Letra dhe lapsi nje misherim i vargut ku letrari le gjurme ne historine dhe legjenden e nje kombi.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
''Pjese nga Lahuta e Malcis'' dhe e ''Gomarit te Babatasit''
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4552
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Disa copëza nga poezitë e Poetit Kombetar At Gjergj Fishta ( 23.10.1871)

duke e kujtuar Poetin ne kete pervjetor, mendoj se do ishte i deshiruar per shume artdashes leximi i disa pjeseve nga Satira, Epika dhe Lirika e Fishtes qe edhe pse festojne 100 vjetorin e ma te botimit, duken sikur jane shkruar sot per nga tematika e konkretisht:

Tema qe per ne nuk jane te panjohura si psh. korrupsioni, apo cilesite dhe “pastertia” e gazetarit “Nga Gomari i Babatasit” etj, etj...


DREDHA E DJALLIT fragment, (1908)


Ka bâ bé Gjeka n’Athinë,

Se atij shpirti s’ka me i dalë

Per pá i shty kufijt n’Janinë.

Lê’ se bé ka bâ Greqija

Me na u shndrrue kufijvet vend,

Por po thonë se edhè Serbija

Don me u djergun mje n’Perzrend.

E po thonë, se jo per tjeter

Duen Serbjant me marrë Shqypnin,

Qi ata e quejn Serbija e vjeter,

Veç me prû mbrendë qytetnin.

Marshallà! Ç’farë qytetnijet

Na barbart e Kastriotit

Kem’ me pasun prej Serbijet,

Kúr „Serbjan" t’na quejn mbas sotit!

Në mos tjeter kem’ me u msue

Me thye bén, qi t’bâjm m’therore;

Grát per s’deknit me i dhunue

Me pré nierzt, qi t’na biejn ndore.

Prap po thonë, se edhe Bullgarvet

Fort po u vesket Monastiri,

E se gacat n’tokë t’Shqyptarvet

Rrijn tu’ i shti hiri e pa hiri.

Medjè, thonë nji fjalë mâ teper,

Knjaz Nikolla me shallvarë

Don me marrë Malsin e eper

Me gjith Shkodër sa mâ parë.

E shka t’lânë kta kater ujq,

Qi i kercnohen shoqi-shojt,

Thonë, do t’dalë nji dreq i kuq,

Qi pa dhimbë do t’i a njesë thojt.

Edhe m’duket se per né,

Mor’ Shqyptarë, ky djáll i zi

Sa mâ para ka me lé,

Pse na dreqnit kem’ kojshi...



Qe, pra, tash se per ç’arsye

Punë n’Shqypni s’jet pa u shperthye,

Due me thânë, pa u partallisun

Çdo pûnë mbarë qi t’jete nisun

E kjo nâmë, ase kjo rrfé,

Ka me ngjatun, thom, nder né

Dersá menden na t’a rrisim

E me dije mos t’a shndrisim;

Dredha e djallit, pse s’âsht tjeter

Si e kam kndue nder libra t’vjeter

Veç padija dhe krenija,

Qi shkojn njitë si trupi e hija.



MOMI ( 1902 )


(MOMI – I biri i Nates e i Gjumit, vellai i marrisë, hy prozhmimesh)

…Kushdo fjalet nuk matë ku vrasin,

Ate e ndjeke perhere rreziku;

Pse shqyptaret nje fjale e flasin:

Ç’ ka t’ ban goja, s’ t’ ban anmiku…

…………………………………………….

M’ kambe kryekungujt prej si u vune,

Duel padija n’ krye te vendit;

Njerzt e kenun u poshtnuene,

Mbeten t’urtit jashte kuvendit.

Duel me faqe t’ bardhe tradhtari,

Shpirt e fis qe ka kuleten;

U ndeshkue pa dhimbe shqyptari,

Qi per fis jep gjane e jeten.

Shqypnise zani atehere i humbi,

T’ huejt mbi qafe i a vune thembren,

E e mbloj skami, terri e gjumi,

Djemte e vet ia lnuren zemren.

E shqyptaret, jo veç s’e nisen

Per keto pune perjashta Momin,

Por ma fort madje e konisen,

Msue gjithmone me nderue llomin…



NAKDOMONICIPEDIJA (1907) 101 vjetori i botimit



…Se dy barka n’at Sh’ Njin kane hi:

Njena mbushe me shkarpa te vjetra,

Me mend t’ holla mbushun tjetra.

Ranë shqyptaret athere n’ kuvend,

E tuj folun rend e rend,

( çka ndër ne nuk mbahet mend…)

E pleqnuen se per kete vend

Duhen shkarpa e jo mend…



METAMORPHOSIS (1907)



Per mue Shqypnija

Kufinj ma s’ka,

Nuk kam kund Atme (Atdhe)

As fis, as vlla.

Fis kam ma t’fortin

E vlla bujarin,

Per Atme barkun,

Per erz kam arin…



GJUHA E MSIMIT (1907)


Po a thue t’ shkruej permbi burrni ?..

Kot se kot kesaj pune m’ia hi:

S’kam çka i kndoj as çka ta kjaje;

Pse ka cofe mikrobi i saj…

Pra po shkruej permbi Shqypni

Si shqiptaret sot lejnë shakshi

Per me u kqyre gjithmone terthuer,

E si jane keta gur e unuer,

Qe kur ndeshen n’ shoqishojn

Zjarm e shkndija po flakrojne…



KOHA E ARIT NE SHQYPNI (1907)

…Sot ma shpejt nje thes me pleshta

Ti ban bashke se dy shqyptare.

Sa jane fise permbi dhe

Me bashkim kta n’drite kane dale:

Ka çite dreqi pushke mbi ne

Mos me u ba dy vete m’nji fjale.

…Sepse ktu kujton seicili

Se ka mend edhe me shitun:

Thue se mendja e holle e kshilli

Vijne prej vedit n’krye t’u rritun.

JO, heu paça ! S’jane mendte fieri

Per me u rrite neper morriza:

S’a ba i dijshem kush pa hiri,

Ndeje peshtete e tu njehe miza…



NEVOJA E MSIMIT (1908) 100 vjetori i botimit


Oh! Po, atëhere kur n’ shkollë zbutun shqyptari

N’ mni t’ketë marrun ai gjakun e dhunën

E me dije t’kete kapun ai punën:

Shqypnisë fati do t’i çilet taman.

NEN HAJAT TE PARRIZIT (1914)

Skanderbegu : A thue ka gjase se Shqypnija ka me pase nje Mbret te vetin?

Djalli
: Nji? Njiqind ti thuej! Ne Shqypni moj faqja e bardhe, hiqet zi me gjete se kush me ndigjue, ketu asht halli; pse per me urdhnue gjen sa te duesh; çdo çaush beledijet n’ Shqypni kishte me dashte me u ba Mbret, veç per mos me ndigjue…

Shen Pjetri : …Por per inat te djallit e te shqyptarve Zoti ka me e mbajte Shqypnine ne kambe me nder e me lumni...



PALOKE CUCA ( Poeme satirike, 1922) Fragment


Ah, ju grekomanë - do stramastikë qelbsina,

Motit si sot, ju te pabesë gjithmonë,

Me bark n’ Tiranë e kryet kthellë te Athina,

Rrashten të fortë si rrumi nen kumbonë

Që, sikur orli lëshon permbi stervina,

U lshuet ju mbi financa t’Shtetit tonë

E llapazana t’sterholluem tuj kenë,

Krejt mendsh i muert muhamedanë e t’kshtenë*.

……

*- krishterë

( Me “grekomanë” nuk nënkuptohen ortodoksët)


Tek Epika shohim te skalitura si postulate pjese te historise se vertete te Shqiperise, te miqve e te armiqve te saj sistematikë, si edhe fragmente qe mund t’i duhen çdo diplomati e diplomateje, kur shkruan per arsyet pse vriten shqiptaret me njeri-tjetrin.


Lahuta e Malësisë Kanga 19 (Pater Gjoni)


Po na thonë se Malit t’Zi

Petrogradi ia dha fjalen

Me hi mbrendë në Shqiptari

Turbull Drini ku rrmen valën

Edhe n’kambë ushtrinë ka çue

Ke Cetina Knjaz Nikolla

Malet tona me i pushtue

Ku i ban nana djelmt sokola.

Por kush tha Zot’ Harushes s’Verit

N’dorë tande a mbarë Europa

Dert mos ki per t’drejta t’njerit

Si t’duesh ndaje copa-copa?

Cili zot tha shkjaut: Merr drapnin

korr ku s’mbolle,mbjell n’arë t’hueja

Der ku t’duesh ti mate hapin

Shqiptaria asht n’duer tueja?

Ah! Kadale Cubi i Cetines!

Pse ti tash ke hasë me burra

Burra le per çark t’martinës

Do t’rrjedhe gjaku sot si gurra.

Pse shqiptarët janë ba me ‘i zemër

A me e derdhun tan n’luftë gjakun

A me e qitë t’shkyem nën themër

Sot tri bojnash n’llom bajrakun.

A kujton se për dhe t’Parit

S’dinë me dekë bijtë e Kastriotit?

A kujton se n’dej t’shqiptarit

S’vlon njaj gjak që pat vlue motit?



A i falisun ! Sot tagani

Me gjak tand ka për tu shkrue

Sot n’Europe ka me u ndie zani

Se i kujt gjak na’a n’dej tue vlue.

Çohi o bij të Skanderbegut!

Turq e t’kshtenë mos tu ’ndaj feja

Çohi e bini n’fushë të bejlegut

Tue gjimue ju porsi rrfeja.



T’ia diftojmë po gospodarit

Që e lodhe uja ke Cetina

Se Shipnija asht e Shqiptarit

Se me i’a prekë nuk len martina

N’kambë Mirditë, ti ndera arbnore

Per Shqipni sot me luftue.

.................

Lshou mbi Shkodër! Djelmt tuej nxirri

Me luftue sot me Nikollën

.. Bini Toskë ju n’pikë të vrapit

mos tu ndalin mal as zall

Naim Frashëri i ra Qitapit

Mos me e lshue Shqipninë për të gjallë

Ju prej Dibret, prej Bishkasit

Çohi djelm si shqipe t’lehta

Ka gjimon asht topi i Knjazit

Për Shipni t’mos u dhimet jeta.



Ma mirë dekë nën dhe me u kja

Se me marre (turp) gjallë mbi dhe

Për dhe t’vet kush dekë ka ra

Ai s’ka vdekun por ka le.



Burri, Leka e Kastriota

Amanet Shqipninë na e lanë

Amanetin e mban bota

Shqiptari edhe do ta mbajnë...

....



Disa vargje nga LAHUTA E MALSISE

…Shqiptaret armet i perdorojne

Kur t'mos vrasin shoqishojn,

Jo per t'sjell lirine Shqypnis,

Jo per t'mbare e t'mire t'njerzise,

Por per t'zgjedhe se ke ndër t'huej,

ZOT, Shqypnia do ta quej...



Tek Lahuta nje ligjerim ne gojen e Marash Ucit mund te cilesohet si amanet i Fishtes per brezat, nje “shkolle” e vertete edukimi per kohen, pse jo edhe per sot...


LAHUTA E MALCISË

(Kanga e 12-të, Marash Uci)



Amanet un ‘jam t’u lanë,

Me ruejtë gjanë, me kqyrun sta’n,

Armet e mbushme mos me i dhanë,

Me shokë tuej kurr mos m’u xanë

Mos m’u xanë, as mos m’u nga

Pse n’ditë t’ngushtë këta u gjinden vlla

Si me pushkë ashtu me uha.

T’huejn me fjalë mos t’ a poshtroni;

Bukën para, por t’ia shtroni

N’Shqiptari si a kenë zakoni:

Me i besu mos i besoni!

Edhe n’mend kinje nji fjalë:

Zemres s’frytë me i lanun dalë;

Fjalët për pajë kurr mos me i ndalë,

Ujit turbullt mos me i ra,

Mos me i dalun n’va t’pa va;

Me iu ruejtun shakës tërbueme,

Me iu ruejt , po, grues së lshueme;

Vendin tuej me dashtë përore,

Me ruejt besë, mos me çartë ndore.

Per deshmoret ne Letersine Shqipe zor se gjendet ndonje poezi me e bukur e dinjitoze. Po tek Lahuta, tek kanga Ndermjetesia, nje perle e veçante per harmonine fetare te vertete ne Shqiperi. Per vleren e shkolles: tek “Nevoja e Msimit”.

O ata t’lumtë qi dhanë jetën,

O ata t’lumtë, qi shkrinë vehten,

qi për Mbret e vend të Parve,

qi për erz e nder’ t’Shqiptarvet

derdhen gjakun tue luftue,

porsi t’Parët u pa’n punue!

Lehtë u kjoft mbi vorr ledina,

but u kjofshin moti e stina,

ak’lli, bora e serotina:

E der t’kndojnë në mal ndo i Zanë,

e der t’ketë n’det ujë e ranë,

der’ sa t’shndrisin diell e hanë,

ata kurr mos u harrojshin,

n’kangë e n’valle, por u kndojshin.

E njaj gjak qi kanë dikue,

ban, o Zot, qi t’jesë tue vlue

për m’ia nxe zemrën Shqiptarit,

për kah vendi e gjuha e t’Parit!





LAHUTA E MALCISË

Ndermjetësia

Unë zotni n’ushtri kam dalë,

jo me Turq, por me Shqiptarë,

turq a t’kshtenë si janë gjith mbarë.

Pse si t’kshtenë si muhamedanë

Shqipninë s’bashkut t’gjithë e kanë

e prandej t’gjith do t’qindrojmë,

do t’qindrojmë e do t’luftojmë,

do t’bahmi kortarë-kortarë

Priftën, Fretën, Hoxhallarë.


Tek lirikat, te poezia Shqipnia e Lire (1921) shpreson se Flamuri Shqiptar do te valvitet ne Kaçanik, qe sot u ba realitet ne Kosove. E pastaj me radhe bukurite e poezive lirike, te pashoqe ne Letersine Shqipe; si

Gjuha Shqipe, Atdheut , Shqipnise, etj ku njera me e bukur dhe e vlerte se tjetra...

GJUHA SHQYPE


Porsi kanga e zogut t'verës,
qi vallzon n'blerim të prillit;
porsi i ambli fllad i erës,
qi lmon gjijt e drandofillit;
porsi vala e bregut t'detit,
porsi gjama e rrfés zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu a gjuha e jonë shqyptare.

Ah! po a e ambël fjala e saj,
porsi gjumi m'nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhe ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka'i bien qiellvet tue flutrue
n't'zjarrtat valle t'ameshimit.

Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis',
trashigim, që na la i pari,
trashigim s'ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja
flet, e t'veten lén mbas dore.

Në gjuhë shqype nanat tona
shi prej djepit na kanë thanun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhanun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t'enden stina e moti,
do ta gzojn k'ta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik' ma para,
n'agim t'jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp ma s'pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n'dorë t'shqyptarëvet,
kah kanë dekë k'ta për dhé t'Parvet.

Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi'i rruzllim mbretnin s'i e xuni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t'ndrisë e diellit rrota,
kanë me kenë ndera e trimnive.

Pra, shqyptarë çdo fés qi t'jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t'uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t'jetë jeta,
por për té gjithmonë punoni;
pse, sa t'mbani gjuhën t'uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s'huej,
N'per gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n'za, sikurse jini.

Prandaj, pra, n'e doni fisin,
fusha, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t'brohrisim:
Me gjuhë t'veten rrnoftë Shqypnia!



ATDHEUT

(1902)

Dersa t’mundet me ligjrue

E sa gjallë me frymë un jam,

Kurr, Shqypni, s’kam me t’harrue

Edhe n’vorr me t’permend kam.



SHQYPNISË

(1909)


T’ falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!

I lum njimend jam un n’gji tand tue rrnue,

Tue gzue t’pamt tand, tue t’hjekë atë ajr t’kullue

Si Leka i Madhi e Skanderbegu i biri

Kje Lumi vetë, qi mue m’dergoi ksi hiri

Për nën qiell tande t’kthielltë un me u perftue.

Malet e hjedhta e t’blerta me shikjue,

Ku Shqypnija e Burrit s’dron se i qaset niri.

Ktu trima lejn gjithmonë, pse ti je nana

E armvet n’za, qi shndrisin duert e t’lumit,

Kah des për ty i rrebtë e trim si zana:

Eden n’Balkan ti je; ti prej t’Amshumit.



SHQYPNIJA

(1913)

Kaq të bukur,kaq të hijshme

Perendia t’fali i Amshueshëm

Sa dhe deka asht për Ty e shieshme,

N’gji Tand vorri asht i lakmueshëm.



MRIZI I ZANAVE

28 Nanduer 1913


Flamuri kombëtar nuk ka ç’ka ban nder ne,

Po kje se dashni nuk kem’ për Atdhe!

E, drue dashni për Atdhe nuk ka shqiptari;

Me gjasë, s’çan kryet shqiptari për komb t’vet,

As pse Shqipnia n’vedi u ba sot shtet;

Pse e shoh se veç atje ku xhixhllon ari

Pa frymë e tue dihatë vrap ai nget,

Si Krishtin shiti Juda Iskarjot,

Drue Atdheu ndër ne po shitet për një zallotë….



SHQIPNIA E LIRË

(1921)


Do t’valvitet m’Kaçanik

M’Kaçanik, po, do t’valvitet

Kuq e zi Flamuri i shqyptarvet,

Përse toka shqyp ku flitet,

Ajo vetë asht, q’i prej t’parvet

Trashigim na e kemi pasë:

Mbrendë i huej, jo ma s’do t’shklasë,

Posë atëherë kur vjen për mik.

Jo, jo: sot na ktu sundojmë;

Ktu s’hecë fjala e tjetër kuej;

Gjall Lirin’ na nuk e lshojmë

S’njohim mbret as krajl të huej.

Zoti n’qiell e na mbi tokë:

Me gjithkënd vllazen e shokë,

Por se i cili m’cak të vet.



Pergatiti Z. Skanjeti
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 3 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 02 Dhjetor 2020, 12:07
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari