Letra dhe lapsi nje misherim i vargut ku letrari le gjurme ne historine dhe legjenden e nje kombi.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 3 postime · Faqe 1 prej 1
Faik Konica
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4552
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Faik Konica, Posted 07 Prill 2009, 11:48
Faik Konica

Imazh

Emri: Faik
Mbiemri: Konica
Profesioni: shkrimtar
Ditëlindja: 15 mars, 1875

Vendlindja: Konicë e Ersekes te Kolonjes
Ditëvdekja: 14 dhjetor, 1942
Vendvdekja: Uashington
Nënshtetësia: shqiptar

Faik Konica, lindi më 15 mars të vitit 1875 në Konicë dhe vdiq më 14 dhjetor të vitit 1942 në Uashington, ishte magjistër i artit dhe letërsisë, aktivist kombëtarë dhe shkrimtar shqiptar.

Biografia
Rrjedh nga një familje e vjetër feudale. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA.
Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris.
Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si "biblioteka lëvizëse".
Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën "Shqipëria dhe turqit" (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën "Albania", kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë 1897-1909 programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.
Më 1909 Konica, si u mbyll revista "Albania" në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën "Dielli" edhe më pas gazetën "Trumpeta e Krujës". Me themelimin e Federatës "Vatra", më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë.
Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës "Vatra", po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës "Dielli" dhe "Shqiptari i Amerikës". Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA.
Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe. Çdo krijues i letërsisë shqiptare që vjen pas tij mund vetëm të quhet nxënës i tij.
Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

Tituj të veprave
• L’Albanie et les Turces - Libre parole, (1895), Paris
• Albania - revistë, 1897-1909, Bruksel - Londër
• Memoire sur le mouvement national albanais, (1899), Bruksel
• Albania e vogël - fletore 1899 - 1901, Bruksel
• Trumbeta e Krujës - e përkohshme (1911), Sent Luis
• Jeta e Skënderbeut, (1912)
• L’Alemagne et’Albanie, (1915), Lozanë
• Një ambasadë e Zulluve në Paris, (1922)
• Shqipëria si m’u duk, (1928),
• Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit - novelë satirike (1924)
• Nën hijen e hurmave - përkthim e rikrijim i një zgjedhjeje të përrallave arabe nga Një mijë e një net, (1924)
• Fytyra e turinj të Shqipërisë
• Albania, The Rock Garden of Southeastern Europe[1]), (1957), Boston
• Shqipëria kopshti shkëmbor i Evropës juglindore, (1991), Prishtinë
• Faik Konica, Vepra, (1993), Tiranë

Mirenjohjet
• Diploma e studimeve per letersi dhe filozofi nga Universiteti Shteteror i Dizhonit - France
• Magjistratura e artit dhe e letersis me 1912 ne Kembrixh-Masacusets (SHBA).
Në një libër të papërfunduar të tij Konica flet për krenarinë e malësorëve shqiptarë. Zonja Durham (Edith Durham) e pranon këtë në librin e saj “Brenga e Ballkanit”. Kur përshkruan shpërndarjen e ndihmave në Maqedoni gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, ajo na tregon se si gratë fshatare e rrethonin ditë e natë, duke i kërkuar ushqime dhe rroba. Ata vendoseshin rrotull shtëpisë ku banonte ajo dhe nuk largosheshin derisa të merrnin diçka. Edhe kur u shpjegoi se nuk kishte më asgjë për t’u dhënë, ato nuk shkuleshin. Kur zonja Durham vajti në Shqipëri, priste që t’i ndodhte njësoj. Për habinë e saj, askush nuk iu afrua për t’i kërkuar ndihmë. Konica përmend edhe faktin se zonja Durham ka qenë një adhuruese e madhe e amvises shqiptare. Ajo mendonte se vetëm amvisja holandeze mund të krahasohej me të për pastërtinë. sipas F.Nolit

Lutja e shkrimtarit, nga Faik Konica
"Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s'kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por dhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!"

TESTAMENTI I FAIK KONICËS[2])
Të nderuar zotërinj!
Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhé. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe të gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë edhe hargjimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për 2 metra vend në Shqipëri. Mbyll sytë se ju i nderuari Noli dhe ju të nderuar shqiptarë e ti Lamja im i vogël në Paris do të ma kryeni këtë amanet.

NJE PROZË E FAIK KONICËS
MALLI I ATDHEUT
Kur vete njeriu, i lirë dhe i vetëm, larg atdheut – viset e ra, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit e një mijë gjëra që vihen re ndër popuj të huaj, të gjitha këto ta përgëzojnë zemrën e të bëjnë jo të harrosh Shqipërinë, po të mos vejë tek ajo aq dendur mendja. Më tutje, si ngopen sytë së pari ndryshime, gazi shuhet pak nga pak. S’si ç’të mungon, ç’të duhet. Një hije trishtimi ta mbulon fytyrën; e, pikë së pari herë-herë, mbastaj më dendur e më në fund shpesh e pothuaj kurdo e kudo, kujtimi i prindërve, i miqve e i shokëve, kujtimi i dheut ku u lindëm e u rritëm, ku qajtëm foshnja e ku lozëm djelm, kujtimi i atyre maleve larg të cilëve nuk rron dot mirë një shqiptar, kujtimi i kombit, që, me gjithë ca të liga që ka, është kombi ynë, e më tepër kujtimi e dëshira e etja e gjuhës sonë ta shtrëngojnë e ta dërrmojnë me të vërtetë zemrën. Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall e dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar, që s’e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! Ajo më e zbrazura letër, ajo fjala më e vogël, na sjell, kur vjen nga Shqipëria, një gaz të parrëfyeshëm, se na sjell si një copë të atdheut.... 1899.

Burimi i të dhënave
1. ^ Kjo vepër mbeti e pambaruar në dorëshkrim kur vdiq Konica; e redaktoi dhe e përgatiti Qerim Panariti. Përkthimi i saj i parë në shqip u botua në Prishtinë nga shtëpia botuese Gjon Buzuku, më 1991.
2. ^ Testamenti u drejtohet miqve të tij, Fan S. Nolit dhe Sejfulla Malëshovës. Pas vdekjes së Konicës, Noli kishte kërkuar disa herë që trupi i tij të kthehej në vendlindje por regjimi i Enver Hoxhës nuk e kishte lejuar këtë. Konica ishte varrosur në Boston në vitin 1948, ndërsa eshtrat e tij janë kthyer në Shqipëri në vitet nëntëdhjetë, vetëm pas rënies së komunizmit
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4552
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Faik Konica për Shtjefën Gjeçovin, Posted 28 Prill 2009, 01:19
Faik Konica për At Shtjefen Gjeçovin

At Shtjefen Gjeçovin
ImazhImazh

At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet perpara luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodrë dhe atjè, në Kuvënt të Franciskânëve, nji ditë u-njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet nderimi, që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m'u-shtuan ca mê tepër që kur u-poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po dhe zëmërmirsia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vënt. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej nonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë – si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane – At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzim t'a dëgjonte njeriu. Asì kohe At Gjeçovi ish "famullitar", domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katûnt i Mirditës mb'udhë nga Shkodra n'Orosh.

A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësáj jave? Më pyeti një herë At Fishta, me të cilin píqesha çdo ditë në Shkodrë. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtû, pa humbur kohë, u-nismë. Një gjë për të vënë ré, dhe që më mbushi me habí dhe trishtìm, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtìm shtat' a tet' orësh me kalë, nukë gjetmë as katûnt as shtëpí; veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafé, s'pamë gjëkundi nonjë shënjë gjallësie: një vënt i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njérëzit. Po mërzia e udhëtimit na u-çpërblye përtèj shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me dréjt, në famullí të Gomsiqes, – se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhû, një shtëpí këtû, një shtëpí nj' a dy mile më tej, as që dukej.

Famullia – një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm' e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zëmëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë – qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtû ronte At Gjeçovi. Këtû e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësí e përulur, në munt t'afròj e të lith dy fjalë aqë të perkûndërta; një lartësí shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t' Assisit, në pastërí e në vobësí të zëmrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmiíjëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njérësve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j' a kushtonte studimit.

Merej ahere me institutat e vjétëra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët t'ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askùsh nukë munt t'i afrohej At Gjeçovit në diturín' e këtíj Kanuni. Na tregój një dorëshkrìm nj'a dy-mij faqesh, sudiím i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t'i kenë rrënjët shumë përtèj Kohës së Mesme.

Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbulúara e të mblédhura një nga një, me një fatbardhësí të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçàn, një enë të vogël të qojtur "lacrumatorium" lotore, asìsh që të vjétërit, në besim se të vdékurit qajnë të shkúarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdékurin që ky të kish se kû t'i mblithte lottë. Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lottë t'ona për At Gjeçovin…

Bir i përulët i Shën Franciskut, e ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár. Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípia dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuara janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí.

Po At Gjeçovi është përmi çdo sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-ritur – dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shëntëruar të Shqipëtarësisë.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 155
Vendodhja: AFGANISTAN
Antarësuar: 08 Prill 2009, 19:18
Re: Faik Konica, Posted 28 Prill 2009, 17:23
Thenje nga Faik Konica;
'' OJ SHQIPNI TE DHJEFSHA NE DERE QE SU MORE VESH NJEHERE''
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 3 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 02 Dhjetor 2020, 11:54
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari