapërcejnë matanë

gjërave reale, imagjinojnë një vërtetësi të vërtetë

jo të kopjuar nga rastësia.

Kush ka shpirtin është njëkohësisht i zotëruar

nga dashuria e shpirtit që nuk është narcizëm

po lule poezie, tamam lule poezie,

çast magjik në shkretëtirën e të shkruarit.



SHPIRTI



Shpirti ka strehimin e vet te dashuria si

tempull i një kopracërie tokësore që hyjnitë nuk

mund ta prekin, po shpirti është dhe fjalë,

fjalë të pandërgjegjshme. Është i gabuar identifikimi

i mosndërgjegjies me kohën e shpirtit: është një tjetër

stinë, tjetër ushqim, ushqehemi

me gjëra të huaja në fjalën e fundit, me gjëra që

nuk kanë arsye të jenë, e prap janë, prej

gjërash që vërshëllejnë si gjarprinj, po

që në të kundërt janë ëngjëj ndriçues.



DASHUROMË



Dashuromë, në kujtime merre fjongon antike

dhe rrihmi flokët. Do më shohësh të rritem

e zezë si pylli i Amazonës,

por, po mi shkunde degët, do të shohësh në gjuhën time

zogj shumëngjyrësh, parajsa tokësore.

Mos iu lut Atit atëherë,

sepse begatinë e këngës sime

atij ia kam vjedhur, një ditë që s’e kishte mendjen.



TI NUK DI



Ti nuk di: ka mështekna që natën

shkëputen prej rrënjëve, nuk do të besosh kurrë

që netëve pemët ecin, ose shndërrohen

në ëndrra. Mendo që në një pemë ka një violinë dashurie.

Mendo që një pemë këndon dhe qesh.

Një pemë, nga një e çarëz del

dhe bëhet jetë. Ta kam thënë, poetët nuk kushtëzohen,

lihen të lirë të fluturojnë mes pemëve

si bilbilat të gatshëm edhe për vdekjen.



SHPIRT



Shpirt që ledhatoj në mbrëmje, je si një qen

i lodhur, por një qen gjithmonë besnik. Një qen

që belbëzon një emër: padron, padroni im.

Mos më lër ti shpirti qen, mos më lër kurrë.



KA PIKTORË



Ka piktorë që shkruajnë me rimë

e skicojnë pyje të mëdhenj, brenda të cilëve shkojnë

e jetojnë me dashuritë e tyre. Kënaqen me një

të vetëm mendim, e veshin me rubinë e kujtojnë

se është mbret.

Poetët nuk besojnë te datat, janë të bindur

se historia e tyre fillon tek e tashmja.



FËMIJË



Fëmijë,

po e gjete balonën e fantazisë tënde

lidhe me mënçurinë e zemrës.

Do shohësh të shfaqen kopshte magjikë

e nëna jote do shndërrohet në pemë

e do të të mbulojë me gjethet e saj.

Ktheji duart e tua në dy pëllumba të bardhë

të shpjenë paqen kudo

rregullin e gjërave.

Po para se të mësosh të shkruash

shikohu në pasqyrën e ujit të ndjenjave.



PRONË PRIVATE



Prej kohësh pyes veten

e kujt të jetë kjo pronë

pronë publike dhe private

si një gjarpër

brenda zemrës,

kanë frikë nga hajdutët

dhe hajdutët gjithmonë

kanë sjellë fat,

ndërsa monotonia shtëpiake

nxeh varret.



FRYMËMARRJE JETE GJIRI NËN ERË



Nxitmë ti,

fundi i Zotit është pervers

është ankimi dashurues

krejtësisht pa të puthura.

Shtri gjirin

në diell

violetë e dëshirës tënde

ecje Esperidësh

kënga

qëndron ndërmjet meje dhe gjinjve të mi

ndërmjet meje dhe gojës tënde.



NË NJË ÇAST PUTH



O demon, për një moment

më ço larg, drejt atij



që egërsisht më puth

në kërkim të një të papriture.



E puthur që duron peshën

e shpirtit tim të çastshëm

tek ty bota e diskutimeve të mia

kthehet në tingull dhe frikë.



KTHEHU DASHURI



Kthehu dashuri

velë delikate dhe e lirë

që pushton

mendimin e tokës sime

po vdes mbi madhështinë e një lumi

të kuq prej dëshirës

që do

të përmbytë dashurinë tënde.



KËNGË E TRISHTUAR



Kur mëngjesi s’fle më

tre pëllumba më lindin nga zemra

ndërsa ngjyra e kuqe e mendimit

rrotullohet e njëjtë rreth gjysmëhijes.

Tre pëllumba që shpërndajnë harmoni

e nuk kanë frikë që unë t’i prek…

Lindin në agim, kur duart e mia

janë të ngjyera me gjumë, të pangritura

akoma, të pangritura larë në gjeste kërcënimi.



REZULTAT JOPREÇIZ



Për të kuptuar sekretin

e një zemre të mallkuar,

dihet

nuk duhet një këngë e bukur,

as një këngë funebre

as një këngë haleluja;

gënjeshtra është e dyshimtë,

mike e ngushtë,

ti ndodhesh në një cep

në fund të shtratit tënd.



SANDALET



Ke harruar sandalet e dashur,

sandalet e tua të preferuara,

i gjeti poshtë krevatit tim

pastruesi

duke fshirë në mbrëmje

gjeti sandalet e tua;

hajde merri sandalet e tua e dashur

sandalet prej druri

sandalet prej druri biblik

hidhja në fytyrë Atit

që na ndau nga zemrat.
Imazh
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 64
Antarësuar: 18 Qershor 2009, 15:27
Re: Trokitje ne poezine italiane, Posted 13 Korrik 2009, 11:44
MARIO LUZI

Imazh


U lind në Firence në 1914. Shkollën e mesme dhe studimet universitare i kreu në qytetin e lindjes. I diplomuar në letërsi franceze fillon punë si mësues gjimnazi. Në 1955 bëhet shef i katedrës së letërsisë franceze pranë fakultetit të shkencave politike të universitetit të Firences. Konsiderohet si një ndër themeluesit e rrymës "Hermetizëm" dhe një ndër shkrimtarët kontemporanë më të njohur të panoramës letrare italiane. Boton vëllimin e parë me poezi "Varka" më 1935. Shkrimtari i tij i preferuar është Mallarmé. Ka shkruar gjithashtu dhe disa drama dhe është marrë gjithnjë edhe me përkthime. Ndërroi jetë më 28 shkurt 2005.

NATYRA



Toka me det përqafuar

sipër gjithandej një det me lodronjës

me fluturimthe të shpejta harabelash

dhe rruga

e hënës shplodhëse dhe e gjumit

të trupave të ëmbël të pambyllur ende nga jeta

e nga vdekja në një fushë;

të tërhequr nga zërat zbresin

duke u shpëtuar dyerve misterioze hidhen

mbi ne si zogj të çmendur për kthim

në ishujt e origjinës duke kënduar:

këtu përgatitet

një djep i purpurt dhe një këngë që lëkundke

nuk ka mundur të flinte

aq i fortë ishte guri

aq e dëndur dashuria.



JETËS



Miq na pret një varkë që lëkundet

në përmasën ku qielli harkohet

e cik detin, fluturojnë qënie të çmendura për të

dashuruar

fytyrën e Zotit të ngrohtë e tërë shpresë

sipër poshtë duke kërkuar

dashuri nëpër largësitë e fshehta

dhe qajnë: ne jemi në tokë

po do mundim një ditë të lirohemi

të përkulemi me butësi mbi gjirin hyjnor

si trëndafilat e mureve në rrugët tërë aromë

mbi fëmijën që pa folur i dëshiron.

Miq: nga varka shihet bota

dhe në të një e vërtetë që paraprin

e pafrikshme, një frymëmarrje e thellë

nga derdhjet deri te burimet;

Shënmëria me sy të tejdukshëm

zbret ngadalë drejt të vdekshmëve,

mbledh rènë e jetës, dhimbjet

dëshirat e fshehta prej vitesh mbi fytyrën e

lagësht.

Vajzat te dritarja e errët

me shikimin drejt maleve

nuk kanë durim të presin të ardhmen.

Nëpër dhoma zëri amësor

pa origjinë, pa thellësi kryqëzohet

me qetësinë e tokës, është i bukur

dhe duket se çdo gjë ka lindur nga ai.



MADHËSHTIA E ÇASTIT



Kur nga hije të skajshme ngulet

në të haptat vënde vera

vjedh këngën e bagëtive

dhe kujtesën e barinjve e kudo hesht

shkathtësia e fshehtë e qënieve,

fëmijët në bark përforcojnë

dëshirën e pamposhtur të nënave

e përkul degët e kodrave e fushave

të djegura të qenët progresiv i frutave.

Mbi tokë ndodhin kudo

pa përse, të pafshirshmet

vërtetësira, në atë çast ku fundosin

lehtësisht peshën kurorat e pemëve

anijet përkulen në një anë

dhe ankthi i lundërtarëve në brigje të çuditshme

tingulli i çdo zëri

humbet vetveten pa lindur, në det në erë.



ASGJË NGA Ç’KA NDODH DHE S’KA FYTYRË



Asgjë nga ç’ka ndodh dhe s’ka fytyrë

e asgjë që vetëm rrokulliset, pa gjurmë,

e kapshme vetëm nga mëshira

si ti më është vdekja.

Era tërë vrull lëkundet me mërzi

mbi xhama, shtiret me paraqitje prej ekstaze

dhe një perëndim i bardhë pllakos

në kryqëzime kalldrëmesh të nxehtë.

Nga shiu tek të bardhat kohëhapje

shfaqen në shikimin shumëngjyrësh

blloqe ajri në përmasa festive.

Të shfaqesh dhe të zhdukesh është iluzion.

Eshtë kjo ora jote, ora e atyre mbretërve

sizmik me kolltuk lëvizës,

të pandjeshëm veç nga të ftohtët e vdekjes

që të lënë në gjak papritur.

Banesa e tyre e improvizuar janë xhamat

tentakuloze nëpër serra, ku takohen

aty njihen me një të parë.

E vërtetë dhe gënjeshtare, e kotë të të kërkoj,

të të përndjek matanë kështjellëzës

ndaj piramidave që pasqyrojnë në asfalt,

në zgëqet ku dashuria nuk mund të arrijë

dhe as harresa e vetveteve.



DUKE IU AFRUAR DYZET VJEÇËVE



Mendimi më ndjek në këtë periferi

të errët ku fryn erë rrafshnalte

dhe zhytja e dallëndyshes pret fillin

e hollë të maleve në horizont.

Pas pak bëhen 40 vjet ankthe,

mugëtire, të qeshura spontane, përrenj të vrullshëm

siç është e vrullshme në mars era

që shpërndan dritë dhe shi, gjërat e lëna pas dore,

shkëputja me duart e shtrira nga të dashurit,

nga viset e mia, zakonet e viteve

te shkatërruar papritur e që duhet akoma t’i kuptoj.

Pema e dhimbjes tund degët …

Ngrihen vitet mbi shpatulla

grupe – grupe. Nuk ishte e kotë, është kjo vepra

që kryen secili e të gjithë bashkë

të gjallë e të vdekur, të depërtosh botën

e errët përgjatë rrugësh të kthjellta e tunelesh

të dëndur me takime të shkurtër e humbje

o dashurie në dashuri o në një të vetëm

nga babai te biri deri në tejdukje.

E kështu vazhdoj të marr rrugën

drejt bashkgjallimit të përjetshëm

të gjithçkaje në jetë dhe vdekje,

të zhdukem në pluhur apo në zjarr

po qe se zjarri matanë flakës zgjat akoma.



ZOGJ



Era është zë i ashpër që ndëshkon

në turmën që ndonjëherë gjejmë paqe

dhe folé mbi këto degë të thata.

Rreshtimi merr fluturimin e trishtuar,

mërgon në zemër të maleve, violetë

e gërmuar në violetë pambarim,

minierë e pafund e hapësirës.

Fluturimi është i ngadaltë, çan me vështirësi

në kaltërsinë që hapet pas kaltërsisë,

në kohën matanë kohës; disa

dërgojnë klithma të mprehta që rrëzohen

e asnjë anë nuk i reflekton.

Na ngjajnë impulset e majave

në orën – që nuk mund as të mendohet

as të thuhet – kur mbi petale të padukshme

rreth e qark një pranverë e çuditshme

lulëzon nëpër retë e rralla që era

kullot në një qiell të lagësht a të djegur

dhe fati i ditës është i shumëllojtë

breshëri, shiu, kthjellimi.



NËNËS SIME NGA SHTËPIA E SAJ



Më mirëpret shtëpia jote e vjetër, gri,

i shtrirë me kurriz në një shtrat të ngushtë,

ndoshta i yti për shumë vjet. Dëgjoj,

numëroj orët që rrjedhin ngadalë

më ngadalë për retë që çajnë qiellin

në këto netë gushti tokash koprace.



Dikush që kthehet vonë nga fushat

shkëmben një përshëndetje të lodhur me të njëjtit,

i ngjitet rrëpirës, rrugicës, zhduket

pas portës së haurit. Zagushia

e shirokut rëndon shplodhjet,

vë në ankth të sëmurët e të burgosurit.



Nuk flë, ndjek hapin e somnambulit

qoftë i mangët apo djaloshar

tek zhurmon mbi gurë e zeje;

shkëputem e me ngarkesën time të përulur

zbres, zbres më shumë se ç’është

e thellë në këtë kohë, tek këta njerëz.



KJO LUMTURI



Kjo lumturi e premtuar a e dhënë

më është dhimbje, dhimbje pa shkak

apo shkaku, në ekziston është kjo rrënqethje

që trondit të tërën tek e vetmja

si lëngu i paqetë në sferën

e qelqtë kur interpreton fakiri.

E megjithatë them: shpëtoi edhe sot.

Rrotull rrotull i hapin luftë gjëra

apo pamje ku ulet e ngrihet

o nata o bora

teshat e kujtimit.



VARGJE TETORI



Këtu ku duke jetuar prodhohet hije, fshehtësi

për ne, për të tjerë që po vijnë dhe që tashmë

po e hedh farën pas shpatullave, këtu

jo në vend tjetër duhet bërë dritë.

Shkoi, kanë mbetur vetëm gjurmët,

e moshës mendjemadhe dhe të lehtë

kur pritet që të tjerë,

kushdo qoftë, të rrallojë këto rè.

Ajo që do vijë, do vijë nga kjo penë.

I ulur pranë zjarrit tim të trishtë, pres

deri sa të lindë flaka ime e plotë apo ngjalëzimi

i këtij shartimi të lagur të kësaj flake.



Ti që pret nga jashtë shtëpisë,

nga drita shtëpiake e ditës?

Sot, sot që era

përplaset, vrapon në gjallërinë e maleve

dhe atij paralajmërimi prej vere e të ftohti

mençuria e pleqve bën shkëndija nëpër rrudha?

Ajo që do vijë, do vijë nga kjo penë.

Fat tjetër nuk shpresoj, as

nën këtë qiell të këtij muaji misterioz

ku ngjyra e rrushit përhapet

dhe vjeshta na shtyn me forca të reja

deri në Cessati Spiriti apo Domine quo vadis



NË BREG



Molet e shkretuar kapërcejnë dallgët

edhe ujku i detit bëhet i errët.

Ç’bën? I hedh vaj kandilit,

mbaj gjallë dhomën ku ndodhem

larg teje dhe të dashurve të tu.



Grupi i shpërndarë mblidhet,

numërohen njerëzit pas këtyre stuhive.

Ti ku je vallë? Shpresoj në ndonjë port …

Roja i farit i hipën varkës,

vëzhgon, kontrollon, shtyhet drejt thellësisë.

Moti dhe deti bëjnë pushime të tilla.



GJYQTARI



"Kujton se jotja është dashuri e vërtetë?

Kontrollo thellë të kaluarën tënde" insiston ai

duke hedhur në brendësi

shikimin e tij prej plaku ndërmjet ironikut dhe të çuditshmit.

Pret. Ndërsa unë shikoj larg

e tjetër nuk më vjen në mend

veç detit vaj poshtë fluturimit të një pulëbardhe

i grisur pakëz nga shkëmbinjtë e ishullit,

ku një tokë lakuriqe i bën hije vetes

me gungat e saj apo një tjetër e përgatitur për mbjellje

bën hije me plisat dhe me të paktët kërcenj.

"Po mund të kem bërë shumë mëkate "



përgjigjem në fund duke u mbështetur te diçka,

qoftë edhe te fajet e mia, në atë dritë prej kënete.

"Të qash, të qash duhet për dashurinë tënde të keqkuptuar"

vazhdon zëri më një fërshëllimë

breshëri mbi atë shkretëtirë duke i kaluar lart.

E dëgjoj dhe as që e pyes veten

pse të jetë ai dhe jo unë matanë kësaj banke

me detyrën për të gjykuar të këqijat e botës.

"Ka mundësi" kundërshtoj ndërsa mendoj diçka tjetër,

ndërsa rruga ndriçohet copa - copa

e këtu në klub dita akoma e plotë

reflektohet në bebëzat e një vajze që heq përparsen

për orët e pushimit e një burrë që i merr turnin

vesh një futë të bardhë e vjen

drejt nesh me dy gota plot,

të freskëta, per t’i vënë një andej një këtej mbi tavolinën tonë.



PO KU



“Nuk është më këtu ” nguc një zë papritur

“zemra e qytetit tënd ” dhe humbet

në labirintin gati të errët

po të mos ishte për një dritë

shindjellëse pranvere në bar

e dukshme mbi çatitë e larta.

Unë nuk di të përgjigjem dhe vështroj

bletët e këtij kopshti antik,

argjendarët e ëngjëjve, mobilieve,

metalpunueset dhe ebanistët

që mbyllin një nga një qepenat e vjetër

e shpërndahen pak të kënaqur e pak të trembur nëpër

rrugicat rrotull.



“Nuk është më këtu, po ku?” pyes veten

ndërsa e rastësishmja dhe e nevojshmja

gënjejnë syrin e mëndjes

mendoj veten shokët e mi, mbetjen

e diskutimeve me ata shpirtra të palumtur

të një jete që kombinonte pak, ne të humburit

e mizërive të mendimeve të tyre në kërkim të një poli.

Dikush tërhiqet, dikush reziston me besën e tij të

shtrënguar fort.



JETË BESNIKE E JETES



Qyteti të dielën

vonë

kur është qetësi

por një radio ankohet

nga lartësitë e saj te verbëta

nga thellësitë e saj të brendshme

dhe për kë po shkon drejt të çarës së një rruge

të prerë keq në mes të shkëmbinjve

dhe që arrin ëmbël deri te vuajtja njerëzore

e fshehur në puceta dhe në katet gjysëmpërdhesë,

armëpushim po, e megjithatë

dikush, me ballin mbi asfalt, vdes

në mes të pak njerëzve të çuditur

që ndalen dhe rrethojnë të dëmtuarin

dhe ne ndodhemi këtu o se është e shkruar ose për

rastësi bashkë

ti dhe unë, mikja ime e njohur s’ka pak

në këtë sferë të luajtur mendsh

poshtë shpatës me dy tehe

të gjykimit apo të faljes,

jetë besnike e jetës

gjithçka që po rritet më pas

ku po shkon, pyes veten

zbret apo ngjitet duke u hedhur drejt zanafillës …

edhe pse s'ka rëndësi, edhe pse është jeta jonë dhe mjaft.



***



Në ç’faqe të historisë, në ç’pafundësi të vuajtjes

pyes veten ashpërsisht, pyes

për atë të tijën “edhe pak

dhe do më shikoni prap “e thënë epike, e thënë tmerrësisht

e ai ndoshta është atje, i palëvizur në nyjen e kohrave,

atje me ushtrinë e tij të të varfërve

i ngujuar në arroganten fushë

nën uniforma të ndryshme: një është e pallogaritshme

si numri i qelizave. I qelizave dhe i dallëndysheve.



***



Lumi i ndalur nën lëkurën e tij të shndritshme

i tkurrur kundër erës, një e fundit

kokëfortësi e lumit pak para hidhërimeve

ja si më lë heshtja jote

në brendësinë e vazhdueshme të atij kujtimi

të një pushimi të kohrave të shkuara, e në të

shndrin qyteti i shkatërruar nën ujë,

digjet nga lumturia mendja, gati munden

një çast, vetëm një

ndodhi dhe jondodhi të shkrihen në njëra tjetrën,

deri sa solemnisht të mos ketë veç,

këtë zjarr, këtë ujë, këta elementë.
Imazh
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 4 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 25 Shtator 2021, 11:57
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari