Letra dhe lapsi nje misherim i vargut ku letrari le gjurme ne historine dhe legjenden e nje kombi.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
PERPARIM HYSI - POETI I MADH SKRAPARLI
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4552
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
PERPARIM HYSI - POETI I MADH SKRAPARLI, Posted 10 Tetor 2009, 09:49
Duke prezantuar poetin lirik Perparim Hysi
Imazh

Duke prezantuar poetin lirik Perparim Hysi


Duke prezantuar poetin lirik Perparim Hysi

Poeti lirik Përparim Hysi ka lindur në Petovë të Fierit,nga dy prindër me origjinë nga Skrapari.Shprehet me krenari se është myzeqar dhe skraparlli .Arësimin e hershëm e ka bërë në shkollën 7 vjecare unike ,në Fier.Më pas vazhdon shkollën pedagogjike për mësuesi në Elbasan.Një dashamirës i apasionuar pas letërsisë ,vazhdon studimet në degën gjuhë -letërsi , në kushte të vështira ekonomike dhe biografike ,ku ja del me sukses.Më pas punon mësues në rrethinat e vëndlindjes së tij ,dhe Inspektor ne Departamentin e Arësimit në rrethin e Fierit .Një dashamirës e librit ,një lexues i përkushtuar ndaj librave të kohës ,aq sa kur ishte student e përjashtojnë një javë nga konvikti ,se e kapën duke lexuar "libra të ndaluar ",pikërisht "Waterlone" e Hygoit .I ka mbetur në kujtesë dhe me një respekt e mirënjohje të vecantë të flet për librin e Mustafa Greblleshit "Gremina e dashurisë",për profesorin e tij Azmi Stringa apo si i pëlqen ta thërrasë- Babë Stringa. Ka filluar të shkruajë që në adoleshencën e tij,por ndjehet i trishtuar se përshkak të persekutimit të familjes i duheshe t'i griste .Kontaktet e para me "Hamletin " shqiptar ,aktorin dhe regjizorin e madh shqiptar,-Kujtim Spahivogli-, i ruan si një "relike" nga më të dashurat dhe të cmuara të jetës së tij. Lirikat e tij dallohen për frymën e dashurisë që me figura artistike dhe metafora të goditura nxjerrr vargje pafund në dedikim të ndjenjës më të bukur : Dashurisë së shëndetshme dhe njerëzores -shprehet poeti.Ato kanë një finesë ,harmoni në varg ,muzikalitet- sa të bëjnë t'i lexosh me zë të lartë.Luan me penën ,si luan piktori me penelin.Në bisedë me të është një njeri shumë modest ,interesant me një shpirt të madh,babaxhan,i ndjeshëm,që vetëm dashuron të bukurën ,të mirën -njerëzoren.Kur kujton Drita Comon,Teodor Kekon -shikon lotë në sytë e poetit .Shpreh dhimbjen për ta në vargje.Është shumë prodhimtar ,një poet me sqimë ,por edhe një prozator i mirëfilltë.Lirikat e tij të dashurisë pëlqehen nga lexues të shumtë ,ku spikat mosha e rinisë,të cilët nuk ngurrojnë t'i vlerësojnë vargjet e tij me frymën persiane ,apo naimiane -disa edhe me frymën lasgushiane .E quajnë -Poet i Dashurisë- me plot gojë ,të dashurisë si ndjenjë ,por edhe si filozofi me një kuptim më të gjërë të saj,si pasurinë më të cmuar që zbukuron vetë jetën dhe ekzistencën njerëzore .Por për të mësuar më shumë rreth këtij poeti lirik ,unë i morra një intervistë ,ku ai tregon bukur ,rrjedhshëm ,për jetën,krijimtarinë dhe projektet në të ardhmen.Të bie në sy ,në këtë bisedë ,atë c'ka ai e pasqyron në vargje e prozë -"besnikëria'që poeti tregon ndaj dialektit të origjinës së tij.

Nga Raimonda Moisiu

Nje kenaqwsi e vecante te bej kete interviste me Ju. Kush wshtw Pwrparim Hysi dhe dicka nga fwmijwria Juaj?Së pari ,zonja Moisiu, më lejoni t'ju falënderoj për këtë intervistë
që,të them të drejtën,nuk e prisja.

Ju,dhe nepermjet jush,lexuesi do të dijë se kush është Përparim Hysi?

Kësaj pyetjeje më lejo që t'i përgjigjem me disa vargje të shkurtëra që
kam shkruar për vete:
Po thanë për mua:si mësues?
Çka,mesatar.
E pse do mërzitem,unë,vallë?

Po thanë:si poet?
Shkruan shumë e për lumë
E pse do mërzitem unë?

Por,po thanë,se dikë
ZHgënjeva si njeri,
Atëherë,kush t'më dojë,
Të më qajë me oi...


Megjithatë,për të patur një ide se kush është Përparim Hysi,jam një fshatar den babaden që kam lindur në Petovë të Fierit dhe banoj në një fshat ngjitur me Petovën:në Mbrostar-Ura.Këtu kam 50-vjet që banoj,sado që kam mbi 20-vjet që pashaportizimin e kam në Fier.Kam punuar për 41 vjet në arsim dhe nuk kam lënë fshat të Fierit pa shkelur me këmbë.Fëmijëria ime:ka qenë e vështirë,si për gjithë brezin tim,që,ndonëse për arsye moshe nuk mora pjesë në luftë,po krismat e luftës kushedi sa herë ma prishën gjumin.Kam mbaruar uniken(7-vjeçaren)në Fier duke bërë çdo ditë vullnetarisht, domosdo,afërsisht 6-7 orë rrugë në këmbë,se shtëpinë,në Petovë,e kam patur reth 45 minuta larg nga Manastiri i Ardenicës(objekt i njohur nga të gjithë!).Kuptohet 6-7 orë vajtje-ardhje.Mandej kam mbaruar pedagogjiken "Luigj Gurakuqi"në Elbasan dhe kam dalë mësues(jam emëruar në 7-vjeçare) më 1 gusht1959.Nga kjo datë dhe deri në nëntor të vitit 2000 kam punuar mësues në fshatra të ndryshme të Fierit dhe vetëm në vitet 1996-2000 kam punuar si inspektor për gjuhë-letërsinë shqipe në Departamentin e Arsimit Fier.Nga viti 2000 dhe sot kam ardhur,përkohësisht,në USA dhe mezi pres të kthehem.Sa kam shkruar:"

Ashtu si pulën shqirake/
nuk e zë gjumi/
pa parë në ëndërr/
sikur ha grurë/
ashtu dhe mua nuk më zë gjumikëtu,/
pa parë në ëndërr Shqipërinë/
që s'e kam parë ka qëkur.../

-Kini mbaruar per Gjuhe -Letersi,c'ju shtyhu te studionit ne kete dege?
.
Po kam mbaruar për gjuhë-letërsi dhe me korrespodencë se nuk plotësoja kushtet"teknike" për të vazhduar të lartën. Së pari,kam mbaruar 2-vjeçarin dhe,mandej,kam dhënë provimet plotësuese.Pa modesti të rreme, edhe me korrespodencë them që duhet të jem krenar për rezultatet. Ju më pyesni ç'më shtyti për këtë degë?Rasti është mbreti i botës, thonë.Unë them që kështu është.Kam qenë nxënës i klasës së gjashtë(unike)kur im atë,më dha një trastë me miell për t'ia çuar një gruaje plakë me të cilën kishim të bënim.Djali i saj studjonte në Bullgari(ka qenë viti 1953) dhe,kur i çova trastën, plaka jo vetëm më ftoi në shtëpizën e saj(me qira e kishte),por më la si lisho.Befas më vajtën sytë tek ca libra.E para që kapa me dorë qe"Gremina e dashurisë" e të ndjerit Mustafa Greblleshi.Fëmijë,më shumë më tërhoqi kopertina se sa ç'thuhej atje.I them plakës:-Ta marrë këtë librën?-Nuk i merr të tëra?E mora dhe sa sosa në shtëpi pas shkollës,iu futa me të lexuar.Aq më tërhoqi,sa qaja se ngjarjet atje i merrja krejt si të vërteta dhe thosha:obobo,ç'e gjeti Memlin!(një personazh).Mandej nuk iu ndava plakës dhe m'u bë huq.Gjithësesi huqi i mirë.Kur shkova në Elbasan, Babë Stringa,profesori babaxhan i gjuhës dhe letërsisë,i nderuari Azmi Stringa, më furnizonte me libra dhe veç kësaj, nëElbasan,kish një librari me antikuar(po të shpehem kështu), me libra të vjetra,që i shiste një librar me emër Sulë Kurani.Duke e ditur se qeshë konviktor,m'i jepte me kusht (për tërë natën ta mbaja dhe t'ia ktheja pas mësimit). Kushedi sa libra kam lexuar nga ai libradashës dhe njeherë, po nga librat,e pësova.Më përjashtuan për 1javë nga konvikti se në orar të studimit lexoja një nga ato"të ndaluarat".Qe Waterloja e Hygoit(fragment,me siguri):Kështu që në poezi timen kam thënë se dhe unë kam"Waterlonë" time në letërsi.Në Elbasan,veç të ndjerit Babë Stringës,kemi patur një tjetër të nderuar:profesor Besim Qorrin që edhe kish përkthyer. Po shkrepsen për të më ndezur zjarrin e dashurisë për letërsinë,pa dyshim,e ka mësuesja ime e 7-vjeçares, e madhja Vjollca Omari që,kur e kisha mësuese,nuk e dija se ajo ishte e motra e Mustafa Greblleshit. E atij që ma ndezi këtë pasion:për të lexuar.Më vonë,u njoha me Mustafan dhe me profesoren(që për fat të mirë rron,ende)shkëmbejmë tepsitë,qoft edhe me telefon.

-C'kuptim ka per Ju,fjala "MESUES"
Të jesh mësues dhe ç'kuptim ka kjo fjalë?

Po i përgjigjem kësaj pyetjeje të vështirë,me nja dy shëmbuj. Gjatë luftës së madhe patriotike të BS,u dekorua një luftëtar me medaljen e Heroit të BS.Kur e pyetën se çfarë do thoshte, tha:-Këtë dekoratë shkoni dhe ja vendosni mësueses sime, se ajo më ka mësuar që të jem i tillë.Tjetër(unë e kam trajtuar në një tregimin tim këtë përjetim), një mësues i pedagogjikes në Elbasan,la,mes tjerash,në vjeshtë edhe mbesën e tij.Kjo që s'e priste nga xhaxhai, shkoi e u hodh në lumë.Të mbytej. E nxorri një ushtar dhe kur ai i degës e ballafoqoi "viktimën"me "persekutorin",mori vesh që profesori qe xhaxhai i saj.Biseda:-More,profesor,nuk i vije një tresh,po desh u mbyt jot mbesë? Profesori:
-Dëgjo,kolonel:-Po deshe t'i vësh kazmën një vëndi,kualifiko njerëz të paaftë! Besoj se e more përgjigjen se kë quaj dhe si e vlerësoj unë punën e mësuesit.E përjetoj me dhimbje degradimin e kësaj figure kaq fisnike siç është ajo e mësuesit.

-Deshiroj qe bashkekombasit tane lexues t'ju njihnin me mire .Do doja t'ju pyesja mbi c'ka keni shkruar nder vite .Cila eshte gjinia e Juaj ,me e preferuar?

4.Ç'kam shkruar në vite?Është pak evazive pyetja dhe po bëj pak një digresion të gjatë.Krimbi për të shkruar më ka ngrënë që heret.Të paktën,sa dola mësues.Po kam qenë pak me "qere" dhe më hante, shpesh,koka.I vura kyç këtyre punëve se pasqyrat ishin përpara.Më kujtohet,veç tjerash,që takova aktorin dhe regjisorin e madh,të ndjerin Kujtim Spahivogëli.Kryente internimin në fshatin tonë,tek poligoni i bonifikimit.Jepte e merrte me një platformë betoni për ta hedhur mbi një reportabël, po s'mundëte. Lashë bicikletën që ta ndihmoja,kur ç'të shoh?Të madhin dhe të bukurin Kujtim dhe i them:
-Hamlet,këtu,ti?-Pse më njef?-ma ktheu ai.
-Po si nuk të njoh?(por sytë i bëja katër se ia befi një"hafije" që më njihte dhe e njihja.E ndihmova dhe fluturova mbi biçikletë. Se thashë që isha me"qere".Shkova në shtëpi dhe shkrova"Hamleti në Mbrostar-Ura".E shkrova, por,kur po bëja një orë letrare për"syrin vigjelent të popullit"m'u fanit,ky"sy" dhe,sa sosa në shtëpi,e grisa dhe e dogja.Kam djegur plot letra dhe libra.Se frikën e njihja dhe nuk dua të rrah gjoksin si trim.Se siç kam shkruar diku:"Kam djegur letra/kam djegur dhe libra/Ajo kohë si mesjeta/qe mbushur me dimra/.

-Ju jeni autor i disa librave,me poezi, shkruani tregime ,esse etj.Si ju lindi ideja pwr t'i shkruar ato. Mesazhi qw ju transmetoni dhe nga e kini marrë inspirimin?

Fillova të shkruaj poezi pas viteve 1990.Poezinë e parë që ma kanë pëlqyer të gjithë e kam shkruar për Mbretin e Lirikës,Lasgushin.Ma pa Koço Kosta dhe e mori me vete. Kur marr vesh që e kish botuar tek "Drita".Gjej rastin ta falënderoj Koçon se që atëherë s'e kam takuar më.Mandej vazhdova me poezi lirike dhe,kur u bënë gati nja 250 copë i botova tek libri "Rektimat e dashurisë". Pastaj,ashtu si oreksi vjen duke ngrënë,vazhdova dhe po me poezi lirike.Në Shqipëri botova 4 libra me poezi lirike dhe,kur po dërgoja të pestin(po me poezi),erdha në USA,tek djali që jeton në Florida.Libri mbeti në sirtar dhe po atje është,duke pritur.Mirëpo jo të gjitha mund t'i thuash në poezi dhe e bëra si ai pijaneci që,sa la verën, filloi rakinë.Fillova nga proza dhe vazhdoj të shkruaj paralelisht:edhe prozë,edhe poezi.

-Lexojm lirika dashurie nga pena Juaj,me te ndjerat,me te bukurat,sa ju quajne Poeti i Dashurise

.Kur nje poet apo profesionist shkruan bukur,kur eshte i dashuruar apo kjo nuk varet nga dashuria?\
Është e vërtetë që lirikat e mia,venë nga venë,dhe vërtiten reth dashurisë.Po a nuk është dashuria ndjenja më fisnike?Në krijimet e mia ka,s'do mend,përjetime,por,do spekulloja,po të thosha që nuk ka dhe ndonjë zbukurim.Se nuk kam fotografuar duke bërë"blic",por edhe kam lozur pak me penën ashtu siç bën një piktor me penelin e tij. Në ia kam arritur apo jo?Kësaj pyetje i përgjigjet lexuesi,i cili,më ka vlerësuar edhe më shumë nga sa e meritoj.Këto vlerësime nga njerëz të ndryshëm,nga vende të ndryshme,nga njerëz të panjohur fizikisht prej meje,më kanë mbushur me frymëzim që ta mpreh edhe më mirë lapsin kur shkruaj.Dhe mund të them,se raportet me lexuesit i kam të mira.Për mos thënë: shumë të mira.Ajo që më këndellë në atë mori simpatizantësh të shkrimeve të miat,veç tjerash, kur këto vlerësime vijnë nga njerëz që jo vetëm janë njohës të poezisë e të prozës,por dhe krijues me prëvojë në këto gjini.

-Po citoj titujt e librave qe Ju kini botuar ,kryesisht ,Lirika Dashurie:
"Rreketimat e dashurise"
"Prushi i dashurise"
"Me piku dashuria" dhe ,
"Lufte" me dashurine"

Fjala dashuri kudo.Cfard keni bere Ju per te marr kaq shum dashuri nga jeta?

Librat që kam botuar,kryesisht,me lirika janë:
.Siç shihet,unë vuaj nga ky obsesion:nuk i këndoj dashurisë as si Don Zhuan dhe as si Kazanov.Unë dashurinë e dua të shëndetshme dhe për këtë lloj dashurie dhe këndoj.Nga ana tjetër,unë i këndoj dhe dashurisë jo vetëm si eros dhe aq.Por si dashuri njerëzore.Se kjo,dashuria njerëzore,po e humbet dimensionin human.Po të shprehem me një eufemizëm pak vulgare,do të thosha,pa frikë se në këtë botë unë mbeta fukara se 30 kg vajguri i kam djegur në muaj me hallet e botës.I dua njerëzit dhe për këta kam kënduar.Kam qarë për Drita Çomon dhe me një miken time me një poezi e ngushëllova të ëmën,Lirinë.Po kështu kam vepruar për të ndjerin T.Keko dhe jo vetëm ngushëllova familjen me një poezi enkas për të,për Dorin që ishte aq njerëzor,por më erdhi keq që tek "Drita" nuk u pa e arsyeshme të botohej se bënte"hije".Dhe kush një i panjohur si unë.Mikesha ime, z.Meri Lala,mejgithatë arriti ta botonte tek një gazetë XXI(s'e di a del më sot?).Po ndoshta,Meri,arrin ta lexoj këtë intervistë dhe i rithem:që nuk e harroj altruizmin e saj.Po kur pashë që mbushur plot mllef nga snobizmi i njerëzve,një shkrimtar i madh portogez,Fernando Possio,bërtiste:-S'kam parë asnjë Budë apo Krisht që të sakrifikohet për mua!Dhe paskësh të drejtë.Njerëzit janë bërë të vegjël,por unë ja që nuk ndryshoj dot tani,nga"darka".Ndaj dhe librat e mia kumbojnë dashuri. Dashuri njerëzore,ku,padyshim, rolin embretëreshës e ka dashuria për të bukurën,tapinë e së cilës,pa dyshim,e mban femra.Se nuk thuhet djalë i bukur,por i mirë.Kurse për femrën, e thua me plot gojën:e bukur dhe,po u cfilite si unë (e them me të qeshur,domsodo!) përpjek edhe buzët dhe e lëpin mirë e mirë.Epo kështu jam unë.Se,kur thoshte një miku im, me këto buzë që kemi dhe do puthemi.

-Ve re titullin e nje libri "Rreketime....".Kur filluan "rreketimet" e tua te para ne letersi,ne poezi, proze a tregim? "Rrekëtimat" e para i kam patur në poezi se poezia(a s'e ke vënë re,rimon me fjalën dashuri? Sikur janë motra siameze.)

-Fjala dashuri eshte aq e bukur aq edhe e pergjithshme .

Ku qendron forca e dashuris qe ju frymzon me shume, te jetoni apo te shkruani?

Dua të jem i sinqertë: diku kam thënë se,kur dashuron,edhe qielli,edhe pylli,edhe rruget janë ndryshe.Ore nuk je në take-tuke fare:nuk je më në tokë,po ke shkuar në qiell. Kështu ndodh që mbushesh energji dhe diku do t'i harxhosh.Dhe shkruaj.Kurrë nuk kam shkruar për një gjë të stisur.Dhe,po shkrova,del si pastë e thatë.Dhe kjo "dehje" ,po të shprehem kështu,nuk pyet as për moshë.Se vërtet djaloshit Honore(Balzakut të madh)i thoshte e ëma,mos shko tek gjitonia se i janë rritur çupat dhe s'ka më lezet.Po ai jo bënte tutje,por u dashurua me të ëmën e çupave kur ajo ishte bërë gjyshe.Dhe kjo qe dashuria e madhe e tij.Ajo e konteshës Hanska qe me korerspodencë që,pa u ndezur mirë, u shua.Apo Gëte Gjeniu qe 75-vjeç kur vrapoi qe kërkoi dorën e një nuseje të re.Është qorre dashuria,-shkruaj unë.

Dhe për ta mbyllur:

Autoportret
Një burrë pakësa i ngjallur
Lëre mos e nga,sa shëmtaraq!
Se jeta me shkop më ka rrahur
Dhe ja portreti im,sakaq!

Sytë po e humbin shikimin
Në kokë ka filluar dëbora
Në shpirt sikur kam gjithë njerëzimin
Rrebeluar me padrejtësitë në kohëra.

Koha
Koha ka veshur pantofla
Dhe reshperon pa u ndjerë
Po mua pse më bloi në mokërra
Ç'është ky mister?!...

-.Jeni nje krijiues i mirfillte ne proze-ne gjinine e tregimit .I vlersuar nga kritika letrare dhe lexuesit e shumte qe ju lexojne.Sa qendron kjo te tregimet Tuaja?

Për tregimet e mia,ka një histori të veçantë.Ato janë veç përjetime dhe unë vetëm sa i kam limuar ato.Përgjithësisht,i pëlqejnë dhe çuditem,kur dikush më pyet,ore kush është filani apo filanka(se dihet që ,nganjëherë,i kam mistifikuar personazhet.

-Ju kane vlersuar Poet i dashuris, poet me vargje naimiane dhe lasgushiane .Stili dhe menyra e te shprehurit , jan shum te goditura e te bukura.Sa qendron kjo per JU?

Më kanë qujatur poet të dashurisë.Epo,siç thotë, Pablo Neruda: "Poetët dashurojnë tërë jetën". Balzaku,duke folur për dikë,ka shkruar:"Siç duket,ka mbetur i ri nga vesi!".Dhe mua më duket sikur këto gjëra i kanë thënë për mua.Se ti je si shpirt,-më thotë një zonjë e panjohur,frymëzuar nga ç'lexon. Po unë që"jam si shpirt","kam mbetur i ri nga vesi",se,po të më shohësh tamam -tamam,jam si një pikëpyetje tanimë. Por ka rëndësi,shpirti,më thotë,një tjetër.Dhe unë ia kthej:
-Fjala jote në vesh të perëndisë.

-Duket sikur gjinia e Juaj e preferuar eshte poezia ,proza ,tregimi.A keni shkruar ,roman, reportazhe, publicistike ?

Po gjinia ime e preferuar është poezia dhe,kryesisht,ajo lirike.Unë shkruaj me rimë dhe,ndoshta,jam një fanatik i vonuar i të shkruarit me rimë.Shkruaj tregime,por,sado që dikush,më këshillon për një roman,e konsideroj si luks të tepërt.Se do një durim të madh që mua më mungon.Kam bërë edhe ndonjë shkrim kritik për ca libra(mund të jenë nja tetë të tillë)dhe asgjë tjetër.

-Tregimi "Leter per Delikaten "Nje tregim i vlersuar shum, i pelqyeshem nga lexuesit .Si ju lindi ideja per ta shkruar ,C'mund te na thoni per te?

Tregimi"Letër për Delikaten?!" është vetëm sa për fillim dhe nuk ishte vendi për ta dhënë në tërë densitetin e tij.Është i ndarë në tri pjesë:Letër me litar në grykë;Pas orës së këngës dhe kjo që kini
lexuar ju.Është ngjarje e dhimbshme(ndaj ka aq dashamirë) se edhe sot ne s'i kemi gjetur eshtrat e xhaxhait tim,Hilmi Hysi, që u pushkatua me grupin e dytë të deputetëve(me Riza Danin e CO...)duke qenë edhe chok me E.Hoxhën. Delikatja... e pse do të pendohet ajo?!Megjithatë,kur të
kem kohë, do ta sjellë si një të tërë të gjithë ketë dramë familjare që e kam vuajtur mbi kurriz për nja 50-vjet të mira. Sa për vërtetësinë e tregimeve të mia,do të thosha.Në morinë e madhe të poetëve që njoh,jam ndalur tek një poet i madh spanjoll.Leon Filipe quhet.Ky thotë:-Unë shumë gjëra nuk i di.Po unë kurrë nuk shkruaj për gjëra që s'i di.Pra,dhe unë shkruaj vetëm për gjëra që di.Tregimet e vërteta,-thoshte Gorki,- janë përrallat më të bukura.

-Ne tregimet Tuaja kini trajtuar nga jeta e perditshme e njerezve te thjeshte , e familjes shqiptare ,brenda kornizave te mentalitetit shqiptar ?Si ndjeheni, kur degjoni,pwr krimin ne familje ,veset e tjera qe ka perfshire rinine ,droga ,prostitucioni etj, Si mund te reflektoje shoqeria shqiptare per lehtesimin e ktyre plagve ?

Mediat,e përciellin nën okelion"Rubrika e zezë",për mendimin tim,porblemi është disaplanësh dhe,si i tillë,do një trajtim po disaplanësh.Këto njolla të zeza që nuk janë vetëm shiqiptare, duan një punë të kujdesshme,po se po,së pari nga shteti dhe nga organet që merren me këto probleme sociale, ku, padyshim,rol parësor ka drejtësia që me ligjin(se ligji është) mos loz arushë.Letërsia ka ndikimin e vetë,por ja tek sfidohet nga të tjera instrumente që kanë trysninë e tyre, ndonjëherë, për fat të keq kjo trysni dikon për keq.E kam fjalën për televizionin dhe ca më shumë interneti që ka jo vetëm përhapje të madhe,por me kompjuterat bëhet "hataja". Aty gërmohet dhe"luçidohet"(në mund të shprehem kështu)pothuajëse shumica dërmuese e njerëzve.Kur them kështu,kam parasysh të rinjtë,adoloshentet që gjejnë aty oazin e Edenit.Pastaj,marrin përpjekur,bëhen pervers,kryejnë krime dhe deri në inçeste.Natyrisht,zor se gjen krijues që të aspiroj me shkrimet e tij në favor të këtyre rudiminenteve, por, pavarësisht, krime të tilla ndodhin dhe ajo që të alarmonë,është se shteti(të paktën deri tani)ka kapitulluar .Kur them kështu,kam parasysh qindra familje të ngujuara, nga frika e hakmarrjes.Pra,kemi ecur mbrapa.Pse ligji vepron me karshillëk duke i shkelur synë kanunit. Baballarët e Kombit e dinë mirë,por aq u bënë.Kjo është vajtuese.Se po bëri karshillëk me anarshinë, shteti shpejton fundin e vetë. Aty nga fundvitet '60-të të shekullit të kaluar seç doli në Francë një grup"OAS" që po vërviste"pleshta"(ma merr si metaforë!), por DeGoli jo vetëm e mposhti me forcë,po e zhduku pa nam e nishan.Kanuni,vetëgjqësia,vrasja,janë çibane në trupin e shoqërisë.Metastazat e tyre janë kanceroze (madje,pa e tepruar,mund të them janë kacer galopant!). Dhe o duhen hequr çibanët,o trupi do vdesë.Kjo që them ka vlerën e një aksiome.Se unë shtroj vetëm një pyetje:-Ku ishin ata"kanunarët" për 50-vjet përpara '90-tës?Mos regjimi i atëhershëm i zhduku me shkopin magjik?Natyrisht, e dinë të gjithë:me forcën që ka shteti!A në do shteti të bëj se
gjasme është kundër dhe loz arushë(siç edhe ka lozur),këtë gjë s'ka letërsi që e ndreq.Dhe e di pse?Se mbi letërsinë, prozën, poezinë, teatrin,operën e të tjera,e të tjera,kur thoshte i pavdekshmi, DORI KEKO,ka një magnet që tërheq më tepër.Magneti,për fat të keq,është kthyer permanent.U është dhënë liçencë rrugëve të lehta vetëm për pragmatizëm. Janë ngritur "Bingo";kazino ku dihet që pjellin çthurje.Kjo i ngjet atij fatit tragjik të druvarit që pret pemën mbi të cilin ka hipur.Për të fituar ca para(të pista,domosdo)shteti inkurajon krimin.Moshat e reja braktisin shkollat,blejnë dëftesat, fitojnë konkurse dhe..."mos i nga të marrin brinjën",kur thonë andej nga Labëria.Por "baballarët e kombit" nuk i shohin. Faj është bërë xhaketë që nuk e vesh askush dhe ndodhin, mandej, perversitete që të alarmojnë.

-Si ju duket kritika letrare sot ? A ka kritike te mirefillte letrare? A mund te na thoni dicka per kete teme qe shqeteson njerezit e letrave shqipe?

Për kritikën?Mendimi im(dhe jo vetm imi!)është që kritika në letërsi,pothuajëse,ka vdekur.Se është ndjerë fare pak a më mirë aspak.Kritika kur bëhet nga një njohës i mirë i letërsisë, si p.sh.i profesor Kallullit(m'u bë qejfi që iu dha stati i akademikut) ka vlera dhe i vendos pikat mbi i.Në se do të bëja një analogji banale(anologjitë dhe krahasimet,rrallë janë të qëlluara) do të thosha:në se letërsia e mirëfilltë i ngjan një pylli të madh veselitur nga duar kopshtarësh për t'u patur zili,kritka nga na tjetër ka shtatin e shkurreve.Se ka një të vërtetë që nuk e luan topi:në botë ka shkrimtarë e poetë të mëdhenj(përfshi dhe nobelistët),por deri tani historia e letërsisë botërore, kritikët e mirë i ka si gurë të çmuar.Këta dihet që janë pakicë dhe mezi i gjen.Sidomos,në Shqipëri,ku kritikët zor se plotësojnë gishtat e dy duarëve jo se jo,por dhe të një dore.Ndoshta jam i gabuar dhe ky përcaktim imi është shumë subjektiv.Nga ana tjetër,rrallë gjen kritikë të kenë bonsens kur gjykojnë një vepër letrare.Aq radikalë janë, kritikët,në tërësi,sa Gete që kanë Gjeni në fushën e Letrave,e ka lënë me shkrim:
"Bjerini me shkop!I thoni:të ikë!Është kritik." Dhe,në mos gaboj,(se kujtesës i referohem!)më duket se thotë trroç: është ilig. Kur Gete ka shkruar kështu,të tjerat janë të lexueshme. Të më falin ata që merren me kritikë se me këtë nuk dua të lakojë njerëz të veçantë,por veç e solla si citim dhe aq.

-Kane thene per Perparim Hysin......

Ç'kanë thënë për mua?Gjeografia e njohjes sime është e kufizuar.Në përpjestim tëdrejtë me pozicionin shqëror që kam patur dhe,veç kësaj,edhe për arsye të tjera:objektive dhe subjektive.Kur them kështu,ki parasysh,olexues,që unë kam qenë mësues tërë jetën fshtarave të Fierit dhe jam pak si ai "Shterpari" i Naimit të madh:"Shterpari s'i qaset stanit/por në pyje,bie e ngrihet...",për mos shkuar më tutje.Pra,isha një mësues që duhet të mbyllja shkarpën(kam thënë që kisha "qere") dhe kam qenë me fat edhe me kaq.Megjithatë,kur fillova të shkruaj unë,pak nga pak,filluan dhe të më njohin.Po i filloj me përshtypjen e një burri(kish patur të shoqen shitëse djathi dhe dyqanin(i zoti për biznes) e kish kthyer në shtypshkornjë,ku kam shtypur të 4 librat unë.Kur më dha të parën,më tha:-Jam kënaq me plakën tuj lexu.Po ça ke shkru, oshtu, më ke kënaq shpyrtin! Një drejtor drejtorie në MA,pasi lexoi librat që i kisha dhuruar,kur më pa një ditë,më futi krahun dhe më tha:-Hajde të jap një kafe.Po sa të zonnjën e ke atë grua,se meqenë ajo imja,do më kish djegë me gjithë libër.Unë nuk mund të vazhdoj me këto përshtypje,por s'kam si mos veçoj,një vlerësim nga Poeti dhe shkrimtari Maku Pone (autor i mbi 20 librave!) që thotë:"Përparim Hysin do ta quanim me plot gojën Poet të dashurisë, të dashurisë si ndjenjë,por dhe filozofi me një kuptim të gjërë të saj... si pasurinë më të çmuar që zbukuron vetë jetën dhe ekzistencën njerëzore.Ka një finesë dhe harmoni në varg.I lexon poezitë dhe ke qejf t'i thuash me zë të lartë apo t'i këndosh me zë,sikur t'ua kesh dëgjuar melodinë me kohë." Tek gazeta e Athinës,miku im virtual,Andi Meçe zgjodhi për botim rreth 15 poezi të miat lirike.I ati i Andit,Hiqmet Meçe (shkrimtar dhe poet i njohur)ka shrkuar:"Përparim Hysi është poet i çuditshëm,tepër i sinqertë,që i këndon dashurisë.Herë ngjan me frymë persiane,herë me frymë fshatare të Bërnsit... "Dhe për të mos vazhduar se do më duket vetja si ai personazhi i të pavdekshmit Qamil Buxheli,"Doni më për Belulin?".Lexuesi dhe kushdo tjetër një gjë duhet të fiksoj: unë nuk jam narcizist dhe nuk vuaj nga ndonjë delir.Naum Prifti ka një personazh,një farë Kate(adoloshente,kjo!) që tek rri tek pasqyra,i thotë vetes:
-Sa e bukur je,moj Kate!Për fat të mirë, jam në moshë të vonë për t'u llastuar,por,sidoqoftë, do të isha hipokrit,po të mohoja,se ndjej kënaqësi kur lexuesit dhe krijuesit më vlerësojnë.

-A ka ndonje ngjarje ne jeten tende qe ja sheh gjurmet edhe sot? A ka ngjarje që ia ndjej gjurmët edhe sot?

Po.Ka dhe,mjerisht,kur e kujtoj më ngrihet tensioni i gjakut. Disa herë kam dalë para popullit për biografi. Shkruanin anonimët,po ca se punova mirë dhe ca se populli më donte,kam dalë me faqe të bardhë,por i plagosur shpirtërisht. Këto çaste kanë qenë shumë të vështira dhe ndaj në trungun tim,ka ende blana.

-Cili autor ju inspiron me shume?

Autorët që më inspirojnë mua:E po ku numërohen?Leon Tolstoi qëndron në buxhak.Sa kam qenë në Shqipëri,çdo verë lexoja "Dhjatën" e tij"Lufta e Paqja".Të njëjtën gjë bëja me "Dhjatën" e Shollohovit "Doni i qetë" dhe këtë e kam sjellë dhe me vete.E dua shumë Shollohovin,se Pantelej i çalë më kujton një plak nga Skrapari(po i çalë)që trufullonte njësoj si ai"turku".Grigor Melehovin e dua se kam njohur të ngjashmin e tij si portret( e vija përballë Pjetër Glebovit që e luante në film) dhe ky ishte major Tahir Beja(ndjesë pastë)që e kishte gruan ruse. Aksinjën apo Elina Bistrickaja e"kam njohur sekisha një kolege"tohidho" si ajo.Nga poetët,dua Eseninin dhe Bërnsin. Në Shqipëri, dua Lasgushin, Ali Efendi Asllanin, Frederik RReshpjen, Dritëronë, Xhevahir Spahiun.
Duke e mbyllur, o Frati im i dashur, të falënderoj dhe të uroj gjithë të mirat.

-Cilat janë marrdheniet me femijet Tuaj, Sa ju mbeshtet bashkeshortja dhe femijet ne aktivitetin Tuaj ,krijues letraro-artistik?

Pyesni për fëmijtë:kam një djalë e një çupë dhe jam i kënaqur që jetën dinë ta përballojnë me djersë,pa kërkuar "rrugë të kollajta". Me djalin që është në Florida prej 11-vjetësh, edhe jetoj.Po të misesh nga një thënie e një këngëtari të madh latin(më sakt:kuban!)Compajo Segua, me jetën familjare jam në rregull.Ky këngëtar i madh që këndoi deri në frymën e fundit(ka vdekur para dy vjetësh),thotë:
-Të jesh njeri,duhet` të kesh një fëmijë,të mbjellësh një pemë dhe të botosh një libër".Unë,sikur i kam plotësuar kushtet. Për time shoqe,të kam folur dhe jam me fat që kam ditur të zgjedh. Ma ka lehtësuar punën se kurrë nuk ka ditur të ankohet qoft dhe njëherë.

- Keni jetuar ne Fier ,sot ne Florida,-c'ju lidh me Skraparin?

Me Skraparin më lidh gjaku.Të dy prindërit i kam që atje dhe skraparlinjtë i dua.Kam thënë në një poezi që"vërtet unë jam myzeqar,por kujdes:jam nip në Skrapar!"Për të ardhmen?Ku ta di unë?Në Myzeqe ka një shprehje:
-Po të lanë për prift,bëhesh dhe dhespot.Por,po të lanë, ama. Se Çeçua ka biçak.Apo s'jam në "zonë të minuar"unë. Pleqtë, ku hyj dhe unë,nuk i mbajnë dot zotimet se...nuk dihet a gëdhihesh, sado që ngrysesh

-Dicka qe doni te shtoni,per krijimet Tuaja ne te ardhmen?

Unë,siç e ke marrë vesh,vetëm shkruaj dhe lexoj Pra, "vras" kohën. Po më duket se më ka gjetur si me atë fshatarin që mbjellë,po nuk korr.Megjithatë,rroj me shpresë që do t'i botoj kur të vete në Shqipëri. Se a e di atë shprehjen do kalosh nga shtëpia ime, se ta ndreq qejfin!Kam një mal me poezi që presin të dalin në drite dhe,veç këtyre,edhe disa tregime(pa frikë,duhet të jenë afro 50?!). Dhe,edhe sikur t'u bie shkrimeve me sopatën e dardharit,sipas asaj që mendoj unë, duhet të bëhen rreth mbi 12 libra me poezi(librin e mendoj me 100-poezi!)dhe dy vëllime me tregime.
-Si nje nder poetet me te talentuar ,prodhimtare plot larmi temash. Biles i vleresuar nga njeres te letrave shqipe dhe lexues te thjeshte .

-Cili eshte mesazhi qe ju keni per talentet e reja?

Mesazhi që u jap talenteve(në më lejohet,de!) do t'u thosha: deri më sot,njerëzimi vetëm dy shkolla nuk ka hapur dot:atë për të bërë njeri dhe për t'u bërë shkrimtar a poet.Të shkruarit, -mendoj unë,- është si dhunti nga Zoti.E vetmja rrugë për t'u bërë shkrimtar(por nuk është e prerë)është të lexoni. Sa më shumë të lexoni.Gorki ka thënë:"Sa libra të lexosh, aq dritare ke hapur në pallatin e mëndjes". Imagjino një pallat pa dritare se sa i"bukur" është.

-Zoteroni ndonje gjuhe te huaj? Sa ka ndikuar nw krijimtarine dhe jeten Tuaj?

Këtu kam mbetur në klasë. Për fat të keq,apo më shumë për turpin tim,nuk di asnjë gjuhë të huaj.Por gjatë gjithë kohës kam lexuar.Kur erdha këtu,e kish marrë ferra uratën:s'ka revan në pleqëri.Dhe siç erdha,edhe do ikë nga kjo botë. Vetëm me shqipen dhe vallë e di me saktësi dhe këtë.Se po fillon skleroza(sëmundje profesionale e mësuesëve.)

- Keni vizituar vende me nje demokraci te mirefillte ,Jetoni ne USA,Cfar do te dshironit te kishte Shqiperia jone nga keto vende demokratike?

I vetmi vënd që kam parë është:USA!Më pëlqen dhe them: -Pse nuk jam pak më i ri.Është vënd ku mund të jetosh pa frikë dhe ku nuk mungon asgjë.Them me vete,këtu,në USA, vetëm nënë e baba nuk gjen se të tjerat i ke gati.Po mbi të gjitha dashuritë më grin malli për atdhenë dhe më gjen si me atë"Pulëbardhën" e Dritëroit të madh,të cilën e gjetën në rërë,e çuan në shtëpi,e mbanin mirë e bukur, por një ditë,ja që nuk e gjetën.Kish ikur.Kërko e kërko dhe e gjetën në rërë. Tek shtëpia e saj e vjetër.Atje kish dhënë shpirt.Epo një Poet made in Dritëro i ka të rrallë shokët dhe ke seç mëson. Shpesh them:mos jam unë ajo"Pulbardha?!".Padyshim
Ju faleminderit ,Suksese dhe jete te gjate!

Intervistoi : Raimonda MoisiuImazh



Mikes për Shën Valentin !

(poezi)
Imazh

Nga Përparim Hysi

Herë më je si re puplore
Herë më je si fllad në maj
Dhe në dimër flokëdëbore
Që rri fshehur në një pllajë.

Herë më je si dritë dielli
Herë më ngjan si lule prilli
Ti qe gazi,edhe shendi
Se me ty,ikte dhe dimri.

Ikte dimri,vjen pranvera
Rreth e qark veç gjallëri
Pse më duket që tek dera
Po më pret mua tani?

Edhe dalim të dy tok
(sot është Shën Valentin!)
O mor çast,bëmu shok
Dhe shëroma shpirtin tim.

Se unë shpirtin e kam plagë
Se jam vetëm... dhe pa shokë
Pa dhe miken e kam larg
Shpirt,o shpirt,m'u bëre copë.

Ca nga dimri...largësia
Edhe malli po më mbyt
Sa e madhe dashuria
Ta gëzojnë të rinjtë këtë ditë!


E martë, 14 shkurt 2012 - Dita e Shën Valentinit
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 3 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 02 Dhjetor 2020, 11:27
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari