Letra dhe lapsi nje misherim i vargut ku letrari le gjurme ne historine dhe legjenden e nje kombi.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
Piktori i Pavdekshëm Ferdinand Paci - 75 vjetori i Lindje
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4552
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI:
PIKTORI I PAVDEKSHEM FERDINAND PACI
Imazh
(1940 – 1975)
75 VJETORI...

Ishte “streha e mëkatnorëve” ase Shkolla Pedagogjike e Shkodres, ku na jepej e vetmja mundësi me vazhdue shkollen e mesme, atëherë... rreth vitit 1952 – 53, që na njohu dhe prej asaj kohë fëminije mbetëm miq të përjetshëm. Mbrenda ndertesës së Gjimnazit të Shtetit “29 Nandori”, ishim edhe ne... të konsideruemit të “deklasuar”...
Edhe Ferdinand Paci, asht le në vitin 1940, me 30 Maji... Ishim moshatarë. Ferdinandi ishte djali i argjentarit Nush Paci, një familje fisnike shkodrane që trashigoi traditat ma të mira të qytetit lashtë, edhe pse lufta e klasave përditë vetem shkatrronte të miren dhe të bukren e ruejtun me mundim e djersë nga qytetarët e Shkodres. Nana e Tij Luçia edhe Ajo, vinte nga një oxhak tjeter i njohun Rasha, me Burra të nderuem...
Një Prind i gjetun në oborrin e asaj shkolle ase fidanishte mësuesish, me Emnin e Tij të Madh në artin e Popullit Shqiptar, Profesor Simon Rrota, na lidhi përjetsisht me shokun e paharrueshëm, të dashtun, të thjeshtë dhe mbi të gjitha besnik i paster dhe trim, me piktorin e ardhshëm Ferdinand Paci. Ishte salla e vizatimit ku Prof. Simoni, punonte me një perkushtim të madh per edukimin tonë, na limonte karakterin tue na pastrue nga të gjitha papastertitë e “shkollës së re komuniste”, dhe tue farkëtue në mes nesh virtytet e nalta të qytetarisë shkodrane, që ishin piksynim zhdukje nga antiveriorët marksistë.
Në kjoftë se atëherë ne kemi kuptue fjalët Atdhedashuni dhe Besë e Bujari, ishte një “lapsë dhe penel” i Prof. Rrotës që na zbukuroi Shpirtin përjetë të jetës!
Vazhduem me shkue në rrethin e pikturës së Shtëpisë së Kulturës, ku me kujdes punonte piktori Vladimir Jani, edhe Ky një ish nxanës i Prof. Simonit, që kishte vazhdue studimet në Itali dhe ishte nder figurat e njohuna të artit në Shkoder. E gjithë kjo punë e Këtyne Burrave, që bahej pa asnjë interes dhe me një qellim të vetem: “Formimi ynë si piktor, per të evitue rrugët e largëta malore e me rreziqe nder skajet e humbuna të Shqipnisë”, formoi në mbrendsinë tonë një karakter ku nuk kishte ma të voglen shkëndi egoizmi. Personifikimi i këtyne perpjekjeve të kultivueme në Shkodranin artist dhe mësues, ka mbetë edhe sot në kujtesë per të gjithë ata që e kanë njoh Piktorin Ferdinand Paci.
Mbasi perfundueme shkollen Pedagogjike, Ferdinandi punoi piktor pak vite në repartin e pikturës së ndermarrjes komunale, prej ku, ma në fund mërrijti me vazhdue Institutin e naltë në Tiranë per pikturë, sigurisht, i vlersuem me maksimalen e notave sëpse, edhe atje “nota maksimale” u fitue prej Tij me sjelljen dhe edukaten qytetare. Njëheri u ba edhe pjesmarrës i ekspozitave kombtare, vetem me aftësitë e veta artistike.
Ferdinandi erdhi në Shkoder në vitin 1966, pikrisht në pragun e “Revolucionit kultural” dhe pa fillue mirë punen si mësues vizatimi, u “këshillue” nga “shokët e Lidhjes” se, “nuk kishte veprue mirë kur me rasen e hapjes së ekspozitës sime personale, në Klubin ‘Vllaznia” në dhjetë vjetorin e maturës, Ferdinandi mbajti fjalen e hapjes... Kjo, nuk i përkiste Atij, se Ai nuk duhej të më vlersonte punen time si i deklasuar...”. Ferdinandi jo vetem, më vuni në dijeni, po edhe më këshilloi tue më tregue rrezikun që po përgatitej nga dashakëqijtë e Lidhjes së Artistëve të Shkodres, kryesisht nga Franc Ashiku me Foto Stamo, të Lidhjes së Artistave të Tiranës, në bashkpunim të ngushtë me sekretarin e ardhëshem të partisë së Rrethit të Shkodres Xhemal Dini.
U rrokullisen shumë ngjarje në atë “Revolucion” të mënershem...
Me 3 Shtator 1975, në Shkoder u hap lajmi i një aksidenti automobilistik që kishte ngja në malet e Thethit të Dukagjinit, dhe pikrisht atje, humbi jeten edhe Ferdinandi...
Një ngjarje e shemtueme si shumë të tjera pranë Rozafës, që vizituem dikur bashkë...
***
Veprat e piktorëve të mëdhej nganjëherë mbesin ato të viteve të rinisë së tyne.
Ndoshta, një rasë e tillë asht edhe krijimtaria e atyne pak viteve të jetës së shkurtë të Piktorit Ferdinand Paci, i cili na la nder disa të tjera vepra edhe dy portretet e Kolë e Nine Gurashit, ku spikatë arti, mjeshtria dhe vlera etnografike e veprave.
Kur veprat e artit ashtusi në rasen e Ferdinand Pacit, vishen edhe me cilësitë Atdhetare dhe morale të Autorit, Ato Piktorin e bajnë Artist të Përjetshëm të Kombit vet!
Ky ishte dhe mbetet përjetsisht edhe Ferdinand Paci...
Vertetë jam larg... Shumë larg... Po, kurrë larg Teje, Mik i shtrenjtë Ferdinad Paci!

Melbourne, 28 Maji 2015


Ferdinand Paci, jeta dhe vepra
Imazh

Lexuar 2304
FERDINAND PACI ishte qytetar i Shkodres, artist dhe pedagog i nderuem…
Ferdinand Nush Paci, u le nga prindët Nush e Luçia Paci, me datën 30 Maji 1940, pra plot 70 vjet ma parë në qytetin e lashtë të Shkodres. E njohta afër kur ishim në bankat e shkollës pedagogjike po në Shkoder, në vitin 1952. Familja e Tij ishte ndër ma fisnikët e atij qyteti, ndonse, komunizmi barbarisht shpartalloi të gjitha traditat qytetare, po, duhet pranue se mjaft familje, ndoshta, edhe tue rrezikue t’ardhmen e fëmijve të vet, mërriten me ruejtë dhe me i trashigue tek mbasardhësit mjaft doke, zakone e kryesorën Besimin në Zotin. Baba i Tij Nushi, ishte mjeshter argjentar, po edhe një prind model si në dashamirsi ashtu edhe në sjelljen e Tij prej qytetari të njohtun shkodranë, gjithmonë i ndihmuem nga zonja e Tij e nderueme Luçia.
Ata që njohtën tri vajzat e dy djelmët e Nush Pacit, besoj pamëdyshje se të gjithë kanë mendimin tem për atë familje të nderueme të atij qyteti. Ferdinandi ishte ma i vogli i fëmijve dhe, që në pamjen e parë jepte përshtypjen e një “vajze” që turpnohet kur fillon me folë…

Oborri i shkollës e ma vonë salla e vizatimit e prof. Simon Rrotës, na lidhi si shokë e, ma vonë si piktor të rinjë, por edhe përjetsisht miq. Kujdesi dhe dashnia e prof. Rrotës për ne, na bani me u lidhë edhe me artin për të cilin, atëherë ishte sakrificë e madhe me dashtë me tregue të vërtetën që na mësonte profesori po, që, edhe na këshillonte si djelmët e Tij për me e ndjekë ate. E, ndoshta, sot mund të duket edhe e pabesueshme ajo që profesori, na fliste në konfidencë…
Na po prëgatitëshim për mësues, por penelat e prof. Rrotës, na zbukuruen shpirtin me aq kujdes, sa përjetsisht mbetëm nxanësit e Tij, edhe atëherë, kur, vazhduem me kenë nën kujdes të prof. tjetër të pikturës Vladimir Janit, në rrethin e shtëpisë së kulturës. Ferdinandi ishte një talent i vërtetë dhe gjithmonë i njajti njeri…i thjeshtë, i dashtun, i sinqertë dhe kurr egoist. Nuk di asnjë rasë që të konstatonte në punimin tem ose të një shokut tjetër dishka të gabueme dhe të rrinte indiferent por, me dashamirsi, merrte penelin apo lapsen dhe vazhdonte korrigjimin e gabimit…
Në shkollën pedagogjike ishte ndër nxanësit e shkelqyeshëm në të gjitha landët, kjo kishte formue një përshtypje aq të mirë tek drejtori i shkollës prof. Gani Daiu, sa kur kemi mbarue shkollën, Ai na propozoi që të na jepej nga Ministria e Arësimit “madalje ari”, që për arësye biografije nuk e morem asnjeni as unë, as Ai. Ferdinandi, shkoi në punë në repartin e pikturës së qytetit, ndersa, unë, disenjator në kabinetin pedagogjik të arësimit.
Mbas shumë përpjekjesh dhe nderhymjesh edhe nga ana e prof. Vladimirit, ma në fund Ferdinandi, mujti me shkue me disa provime plotsuese në Liceun Artistik në Tiranë, prej ku, me rezultatet e Tija të shkelqyeshme, hyni në Institutin e Lartë të Arteve dhe u laurue si piktor në qershor të vitit 1965, vit në të cilin edhe unë përfundova Liceun Artistik me korespondencë. Vazhdonim Ai dhe unë rregullisht me marrë pjesë në ekspozitat lokale të pikturës në Shkoder ndërsa, mbasi u laurue Ai u ba pjestar edhe i ekspozitave kombëtare në Tiranë si, dhe, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarve dhe Artistave të Shqipnisë, tue theksue se këta arritje ishin vetëm për merita artistike dhe asnjëherë me rrugë tjera të terthorta ose të pandershme…si, shumica e tyne.
Kur u emnue në Shkoder si mësues vizatimi, për disa kohë u përfol për biografinë e Tij, mbasi Ferdinandi nuk kishte deklarue një “njollë” e cila, ishte deponue nga një spijun shumë dashakeqas i joni (F. P. A), i cili, punoi shumë për mosemnimin e Ferdinandit në Shkoder.
Në vitin 1966, Ferdinandi mbajti fjalën e rastit kur hapa ekspozitën personale, dhe për këte iu terhoq vërejtja nga Lidhja e Artistave, mbasi nuk duhet ta bante për një njeri me biografi si të temën…Menjëherë, mbas vitit 1967, Ferdinandi ishte Ai që më sinjalizoi për rrezikun që më kercnohej nga i famëshmi “Revolucion Kultural”…Miqësia e jonë dyfishohej edhe nga piktori Ndoc Gurashi, i cili, ishte jo vetem një mik besnik po, dhe, një këshillues i pjekun ndër shumë rrethana të kohës për ne të dy, ndonse, me Ferdinandin lidhej edhe familjarisht.
Bana një shkëputje për me kjartësue dhe përforcue mendimin se, Ferdinandi, asnjëherë jo, vetëm, nuk asht dyshue, po as nuk mund të mendohej nga askush si njeri i pandershëm…

Ai ishte një pedagog i nderuem dhe për këte dëshmojnë shumë ma tepër se vetë të gjithë ish nxanësit e Tij, të cilët, edhe sot e kujtojnë me respekt emnin e mësuesit të vet.
Një mësuese, që punonte në shkollë me Ferdinandin, atë ditë kur erdhi me u pjekë në shtëpi tek Nana e Ferdinandit tregoi me njëfarë çudije se, pak muej përpara, ajo i kishte propozue Ferdinandit që me u organizue në partinë e punës, gja të cilën Ky nuk e kishte pranue…çudia e saj qendronte në arësyen se, cila ishte ajo, që shumë të rinjë nga “katolikët e Shkodres” nuk e pranojnë këte gja..dhe, pohonte se të tilla raste janë disa e jo një…?
Sigurisht, na heshtëm…po, heshtja e jonë asaj i dha përgjigjen…”Ferdinand Paci dhe ata qytetarë katolik për të cilët fliste e shoqja e Prokop Murrës, nuk pranonin kurr që mbi nderimin për të Parët e vet e mbi Besimin në Zotin, me vue interesin e mbajtjes në xhep të teserës PPSh.”
E, këta shembuj nuk ishin të paktë ndër familjet e nderueme ashtu siç ishte familja Paci…
Me datën 3 shtator 1975, në Shkoder, u hap lajmi i zi i një aksidenti automobilistik që kishte ngja në Thethin e Dukagjinit, ku humbën jetën katër përsona në moshë të re, ndër të cilët ishte edhe Ferdinandi…Nuk ishte e meritueshme për një njeri si Ferdinand Paci një fund jete aq tragjik dhe i dhimbëshem…Asnjëherë, nuk mund të shlyej nga kujtesa eme, Atë portret aq fisnik të Ferdinandit, që kishin shkallmue shkrepat e Alpeve tona, me atë pamje të mnershme që unë përjetova në morgun e spitalit civil të Shkodres, atë natë…kur e pashë shokun tem të fëminisë dhe, nuk e njihshe cili asht mes atyne viktimave të asaj nate të zezë…pamje e cila aq mu tipos në trunin tem sa, mbas disa ditësh e ripërtrina në një vizatim…ku, tue e shikue sa herë e mendoj: “Pse, o Zot, a mundet kush me veprue pa vullnetit Tand, me vra një njeri si Ferdinandin..?”
…Ora e dorës që më dha një infermjere aty, tregonte ende shkapetjet…ndër gurë!
Atë, orë, njëditë…ia ktheva djalit të Tij, Adrianit…piktorit t’ardhëshem…sot, Burrë!
Ferdinand Paci u nda nga jeta në moshen 35 vjeçare…plot 35 vjet ma parë…
Veprat e artit që Ferdinandi i la familjes dhe Atdheut në galeritë e arteve Ate, e rëndisin ndër Artistët e Kombit tonë. Nuk janë aq të pakta sa mos me u kujtue ato vepra e Autori i tyne..!
Por, FERDINAND PACI, asht i paharrueshem nga Qytetaria e Shkodres, Ai asht artist i Pavdekshëm po, edhe Pedagog i Nderuem i brezit të ri, për moralin dhe dashninë e madhe që kishte për artin dhe Atdheun, ndjesi që Ai, edukoi dhe frymzoi tek Rinia e nderueme Shkodrane!

Le të jenë këta pak rreshta…një lule mbi vorrin e “një zambaku” që kishte Shkodra..!

Fritz RADOVANI
Melbourne, Maji, 2010.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 02 Dhjetor 2020, 10:46
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari