Letra dhe lapsi nje misherim i vargut ku letrari le gjurme ne historine dhe legjenden e nje kombi.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 5 postime · Faqe 1 prej 1
ALI PODRIMJA - SHKRIMTARI I MADH I SHQIPNIS
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4553
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
ALI PODRIMJA - SHKRIMTARI I MADH I SHQIPNIS, Posted 29 Maj 2009, 16:58
ALI PODRIMJA

Imazh

Ali Podrimja lindi më 1942 në Gjakovë, Kosovë, ku pati një fëmijëri të vështirë.Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë kombëtare. Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie.

Biografia

Ali Podrimja lindi e u rrit në Gjakovë. Studjoi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jeton aktualisht. Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën "Jeta e Re". Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më drámatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit:

Qaj rrafshi im i dashur, qaj! (fjala është për rrafshin e Dukagjinit,)
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
E vatrat shkimbur deri më një...

Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik ,Hija e tokës", të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist. Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.
Në vitet '80 e '90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999).
Kur për një poet themi se nuk është konvencional, pra është modern, këtë duhet ta kuptojmë kështu: Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai vendos parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Synimi i poetit për t'u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t'i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë. Me rëndësi është të kuptohet, nëse këto parime poetike të Ali Podrimjes, janë parime të një brezi dhe të një kohe dhe duhet të njihen si përvojë. Pa to nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik nëpër kohë, sidomos për krijuesit e rinj, poetët e mëdhenj janë shkollë, nga e cila mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat do të nisin ata të krijojnë parimet e tyre poetike. Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.
Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare Jeta e Re kur ishte në gjimnaz.
Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi.
Poezija e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura.

Tituj të veprave

Hija e tokës, 1971 [1]
Thirrje, 1961 [1]
Shamijat e përshëndetjeve, 1963
Dhimbë e bukur, 1967) [1]
Sampo, 1969 [1]
Torzo, 1971 [1]
Folja - 1973 [1]
Credo - 1976 [1]
Lum lumi, 1982
Buzëqeshje në kafaz
Harakiri, 1999
Burimi i të dhënave
^ a b c d e f g Gjovalin Shkurtaj dhe Enver Hysa : Gjuha Shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut
Marrë nga "http://sq.wikipedia.org/wiki/Ali_Podrimja
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4553
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Ali Podrimja
Fishta - ndërgjegjja e kombit


Në moshën katërmbëdhjetë vjeçare shfletova për herë të parë “Lahutën e Malcis”. Im atë nuk e di ku e kishte gjetur, në cilin kënd të antikuariatit të gjërave të çmuara, siç e quanim qytetin, aty nën Çabrat, ku dhuna serbe bënte çmos të zhbinte çdo vlerë tonën shpirtërore që mbante gjallë kujtesën.

Mbi tavolinë, aty në kënd të dhomës, ku qëndronte deri vonë llamba e ndezur, im atë e kishte vënë librin e anatemuar dhe kishte pëshpëritur: “Dy ditë ke afat ta lexosh”. Kisha pastruar tavolinën dhe kisha zënë ta shfletoja. Më bëhej se gëlltitja çdo gërmë, varg e këngë. Përballesha me poetin, për të cilin kisha dëgjuar shumë çka, sidomos për dinjitetin e guximin e tij prej krijuesi. Nga faqja e parë hyra në botën e imazhit të tij, ku lexoja dhembje njerëzore, që për dikë konsiderohej e rrezikshme. Po ç’ishte ajo: dhimbje për popullin e bërë pikë e pesë dhe vendin e kërcënuar nga fqinjët.

Ditën e tretë im atë ishte ndalur para dritareve me shikim kah Pashtriku, për të cilin thoshte se atje rrinë perënditë tona dhe kisha hetuar si i lëviznin buzët. Fishta qenka më i lartë se mali ynë, Baba, i kisha thënë. I buzëqeshur ai e kishte mbështjellë librin dhe ishte bërë frymë në natën e frikshme. Nuk e dija në cilin kënd të antikuariatit do ta vendoste. Pas një kohe im atë iu bashkua të tejmve në breg të Erenikut. Unë vështirë i bija në gjurmë Fishtës, të cilin fillova ta konsideroj fuqi hyjnore dhe të pajtohesha me atë që dëgjoja: Ai është ndërgjegjja e Kombit.

2.
Disa vjet më vonë, piramida e Shtetit ideologjik Shqiptar ishte bërë bezdisëse me retorikën e mugët. Të pranohej se ishte antikombëtar Fishta, i cili vendin e popullin i kishte ngritur në mit?! Mund të kapërcehej “Lahuta e Malcis” dhe të pajtoheshe me etiketat e kuzhinës së diktaturës? Në vitin 1940 morën pjesë në varrimin e tij nga të gjitha trevat shqiptare. Në krye ishte dhe kremi i letrave shqipe. Ata që kishin ardhur për ta përcjellë në udhëtimin e tij të fundit e dinin se kush kishte qenë Fishta, por gogolët e diktaturës nuk mund ta pranonin madhështinë e tij. Qëndrimi i tyre fyente dhe rrugëtimin historik të popullit. Akuzat ndaj veprës dhe personalitetit të Fishtës ishin absurde. Nuk kishin asgjë nga kodi ynë etik. Ishin pjellë e logjikës sllavo-otomane, e cila bënte çmos t’i shembte majat e kombit.

3.
Komunikimi me opusin letrar të Fishtës është i rëndë, pakëz i trishtë, por krenar. Shpalos ngjarje të mëdha, të kohës së artë të shqiptarizmit, kur atdheu ishte mbi çdo gjë. Kujtojini heronjtë nga Lidhja e Prizrenit (1878), u ngjanin atyre të kohëve mitike. Ishin tubuar të mbronin çdo pëllëmbë të vendit, i cili po e humbiste gjeografinë historike. Fishta nuk mund të çonte dorë, se Lidhjen e Prizrenit e konsideronte ngjarje kombi. Si ta kapërdinte këtë Piramida ideologjike kur veten e mendonte të paprekshme, ndërsa propaganda e fqinjëve kryente punët e veta. Shqiptarët besonin se do të prajnë krrokamat e gëlltitësve, po qe se Fishtën dhe bashkëmendimtarët e tij i rrokullisnin nga Panteoni shqiptar. Kujtesa është e çuditshme. Vështirë harrohet morbiditeti. Pas të ashtuquajturës LNÇ, brenda qenies sonë ndodhi gjenocid nacional. Mbetet i paharrueshëm pendimi i Mehmet Shehut para të birit: “Kishin ndodhur ekzekutime masive në Shqipërinë e Veriut” (Bashkim Shehu, “Vjeshta e ankthit”). Dhe shtrohet pyetja: Përse në Veri dhe pse ajkën e intelektualëve dhe kreun e Kishës Katolike Shqiptare? Sipas të gjitha gjasave, kasta politike po luante ndonjë karagjozllëk për ndonjë të huaj. Ky është ai turpi nacional, nga i cili duhet të lirohemi.

4.
Për potencën krijuese të Fishtës dëshmojnë poezitë lirike dhe ato satirike, vlera të pakontestueshme jo vetëm në letrat shqipe. Në “Lahutën e Malcis” ndeshemi me artikulim karakteristik burrëror, rrëmbyes. Ngjarjet lemeritëse Fishta nuk pranonte t’i harrojë populli. Mu për këtë kishte lexues-dëgjues të shumtë. Këta duhet të njiheshin me të kaluarën e tyre, konkretisht me ngjarjet që trajtonte në “Lahutën e Malcis”, duke u dhënë atyre përmasa mitologjike. Prizreni ishte dhe metaforë. Nga të gjitha skajet e vendit kishte tubuar luftëtarë për të mbrojtur nderin dhe një copë tokë. Bën të harrohen zonat e shkëputura nga trungu amë? Fishta ia kishte parashtruar vetes se shqiptarët duhet mbajtur të zgjuar, pa marrë parasysh cilit besim apo krahine i takonin. Ai qëndronte në ballë me atë kumbimin trimërues. “Lahuta e Malcis”, ishte në një farë mënyre, abetare historike. Të vetmin problem Magi e kishte ekzistencën e Shqipërisë. Kjo e bën të madh atë, ma të madhin ndër të mëdhenjtë.

Me rënien e diktaturës, gjërat ndërruan. Fishta i kapërceu kufijtë, u bë qytetar edhe i metropoleve. Njëri ndër përkthyesit e “Lahutës së Malcis” dr. Robert Elsie, në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë, me rastin e promovimit të eposit shqiptar në pyetjen: Si ia hyre përkthimit të veprës së Fishtës, ishte deklaruar: “Kisha në shtëpi një kasetë, të cilën Ali Podrimja ma kishte futur në xhep një ditë në Prishtinë, para shumë vitesh” (Gazeta “Korrieri”, prill 2006). Në të vërtetë, audiokaseta, për të cilën bën fjalë përkthyesi mbante ca fragmente nga “Lahuta”, në interpretimin e shkëlqyeshëm të aktorit kosovar Çun Lajçi. Kjo disi ma kujton dhe udhëtimin tim në Horën Arbëreshe. Aty mbahej Simpoziumi me rastin e 500 vjetorit të ngulitjes së shqiptarëve në Jugun e Italisë. Pasi i kisha lexuar ca poezi me motive arbëreshe, prifti i Kishës së Horës më ishte afruar dhe ma kishte dhuruar një ekzemplar të “Lahutës së Malcis”. Gjesti i tij më kishte prekur. Nuk e kishte biznes patriotizmin. Ishte i familjes së Arapit nga Vlora. Mua m`u dha rasti t’ia kaloja edhe tim eti. Dy kufij i kisha kaluar me librin e anatemuar pa fije frike. Ia vlente të ndëshkohesha për Fishtën, se po merrja me vete një copë të historisë. I ngacmuar nga ca intelektualë, që trumbetonin se “Fishta është i papërkthyeshëm”, Robert Elsie megjithatë i ishte përveshur përkthimit duke arsyetuar “... kjo ishte vepra që duhej ta bëja të njohur patjetër”.

Në poezinë “Shkodër, (ri)varrimi i Gjergj Fishtës” (nga libri “Thesaret e frikës” 2005) përmes nëntë vargjeve, poeti Visar Zhiti na jep madhështinë e pavdekshme të poetit, por vë në mëdyshje edhe atë që kishte ndodhur pas (ri)varrimit:

Çka mund të bahet me to, o At veçse skeleti i dorës
që mbi dhé ka shkrue eposin e vdekun të t’gjallëve
e nën dhé eposin e gjallë të t’vdekunve

Qëndrimi i Zhitit është dinjitoz, qorton dhunën e Piramidës që ishte ngritur duke shkelur dhe vlera kombëtare. Fatkeqësisht, Fishta ishte njëri nga të fyerit. Si duket, libri ynë kombëtar nuk dihet kur do të kryhet, në të ndodhin çudira të pabesuara. Më parë nga libri nxorën të padëgjueshmit dhe të “dyshimtit”, tani kërkohet t’i heqin ca të tjerë në emër të katarsisit; do të thotë se libri ynë kombëtar nuk dihet se a do të kryhet ndonjëherë. Ky akrobacion nacional ka shqetësuar dhe Dritëro Agollin. Në gazetën “Korrieri”, prill 2006 deklaron: “Ne vazhdojmë të mohojmë kulturën tonë dhe nuk mendojnë se do të vijë një kohë pak më vonë, kur do të pendohen, siç pendohemi ne sot për mohimin e Fishtës”. Botuesi dhe analisti nga New Yourk-u Gjekë Gjonlekaj ka të drejtë që në vështrimet e tij ta ngrejë në çështje arrogancën sllavo-otomane ndaj At Gjergj Fishtës, se nuk i jepet ende vendi i merituar poetit kombëtar në Panteonin shqiptar. Kjo ndoshta ndodh se ende ca nga ne nuk janë liruar nga hija e Piramidës.

Toleranca ndërfetare mbetet njëra nga stolitë tona, për të cilën na e kanë zili të tjerët. Fishta kishte respekt për besimet shqiptare. Figurat historike nuk mund t’i ndante në myslimanë e të krishterë. Në galerinë e tij kishte vend për të gjithë. Si dhe pse ndodhi te ne islamizmi dihet. Por ekziston frika se mund të vihet në pyetje lashtësia iliro-shqiptare. Pansllavizmi ka kohë që merret me të kaluarën dhe origjinën tonë, duke lansuar gjithandej Evropës gënjeshtra, pikërisht për lashtësinë dhe autoktoninë tonë. Pra, ndodh një luftë e heshtur për dominimin e hapësirës Ballkanike. Mirëpo, ne vazhdojmë të mbështesim se identiteti ynë mbetet ai europian. Ky është realitet që nuk mund të ndërrohet për hir të askujt. Shkas ndoshta është njëra nga degët e besimeve tona që dëshmon për trungun nacional se kush jemi e nga vijmë. Të merremi tani me përkatësinë tonë të zgjidhur që në shekullin e nëntëmbëdhjetë nga rilindasit më bëhet se i fyejmë pararendësit tanë. Në këtë moment krucial për Kosovën ne shqiptarët si duket i paskemi zgjidhur të gjitha problemet!

Nëna Terezë na la një amanet që shpesh duhet ta kujtojmë: “Atdheun më shumë e doni, kur njëri-tjetrin ta doni më shumë”.

Ulpianë, maj 2006
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4553
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Disa grimca poetike të ALI PODRIMes, Posted 29 Maj 2009, 17:15
Një Ditë

një ditë heshtja
do të më gjuajë
me eshtra të mia
ose do çmendem duke rrënuar.

Bukuria

Zgjata dorën në livadh lulen me këputë
"Mos - fqiu im i dashur më bërtiti-
-do të vyshket!
Qita hapin, kalin e bardhë me mbërri-
-vashën e ëndërruar kaherë.
"Mos! - përsëri m'u gjegj fqiu.
Unë qava me mall edhe atëherë.
Hodha dorën në gjithësi me pikëllim-
Çel e mshel sytë dritë m'u bë.
"I lumi ti!" - dikush më bërtiti në përqafim
e kurrgjë tjetër s'pashë as ndjeva.
Sot e atë ditë, kudo e kërkoj fqiun tim të mirë.
---------------------------------------
Këtë poezi Ali Podrimja e ka shkruar në vitin 1960, në moshën 18 vjeçare, kur ishte gjimnazist në Gjakovë. Kjo poezi tingëllon si një përrallë e rrëfyer nga ndonjë gjysh i lashtë. Bart me vete një fshehtësi të thellë të njeriut gjatë rrugës së tij të jetës. Mesazhi i saj është pothuaj i hapur; s'ka asgjë të fshehtë, për të cilën rrëfyesi lirik mundohet ta fshehë, përkundrazi. Ai e ka jetuar jetën me të gjitha gëzimet dhe mundimet dhe tani i takon roli i plakut të urtë, që me shumë urti nuk jep këshilla, por i sugjeron ato nëpërmjet përvojës së tij vetiake. Poeti jep mesazhin: po lakmove ta kesh, ta pushtosh "botën" me një hap, me një lëvizje, po lakmove ta zotërosh cakun e fundit me një të goditur, me një të këputur, do të jesh humbës i përjetshëm. Në fillim, mbase në rini mund ta këpusësh lulen ose vashën, por do vijë dita kur të ëndërrosh caqe përmasash të largëta, të pafundme, të përjetshme. Është koha kur të shuhet zjarri për të arritur diku, por të ndizet pendesa që s'ke arritur qëllimin. Dhe ky qëllim jepet si vizion i bukurisë që s'ka fund. Një trajtim filozofik ky, nga ana e poetit, që ndonëse është vetëm 18 - vjeç imagjinata e ndezur dhe talenti poetik e bëjnë të arrijë në mesazhe universale.
----------------------------------------------------------------------

Unë Biri Yt

Unë biri yt, Kosovë, t'i njoh dëshirat e heshtura,
t'i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t'i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t'i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan,
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,
Unë, biri yt.

Guri

(Pres me ditë tres përditë)
hudh gurin në hapësi
sizifi plak me mund
prapë e hudh dhe e hudh
valë e më valë e i gjallë
pres me ditë tres përditë
hapësi e hapësi kërkon
rrënjë lëshon në mundësi
në pamundësi erna tremb
hudh gurin në hapësi
hapësi çpon e çpon
kohëra e kohëra përgjak
dhe mund Sizifin plak.

Metafora e Jetës Sime

nëse s'flas
jeta ime s'ka qetësi
fiala ime bëhu Unë
heshtja të të mos shtypë
në gurë
rnulliri
nëse s'flas
jeta ime s'ka qetësi
fjala ime bëhu Unë
plaga ime
le të marrë
frymë thellë
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 65
Antarësuar: 18 Qershor 2009, 15:27
Re: I MADHI SHKRIMTARI ALI PODRIMJA, Posted 18 Qershor 2009, 16:14
Emrin e ka dashuri

Per kete toke gjaku ka rrjedhur e prinderit tane
kryet e kane lene; kambana te medha kane mbetur
ne jeten tone per kete toke ata qe nuk jane me -
e ju si te doni quajeni kete toke - muze emrin e ka,
dashuri emrin e ka; o si te doni quajeni
por asnje fjale te keqe per prinderit tane,
njerez te mire, asnje fjale, se kujtjimi na i verbon syte.
Asnje fjale te keqe, thashe, se ata gjithcka jane bere
per kete toke, se ata ishin trima mbi trima
dhe, - nese ndokush ka vdekur duke kenduar -
ata vdiqen maje hanxharit te dushmanit me kenge ne goje,
nese ndokush s'ka kthyer nga rruga - ata i
kerkuam;
nese ndokush ka dashuruar me jete lirine - ata
ishin.
Se ata mikun kurre ne bese nuk e kane prere
dhe, - nese ndokush ka vdekur duke kenduar,-
ata vdiqen maje hanxharit te dushmanit me kenge ne goje, -
nese ndokush s'ka kthyer nga rruga, - ata i
kerkuam,
nese ndkush ka dashuruar me jete lirien, - ata
ishin.
E ju si te doni quajeni kete toke - muze emrin e ka,
dashuri emrin e ka; o si te doni, vetem
mallkim jo
se per kete toke gjaku ka rrjedhur, i nxehte ka
rrjedhur...
Imazh
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4553
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
ALI PODRIMJA - SHKRIMTARI I MADH I SHQIPNIS, Posted 14 Prill 2010, 22:22

Ali Podrimja
OKTAPODËT
Imazh


Përballem përditë me pushtetin e liliputëve

Or e çast që vazhdojnë të përmuten

Përulem para fotografive të miqve të zhdukur

Të cilët zbehen çdo ditë nga turpi

U lë shëndenë dhe me dalin para ish-luftëtarët

Sytë ç’m’i shpojnë me gishtërinjë të ngritur kah i Madhi

Por unë i gjori ç’të bëj kur nuk kam forcë

T’i bie tavolinës së presidentit të humbur në luks

Në Kullë të Sylejman Vokshit kyçem dhe vështroj

Përmes frëngjive


Kah lëviz paria me syze të zeza e tek pështyjnë në fytyrat

E vegjëlisë nga autot luksoze


Tek vërtiten oktapodët gëllabërues largohem i rebeluar


Qelben të pabesët dhe vërej se dita do zbardhë

sa të kalojë dimri i luleborëve

Të zhdukurit e mi do zbresin nga fotografitë e zverdhura

që trishtojnë atDheun tim


(Dardani, 10 Shkurt 2010
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 5 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 2 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 05 Dhjetor 2020, 13:15
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari