Letra dhe lapsi nje misherim i vargut ku letrari le gjurme ne historine dhe legjenden e nje kombi.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
DISA POEZI TE AT GJERGJ FISHTES
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4552
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
DISA POEZI TE AT GJERGJ FISHTES, Posted 28 Korrik 2009, 00:02
GJUHA SHQIPE

Porsi kanga e zogut t’verës,
Që vallzon në blerim t’prillit,
Porsi i ambli fllad i erës,
Që lmon gjijtë e drandofillit,

Porsi vala e bregut detit,
Porsi gjama e rrfesë zhgjetare,
Porsi ushtima e një tërmeti,
Njashtu asht gjuha jonë shqiptare.


SHQIPNIA E LIRË

Po, por nesër, me ndihmë t’Zotit,
Do ta bajmë prap Shqipni t’lirë
Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,
Prej Tivari në Manastir,
Edhe Flamuri Shqipnisë
Si flakë mnijet e Perëndisë
Do t’valvitet në Kaçanik.


HIMNI I FLAMURIT KOMBËTAR

Porsi fleta e Ejllit të Zotit
Po rreh Flamuri i Shqipnisë
E thrret t’bijtë e Kastriotit
Me u mbledhë tòk ndër çetë t’ushtrisë.

Bini Toskë, ju bini Gegë,
Si dy rrfé, që shkojnë tue djegë!
A ngadhnjyes a t’gjithë Dëshmorë,
Trima mbrendë! Me dorë, me dorë!....


NJË GJAMË DESPRIMI

Me parzmet tona n’ata t’hershmit mota,
Mburojë iu bamë Evropës, pa dijtë shka asht tuta
Atbotë kur pallën Skanderbeg Kastriota
Sillte si rrfeja, e përmbi shtroje te buta
Dridhej një Sulltan, që aso here

Bante m’u dridhë botën mbarë prej mnere.
Po, na tue dredhun si dragoj çelikun,
Shtegun me kurma shqiptarësh ia zumë
Tartarit, e prej Evrope larg rrezikun
Për disa kohë e mbajtëm, e poshtnuem,
Por kurrë Evropa në ndihmë një ushtar s’na nisi,
Kurr punët mbas fjalëve që na dha s’ujdisi.
........
E mallkue kjoftë Evropa! Atë e vraftë Zoti,
E shoftë me fise, popuj e qytete
Edhe premtoftë që dersa t’endet moti,
Kurrë lufta mos iu daftë për tokë e dete.
Selitë e saj grimë me grimë u thejshin,
Me gjak t’popujve t’vet sunduest iu ushqejshin!

Pse krahët pa dhimbë Shqipnisë me ia thye
E prej Lirie me ia ndalun hovin?
Gopsia e kujt n’Malsi ka mujtë m’ushqye?
Po a Hoti e Gruda mund ta mbajnë Moskovin?
Nuk duhet jo, që të mëkambet Shqiptaria,
Qé pse po i lshohet Malit t’Zi Malsia.

........

ATDHEU

Në ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshëm kndon,
N’ty mendoj kur soset dita
Terri botën kur e mblon.
Veçse ty të shoh në andërr,
Veçse ty, t’kam n’mendim,
Ndër t’vështira ti m’je qandër,
Për ty i lehtë m’vjen çdo ndëshkim.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4552
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
DISA POEZI TE AT GJERGJ FISHTES, Posted 16 Dhjetor 2009, 19:43
Nje cikel nga libri “Jam Pater Fishta që thotë uratë me gishta” me autor Kujtim Dashi.

Te fala Zefi
Punët si nji herë, nji herë e…“Rroftë Shqipnia!”

Zyrtarve që u ka ardhë ndonjëherë era huder, mos me ja u
lanë tepër thonin me u rritë.
Zyrtar i pabesë.- Na shkruajnë prej Mirditet, se një Mydirri t’atjeshëm i ishin kenë rritë thojt pak per s’tepërmi, si me thanë se ka dalë hajn; per t’cilën punë Qeveria ja ngjiti thojt edhe e burgosi, megjithë do Muftarë të një katundi t’Mirditës, per arsye që ai kishte vjedhë e kta i kishin mbajtë thesin. Tujë kenë që ky lajm nuk na vjen zyrtarisht, kështu, për sot, nuk po ja zamë emnin ktyne batakçinjëve. Veç çka se s’mundena me ndejë pa e kja me lot ket rrezik, që aty ktu, po i ndodhë popullit Shqyptar, me kësi zyrtarësh t’pandershëm e batakçinjë. Njani nder shkaqe ma t’forta, neper te cilat rrenohet shtëpia e robit, asht, pa dyshim, hajnia mbrenda. Si t’rrin gjindja e shtëpisë tujë vjedhë shtëpinë e vet, asht e ditun, se ajo shtëpi shkon dam e bahet mos me pasë çka me i hanger mini mbas darket. Kshtu edhe kur kësi zyrtarësh batakçinjë, që janë amanetqarët e Qeverisë, vjedhin popullin a Qeverinë, asht e ditun se Shqypnia rrenohet e shkon si asht ma zi. Prandej asht mirë që zyrtarëve, të cilëve t’u ketë ardhë ndonjë here era huder, mos me ja u lanë tepër thonin me u rritë.
Amerikanët janë kahë na i marrin pleshtat.
Këndojmë nder fletore se një miliarder amerikan, i quajtur Valter Rothshild, ka fillue me mbledhë pleshtat e botës. Ka nisë me ba, një koleksion pleshtash; deri sot burri i botës ka mbërritë me mbledhë tok rrash tri mijë krenë, duke i pague edhe shtrejtë fort. Vetëm për një plesht, që është në trajtë të lunderzes, ka pague kurrgja ma pak se 15.000 frank. Per tre pleshta të tjerë, që ja solli një fatbardhë kanadez prej Polit të Veriut, lau 3000 frank në kambë e në dorë. E pra, në Shqypni e nder diplomatë të Europës…kishte me i gjetë edhe pa pare.- Me pague 15.000 frank per një plesht sot, që shekulli mbarë asht tujë u rreshkë prej ujet2, një punë kjo që shpjegon ma së mirit, se çka asht v l l a z n i a në kulturë të sotshme!
__________________
1)Shalë, Shosh-fshtra në Dukagjin të Shkodrës.
2)uje-urie.
Ku hàn e së t’apin e ku flet e së të ndigjojnë nuk ke se ç’bân
-Në treg të malcis-
Malcori.- Po kjo Tirana ku do të jetë?
Gjytetasi.- Po as kaqe e gjâ nuk e din se Tirana âsht kryegjyteti i Shqypnis?
M.- Hek! Masi kryet Shqypnija e paska në Tiranë, po bishtin ku do t’a ketë?
Gj.- Jo more Sokol, mos e kujto punën kështu, pse Shqypnija së ka as krye as bisht, por deshta me thanë se atje në dhè të kuq rrinë të parët e paret e Shqypnis.
M.- Hak e pernjimend, më kanë thanë se atje janë napulanat e kuq si bari në bashtinë, po na kah pernjimend jemë në dhè të zi, qyshë se po kemi zi parje e zi buke.
Gj.- Po a s’e din ti, se Shqypnija, si flamuri i sajë âsht kuq e zi?
M.- P’a ndigjoma i’fjalë: kur të shkojsh në Tiranë m’i lë të falë me shndet të parit të Shqypnis, se…i Shqypni t’eger e të zezë nuk ka ç’e bân.
Gj.- Drue se së kam me muejtë more Sokol, pse ku hàn e së t’apin e ku flet e së të ndigjojnë nuk ke se ç’bân.

“Pse per pa e muejtë e keqja, Shqyptari nuk ban
gjurmë kahë e mira.”
-Në log të kuvendit-
B a j r a k t a r i.- merr fjalën- e tuej e shkundë mbi gur kamishin e duhanit, zen e thotë: Pra me giasë se nuk do të mund i gjindet kurrkund rrfana ksajë Shqypni! Mana por moti i mirë shifet në nadje, e m’a thotë mendja, se nuk do të mund të shkojmë fort giatë më si ja kemë nisë: qep nji pllamë e shkep nji pash.
- Gjofti rrfeja, po ç’je kahë thue, ja pret M i c a n i, pa’j duhet me kenë Shqypnija e ngatrrueme si flokët e dreqit, per me vojtë puna si ç’thue ti Bajraktar. Sod per sod kush ka pare ka çajre, e po t’i kite Shqypnia paret e krajlave, s’pat me hanger pula gur nder ne, por pat me hanger qeni pogaçë, si motit, pse si i thonë nji kajgës:në të pvetët kush se si asht jeta, Shqypni e kom po ish kuleta.
- L u l a s h i.- Mana por kurrkund s’ja ke gjuejtë lum Micani, se qe besa e burrave parja s’ba pare në Shqypni tonë, pse duhet me pasë ma shum mend se dhen, e parja pa zot, asht si shiu që bjen kot, e derë të thohet per Shqypni, se shpija u dogj, por lum kush mund të zehet, s’na prodhojmë as paret as visaret e të tanë krajlave të gjitha tok me i pasë.
- Lumti goja, or Lulash – ja kthen me nji herë G j e l o s h i – Ku s’e njef qeni të zonë punët nuk kan si shkojnë marë, e per me ja gjetë fijen lamshit, kish me dash me fillue per së marit, tuej vu dorë e tuej hjekë e ndrrue: e zyrtarë, e të parë e shkollarë a si po u thonë të gjith atyne, të cillët nuk po lanë Shqypnin me çue kryet as me marrë frymë.-
- Shitofti zana se nuk je kurrkund kahë ja giet, ja pret S o k o l i, se mana vendi nuk mahet pa kren, me sa shpija pa tren, edhe po u terrnuekan të gjith ashtu si thotë Lulashi, por hik prej shiut e del në breshen, se kish me pasë kush me i gia e kish me u gjetë kush me i sha.
M i c a n i, A di si?
S o k o l i: He…
M i c a n i: Si kish me dalë puna me pasë per t’u çue fjalë krajlave? Se me dashtë ata…puna kish me u ndreqë në kamë e në dorë.
- L u l a s h i, Kurrkund nuk je më ta, lum Micani, se per pa ju ligë ora Shqypnis nuk ka si bahet ata ç’mendon ti. Krajlave me giasë iu asht lidhë Shqypnija, e diku prej inadit, diku prej prej droje të shoshojt, ham dr…ç’paça, as janë ata qi e çarsin as ata qi e ndreqin Shqypnin. A jemë kund na vetë, se per krajla?...Kemë vojtë prallë, e kemë dalë fisit e bajrakut.
B a j r a k t a r i tuej dhanë marrim kuvendit: Mana por lumti goja, or Lulash, se kuvendi e urtia po të shkote per gjak e per piri, edhe ‘asha at Sh’Marrabee, Shqypnin ja do t’a ndreqin Shqyptarët, ja s’ka kush ven dorë në të. Por per me zanë mend Shqyptarët lypet bash do kohë e duhet edhe mjaft do mund, pse per pa e muejtë e keqja, Shqyptari nuk ban gjurmë kahë e mira.
________
kamish (turq.)-çibuk i gjatë

Shka len prej micet gjuen mi
Babë, sa punë lypen per me kenë shqyptar i vërtetë?
- Nuk lypen punë por fjalë.
- Po, fjaltë i merr era, more Babë, e Shqypnija nuk asht veç nji fjalë per t’u folë.
- Mirë e ke, se Shqypnija nuk asht fjalë, por asht pare, e per me fitue pare, e per me fitue pare me spol, lypen pak punë e shum fjalë.
- E po çfarë fjalësh? A fjalë shqype a të hueja?
- Shqypen mjafton me e perçapë, të huejat duhen me i dijtë.
- Pra shqyptar i vërtetë dashka me thanë me diejtë Italisht, Slavisht, Greqisht e Turqisht.
- Mos harro: edhe me kenë i zoti me e përçapë shqypen.
- E si perçapet giuha shqype?
- Shqym njashtu si ja ban kuer të soset djathi e të metë buka that, perçape fort per me të ndi e me të dhanë nana tjeter, perçape perdhuni pse nuk t’a ka ande buken por i lakmon djathit.
- Pra msuesi na thot ndryshe në shkollë, se nierin e ban kena e jo duka, e se nuk mjafton me shitë atdhetarizem me fjalë, por duhet me punue per Shqypni.
- Aj asht ne e Lekës he krahthatë! Po s’punove per vedi, ke metë në zall ti me gjith Shqypni. Shka u qiti Shqypnija atyne qi u borne mas sajë?
- Pra lum baba masi nuk i dashka zanë besë msuesit, kot se më çon në shkollë.
- He…ti je i vogel more bir e nuk din ma giatë. Msuesit merri fjalët, por me punue, puno si të thotë Apa:
Un per vedi e të gjithë per mue
Dy në dorë e tri në thue.
- Besa more Babë, fjalët tua nuk dij me i marrë vesht e ata të msuesit më vinë të kollajta. Por kuer të rritem tash mendoj me mend të mija.
Kur s’ke ç’me ba, luej derën
Puntori.- Shka don me thanë qi kurr s’mund e mora vesht punën e ksaj dreq Shqypnijet! Kur më përmendë kush Amerikën e di se asht vendi i pareve, Inglizin e mbaj për njeri diplomat e politiket, po foli kush per Alleman (Gjerman), me ve’ me nji herë mendja te puna e te dieja, e kshtu per ç’do nahije diç m’epet me thanë e me mendue, por Shqypnia, per mua asht si prralla e Gjo Mar’Shkallës.
Zyrtari.- Shko mor budall; ti s’din me i dhanë gomarit ujë, jo ma po don me i kuptue se shka asht Shqypnia. Shuej aty, se besa po gjenë shka lypë.
P.-Po, more Zotni, ani se un s’po dijkam gja, por un kam ndi tuej e ba ket ankim edhe disa qi per kahë dieja s’preken me pupël. Hajde se po e lam ket punë, por ne mos tjeter a din me më kallzue a ka kund Shqypni?
Z.- Ty me gjasë, mas hallit, të paska lanë edhe mendja; po si pvetë a ka Shqypni, mas topave qi janë shprazë e mas ligjeratave qi janë majtë me 28 Nanduer! Balonat kan ardhë, ingjinerat kan fillue m’u perda, parlamenti vijon çashtjet gjithnji e per shpejti do të kemë edhe asamblen komtare. Mandej a s’i ke ndië ti urdhnat e çpallun e plakatat e vume, a s’ke pague kurrnjiherë, vergi, iktibari, e shka di un tjeter ma. Të gjitha kto janë per Shqypni e ti vjen e me pvetë a ka Shqypni!
P.- Besa nji Zot por e din se shka do të hjekim per pagesa, por thaçë se po kallzon se ku shkon gjithky mund qi bahet e gjith kjo pare qi derdhet. Z.-Mos e tierr ma gjatë lum djali, se ke prekë nder tela. Shqypnija per me u majtë ka nevojë për zyrtarë, zyrtarët do të paguhen prej popullit, e se si ja ban mandej populli për me pague aty din vetë. Por paguej e mos druej.
P.- Pra masi kënka puna kshtu, më ve’ mendja me u ba ma shqyptar tuej gjetë ndo’j zyre.
Z.- Rri more krah thatë, rri në zanatë qi të la yt atë. E po ti zot e un zot, gomarin kush e kullotë?
P.- E po, njimend se ma i madh hatri se topuzi, por besa kur s’ke ç’me ba, luej deren.
Letersija nuk asht per dhambë të gjithkuejë
Nji qylahxhi, para se me çilë dugajë m’vedi per qylahxhi, duhet qi per do vjet të ketë ndejë shegert me ndonji qylahxhi; pse ndryshe bota s’e njef per qylahxhi. Por edhe per me kenë kallajxhi, duhet me pasë ndejë vjet e vjet shegert me ndonjë kallajxhi e me pasë nxanë se si bahen e si kallajtisen sinijat, tepsijat, kusijat, legenat, jibrikët, fulteret etj.; pse per ndryshe nieri s’kishte me u njoftë per kallajxhi. E kshtu të thuesh per likuraxhi, shkarpaxhi, samarxhi, bosaxhi etj. Due me thanë se, per ç’do zanat qi do me kapë nieri, duhet nji farë pregatitje gjithkund, por edhe në Shqypni. Vetem asht nji zanat qi në Shqypni s’lypë kurrfarë pregatitje: letersija! Jo, po; nja 90%në Shqypni mendojnë se, per me kenë letrar, s’lypet tjeter veç karta, penda, mereqepi, ngaeja, e mos me pritue nji ç’do kryematare me shtrue at kartë m’tryez, me perla at pendë në dorë, me u zhytë ne mereqep, e mbasandej me te bje kryq e terthuer kartave, shkarravitë kund 70-80 faqe tanë fjalë bihude e në nji shqype të garavaxhzueme, e atëherë botoj, e shkruesi ngrifu per “auktor”, brejë hekur m’Ministrin e Arsimit, po s’i dha ndonjifarë shperblimit 50-100 napolonash-pak me thanë-per at paçaver! Tash kshtu puna s’hecë-e as s’do të hecë; pse pernjimend po bahemi gazi i dheut. Per me u mbushë mendjen nji palë shqyptarëve, pra, se per kenë leterat nuk asht mjaft të keshë nxanë me kendue e me shkrue, tash e ma vonë due me u pru në HD disa piksime estetike mbi zejen e fjalës a se së thanmes, prej së cillave ka me u pa, se letersija nuk asht per dhambë të gjithkuejë.
“M’kallxo se ç’libra kndon, e t’kallxoj se kush je.”
“M’kallxo me ke shkon, e t’kallxoj kush je”, ka thanë i moçmi; pse shoqi me fjalë e me kshille t’veta kadalë e kadalë t’a ndrron mendjen e t’ban per vedi. Prandej me gjith arsye mundem me thanë: m’kallxo se ç’libra kndon, e t’kallxoj se kush je; pse edhe libri, si shoqi, tue t’folë e tue t’kshillue me shkrola t’veta, kadalë e kadalë t’a mbushë mendjen e t’ban per vedi. Sikur nieri, pra, para se me lidhë miqsi me nji shoq, do t’a njofë se ç’nieri asht; kshtu para se t’vehet me kndue nji liber, do t’a dijë se ç’faret asht libri, a i mirë a i keq, per mos me u vue n’rrezik qi me kenë rrejtë e mahitë prej s’i…E pra sejcilli shqyptar, (sidomos sod), kish te me dashtë me kenë i dijshëm. Por asht halli, qi s’del kush i dijshëm, po nuk u mundue me xanë; pse si thonë Anzat e Parnasit: “S’a ba i dijshëm kush pa hiri,/Ndejë peshtetë e tuj njefë miza.
Si shpëtoi “kapitali” i dijetarit
Editorialin e “Posta e Shqypniës”, të datës 13 tetor 1917, me titull “Shqypnia e kultura”, Gjergj Fishta e nis me ngjarjen e mëposhtme:
“Kallxohet se motit kishte pasë kenë mbytë një barkë në det e, se nder ata njerëz-e shumta tregtarë-që i kishin pasë shpëtue rrezikut, por që gjaja u paska pasë kenë mbytë krejt në det, paska pasë qëllue edhe një dijetar. Mbasi u pat kalue droja e rrezikut të jetës, tregtarët ja nisën me qa me lot për gjanë që u kishte humbur, pse tujë pasë mbet gisht, kurrkund s’ja shihnin gjasen vedit, se si kishin me mujtë me jetue mbi shekull; vetëm dijetari nuk bante as ankim as vaj. Si mundesh me ndejtë pa qa, i thanka njani asi tregtarësh, mbasi edhe ty t’asht mbytun në det çka pate? Nuk qaj, i përgjigjet dijetari, pse unë kapitalin tim, që asht dija, e kam shëndosh e as më mbytet në det, as më humb m’tokë. Edhe njimend s’rrejti me atë fjalë; pse, në të parin qytet që u ndal, çeli një shkollë, neper të cilën mandej jetoj zotnia nja per nja si përpara.
Por s’di si ishte da ky dijetar me gjithë dije të vet, po ta kishte qitë ora me u kapë s’parit mbas atij rreziku m’breg të Shqypniës. Kujtoj se kishte vdekë ujet, a se mos tjetër, i ishte dashtë me dalë e me lypë derë për derë, si ata të tjerët shokë të tij tregtarë; pse shkollat, si motit, si deri të gjithë ditën e sotshme, s’janë mbajtë për gja nder ne”.
“Jevgëve ose gabelëve edhe me ua falë shpinë, s’ta marin…”
“…E kush asht ma i lirë se jevgët ose gabelët? As çajnë kryet për mbretën e ministra, për taksa e të dhjeta, për pasaporta e lejekalimi, edhe lirinë e vet sot s’e ndërrojnë për çdo gjëje tjetër jete sado të gëzueshme, por qi t’ua pengojë këtë liri…jevkët e gabelët nuk janë gjaksë: s’vrasin kënd për inate, as mbas shpine për para, as me pushtue tokët e robtë e ships së huej…E vërtetë se kta vjedhin, por shka? Ndo i zog pule, ndo i këmishë n’gardh-gja për me veshë a për mu u ushqye; se ktyne edhe me ua falë shpinë, s’ta marin…”
Punët si nji herë, nji herë e…“Rroftë Shqipnia!”
Shkodër.-Në Shkodër punët si një herë, një herë: rrena, pluhun a baltë, kuaj e katana, muzika, peca1 e…”Rroftë Shqipnia!” sa të duesh; por punë, pa të cilat s’ka si rron Shqipnia, pak e aspak. Gjindja janë ndejë hijeve pa punë, tue pritë me gojë hapët, si zogj pëllumbash, pale se çka po u bje nana-vida Europë; por…për një herë…prit Zot, veç mizat; pse, (me ç’andrra po shihen), vonë e vonë, u shqyen gurmazësh, tue folë për Shqipni e tue punue për vete, por ç’dobi! Për Shqipni s’po ka punë e për atdhetarë s’po ka pare. Pazari i Shkodrës asht ba tamam Club me pi kafe e me ça llafe…politike. Oh po! Për politikë mos pyet! Këtu politikë sa të duesh. Pa pasë nxanë gja politike, çdo kopuk do me dalë Bismark: pa iapasë ndie emnin strategjisë, çdo kulifickan2 i keq, ba prej lëngatës mos me u gjetë qen që me hangër, flet, more djalë, për punë lufte si me qenë një Velington, një Napoleon, një Moltke, Togetof a Togo , shi me ta ba kryet për voe3. Por, ele4, me të qitë rreziku me nejë më ndonjë asish, që ka pa andërr se asht i dijshëm, prej se, kur pati qenë në shkollë, ka pasë shqye ndonjë kartel5 a thye ndonjë tabelë, atëherë, po, se nuk i di maje vetes, kaq dijen e filozofinë e politikën e madhe që pështyn prej goje. Ta ndan shekullin fele-fele6, si me qenë tue nda një shalqi Stajke7, i ngatërron e i shkatërron krajlat shok me shok, me të vojtë mendja se atëherë po kërset lufta e po bahet nami; por, kur fundi, veç n’i kristë zorra në bark atij prej së thati, se kurrkush s’lot vendi.
E tue qenë që këtu rregullohet politika, jo mbas interesash të vendit, por mbas leverdisë së secilit, çdo punë që ndodh, kaq dredhet e shpërdridhet, e shtohet e vogëlohet e zbukurohet, sa mos me mujtë ma me ditë se çka asht rrenë, se çka asht e vërtetë. Prandaj kësaj here s’po vëmë lajme Shkodre; pse druem se vihemi në rrezik me thanë ndonjë rrenë: çka kishte me qenë kundër amtyrës8 së së përkohshmes sonë.
___________
1)peca-lecka
2)kulifickan-tuberkuloz
3)me ta ba kryet për voe-për ta bërë kokën dhallë.(voe-vezë)
4)ele-sikur
5)prejse-nga që.
6)kartel-fletore.
7)fele-fele-thela-thela.
8)Stajka-fshat i Shkodrës.
9)Amtyrës-natyrës.
* * *
Përmbajtja
1.-Amerikanët janë kahë na i marrin pleshtat.
2.-Zyrtarve që u ka ardhë ndonjëherë era huder, mos me ja u lanë tepër thonin me u rritë.
3.-Ku hàn e së t’apin e ku flet e së të ndigjojnë nuk ke se ç’bân -Në treg të malcis-
4.- “Pse per pa e muejtë e keqja, Shqyptari nuk ban gjurmë kahë e mira.”-Në log të kuvendit-
5.-Shka len prej micet gjuen mi
6.-Kur s’ke ç’me ba, luej derën
7.-Letersija nuk asht per dhambë të gjithkuejë 8.-“M’kallxo se ç’libra kndon, e t’kallxoj se kush je.” 9.-Si shpëtoi “kapitali” i dijetarit
10.-“Jevgëve ose gabelëve edhe me ua falë shpinë, s’ta marin…”
11.-Punët si nji herë, nji here e…“Rroftë Shqipnia!”
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 2 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 02 Dhjetor 2020, 12:04
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari