Kritika celsi i suksesit, te pakten keshtu konceptohet kritika letrare nga kritiket e famshem letrar. Nje kend proletar i dedikuar kritikes dhe analisteve letrare konstruktive.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
TRE LLOJET E HESHTJES - profesor Primo Shllaku
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4580
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
TRE LLOJET E HESHTJES - profesor Primo Shllaku, Posted 11 Nëntor 2010, 15:34
TRE LLOJET E HESHTJES
OSE
KRITIKA QË MUNGON


Imazh


PRIMO SHLLAKU
në institutin për Promovimin
e Vlerave në Gjuhë Shqipe

Mbas krijimit të alfabetit në dhjetëvjetshin e parë të shek.XX ndryshoi nji mendsi themelore e kulturës shqiptare. Forma gojore e produktit letrar ia la vendin ngadalë formës së shkrueme. Pati në atë periudhë nji harlisje të shkrimit me format letrar dhe Gjergj Fishta, i besdisun prej morisë së kandidatëve për letrarë, e shkreh ironinë e vet proverbiale kundër “shkrivanave që po na dalin kah nji për kaçubë”.
Stina e dytë e harlisjes së letrarëve fillon ndër ne mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botnore. Fushata asgjasuese ndaj traditës intelektuale, përveç eleminimit fizik të individëve ma të inicuem, shpalli idenë e krijimit të shpejtë të nji intiligjencie prej hiçit, e cila duke qenë “e shëndoshë” do ta kryente ku e ku ma mirë punën e saj sesa ajo kryepremja që kishte ra në fatkeqsi të plotë.
Në fushën e letrave u thirrën individë pa asnji lidhje me letrat, pa asnji lidhje me artin e letërsisë, madje, për dispjek e poshtnim të inteligjencies së futun në eklips, u gjetën dhe iu bâ vend individëve që për asgjâ nuk mund të kishin lidhje me ket art. Dhe u dukën në arenën e artit të letrave shoferë e taksixhij, bujq e arsimtarë, mjekë dhe ushtarakë, sidomos ushtarakë para e mbas heqjes së gradave.Vërtetohej ksisoj se epoka e socializmit kishte shlirue energji të mdha shoqnore,kishte zbulue talente atje ku as që priteshin dhe jeta artistike kishte implikue pjesën ma të madhe të shoqnisë edhe si konsum,por edhe si krijimtari. Kjo “pasuni” shkrivanësh që dikur kishin bezdisë Fishtën sqimatar e mbathkues,nëmos ishin ma të shumtë se kaçubat e vendit tonë, bimësisht të interesuem prej makies mesdhetare,të paktën ishin ma agresivë e ma sfidues, kampionë të krijimit e të mprojtjes së nji letërsie kiç, katërcipërisht e tredhun në ndjesi e në ide. Fishta s’ishte gjallë asokohe për të thanë diçka për ketë racë të re “shkrivanësh” nula e mujsharë njiheri. Për ta do të fliste prej Zvicre dramaturgu i madh Friedrich Dürrenmatt tek drama e tij e mirnjoftun “Nji engjull vjen në Babiloni”, ku lajmi i zbritjes së nji engjulli prej qielli e ngacmoi kaq tepër qytetin e Babilonisë sa edhe nëpunësit e mykun të shtetit u naltuen shpirtnisht prej ksaj ngjarjeje, kapën penat në dorë, filluen të vjershëronin, shpesh pa mundë me mshefë hovet e tyne të ndezuna homoseksuale ndaj ktij djaloshi bukuran që kishte zbritë prej qielli.
Kurse sot, në kohën tonë, kjo gjendje ose paraqitet njilloj, ose harlisja ka avancue edhe ma tepër. Dikush, me hamendje, kishte hjedhë idenë se sot tek na ka ma shum shkrimtarë se lexues. Ky zhballancim kryekput irracional i fushës së letrave, ky anormalitet patjetër që e ka shkakun e vet te anormaliteti i zhvillimit tonë në harkun e historisë sonë të re.
Kjo mori e re shkrimtarësh që vazhdon të shfaqet ndër ne prej gati nji shekulli,ksaj radhe,mbas ramjes së diktaturës ,mund të spjegohet edhe si reagim ndaj afazisë së imponueme gjatë diktaturës.
Por përherë e ma tepër po konsolidohet ideja e gjanë se nji nder shkaqet organikë të ktij mbipopullimi të limbit letrar tek na âsht padyshim mungesa e kritikës dhe vonesa e ardhjes së saj.

Heshtja e moskuptimit

Me hapjen e Shqipnisë gjatë mbas ’90-ës u ça muri i naltë i digës së izolimit dhe vërsheu me fuqi rroposëse fryma e një letërsie europiane e jashtaeuropiane.Vonesa e inkasueme për shkak të represionit diktatorial si dhe radha objektive e stinëzimit letrar mbrenda fushës së letrave shqiptare,krijuen vështirsi të forta në lidhjen dhe ndërlidhjen mes epokave letrare.Por, mâ e randsishmja, âsht se etja dhe dispozitat e letërsisë sonë për t’u vû më nji hap me botën e rretheqarkut ishte motivi qëndror i gjenerimit të risive.
Dhe erdhën ndër ne zane e talente shpërthyese, ku krahas pamundsisë për t’u disimilue me modelet, produkti i tyne letrar shprehte pa asnjifarë dyshimi origjinalitet dhe autenticitet. Ky virtyt i munguem i letrave shqipe, pra origjinaliteti dhe autenticiteti, nuk mund të kishte shtatin e produktit të mirfilltë të zhvillimit, për faktin dramatik se izolimi i diktaturës kishte traumatizue jo vetëm krijuesit por edhe horizontin e pritjes, ose, thanë ndryshe, lexuesin shqiptar që nuk kishte mundë të rritet mâ shum se bukolik,melodramatik dhe amator i nji letërsie me theksim të njilloj patriotizmi nostalgues.
E keqja nuk âsht se lexuesi mesatar shqiptar i mbas “90-ës nuk mund të futej në kodet e ksaj letërsie të re që formonte prag me nivelet e së maparshmes.Por te ky prag merrte në thue dhe pengohej jo vetëm mesatarja e lexuesve,por edhe nji pjesë nuk di se sa e madhe e letrarëve tashma të pjekun e me listë vllimesh në aktivin e tyne,pedagogët,kritikët dhe KRITIKËT,estetët dhe studiuesit.Pothuejse asnji prej tyne nuk përshëndeti ardhjen e ksaj prumje plot risi e morrnica,që u përvesh me rrzue ligjet e letërsisë paraardhëse si dhe infiltrimet morale që kishin hŷ pa vend e grat mbrenda shkrimtarisë sonë.Me nji fjalë bota shqiptare ishte e papërgatitun për të pritë e për të asimilue ket produkt organik të stinës historike që përjetonim.Ketë herë ajo u zu gafil dhe heshtja e saj e atëhershme dhe e sotme ndaj ktij produkti dhe ndaj ktyne autorëve dëshmonte në mnyrë të bujshme paaftësinë dhe mbetjen e saj mbrapa në rrjedhat letrare të bashkëkohësisë si dhe indoktrinimin e tyne të ngurtë për të detektue vetëm nji lloj kantilene dhe monotonie.Pra,me nji fjalë të vetme, kta autorë dhe kta shkrime u linden e ranë në tokë në mnyrën mâ të pahirshme,jashtë “maternitetit”,pa “mami”, varfanjakë e të ndritshëm si foshnja në grazhdin e Betlehemit.Establishmenti i kritikëve e letrarëve të selitun e të rritun në kohën e diktaturës heshti me shum dinjitet,sepse duhet shum dinjitet për të mshefë paaftësinë dhe zanien tande gafil.Dhe kjo ndodhi mbrenda të gjitha përmasave të decentes.Ata nuk mund të flisnin,sepse nuk dinin çfarë me thanë.E keqja âsht se ata e shitën ketë heshtje për dinjitarizëm të nji kompetence eprore që,për arsye të seriozitetit dhe të integritetit profesional,e mbante të drejtën e rezervës. Prapë më duhet të theksoj se zania gafil e dikujt përpara risisë,nuk përban mkat për ata që e psojnë befasimin.Deri ktu na jemi mbrenda normalitetit,ose,ma mirë me thanë,mbrenda anormalitetit të kërkuem e të dëshiruem prej gjithë nesh në kohë kapërcejsh historikë.Dukunitë e reja,përpos se kanë zanë gafil kritikën dhe ndjeshmënitë artistike të të gjitha kohnave,por shpesh kanë zanë gafil edhe vetë autorët,kaq zâdhanës të pavetdijshëm ishin për përmasat e binomit të tyne refuzim-propozim estetik.
Ky qe edhe kontakti i parë me dëshprimin kulturor i aradhës së re të krijuesve në demokraci.Nëse diktatura nuk do t’i linte të lindeshin,demokracia postdiktatoriale nuk do t’i lênte me u rritë.Hapi ishte kolosal.Ata kishin dalë nga mosqenia në qenie dhe lufta tash e mbrapa do të bâhej për eksiztencën.
Sidoqoftë kjo heshtje ishte e pafajshme,heshtje me burim mosditjen,pra,injorancën në kuptimin e saj të parmë.Rezerva e tyne ishte shkaku i mungesës së entuziazmit para sendit të ri e të shumpritun në letrat tona.Por kur ky qëndrim u zgjat,atëherë mbeteshin dy rrugë:ose të mbanin pozicionin tue injorue kto foshnje të ndritshme të bashkëkohësisë ma të nxehtë,ose të ngriheshin e të iknin e t’ua lênin përgjegjsinë të tjerëve që mund të ndërtonin nji raport ma ndërveprues.Por kjo nuk do të ndodhte sepse heshtja e moskuptimit do të zhvillohej te ...

Heshtja e mosnjoftjes

Tue pasë në dorë mjetet e establishmentit dhe tue qenë pjesë e tij qysh në kohën e diktaturës,na trashiguem nji elitë zyrtare kulturore me formim marksist-leninist,besnike ndaj parimesh dhe e trembun ndaj ndryshimesh.Pak a shum kto subjekte ndodhen ende sot në krye të ktyne punëve dhe,me përjashtim të veprës së rotacionit natyral të brêzit,infiltrimet e të “rijve”(në moshë apo ide)janë krye me teknologji farmaceutike.
Përmbysja e madhe dhe proporcionale në lamin e kulturës sonë nuk ka ardhë ende.Ajo që ka ndodhë me politikën dhe ekonominë shqiptare,në kulturë sa ka futë vetëm majën e kambës.Dhe kjo jo se sferat e kulturës nuk janë homogjene me dy të sipërpërmendunat,por sepse në kulturë nuk kanë ndërhŷ dhe s’kanë se si ndërhŷjnë ndërkombtarët.Në fushën e kulturës jemi vetëm,vetëm me veten tonë ma të mirë e ma të keqe,vetëm me veten tonë ma të vjetrueme e ma të njomë,vetëm me veten tonë që ka leverdi me e kthye fletën dhe me veten tonë që nuk ka leverdi me e kthye fletën.Po të pranonim kshillën e Nitsche-s që thonte se e vetmja fushë ku gjakderdhja âsht e moralshme,âsht fusha e mendimit(kupto:fusha e kritikës),ne nuk na mbetet tjetër veç,mâ në fund,ta sjellim pluralizmin edhe në fushën e kulturës dhe rotacioni i brêzave të ndodhë në nivel idesh dhe jo në atê biologjik.E di se âsht shum delikate të trazohet kujtimi i të shuemit Dh.Xhuvani,por meqë nekrologjinë nuk ia shkruen njeriu vetes,âsht rasti të hŷjmë në mendsinë e vlersimit të nji shkrimtari që ndrron jetë.U tha për të shuemin me shum pompë se ishte autori i 50 librave,a thue se po të flitej për tê vetëm si autori i Tunelit Xhuvanit do t’i ulej pahu dhe do t’i haheshin vlerat.Âsht absolutisht e vërtetë se ai ka botue 50 libra,por âsht po aq absolutisht e vërtetë se përveç romanit Tuneli,i cili qe nji sprovë e vetvetishme drejt nji realizmi mâ agresiv dhe aspak nji dalje prej të ashtuquejtunit realizëm socialist,estetikisht autori âsht në nji linjë me diktaturën dhe politikat e saj korrente të asaj kohe.Ky roman i ban nder të madh autorit përsa nënvizon të shëmtuemen si pjesë të jetës e jetën si prodhuese të së shëmtuemes. Ngjarjet e mavonshme me autorin në qendër i japin biografi librit dhe autorit që pagoi jo lirë nji variant të tijin estetik të së vërtetës.Por librat e mavonshëm si puna e Përsëri në këmbë që ishte nji variant i maskuem keq i Si u kalit çeliku nuk mund të quhet as propozim i ri estetik,as edhe nuk përban nji eveniment për CV-në krijuese të autorit.
Kultura pluraliste i shndrron sistemet e referencës nga sisteme të mbylluna në sisteme të hapuna,nga vlersime epokale në vlersime të gjithkohshme.Vetëm ajo sjell metrin e universales dhe e shtyn frikshëm vijën e horizontit aksiologjik dhe na që merremi me shkrime, e kemi përherë e mâ të vshtirë me lshue hije mbi ketë tokë.
Nuk kam as pikën mâ të vogël të dyshimit se, të paktën në vjetët ’60,në lamin e letrave shqipe u angazhuen individë me aftsi e veti të çmueshme për letërsi,talente(ketë fjalë më duhet ta përdor për forcë të zakonit sepse ajo nuk gjindet mâ në asnji manual të estetikës) e potenciale që mund të mahnitnin me shtjellime e tirada rreth materies letrare.Por ata për shkak të nji trolli të ngurtë kultural dhe të nji nomadsie të lodhshme kolektive që ruenin në kujtesën e tyne familjare,mezi ç’prisnin me hŷ në nji sistem,me i përkitë nji sistemi.Dhe sistemi ishte i gatshëm,i gatshëm me ofrue dhe i etshëm me lypë.Ktu lindi martesa e pafat e tyne me sistemin,e pafat se ishte e destinueme me zgjatë përfare,pa divorc,pa alternativë.Hymja në ket sistem rezultoi shum shpejt si dorzim i intimitetit,si dorzim i identitetit të thellë e i individualitetit.Dhe ky dorzim do të përkonte fatalisht me rininë e tyne,e marrë kjo si stinë optimale e krijimit dhe e realizimeve.Sistemi realizonte unitetin përmes përlyemjes së individit dhe përdhosjes së talentit si nji rrugë me sens unik,e pakthyeshme dhe e parikuperueshme.Vetëm kshtu mund të spjegohet vullkanizmi qaraman ose inversi i tij,qaramanizmi vullkanik i Frederik Reshpes,që kishte mbetë në mes të rrugës,as te hapi,as te hupi,as te bregu,as te deti,para nji pleqnie të zymtë dhe nji rinie të pajetueme,me nji grusht vjershash që ia kishin asgjasue zamanin e krijimtarisë për nji çeshtje pa substancë.Por ai të paktën e kuptoi ktê dhe poezitë e tij të fundit ishin nji përpjekje e dëshprueme për me rikuperue të pariparueshmen e,ashtu si te prralla shqiptare ku marsi i merrte hua prillit tri ditët kritike të ngurosjes së plakës,ai,Frederiku i shuem,i mori hua rinisë kohën e hjedhjes së nji klithme që për tê ishte sprova e vetme për me shkrue ashtu siç ai mendonte se duhet të bante.Dhe kjo do të mbahet mend si klithmë e jo si poezi.Dhimbja e vetes mbas aq kohe të injorimit të saj,nuk mund të kthehej mâ në landë të poezisë,por rastsisht e fatmirsisht vetëm në tingllim e prozodi të saj.Dhe mbyllej, kshtu, tragjedia personale e nji njeriu që e kishte shpërnjoftë veten,tue ndjekë nji hyll kallp.Ky zgjim në sekondën e fundit mund t’i vlejë Reshpes sa nji hymje në panteon.
Kta letrarë që përmenda mâ sipër e për të cilët jam i sigurtë se ishin dhe mund të bâheshin diçka tjetër,për arsye të atij formimi dhe të asaj kulture që përcakton zgjedhjet bazale të jetës dhe të karrierës,e kishin zgjedhë artin si shkallë për t’u faktorizue dhe dalë nga anonimati që u rezervonte origjina.Në kushtet e kritikës së mungueme,kta novicë nuk mund të seleksionoheshin në sitat e meritokracisë,por vetëm në lidhjet me qarqet ose pranëqarqet politike të kohës.Me siguri ata nuk e dinin se kushti i parë i artit ishte kapërcimi i vetvetes.Vetveten ata e kishin lshue në favor të nji identiteti kolektiv që mbante elementë të antarit të partisë,njeriut të thjeshtë të panxanë të popullit ose edhe të qytetarit që nuk e eksitojnë të vërtetat që ai mund të zbulojë.Ata nuk e kishin zgjedhë artin ose,konkretisht,letërsinë si fat të vshtirë.Po përmendi Ovidin që e ngrysi jetën në internim dhe kurr nuk u ndie hero,Gauguin-in që braktisi Parisin dhe shkoi e jetoi mes kasolleve prej balte në Taiti dhe s’u ndie kurr hero;Fishtën frat françeskan,meshtar e vjershtar i kultit marian,që nuk do të ngurrojë me ju drejtue Zotit me fjalët lapidare “O Zot,a ndjeve/ trathtarët na lanë pa atdhe/e ti shkon e gjuen me rrfe/lisat n’per male kot. Mos ta harrojmë Migjenin që u shkrî në dhimbjen e pafund të nji celibati të pashpresë e të nji refuzimi seksual,për t’u realizue tansisht te vargjet e tij dy herë të lira.Dhe s’u ndie as hero,as dëshmor.
Askush nuk mund të kërkojë prej askujt heroin,dëshmorin, trimin.Por njeriun mund ta kërkojmë simbas traditës greke me Diogjenin që kërkonte me llampë njeriun nëpër rrugët e qytetit ditën për diell.Por ajo që kërkojnë artistët âsht ma fort njerzorja se njeriu.E kur ajo që kërkojmë me artin nuk âsht njerzorja,por fabrikimi i nji situate me njerz simbas nji ideje a priori ,ky art nuk mbrrin të bâhet humanizëm.Në ket hendek bie dhe thyen qafën pa asnji shans shpëtimi falanga e pamatë e produktit letrar të letërsisë funksionale e bashkë me tê të gjithë ata që nuk kishin pasë rast me hetue thellë qenies së tyne substancën hyjnore të vetvetes.Ata e kishin çue jetën gabim,kishin jetue gabim,kishin çue dam zamanin e hovit optimal të jetës krijimtare.Sot ata ndodhen të mbërthyem në danat e nji problemi të kulluet ekzistencial,mbrenda llojit të tyne të dëshprimit kulturor,në të cilin asnjeni nuk mund ta blejë të kaluemen,jo si diçka që i akuzon,por për të bâ nji zgjedhje tjetër lidhë me artin e tyne.
Ky mund të jetë edhe shkaku që shkrimtarë të prononcuem dhe të ekspozuem si skuadra zyrtare e një letërsie zyrtare kanë pasë dhe kanë nji qëndrim shum kompakt gjatë gjithë kohës së mbasramjes së regjimit. Shkaku i ksaj kompaktësie nuk âsht e nuk mund të jetë solidariteti trejdunionist i degës,por dhimbja e madhe para dëshprimit kur shef se ke humbë mundin.Latinët kanë pasë nji shprehje tipike për të shprehë kulmin e dhimbjes:operam et oleum perdidi(humba veprën dhe vojin).

Kadareja për Martin Camaj

Sa do të kisha pasë dëshirë që letrarët shqiptarë të njifnin e përshndetnin njeni tjetrit mbas ramjes së regjimit dhe mes tyne të kthehej kolegjialiteti i vërtetë që buron nga fakti i qenies bashkëkohës.Sa mirë do të ishte që Kadareja,psh,të përshndeste ardhjen e Martin Camajt në shtëpinë e vet mbaj nji bllek-auti 30-vjeçar.Në masë të madhe kjo njoftje nuk erdhi.Kadareja do të përgjigjej thatë e shkurt se nuk do të thotë ndonjë gjë që nuk e kam përshëndetur Martin Camajn.S’jam i detyruar pa tjetër që ta përshëndes.
Të gjitha kto janë të vërteta dhe mâ se të vërteta.Askush nuk âsht i detyruem të përshndesë kolegun e vet,edhe atëherë kur ai vjen prej hijes dhe del prej zonash gri me shkëlqimin e fenomenit dhe me bumin e së panjoftunës që të çudit.Kam shum frikë se ky ceremonial njerzor nuk mund të ndodhte,aq ma pak prej anës së shkrimtarëve zyrtarë,sepse shkrimtarët kishin nji hall të madh.Kishin humbë veprën edhe vojin.E kjo s’ishte pak.Kjo ishte nji tragjedi e vërtetë.Të humbësh mundin e jetës. Atëherë a mund të rishkruhej edhe njiherë ajo vepër,të tërhiqej si me magji prej bibliotekave të publikut dhe të shkruhej ndryshe?E pamundun. E si të shkruhej?Ku të gjendej energjia për ta rishkrue nji libër që ishte i nisun gabim,i zhvilluem gabim e i mbyllun gabim.Atëherë duhej gjetë nji ekspedient tjetër,nji ekspedient i mundshëm dhe i realizueshëm: reinterpretimi i veprave dhe mballosja e tyne me përmbajtje të reja e me kinse aluzione që shpesh në gojën e tyne tingllojnë deri qesharake.
Nëse nuk ndjehemi aspak përgjegjës për mnyrën sesi e çuan dam rininë e tyne,mundin e tyne krijues,andrrat për të qenë të parët përmes krijimit të nji letërsie me vlera mbetëse,talentin e përkushtimin e tyne ndaj letërsisë,përkulemi me interes mbi dhimbjen e tyne të pangushllueshme.Sa me dobi do të ishte që ta pranonin ktê,të shkruenin për têe të kishim nji dëshmi në vetë të parë të ksaj drame që do t’u siguronte me siguri nji herë të vetme kapërcimin e vetvetes.Nuk do të uroja që dikush të jetonte pjesën tjetër të jetës së vet në morgun e veprave të veta të vdekuna.Nuk do t’i uroja askujt që t’i vdisnin veprat para se të vdiste ai vetë.
Për nji ligj universal e të lashtë sa vetë njeriu, të vdekunit nuk mbahen në shtëpi,por duhen vorrosë.Mjerisht në lamin e letrave shqipe sot ka shum gërmadha dhe shum drita të ndezuna mbi kto gërmadha jo aq për t’i ndriçue si të tilla,por për t’u dhanë sadopak nji jetëzgjatje për shkak të funksionit sublim të dritës.
E kshtu,pra,kemi humbë çdo shpresë se mund të mendohet që kta kolegë,bij e baballarë të letrave,që kanë kaq tepër halle mbi kokë,që e kanë kaq të idhtë qiellzën qysh prej çastit të ndërgjegjsimit të tyne për humbjen e juveniljes ,t’i qasen ktyne krijimeve të reja e të gzohen për to e të knaqen me to.Ato janë kthye në makina që të bombardojnë me heshtje,me heshtjen e jazit të tyne,me heshtjen e marazit që,dikur, kishin bâ nji zgjedhje të gabueme dhe e kishin jetue gabim jetën e tyne krijimtare,se kishin vrapue mbas sirenash dhe i kishin sjellë shpinën muzave e kshtu me radhë...Nji requiem për ta.Heshtja e tyne âsht krejt e pafaj...


Heshtja e mospëlqimit

Kam sigurinë se në tanë ketë mori intelektualësh që lexojnë,përkthejnë,komentojnë janë disa që e kuptojnë produktin e ri të kohës së re.Ata që erdhën pa pyetë njeri,pa lêjën e askujt deri në qendrën e ndjeshmënisë bashkëkohore,që sollën modestisht ofertën e tyne të sinqertë me shijen dhe aromën e kohës,por edhe të kohnave ndihen pa kohë,pa tokë nën kambë,pa miq e shokë,pa mecenat,paguejnë me të hollat e tyne botimet,askush s’i thrret,bâjnë ca festa të vogla me pak njerz,kurr nuk bâhen pêsë.Recitojnë,lexojnë dhe zhyten në biseda të pafund a thue se,pikërisht kur bisedojnë gjatë,koha ndalon dhe ata kanë mundsi edhe të gabojnë.
Ka gjithmonë në fushën e artit nji arsye të mirë për mos me dashtë nji vepër ose nji autor.Dhe kjo arsye e mirë âsht thjesht se ai libër ose autor nuk na pëlqen.Në art pëlqimi konstituohet si ma e forta arsye e botës. Dhe na themi: ky autor,sado i famshëm,sado i njoftun,sado çmime të ketë marrë,nuk më pëlqen.Dhe preferojmë ta kalojmë nën heshtje.Kjo âsht nji heshtje diskrete,delikate,nji pozicion xhentil ku heshtja rivendikon sinoniminë me respektin formal njerzor.Të ardhunit e rij në fushën e artit duhet të bâjnë llogaritë e tyne edhe me ket lloj heshtje, e cila nuk âsht as fajtore,as e pafajshme.Ajo buron prej mospëlqimit,prej mungesës së shfaqjes së harmonikave mes subjektit lexues dhe realiteteve estetike të veprës.Kjo kategori njerzish,pra ajo që nuk involvohet estetikisht në kontakt me nji vepër,shpesh herë âsht dhunue prej insistimit për të pranue disa vlera letrare atje ku ato për dikë kanë qenë të pandieshme deri në inekzistente.Opinionet letrare, të krijueme gjatë diktaturës dhe që kanë vazhdue gati të paprekuna në epigonizëm dhe argumentologji deri në ditët e sotme,janë përpjekë t’u imponohen lexuesve të të gjithë kalibrave përmes argumentash jo aq fort analitikë,se sa promovimit me metoda reklame dhe tifozllëku.Shpesh thuhet se nji autor âsht i mirë sepse ai botohet jashtë dhe çmohet atje.Kjo âsht puro reklamë,reklamë e hjedhun mbi nji lexues të prezumuem si ksenoman.Ku âsht analiza? Ku âsht varianti analitik i nji kritiku mbi at libër?A jemi na kaq foshnjorë sa nuk mund të shofim sendet tona,pa na i pasë vû mâ parë sŷzet mrekullbamëse të të huejve?Kto pyetje duen përgjigje dhe janë shum serioze.Ato nuk mund të knaqen vetëm me nji “po” ose nji “jo”.
Të gjitha kto realitete që burimin e kanë te mungesa e kritikës, kanë ndihmue të krijohet nji klasifikim piramidal në fushë të letërsisë. Piramidaliteti hierarkik në arte ka edhe nji shkak tjetër serioz,efekti i të cilit nuk âsht shue ende.Fryma hegjemoniste dhe hierarkitë marramendsisht vertikale të aparatit shtetnor e poltik të diktaturës kanë riprodhue deri diku veten edhe në klasifikimet hierarkike të botës së shkrimtarëve.Ja dhe nji arsye ma tepër për ta sjellë pluralizmin në fushën e kulturës.Konceptimi i hierarkive në formë piramidale âsht autokratik dhe teokratik,nuk mban parasŷsh dhe paralizon mundsinë e lvizjes,respekton vetëm autoritetin,beson në teoritë mbi fundin e historisë. Piramidaliteti përjashton marrdhanien njerzore mes krijuesve,dekurajon filizat dhe sythat e majës,paralizon e ngadalson zhvillimet,krijon rrumpallë e konfuzion në fushën e prodhimit artistik,shkapërderdh vemendjen dhe i shërben kalcifikimit dhe sklerotizimit të establishmentit kulturor.
Skema e re dhe konfiguracioni i ri i klasifikimeve,i mbështetun edhe zyrtarisht, duhet të ishte skema e “pyllit letrar”,ku secili autor ka trollin e vet ku rri në kambë,ka volumin e vet të frymëmarrjes dhe volumin e vet të qenies.Simbas ksaj skeme ka vend për të gjithë,edhe për lisa ,edhe për shkurre ,edhe për “bimë të nënpyllit” .Të gjitha kta pshteten dhe nisen prej të njajtit terren,që âsht tabani i kulturës kombtare dhe simbas aftsive realizojnë volumin dhe naltsinë e tyne individuale.Por secili mbin mbi tokën e vet dhe pesha ose mungesa e peshës së tij nuk randon mbi kokën,kohën a jetën e nji tjetri.Krijuesit kanë nevojë për vemendje e kujdes,inkurajim e kritikë të fortë,deri në asgjasuese.Artistat tanë deri tash janë rritë jo përmes luftës për ekzistencë mbrenda llojit të vet,por si benjaminë politikë e si muza shtetnore,me të gjitha të kqijat e të mirat që rezultoi se ka kjo praktikë.
Kritika në art e në letërsi simulon intelektualisht luftën për ekzistencë mbrenda llojit.Në natyrë qeniet pa rival destinohen me u bâ përbindsha,kurse në shoqni diktatorë.Kritika në nji farë mnyre realizon dhe dozon rivalitetin në jetën kulturore.Mungesa e kritikës kultivon skemat piramidale të hierarkisë ku kambët e të sipërmit shtypin kokën e mâ të ultit,ku peshën e kulmit e mban dhe e paguen radha e bazës.Na jemi ilustrim klasik i ksaj të vërtete.
Shkrimtarët kandidatë për afirmim duhet ta kërkojnë kritikën dhe kur ajo të vijë,duhet ta durojnë kritikën.Ata duhet të jenë të përgatitun edhe për kritika dashakeqëse,edhe për mllefe,edhe për kritika mohuese,edhe për kritika jokompetente.Gjithçka duhet të dalë sheshit e të ndezet debati.Sendet nuk duhet të kalojnë mâ në heshtje.Heshtja âsht edhe flori,por âsht edhe vdekje.Dy llojet e para që u spjeguen ma sipër, simulonin vdekjen dhe moslvizjen.
Le të hŷjmë pak në analizën e së drejtës për kritikë.
Shkrimi yt,i dashun shkrimtar,âsht i yti derisa ti nuk e jep për botim dhe ai nuk faqoset e bâhet nji send me fletë e shkronja shtypi që quhet libër.Kur ti e nxjerr nga vetja dhe e blaton te vemendja ime,dhe për ma tepër kur nuk ke pasë rastin të ma dhurosh,por unë e blej me paret e mia të dashuna e shtrêjta,ky libër me gjithë ç’ka mbrendë âsht edhe imi,fort i imi.Unë ulem ta lexoj gjithnji me shpresën se ti do të më çosh drejt botësh fantastike e unë do të lundroj pak me fantazinë time e shum me fantazinë tande drejt realitetesh magjike që më gllabrojnë.Në qoftë se kjo ndodh, unë kam me të lexue edhe nji herë tjetër e kam me të rekomandue edhe ndër të tjerë,sepse ti e ke fitue betejën e reklamës, si edhe atê të rileximit.Ama,po nuk më pëlqeve,pse duhet ta mbaj jazën,pse duhet të turpnohem unë që je ti që më ke prishë shijet dhe ma ke vjedhë pa bereqet kohën time.Ket libër të keq unë mund ta var ku të due dhe mund ta gris fletësh për çfarëdo qëllimi që të më vijë për mbarë.Ket libër e kam ble dhe âsht malli im,âsht prona ime.Ti nuk je imi e me ty nuk kam punë.Po të dija me shkrue,mund të rreshtoja kundër teje fjalë të idhta ose djegëse që ti të mos guxosh mâ me prekë penë me dorë.
Dhe kshtu mund të fillojë kritika,të dalë nji ose disa të krisun që,tue pasë qejf me ndêjë për kafe me ne,nuk do të kenë qejf me durue neverinë ose digustin që i shkaktojnë librat tanë.Mediokriteti e urren kritikën.Ai lakmon lmashkun e gjolit dhe dremitjen nën çfarëdolloj dielli. Shkrimtarët e mirë të përgatiten me përballue edhe kritikën nihiliste,sepse heshtja âsht mosqenie e nuk përballohet.
Tue perifrazue nji lutje të krishtenë që thotë “ardhtë mbretnia jote,u bâftë vullneti yt”,po i lutemi kritikës që të vijë mbretnia e saj dhe njimend u bâftë vullneti i saj.
E mora më dt.11.XI.2010
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 12 Qershor 2021, 20:32
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari